• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VAJTONI FATZEZA NANA PALESTINEZE!

January 30, 2018 by dgreca

 Steward M.Patrick, i Council on Foreign Affairs, u shpreh: ”Unë mendoj se ky vendim ashtë nji plagë e randë per ne, e vetë-shkaktueme, dhe plotësisht e panevojshme, nji diplomaci jo-profesionale nga ana e SHBA-së…/

 48 Repishti

Opinion nga  Sami Repishti */

Ridgefield, CT.- Me 6 dhetor 2017, Presidenti amerikan D.J.Trump, me nji akt unilateral, arrogant dhe plotësisht i ndërgjegjshëm për mosaprovimin e aleatëve tradicionalë të Amerikës, deklaroi se SHBA do të njohë qytetin e shenjtë të Jeruzalemit për tre besimet monoteiste si kryeqytet të Shtetit të Izraelit.

  Ky akt ashtë nji tërheqje nga konsensi ndërkombëtar 50 vjeçar mbi statusin e Jeruzalemit. Akti turbulloi politikën botënore, dhe kontribuoi në izolimin e SHBA-së. Për ma tepër, Z. Trump përmbysi dekada të politikës së Amerikës me vendimin mbi Jeruzalemin, dhe randoi shumë aspektin emocional të problemit, që ka trazue marrëdhanjet izraelite-palestineze që nga lufta e vitit 1967, kur Izraeli okupoi të gjithë qytetin, shkruente gazeta The NY Times e datës 22 dhetor 2017.

  Me nji akt kolektiv sfidimi të hapët ndaj Washingtonit, Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së, me 128 vota në favor (tue përfshi edhe Shqipërinë), 9 kundra , 35 abstenime dhe 21 “në mungesë”, kërkoi që SHBA të tërheq vendimin e datës 6 dhetor 2017, me deklaratën mbi statusin e Jeruzalemit, nji qytet i kontestuem nga dy palët.

   Shumë vende të OKB-së gjykuen vendimin amerikan si nji “largim” nga praktika e zakonshme, që konsideron shumë rezoluta të OKB-së që nga viti 1967 në lidhje me këte problem, të kenë fuqinë e ligjit ndërkombëtar. Këto shtete kanë paralajmërue se statusi i Jeruzalemit ashtë “i pazgjidhun”, se deklaratat e sovranitetit nga Izraeli nuk janë të vlefshme (“null and void”) dhe se problemi duhet të zgjidhet me negociata në mes të Izraelit e Palestinezve.

   KM B.Netanyahu i Izraelit, në nji mesazh në Facebook thotë: ”Izraeli hjedh poshtë këte Rezolutë të papranueshme. Jeruzalemi ashtë kryeqyteti i jonë. Gjithëmonë ka  qenë, dhe gjithëmonë do të jetë”. Shumë shtete miq tradicionalë të Amerikës e paraqiten voten e tyne si ruejtje e pozitës së përcaktueme nga Rezoluta e UNSC e vitit 1967 – për ndryshim. “Sot, ashtë ma e randësishme se kurdoherë ma parë me u mbledhë si bashkësi ndërkombëtare për rreth parametrave të arrituna në procesin për paqën” deklaroi ambasadori francez François DeLattre, tue shtue:”Kursi që ndjekim ne, përfshinë edhe Shtetet e Bashkueme, ashtu si jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për rolin e veçantë dhe influencen (amerikane) në këte  problem”.

  Nji diplomat veteran amerikan, Steward M.Patrick, i Council on Foreign Affairs, u shpreh: ”Unë mendoj se ky vendim ashtë nji plagë e randë per ne, e vetë-shkaktueme, dhe plotësisht e panevojshme, nji diplomaci jo-profesionale nga ana e SHBA-së… Në këte rast ajo që ngjau ashtë nji qendrim që ndryshoi  rranjësisht rregullat e lojës së pranueme nga bashkësia ndërkombëtare. Akoma ma shumë, unë mendoj se simbolizon nocionin e vetë-dështimit që për SHBA-në ashtë:”ose si them unë, ose dil përjashta!” (The NYTimes, 22.XII.2017) (Për këte arsye, dhe vetëm për këte arsye, vota pozitive e Shqipërisë për Rezolutën në OKB-në ashtë korrekte).

   Efektet e vendimit amerikan për Jeruzalemin lëkundin edhe bazat e diskutimit të pandërpremë të rrymave politike në Izrael: dy shtete të ndame e të pavaruna, ose nji shtet i përbashkët izraelito-palestinez me të drejta të barabarta për të dy palët. Problemi komplikohet kur Izraeli ngulë kambë për “nji shtet hebraik e demokratik”. Kështu krijohet nji situatë ku në nji shtet të vetëm paraqitet “rreziku demografik”. Mbas dy-tri dekadash palestinezët me shumë fëmijë do të ishin shumica, dhe do fitojshin të drejtën me administrue shtetin izraelit. Kjo don të thotë “vdekja e andrrës zioniste” për “nji shtet izraelit”, dhe do të bahej “nji shtet demokratik” si të gjithë shtetet tjera të botës. Kjo, beson shumica, ashtë e papranueshme për izraelitët.

   Në nji Editorial të fletores prestigjioze, The NYTimes, 9 janar 2018, analistja Michelle Goldberg thekson se vendimi amerikan nuk merr parasyshë vuejtjet e popullit palestinez, për të cilët politika amerikane nuk shqetësohet shumë. Ky qendrim rrezikon me shkatërrue definitivisht shpresën e fundit që mbetet për  zgjidhjen e “dy shteteve”. Ajo shkruen: ”Kur fillimisht, Administrata (amerikane) njoftoi planet me transferue Ambasadën Amerikane (në Jeruzalem) ajo spjegoi se nuk prejudikonte statusin e Jeruzalemit në nji marrëveshje paqësore finale. Por Palestinezët dhe Izraelitët njilloj kuptuen se Z. Trump po i jepte Qeverisë së Izraelit “carta bianca” me vazhdue okupacionin e territorit palestinez”(me vendbanime të reja izraelite).

   Menjiherë mbas lajmërimit të Z. Trump, Komiteti Qendror i Likud Party kaloi nji Rezolutë që kërkon aneksimin nga Izraeli i të gjitha vendbanimeve izraelite në Bregun Perendimor. Parlamenti izraelit kaloi edhe nji Amendment me të cilin kërkohet nji “super-shumicë” nga Parlamenti kur bahet fjalë me dorëzue sovranitetin izraelit të cilësdo pjesë të Jeruzalemit, tue ba kështu përfundimin e nji paqe me Palestinezët krejtësisht të pamundun.

  Nga ana palestineze ky gjest i Z. Trump u konsiderue si “vrasja e mundësisë për nji marrëveshje në mes të dy palëve”, deklaroi udhëheqsi palestinez Mustafa Barghuti, ”dhe i bamë me qellim”. Ish këshilltari i Presidentit Trump, Steve Bannon, e cilësoi “vendimin” si “kumbonë e vdekjes për aspiratat palestineze”. Ai vazhdoi: ”Na e dijshim ku na shpie kjo rrugë. Le të marrë Jordania ‘Bregun Perendimor’ dhe Egjipti ‘Rripin e Gazës’”. Edhe kjo, shikohet nga ekspertët si “e pamundun”. Zgjidhja
“nji shtet të perbashkët” ku palestinezët të kenë të drejta të barabarta ashtë e papranueshme për Izraelin; me të drejta të kufizueme ashtë e papranueshme për palestinezët. Krijohen kështu konditat per nji shtet izraelit me rregjim “apartheidi”.

   Do ta pranonte diaspora izraelite dhe partitë demokratike liberale të Izraelit nji “gjendje apartheidi”? Sepse “apartheidi” për Izraelin do të ishte vdekje morale, shumja e idealit izraelit për krijimin e nji shteti pishtar i lirisë dhe demokracisë në botë, shembull për të gjithë kombet e botës.

   Nga ana palestineze reagimi ka qenë i shpejtë dhe i  premë. “Marrëveshja e Oslo-s”(“The Oslo Accords and the Israeli-Palestine Peace Process, 1993) që njohu ekzistencën e dy grupeve shoqënore me të drejtë formimi të shtetit të tyne, “u vra nga Izraeli” deklaroi udhëheqsi palestinez, Mahmud Abbas, që sulmoi Presidentin Trump për deklaratën e tij. Por ai nuk bani thirrje për përdorimin e dhunës e akte terroriste, tue lanë të kuptohet se ekziston nji shpresë palestineze për rifillim të bisedimeve. Ai shtoi: ”Me vrasjen e Oslo-s sot na jemi nji autoritet pa asnji autoritet, dhe nji okupacion pa tokë, dhe nuk do të pranojmë këte situatë.”  Dhe kur Presidenti Trump kercënoi se do të këpuste ndihmën për palestinezët në se ata vazhdojnë bisedimet, Z. Abbas u pergjegj:”Në dreq ti dhe paratë! Ky ashtë nji moment fatal në historinë tonë. Në se humbasim Jeruzalemin, çka na mbetet neve?”

  1. Abbas i bani thirrje Këshillit Kombëtar Palestinez të bashkojë të gjithë grupet e ndame palestineze, dhe të studjohen marrëveshjet e arrituna ma parë me Izraelin, “… me ndjekë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e aprovueme që mbrojnë të drejtat tona legjitime”.

   Me 16 janar 2018, Z. Trump vendosi pakësimin e ndihmave për refugjatët palestinez për shumën prej 65 miljonë dollarë. Reagimi palestinez u konsiderue si hapi i parë në “përpjekjen me nënshtrue” autoritetet palestineze ndaj presionit amerikan. Perfaqsuesja palestineze, Zonja Hana Ashraf u shpreh: ”Përsëri, Qeveria e SHBA-së tregon bashkëfajsinë e saj me okupatorin izraelit në përpjekje me heqë nga tryeza edhe nji tjetër faktor  permanent të shtetit tonë”.

   Për me  randue edhe ma shumë këte situatë deshpruese për palestinezët, shtypi ndërkombëtar njofton se “kaseta manjetofonike që përmbajnë bisedime zyrtarësh egjiptianë, tregojnë se shtetet arabe kanë parapranue në heshtje vendimin e Presidentit Trump për Jerusalemin. “Njilloj si vëllaznit tonë arabë, Egjipti do të dënojë publikisht vendimin mbi Jeruzalemin”. Privatisht personaliteti egjiptian i sherbimeve sekrete, Kapiten Kholi, bani nji seri telefonatash në qendrat me influencë egjiptiane dhe mjetet e informimit, ku ai kërkoi që në vend të kritikave kundër “vendimit”, ata duhet të bindin publikun me e pranue atë…. Palestinezët duhet të kënaqen me mbajtë qytetin e humbun të Bregut Perendimor ku ashtë qendra e Autoritetit Palestinez, Ramallah. Pse ashtë Jerusalemi ndryshe nga Ramallah?” pyeti ai. Kapiteni Kholi përsëriti: ”Ne, ashtu si të gjithë vëllaznit arabë do të denoncojmë këte zhvillim. Por, mbas kësaj, punët do të normalizohen si nji realitet. Palestinezët nuk mund të rezistojnë, dhe na nuk duem me shkue në luftë. Edhe na kemi mjaft probleme në pjatën tonë, ju e dini mirë!” (7 janar 2018)

  Tri ditë ma vonë sherbimi i mshehtë i Shtetit egjiptian mohoi se ka nji emën Ashral Kholi që punon për sherbimet sekrete të Egjiptit, dhe mohoi vertetësinë e raportit të botuem në The NY Times. Njikohësisht, Presidenti egjiptian pushoi nga puna shefin e agjensisë egjiptiane të sherbimeve sekrete, nji akt tipik i diktatorëve që nuk pranojnë përgjegjsi për aktet e tyne që i turpënojnë. Dielli nuk mbulohet me shoshë…!

   Kjo dyfëtyrësi (në fakt kjo “paturpësi!”) e diplomacisë së “vëllezërve arabë” ka fye ndërgjegjen e botës së qytetnueme, ka trathëtue idealet e popullit të shtypun palestinez, dhe ka konfirmue kalbëzimin e sistemeve qeveritare arabe. (Para nji situate të këtillë, unë sugjeroj të tërhiqet antarësia e Shqipërisë nga Organizata Islamike e Vendeve Arabe si nji akt solidariteti me “viktimën”)

*****

  Në vitin 1982, unë shkuejshe në gazetën Dielli (të Bostonit):

”Breznia e ime,” të rinjtë që “u dogjën” nga zjarri i Luftës së dytë Botënore, ashtë breznia që urren luftën ma shumë se çdo brezni tjetër. Dhuna,, padrejtësia, shtypja e gjithëherëshme dhe vdekja e gjithëkahshme rreth e rrotull nesh  u banë, në ato vite të turbullta, shkolla e jetës sonë djaloshare. Prindët që vuejshin, shokë që ekzekutoheshin, fqinj që zhdukeshin pa lanë gjurmë, mësues qe burgoseshin, torturoheshin, e të tjerë akoma ma guximtarë që vriteshin në fushën e nderit, në luftën pa kompromis për liri kombëtare e dinjitet njerezor.

  Kështu vdiq im atë mbas nji keqpërdorimi brutal që pësoi nga policia fashiste italiane. Kështu vdiq kushërini i im 17 vjeçar, që humbi pa lanë asnji gjurmë në rrugën drejt kampit nazist Mauthausen. Kështu humbën shumë shokë të lagjes dhe të shkollës që luejtën së bashku me mue, e që së bashku me mue u arsimuen në liceun e qytetit tonë të lindjes, në Shkodren legjendare…Shqipëria u vesh në zi!

   Ma vonë, vdekja e tyne filloi me marrë përpjestime të reja, të përgjithëshme dhe monstruoze, me zbulimin e krimeve të fashizmit në Europë e Azi. Atëherë u pa i qartë rreziku i madh që kishte mbështjellë botën tonë të vogël në Shqipëri, dhe atë të madhe jashtë vendit tonë. Kur në rrugët e qytetit tim dollën për të parën herë e për të gjithë me pa nanat e gratë e motrat e viktimave të panumërta të veshuna me të zeza, filloi me u shpalosë madhësia e tragjedisë gjashtëvjeçare të Luftës së Dytë Botënore…..

   Tregimet e kampeve naziste nga ata që mbijetuen, u banë subjekte të jetës së përditëshme për të gjithë, sidomos për ne të rinjtë. Çfarosja në masë me uri, punë të randa e pushkatime në masë, e sidomos zbulimet e sistemit të krematoriumeve na lanë pa gojë e për shumë kohë, si në mosbesim të ultësisë njerëzore në përpjekje me shnjerëzue njeriun. Në këte kuadër friksues, persekutimi masiv, i qellimshëm dhe sistematik i izraelitëve, i romëve, i kombeve sllave delte në shesh si dukunia ma çoroditëse e të gjithë kësaj veprimtarie që me gjithë largësinë e saj, dukej sikur njolloste çdonjenin nga ne, edhe të pafajshmin, pothuejse edhe viktimën e persekutueme që nuk përfundoi në furrat djegëse, ose para skuadrës së ekzekutimit. Poshtë, shumë poshtë ra njeriu në ato vite në përleshje me Satanin…. para nji bote që ruejti heshtjen!

   Shkatërrimi i botës së vjetër u shoqënue me dhimbjet e forta të lindjes së botës së re që pritej ma padurim, Ndoshta, dështimi ma i randë i mbasluftës ra mbi kurrizin e nji populli që jetoi pa emën, e emni i të cilit ma vonë u ngjall bashkë me atë të tokës që banoi me shekuj, e që ngjarjet e mbasluftës e vunë përsëri në qendër të interesimit botënor: populli palestinez!

  Në Shqipërine tonë të shkatërrueme nga lufta, vendin e së nesërmeve plotë kangë e zuni vaji e dnesa e legjoneve të pambarim të burgosunëve të rij që rifilluen kalvarin e këputun përkohësisht me fitoren e majit 1945. Terrori i “luftës së klasave” tregoi fëtyrën e tij të vertetë. Lufta të reja, në emën të së resë premtuese, u banë varri i ushtrive të çmenduna e të urituna që nuk kishin çka me fitue nga përleshjet që kurrë nuk kuptuen: feja kundër fesë, ngjyra kundër ngjyrës, lindja kundër perendimit. Te na, shqiptari i kuq vrau shqiptarin pa ngjyra: katërdhetë e pesë vjet pa ndërpremje, pa mend, pa zemër, pa mëshirë. Na, mbijetuem!

   Miljonët e izraelitëve që shpëtuen nga çfarosja u betuen me gjetë nji vend për vehte e për fëmijtë e tyne. Vendosmënia e guximi i tyne u kuptuen mirë, për të parën herë mbas dy mijë vjetësh jete endacake (“the wandering Jew!) të shoqënuem me vuejtje, përbuzëje e persekutim. Pesha e fajit të pranuem ndryshoi shumë zemra njerëzore. Vala e simpatisë u rrit çdo dite e ma shumë, e mundësoi për viktimët e mbasardhësit e tyne me pasë nji vend që quhej “atdhe”, nji shtet që i mbron e i përfaqson, nji shoqëni që nuk i përbuzë, por i vëllaznon në përpjekjet e tyne të përbashkëta me rindertue folenë e humbun njizet shekuj ma parë. Sot, mendimi e puna e tyne janë kunorëzue me nji sukses të jashtëzakonshëm!

   Por ekzodi izraelit kah “toka e premtueme” nuk mbushi nji boshllek në hapësinë! Atdheu i ri, shteti i ri, shoqënia e re izraelite çvendosi banorët autoktonë që të frikësuem, të kercënuem dhe të mashtruem me premtime boshe lanë votrat e tyne mijëvjeçare. Vargjet e gjata të mjeruemësh, çveshë e zbathun, morën rrugët e mërgimit zemër-plasës. Kështu u krijue armata tremiljonëshe e refugjatëve palestinez, e kampet e tyne, me tenda e pa shtëpi, me frikë e pa shpresë, me vuejtje e pa të ardhme që premton. Kujtimi i trollit të lëshuem e ndjenja e dëbimit që i la pa plang, pa shtëpi, ushqeu për ma shumë se shtatëdhjetë vite të pambarim shpresën e kthimit bashkë me deshprimin që ngjallë sjellja neveritëse e nji bote të shurdhët.

   Sa herë që shoh në perden e televizionit, ose lexoj në faqet e gazetave, kuptoj shkaterrimin masiv e vdekjen e gjithëmbarëshme që mbjellin luftat në mes të shtetit të Izraelit dhe “refugjateve palestinez”, dhe më duket sikur nji pjesë e mirë e njerëzimit në vehten time avullohet, që të mos kthehet përsëri. Çdo ditë ndiej vehten ma pak njeri, ma pak të lirë, e ma pak të aftë me folë e me veprue. Kjo ndjenjë pamundësie që më rrethon, e më mundon, bahet edhe ma e dendun kur jam koshient i faktit se ndihma, përkrahja, e tashti edhe cinizmi i vendit ku jetoj- i Amerikës që predikon!- ka kontribue në nji mënyrë të dukëshme, e të pafalëshme, që të bahet e mundun tragjedia e sotme palestineze.

    Në mbrendinë time o vëlla, o motër palestineze, viktima që vueni sot pa faj, e ndjenj vehten fajtor…e kërkoj të falun!

  Më kujtohet viti 1980 kur ushtria izraelite arriti para portave të qytetit Bejrut, Liban. Nji officer i naltë izraelit, në frontin e luftës, u gjet , ne distancë 100 metrash, para nji “ushtari !” palestinez 14 vjeçar, i armatosun e i gatshëm me hapë zjarr. Oficeri u trondit, uli armën e tha:

   “ Jo! Ky …. nuk ashtw anmiku  im…nuk ashtë anmiku i im!”

   Poeti arab Halil Havi vrau vehten nga dëshprimi që ndjeu kur dëshmoi “heshtjen e madhe” të botës para tragjedisë monstruoze në kurriz të popullsisë së pafajshme palestineze. Havi! O poet guximtar! Ti nuk duhesh vajtue, por le të thuren për ty lavditë e kangët e breznive të ardhme. Ti u tregove burrë! Por vajtimi të mbetet për ne, për te gjithë ne, që në qetësinë e jetës sonë te përditëshme, shikojmë shpalosjen e tragjedisë palestineze në perden televizive.…sikur të ishin lojnat olimpike!

   Në konfliktin e fundit para tri vjetësh, nga rreth 1.500 viktima palestineze, 495 kanë qenë fëmij nën moshën 14 vjeçare. E përsëri, harrojmë skenën zemër-coptuese të të çjerrunës nanë palestineze, që në gjuj, e me krahë të hapun, përsëritë para ushtarëve të heshtun izraelitë:

    “Pse më vratë të dy fëmijtë e vegjël, o ju dalshin të dy sytë e ballit?”

    Jo! Kjo…nuk ashtë bota e ime,…. nuk ashtë bota e ime!

———————————————————————————————————-

* Dr.Repishti, autor i studimit “Jews in Albania-A Story of Survival” (New York: 2000) ashtë aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: NANA PALESTINEZE!, Sami repishti, VAJTONI FATZEZA

VITI I RI 2018 – SHPRESE DHE DESHIRA TE PA PLOTESUEME

January 3, 2018 by dgreca

48-repishti-300x212

Nga Sami Repishti/

 Ridgefield, CT.- Për të gjithë vëllaznit dhe motrat e së vetmes racë njerëzore: Gëzuar Vitin e Ri 2018. Paqë në Botë me shpresa të gjalla, dhe dëshira të plotësueme.Por, reagimet politike në Serbinë fqinje, e Kroaci, ndaj vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë tregojnë se jemi në prak të nji periudhe të pasigurtë në Europë; “nacionalizmi i demoduem” ka ngritë kokën e nepërkës , dhe pasionet e masave popullore  dhe të pa informueme drejtësisht kanë fillue të ndizen.

“Gjykata Ndërkombëtare e Hagës konfirmoi qartësisht si janë përgatitë dhe koordinue planet për krime masive kështu që të formoheshin Serbia e Madhe dhe Kroacia e Madhe, nji andërr që do të arrihej me coptime, dhe nuk do të kishte ma Bosnje-Herzegovinë” shkruente ish zadhanësja e Gjykatës, Florence Hartmann. “Ashtu si reagoi sot Beogradi, len të kuptohet se pushteti i sotëm në Serbi (fqinje) nuk mohon qellimet, as nuk distancohet qartësisht nga ata, as pranon krimet. Kjo kuptohet se ata mund të përsëriten. Sot, në epokën e kercënimit të luftës me armë berthamore, kjo ashtë e tmerrshme, me të vërtetë e tmerrshme!

Pikësynimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ka qenë avancimi i frymës së pajtimit në Ballkan, dhe dënimi i kriminelëve serbë ndihmon këte pikësynim…!

Para nji situate të këtill, Rusia e Putinit përpiqet me zgjanue influencën e saj në Ballkan, dhe Serbia  ashtë faza e parë, dhe e sigurtë. Në vitin 2009, rreth 73 përqind e popullsisë serbe dëshironte Bashkimin me Europën; sot, 2017, kjo përqindje ka ra në 49 përqind – ma pak se gjysma e popullsisë.

Zhvillime të këtilla shqetësuese ngjasin në Serbi, ku zgjanohet qendra-bazë ushtarake e përbashkët me Rusinë në qytetin Nish, rrethë 30 km larg kufinit ndërkombëtar me Republikën e Kosovës. Në Mal të Zi që kufizohet me Shqipërinë Veriore, Rusia tentoi kryengritjen kundër qeverisë së ligjëshme të vendit dhe vrasjen e kryeministrit malazias, përpjekje që dështuen. Këto zhvillime u vunë në dukje edhe nga KM i Shqipërisë, Edi Rama, në sesionin e fundit për Ballkanin perëndimor të organizuem nga “miqtë e Europës’, muejin e kaluem. “(Pra),…. rreziku ashtë real, është i rrezikshëm…Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të pres, por të vrapojë të na kapë, atëherë, më besoni, do të kemi nji larmi problemesh të tjera që do rrisin dhe do të jenë shumë herë më të kushtueshëm se po të martoheni me ne”. E. Rama zuni me gojë Turqinë, Rusinë e Kinën- si vende që mund të na damtojnë…!

Nji situatë kritike e këtill randon shumë ‘frontin e mbrendshëm’ kur raportet zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT) i Shqipërisë konfirmojnë se “…jetesa me 4 euro në ditë konsiderohet si varfëri relative sipas standardit të Bankës Botërore. Kategoria e personave në këte kategori konsumi konsiderohen ma shumë si varfëri se sa jetë normale. Llogaritë tregojnë se 10 përqind e familjeve që përbajnë 7 përqind të popullsisë së vendit, me 199.761 persona, konsumojnë 15 euro në ditë për frymë, ose tre herë ma shumë se 93 përqind e popullsisë.” (Credisbank,30.XI.2017) Rritja e pabarazisë ekonomike ashtë baza e krijimit të pakënaqsisë dhe trazimeve sociale.

*****

Kam përshtypjen se jemi në nji etapë pasigurie ndërkombëtare. Themelet e sistemit të demokracisë me përfaqsues të zgjedhun nga populli po lëkunden, sidomos me fitoren e kandidatit Donald J.Trump si President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, (not my president!) -nji miljarder arrogant pa  eksperiencë në diplomaci as në problemet ushtarake që përballon sot bota,- si dhe me fenomenin negativ të Brexit-it në Britaninë e Madhe. Filozofi britanik A.C. Grayling (Cambridge U.) spjegon:” (Kjo që ngjet) ka nji mekanizëm kontrolli e balancimi të pamjaftueshëm në elitën e pushtetit politik e ekonomik, nji dështim në arsimin qytetar që ashtë i nevojshëm me edukue nji popullsi të mirë-informueme, si dhe shtrembënime ideologjike të krijueme nga përpjekjet e lobizmit që mbron interesa të veçanta”.

Në nji sistem “demokratik” të këtill zgjedhësit kërkojnë ma shumë se meritojnë (“populizmi”); të pakënaqun, ata synojnë nji shtet me premtime falso, dhe kur e marrin ata punojnë me “destrukturue sistemin qeveritar” ekzistues. (Steven Bannon). Sundimi i shumicës nuk ashtë nji garanci e mjaftueshme për demokraci. Që nga Antikiteti grek, na këshillohemi me korrigjue këte të metë me : 1) rregulla kushtetuese që pengojnë ushtrimin arbitrar të pushtetit; 2) me imponimin e standardeve pune e sjellje për të gjithë zyrtarët; dhe, 3) nji element dyshimi nga masat e gjana ndaj pushtetarëve…..

Aspekti që “demokracia” nuk ka zgjidhë akoma ashtë parabazia ekonomike që rritet çdo ditë, e në çdo vend. Cilat janë masat qeveritare që do të kufizojshin krijimin e nji oligarkie tejet të pasun e që rrezikon bazat e demokracicë? Sa e rrezikshme ashtë injoranca popullore për demokracinë? Dhe, demokracia me perfaqsues të zgjedhun, sa liri na lejon me ndjekë interesat e prosperitetin tonë individualisht? Grayling ngulë kambë që ne, të gjithë ne, de-aktivizohemi nga institucionet disfunksionale, nga nji qytetari  pa gjykim praktik, dhe nga nji pushtet i shfrenuem i korporatave. Për këte qellim, ai këshillon mbajtjen e klasave “qytetarie” në shkollat tona, zbatimin e përfaqësimit proporcional në pushtet, votime të detyrueshme që nga mosha 16 vjeçare, dhe eliminimin e institucioneve disfunksionale që mbahen në kambë me subvencione të pajustifikueshme qeveritare. Veçanërisht, ai  porositë të mos harrojmë se referendumet nuk kanë fare të bajnë me demokracinë përfaqsuese. Shembulli ma i keq ashtë rezultati i Brexit në Britaninë e Madhe.

Eksperienca e jonë gjatë këtyne 27 viteve të tranzicionit nga diktatura në demokraci, në nji  sistem demokratik përfaqsues dhe efektiv ashtë me të vërtetë shgënjyese. Në kondita të këtilla, nuk mund të pritet që Shqipëria të jetë në gjendje me ba korrektimet e duhuna për nji demokraci të dëshirueshme. Detyrat për nji orientim të këtill janë të mëdha e të vështira. Klasa politike shqiptare nuk ashtë tregue në naltësinë e duhun; popullsia shqiptare, në përgjithësi, pa arsim civik të mjaftueshëm dhe pa eksperiencë demokratike në vend, nuk ka as nxitjen as përgatitjen e duhun për reforma thelbësore që kërkon sistemi demokratik.

Për fatin tonë të mirë, kemi nji zgjidhje që premton: hymjen në Bashkimin Europian dhe pjesëmarrjen e plotë në lëvizjen e madhe europiane për nji Europë të bashkueme dhe paqësore, ma njerëzore dhe të zhvillueme ekonomikisht, me nji arsim që shërben qytetarin me kuptue ma mirë botën që po ndërtohet, dhe që na ofrohet me qenë pjestar i plotë i saj.

Për fatin e keq, Europa sot jep përshtypjen e “nji kontinenti të thyem”. Siguria politike dhe zhvillimi ekonomik i Europës që na kemi dëshmue mbas ramjes së komunizmit dhe të Bashkimit Sovietik, jep përshtypjen se Europa nuk ashtë ma “e bashkueme”: Brexit i Britanisë së Madhe, adhurimi i jonë për demokraci ashtë lëkundë, zhvillimi ekonomik si sistem kapitalist ka prodhue edhe kriza që kanë dobësue besimin tonë në aftësinë e individit të lirë, dhe “apeli” që lëshon “populizmi” sidomos mbas ardhjes në fuqi të Presidentit Trump na paraqiten me pyetjen e madhe, ndoshta jetësore për shume shtete të vogla si Shqipëria: KU VEMI ?

Politikisht, atmosfera e dekadave së para në Rusinë e re, e sidomos paqa e arsyetueme me Gjermaninë, janë kercënue nga veprimtaria agresive e Presidentit Putin në Gjeorgji, Krime, Ukrainë, me ndërhymjen ushtarake në Siri, me politiken paternaliste në Serbi dhe agresive e kriminale në Mal te Zi – komshi i jonë. Tani së fundi, kemi edhe lëvizjet separatiste rajonale në të gjithë Europën që rrezikojnë shtetet kryesore të kontinentit. B.E. dhe SHBA që nga Kurdistani deri në Catalonia nuk i kanë përkrahë këto lëvizje, por nuk janë në gjendje me i pengue. Simbas BE-së, në 28 vendet e këtij grupimi politik kemi 276 krahina të ndryshme me struktura dhe kategorizime të ndryshme. Përkrahja e tyne do të destabilizonte Europën ashtu si e njohim ne sot. Disa prej tyne, si Catalonia (Spanjë) dhe Scotland (Britani e Madhe) kanë zyrët e tyne në Bruksel. Parlamenti Europian ka nji koalicion të njohun si “Aleanca e lirë Europiane”. Shpresa se Europa udhëtonte drejt “nji superfuqie globale e ardhëshme” dhe ideja se BE ishte i destinuem për “nji periudhë të artë” ka qenë e përgjithëshme. Sot, mbretnon frika se Europa dhe Perendimi, në përgjithësi, kanë hy në “fazën e zbutjes”.

Europa e shekullit 21, ka hy në epokën e “mosmarrëveshjeve”. Në Gjermani bahen përpjekje me shpëtue kontinentin dhe rendin ndërkombëtar të rrezikuem nga diplomacia nacionaliste e Presidentit amerikan Trump. Gjermania, ishull paqe dhe stabiliteti politik kontinental, garanci e ndërtimit të rendit ndërkombëtar liberal në Europë, ka fillue me dyshue në efektivitetin e aftësinë e saj me ruejtë këte rend. Në vendet baltike ashtë e qartë frika e nji ndërhymje ruse, dhe konfliktet në Lindjen e Mesme rrezikojnë me kalue në Europë, nji kontinent që ka rezervime të forta në NATO si rrjedhim i qendrimit të ri izolacionist amerikan.

Në London dhe Varshavë dyshimet për Europën janë dhe ma të thella. Pakënaqsia e madhe me maqinerinë burokratike të BE-së, e pa-aftësinë e saj me dalë nga kriza financiare, humbja e “sovranitetit kombëtar”, janë sentimente të përgjithëshme. Nji authoritarizëm i rrezikshëm për demokraci në Poloni, Hungari, Çeki e Sllovaki (vendet e Vishegradit) vejnë në pyetje aftësinë e BE me përballue këte krizë, dhe me mbrojtë e avancue demokracinë. Franca me gjithë fitoren e bujshme të Presidentit Macron paraqitet si “nji shoqëni e ngrime” me ndasi të mëdha në mes të “emigrantëve” dhe popullsisë vendëse. Në Romë dhe në Athinë, rrjedhimet e krizës ekonomike janë të mëdha dhe të qarta: papunësim, pabarazi shoqënore, ekonomike  dhe vuejtje masive që dobësojnë demokracinë…!

Qartazi,  “populizmi” që kercënon Europën Lindore (demokraci të reja) e rrezikon thymjen e solidaritetit europian, nuk ashtë përgjigje për nji Europë të Bashkueme dhe paqësore. Ka mundësi që vala e “populizmit” do të pakësohet sepse premtimet e dhanuna nuk mund të mbahen, dhe dëshirat e masave nuk mund të plotësohen. Kjo u tregue edhe në votimet e fundit në Europën qendrore e perendimore ku “populizmi” ka pësue humbje në votime. “Populizmi nuk paraqitet si nji ideologji e vetme, megjithëse të gjithë, pa përjashtim, kritikojnë valët e emigracionit, sidomos mysliman. Por suksesi i tyne, edhe ashtu i kufizuem, ka thye disa aleanca politike tradicionale, dhe ka vështirësue krijimin e koalicioneve qeveritare” shkruen Steven Erlanger i gazetës The NY Times.

Kohët e fundit, riorganizimi i gjykatave në Poloni ka detyrue BE me cenzurue qeverinë polake me akuzën e “damtimit të demokracisë” shtylla themelore e BE-së. Demonstrata masive protestuen vendimin qeveritar që minonte parimin e sundimit të ligjit; në fakt, ligji i ri efektivisht nënshtron sistemin gjyqsor kontrollit nga “partia” në pushtet, nji thymje serioze e vlerave bazike të demokracisë si janë pluralizmi dhe respekti për kundërshtarin (disidentin)- meturinë e rrezikshme e sistemit komunist Partia polake në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, ka kufizue tubimet publike, ka rritë kontrollin e mediave, dhe ka dobësue pavarësinë e sherbimit civil dhe atë të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe veprimtaritë e OJQ kombëtare dhe ndërkombëtare. Traktati i BE-së parashikon që të gjithë anëtarët “…do të ruejnë respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit e të drejtat e njeriut.”(Art.7)

Shqetësuese ashtë edhe gjendja e re politike e krijueme për kancelaren gjermane Angela Merkel. Koalicioni solid i dekadave të fundit u trondit me fitoren e neo-nazistëve AfD (Aleanca për Gjermaninë) në Parlament, nji thymje serioze. Partia e kancelares Merkel (34 përqind e votave në Parlament) gjindet para dy alternativave: me pranue bashkëpunimin me AfD në qeveri, ose zgjedhje të reja.

Por kjo situatë ka krijue nji rrymë frike në Europë- mos-stabilitetin politik në Gjermani, shtylla kryesore e BE-së, dhe sjellë kujtimin e së kaluemes tragjike , kur nazistët përfituen nga kaosi e vendosën diktaturën. Por gjermanët janë të aftë për kompromise të ndershme politike dhe evitojnë katastrofën. Europa pret çdo ditë nji zgjidhje të këtill. Në çdo rast, kompromisi kërkon edhe guxim me spjegue arsyen e tij dhe pse ashtë nji problem vital për demokracinë.

*****

Situata shqetësuese në Europë – pa zanë me gojë trazimet e Lindjes së Mesme dhe terrorizmin, e sidomos rrezikun e nji konflagracioni me armë atomike që rrezikohet nga Koreja e Veriut- merr përpjestime kritike për shqiptarët: e para, sepse jemi nji “demokraci e re”, pa eksperiencë dhe traditë; dhe e dyta, sepse kemi trashëgue efektet shkatërrimtare të diktaturës 45 vjeçare komuniste.

Shqipëria ka nevojë urgjente për reformim. Hapi i parë ashtë krijimi i nji atmosfere mirëkuptimi të ndërsjellë. Shqipëria nuk ka “armiq”; shqiptarët nuk janë “armiqtë” e njeni tjetrit. Shqipëria dhe shqiptarët që “mendojnë ndryshe” nga ne gëzojnë të gjitha të drejtat e tyne kushtetuese me mendue e veprue lirisht- sidomos kur mendimi i tyne nuk na pëlqen. Aksiomë demokratike! Në se nuk trajtojmë kundershtarët me respekt sot, nesër do të korrim atë që kemi mbjellë!

Por nji Shqipëri që drejtohet nga nji Kuvend i zgjedhun krejtësisht nga kryetarët e partive politike respektive ashtë nji “tallje e egër” me popullin e pafuqishëm-, dhe konceptin e përfaqësimit demokratik. Grupet politike nuk janë toga ushtarake! Zgjedhjet parlamentare me lista janë meturinë e traditës komuniste që duhet të ndryshojnë “këtu dhe tani”! Zgjedhjet që fitohen me votime të bleme me të holla e shpërblime janë anti-ligjore, duhen zbulue e dënue me ligj. Shqipëria ka nevojë për deputetë të ndershëm, të aftë, të dedikuem dhe të lirë me mendue e veprue si përfaqsues të lirë, me arsye e ndërgjegje. “Deputet pa dinjitet” ashtë nji epitet turpi për kombin tonë, dhe duhet të luftohet me çdo mjet ligjor.

Në Shqipëri flitet për drejtësi, pushtet ligjor të pavarun e megjithate veprohet si në ditet e diktaturës. Në Poloni, gazetari Igor Janke, tue spjegue dilemën e madhe të sistemit gjyqsor tha:” Kur dikush më thotë se po shkatërrojmë sistemin e drejtësisë, unë pergjigjem: ‘Cilin sistem?’ Që në fillim, më 1990, komunistët që kryen krime kundër popullit i ‘shpëtuen drejtësisë” Ai i quen gjykatësit ‘merimanga të kuqe’ Këto merimanga ushqejnë merimanga të reja, dhe në gjykatat polake ka plot nga këto merimanga që ndjekin “vijën e Partisë”!

Nji spjegim i tillë tingëllon familjar për Shqipërinë, ku “drejtësia” u sulmue randë për 45 vjet me rradhë, ku ligji ishte “vija e Partisë” dhe ku u eliminue edhe Ministria e Drejtësisë si “e panevojshme”. Merimangat shqiptare sigurisht mbrojnë “vijën e Partisë” dhe kur këto merimanga korruptohen “nga pushteti dhe paraja”, e keqja që rrjedh ashtë e pallogaritëshme.

Nji sistem qeveritar që adopton ose lejon konstruksione shtetnore të këtilla rrezikon jetën e “Shtetit” që drejton. Historia na jep mjaft shembuj cili ashtë përfundimi i nji kombi që sundohet nga qytetarë që nuk gëzojnë besimin e popullsisë. Në këte situatë, vetëm nji rezistencë popullore paqësore dhe e energjizueme, shpëton situatën. Duhet ngritë zani i protestës deri në qiell! Nga Shqipëria, nji koleg i imi, mendimin e te cilit unë çmoj, shkruente: “…Ne i kemi të gjitha mundësitë. Kemi vendin që nuk mungon asgjë, kemi mundësi për turizëm veror e dimëror, kemi naftë me shumë se nevojët që kërkon tregu shqiptar, kemi minerale, kemi bujqësi, por nuk kemi qeveri. Drejtuesët e partive politike flasin vetëm për partitë dhe asnjë herë për Shqipërinë. Ky është dinjiteti ynë, kjo është fatkeqësia jonë. Kemi intelektualë të niveleve të larta, por nuk gjenden “burra shteti” për ta nxjerrë vendin e trevat shqiptare nga bataku ku kanë rënë”. Ky mesazh ka qenë dhurata ma e mirë për mue në vitin e ri 2018.

Asnjeri, i mbrendshëm ose i jashtëm, nuk ka autoritet ligjor ose moral me i imponue “sovranit”, popullit shqiptar, zgjidhje që nuk burojnë nga vetë qytetarët shqiptarë. Por edhe sikur zgjedhësit në votime të ngrihen kundër “sundimtarëve” dhe “deputetëve” (të shitun ose të blemë) do të kalojnë mjaft vite para se të rivendosen vlerat themelore të demokracisë shqiptare.

Shqipëria ka nevojë për gjak të ri, për nji sistem demokratik pluralist, për parti politike të pakorruptueme, për liderë pa kompleksin napoleonik; Shqipëria e jonë ashtë e vogël, e vorfën, e dobësueme nga vuejtjet e djeshme dhe të sotme. Le të mos harrojmë!

Shqipëria ka nevojë për nji të ardhme ma të mirë dhe ma premtuese. Megjithëse duhet kohë dhe punë e ndërgjegjshme me kthye vendin tonë në rrugën e përparimit të gjithanëshëm, ne, të gjithë ne, duhet të ushqejmë shpresën se e kaluemja nuk na ka vrarë fare, dhe se në mbrendinë tonë kemi akoma bindjen dhe forcën e nevojshme me përballue vështirësitë, e me ngritë nji Shqipëri që na ushqen me dinjitet, dhe me dinjitet na nderon para botës së qytetnueme.

Ky ashtë urimi im i Vitit të Ri 2018 për të gjithë vëllaznit dhe motrat e mia shqiptare kudo që jetojnë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami repishti, TE PA PLOTESUEME, VITI I RI 2018 – SHPRESE DHE DESHIRA

Millosheviq, Karaxhiq, Mlladiq-Treshi kriminal serb i fund-shekullit 20

December 11, 2017 by dgreca

presidenti_rugova_sami_repishti

Nga  Sami Repishti */

“….Konferenca e Paqës e Parisit,1919, vol.XII-PPC 184-018/3-

“Sekretari i Shtetit për Z. A.J.Balfour,(Ministër Britanik i PJ):

“Ambasada Britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit sa vijon: ‘Në lidhje me akuzat për masakrat kundër shqiptarëve në Mal të Zi: Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri, dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e trupave serbe, dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket ka qenë shfarosja fizike e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji, Robert Lansing’”

————–

Ridgefield,CT.  Me 29 nandor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, Gjenerali kroat, Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnje-Herzegovinë, posa mori vendimin e Gjykatës së Apelit : denim me 20 vjet burg për krime të ushtrueme nga forcat nen komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetë të vdekun mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishëmve piu nji gotë helmi, përbuzi Trupin Gjykues, dhe vdiq tue reklamue pafajsinë.

Ky akt “teatral”, me gjithë tragjikën e aktit të vdekjes- akoma ma i theksuem i vetë-vrasjes- përmban edhe nji element komik që nuk i shpëton vrejtësve të botës mbar. Akti u pa si nji “publicitet” për ndjeksit e tij. Akoma ma e randë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate që ngritën këte akt në piedestalin e nderit të popullit kroat.

Nji qendrim i këtill më tronditi! Krimineli, sidomos ai që dënohet nga nji Gjykatë serioze siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me nji gjest dramatik e publik që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme.

Vrasja, vetëvrasja, e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjasimi i pareparueshëm i nji jete njerëzore duhet dënue pa hezitim. Sot, në botën e qytetnueme ashtë eliminue me ligj “dënimi me vdekje” si “nji ndeshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim ashtu duhet të jetë!

******

Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Europa, me shpresën e hapjes së nji shekulli të ri, ma të mirë, ma paqësor dhe ma njerëzor. Fatkeqsisht, u vërtetue e kundërta. Për njiqind vjet me rradhë, na dëshmuem zhvillime politike që kthyen këte shekull në shekullin ma barbar dhe ma të përgjakshëm në historinë botënore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy lufta botënore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturave –komunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)- që pothuejse fundosën qytetnimin tonë mijëvjeçar, kushtuen jetën e miljonëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmij të masakruem, të gazuem, të djegun për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajet e gulagëve sovjetikë, ose të dërmuem në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të Madh Socialist”…..!

Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u banë me nji shpejtësi marramendse që na dhuruen nji përparim material të pa pamë; por fatkeqsisht, në kontrast “brutal”, sepse përjashtuen pjesën ma të madhe të popullsisë botënore: të pazhvilluemët, të pa ushqyemët. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi nji aktualitet tragjik që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerëzore: asgjasimin tonë fizik!

Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthye. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike, zhvillohen me shpejtësi me qellim të kapen zhvillimet shkencore moderne që vejnë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet nuk mund të themelojmë nji shoqëni të urtë dhe të përjetësojmë nji qytetnim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses!

Kështu, dashje ose pa dashje, gjindemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe të II Botënore provojnë se jemi në gjendje me krijue dhe me jetue në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetnuem”. Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardhë fundi i botës, shpesh herë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këte finale; ose pa gjetë fuqi të mbrendshme e të mjaftueshme me tentue evitimin e katastrofës. Në letërsi, kjo pozitë e vështirë e dëshpruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllekut të plotë”!

Le të kujtojmë fashizmin, nazismin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse, ndiejmë lehtësim me shikue të kaluemen, e me zbulue “gabimet” e historisë, me ridimensionue emocionet tona që kemi përjetue ma parë – tue i krahasue ata me ato të sotmet. Nji histori që nuk qetëson por trazon e kërkon ashtë histori e mirë. Ashtë kjo histori “e mirë” që na paisë me vullnet dhe na forcon bindjen me dënue përsëritjen e terrorit të jetuem.

Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish Jugosllavisë kundër njeni-tjetrit, dhe sidomos agresionin kriminel serb në hapësinën shqiptare në ish Jugosllavinë, si dhe agresionin kriminel serbo-kroat në Bosnje-Herzegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyne dhe vrapimit mbas andrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harrueme në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje unë i dënoj !

**********

  • Slobodan Millosheviq, i njohun publikisht si “kasapi i Ballkanit”

konsiderohet si përgjegjsi i parë kryesor i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e nji “Serbie të Madhe”, dominuese e ish Federatës Jugosllave. I shgënjyem nga paaftësia e tij, si president i Serbise ma parë dhe i Jugosllavisë ma vonë, me gjetë nji zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këte shtet multinacional që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër kushtetutës së vitit 1974 që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë, dhe për paaftësinë e tij politike me “paqësue” trazimet e popullsisë shqiptare sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë ma vonë, të fitueme në qershor 1999, dhe formalisht me 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të pavarësisë, dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Ma në fund, Millosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare që kushtoi ma shumë se 100.000 viktima, nga të cilët ma shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banueme nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ma shumë se dy miljonë refugjatë, gjysma e tyne shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunueme nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetnor, përveç miljardave dollarë damesh ekonomike, vetëm në Kosovë…! Qellimi i tij? Komandanti i forcave aleate të Nato-s në vitin 1999, Gjenerali Wesley Clark, shkruen në kujtimet e tia takimin me Presidentin Millosheviq para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë:

“  Gjatë takimit me Presidentin Millosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjegj me nji pyetje:

– Ç’keni ju amerikanët? Pse përzieheni në problemin e Kosovës? Lereni në duert tona…Ne dijmë si ta zgjidhim…E kemi ba edhe ma parë…

– Si e keni zgjidhë, Z, President? pyeta unë.

– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!” ishte përgjigjja!

– Z.President”, ndërhyna unë, “Ashtë pikërisht kjo zgjidhje që na nuk do të lejojmë…!”

Historia përsëritet, shkruejnë shumë historianë. Megjithate, edhe në se nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritë. Nji ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluemen.

Në botimin e saj të datës 31 dhetor 1912, gazeta amerikane The New York Times, nën titullin “A Trail of Blood”  (Nji rrke gjaku) shkruen:

“ … Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit) deklarojnë se paqësimi ma efektiv i Shqipërisë do të ishte çfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë u adoptue nga Ushtria Serbe, dhe u zbatue në praktikë”.

Tragjedia e luftës civile në ish Jugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes e kundër Kosovës së pambrojtun ashtë krimi ma i madh i Europës së mbasluftës, përgjegjsia e të cilit bie katërcipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Sllobodan Millosheviq. Si akt poshtënues i kësaj figure antinjerëzore ashtë dokumentimi sekret i gjendjes së tij psihike. Në vitin 1990, ish Presidenti i Jugosllavise, Borislav Joviq, kërkoi nji raport nga ministri i mbrendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Millosheviqit. Përgjegja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet…Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetsore të shokut Millosheviq si mjaft të randë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktueme…”.(Illyriapress.com, 11 nandor 2017)

(Vetëhelmimi i Millosheviqit në qelinë e burgut vulosë këte përfundim profesional. Babaj i tij, prift i Kishës Orthodokse serbe, bani vetëvrasje në vitin 1962. Nana e Millosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974)

  • Radovan Karaxhiq, i denuem nga Gjykata Ndërkombëtare me 40

vjet burgim vitin e kaluem, e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në  qelitë e izolueme të burgut të Hagës. Ai u msheh për shumë vite në qendër të Beogradit të Ri, si nji psikiatër i panjohun, me emnin Dr. Dragan Dabiq, por i mbrojtun nga sherbimet sekrete serbe.

Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të pa armatosun dhe të papërgatitun për luftë, Dr. Karaxhiq hyni në veprim si President i Republika Srpska dhe komandant i forcave të armatosuna serbe në Bosnje -Herzegovina.

Nji ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuem në nji celebrim të nji familje myslimane, kojshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen, artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevo që zgjati tre vjet e gjysëm; njeni nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqiut mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12.000 qytetarëve të pafaj të qytetit. Me 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë, gjeti Dr. Karaxhiqin përgjegjës për krime lufte, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe shqiptoi dënimin.

Dr. Karaxhiq ashtë shembull tipik i nji transformimi personal nga nji njeri i thjeshtë familjar, në nji monster të fuqishëm kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duert e tia. Mania e tij e transformoi në monster të pangopun me gjakun e viktimave, dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e jo-serbëve –në këte rast boshnjakëve myslimanë- për hir të zgjanimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktue Dr. Karaxhiqin si “arkitekti i gjenocidit të Bosnjes”, për vrasjen e ma shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.

3) Gjeneral Ratko Mlladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me 22 nandor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tri vjet e gjysëm me rradhë ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës me dëbue myslimanët e kroatët nga vatrat e tyne stërgjyshore, me qellim të krijimit të nji shteti homogjen serb në Bosnjen e pushtueme – “vetëm serbë”….

Shtypi ndërkombëtar thekson se viti ma i përgjakshëm i kësaj fushate ka qenë viti 1992, gjatë të cilit 45.000 jo-serbë, pleq gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyne ose në kampet e përqendrimit ndërtue me plan për këte qellim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevos nga serbët, të vramë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulminante ka qenë ekzekutimi i ma shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë- burra e djelm të ri deri 14 vjeçar- në qytetin Srebrenica, me urdhën direkt dhe mbiqyrje të Gjeneralit Mlladiq. Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindët dhe fëmijtë ndaheshin nga njeni tjetri. Gjenerali Mlladiq fërkonte kokën e fëmijve të terrorizuem, ndërsa urdhënonte ekzekutimin e prindëve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar që ka ngritë shqetësimin ma parë të botës së qytetnueme, dhe ma vonë revoltimin e tyne. Para Gjykatës, Gjenerali kriminel serb Mlladiq, pa lëvizje të qerpikut, ndigjoi sentencen: burg të përjetëshëm. Ma në fund ai shpërtheu:” Çdo gja që ju thoni ashtë nji gënjeshtër” bërtiti ai kundër Gjykatsit që urdhënoi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.

Gjatë shqiptimit të denimit , kryegjykatësi, Alphons Orie, tha:”Krimet e Gjeneralit Mlladiq rreshtohen në mes të krimeve ma të mëdha që njeh historia e njerëzimit!” Nji gjykim i këtill nga GJykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb, dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma heret me gjykue…!

“Gjykimi i Gjeneralit Mlladiq,” shkruen The New York Times me 22 nandor 2017, “ashtë nji piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Europë”; dhe vazhdon: ”Larg nga skenat e qetësueme të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufinjëve dhe përplasjet me karakter fetar po ngrejnë kokën përsëri, jo me krizmat e mortajave dhe krik-kraket e mitrolozeve, por në rihartimin e panoramës politike” (në Europë)

Në Serbi, thirrjet për nji kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990-ta po rriten çdo ditë. Zyrtarët e naltë e të diskredituem nga bashkëpunimi i tyne me rregjimin barbar të S.Millosheviqit – dhe jo pak kriminelë të denuem nga gjykatat- po rifitojnë postet e humbuna e prominente. Në Serbi sot, njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb- ndërtimi i nji Serbie të Madhe si ajo e Mesjetës së carëve serbë – nuk ka përfundue, dhe pakënaqsitë e mëdha të krijueme nga “lufta” nuk janë pakësue”. Në fakt, shkruen gazeta, “denimet e Millosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe Mlladiqit ka mundësi të kanë rritë ndjenjen serbe të pakënaqsisë, dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bame kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbise”SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhanun, që ne të gjithë e shohim si pjesë e nji fushate kundër Serbisë, Ratko Mlladiq mbetet për serbët nji legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqsi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnje-Herzegovinës, territori i spastruem etnikisht nga forcat e Gjeneralit Ratko Mlladiq.” (22.XI.2017)

Ajo që viktimët boshnjake shohin në trajtimin e tyne nga politika e Fuqive të Mëdha ashtë “se serbët kanë pasë sukses me avancue ambiciet e tyne territoriale me anë të agresionit dhe se asgja nuk ashtë ba me mundësue nji farë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq)

Përceptimi i shumë serbëve për “padrejtësi kundër kombit serb” u çfaq në Bosnje, dhe në luftimet e mavonëshme në Kosovë (1998-99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosuna para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clinton-in, përgjegjës për bombardimin 78 ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Akoma sot serbët shkruejnë :“Kosova ashtë Serbi”….

Natasha Kandiq, leader serbe e lëvizjes për të drejtat e njeriut, e tronditun nga krimet serbe në ish Jugosllavinë deklaroi:”Ne pushuem së qenuni pjesë e Europës së qytetnueme. Tashti, na kemi mundësi me kuptue pse përparimi i jonë u ndal, dhe pse jemi transformue në nji shoqëni pa solidaritet e pa mëshirë”.

Nobelistja gjermane, Herte Mueller, tue folë në Teatrin Popullor Jugosllav, Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranojnë të ballafaqohen me krimet. “Askush nuk flet per krimet”, dhe “Serbia gjithmonë i ka shkaktue të këqiat vetes” ,… “qytetarët  e saj duhet të jetojnë me këte të vertetë se ata vetë kanë shkaktue vuejtjet që përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999”.

Përfaqsuesi i OKB-së e quejti vendimin e Gjykatës ”nji fitore të jashtë-zakonshme për drejtësinë. Mlladiq ashtë personifikimi i së Keqes!”.

Nga 18 ditarët e mshehuna nga Gjenerali Mlladiq, lexohet:

“ 1992- Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnje). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) me zhdukë afër 5.000  kufoma boshnjake në Tomaçica, “…tue i djegë ose tue i coptue me maqina…ose me nji mënyrë tjetër…”.

Përgjegjja nga Mlladiq: “Ju i keni vra, ju i varrosni!”

*****

Në Editorialin e datës 25 nandor 2017, The New York Times, lexojmë:” Gjykata e Krimeve të Luftës, themelue në vitin 1993, ka denue ma shumë se 160 kriminelë. Tue dhanë denimin për Mlladiqin, ajo përfundoi, mbasi ndigjoi deshmitë e 5.000 personave që treguen hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë.

“ Por ky numër ashtë i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuen, fshateve që u spastruen etnikisht, poshtënimin dhe agoninë e atyne që shohin se koha nuk ec për ata, ndërsa lufta vazhdon. Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat të cilët kryen këto akte kriminale –ata që ngrehen çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmij, ata që hapen varrezat në Srebrenica, ata që morën pjesë në dhunime të femnave në Foca dhe qytetë tjera të Bosnjes – jane të lirë. Per mue, këta njerëz janë keqberësit e vertetë! Unë intervistova nana e bija që ishin dhunue së bashku, dhe akoma shohin dhunuesit e tyne të lirë në qytet, mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni)

Krimet e kryeme nga luftat vëlla vrasëse që shkatërruen ish Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli ma elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjsia e plotë mbretnojnë! Për të gjithë ne, që të shqetësuem kërkojmë këshilla, historia e shpërbamjes së ish Jugosllavisë në fund-shekullin 20, ashtë mësuesi ma i mirë!

Sot, na duhet shumë kujdes dhe fryma për inisiativë!

======================================================

* Aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Politike Tagged With: i fund-shekullit 20, Karaxhiq Mlladiq-Treshi kriminal serb, Millosheviq, Sami repishti

BABA IM…MY DADDY…

December 1, 2017 by dgreca

BABA  I   IM…/
1 penaProfesor Sami Repishti i ka derguar redaksise se Diellit nje poezi, e cila titullohet “BABAI IM”. Dergesa shoqerohet me kete shenim: “Eshte nje poezi e publikuar ne revisten kosovare “Zeri i Rinise”, nr. 10, me date 8 mars 1980….E lexova , u preka shume per sensitivitetin e djalit shkrimtar, dhe e perktheva anglisht.Nese e vlen, do te deshirojsha shume te botohet ne dy versionet. Falemnderit!/
Te fala
Sami
=========================================
BABA  I   IM…
Baba i im
asnji herë nuk shkroi poezi
s’deshi a s’pati kohë
por në fëtyrën e tij
mund të lexojsh elegji
të shkruara nga plumbat
në lëkurën pergament
Baba i im
s’deshi a s’pati kohë
po  edhe ato vite lufte
s’e lanë të shkruaj poezi
ushtruan të tjerët
të shkruajnë me plumba
në lëkurën e tij….
(Adem HASANI – Zëri i Rinisë (Kosovë) nr. 10. datë 8 mars 1980)
 ***
(English version)
MY  DADDY
My daddy
had no desire
nor time
to ever write poetry
Behold!
riddled with bullets
elegies could be read
on his parched-skin face
My daddy had no desire
nor time
the years of war slipped by
giving him no chance to try
while others with bullets
stubbornly apply
their writing skills
on his parched skin.
(Translated into English by Sami Repishti – 11 march 1982)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Adem Hasani, babai im, Sami repishti

Harresa e krimeve komuniste sjell përsëritjen e tyre

November 20, 2017 by dgreca

48 Repishti

* Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”./

*! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem./

NGA SAMI REPISHTI*/

Jam dakord me thanjen e të ndjerit Argjipeshkv, Imzot Rrok Mirdita, se “…edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndoshë përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të ketë nji proces purifikimi të guximshëm të vetëdijes historike; një ndërgjegjsim individual e kolektiv i shqiptarëve, i identitetit të tyre si popull dhe si njësi e organizuar në shtet të pavarur…” Menjifjalë, duhet të tejkalojmë pengesat që trashëguam nga e kaluemja jo e largët, me ndërtimin e nji Shqipërie pa komplekse, të lirë dhe dinjitoze. Pakë ditë ma parë, lexova në mediat gjermane lajmin se nji grup prokurorësh gjermanë po përgatisin listat e nazistëve, ish-roje të kampeve të çfarosjes, megjithëse kanë kalue 70 vjet; ma riu ashtë 87- vjeçar, ma plaku 96, “…sepse kishin dijeni për tmerrin e vrasjeve të organizueme në masë, dhe e dinin se të burgosunit, të cilët përballeshin me fatin e tyne, si të pafajshëm dhe pa mbrojtje, vriteshin për arsyet ma shnjerëzore që mund të imagjinohen;… si pjesëtarë të grupit të rojeve të burgut ata kanë kontribue në ekzekutime… tue ditë mirë se ç’ndodhte, dhe me vullnet kanë mbështetë këto akte barbare…”. Le të shtrojmë nji pyetje për të gjithë: Supozojmë se kriminelët fashistë, nazistë dhe komunistë kanë persekutue, arrestue, burgosë dhe ekzekutue pjestarë të familjes suej. “Fajtori” smuret; para se vdes dëshiron të ju takoj e kërkon falje nga ju për krimet e kryeme Mendoni mbi enormitetin e krimit të kryem dhe për rrjedhimet e aktit tuej. Në nji rast të këtill ekstrem, ashtë falja e fajit nji opsion për ne që mbijetuem? Cili do të ishte reagimi i viktimës së vdekun? Klasa të tana të popullsisë kanë qenë objekt sulmi e çfarosje fizike nga regjimet kriminale: në Shqipëri, kleri katolik shqiptar dhe intelektualët e formuem në universitetet perëndimor u çfarosën! Simon Wiesenthal, ndjeksi ma kambëngulës i kriminelëve nazistë, në korrik 1995, i shkruente Presidentit W.J.Clinton: “Ngjarjet në Bosnje, ashtu si na paraqiten nga shtypi këto ditë, me të gjithë krimet serbe kundër njerëzimit- pastrimin etnik, therjen si kafshë të popullsisë civile të të gjitha moshëve, dhunimin masiv të grave myslimane- në se nuk përbajnë Holokaust, janë përsëritje e shumë nga krimet e tij…. Unë besoj se dënimi i fajtorit do të baj efektin e vet. SHBA kanë mundësi….me ba publike të gjitha krimet që janë krye, që ata të mos kalojnë në harresë, dhe kriminelët të mos i shpëtojnë dënimit…”. Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparëshme, nji jetë “normale”, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella?

“Nuk due të dal nga burgu” më thonte nji koleg, “tre vllazën të vramë dhe dy të burgosun… U shue familja e ime!”. Si mund të pranojmë që akoma sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji regjimin e krimit, vazhdojnë “dënimin” e viktimave, mbrojnë aktin kriminel të tyne ose të prindëve të tyne, e që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e regjimit të “hurit e të litarit” dhe e justifikojnë me shprehje se “koha”, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për brezënitë e ardhme, totalisht? Nji fat i përbashkët na bani të gjithëve të barabartë….(por jo bashkëfajtorë!) Kjo gjendje nuk u pranue nga komunistët, as edhe kur ne vdisshim e varroseshim në burgje e kampe pune çfarosje. Para nji situate të këtillë, si mund të mendoj viktima se Zoti na ka krijue të gjithëve të barabartë? Si ashtë e mundun që të gjithë, viktima e kriminelë jemi krijue nga e njajta “baltë”? Krimineli nuk mund të jetë vëlla e motër e ime…; përndryshe, nuk ekziston krimi mbi tokë, as pafajsia e plotë! Sepse ashtë e pamundun për viktimën me besue në Krijuesin kur gjysma refuzon me pranue gjysmën tjetër- si njeri me të drejta të barabarta, dhe ecën kështu në vazhdën e krimit pa bremje ndërgjegjeje. Duket sikur Zoti ashtë në vakanca…! Gjatë viteve të burgimit tim dridhesha nga ideja e vdekjes, e varrosjes pa ceremoni, në nji gropë plot baltë, vetëm ose me viktima tjerë si unë. Pa lule! Pa lutje! Pa dritë që ndritë errësinën time të përjetëshme, dhe si thotë poeti: “Pa flutura shumëngjyrëshe që vallëzojnë rreth vorrit tim të frikshëm…”! Jetojmë në ditë të vështira, dhe kjo më frikëson! Jetojmë në nji botë ku në shumë vende pakicat shtypëse sundojnë me egërsi për arsye të shumicës së frikësueme dhe inaktive. Kjo shumicë pa inisiativë, me shpirtin e vramë dhe zemrën e coptueme, ka vetëm nji dëshirë: me vdekë në paqë. Ideja e Problemi i përgjegjsisë së gjithë “atyne” që përkrahën dhe mbajtën regjimin komunist në kambë nuk do të zgjidhet ndoshta asnjiherë në vendin tonë, sepse “atyne” u mungon aftësia me kuptue dekadencën morale ku kanë ra, me kuptue përpjestimet frikësuese të shtypjes që mbretnoi. Shumica prej “atyne” kufizohen tue përsëritë: “ashtu ka qenë koha”, “kështu bajnë të gjithë” fraza të preferueme të turmave të pa tru… ose “unë zbatoi ligjin”, “ç’të thotë ligji…”- edhe kur vriten të pafajshmit e zhduken pa gjurmë (sic!). Megjithate, nji gja ashtë e sigurt: asnjeni prej “atyne” që ndihmuen vullnetarishtose u detyruen me u bindë- nuk do të jetë në gjendje me “shkundë” përgjegjsinë për qëndrimin e tyne gjatë periudhës 45- vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk ashtë “fajtor”, ai/ajo duhet të ndiejë veten të turpnuem… Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qëndrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët dhe kështu ashtë edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë! “Harresa” e krimeve të kryeme ashtë nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë, pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes se tij.

Falja e aktit ashtë nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht, me falë fajin. Vetëm vuejtësit e krimit kanë të drejtën me i përgjegjë kësaj pyetjeje, vetëm viktimat e së kaluemes së errët. Kush tjetër ka autorizimin politik ose moral? Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës, kur ai/ajo nuk ka pësue mbi kurriz tmerret e torturës që nuk durohen e që nuk mund të “harrohen”. As vetë “mbreti” i vendit të martirizuem…! Falja e fajit për ata që seriozisht e ndiejnë efektin e “fajit kolektiv” ashtë e mundun, megjithëse vula e turpit mbetet e pashlyeshme. Ashtë heshtja e tyne që i dënon! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem. Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse nuk duhet të lejojmë humbjen e aftësive tona me veprue të lirë në nji botë të lirë që mbrojtëm me aq shumë sakrifica. Sot, “harresa” për ne ashtë abandonimi i autoritetit ligjor dhe moral të viktimës pa lejen e viktimës; puna e jonë duhet të zhvillohet në këte kontekst. Viktimat e terrorit të kuq gjetën guxim të mjaftueshëm me përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këte qëndrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkelqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje! Fatkeqsi! Por “harresa”- dhe ndoshta edhe “falja e fajit” nuk ashtë vetëm “personale”. Asnji nuk gëzon të drejtën me falë fajin në emën të nji viktime. Nuk duhet ta lejojmë. (Nji proverb francez thotë se na jemi shumë të fortë me durue fatkeqsitë e tjetrit). Ky ashtë nji imperativ kategorik i shoqënisë shqiptare, sidomos i viktimave. Sepse ajo diktaturë synonte seksione të mëdha të demokracisë në vendin tonë. Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk ashtë arma e jonë; drejtësia, po! Sot, ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen e hakmarrjen. Sot, kemi shpresë se do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh. Sepse edhe na, viktimat, kemi nevojë për paqën tonë të humbun. Si mund të arrijmë këtë pikë kaq të vështirë? Ndoshta….nëse jemi të bindun që “pajtimi” do të kthejë elementin njerëzor te ne, të gjithë ne, dhe vlerat tona etike. Unë nuk kam arrijtë akoma plotësisht këte bindje. Prandej jetoj i shqetësuem, nuk harroj, dhe do të vazhdoi “me kujtue” deri në fund krimin komunist. Unë, ishi burgosuni, që përbuza urrejtjen e hakmarrjen…!

*Fjalë e mbajtur në ceremoninë e hapjes së “Ditëve të Kujtesës” 16-23 nëntor 2017, organizuar nga IDMC dhe KAS në Tiranë, aktivitet ky që synon përballjen e shoqërisë shqiptare me të shkuarën komuniste.

Filed Under: Analiza Tagged With: e krimeve komuniste, harresa, Sami repishti, sjell përsëritjen e tyre

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT