Steward M.Patrick, i Council on Foreign Affairs, u shpreh: ”Unë mendoj se ky vendim ashtë nji plagë e randë per ne, e vetë-shkaktueme, dhe plotësisht e panevojshme, nji diplomaci jo-profesionale nga ana e SHBA-së…/
Opinion nga Sami Repishti */
Ridgefield, CT.- Me 6 dhetor 2017, Presidenti amerikan D.J.Trump, me nji akt unilateral, arrogant dhe plotësisht i ndërgjegjshëm për mosaprovimin e aleatëve tradicionalë të Amerikës, deklaroi se SHBA do të njohë qytetin e shenjtë të Jeruzalemit për tre besimet monoteiste si kryeqytet të Shtetit të Izraelit.
Ky akt ashtë nji tërheqje nga konsensi ndërkombëtar 50 vjeçar mbi statusin e Jeruzalemit. Akti turbulloi politikën botënore, dhe kontribuoi në izolimin e SHBA-së. Për ma tepër, Z. Trump përmbysi dekada të politikës së Amerikës me vendimin mbi Jeruzalemin, dhe randoi shumë aspektin emocional të problemit, që ka trazue marrëdhanjet izraelite-palestineze që nga lufta e vitit 1967, kur Izraeli okupoi të gjithë qytetin, shkruente gazeta The NY Times e datës 22 dhetor 2017.
Me nji akt kolektiv sfidimi të hapët ndaj Washingtonit, Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së, me 128 vota në favor (tue përfshi edhe Shqipërinë), 9 kundra , 35 abstenime dhe 21 “në mungesë”, kërkoi që SHBA të tërheq vendimin e datës 6 dhetor 2017, me deklaratën mbi statusin e Jeruzalemit, nji qytet i kontestuem nga dy palët.
Shumë vende të OKB-së gjykuen vendimin amerikan si nji “largim” nga praktika e zakonshme, që konsideron shumë rezoluta të OKB-së që nga viti 1967 në lidhje me këte problem, të kenë fuqinë e ligjit ndërkombëtar. Këto shtete kanë paralajmërue se statusi i Jeruzalemit ashtë “i pazgjidhun”, se deklaratat e sovranitetit nga Izraeli nuk janë të vlefshme (“null and void”) dhe se problemi duhet të zgjidhet me negociata në mes të Izraelit e Palestinezve.
KM B.Netanyahu i Izraelit, në nji mesazh në Facebook thotë: ”Izraeli hjedh poshtë këte Rezolutë të papranueshme. Jeruzalemi ashtë kryeqyteti i jonë. Gjithëmonë ka qenë, dhe gjithëmonë do të jetë”. Shumë shtete miq tradicionalë të Amerikës e paraqiten voten e tyne si ruejtje e pozitës së përcaktueme nga Rezoluta e UNSC e vitit 1967 – për ndryshim. “Sot, ashtë ma e randësishme se kurdoherë ma parë me u mbledhë si bashkësi ndërkombëtare për rreth parametrave të arrituna në procesin për paqën” deklaroi ambasadori francez François DeLattre, tue shtue:”Kursi që ndjekim ne, përfshinë edhe Shtetet e Bashkueme, ashtu si jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për rolin e veçantë dhe influencen (amerikane) në këte problem”.
Nji diplomat veteran amerikan, Steward M.Patrick, i Council on Foreign Affairs, u shpreh: ”Unë mendoj se ky vendim ashtë nji plagë e randë per ne, e vetë-shkaktueme, dhe plotësisht e panevojshme, nji diplomaci jo-profesionale nga ana e SHBA-së… Në këte rast ajo që ngjau ashtë nji qendrim që ndryshoi rranjësisht rregullat e lojës së pranueme nga bashkësia ndërkombëtare. Akoma ma shumë, unë mendoj se simbolizon nocionin e vetë-dështimit që për SHBA-në ashtë:”ose si them unë, ose dil përjashta!” (The NYTimes, 22.XII.2017) (Për këte arsye, dhe vetëm për këte arsye, vota pozitive e Shqipërisë për Rezolutën në OKB-në ashtë korrekte).
Efektet e vendimit amerikan për Jeruzalemin lëkundin edhe bazat e diskutimit të pandërpremë të rrymave politike në Izrael: dy shtete të ndame e të pavaruna, ose nji shtet i përbashkët izraelito-palestinez me të drejta të barabarta për të dy palët. Problemi komplikohet kur Izraeli ngulë kambë për “nji shtet hebraik e demokratik”. Kështu krijohet nji situatë ku në nji shtet të vetëm paraqitet “rreziku demografik”. Mbas dy-tri dekadash palestinezët me shumë fëmijë do të ishin shumica, dhe do fitojshin të drejtën me administrue shtetin izraelit. Kjo don të thotë “vdekja e andrrës zioniste” për “nji shtet izraelit”, dhe do të bahej “nji shtet demokratik” si të gjithë shtetet tjera të botës. Kjo, beson shumica, ashtë e papranueshme për izraelitët.
Në nji Editorial të fletores prestigjioze, The NYTimes, 9 janar 2018, analistja Michelle Goldberg thekson se vendimi amerikan nuk merr parasyshë vuejtjet e popullit palestinez, për të cilët politika amerikane nuk shqetësohet shumë. Ky qendrim rrezikon me shkatërrue definitivisht shpresën e fundit që mbetet për zgjidhjen e “dy shteteve”. Ajo shkruen: ”Kur fillimisht, Administrata (amerikane) njoftoi planet me transferue Ambasadën Amerikane (në Jeruzalem) ajo spjegoi se nuk prejudikonte statusin e Jeruzalemit në nji marrëveshje paqësore finale. Por Palestinezët dhe Izraelitët njilloj kuptuen se Z. Trump po i jepte Qeverisë së Izraelit “carta bianca” me vazhdue okupacionin e territorit palestinez”(me vendbanime të reja izraelite).
Menjiherë mbas lajmërimit të Z. Trump, Komiteti Qendror i Likud Party kaloi nji Rezolutë që kërkon aneksimin nga Izraeli i të gjitha vendbanimeve izraelite në Bregun Perendimor. Parlamenti izraelit kaloi edhe nji Amendment me të cilin kërkohet nji “super-shumicë” nga Parlamenti kur bahet fjalë me dorëzue sovranitetin izraelit të cilësdo pjesë të Jeruzalemit, tue ba kështu përfundimin e nji paqe me Palestinezët krejtësisht të pamundun.
Nga ana palestineze ky gjest i Z. Trump u konsiderue si “vrasja e mundësisë për nji marrëveshje në mes të dy palëve”, deklaroi udhëheqsi palestinez Mustafa Barghuti, ”dhe i bamë me qellim”. Ish këshilltari i Presidentit Trump, Steve Bannon, e cilësoi “vendimin” si “kumbonë e vdekjes për aspiratat palestineze”. Ai vazhdoi: ”Na e dijshim ku na shpie kjo rrugë. Le të marrë Jordania ‘Bregun Perendimor’ dhe Egjipti ‘Rripin e Gazës’”. Edhe kjo, shikohet nga ekspertët si “e pamundun”. Zgjidhja
“nji shtet të perbashkët” ku palestinezët të kenë të drejta të barabarta ashtë e papranueshme për Izraelin; me të drejta të kufizueme ashtë e papranueshme për palestinezët. Krijohen kështu konditat per nji shtet izraelit me rregjim “apartheidi”.
Do ta pranonte diaspora izraelite dhe partitë demokratike liberale të Izraelit nji “gjendje apartheidi”? Sepse “apartheidi” për Izraelin do të ishte vdekje morale, shumja e idealit izraelit për krijimin e nji shteti pishtar i lirisë dhe demokracisë në botë, shembull për të gjithë kombet e botës.
Nga ana palestineze reagimi ka qenë i shpejtë dhe i premë. “Marrëveshja e Oslo-s”(“The Oslo Accords and the Israeli-Palestine Peace Process, 1993) që njohu ekzistencën e dy grupeve shoqënore me të drejtë formimi të shtetit të tyne, “u vra nga Izraeli” deklaroi udhëheqsi palestinez, Mahmud Abbas, që sulmoi Presidentin Trump për deklaratën e tij. Por ai nuk bani thirrje për përdorimin e dhunës e akte terroriste, tue lanë të kuptohet se ekziston nji shpresë palestineze për rifillim të bisedimeve. Ai shtoi: ”Me vrasjen e Oslo-s sot na jemi nji autoritet pa asnji autoritet, dhe nji okupacion pa tokë, dhe nuk do të pranojmë këte situatë.” Dhe kur Presidenti Trump kercënoi se do të këpuste ndihmën për palestinezët në se ata vazhdojnë bisedimet, Z. Abbas u pergjegj:”Në dreq ti dhe paratë! Ky ashtë nji moment fatal në historinë tonë. Në se humbasim Jeruzalemin, çka na mbetet neve?”
- Abbas i bani thirrje Këshillit Kombëtar Palestinez të bashkojë të gjithë grupet e ndame palestineze, dhe të studjohen marrëveshjet e arrituna ma parë me Izraelin, “… me ndjekë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e aprovueme që mbrojnë të drejtat tona legjitime”.
Me 16 janar 2018, Z. Trump vendosi pakësimin e ndihmave për refugjatët palestinez për shumën prej 65 miljonë dollarë. Reagimi palestinez u konsiderue si hapi i parë në “përpjekjen me nënshtrue” autoritetet palestineze ndaj presionit amerikan. Perfaqsuesja palestineze, Zonja Hana Ashraf u shpreh: ”Përsëri, Qeveria e SHBA-së tregon bashkëfajsinë e saj me okupatorin izraelit në përpjekje me heqë nga tryeza edhe nji tjetër faktor permanent të shtetit tonë”.
Për me randue edhe ma shumë këte situatë deshpruese për palestinezët, shtypi ndërkombëtar njofton se “kaseta manjetofonike që përmbajnë bisedime zyrtarësh egjiptianë, tregojnë se shtetet arabe kanë parapranue në heshtje vendimin e Presidentit Trump për Jerusalemin. “Njilloj si vëllaznit tonë arabë, Egjipti do të dënojë publikisht vendimin mbi Jeruzalemin”. Privatisht personaliteti egjiptian i sherbimeve sekrete, Kapiten Kholi, bani nji seri telefonatash në qendrat me influencë egjiptiane dhe mjetet e informimit, ku ai kërkoi që në vend të kritikave kundër “vendimit”, ata duhet të bindin publikun me e pranue atë…. Palestinezët duhet të kënaqen me mbajtë qytetin e humbun të Bregut Perendimor ku ashtë qendra e Autoritetit Palestinez, Ramallah. Pse ashtë Jerusalemi ndryshe nga Ramallah?” pyeti ai. Kapiteni Kholi përsëriti: ”Ne, ashtu si të gjithë vëllaznit arabë do të denoncojmë këte zhvillim. Por, mbas kësaj, punët do të normalizohen si nji realitet. Palestinezët nuk mund të rezistojnë, dhe na nuk duem me shkue në luftë. Edhe na kemi mjaft probleme në pjatën tonë, ju e dini mirë!” (7 janar 2018)
Tri ditë ma vonë sherbimi i mshehtë i Shtetit egjiptian mohoi se ka nji emën Ashral Kholi që punon për sherbimet sekrete të Egjiptit, dhe mohoi vertetësinë e raportit të botuem në The NY Times. Njikohësisht, Presidenti egjiptian pushoi nga puna shefin e agjensisë egjiptiane të sherbimeve sekrete, nji akt tipik i diktatorëve që nuk pranojnë përgjegjsi për aktet e tyne që i turpënojnë. Dielli nuk mbulohet me shoshë…!
Kjo dyfëtyrësi (në fakt kjo “paturpësi!”) e diplomacisë së “vëllezërve arabë” ka fye ndërgjegjen e botës së qytetnueme, ka trathëtue idealet e popullit të shtypun palestinez, dhe ka konfirmue kalbëzimin e sistemeve qeveritare arabe. (Para nji situate të këtillë, unë sugjeroj të tërhiqet antarësia e Shqipërisë nga Organizata Islamike e Vendeve Arabe si nji akt solidariteti me “viktimën”)
*****
Në vitin 1982, unë shkuejshe në gazetën Dielli (të Bostonit):
”Breznia e ime,” të rinjtë që “u dogjën” nga zjarri i Luftës së dytë Botënore, ashtë breznia që urren luftën ma shumë se çdo brezni tjetër. Dhuna,, padrejtësia, shtypja e gjithëherëshme dhe vdekja e gjithëkahshme rreth e rrotull nesh u banë, në ato vite të turbullta, shkolla e jetës sonë djaloshare. Prindët që vuejshin, shokë që ekzekutoheshin, fqinj që zhdukeshin pa lanë gjurmë, mësues qe burgoseshin, torturoheshin, e të tjerë akoma ma guximtarë që vriteshin në fushën e nderit, në luftën pa kompromis për liri kombëtare e dinjitet njerezor.
Kështu vdiq im atë mbas nji keqpërdorimi brutal që pësoi nga policia fashiste italiane. Kështu vdiq kushërini i im 17 vjeçar, që humbi pa lanë asnji gjurmë në rrugën drejt kampit nazist Mauthausen. Kështu humbën shumë shokë të lagjes dhe të shkollës që luejtën së bashku me mue, e që së bashku me mue u arsimuen në liceun e qytetit tonë të lindjes, në Shkodren legjendare…Shqipëria u vesh në zi!
Ma vonë, vdekja e tyne filloi me marrë përpjestime të reja, të përgjithëshme dhe monstruoze, me zbulimin e krimeve të fashizmit në Europë e Azi. Atëherë u pa i qartë rreziku i madh që kishte mbështjellë botën tonë të vogël në Shqipëri, dhe atë të madhe jashtë vendit tonë. Kur në rrugët e qytetit tim dollën për të parën herë e për të gjithë me pa nanat e gratë e motrat e viktimave të panumërta të veshuna me të zeza, filloi me u shpalosë madhësia e tragjedisë gjashtëvjeçare të Luftës së Dytë Botënore…..
Tregimet e kampeve naziste nga ata që mbijetuen, u banë subjekte të jetës së përditëshme për të gjithë, sidomos për ne të rinjtë. Çfarosja në masë me uri, punë të randa e pushkatime në masë, e sidomos zbulimet e sistemit të krematoriumeve na lanë pa gojë e për shumë kohë, si në mosbesim të ultësisë njerëzore në përpjekje me shnjerëzue njeriun. Në këte kuadër friksues, persekutimi masiv, i qellimshëm dhe sistematik i izraelitëve, i romëve, i kombeve sllave delte në shesh si dukunia ma çoroditëse e të gjithë kësaj veprimtarie që me gjithë largësinë e saj, dukej sikur njolloste çdonjenin nga ne, edhe të pafajshmin, pothuejse edhe viktimën e persekutueme që nuk përfundoi në furrat djegëse, ose para skuadrës së ekzekutimit. Poshtë, shumë poshtë ra njeriu në ato vite në përleshje me Satanin…. para nji bote që ruejti heshtjen!
Shkatërrimi i botës së vjetër u shoqënue me dhimbjet e forta të lindjes së botës së re që pritej ma padurim, Ndoshta, dështimi ma i randë i mbasluftës ra mbi kurrizin e nji populli që jetoi pa emën, e emni i të cilit ma vonë u ngjall bashkë me atë të tokës që banoi me shekuj, e që ngjarjet e mbasluftës e vunë përsëri në qendër të interesimit botënor: populli palestinez!
Në Shqipërine tonë të shkatërrueme nga lufta, vendin e së nesërmeve plotë kangë e zuni vaji e dnesa e legjoneve të pambarim të burgosunëve të rij që rifilluen kalvarin e këputun përkohësisht me fitoren e majit 1945. Terrori i “luftës së klasave” tregoi fëtyrën e tij të vertetë. Lufta të reja, në emën të së resë premtuese, u banë varri i ushtrive të çmenduna e të urituna që nuk kishin çka me fitue nga përleshjet që kurrë nuk kuptuen: feja kundër fesë, ngjyra kundër ngjyrës, lindja kundër perendimit. Te na, shqiptari i kuq vrau shqiptarin pa ngjyra: katërdhetë e pesë vjet pa ndërpremje, pa mend, pa zemër, pa mëshirë. Na, mbijetuem!
Miljonët e izraelitëve që shpëtuen nga çfarosja u betuen me gjetë nji vend për vehte e për fëmijtë e tyne. Vendosmënia e guximi i tyne u kuptuen mirë, për të parën herë mbas dy mijë vjetësh jete endacake (“the wandering Jew!) të shoqënuem me vuejtje, përbuzëje e persekutim. Pesha e fajit të pranuem ndryshoi shumë zemra njerëzore. Vala e simpatisë u rrit çdo dite e ma shumë, e mundësoi për viktimët e mbasardhësit e tyne me pasë nji vend që quhej “atdhe”, nji shtet që i mbron e i përfaqson, nji shoqëni që nuk i përbuzë, por i vëllaznon në përpjekjet e tyne të përbashkëta me rindertue folenë e humbun njizet shekuj ma parë. Sot, mendimi e puna e tyne janë kunorëzue me nji sukses të jashtëzakonshëm!
Por ekzodi izraelit kah “toka e premtueme” nuk mbushi nji boshllek në hapësinë! Atdheu i ri, shteti i ri, shoqënia e re izraelite çvendosi banorët autoktonë që të frikësuem, të kercënuem dhe të mashtruem me premtime boshe lanë votrat e tyne mijëvjeçare. Vargjet e gjata të mjeruemësh, çveshë e zbathun, morën rrugët e mërgimit zemër-plasës. Kështu u krijue armata tremiljonëshe e refugjatëve palestinez, e kampet e tyne, me tenda e pa shtëpi, me frikë e pa shpresë, me vuejtje e pa të ardhme që premton. Kujtimi i trollit të lëshuem e ndjenja e dëbimit që i la pa plang, pa shtëpi, ushqeu për ma shumë se shtatëdhjetë vite të pambarim shpresën e kthimit bashkë me deshprimin që ngjallë sjellja neveritëse e nji bote të shurdhët.
Sa herë që shoh në perden e televizionit, ose lexoj në faqet e gazetave, kuptoj shkaterrimin masiv e vdekjen e gjithëmbarëshme që mbjellin luftat në mes të shtetit të Izraelit dhe “refugjateve palestinez”, dhe më duket sikur nji pjesë e mirë e njerëzimit në vehten time avullohet, që të mos kthehet përsëri. Çdo ditë ndiej vehten ma pak njeri, ma pak të lirë, e ma pak të aftë me folë e me veprue. Kjo ndjenjë pamundësie që më rrethon, e më mundon, bahet edhe ma e dendun kur jam koshient i faktit se ndihma, përkrahja, e tashti edhe cinizmi i vendit ku jetoj- i Amerikës që predikon!- ka kontribue në nji mënyrë të dukëshme, e të pafalëshme, që të bahet e mundun tragjedia e sotme palestineze.
Në mbrendinë time o vëlla, o motër palestineze, viktima që vueni sot pa faj, e ndjenj vehten fajtor…e kërkoj të falun!
Më kujtohet viti 1980 kur ushtria izraelite arriti para portave të qytetit Bejrut, Liban. Nji officer i naltë izraelit, në frontin e luftës, u gjet , ne distancë 100 metrash, para nji “ushtari !” palestinez 14 vjeçar, i armatosun e i gatshëm me hapë zjarr. Oficeri u trondit, uli armën e tha:
“ Jo! Ky …. nuk ashtw anmiku im…nuk ashtë anmiku i im!”
Poeti arab Halil Havi vrau vehten nga dëshprimi që ndjeu kur dëshmoi “heshtjen e madhe” të botës para tragjedisë monstruoze në kurriz të popullsisë së pafajshme palestineze. Havi! O poet guximtar! Ti nuk duhesh vajtue, por le të thuren për ty lavditë e kangët e breznive të ardhme. Ti u tregove burrë! Por vajtimi të mbetet për ne, për te gjithë ne, që në qetësinë e jetës sonë te përditëshme, shikojmë shpalosjen e tragjedisë palestineze në perden televizive.…sikur të ishin lojnat olimpike!
Në konfliktin e fundit para tri vjetësh, nga rreth 1.500 viktima palestineze, 495 kanë qenë fëmij nën moshën 14 vjeçare. E përsëri, harrojmë skenën zemër-coptuese të të çjerrunës nanë palestineze, që në gjuj, e me krahë të hapun, përsëritë para ushtarëve të heshtun izraelitë:
“Pse më vratë të dy fëmijtë e vegjël, o ju dalshin të dy sytë e ballit?”
Jo! Kjo…nuk ashtë bota e ime,…. nuk ashtë bota e ime!
———————————————————————————————————-
* Dr.Repishti, autor i studimit “Jews in Albania-A Story of Survival” (New York: 2000) ashtë aktivist për të drejtat e njeriut.