• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Patriarku i kishës ruse “non grata” si mbështetës i agresionit

November 18, 2022 by s p

Shaban Murati/

Në 16 nëntor gazeta e njohur ruse “Kommersant” botonte deklaratën e patriarkut Kirill të kishës ortodokse ruse, i cili ankohej pse BE ka marrë vendimin e shpalljes së tij “non grata” dhe të mos e lejojë të hyjë në territorin e BE. “Non grata” e kanë shpallur kreun e kishës ortodokse ruse edhe Britania e Madhe dhe Kanadaja. Bota demokratike perendimore e ka shpallur “non grata” patriarkun e kishës ortodokse ruse për shkak të mbështetjes dhe pjesëmarrjes skandaloze të kishës ortodokse ruse në agresionin fashist rus në Ukrainë.

Shërbesa e kishës ortodokse ruse dhe personalisht e e patriarkut Kirill për politikën agresive imperaliste të Kremlinit ka arritur shkallën më të lartë të fondamentalizmit dhe të fanatizmi fetar. Me një ekstazë fanatizmi fetar të denjë për mesjetën e hershme patriarku Kirill deklaroi në 25 shtator 2022 se “ushtarëve rusë, që vriten në Ukrainë duke kryer detyrat luftarake, iu falen të gjitha mëkatet”. Nuk mendohet se për të identifikuar çmedurinë kërkohet provë tjetër. Kirilli në emër të kishës ortodokse ruse ka bekuar qysh në fillim agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe ka deklaruar se ushtarët rusë po bëjnë atje “një vepër heroike”.

Kremlini nxitoi ta kompensonte patriarkun Kirill me lavdërime të reja për rolin e tij në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Në datën 16 nëntor Kremlini organizoi mbledhjen e Komisionit të përhershëm të Këshillit të Presidentit të Rusisë për bashkëveprim me Kishën Ortodokse Ruse për çeshtjet e kozakërisë, ku merrte pjesë edhe patriarku Kirill. Përfaqësuesi i presidentit Putin dhe sekretar i përgjithshëm i këtij komisioni, Aleksej Kiriçenko, u thuri lavde priftërijve të kishës ortodokse ruse “që ndodhen në pararojën e luftës me të keqen në Ukrainë” dhe në emër të Kremlinit e falenderoi kishën, që ka dërguar “shumë prifitërij në vijën e parë të frontit të operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainë, duke u dhënë luftëtarëve mbështetje shpirtërore, duke iu forcuar shpirtin dhe besimin ortodoks”.

Përballë këtij njësimi të kishës ortodokse ruse me agresionin rus në Ukrainë provohet i drejtë dhe bindës vendimi i BE për të shpallur “non grata” patriarkun luftënxitës Kirill. Është një vendim me të cilin duhet të bashkohen edhe shtete kandidate të BE, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilat kanë detyrimin që të harmonizojnë me BE qendrimet e politikës së jashtëme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Shaban Murati

Serbia ndihmon Rusinë për thyerjen e sanksioneve, BE hesht

November 12, 2022 by s p

Shaban Murati/

Ndërsa BE vazhdon dhe i lutet Beogradit të bashkohet me sanksionet europiane kundër Rusisë, Serbia tallet dhe jo vetëm nuk i vendos sanksione, por po e ndihmon hapur Rusinë të thyejë sanksionet e BE.

Agjencia qeveritare ruse “Balkanist.ru” njoftonte në 11 nëntor 2022 se nga data 24 shkurt 2022, (e nisjes së agresionit rus në Ukrainë), e deri më sot Rusia ka hapur në Serbi 789 kompani dhe 2134 firma të reja ruse. Ky vërshim stërmadh i kompanive dhe firmave ruse në Serbi këto muaj organizohet që Rusia të neutralizojë sanksionet e BE dhe nga territori serb të zhvillojë tregëtinë ruse qetësisht me vendet europiane.

Diplomacia e BE bën sikur nuk e shikon këtë qendrim skandaloz të Serbisë në ndihmë të Rusisë dhe kundër BE. Brukseli po rrin e merret me qiqrat në Kosovë dhe se sa muaj dhe sa vite duhet të shtyjë Kosova reciprocitetin e targave për hatër të Serbisë.

Deri tani është menduar se një shtet me peshë në BE është me Serbinë. Tani e tutje mendoni që një shtet me peshë në BE është me Rusinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shaban Murati

NJË SHANS HISTORIK PËR KOMBIN SHQIPTAR

September 28, 2022 by s p

Shaban Murati/

-A nuk duhet të rishikojmë disa prioritete strategjike të politikës sonë të jashtme?

<<Ditën e madhe historike>>, u quajt 15 marsi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është i drejtë ky përcaktim, siç është e kuptueshme dhe jehona e gjerë, që pati në qarqet politike e diplomatike serioze. Mund të quhet historike edhe për vetë historinë e kombit tonë. Për rëndësinë dhe kohën, që u ndërmuar ajo, mund e duhet të jetë vërtetë e tillë për tërë historinë dhe fatet tona në prag të mijëvjeçarit të ri. Evropa dhe tërë bota, diku më shumë e diku më pak, po jetojnë një periudhë transformimesh me të vërtet tronditëse këto dy vitet e fundit. Evropa dhe bota po jetojnë e po kalojnë një periudhë tranzicioni, siç është e tillë çdo fazë kalimi nga një gjendje në tjetrën e që për fat është sot kalim në një fazë më të lartë e në një shoqëri njerëzore më njerëzore. Në një periudhë tranzicioni ndodhet edhe Shqipëria me proceset dhe përpjekjet për demokratizim, pra me përpjekjet për të qenë në një nivel me civilizimin evropian e për të shkuar me të në dekadat që po vijnë.

Periudha e tranzicionit, që të mos jetë më e gjatë se e vendeve të tjera, kërkon një rivlerësim të vlerave themelore, një përshtatje sa më adekuate me kohrat, që jetojmë dhe sidomos me kohën, që troket. Asgjë nuk mund të jetë më siç ka qenë më parë. Gjithçka e njohur ka ikur. As koncepti për sovranitetin e pavarësinë, e le pastaj për marrëdhëniet midis kombeve e shteteve, nuk mund të jenë ato të një shekulli apo gjysëm shekulli më parë. Një rivlerësim i tillë kërkon të rishikojmë disa nga prioritetet tona strategjike në fushën e politikës së jashtme. Rishikimet i kërkon gjendja aktuale, kushtet kombëtare e ndërkombëtare, dhe sidomos e kërkojnë disa nga ato momente kyçe, të cilat quhen shanse historike për politikën e jashtme të një shteti, për marrëdhëniet ndërkombëtare të një kombi. E tillë është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është një nga ato shanset , që në politikën e jashtme të vendeve të vogla nuk janë aq të shpeshta sa mund t’i humbësh. Ndaj treni duhet kapur me kohë.

Është e njohur që në përcaktimin e prioriteteve strategjike të politikës së jashtme të një shteti ndikojnë madhësitë e fuqisë dhe të pozicionit gjeografik, përveç shumë të tjerave. Me transformimet e ndodhura në Evropë dhe në tërësi në marrëdhëniet ndërkombëtare dy vitet e fundit, janë thyer shumë skena klasike e metafizike, e bashkë me to edhe ato të përcaktimit të prioriteteve. I vetmi, që mbetet bazë është interesi kombëtar, i cili padyshim dëmtohet apo ndihmohet nga përcaktimi i drejtë ose jo i prioriteteve të politikës së jashtme. Në jetën dhe historinë e popujve dhe vendeve të vegjël rëndësia dhe pasojat e një zgjedhjeje të tillë janë më të mëdha se sa roli, që këto vende kanë në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Prognozofikimi i drejtë shkencor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk mund të bëhet pa përcaktuar, po në të njejtën mënyrë, dhe prioritetet tona strategjike në këtë fushë. Diskutimi dhe vendosja e prioriteteve strategjike të politikës sonë të jashtme më tepër se kurrë duhet të jetë objekt i diskutimit publik, mbipartiak e mbiideologjik, përderisa ka të bëjë me fatet e kombit e të popullit shqiptar. Duke rishikuar këto prioritete e duke kapur shansin historik, që ofron rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të mos shkosh, pas një analize të kujdesshme e gjakftohtë të të tërë faktorëve dhe alternativave, tek ngritja e këtyre marrëdhënieve në një prioritet strategjik të politikës së jashtme të shtetit tonë. Këtu të çon përvoja e hidhur historike, këtu të çon përllogaritja e gjithë hapësirës së problemeve të mëdha të sotme dhe e të panjohurave të ardhme në të cilat noton vendi ynë.

Proceset pozitive të thella, që ndodhën dy vitet e fundit e që janë ende në zhvillim në Evropë, shpesh janë parë në korelacion me perestrojkën. Duke vëzhguar tej sipërfaqes, këto procese demokratizuese dhe vetë perestrojka nuk mund të mendoheshin e as të mendohen pa rolin protagonist pozitiv të Shteteve të Bashkuara. Pesha, roli e ndikimi i Amerikës në transformimet evropiane, çuan gjithashtu në një zgjerim të përgjegjësisë së saj në çështjet botërore. Evropa dhe bota janë tani në ndërtim e sipër të një sistemi të ri të sigurimit ndërkombëtar, pas ezaurimit të atij, që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë as na pyetën e as kishim mundësinë të ndikonim se ku do të dislokohej vendi ynë në këtë sistem. Sot është krejt tjetër dhe zgjedhjet e gabuara nuk do ishin më vetëm gabime. Rezultati kryesor i ndërtimit të sistemit të ri të sigurimit evropian e ndërkombëtar është prishja e skemës bipolare të drejtimit të strukturës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Njeri pol, perandoria sovjetike, u dezintegrua dhe, megjithë peshën ushtarake, që vazhdon të ruajë, nuk ka më ndikimin, që pretendonte dhjetë, ose pesë vjet më parë. Polet e tjera të fuqisë botërore janë në krijim e sipër, por kjo nuk është një gjë, që bëhet brenda ditës. Në këto kushte poli tjetër, dhe sot për sot i vetëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dolën më të fortë dhe më me sukses në betejën për kapërximin e ekuilibrave të vjetra dhe kërkimin e atyre të reja. Perandoritë që shkatërrohen janë si shtëpitë e vjetra, që të lëshojnë çatinë mbi krye, nëse nuk largohesh.

Ne duam të hyjmë në Evropë, por pjesa më e rëndësishme dhe jashtëzakonisht vendimtare në kuptimin politik, ekonomik e ushtarak e kësaj Evrope janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë bashkë me Kanadanë, anëtare të Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, pikërisht për shkak të lidhjeve dhe peshës, që kanë në punët evropiane. E parë në këtë prizëm, është e kuptueshme që marrëdhëniet tona me Amerikën mund të kenë dhe do të kenë një ndikim shumë të madh edhe në marrëdhëniet e vendit tonë me vendet e tjera evropiane, në Perëndim dhe në Lindje të saj.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një histori lidhjesh edhe çështja jonë kombëtare. Është vendi këtu të kujtojmë përkrahjen, që Amerika i ka dhënë shtetit të ri shqiptar pas Pavarësisë më 1912 dhe angazhimin personal të presidentit amerikan Uillson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 në mbrojtje të tërësisë tokësore të shtetit tonë kundër lakmive shoviniste fqinje. Ne shkojmë në shekullin e ri me çështjen shqiptare të pazgjidhur. Çështje të ngjashme ka njohur historia e re e marrëdhënieve ndërkombëtare me problemin gjerman. Kemi thënë që historia e bëri të vetën dhe Gjermania u bashkua. Kemi thënë edhe faktin se ishte Gorbaçovi, që dha pëlqimin. Veç nuk duhet harruar se pa vullnetin e Amerikës nuk do të ishte bërë as njëra e as tjetra. Zgjidhja e problemit gjerman në rrugë paqësore është një shembull historik dhe përvojë që zanafillën e ka në Amerikë. Është një përvojë që, në mënyrë paqësore, mund të çojë, në kohë të përshtatshme, në shlyerjen e padrejtësive historike, që i janë bërë popullit shqiptar. Përkrahja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shprehur të drejtave kombëtare demokratike e njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, me deklaratat e personaliteteve të tyre të lartë politike, me rezolutat e shumta të Kongresit amerikan kundër represionit e politikës brutale të Serbisë në Kosovë, përkrahja politike dhe propagandistike për çështjen e Kosovës, është një element tepër i rëndësishëm, që duhet mbajtur parasysh.

Duke diskutuar për problemet e prioritetit strategjik të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e qartë se i kam parasysh edhe tezat e <<ballkonofilëve>> dhe të retoristëve <<fqinjësorë>>. Bota e shekullit 21 nuk i jep më vlerën e shekullit të 19-të afërsisë gjeografike. Aq më tepër që përvoja historike shumëshekullore e popullit dhe e atdheut tonë, gjysmat e trojeve të të cilit na i kanë grabitur fqinjët e veriut dhe të jugut, nuk të jep shumë bazë për këtë lloj retorike. Padyshim, ne jemi e duhet të jemi për fqinjësinë e mirë, por kjo nuk duhet kuptuar sikur ne e kemi harruar historinë dhe duhet të paguajmë haraçe kombëtare. Si shtet i pavarur dhe sovran, që don ta ndërtojë në paqe jetën e vet, ne duam qetësinë në kufijt tanë, por kjo duhet të jetë qetësi në të dy anët e kufijve. Sa për raportin midis sigurisë dhe afërsisë gjeografike, kjo tashmë ka kuptime të tjera, dhe shembulli i Kuvajtit, që u sulmua e u pushtua nga <<fqinji dhe vëllai i tij arab>> Iraku, dhe u çlirua nga një koalicion aleat ,që vinte nga shumë larg, është domëthënës për të bërë llogari më të ftohta.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin amerikan ne kemi një histori të gjatë lidhjesh. Populli shqiptar nuk mund të harrojë dhe i është shumë mirënjohës populli amerikan, i cili gjatë një shekulli ka pritur me bujari dhe ka mbajtur në gjirin e vet valët e mëdha të kurbetit nga Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore dhe valën e emigracionit nga Kosova pas asaj lufte. Komuniteti shqiptar në Amerikë, integrimi dhe veprimtaria e tij e shquar atje, janë provë e afinitetit, që ekziston dhe që duhet të forcohet midis popujve tanë.

Është e rëndësishme që rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Amerikës u bë në një moment të rëndësishëm kthese në jetën e popullit tonë, në prag të zgjedhjeve të 31 marsit dhe kur interesi kombëtar po zë gjithnjë e më shumë vendin e tij të merituar si yll polar i politikës së jashtme të shtetit tonë. Duke pasur këtë yll do të gjejmë prioritete të drejta strategjike në politikën e jashtme dhe do të jemi më të sigurt për ekzistencën tonë si komb, për vendin dhe bashkëjetesën tonë me kombet e qytetëruara të Evropës edhe botës.

Botuar 17.3.1991

(Nga libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, Tiranë, 2012, fq.11)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Shaban Murati

Ambasadorë të atrofizuar

September 26, 2022 by s p

Shaban Murati/

Një ambasador amerikan në Stokholm, duke më shpjeguar përse ShBA ka përcaktuar me ligj mandatin e ambasadorëve amerikan në vendet e tjera vetëm tre vjet, më tha arsyen: “Pas tre vitesh shërbim ambasadori bie në dashuri me vendin, ku është akredituar, dhe harron vendin e vet”.

Çfarë mund të themi për ambasadorët e tanishëm të Shqipërisë, shumica e të cilëve kanë 8, 9 dhe 10 vjet, që janë në poste pa lëvizur nga shtetet, ku janë akredituar. Shumica e ambasadorëve po bëjnë mandatin e tyre të tretë politik njësoj sa qeveria aktuale. Është shkelur nga qeveria ligji për shërbimin e jashtëm me të katër këmbët. Në rastin më tolerant mund të thuhet se ambasadorët janë atrofizuar.

Përsa i përket rënies në dashuri me vendin, ku janë akredituar, kjo është plotësisht e vërtetë. Një ambasador i Shqipërisë në Greqi, të ciit i kishte mbaruar ligjërisht mandati, dilte rregullisht çdo muaj nëpër mediat greke dhe mbronte qendrimin e Greqisë në të ashtuquajturën çeshtje të detit. Unë kam qenë drejtor dhe anetar kolegjumi në MPJ dhe kur diskutonim çeshtjet e Lindjes se Mesme, ambasadori ynë në Izrael mbronte qendrimin izraelit dhe ambasadori ynë në Arabinë Saudite mbronte qendrimin arab.

Pas 8, 9 dhe 10 vitesh të qendrimit të tyre në shtetet, ku janë akredituar, ambasadorët e Shqipërisë janë kthyer thjeshtë në postierë. Atyre u është harruar emëri.

E thënë shqip: Shqipëria realisht nuk ka as ambasadorë dhe as diplomaci.

Filed Under: Komente Tagged With: Shaban Murati

Dekomunistizimi

September 19, 2022 by s p

Shaban Murati/

Është shumë lehtë ta bësh dekomunistizimin për të vdekurit. Dekomunistizimi nuk u bë kur duhej, se ata që erdhën në pushtet në 1992 kishin porosi të mos e bënin. Siç kishin porosi të mos hapnin kurrë dosjet e sigurimit të shtetit. Siç patën porosi që dy partitë kryesore të postkomunizmit, që i krijoi KQ i PPSh, të amnistonin penalisht korrupsionin e krerëve të qeverive të njera-tjetrës gjatë alternimit të rakorduar të pushtetit. Ndërkaq nomeklatura e lartë e vjetër komuniste ka vdekur, kështu që nuk e prek dot dekomunistizimi. Sepse dekomunistizimi nuk bëhet pas 30 apo 70 vitesh, por bëhet që në ditët dhe në vitet e para të pushtetit demokratik, siç u bë denazifikimi në Gjermani menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Parimi i parë themelor i dekomunistizimit të vërtetë dhe i denazifikimit të vërtetë është dhe duhet të jetë ndërprerja ligjore e trashëgimisë dhe e zinxhirit të kalimit të stafetës së pushtetit politik dhe ekonomik nga etërit te bijtë e diktaturës. Nuk pati në Gjermani pas shembjes së nazizmit trashëgimi të pushtetit dhe asnjë nga fëmijtë e nomeklaturës së lartë naziste nuk u bë kurrë pas luftës ministër në qeveritë demokratike gjermane. Por në Shqipëri gjatë periudhës së demokracisë dhjetra fëmijë të ministrave të nomeklaturës së lartë të diktaturës komunise u bënë ministra në kolltuqet e pushtetit të baballarëve të tyre dhe ringritën rrjetet tribale ideologjike dhe krahinore të fuqisë politike dhe ekonomike, e ngjyrosur me emrin nanuritës të republikës demokratike. Pushtetin e trashëguan fëmijtë e nomeklaturës së lartë komuniste, të cilët nuk dinin dhe nuk kishin provuar kurrë rradhët torturuese komuniste të qumështit, të mishit, të vezëve, të vajgurit, të druve, etj. pra ata që nuk ia ditën dhe nuk ia qanë kurë hallet popullit si në komunizëm, ashtu dhe në demokraci. Për t’u tallur me popullin dhe me të përndjekurit është shpikur alibia demagogjike se fëmijtë nuk trashëgojnë fajet e etërve. Çeshtja është jo për trashëgiminë e fajeve, por për trashëgimin e pushtetit të baballarëve të tyre. Madje pacipëria është aq e madhe sa që sot fëmijtë e ministrave apo sekretarëve të parë të diktaturës komuniste janë emëruar guru të partive kryesore politike shqiptare. Dekomunistizimin pritet ta bëjë parlamenti, i cili priti 31 vjet ta ndërmerrte këtë hap sa të jepte dorëheqjen si kryetar i parlamentit ministri i brendshëm i fundit i diktaturës komuniste dhe Sekretar i Parë i PPSH në një rreth të jugut. A e dini se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmit shtete në gjithë vendet ish-komuniste, që kryeministrat e kohës së diktaturës komuniste i pati përsëri kryeministra edhe në kohën e demokracisë? Kjo nuk don të thotë se populli është i pamençur, për don të thotë se sistemi politik në thelb nuk i ka ndryshuar sunduesit. Trimëri është ta bësh dekomunistizimin me të gjallët, me bijtë e nomeklaturës së lartë, që trashëgojnë pushtetin politik dhe ekonomik të baballarëve të tyre. Të vdekurit e nomeklaturës së lartë komuniste janë gati ta pranojnë dekomunistizimin, vetëm që ky dekomunistizim të mos prekë pushtetin, që ua lanë fëmijve dhe me siguri edhe nipërve e stërnipërve të tyre, nëse ky shtet dhe ky populli nuk do ta flakin tej rrasën e varrit të rajait të përjetëshëm, që mbajnë në kurriz.

Filed Under: Fejton Tagged With: Shaban Murati

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT