Trajneri i Kombëtares Shqiptare Gianni de Biasi ka thënë sot gjatë një konference për shtyp se nuk ka aspak frikë nga skuadra serbe. Sipas tij, lojtarët e Kombëtares do japin maksimumin, duke shfrytëzuar mirë dobësitë e kundërshtarit. Ai ka thënë se ekipi hyn në fushë për fitore, ndërsa theksoi se duhet bërë kujdes në dy minutat e fundit.
“Unë nuk kënaqem kurrë nga rezultati minimal. Duhet të fillojmë lojën dhe pas lojës do vlerësojmë rezultatin. Me Portugalinë meritonim shumë më tepër. Uroj që të bëjmë një lojë inteligjente dhe të japim maksimumin. Do shfrytëzojmë kohën e mbetur. Lidhur me lojtarët është përzierje e gjithçkaje, ai që është kompatibël me lojtarët e tjerë. Do të bëjmë 2 stërvitje. E kuptoni sa pak kohë kemi në dispozicion për stërvitje? Nuk kam frikë aspak nga Serbia, titullin mund ta bëni të madh në gazetat tuaja, por unë nuk kam frikë nga askush. Serbia është një nga skuadrat në nivel teknik më të mirë në Evropë por do përpiqemi të shfrytëzojmë dobësitë e tyre. Të shtrëngojmë dhëmbët dhe mos harrojmë 2 minutat e fundit të ndeshjes. Jemi të detyruar të fitojmë 2 ndeshje të tjera që të përballojmë humbjen me Portugalinë”, tha trajneri De Biasi.Sot pasdite tekniku i Kombëtares Shqiptare do të vlerësohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës./Lapsi.al/