• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligjërimi diplomatik i Shaban Muratit në librin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

December 2, 2021 by s p


Halil RAMA/


Pasi ka ndjerë mungesën e mendimit diplomatik shqiptar për çerek shekulli, si ish-funksionar në Ministrinë e Jashtme dhe dy herë ambasador, diplomati i mirënjohur Shaban Murati po e plotëson këtë vakuum me analizat e tija të mirëfillta, të përmbledhura në 17 vepra të botuara në harkun kohor të 17 viteve të fundit. Është ky padyshim një kontribut mjaftë i qënësishëm në pasurimin e historikut të diplomacisë shqiptare. Në analet e kësaj diplomacie, vepra më e fundit e ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” që u promovua para pak ditësh në praninë e dhjetra personaliteteve shqiptare të politikës, diplomacisë e letrave, zë vend të rëndësishëm, pasi në të shpaloset përvoja 50-vjeçare e një analisti të politikës së jashtme.Në 75 artikujt e kësaj vepre, të shkruara në harkun kohor të tri viteve të fundit (2018-2021) Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, sjell mendimin e tij të avancuar si studjues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist diplomatik.Kështu, nëse në artikullin “Në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës. Pse nuk ndodhet Shqipëria?” (të datës 30 korrik 2018) shpreh shqetësimin e ligjshëm të një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane tentonin devijimin e objektit kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, tre vjet më vonë, ai denoncon me kurajo pabesinë diplomatike të Zoran Zaevit ndaj Kosovës. Thelbin e kësaj pabesie, Murati e sheh në parashtrimin zyrtar që kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, bëri në një intervistë në datën 1 gusht 2021 me Agjencinë Shtetërore Serbe “Tanjug”, ku për herë të parë zbuloi se “Ballkani i hapur” serb do të angazhohet në një platformë dhe betejë diplomatike kundër Kosovës. Do të mjaftonte qoftë edhe mosreagimi i duhur i Ministrive të Jashtme të dy qeverive shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) për të përligjur titullin sinjifikativ të veprës së ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”. Parë nga ky këndvështrim, në ligjërimin diplomatik të tij gjejmë fakte dhe argumenta që rrëzojnë tezën e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.Referuar zhvillimeve historike, Sh.Murati konkludon se “Për sa i përket Kosovës, ndryshimi i kufijve të saj, nëpërmjet ndarjes, ka qenë një kërkesë konstante prej vitesh, e deri sot, e diplomacisë serbe, që nga Millosheviçi e Koshtunica, e deri te Daçiçi e Vuçiçi. Deri para bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, edhe disa qarqe të diplomacisë europiane e kishin konsideruar tezën e  ndarjes së Kosovës si alternativë me interes” (fq.13).Vetëm një analist diplomatik i vëmendshëm si Shaban Murati do të mund t’iu kundërvihej hapur tezave të lidershipeve zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të propozimit të Presidentit Serb Vuçiç për ndarjen e mundshme të Kosovës. Pikërisht ky qëndrim i eksponentëve më të lartë të dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës dëshmon vetëvrasjen diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës.Ndaj dhe analisti diplomatik Murati, që para tri vitesh, ndër 14 pyetjeve të ditës që shtroi për Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, iu drejtohet atyre publikisht se: “Me çfarë të drejte dhe norme ndërkombëtare juridike i kërkohet Kosovës t’i japë pjesë nga sovraniteti dhe integriteti i vet Serbisë, shtetit që humbi luftën më 1999? A i kanë lexuar Tirana dhe Prishtina traktatet e paqes dhe marrëveshjet e paqes midis shteteve fituese dhe shteteve të mundura në luftë?…A duhet të lejohet që Kosova të humbë në paqe atë liri e sovranitet, që fitoi në luftë me gjak dhe me ndihmën e NATO-s në vitin 1999?”.Në trajtimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Kosovë të tre viteve të fundit, si  dhe të raporteve të tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në, Sh.Murati arrin në konkluzionin se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën e tyre më të ulët. Këtë e argumenton edhe me mosdakortësinë për idenë e rrezikshme të partneritetit strategjik me Serbinë. Referuar deklaratës së kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 26 Nëntor 2018 në Pejë se “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike për afat të gjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë”,  ambasador Murati e konsideron këtë kaq jonormale, duke menduar se do ngrejë stuhi reagimesh mbarëshqiptare, njësoj si për idenë tjetër të ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.Ambasadori Murati argumenton se ky nivel i ulët marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kryesisht vjen nga presioni i fortë i Serbisë, e cila, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Kjo sipas tij edhe për faktin se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare, përkrahëse të projektit serb me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur” konstatohet një ngutje diplomatike dhe politike e sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal.  Për të argumentuar lëvizjen e “Ballkanit të hapur” në skemat ruse, analisti diplomatik Sh.Murati sjell në vëmendjen e opinionit publik deklaratën e zëvendësministrit të jashtëm rus, Aleksandër Grushko në Beograd më 18 qershor 2021 se “vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës ruse, pra të bëhen si një shtet federativ që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse”. Në këtë kontekst, mbështetjen zyrtarisht dhe publikisht të qëndrimeve të Serbisë nga Tirana zyrtare, ambsadaor Murati e konsideron si qëndrim që solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Madje me të drejtë Sh.Murati shprehet për defekte të patriotizmit tonë, të cilin e kemi parcial. Ndoshta edhe për këtë mendim e ligjërim diplomatik të avancuar, Prof.dr.Enver Hoxhaj, ish-zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës (2016-2020) e konsideron ambasador Muratin njohësin më të mirë të Kosovës dhe të raporteve të saj me botën e jashtme që nënkupton: rajonin, Europën Juglindore, raportet me BE-në, por edhe kontekstin global të asaj se çfarë raportesh ka Kosova. “Mund të them që është prej njohësve më të mirë, ndoshta prej Vjenës deri në Athinë.. Sa herë shkruhet, flitet për Kosovën: mendimi i tij lexohet në Prishtinë, jo vetëm në mesin e vendimmarrësve politikë, por edhe në mesin e shumë të tjerëve, të cilët e krijojnë, e fuqizojnë kulturën e re politike në Republikën e Kosovës”, vlerëson z.Hoxhaj. Nisur edhe nga ky vlerësim shpreh bindjen në domosdoshmërinë e pasurimit të bibliotekave institucionale dhe vetjake të çdo shqiptari me librat e ambasador Muratit.Veçanërisht në veprën e tij të fundit madhore  “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, analisti diplomatik Sh.Murati argumenton edhe dështimin e madh të BE me Kosovën. Referuar dështimit të tryezave të njëpasnjëshme të bisedimeve Prishtinë-Beograd, autori i kësaj vepre e sheh dështimin e BE-më Kosovën në paaftësinë e saj për të arritur një zgjidhje përfundimtare në bisedimet tëtëvjeçare Serbi Kosovë, gjë që imponoi nevojën e angazhimit të drejtpërdrejtë të SHBA në ato bisedime.Të mirëargumentuara janë në këtë vepër, “Dalldia filoserbe në dëm të rajonit dhe pozicioni që duhet të mbajë Shqipëria”, “Ideja e rrezikshme ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit” dhe veçanërisht  “Doktrina ‘Bajden’, si zgjidhje për Kosovën dhe Ballkanin”.Ajo që autori e quan Doktrina e Presidentit amerikan Bajden për Ballkanin, me pak fjalë përmblidhet në luftën kundër korrupsionit si interes strategjik dhe kundër atyre politikanëve që destabilizojnë rajonin, si dhe qendërzimi i dialogut Kosovë – Serbi.  Autori thekson se modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës./

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati

Analiza e një anomalie me cikle në shtetin e ri të Kosovës

October 22, 2018 by dgreca

Rreth librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” të autorit Shaban Murati/

Shaban Murati

Nga Aleksandër Çipa/

Analisti gjeodiplomatik, Ambasadori Shaban Murati, duke sjellë rishtazi librin e vet “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, zgjon dhe orienton shpresën për syçeltësi kombëtare dhe institucionale në fushën e diplomacisë shqiptare në tërësi. Eshtë pikërisht momenti dhe gjendja aktuale ku, siç e thotë Herbert Spenser: ”Po përvetësojmë pesimizmin si bindje”.

Libri i ri dhe vecanërisht tetë paraardhës të qarkulluar prej së njëjtit autor në harkun kohor të 15 viteve të fundit, përbëjnë një literaturë të mjaftueshme, ekspertisht të strukturuar për të fituar njohjen dhe dijenitë e plota për procesin mëvetësues dhe shtetformues të Kosovës. “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, është libri që në bibliografinë e diplomacisë shqiptare, në atë të publicistikës diplomatike dhe sidomos të analizës politike dhe diplomatike të zhvillimeve në hapësirën shqiptare dhe në relacionet ballkaniko-shqiptare, shton një provë atipike. Ky është një kontribut i autorit edhe në lëmin e gazetarisë së profilit dhe atë të analistit të profilizuar.

Ky libër është një mundësi qartësimi,(nëse bëhesh lexues i tij), për një histori të re shteti të ri, si Kosova. Eshtë kalvari real i shtetit të dytë të shqiptarëve. Këtë shtet që po ngrenë duke e pasur në shumë shpërngënj pengues si për arsye të ditura e të trashëguara, paradoksalisht edhe për shkaqe të njohura e që lidhen me vet’henë tonë shqiptare.

Zakonisht, pas një lufte çliruese ose pavarësimi, pretendohet të fitohet normaliteti, të nisë etapa e vështirë primare e shtetndërtimit, funksionalizimit dhe funksionimit institucional. Mirëpo, rasti i Kosovës mbetet fatkeqësisht, rast i një periudhe pa pasues e pa krahasime.

Herë, herë qasjet dhe fatkeqësisht edhe sjelljet politike dhe diplomatike të udhëheqësisë shqiptare në Kosovë, të lenë shijen e përfundimit të Kalevi Holstit në librin e tij referencial “Shteti, lufta dhe gjendja e luftës”, i cili kur flet për reagimet e ndërkombëtarëve ndaj shtetit të dobët, nënvizon: ” Shtetet e dobëta duhet të bëhen më të fortë dhe ata që janë në trajektoren e dështimit, duhet të kthehen prapa”. Nëse e pranojmë kritikën për dështimet tona, pra shqiptare në Kosovë, atëhere për ç’farë kthim prapa mund të flasim?! Të kthehemi ku?!?

Leximet e artikujve-kapituj-analitikë të librit të Ambasadorit Murati, të japin mundësinë të mos kesh dilemë. Autori sugjeron të kthehen prapa, pra vendimmarrësit dhe të mandatuarit si qeverisës në demokracinë foshnjore të Kosovës! Të rikthehen aty, ku qëllimi ishte i qartë dhe bindja e plotë, për një Kosovë të vetme në pavarësi. Të mbesin tek vizioni që shërbeu si themeli e historisë që shqiptarët kurorëzuan në vitin 1999. Natyrisht, aty ku ia dolëm falë mburojës fatmadhe të aleancës euroatlantike dhe sidomos asaj amerikane.(!)

Analizat e zotit Murati, për aspekte, sjellje,inefiçenca dhe diletantizma diplomatike shqiptare, janë në reminishencë fisnike me këshillimin e dikurshëm të ilirologut të famshëm arbëresh Stipçeviç, i cili vuante shpërfilljen vrastare shqiptare për njohjen e kohëve të tyre.:” Shekujt janë të shkurtër sa dita, po nuk i njohëm, e ditët të gjata sa amëshimi, kur mund t’i prekim dhe t’i shohim”.

Duke iu referuar ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së munguar kombëtare në diplomacitë respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, nga kuota dhe cilësia e një profesionisti sharmant, analisti Murati sfidon hapur dhe kurajshëm qëndrimet infantile, demaskon bisedime e qëndrime të dyshimta anti-interesit kombëtar, heshtje dhe inkorrektesa të kompromentuara shtetërore dhe diplomatike etj.. Sikundër, evidenton dhe denoncon me kritikë të plotë mungesa, inkopetenca dëmsjellëse antikombëtare. Analisti skanon dhe nxjerr në dijeni të publikut marrëveshje dhe kulisa që plagosin apo minojnë interesin shtetëror dhe kombëtar në administratat diplomatike të Kosovës së re si shtet dhe të Shqipërisë së vjetër si shpërdoruese dhe varfanjake.
Receta që lëshon në cilësi të ambasadorit me karrierë, të autorit me zë dhe aparat të plotë, të analistit kurajoz e në valencë të lakmueshme, është ajo që diagnostifikon dhe kuron: ”Diplomacia është distancë nga emocioni personal, partiak dhe mediatik. Emocioni i vetëm, që i lejohet diplomacisë, është emocioni i shtetit dhe i kombit”.

Në librin e vet Ambasadori Murati logjikshëm dhe këmbëngulshëm ngre çështje të paritetit diplomatik në sjelljen dhe kuadrin e përfaqësimit shqiptar, si nga Kosova edhe nga Shqipëria, në forumet dhe institucionet e së drejtës dhe pranë organizimave ndërkombëtare. Ashtu sikundërse konstaton me të drejtë analisti gjeopolitik dhe vëzhguesi përditësues Francis Fukuyama në librin “Ndërtimi i shtetit”: ”Qeverisja e dobët e kompromenton parimin e sovranitetit….E bën këtë sepse problemet që krijojnë shtetet e dobëta për veten e tyre dhe për të tjerët rrisin konsiderueshëm mundësinë që dikush tjetër në sistemin ndërkombëtar të ndërhyjë në çështjet e të brendshme, në kundërshtim me dëshirat e tyre…” Në të njëjtën rrjedhë logjike analisti Murati interpreton kazusin e veriut të Kosovës, apo të infiltrimit të diabolisë ruse në Mitrovicë, të cilin autori e përcakton si “gur gjeopolitik rus”.

Dhe sikundër Fukuyama konkludon se : “… arti i ndërtimit të shtetit do jetë një komponent kryesor i pushtetit kombëtar”, ambasadori Murati faktologjikisht i drejtohet administratës së shtetit të Kosovës me apelin kombëtarist: ”E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje”.

Në librin e analistit Murati denoncohen me logjikë dhe kokëfortësi arsyetimi, mëkate antikombëtare, qëndrime dëmsjellëse, mungesa koordinimesh dhe paaftësi e sjellje të korruptuara diplomatike, institucionale dhe përfaqësimesh në rrjedhat e kohës së “kalvarit diplomatik të Kosovës”. Eshtë një qasje nga pozita e eskpertit të angazhuar mbi betimin vetanak të ndërgjegjes kombëtare, europianiste dhe sidomos mbi principin e pakushtëzuar të shtetdashjes si shqiptar, pamvarësisht se e ka emrin Kosovë, Preshevë, Shqipëri apo hise tjetër at-mëmë-dhe-sie.

Autori Shaban Murati monitoron dhe analizon në laboratorin e vet autorial dhe studimor, zhvillimet, konjukturat, sfidat dhe befasitë, lojërat dhe qëndrimet shqiptare dhe antishqiptare në diplomaci dhe gjeopolitikë, mbi devizën e panegociueshme të atdhedashurisë genetike dhe intelektuale. Në emër dhe respektim të kësaj devize, Shaban Murati nuk e bjer dhe as e cënon qoftë edhe një grimë, kalibrin e të cilësishmit dhe profesionistit të ftohtë. Dhe ia del në kohën, kur vlerat e kalibrit dhe të cilësishmërisë, janë të padukshme në gjendjen e sotme të kaosit dhe shpërfilljes kolektive dhe fatkeqësisht, edhe institucionale.(!)

Filed Under: Opinion Tagged With: aleksander Cipa, Kalvari Diplomatik, Shaban Murati, shteti i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT