• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URIME PER DITEN E FLAMURIT 28 NANDOR (19!2-2021)

November 27, 2021 by s p


Të dashtun bashkatdhetarë e bashkatdhetare:


Më 28 Nandor 2021 të gjithë shqiptarët e shqiptaret kudo që banojnë do të festojnë Ditën e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. 


Åtë ditë, nji grup shqiptarësh patriotë, të kryesuem nga diplomati shqiptar Ismail Kemal Bej Vlora shpalli Shqipërinë e lirë, atë kohë e robnueme për afër pesë shekuj nga rregjimi aziatik otoman, dhe deklaroi në Vlorë Shqipërinë “të mosvarme” të pavarun tue vu kështu gurin themeltar të ndërtimit të shtetit të cunguem shqiptar.


Fatkeqsisht çlirimi i Shqipërisë nuk ishte i lehtë – i rrethuem e i rrezikuem nga shtetet shoviniste-, autoriteti i Qeverisë së parë shqiptare shtrihej vetëm në disa zona të vendit. Hapsina të tana, sidomos në Veri, ishin okupue nga serbët e malazezët, në Jug nga grekët, qeveri që luftojshin kundër pavarësise së Shqipërisë. 


Shkodra e rrethueme nga malazezët, Kosova e okupueme nga serbët, Çamëria e okupueme nga grekët dhe krahinat e Ulqinit, Tivarit, Malësisë së Madhe, Plavës e Gucise, dhe Ilirida ishin nën sundimin e fuqive të hueja. Kjo situatë pengoi delegatët e Veriut dhe të Kosovës, kryesue nga patrioti Isa Buletini të shkojnë me vonesë në Vlorë.

Shumë ngjarje kanë kalue në Shqipërinë tonë, shumë vuejtje e fatkeqsi të pameritueme sidomos  tragjedia e përgjakshme e diktaturës së proletariatit…!

 
Për fatin tonë e të gjithë shqiptarëve nji fazë e re histrorike ka fillue, ku shqiptarët po i dedikohen -qofte edhe me gabime!- ndërtimit të nji Shqipërie të lirë, të pavarun, demokatike, të bashkueme dhe europiane. 


Sot, Shqipëria ashtë anëtare e OKB-së, e NATO-s, dhe kandidate për anëtarsim në Bashkimin Europian. Europa ashtë shtëpia e jonë.
Sot kemi miq të mëdhej: Shtetet e Bashkueme, Gjermania, Mbretënia e Bashkueme, Italia, Austria dhe shumë vende tjera. Sot, kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Në nji shoqëni të këtill sot ecim me siguri dhe besim drejt realizimit të andrrës shekullore: nji Shqipëri për të gjithë me Kosovë e Çamëri, Preshevë, Ulqin, Tivar, Malësi e Madhe, Plavë e Gusi dhe shqiptarët e Iliridës.
Nuk kërkojmë tokën e huej; por nuk lejojmë që të huejtë të marrin tokën tonë!


Vëllazën, motra! 


Jetojmë në Amerikë, tokë e bekueme me liri e drejtësi për të gjithë. Për fat të mirë anëtarë të Federatës VATRA që na përfaqson.
Le të festojmë këtë lidhje në mes nesh: “Jemi vëllezër, nuk na ndajnë dot!” shkruente poeti. Le të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.
Le të respektojmë Kushtetutën e ligjet e vendit që na ofroi azilin që kërkuem.
Le të tregojmë para botës mbar se kemi vlerat tona, e këtë ta bajmë të gjithë së bashku.
Le të festojmë së bashku këtë ditë të madhe kombëtare.


vëllazënisht i jueji
Sami Repishti 

Filed Under: Vatra Tagged With: Sami repishti

DOKTRINA BIDEN”: KTHESË HISTORIKE E POLITIKËS AMERIKANE

September 21, 2021 by s p

Sami Repishti, PhD

Ridgefield, CT.

Shteti i njohun si Afghanistan ashtë nji vend i rrethuem pa dalje në det. Pozita gjeografike e ban ate nji nyje të randësishme të transportit dhe tregëtisë për Azinë Qendrore dhe Jugore. Nga L. dhe nga J. kufizohet me Pakistanin, nga P. me Iranin, nga V. me Turkmenistanin dhe Uzbekistanin; ne V-L. me Republiken Kineze. Këto vende, (përveç Kinës) ashtu si Afganistani janë me shumicë dermuese të banueme nga popullsi të besimit islam. Sipërfaqja tokësore prej 652.000 km2 ashtë e mbushun me male të nalta -Hindokushi-; në V. e V-L. me fusha. Popullsia numron 41.4 miljonë banorë (2020) e përbame nga grupet etnke PASHTUN, TAXHIK, HAZARA dhe UZBEK. Kryeqyteti ashtë Kabul. Nji grupim fisesh artificial…!

   I okupuem nga ushtri kalimtare dhe jo fitimtare, Afganistani njihet si “vorreza e perandorive”. Mbas luftës anglo-afgane të vitit 1919, vendi u çlirue nga dominimi i huej dhe u themelue Mbretnia e Afganistanit. Në korrik, 1973, mbretnia u rrëzue dhe lindi Republika e Afganistanit që zgjati vetëm pesë vjet dhe vendi u ba nji shtet socialist që provokoi luftën afgano-sovjetike (1980) kundër “muxhahedinëve” të rebeluem nga motivet fetare. Në vitin 1996, Åfganistani ra nen sundimin brutal të “Talibanëve” (fundamentalistë islamikë), dhe u ba qendër e terrorizmit. Në vitin 2001, akti terrorist i 11 shtatorit (i njohun si 9/11) kundër Åmerikës  që shkatërroi dy kulla 110 katëshe dhe kushtoi jetën e 3.000 plus viktimave të pafajshme (tre shqiptarë: Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj), qeveria amerikane vendosi të shkatërroj çerdhen e terrorizmit, me sulme ajrore në fillim dhe me invadimin e Afganistanit ma vonë. Për fat të keq, ndermarrja amerikane zgjati 20 vjet aksionesh luftarake me nji kosto të randë: 2,461 viktima amerikane 65.000 plus viktima afgane dhe nji shpenzim  afërsisht 300 miljonë dollarësh çdo ditë.

   Në vitin  2021 amerikanët vendosën tërheqjen nga Afganistani. Procesi normal i tërheqjes u përkeqsue nga nji sulm i papritun dhe  i përgjithshëm I forcave talibane, nji aksion të papritun për shumicën e autoriteteve amerikane.  Me gjithë organizimin e suksesshëm të tërheqjes së 5,500 ushtarëve dhe diplomatëve amerikanë e aleatë, u tërhoqën edhe ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne, elementë që sherbyen si përkthyes dhe këshiltarë gjatë invazionit amerikan. Operacioni i tërheqjes ashtë sot subjekt I interpretimeve ma të ndryshme, dhe ka marrë ngjyra partizanie. 

    Në këte moment  situata politike dhe qendrimi amerikan për të ardhmen u sqarue me fjalimin e mbajtun me 1 shtator nga Presidenti Joseph R.Biden, Jr. Ai percaktoi vijat e përgjithëshme të qendrimit amerikan për dekadat e ardhme. Unë jam i mendimit se fjalimi I Presidentit Biden do të vlerësohet si nji kthesë historike në politikën amerikane dhe raportet me botën e jashtëme

   Në nji koment për ndigjuesët e saj, Zëri i Amerikës në janarin e kaluem (mbas skandalit te 6 janarit kunder  Kapitolit) tërhiqte vrejtjen: “Ashtë nji moment shumë i ngjashëm me periudhën e Luftës Civile (1860-63)…Tani duhet të fillojmë të provojmë zbatimin e nji programi rreth nji demokracie shumëracore…ose të vazhdojmë thjeshtë të justifikohemi dhe të bajmë ndryshime sipërfaqsore për faktin që ekziston pabarazi e thellë dhe padrejtësi në këte vend….” 

   Nji koment i këtill na duhet edhe për rastin tonë, sot. Ç’na mëson Åfganistani?

   Para së gjithash na duhet nji sistemim i njohunive që kemi e që I konsiderojmë me qenë të verteta. Nga kjo “pasuni” njoftimesh duhet të fillojmë interpretimin e fakteve, të caktojmë orientimin e ri dhe të angazhohemi me drejtue aksionin! Nji organizim i këtill zakonisht vjen nga nji “doktrinë”. Paraqitja nga Presidenti Biden e fakteve, interpretimi i tyne, orientimi i sugjerimeve dhe mobilizimi per aksion përmban elementët e nji “doktrine” të re në marrëdhanjet ndërkombëtare të SHBÅ-së. Interesët e vendit tonë janë të nji randësie vendimtare. Çdo problem tjetër zen vendin e dytë.

   Pjesa e madhe e kritikave ka të bajë me mos-marrëjen e masave të duhuna për nji tërheqje ma të organizueme. Ofensiva talibane në Afganistan ka ardhë e pa parashikueme nga amerikanët dhe aleatët e tyne. Matthew  Atkins i The N.Y.Times,

 me 2 shtator dergoi këte telegram për redaksinë e gazetës: “Jemi  në dhomën e shefit të “inteligjencës” (zbulimit) të Qeverisë afgane që ra, me nji submashine automatike Berretta në gjunj; Mawlavi Habib Tavakol po tregonte se ai dhe luftarët e tij u gjetën plotësisht të pa përgatitun; shpejt erdhi urdhni  me hy në Kabul me 15 gusht, ndërsa talibanët po avancojshin me shpejtësi në të gjitha drejtimet në Afganistan…. Në mbasdreke, udhëheqja e jonë urdhnoi me hy në qytet me qellim që të evitohet grabitja” tregon ai. Shefi i Zbulimit taliban Haxhi Nexhibullah i tha atij të vrapojë me njiherë në  qendrën e Agjensisë së Zbulimit Åfgan, Drejtoria Kombëtare e Sigurimit, me marrë në dorëzim teknikën e dokumentët. Burgjet, zyrët, postet e sigurimit- të gjitha ishin të zbrazuna”.

    Bota u gjend para nji kaosi masiv të papritun….! Dhe SHBA u gjend në pozitën e kërkuesit për nji risistemim imediat të interesave amerikane. Zëri i Amerikës komentonte: “Presidenti (Biden) përballet ende me sfiden e fortë të lindun nga përfundimi i nxituar, mes tyre si duhen ndihmuar për të dalë nga Afganistani rreth 200 amerikanë e mijëra afganë që kanë mbetur ende atje, strehimin e dhjetëra mijëra refugjatëve që i a dolën të largoheshin, si dhe nji proces shqyrtimi nga ana e Kongresit i problemit si u kap e papërgatiur Administrata nga ramja e shpejtë e qeverisë afgane pavarësisht nga paralajmërimet e shumëta. Nji përgjegje e plotë e këtyne pyetjeve u dha nga Presidenti Biden në fjalën e ti të 1 shtatorit.  

   Mbasi pohon se lufta e Afganistanit ashtë ma e gjata në historinë e SHBA-së Presidenti Biden konfirmon se ma shumë se 120.000 afganë dhe familjet e tyne janë tërheqë nga Afganistani .”Nji sukses I jashtëzakonshëm!”…”nji aksion jo për përfitim por në sherbim të tjerëve, nji mision mëshire që kushtoi jetën e 13 ushtarakëve amerikanë dhe 22 tjerë të plagosun”.   

    Që në muejin prill Presidenti Biden vendosi me përfundue luftën në Afganistan  me 31 gusht 2021, tue mendue se ky gjykim ishte i drejtë. 300.000 ushtarakë afganë u lanë të pajisun me të gjitha mjetet ushtarake për mbrojtje nga Talibanët. Ky gjykim u provue se nuk ishte i saktë! ”Megjithate, unë instruktova personelin tonë të sigurimit kombëtar të pergatitën për çdo eventualitet, edhe për këte që shohim sot..”Fatkeqsisht, forcat afgane nuk rezistuen as edhe nji ditë; udhëheqja iku nga vendi….me gjithëse Presidenti Ghani premtoi se ‘…do të luftoj deri në vdekje’. “Prandej unë autorizova dergimin e 6.000 ushtarëve në Kabul për ndihmë focave në aeroport”spjegoi Presidenti. 

    Ai konfirmoi se që në Mars 2021, janë ba 19 tentativa me informue qytetarët amerikanë në Afganistan dhe u sigurohej largimi nga vendi. Rreth 5,000 amerikanë që nuk lëvizen ma parë, vendosën mos me u largue për arsye familjare.” …Për ata që mbeten në Afganistan nuk ka afat për largim. Na angazhohemi me i marrë ata, kurdoherë që dëshirojne”, tue respektue kështu nji traditë amerikane: asnji amerikan i abandonuem! Besohet se afër 100 amerikanë janë akoma në Afganistan    Me 31 gusht, UNO kaloi nji Rezolutë e cila cilëson se Talibanët janë të detyruem me respektue të drejtën e udhëtimit, dhe ate me u largue nga vendi. Afganistani hapi aeroportin e Kabulit si portë dalje.

******

    “Dëshiroj me qenë i qartë,” tha Presidenti Biden.“Largimi me 31 gusht nuk ishte nji datë arbritrare. Ashtu u vendos me shpëtue jetët e ushtarëve amerikanë. Para-ardhësi i im (Trump) nenshkroi njI marrëveshje me Talibanët me tërheq trupat amerikane me 31 maj 2021. Por ai autorizoi lirimin nga burgu të 5,000 Talibanëve të burgosun për terrorizëm vitin e kaluem, tue përfshi edhe Talibanë udhëheqës ushtarakë, në mes të tyne edhe disa që morrën  kontrollin e Afganistanit”. Nuk  kemi gjetë nji pIan tërheqje, tha ai. 

     “Kështu, na mbetëm para nji vendimi të thjeshtë: me vazhdue angazhimin e marrun nga Trump ose mos me u largue dhe ….me angazhue dhjetra mijëra trupa të reja për luftime. Në mes të evakuimit dhe vazhdimit të luftimeve, unë vendosa mos me vazhdue këte luftë pa mbarim. Dhe unë nuk do të vazhdoja pa mbarim daljen nga konflikti.

     “Vendimi për largimin ajror nga aeroporti i Kabulit ashtë marrë nga rekomandimet e shumëta të këshilltarëve civilë dhe ushtarakë……

     “Unë pranoj përgjegjsinë për nji vendim të këtill. A ka pasë mundesi që tërheqja të bahej në mënyrë ma të rregulltë? Me respekt për mendimet tjera, unë nuk jam  dakord. Erdha në detyrë dhe u gjeta përballë nji afati, 1 Maj (2021)

     “Para rrezikut të nji sulmi nga Talibanët: Cili ishte interesi vital i SHBA-së?

     “Në mendimin tim, na erdhëm këtu vetëm: me sigurue që Afganistani nuk do të jetë kurrë përsëri i aftë me organizue sulme, e me sulmue vendin tonë. Këtu kemi pasë sukses në kryemjen e objektivit tonë nji dekadë ma parë. Mandej, ne mbetëm aty edhe për nji dekadë tjetër. Kishte ardhë koha me përfundue këte luftë.  

      “ Sot gjindemi para nji bote të re. Detyrimi themeltar i nji presidenti, në mendimin tim, ashtë me mbrojtë dhe me ruejtë Amerikën nga rreziku. Jo ma nga kercënimet e vitit 2001, por nga  kercënimet e vitit 2021, dhe ata të së nesërmes. Kercënimi nga terrorizmi…ka ndryshue i perhapun në shumë vende tjera, strategjia e jonë duhet të ndryshojë gjithashtu! Na duhet të përpiqemi me përballue terrorizmin dhe vend-qendrimet e tij pa qenë nevoja me dergue kambësorinë tonë.

      “Jam i bindun plotësisht se rruga ma e mirë me ruejtë sigurimin tonë dhe mirëqenjen tonë qendron në strategji të fortë, pa mëdyshje, të përqendrueme, dhe precize, që ndjek terroristët kudo që janë.

      “Bota po ndryshon. Na jemi ri-angazhue në nji garë serioze me Kinën. Na jemi në njI situatë ku duhet te perballojme sfidat e shumëta që vijnë nga Rusia. Kemi nevojë për ndihmën tuej…Na duhet të rrisim aftësitë e garës amerikane në përballimin e  sfidave, dhe garen simbas nevojave të shekulli 21. Dhe na kemi mundësi me i plotësue të dyja: me luftue kundër terrorizmit dhe me përballue kercënimet e reja që përjetojmë sot, e do të vazhdojnë edhe në të ardhmen…. Na duhet të mësojmë nga gabimet tona! 

     “Për mendimin tim, ekzistojnë dy rrugë që kanë karakter permanent:

e para, na duhet të përcaktojmë misionin tonë me objektiva të qarta dhe që arrihen, jo diçka që nuk mund të arrijmë kurrë; dhe,

e dyta, na duhet të përqendrohemi vazhdimisht në mbrojtjen e interesave kombëtare themelore të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

    “Vendimi i jonë për Afganistanin nuk  ashtë vetëm për Afganistanin. Ai vendim deklaron fundin e nji epoke operacionesh ushtarake me rindertue vendet tjera.(nation-building)                        

    “Më lejoni të sqarohem: na do të vazhdojmë me përkrahë Afganistanin nepërmjet diplomacisë, influencës ndërkombëtare dhe ndihmën humanitare.

     “Na do të vazhdojmë me preferue angazhimin diplomatik për pengimin e dhunës dhe destabilizimin. Na do të vazhdojme me folë për të drejtat e njeriut të popullit afgan….Dhe unë kam qenë i qartë se të  drejtat e njeriut janë në qendër të politikës sonë të jashtëme….jo me anë të përdorimit të ndermarrjeve ushtarake, por me diplomaci,  ekonomi, dhe inkurajimin e botës për përkrahje të pikësynimeve tona.

    “Populli amerikan duhet të ndigjojë edhe këte: 300 miljonë dollarë çdo ditë për dy dekada….ma shumë se 2 trillions janë shpenzue në Afganistan….Unë refuzoj me  vazhdue nji luftë që nuk ashtë edhe ma gjatë në interesin jetësor kombëtar, në interesin e popullit tonë, dhe sidomos mbasi që 800.000 amerikanë kanë sherbye në Afganistan; sidomos mbasi 20,744 ushtarakë amerikanë burra e gra u sakatuen, dhe mbas humbjes se 2,461 jetëve të personelit amerikan ….Unë refuzoj me hapë edhe nji tjetër dekadë luftash në Afganistan. Na kemi qenë nji komb në luftë për nji kohë të gjatë; shumë nga veteranët tonë me familjet kanë përjetue jetën në ferr….

     “Luftë jo e nxehët dhe me rrezik të ulët ose me çmim të ulët nuk ekziston. Ka ardhë koha me përfundue luftën tonë në Afganistan. Ka ardhë koha me shikue drejtë së ardhmes, jo mbrapa në të kaluemen. Me shikue për nji të ardhme ma të qetë, për nji të ardhme që ashtë ma e sigurtë.

     “Unë ju premtoj nga zemra ime që unë besoj se vendimi (i tërheqjes) ashtë vendim i drejtë,  i peshuem mirë, dhe vendimi ma i favorshëm për Amerikën. 

     Falemnderit…..!”

     Shenim: Në komentin e tij analitik, autori dhe gazetari i shquem Peter Baker shkruen: “Tue deklarue fundin e ndermarrjes së deshtueme amerikane në (“nation-building”), nji gjysëm bote larg nga ne, Z. Biden luente me fatin, i mbështetun në premizën se ai do të kujtohet nga mbasardhësit si personi që, ma në fund, e nxori Amerikën nga pellgu ku kishte ra, e jo për punën e tij si president. Megjithëse aprovimi i popullsisë amerikane ka ra në nivelin ma të ulët që nga dita kur erdhi në fuqi, sondazhet tregojnë se shumica e popullit amerikan aprovojnë tërheqjen nga Afganistani, dhe se Shtëpia e Bardhë ashtë  e prirun me mendue se (Administrata) do të kalojë menjiherë në përqendrimin e saj në probleme tjera te vendit, siç janë  pandemia (COVID 19) dhe mbarvajtja e ekonomisë…”(The NYTimes, 1 shtator 2021)

    Ligjëvenësit amerikanë kanë kerkuar për shumë vite të kufizohet pushteti I presidentit per të hyrë në luftë; ky pushtet u perdorue me autorizimet e vitit 2001 e 2002 për invadimin e Afganistanit dhe Irakut. Simbas Kushtetutës amerikane vetëm Kongresi ka të drejtën ligjore me shpallë luftë,jo Presidenti!(VoA 1.IX.2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Doktrina Biden, Sami repishti

Kryengritja e Postribës/ Zbardhen kujtimet e dëshmitarit të ngjarjes, Sami Repishtit

September 11, 2021 by s p

SAMI REPISHTI, PH.D.*

9 shtator 1946. “Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt.

“Pushteti” i ri komunist kërcënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afër 200 vetash, i guximshëm por i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.

Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti.

Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë! Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë “ushqye” me gjak e lotë.

Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numëron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijëvjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia e jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë. Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë!

Sa e bukur; sa tërheqse! Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perëndimore përkthehet me “insurrectio”, (nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik, nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë. Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh kokën nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzosh dhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as të thehesh as të përkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim.

Nderi para jetës! Kryengritësi! Kryengritje! Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të paarsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisë që na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.

Ky ashte koncepti që unë kam formue nga takimet e përditëshme me ish-të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime, landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, më 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi të rrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës” dhe e festojmë në kujtim të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta në qytet, e masat ndëshkimore që nuk përfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij akti spontan guximtar si “lëvizje” asht i pasaktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!

Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën, landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij, e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues.

Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova: “… Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kërkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!”. ((Nën hijen e Rozafës, f.125)

* * *

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinë anti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit”, nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15 vjet burgim të randë mbi kurriz. Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun.

I thjeshtë, me pak fjalë, rreth pesëdhjetëvjeçar, por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta: po ose jo. Emni i tij, Osman Haxhija! Shpeshherë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.

Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë procesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, i tronditun nga asgja. Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim. Cili do të ishte fati i jonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetin me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte? Më 27 nandor 1947, u dhanë dënimet.

Osman Haxhija u dënue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e gjyqit, ish-kinemaja e qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të përgatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!” shkyheshin gurmazet e qindra “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca! Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimë e iluzionit komunist! Më 28 nandor 1947, përfunduem në Burgun e Shkodrës.

* * *

Ditën e parë të shetitijes njiorëshe në oborrin e burgut lëvizëm poshtë e nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtrëngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi. Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, më tha, “por nuk kishte rrugë tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Në kullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda ishin rojet e burgut me shkopij.

Mbas asaj dite, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë, me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë, që të mos krijohej dyshimi te rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue. Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme, ku kishim ra viktimë të gjithë.

Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore: “Osman”,- thashë,- “pse ngritët krye?”. Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave të dorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjesht: “Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne!”, e heshti. Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike. Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi: “Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen, por përsëri e bajshim jetesën.

Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit 1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesë të Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba kooperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarë me pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…!

Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët. Sepse me djelmtë ushtarë na ishim robë të tyne… nuk mund të bajshim asnji kundërshtim”. “A ishte ky nji mendim i përgjithëshëm?”, e pyeta unë. “Po!”, më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogë- tari…!”. E heshti. Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet. Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun.

Kam mendue shpeshherë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar të pavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vërtetë tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka të punosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri nga të tjerët. Po “unë”, cili jam unë atëherë?

Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte! Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithatë, priste që edhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar, ishe shumë i shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim….

E të tjera arsyetime si këto! Osman Haxhija më shikonte me kujdes, e besoj për respekt ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtjeje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund më tha: “Për këte ke ra në burg?”. “Po!”, i thashë. “Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare… Janë me randë- si” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”. “Edhe ne na kanë prekë në fe”, shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet… E shikova! “O. sancta simplicitas!”, thashë me vete!

* * *

Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës”, që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson në Zotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij. Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën, ashtu si të parët e tij.

Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte. “Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue”), që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë, traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.

“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor dhe familjarët e tyne, për të rinjtë që indoktrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesë që kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes së qytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme. Aspekti tragjik i jetës së “kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë “Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue…

Ballë për ballë me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë! Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija… E “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atë deri në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton. Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i papërgatitun dhe që përfundoi në tërheqje.

Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të “Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim. Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturën e proletariatit”. “Faji” joekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel…

Me torturat ma çnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasë dijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perëndimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”. “Për ne”, më tha oficeri hetues, “armiku i vërtetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton.

Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide perëndimore. Prandej do të ju presim kokën… Kleri katolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtë e popullit…”. Dhe kokët u prenë, e xhelati duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton. “Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit” dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….

Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëmhyjnore: “Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm! Jemi prindët e juej, jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Ju lutemi, mos na harroni!”… “… Ata kurrë mos u harrofshin/Në kangë e në valle, por u këndofshin!”. (Atë Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT.USA *Ish-i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Histori Tagged With: kryengritja e Postribes, Sami repishti

MIRËNJOHJE PËR “MIQ TË MIRË NË DITË TË VËSHTIRË”

July 23, 2021 by dgreca

Peticioni i 10 shoqatava Izraelo- Amerikane në mbrojtje të Kosovës/

Nga Sami  Repishti/

New York. Me datën 29 qershor 1998, mora një kopje të Peticionit nënshkruar nga 10 kryetarë shoqatash të bashkësisë Israelite-Amerikane drejtuar Presidentit William J. CLINTON të Shteteve të Bashkueme të Amerikës ku trajtohej problemi i Kosovës në mënyrë akademike dhe humanitare.

Kopja e Letrës i drejtohet edhe “Dr. Repishtit” nga “Michael” (firmë e autorizuar), cilësohet si “Jewish Letter”, dhe dërgohet me faks për Këshillin Kombëtar Shqiptar-Amerikan (NACC), organizata ma efektive për problemin e Kosovës. (Më poshtë japim origjinalin e plotë të Letrës në gjuhën angleze)

Mirënjohja izraelite e ndihmës së dhënë popullsisë hebreje gjatë Luftës II Botërore është shprehë shumë herë nga udhëheqës israelitë. 

Presidenti i Israelit, Ezer Weizman, duke folur për qendrimin e popullit shqiptar ndaj popullsisë hebreje të strehuar në Shqipëri gjatë L2B bëri këtë deklaratë:

“ Populli israelit nuk do të harrojë kurrë se në vitet e vështira të Luftës II Botërore , ata gjetën tek populli shqiptar strehim dhe mikpritje të vertetë”.(Signed: Ezer Weizman, President of Israel).

Sensibiliteti i shqiptarëve ndaj problemit të keqtrajtimit dhe persekutimit të popullsisë hebreje në Europë është treguar edhe në mesin e shekullit 19, nga themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Kemal Bej Vlora, gjatë periudhës që ai ishte governator i Moldavisë; ai i raportonte Qeverisë turke gjendjen shumë të keqe të popullsisë fshatare hebraike dhe shkeljet flagrante të të drejtave të tyre njerëzore.

Më vonë një tjetër shqiptar i madh, Bishop Theofan S. Noli, themelues i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe ish kryeministër i Shqipërisë, në raportet e tij për Qeverinë turke shkruan:

 “….Të dy vendet, Israeli dhe Shqipëria, janë shtete të vegjël. Të dy kanë rrenjët e vjetra. Të dy kanë një histori plot vuajtje dhe mundime. Dhe, të dy kanë ruejtur identitetin e tyre respektiv dhe kulturën e tyre, pa marrë parasysh sfidat e pa numërta dhe krizat e kaluara me shekuj me radhë. Këto ngjashmëri formojnë një lidhje të përbashkët në mes të hebrejve dhe shqiptarëve,” (Signed) Bishop Theofan S. Noli, Albanian Orthodox Achdiocese In America).  Ky gjykim u konfirmua edhe nga Presidenti Shimon Perez gjatë një vizite në Shqipëri. Ai tha: “Gjeografia na ndan; por historia na bashkon”.

Në Shqipëri ka një histori të prezencës Hebraike në atë vend, sidomos për vitet e L2B. Duke iu referuar atyre viteve, shumë studiues kanë arrritë këto përfundime të përbashkëta: 

  1. nuk ka pasur viktimizim të hebrejve në Shqipëri; 
  2. nuk ka pasur dëbim individual as masiv të hebrejve nga Shqipëria,
  3. dhe nuk ka pasur bashkëpunim me Nazistët në Shqipëri në katastrofën e “Solucionit Përfundimtar”.

Rabbini Chaim Hoffman i Universitetit të Nju York-ut konfirmon se: “Mbas dorëzimit të Italisë, gjermanët pushtuan Shqipërinë, dhe të gjithë hebrejtë dolën në ilegalitet. Ekzistojnë dëshmi gojore, dhe me shkrim, që konfirmojnë aktet heroike dhe qendrimet kurajoze të bëra nga populli shqiptar individualisht dhe kolektivisht në mbrojtje të popullsisë hebraike që kërkonte strehim nga tirania naziste”.

Harvey Sahner, që mbijetoi  holokaustin nazist shkruan: “ Të gjithë hebrejtë shqiptarë mbijetuan holokaustin (Shoah). Të gjithë grekët, jugosllavët, austriakët dhe gjermanët jahudij që patën fatin të shkonin në Shqipëri mbijetuan nga katastrofa. Shumica e guximtarëve kanë qenë myslimanë. Dhe nuk dihet një rast ku shqiptarët të kenë marrë ryshfete e pagesa për strehimin e jahudijve”. 

Masat ndëshkimore naziste që u morën në të gjithë Europën nuk u zbatuan në Shqipëri. Rreth Shqipërisë, Greqi dhe Jugosllavi, hebrejtë u rrethuan, u arrestuan dhe u derguan masivisht në kampet naziste të përqendrimit. Në Shqipëri ata nuk u detyruan me mbajtë “yllin e verdhë” me germen “J” (Xhju) në rrobat e tyre. Nazistët kërkuen që paria e vendit të përgatitë dhe të dorëzojë listën e plotë të të gjithë hebrejëve që jetonin në Shqipëri, por kërkesa u refuzua. Ky ka qenë ballafaqimi i parë me nazistët i qeverisë së re shqiptare. Shumë persona mendonin se qeveria shqiptare do të pranonte kërkesat naziste, por ajo rezistoi.

Me 20 tetor 1943, Gestapoja naziste filloi një fushatë arrestimesh të elementit pro-komunist në Durrës dhe arrestoi 569 shqiptarë dhe 36 italianë. Në Shijak u arrestuen 57 shqiptarë dhe 44 italianë. Në të dy operacionet nuk u arrestua as edhe një hebre. Në pranverë të vitit 1944, Gestapo  kërkoi përsëri nga qeveria shqiptare listen e të gjithë hebrejve. Shqiptarët jo vetëm refuzuan kërkesën por dhanë sigurime për popullsinë se për sa kohë që qeveria do të jetë në fuqi asnjë hebre nuk do të dorëzohet. Me ardhjen e rregjimit komunist, nëntor 1944, Shqipëria u bë një satelit i Bashkimit Sovjetik. Me 16 prill 1949 Shqipëria njohu shtetin e ri të Israelit me kërkesë të Moskës, por nuk lejoi asnjë hebre të kthehet në Israel. Me prishjen e marrëdhanjve B.S.-Israel filloi një propagandë e shthurur me mediat gjatë gjithë viteve të Luftës së Ftohtë. Anti-sionizmi ishte brumi i kësaj  propagande.

Me rënien e komunizmit në Shqipëri, 1990, pothuejse të gjithë hebrejtë e Shqipërisë emigruan në Israel; minimumi i tyre ka qenë rreth numrit 2000. Me 11 gusht 1991 një Ambasadë Shqiptare u hap në Tel Åviv, Israel. Që atë ditë marrëdhëniet miqësore vazhdojnë të mbahen në mes të dy vendeve. Gjatë vizitës së një grup shqiptar në Israel, KM i vendit Shimon Perez, deklaroi:” Ne ju duam sepse ju shpëtuat jetët e hebrejëve gjate L2B,  sepse ju keni vuejtur nga nji diktaturë e egër…!”

Me 26 janar 2006, senatorët amerikanë Charles Schumer (D.N.Y.) dhe 

John McCain (R.Ar.) paraqitën në Kongres për aprovim një Rezolutë (U.S.Senat, Res.521/2006 ) me rastin e 61 vjetorit të lirimit të hebrenjëve nga kampet naziste, për mbrojtjen e tyre, dhe për shpëtimin e jetës së të gjithë hebrenjve që jetuan dhe u strehuan në Shqipëri, gjatë L2B.    

Sot, Shqipëria njihet si i vetmi vend në botë ku në mbarimin e L2B  kishte ma shumë popullsi hebreje se para kësajë  lufte.

                                                      ***

“ Me 9 korrik 2020, u  promovua në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës Memoriali për të kujtuar dhe nderuar gjashtë milionë hebrenjtë e Europës që u vranë, si dhe qytetarët e Shqipërisë që vepruan me vetëmohim për të mbrojtur  hebrenjtë”, shkruente gazeta DIELLI e datës 24 korrik 2020. 

Duke folur me rastin e kësaj  ceremonie, Ambasadori amerikan, The Hon. Yuri KIM tha: “Është nder të përuroj këtë Memorial në respekt të popullit shqiptar që rrezikoi jetën e tij për të mbrojtur hebrenjtë e Europës” dhe “….. përgëzoi  shqiptarët që rrezikuan jetën e  tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur hebrenjtë nga rreziku nazist….Kjo eshtë një histori frymëzuese e humanizmit kurajoz dhe nderit– e traditës shqiptare të “besës”, raporton DIELLI.

Në Memorialin Holocaust Museum, YAD VASHIM, Jerusalem, ka sot  afër 100 heronj civilë shqiptarë që nderohen me pllaka përkujtimore si “Righteous Among the Nations” .

                                                        * * * *        

 June 23, 1998

 Mr. President,

 We are saddened and outraged by the systematic attacks of Serbian military, paramilitary and police forces under the command of Slobodan Milosevcic on the civilians of Kosovo. The “ethnic cleansing” of ethnic Albanian Muslims in Kosovo recalls too vividly the slaughter and forced expulsions of Muslims during the genocide conducted by Milosevic and his allies during the  ëar in Bosnia.

As Jews, we know very well the terrible cost of appeasement. It was only  a generation ago that we saw the fires of the Holocaust, and their light still illuminates our vision, making clear that we cannot be passive in the face of genocide. Our solemn vow –“never again”—must be more than a slogan. It must be an agenda, a commitment not just to be vigilant, but to act.

We must act now to prevent further suffering in Kosovo’s innocents and to prevent Milosevic from dragging the entire region into a new war that could dwarf Bosnia in comparison. We call upon the United States and other countries around the world to honor their commitment to the U.N.Genocide Convention, which requires that signatories do their utmost to prevent and punish genocide. By  attempting to forcibly remove a people from a region based on their religion or ethncicity, the recent “ethnic cleansing” campaign by Milosevic’s forces clearly meets the definition of genocide Article  Two of the Genocide Convention.

We urge you to avoid the mistakes of the past and to assume a leadership role in taking action to prevent further Serbian attacks. We applaud the recently announced NATO plan to employ air to increase pressure on Slobodan Milosevic. We also call upon the Prosecutor of the U.N. War Crimes Tribunal for the former Yugoslavia to visit Kosovo and Belgrade in the comig days and warn Milosevic and his followers that they will be held responsible for genocide and any other crimes against humanity committed by their forces In Kosovo.

President Clinton has eloquently stated in recent weeks that many of us have believed for years! We failed to act quickly and forcefully enough in Ruanda and Bosnia. We must not allow Kosovo to become another Bosnia. As Jeëish traditon teaches, we cannot “sit by the blood o f our brothers” (Leviticus 19:16) The U.S. and the international community must not turn a blind eye to these atrocities, but rather ëe must try to protect the innocent citizens ëho are suffering. We must, because if we don’t echo will?

Sincerely,

Phil BAUM                                                                             

Executive Director                                  Rabbi Mordechai Liebling

American Jeëish Congress                    Executive Director

                                                                    Jeëish Reconstruction Federation

Rabbi Jerome M.Epstein

Executive Vice-President                        Marine E Post

United Synagogue of Conservative       National President

Judaism                                                      Hadassah

Abraham H. Foxman                                Nan Rich

National President                                   National President

Anti-Defamation League                         National Counci of Jeëish Ëomen

Mandell I. Ganchroë, M.D.                    Dr. Laërence Rubin

President                                                   Executive Vice-Chairman 

Orthodox Union                                       Jeëish Council on Public Affairs 

David Harris                                              Rabbi Eric Yoffie

Executive Director                                   President

American Jeëish Committee                 Union of American Hebreë CongregatIons

*( Dr. Sami Repishti ashte autori i studimit: The Jews in Albania: A Story of Survival, botue ne Holocaust Studies Series- THE HOLOCAUST : Essays and Documents, (edited by Randolph L. Braham. Botue nga The Rosenthal Institute for Holocaust Studies Graduate Center/City University of New York and Social Science Monographs, Boulder, Col.- Columbia Un. Press:2009

Filed Under: Analiza Tagged With: MIQ TË MIRË, NË DITË TË VËSHTIRË, Sami repishti

SHQETESIME PARA ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE NE SHBA

October 26, 2020 by dgreca

Shkruan: SAMI REPISHTI, PhD- Me 3 nandor 2020, në Shtetet e Bashkueme do të mbahen zgjedhjet katër vjeçare për presidentin e ri amerikan. Zakonisht, zgjedhjet mbahen të marten e parë të muejit nandor dhe zgjasin vetëm njI ditë. Kanë të drejtën e votës vetëm ata qytetarë amerikanë, dhe emigranë me residencë permanente që janë të rregjistruem për votim. Kësaj rradhe mendohet se do të votojnë rreth 150 miljonë persona, shifër rekord!

    SHBA ka shumë parti politike; prej tyne dy janë të mëdha me marrë pjesë në konkurrencen e zgjedhjeve: Partia Demokratike dhe Partia Republikane. E para ka programe   progresive; e dyta mban qendrime konservatore. 

    Në votimet e fundit, 2016, mandatin e mori Presidenti  Donald J. Trump për nji periudhë katër vjeçare. Kjo periudhë mbaron me datën 20 janar 2021, 70 ditë mbas përfundimit të zgjedhjeve, ditën kur edhe presidenti i zgjedhun ban betimin para publikut, në prezencën e Kryetarit të Gjykatës së Naltë dhe nji numri autoritetesh që përfaqsojnë Administratën amerikane në kryeqytet dhe në shtetet tjera. Ma shumë se nji  miljon qytetarë deshmojnë këte ceremoni. Kjo periudhë quhet “tranzicioni”.

    Në përfundim të numrimit të votave ditën e zgjedhjeve, Komisioni për Mbikëqyrjen e Zgjedhjeve ban njoftimin zyrtar, dhe fituesin me votat ma të shumëta. Kandidati që humb, zakonisht i telefonon kandidatit  fitues se pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe uron presidentin e ri në detyrën e re. Por SHBA ka edhe nji procedurë jo të zakonshme: Kolegjin Elektoral. Ky institucion qytetarësh, të njohun si “electors”, ka 538 elektorë. dhe secili përfaqson votuesët e nji shteti të caktuem. Janë pikërisht këta elektorë që vendosin përfundimisht për presidentin e ri. Po sa të përfundojë numrimi i votave të elektorëve, zyrtarët e zgjedhjeve njoftojnë kandidatin që ka fitue shumicën e votave (270 plus). Elektorët mblidhen me datën 24 dhetor dhe votojnë. Zakonisht elektorët votojnë për kandidatin që fiton shumicën e votave në shtetin  e tyne. SHBA ka 50 shtete, disa të vogla nen nji miljon, dhe disa, si California, 40 miljonë banorë. Shtetet e vogla numerikisht kanë të drejten e nji “elektori” por përfitojnë edhe dy elektorë të tjerë me ngritë peshën në votim. Ky konçesion quhet “federalizëm”, që përfaqson frymen federaliste.

     Mbas deklarimit të fitimtarit, përfaqsues të Administratës së kalueme dhe asaj të ardhme takohen periodikisht dhe bajnë transferimin e autoritetit me të gjitha hollësitë e nevojshme, sidomos zyrtarët e ngarkuem për sherbime sekrete shtetnore. Nji ose dy takime bahen  edhe në mes të dy ish kandidatëve ku shkembimi i informatave ka karakter tepër sekret, sidomos në fushën e armëve nukleare. Kjo ashtë, në përgjithësi, forma e ndjekun me sukses tradicionalisht.

    Zgjedhjet e reja dhe përfundimi i tyne kanë tregue se ka mundësi që njeni kandidat-sidomos ai që humbet – vendosë të mos pranojë rezultatet e Komisionit dhe të refuzojë dorëzimin e pushtetit. Në këte rast, kandidati Trump dhe kandidati Biden. Kjo situatë e krijueme nga deklaratat e Presidentit Trump se “zgjedhjet janë të montueme” dhe se ai nuk do të pranonte rezultatet e Komisonit të Zgjedhjeve, kanë shkaktue shqetësime të mëdha dhe tensione politike që, në se realizohen, do të jenë shkatërrimtare për demokracinë amerikane. Amerika me peshën e saj të madhe në të gjithë kontinentet do të shkaktonte dridhje tektonike në botë, dhe nji ndamje në mes shtetesh pro-demokratike dhe ato gjysmë totalitare, sidomos në Europë, ku rreshtohen Hungaria, Polonia, Slovakia, Turqia e tjerë…. Efekti i parë i këtij zhvillimi negativ do të ishte prishja e Bashkimit Europian ashtu si e njohim ne sot.

       Prandej, zgjedhjet e 3 nandorit 2020 kanë nji randësi të dorës së parë!

   Në edicionin e saj të 2 tetorit , gazeta shqiptare TEMA botonte përkthimin e nji artikulli të shkruem nga tre autorë të njohun të skenës gazetareske  gjermane  (Becker, Hoffmann, Matler) ku flitet për mundësinë e nji skenari të tillë. “Çfarë do të ndodhë sikur Donald Trump të refuzonte largimin nga detyra dhe pretendon para kohe dhe në mënyrë të paligjëshme fitoren“ shkruen gazeta, “dhe  mban presidencen e republikës edhe për nji mandat katër vjeçar?” Pyetja tmerron Berlinin dhe Brukselin. Europa po përgatitet për ate ma të keqen e asaj që mund të ngjasë në Washington, D.C..shkruen TEMA. Në nji Raport të gazetës Der Spiegel të derguem nga Washingtoni theksohet se nji skenar i tillë nuk mund të shpërfillet. Raporti ven në dukje se SHBA rrezikon të bie në nji krizë të ketill, e cila mund të zgjatë disa muej dhe të ketë pasoja  shumë negative për pjesën tjetër të botës. Gjermanët mendojnë se në këte gjendje i gjithë rendi botënor ashtë në balancë.   

    Para nji skenari të këtill, udhëheqsi demokrat i Senatit amerikan, Senatori Menendez (D,N.Jersey) paraqiti nji “Report” ku thuhet se “…pasojat e fjalëve dhe veprimeve të Donald Trump-it kanë qenë pothuejse pa dyshim negative për popullin amerikan dhe për interesët afatgjata të SHBA si fuqi globale”. Ai i referohej rastit fatkeq të incidentit kur nji grup “supremacistësh të bardhë” tentuen grabitjen e governatorit demokrat te Michigan-it, gjykimin dhe ekzekutimin e saj për arsye të korrektesës sajë në marrjen e masave të nevojshme për luftimin e virusit COVID 19. Pak ditë ma vonë ky skenar u përsërit edhe për governatorin demokrat të shtetit Virginia. Konspiracioni u zbulue me kohë dhe 14 aktorë u arrestuen dhe do të dalin para gjyqit. Nji javë ma parë, nji djalosh 19 vjeçar, përkahës i Presidentit Trump, u kap 4 km. larg banesës së kandidatit demokrat J.R.Biden,jr me nji maqinë  të mbushun me armë e municion dhe me shenime për vrasjen e kandidatit Biden. Ai u arrestue dhe do të dalë para gjyqit.

     Kandidati presidencial  demokrat Joseph R. Biden,Jr. në nji analizë të botueme në Foreign Affairs, mars-prill 2020, shkruen: “Nga çdo kand që të veshtrojmë kredibiliteti dhe influenca e SHBA-s në botën tonë ashte pakësue….Donald Trump ka zvogëlue, dobësue, në disa raste abandonue aleatët e SHBA-së. Ai ka sulmue sherbimet tona informative të udhëhequna nga profesionistë, nga diplomatë, ashtu edhe si forcat e armatosuna. Ai ka forcue kështu kundërshtarët tonë: Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë, Afganistanin, Venezuelën  etj. Ai ka krijue konflikte tregëtare të panevojshme që damtojnë klasën e mesme. Ai ka heq dorë nga politika që mbledh rreth vehtes shtete që bashkëndajnë vlerat tona, nji orientim që forcon kombin tonë e na bashkon si popull’.

     Senatori Ben Sasse (R. Nebraska) qorton: “Mënyra si (Presidenti) përqafon me paturpësi diktatorët, due të them mënyra si injoron gjendjen e popullit mysliman Uighur të mbyllun literalisht në kampe përqendrimi në Xinjiang edhe sot e kësaj dite. Ai nuk lëvizi nji gisht me ndihmue demonstratat pro-demokraci në Hong Kong….Udhëheqja e tij gjatë krizës së epidemisë nuk ka qenë as e arsyeshme, pa sensin e përgjegjsisë, dhe as e drejtë”. Me shifrat e nalta të viktimave të pandemisë (po  i afrohemi shifrës frikësuese 250.000 të vdekun) nji pjesë e madhe për gabime dhe pa aftësi udhëheqje, COVID ashtë ba problemi i parë i SHBA-së. 

     Prandej, votimet e 3 nandorit  marrin nji randësi të dorës së parë!

     Analisti i mirënjohun i gazetës The NYTimes, Thomas L. Friedman, me 2 tetor shkruente:” Me rizgjedhë Trumpin do të ishte nji “marrëzi kolektive”; masoshizmi në ditët e pandemisë nuk ashtë trimni, as nji akt çlirimtar; ashtë nji marrëzi e rrezikshme; mbyllja e disa aktiviteteve nuk ashtë kufizim lirie, ashtë mbrojtje kundër vdekjes nga virusi. Shkencëtarët nuk janë politikanë: fjala e tyne ashtë vendimtare, pavarësisht nga “politikanët”, sepse jo gjithëçka në veprimtaritë tona ashtë “politikë”. Prof. Dov Seidman, drejtor i Institutit LRN and How, këshillon:” …Sot, na kemi nji krizë reale udhëheqje dhe autoriteti; populli nuk din ma cilin udhëheqës me besue, dhe cilin me mbështetë. Ajo që ashtë e qartë ashtë se udhëheqsit që na kujtojmë e admirojmë janë ata që historia nderon. Presidenti Tump nuk ashtë njeni nga ata”

      Prandej zgjedhjet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

     Analisti Frank Bruni shkruen:” Amerika ashtë para nji rreziku të madh. Mos gaboni: ky vend i yni tashma pa cilësi qytetare, ashtë në prak të nji situate që nuk mund të kontrollohet sepse institucionet e tia janë degradue kaq shumë,  sepse partizania konsumon energjitë tona, dhe sepse Trumpi, që pruni në pushtet këto vese, ashtë mobilizue me rrenue Amerikën; e Partia Republikane nuk përdorë frenat me pengue” (The NYTimes 27 shtator) Kjo gazetë permbledh situatën e krijueme nga Presidenti me këto fjalë: “genjeshtra-zemrim- korrupsion- paaftësi- kaos- kalbëzim- Duhet të ndalojmë këte krizë kombëtare”.Unë e quej “nji tragjedi amerikane”! 

     Avokati personal i Presidentit, Michael Cohen, shkruen: “Ashtu siç e kam thanë që në fillim, Trump ashtë nji Mafioz, shkurt e thjeshtë”.“Presidenti ofendon njerëzit me sjelljen e tij, me gjuhen e tij, me mesazhet e tij….”shkruen Ty Cobb ish avokati i Shtëpisë së Bardhë. “Donald Trump ashtë i pari president që nuk përpiqet me bashkue popullin amerikan….Na kemi mundësi me qenë të bashkuem pa ate, tue marrë fuqi nga forcat tona në shoqëninë tonë civile.” shkruen Gjeneral Mathis, ish Sekretar i Mbrojtjes.”Trump ka damtue atdheun…me përhapje të urrejtjes dhe ndasive që e kanë ba popullin amerikan ma pak të sigurtë” thotë Miles Taylor, ish  shef i departmentit te Sigurimit të vendit.”Nji individ që ashtë shumë i padisiplinuem….”gjykon Rex Tillerson, ish Sekretar i Shtetit. ”Ai ka dalë jashtë binarit. Dhe ata të ndershmit që e sherbejnë e dijnë që ashtë i çmendun” komenton Anthony Scaramucci, ish drejtor i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë. ”(Presidenti) sheh konspiracione kudo, dhe mbetet jashtëzakonisht i pa informuem si punohet në Shtëpinë e Bardhë, aq ma pak në Administratën e madhe federale…”shkruen diplomati John Bolton, ish drejtor i Këshillit Kombëtar të Sigurimit. 

     Prandej zgjedhjet e  3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

     Artikulli i Jeffrey Goldberg në revisten The Atlantic na paralajmëron se ka shumë mundësi- ashtu si u konfirmue pak orë ma vonë nga vetë Presidenti Trump me komentet e tia  se “…ai (Trump) ka mundësi që të kontestojë zgjedhjet në nji mënyrë që lejon me  qendrue në fuqi pavarësisht se çka populli amerikan dëshiron dhe voton.” E pa besueshme por e vertetë!

      Prandej, zgjedhjet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!   

      Para se të shkojmë në qendrën e votimit, bashkëshortja e ime dhe unë, dy pleq tashma të krrusun, do të pyesim vehten: “Çka kemi mësue gjatë këtyne katër viteve të kalueme; dhe çka  kanë mësue ata që e përkrahen këte Adminstratë të personifikueme  nga nji individ narcisist in extremis, gënjeshtar patologjik dhe i rrezikshëm, për vehte e për të gjithë kombin amerikan.  

        Donald Trump nuk ashtë nji çfaqje spontane që rrethanat politike në SHBA e spjegojnë! Gjatë këtyne 50 viteve të fundit “…kahet positive (në politikën amerikane) janë kthye mbrapa, si anëtarësia në organizatat qytetare ka ra shumë, polarizimi politik ashtë keqësue, mosbarazia ekonomike ashtë rritë, mirëbesimi social ashtë fundosë, pjesëmarrja në lutje fetare ashtë pakësue, mobiliteti social ka ra, vdekjet nga deshprimi janë shtue shumë, e kështu me radhë” shkruen Op-Ed shkruesi i NYTimes, David Brooks. Ai vazhdon: “ Ndryshime rranjësore janë ba në botëkuptimin dhe në kulturën amerikane. ”Historia e eksperimentit amerikan të shekullit 20 ashtë njena nga ngritjet drejt nji forcimi të solidaritetit të ndjekun nga ramja e thellë drejt individualizmit në rritje. Nga “unë” në “ne” dhe përsëri në “unë”….nji “unë” ku mbështetet e gjithë struktura mendore e Presidentit Trump”, spjegon ai.  Qytetari Donald Trump qendron si nji figurë e vetmueme, pa asnji rival, në historinë moderne të Amerikës. Në Editorialin e datës 19 tetor 2020, gazeta me influencë ndërkombëtare The NYTimes jep këte gjykim: “Ne jemi para zgjedhjeve në këto ditë të pandemisë. Megjithate, republikanët diskutojnë mbi taktikat agresive që synojnë, simbas disa akuzave, asgjasimin e votave Demokrate. Presidenti Trump ka mbjellë dyshime në avantazhin e votimeve me korrespondencë postare në këto ditë të vështira, dhe ka përsëritë se refuzon me premtue nji tranzicion paqësor të pushtetit në rast të humbjes në votime. Demokratët shpresojnë për nji pjesëmarrje masive në votime (“blue wave-valë blu”) të mjaftueshme me pengue akrobaci të tilla të rrezikshme”.

      Për katër vite të gjata, kongresistët republikanë heshtën para sulmeve shkatërrimtare të Presidentit Trump. Vetë Partia Republikane, me nji të kalueme  të lavdishme si Partia e Abraham Lincoln-it u kthye në “Trump Party”, tue pranue politikën e rrezikshme të ‘kultit të individit’ që karakterizoi diktaturat fashiste, naziste e komuniste…e që shqiptarët njohin shumë mirë! Ata heshtën kur Presidenti Trump abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Europë e në Azi; sulmoi institucionet qeveritare të vendit, dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull. 

      Sot, ata janë para votimeve ku ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë në përfundimin se Presidenti Trump do të pësojë humbje të thellë, dhe bajnë përpjekje me shpëtue pozitat e tyne personale në Kongres. Ata flasin për nji fëtyrë tjetër republikane që nuk ashtë ajo e Trump-it dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. 

      Tërheqja e përkrahjes për Presidentin ka qenë e dukëshme në deklaratat e shumë figurave me randësi publike të Partisë Republikane që denojnë abandonimin e vlerave dhe parimeve tradicionale republikane. Ky moment reflekton edhe frikën se me humbjen në votime, kongresistët republikanë mund të fundosen bashkë me Presidentin. Nji skenar i njohun nga të gjithë. Gjithashtu tashti flitet haptas se qarqet republikane  punojnë intensivisht për rindertimin e PR mbas humbjes që parashikoh të jetë e thellë në votime. Ma shumë se dyzetë personalitete republikane kane dhanë dorëheqjen dhe janë deklarue botënisht si “kundërshtarë” të Presidentit.

                                     *****

     Jam jashtëzakonisht i shgënjyem nga situata politike në SHBA; por jam i bindun se ky sentiment vjen edhe nga simpatia e ime pa kufi për SHBA që në vitet e rinisë sime studenteske, kur SHBA mendohej si “toka e shenjtë” e së tashmes dhe e së ardhmes  për të gjithë. Koncepti “exceptionalism” nuk i referohet pasunisë prrallore të vendit, as edhe fuqisë superiore ushtarake të vendit; ai sentiment vjen nga aftësia e Shteteve të Bashkueme të Amerikës me u tregue si vendi i parë në histori që eksperimenton me krijue “atdheun universal” për të gjithë dhe për të gjitha, në nji atmosferë ku mbretnon liria dhe drejtësia universale pa dallim, pa përjashtim!

    Nji andërr? Ndoshta! Por nji andërr që frymëzon aksione qytetnuese dhe në anën e duhun të historisë , e konceptueme si marshi solemn i mbar njerëzimit drejt lirisë së plotë për të gjithë,  kudo që jetojnë! 

    Ashtë ky  sentiment  fisnik e thellësisht humanitar që justifikon çdo sakrificë!

Filed Under: Politike Tagged With: Sami repishti, Shqetesime para zgjedhjeve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT