• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në SHBA përkujtohet George Floyd

June 5, 2020 by dgreca

Aktivistët e të drejtave të njeriut, politikanë dhe personalitete tjera u mblodhën më 4 qershor për të përkujtuar George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan, vdekja e të cilit, derisa ishte nën arrest të policisë, ka nxitur një valë protestash për drejtësinë racore në Shtetet e Bashkuara.

Organizimet përkujtimore për Floyd, do të mbahen për gjashtë ditë ne tre shtete, tha avokati i familjes Floyd. 

Disa nga protesta për vdekjen e Floydit kanë qenë të dhunshme, me zjarrvënie dhe plaçkitje, por protestat më të qeta u zhvilluan më 3 qershor pasi prokurorët në Minesota akuzuan tre oficerë të tjerë të policisë dhe ngritën një akuzë të re, më të ashpër kundër Derek Chauvin, policit kryesor të përfshirë në këtë rast.

Chauvin tani përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë, dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Më parë ai, u akuzua për vrasje të shkallës së tretë për të cilën parashihet dënimi deri në 25 vjet.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison ka thënë më 3 qershor se tre zyrtarë policorë, Tou Thao, 34-vjeçar, J. Alexander Kueng, 26-vjeçar, dhe Thomas Lane, 37-vjeçar, janë akuzuar për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje, andaj janë lëshuar fletarrestet për secilin prej tyre.

Në njoftimin për akuzat e reja, Ellison i quajti protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Floyd-it si “dramatike dhe të domosdoshme”, duke u zotuar se do të kërkonte drejtësi për Floyd.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, gjithashtu mbrojti të drejtën e amerikanëve për të protestuar, duke e quajtur atë “të shenjtë”, por tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kishte udhëzuar atë, të mos kursente asnjë përpjekje për të siguruar që të mos ketë dhunë.

Si ndodhi vdekja e Floyd? 

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.

Presidenti Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.(Kortezi Radio Europa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: perkujtohet, SHBA

SHBA REGJISTRON 1 MILION TË INFEKTUAR …

April 28, 2020 by dgreca

* PRESIDENTI UDHËZON TESTIME, GJURMIME DHE RIHAPJEN E EKONOMISË/

COMFORT NE IKJE NGA NEW YORKU…E KREU DETYREN…/

* New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave/

* Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve./

* Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët./

* Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

* Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit./

* Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj /

Përgatiti: Dalip Greca/

Dita e Hënë ishte me tregues jo alarmant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në betejën e përditshme me Koronavirusin. Të infektuarit e rinj zbritën në kuota më të ulta se ditët parardhëse, vetëm 20 mijë e 789(nga 26 mijë e 509 të dielën), ndërsa numri i të vdekurëve ishte i përafërt me ditën e djeshme, numri i të shtruarëve në spitale ka rënë ndjeshëm deri në 1 mijë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve e kaloi shifrën 1 milion 7 mijë e 949. Presidenti Trump në konferencën me gazetarët e mbajtur në mbrëmjen e së hënës i vlerësoi pozitivë të gjithë treguesit duke thënë se shteti po ecën në drejtimin e duhur. Ai tha se i gjithë vendi është në gjendje të mirë dhe është koha e rihapjes së bizneseve dhe ringritjes së ekonomisë.

Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek testimet dhe gjurmimet. Shtetet mund të testojnë rreth 2,6 përqind në popullsisë në muaj, ndërsa shtetet dhe zonat më të goditura mund të testojnë dy herë më shumë, ose dhe më tepër. Amerika i ka kapacitete për të kryer testimet dhe gjurmimet.

Në konferencën për shtyp presidenti tha se do t’i udhëzojë shtetet se si të rrisin testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave

Ndërkohë që Shteti i New Yorkut ka regjistruar ditën e Hënë treguesin më të ulët të vdekjeve ditore, 337(nga 367 ditën e dielë) dhe në rang shteti u regjistruan në total 22 mijë e 612 viktima, pesë bashkitë që përbëjnë NYC (New York City) kanë raportuar 11,708 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 5.222 vdekje të mundshme të koronavirusit, sipas faqes së internetit të qytetit. Pra vetëm NYC ka 16 mijë e 930 të vdekur, ndërsa pjesa tjetër e shtetit kap shifrën 5 mijë e 682.

Departamenti i Shëndetit në New York City përcakton vdekje të mundshme nga nga COVID-19 ata pacientë që nuk kishin një test laboratorik pozitiv të Covid-19, por çertifikata e tyre e vdekjes kanë të shënuar si shkakun e vdekjes “COVID-19”.

Ka pasur 156.100 raste të koronavirusit në NYC, dhe rreth 40,000 njerëz të shtruar në spitale gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të qytetit.

Të infektuarit e rinj të raportuar në 24 orshin e fundit për shtetin e New Yorkut ishin vetëm 3 mijë e 333(nga 5 mijë e 678 të dielën) duke e çuar shifrën e përgjithsme të të infektuarëve në 297 mijë e 224. Testimet në shtet janë në shifrat më të larta se në çdo shtet tjetër të Amerikës dhe më të larta se në shtetet europiane si Franca, Britania e Madhe etj. Deri ditën e hënë New Yorku kishte kryer 826 mijë 95 testime, nga 463 mijë e 662 që ka kryer Franca dhe 719 mijë e 910 Britanai e Madhe.

       Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së përditshme të së hënës, tha se ai ka të ngjarë të zgjasë urdhrat për qëndrim në shtëpi dhe të mos hapjes së bizneseve për disa qarqe përgjatë afatit aktual të shtetit që është përcaktuar me 15 maji.

Në fakt, numri i shtrimeve të reja në lidhje me koronavirusin është ulë deri rreth 1.000 në ditë, sipas të dhënave të shtetit, ndërkohë që edhe shifrat e tjera flasin për për mirë.Po ashtu spiatlet kanë hapsira të bollshme dhe ventilator më shumë se duhet. Nga ana tjeter edhe anija e marinës që erdhi për ndihmë po merr rrugën e kthimit.

Cuomo përsëriti se shteti duhej të bënte më shumë testime dhe gjurmime të kontakteve në mënyrë që të fillonte rihapja në pjesët e mundshme të shtetit.

Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të hënën me 27 prill se ai dhe këshilli i qytetit arritën një marrëveshje mbi një plan që do të mbyllte 40 milje rrugë për trafik automjetesh dhe do t’u jepte qytetarëve më shumë hapësirë ​​të lirë pasi edhe moti po bëhet më i ngrohtë. De Blasio tha se ai është i angazhuar të hapë deri në 100 milje rrugë për këmbësorët nëse do të jetë nevoja me qëllim që qytetarët të mos grumbullohen për mungesë hapsire por të ruajnë distancën.

Kryetari i Bashkisë gjithashtu njoftoi se qyteti do të punësojë 1000 gjurmues kontakti, ose detektivë sëmundjesh. Ai i bëri thirrje çdo punonjësi mjekësor me përvojë përkatëse të aplikojnë përmes internetit në faqen e departamentit të shëndetit publik.

Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

New Yorku ka humbur shumë punonjës të vijës së parë në këtë betejë me virusin e padukshëm, si punonjës të shërbimeve publike, por ka humbur jetë punonjësish edhe në arsim.

       Departamenti i Arsimit në New York City ka humbur 68 punonjës në COVID-19 që nga e hëna, deklaroi departamenti i arsimit. Në këtë shifër përfshihen 28 mësues, 25 profesionistë profesionalë, tre punonjës të zyrës qendrore, dy administratorë, dy këshilltarë udhëzues dhe dy punonjës të shërbimit ushqimor. 

       Shkollat ​​e New York City do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.

Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit

New Jersey është shteti i dytë pas New Yorkut më i prekuri nga pandemia e COVID-19. Ai ka regjsitruar deri tani 111 mijë 188 të prekur nga Koronavirusi dhe 3 mijë e 3 të vdekur, ndërkohë që ka kryer 227 mijë e 390 testime. Parametrat e prekshme të koronavirusit janë në ulje në të gjitha drejtimet. Në ditën e sotme, e hënë 27 prill,kishte 106 të vdekur. Në këto kushte po mendohet për rihapje. Nëse në shtetin e New York-ut mendohet për hapje rajonale, Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy, u shpreh në fillimjavë se ende është herët për të thënë nëse rihapja do të bëhet mbi baza rajonale ose në mbarë shtetin që drejton. Ai vetë preferon këtë të fundit.

-Paragjykimi im do të mbështetet drejt marrjes së vendimeve shtetërore- tha ai, duke shtuar “nëse nuk shohim një arsye të vërtetë unike për të bërë ndryshe, ose nëse nuk shohim një realitet me të vërtetë të dyzuar në drejtim të virusit dhe ndikimit të tij në shtet.”

Rihapja do të fillojë në vendet e punës dhe vendet ku shteti ka një “shkallë të lartë besimi”, që distanca sociale dhe normat e tjera mund të zbatohen në mënyrë efektive, kometoi ai gjatë konferencës të së hënës.

Përsa i përket radhës së rihapjes së bizneseve, Guvernatori Murphy tha se ndoshta duhet filluar me “zinxhirin ushqimor” dhe elementët e tjerë thelbësorë. Ai shtoi se e do shumë muzikën, por koncertet nuk mund të kthehen shpejt.

Murphy vuri në dukje se disa vendime ka të ngjarë të merren në harmoni me shtetet e tjera, duke dhënë shembullin se ai nuk mund ta imagjinojë që një restorant në Jersey City (New Jersey), do të kishte një protokoll të ndryshëm rihapjeje nga një restorant në anën e poshtme perëndimore të Manhattanit(New York)

Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj 

Guvernatorja e shtetit Iowa, Kim Reynolds, njoftoi të hënën se 77 nga 99 qarqet e shtetit mund të rihapin restorantet, qendra palestre, dyqane me pakicë dhe qendra të mbyllura me kapacitet 50%, duke filluar nga 1 maj.

Reynolds tha gjithashtu se ajo po heq ndalimin e tubimeve fetare, por jo të grumbullimit të më shumë se 10 personave.

Kjo qasje synon që të lirojë kufizimet në qarqet ku nuk ka veprimtari të virusit ose ku aktiviteti i virusit ka qenë vazhdimisht i ulët dhe ka treguar një prirje rënëse, tha Reynolds.

Vendet ku aktiviteti Covid-19 është më i lartë do të qëndrojnë të mbyllur deri në 15 maj, tha guvernatorja.

Hapja e qarqeve bazohet në aktivitetin e virusit dhe sasinë e rasteve të reja gjatë 14 ditëve të fundit, sqaroi Reynolds.

Ajo shtoi se biznesi dhe kishat e aprovuara për rihapjen duhet t’i përmbahen distancimit shoqëror, higjenës, masave të shëndetit dhe udhëzimeve të biznesit nga departamenti i shëndetit publik për të zvogëluar përhapjen e Covid-19.

Reynolds tha gjithashtu se restorantet do të duhet të mbajnë tavolina të paktën gjashtë metra larg dhe të kufizojnë numrin e njerëzve që mund të jenë në një tryezë.

New York, 27 Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 1 Milion te infektuar, dalip greca, presidenti, SHBA

PRESIDENTI QE U BETUA NE BORDIN E AVIONIT PRESIDENCIAL

April 15, 2020 by dgreca

Nga Historia e Presidentëve të Amerikës/

-Lyndon Baines Johnson, Presidenti i 36-ë i SHBA-ës, që u betua në bordin e avionit presidencial, 2 orë pas vrasjes të Presidentit Kendey/

Nga Raimonda MOISIU/ Florida

Ishte 22 Nëntor i vitit 1963, dhe Zv/Presidenti amerikan, Lyndon Johnson gjendej në kavlarin fatal të makinave, madje në një distance fare të shkurtër mbas makinës së Presidentit Kennedy, në Dallas të Teksas-it. Sapo u dëgjuan të shtënat e para, roja i tij, e shtyu fort Johnson-in, dhe e shtriu në tapetin e makinës, duke e mbuluar me trupin e tij.Menjëherë,  me shpejtësi të madhe, ndoqi makinën e Presidentit Kennedy drejt Spitalit Memorial Parkland në Dallas, aty ku dhe Presidenti Kennedy u njoftua se kishte ndërruar jetë.

Në 2:39 P.M., pa kaluar ende dy orë nga vrasja tragjike e Kennedy-it, – 55 vjeçari teksanas, Lyndon Baines Johnson u betua në bordin e avionit presidencial, si Presidenti i 36-ë i SHBA-ës. Ceremonia e Aktit të Betimit u zhvillua në prani të Gjykatëses Federale, Sarah T. Hughes, dhe ishte hera e parë në historinë e Amerikës, që një grua asistonte betimin e një Presidenti. Zv/Presidenti i tetë Lyndon Johnson mori automatikisht presidencën pas atentatit fatal që i mori jetën Kennedy-it. Menjëherë pas betimit, Johnson emetoj urdhrin e tij të parë presidencial, “Tani, le të nisim fluturimin”! Disa orë më pas, teksa miliona amerikanë po shikonin lajmet në TV-n, avioni presidencial u ul në aeroportin e Washington-it. Lyndon Baines Johnson, teksanasi i gjatë 6.3 inch, e bëri të qartë se e konsideronte veten parimor dhe përfaqësues të ligjit si paraardhësi i tij që kishte studiuar në Harvard. Me bashkëshorten e tij, në krah, Znj. Lady Bird, -Johnson ndaloi para mikrofonit në aeroport dhe adresoi fjalët e tij të para, për të qetësuar popullin amerikan: “Do të bëj më të mirën, gjithçka që unë mund të bëj me ndihmën tuaj dhe të Zotit.”

Johnson qëndroi enkas në sfond, t’i jepte mundësi popullit të tij të shprehte dhimbjen dhe hidhërimin në ceremonitë e meshës funerale për Kennedy-in. Veç kësaj, pesë ditë pas vrasjes, dhe një ditë para Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving), në një seancë të jashtëzakonëshme të Kongresit, ai mblodhi bashkë senatorët dhe deputetët (përfaqësuesit e popullit), për të nderuar kujtimin e Kennedy-it dhe u zotua se do të çonte përpara nismën e tij; “Fronti i Ri”, (New Frontier)-duke thënë vetëm: “Le të vijojmë ne tani! 

Kur zv/presidenti i tetë Lyndon Baines Johnson 

mori mandatin presidencial për shkak të ndarjes së parakohëshme nga jeta të Kennedy-it,  ai ishte tejet i pergatitur dhe mjaft i suksesshëm për ta bërë atë detyrë, se secili nga shtatë paraardhësit e tij. Gjatë administratës së Presidentit Kennedy, Johnson kishte dhënë prova të mjaftueshme, përgjegjësi të jashtëzakonëshme dhe të rëndësishme, duke qenë i mirë-informuar për funksionet e brendëshme të qeverisë, se sa mund të ketë qenë ndonjë Zv/President i mëparshëm. Për më tepër, ai ishte një mjeshtër i sprovuar i politikës, kishte vite që shërbente në Kongresin Amerikan; – dymbëdhjetë vjet deputet (përfaqësues i popullit) dhe dymbëdhjetë vite të tjera senator, ndërsa vitet e fundit lider i shumicës qeverisëse. Pas shuarjes së Kennedy-it, Johnson premtoi se do të çojë përpara nismën e programit strategjik “New Frontier” (Front i ri)-i cili kishte ngecur nga mosveprimi i organit legjislativ. Dhe ashtu bëri! Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1964, ai fitoi mandatin presidencial, duke paraqitur të gjitha prioritetet dhe strategjitë e mëparëshme, dhe mori mbi 43 milion vota popullore. 

Ai kërkoi me procedurë të shpejtuar, projekt-ligjin e ri të të drejtave civile; “për të fshirë si komb, çdo tragë të diskriminimit dhe despotizmit bazuar në racën dhe ngjyrën”. Gjithashtu, ai kërkoi po me procedurë të përshpejtuar, masën e rishikimit të taksave e paraqitur nga Kennedy, me qëllim “për t’iu dhënë zgjidhje shoqërive të sigurimeve nga rreziku i recesionit.” Dhe ai apeloi, “Le të votojmë këtu dhe t’i tregojmë kombit se sa i vlefshëm dhe i dobishëm ishte John Fitzgerald Kennedy aq sa ai jetoi! Johnson i njihte dhe i respektonte të gjithë anëtarët e kabinetit “Kennedy”, madje ai nuk i largoi ata nga postet drejtuese, përfshirë edhe vëllain e ndjerë të Presidentit, Robert Kennedy, i cili ishte edhe Prokuror i Përgjishëm, njëkohësisht. Një vit më pas do të ishte po vetë, Bob Kennedy që u largua i pari, mbasi hodhi kanditaturën për senator i shtetit të New York-t. Në 8 janar 1964, Presidenti Johnson iu drejtua Kongresit Amerikan duke përsëritur thirrjen e tij për të zbatuar dhe përmbushur programin e Kennedy-it.

“Ky sesion i Kongresit do të kujtohet si sésioni që bëri më shumë për të drejtat civile se njëqind sesione bashkë; si sesioni që miratoi uljen e taksës masivisht në historinë tonë; si sésioni që i shpalli luftë të gjithanshme varfërisë dhe papunësisë në SHBA-ës; si sésioni që pranoi më në fund të mbështesë nevojat shëndetsore të moshës së tretë; si sesioni që reformoi politikat e transportit e tranzicionit të ndërlidhura mes tyre; si sesioni që realizoi si kurrë ndonjëherë programin më efektiv të ndihmës së huaj; dhe si sesioni që miratoi ndërtimin e më shumë shtëpive, shkollave, më shumë biblioteka dhe spitale, se sa çdo sesion i vetëm i Kongresit, në të gjithë historinë e Republikës sonë!” Kongresi reagoi menjëherë ndaj apelit të Presidentit Johnson duke miratuar të gjitha aktet-ligjore të cilat ai kërkoi, përveçse njërin prej tyre; atë të kujdesit mjekësor për të moshuarit. Për të drejtuar nismën e tij “Luftë ndaj varfërisë”, ai emëroi Sargent Shriver, kunatin e Kennedy-it, i cili kishte drejtuar me sukses Korpusin e Paqes, (Peace Corps.).

Më 20 Janar, të vitit 1965-ë, ditën e inagurimit si presidenti i 36-ë i SHBA-ës, Lyndon Johnson i drejtohet popullit amerikan, duke shprehur modelin e tij të përkryer dhe shpresëdhënës për të ardhmen: “ Në këtë ditë historike, betimi që kam bërë para Jush dhe Zotit, nuk është vetëm e imja, por e jona së bashku. Ne jemi një komb, një gjuhë, një popull! Fati ynë si komb dhe e ardhmja jonë si popull, nuk qëndron te një qytetar i vetëm, por te të gjitha qytetarët amerikanë. Kjo është madhështia dhe domethënia e këtij momenti. Çdo gjeneratë shkruan historinë dhe fatin e tij. Për disa vendos historia. Për këtë gjeneratë zgjedhja është e jona. Edhe tani, që një raketë po shkon drejt Marsit, e cila do të na kujtojë se bota nuk do të jetë e njëjtë për fëmijët tanë, madje edhe për veten tonë brenda një përiudhe të shkurtër vitesh. Dikush tjetër që do të vijë këtu, do të shohë një pamje që është krejt ndryshe nga e jona, sepse kjo e jona është koha e një ndryshimi të menjëhershëm dhe madhështore, duke zbuluar sekretet e natyrës, rritjen e kombeve, dhe se armët e reja nuk mund të kontrollohen nga duar të pasigurta, që të mos trondisim dhe të mos shkatërrojmë vlerat tona të dikurshme dhe të mos ç’rrënjosim zakonet tona të lashta.

“Faty ynë midis këtij ndryshimi do të mbështetet në besimin dhe karakterin e qytetarëve tanë. Ata erdhën këtu mërgimtarë të detyruar dhe të pazakonshëm, kurajozë dhe të trembur, për të gjetur një vend ku njeriu të jetë njeri, dhe bënë një “marrëveshje” shpirtërisht e moralisht me këtë tokë, -e konceptuar në drejtësi, shkruar në liri brenda bashkëjetesës, që nga dita në ditë të ndriçojmë dhe të frymëzojmë shpresat e mbarë njerezimit. Atë që ç’ka na mban ne ende të bashkuar. Nëse ne i respektojmë dhe i zbatojmë kauzat e tij, ne na pret një e ardhme e ndritur.” 

-Lyndon Baines Johnson dhe programi i tij -“Një Shoqëri e madhe”,-në kuptimin “madhështore”,  jo për nga madhësia, por nga vlerësimi moral e shpirtëror.

Si President me të drejta të plota, Johnson pati sukses të jashtëzakonshëm në Kongresin amerikan në lidhje me zbatimin e programit domestik të “Një Shoqëri e madhe”,-në kuptimin “madhështore”,  jo për nga madhësia, por nga vlerësimi moral e shpirtëror për të. 

Ai fitoi miratimin e programit legjislativ nga më të rëndësishmet e vizionit të tij në historinë e vendit, e quajtur  “Një Shoqëri e madhe”. Në fjalimin e tij inaugurues në vitin 1965-ë, ai tha:

“Nuk besoj se programi “Një Shoqëria e Madhe”  është porositur si një tabor i përhershëm dhe shterpë grenzash, por është enthusiazmi i pëkryer, – gjithmonë i duhuri dhe i vështiri, me  të përpjetat e të tatëpjetat e tij, të uljes  dhe ngritjes – por gjithnjë duke u munduar dhe gjithmonë duke fituar. Në çdo brez – me mundim, lotë dhe sakrifica – na është dashur të kurojmë plagët, të përmirësojmë e të ndërtojmë nga e para, gjithçka në dobi të trashëgimisë sonë.” Duke e quajtur nismën e tij legjilslative “A Great Society”, (“Një Shoqëri e Madhe”),-Johnson miratoi projekligje gjithpërfshirëse sikundër; të drejtat civile, ulje taksash, për të stimuluar ekonominë, hodhi miliarda dollarë për programin kundër varfërisë, ndihma federale për të gjitha aspektet e edukimit dhe arësimit, dhe rriti përfitimet nga numuri i punës, që përfshinte; “Food Stamps”,  (Tallona ushqimore), dhe siguracionin mjekësor,  veçmas për shtresën e varfër, të paftët për punë dhe të moshuarit. Kongresi miratoi projektligjin për investimet në miliarda dollarë për formimin dhe arësimin profesional, shtimin e shkollave dhe bibliotekave në të gjitha kategoritë shkollore e sociale. Programi i nismës “Një Shoqëri e Madhe” u bë agjenda e Johnson-it për Kongresin në Janar të vitit 1965-ë; ndihma për edukimin dhe arësimin, kapjes dhe përgjigjes në kohë të pandemive madhore të sëmundjve infektive në masë, kujdesit shëndetsor, rimëkëmbjes dhe rimodelimit të qendrave urbane, mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik e social të zonave më pak të zhvilluara, luftë në shkallë të gjerë kundër varfërisë, efektivitetin për parandalimin dhe kontrollin e shkelësve të ligjit dhe krimit, heqjen e pengesave ligjore që kufizojnë të drejtën për të votuar. Konventa kombëtare Demokratike që u mbajt në Atlantic City në gusht të 1964, miratoi platformën kryesore që denonconte “extremizmin” e organizatave të tilla, të quajtura si Partia Komuniste, Ku Klus Klan, dhe Shoqata John Birch, si shëmbuj të grupeve ekstremiste.

Ligjvënësit amerikanë miratuan dhe presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të Drejtën e Votës. Ligji i ri i dha fund diskriminimit racial në votim, duke u dhënë miliona afrikano-amerikanëve, në shumë pjesë jugore të Shteteve të Bashkuara, mbrojtje federale për të ushtruar të drejtën e tyre për votim. Strategjia e Skemës të “Social Security” –për zgjerimin e përfitimeve nga Nr.i Punës- në bazë të normave dhe kontributeve, siguracionin e kujdesin shëndëtsor dhe mjekësisë intensive për personat mbi gjashtëdhjetë e pesë vjet. Pa lënë pas dore asnjëherë programin gjithpërfshirës kundër varfërisë. Në vitin 1966-ë u ngrit Këshilli i Departamentit të Strehimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Urban, në kuadrin ligjor të rregullimit e sistemimit të qyteteve dhe vendbanimeve, në planifikimin dhe zbatimin e këtyre politikave. Në vitin 1967-ë u krijua Departament i ri i Transportit.

Kongresi, herë duke shtuar dhe herë duke ndryshuar, miratoi me procedurë të përshpejtuara rekomandimet e Johnson. Miliona njerëz, veçmas të moshuar gjetën mbështetjen dhe ndihmën e tij përmes ndryshimit të “Medicare” të vitit 1965-ë në Aktin e ”Social Security”. Nën udhëheqjen e Presidentit Johnson, SHBA-ës bënë eksplorime hapësinore spaktakolare bazuar në programin që ai e kishte trashëguar dhe mbështetur qysh në fillim.   

Kur tre astronautët arritën të ulen me sukses në Hënë, Johnson i përgëzoi ata duke iu thënë: “: 

“Ju keni marrë me vete të gjithëve ne, në të gjithë botën, drejt një epokë të re….” 

-Lyndon Baines Johnson i pafat dhe më pak i suksesshëm në politikën e jashtëme.

Por Johnson nuk pati fat dhe ishte më pak i suksesshëm në politikat e jashtëme. Kur ai dërgoi trupat amerikane në Republikën Domenikane të parandalonte komunistët të merrnin qeverinë, ai ngjalli frikën dhe panikun e një politike të re ndërhyrëse nga ana e Shteteve të Bashkuara, në kontinentin latin. Ndërsa më vonë, kur trupat amerikane u bënë pjesë e një force ndëramerikane të komanduar nga një gjeneral brazilian, atëhere u duk sikur kontinenti latin mori frymë disi i lehtësuar. Megjithatë, katastrofa dhe disfata më e madhe ishte Lufta e Vietnamit, të cilën ai arriti ta shdërronte në Luftën më të gjatë dhe më koston më të lartë njerëzore në historinë e SHBA-ës. Në përpjekje për të përshkallëzuar praninë antikomuniste amerikane në luftë kundër Vietnamit të Veriut komunist si dhe guerilasve vietkongë në Vietnamin e Jugut, gjetën vdekjen më shumë se 58 mijë ushtarë amerikanë dhe më shumë se 300 mijë u plagosën. Lufta ndau jo vetëm popullin amerikan dhe familjet, por ajo ktheu të rinjtë kundër të moshuarve, si dhe shkaktoi një valë mosbesimi mes shumë amerikanëve dhe udhëheqësve të tyre. Pas gjithë këtyre, situata në Vietnam dhe trazirat publike në Amerikë, e detyruan Johnson të tërhiqet nga kandimi për një mandat të dytë si President. Johnson mori kritika të mprehta në vitin 1965-ë për ringjalljen e imperializmit amerikan në Amerikën Latine kur dërgoi 28,00 marinsa amerikanë në Republikën Dominikane për të shkatërruar revoltën kundër qeverisjes së vendit. Ai e shpjegoi këtë me arësyen se dëshironte të pengonte forcat komuniste të merrnin pushtetin, sikundër kishte ndodhur në Kubë. Ai më vonë i vendosi trupat amerikane nën mbikëqyrjen e Organizatës së Shteteve të Amerikës, të cilat i tërhoqi në vitin 1966-ë.

Ndërkohë dhuna e brendëshme sa vinte e po rritej në SHBA-ës, në një farë mase si rezultat i protestave kundër Luftës në Vetnam, dhe pjesërisht, sepse shtresa e të varfërve me ngjyrë mendonin e besonin se fondet dhe të ardhurat e tyre që ata duhet të merrnin, po ndërronin drejtim dhe po shkonin për llogari të luftës. Trazirat shpërthyen edhe në getot e zezakëve në shumë qytete të Amerikës, në vitet 1966-1967. Më e keqja dhe më e rënda, ndodhi në Detroit nga 23-30 Korrik 1967-ë, ku u vranë 43 persona dhe u plagosën 2000-ë të tjerë përballë forcave federale dhe Gardës Kombëtare të cilët morën nën kontroll përleshjet dhe plaçkitjet e dyqaneve. Kur Martin Luther King Jr., Udhëheqësi i Lëvizjes së të Drejtave Civile të Afrikano-Amerikanëve u vra në 4 Prill 1968-ë, në Memfis, Tennessee, trazirat për barazi racore shpërthyen në më shumë se 100 qytete. Madje, Johnson i duhej të thërriste trupat federale për të mposhtur trazirat në kryeqytetin e vendit, Washington. 

Dështimi i tij për ta bërë Luftën në Vietnam, të suksesshme, shpërthimi i dhunës brenda SHBA-ës, dhe fryma e pakënaqësisë e amerikanëve, e rrënuan administratën e tij. Johnson nga ana e tij për dështimin fajësonte paaftësinë e publikut për të kuptuar rëndësinë e asaj që ai vetë ishte përpjekur të arrinte në Vietnamin e Jugut. Duke i hequr vetes të gjitha mundësitë që mund të interpretoheshin për promovimin i fatit të tij politik, Johnson njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë si president. Vietnami i Veriut reagoi menjëherë rreth kësaj, dhe në Maj të po atij viti, filluan bisedimet personalisht midis emisarëve amerikanë dhe Vietnamit të Veriut në Paris.

Biografia e Lyndon Johnson

Lyndon Baines Johnson lindi në një fermë që gjendej në zonën kodrinore e lënë djerrë, pranë Stoneëall, Teksas, në 27 gusht, 1908-ë. Ishte fëmija i parë nga pesë fëmijët e Samuel dhe Rebekah Johnson. Që të dy nëna e babai kishin qenë mësonjës, kështu që ata i mësuan atij shkrim e lexim, madje para se ai të fillonte shkollën.

Duke qenë se babai dhe dy gjyshërit e tij patën qenë anëtarët e Parlamentit të Teksasit, djaloshi i ri Lyndon u rrit duke dëgjuar brenda familjes biseda e debate politike. Në moshën 5 vjeçare, Lyndon u zhvendos së bashku me familjen e tij, në Johnson City, Texas, -qytet që kishte marrë emrin e gjyshit të tij, dhe Johnson filloi shkollën publike në po atë vit. Si të gjitha familjet në qytetet e vogla, edhe familja Johnson mezi siguronte të ardhurat për të jetuar. Teksa Lyndon rritej, ai bënte punë të rëndomta si lustronte këpucët dhe mblidhte pambuk, dhe lekët që fitonte i harxhonte për filma dhe argëtime të tjera. Në moshën 15 vjeçare mbaron arësimin e hershëm. I lodhur nga librat e studimi, Lyndon vendosi t’i braktisë ato, dhe zgjodhi ta bëjë jetën sipas mënyrës së tij, pa vazhduar arësimin e mëtejshëm. Ai dhe disa shokët e tij shkuan në Kaliforni, ku aty ai bëri jetën e një endacaku që bënte punë të ndryshme, si; vjeljen e agrumeve dhe pjatalarës, dhe arrii të kuptonte se sa e vështirë ishte të fitoje para në fermë, veçmas në periudhën e depresionit. Mbas një viti, ai u kthye në Johnson City, ku filloi punë në një kompani për mirembajtjen e rrugëve. Ishte një punë krahu tejet e vështirë, por ai me kokëfortësi qëndroi rreth një vit, megjithë nxitjen dhe insistimin e vazhdueshëm të dy prindërve për të vazhduar shkollën. Përfundimisht, në moshën 18 vjeçare, ai ndërroi mendje dhe mori hua $75 nga banka e qytetit, dhe rregjistrohet në Kolegjin e San Marcos, Teksas, në degën e mësuesisë. Lyndon Johnson studionte dhe punonte, madje duke bërë dy punë; pastrues dhe asisten në zyrën e dekanit të kolegjit. I lë studimet për një vit dhe shkoi të punonte në një shkollë fshati, Cotulla, – duke iu dhënë mësim disa fëmijëve meksikanë- ku shumicën e rrogës së tij e shpenzoi duke blerë kënd lojërash dhe mjete mësimore për nxënësit e tij të varfër. Kthehet përsri në Kolegj, dhe diplomohet në vitin 1930, në moshën 21 vjeçare. Mbasi dha mësim për rolin dhe marrëdhëniet me publikun në gjimnazin e Houston, Johnson iu dha mundësia t’i hynte politikës. Deputeti amerikan, Richard Kleberg, një nga pronarët e miliona hektarëve në fermën King, i kërkoi Johnson të shkonte në Washington si sekretari i tij me rrogën $3000 në vit. Nga viti 1932-1935- në muajt e fundit të Administratës së Presidentit Hoover dhe në vite e para të Adminitratës së Roosevelt, Johnson mësoi ekzaktësisht se si funksionte Kongresi. Në një nga vizitat familjare të tij në Teksas, në 1934, Johnson 26 vjeçar u njoh me 20 vjeçaren Claudia Alta Taylor, të cilën familja dhe shoqëria e thërrisnin me përkëdheli, Lady Bird. Mbas dy muaj të njohjes së tyre, më 17 Nëntor 1934, ata u martuan në një ceremony të thjeshtë familjare. Disa vite më pas, me të hollat e trashëguara nga nëna e saj, Znj. Johnson bleu një stacion radiofonik në Austin, Teksas, dhe me aftësi të jashtëzakonëshme për bisnes, ajo arriti të shndërronte investimet e saj në 

një pasuri prej miliona dollarë. Nga ajo martesë ata patën dy vajza. Kur Presidenti Roosevelt themeloi NYA-(National Youth Administration) në vitin 1935, si një program për të mbështetur të rinjtë e papunë të fitonin të holla e të vazhdonin shkollën, Johnson aplikoi për punë në organizmën e sapo krijur. Në moshën 26 vjeçare ai u emërua Administrator i Degës së NYA për Teksas-in,  -një nga drejtorit më të rinj në moshë deri në vitin 1937-ë. Aty për aty ai organizoi projekte, që punësoi dhjetra mijra të rinj. 

1937-1948 Lyndon Johnson zgjidhet Deputet për Teksas-in.

1941-1942 ai shërbeu në mënyrë aktive në Luftën e Dytë Botërore si Leitnant në Ushtrinë e SHBA-ës. 

1949-1960, Senator për Teksas-in, dhe Kryetar i Senatit, 1955-1960.

1961-1963 Zv/President i SHBA-ës.

1963-1969, zgjidhet President i 36-ë i SHBA-ës.

Ndahet nga jeta më 22 Nëntor 1973, në fermën e tij, pranë Johnson City, Teksas.  

Nga Raimonda MOISIU

Author & Freelancer 

Florida USA  

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti i 36, SHBA

NUMËR REKORD I VIKTIMAVE, POR SHPRESA VJEN NGA ULJA E SHTRIMEVE NË SPITALE

April 7, 2020 by dgreca

-SHBA shënoi një rritje prej 27 mijë e 583 të infektuarish(në mbrëmjen e vonshme të së martës shifra totale shkoi 400 mijë mijë e 414), ndërsa të vdekurit për 24 orësh arriti rekordin prej 1 mijë e 877 viktima(në total 12 mijë 854).

  •  Yorku shënoi 731 viktima, duke e cuar numrin e viktimave në 5 mijë e 448, ndërsa të infektuarit u rritën me 6 mijë e 947, duke e çuar shifrën totale 138 mijë e 863. 

                 -Guvernatori apeloi për ruajtjen e distancimit social. Ai paralajmëroi se gjoba për shkelsit nuk do të ishte më $500.00, por $1,000.00.

…… New York-u raportoi me 7 prill numrin më të lartë të vdekjeve njëditore prej COVID-19. Andrew Cuomo njoftoi se shteti regjistroi rritjen e tij më të lartë ditore të Martën, ku shifra ishte 731 vdekje, ndërkohë që shifra totale e viktimave u ngjit në 5,489 vdekje dhe 138.836 infeksione, me rritje 24 orëshe me 6 mijë e 947 të infektuar.”Pas secilit prej atyre numrave është një individ, është një familje, është një nënë, është një baba, është një vëlla, është një motër. Pra, shumë dhimbje përsëri sot…”, tha ai në një konferencë për shtyp në Albany.

         Guvernatori u përball me pyetje rreth një rastit të vdekjes të një burgosuri, që ka ngritur në këmbë opinionin. 

Michael Tyson, 53 vjeç, vdiq në pritje për një seancë dëgjimore për një shkelje jo-kriminale. Ndërsa të hënën, 286 të burgosur dhe 331 punonjës në burgjet e New York City janë testuar pozitive për koronavirusin. Z. Cuomo deri më tani ka urdhëruar lirimin e të paktën 1.100 të burgosurve. Duke iu përgjigjur pyetjeve të martën, një ndihmës i guvernatorit tha që shteti po “vazhdonte të vlerësonte” situatën në burgjet e New York në lidhje me virusin.”

Tyson, nga bashkia e Bronxit në New York, ishte i burgosuri i parë që vdiq nga Covid-19 në Rikers, një nga burgjet më të mëdha të Nju Jorkut.

Guvernatori zbuloi se Nju Jorku, i cili mbetet epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në SH.B.A., përjetoi numrin më të lartë të vdekjeve në një periudhë 24 orëshe midis të hënës dhe të martës. 

Sipas guvernatorit ka sinjale pozitive sepse numri i të shtruarëve është ulur, dhe se numri i pacientëve që iu duhen tuba për të marrë frymë dhe trajtime në pavionin e kujdesit intensiv, ka filluar të ngadalësohet. Ai informoi se departamenti i shëndetësisë ka aprovuar një test të antitrupave për të përcaktuar personat që kanë kontraktuar virusin dhe janë shëruar, dhe që ka të ngjarë të jenë imunë ndaj tij. Cuomo u bëri apel kompanive të sektorit privat që të punojnë me shtetin për të prodhuar testet, sepse ato do të nevojiten në një shkallë masive për të testuar njerëz të mjaftueshëm për t’i rikthyer bizneset vendase dhe shkollat.

Ai shtoi: “Ne duhet të fillojmë të planifikojmë masa për rifillimin e jetës”. Shumë shpejt ne do të prekim dritën…

Guvernatori tha se ai është i angazhuar në diskutime me Guvernatorin e Konektikatit Ned Lamont dhe Guvernatorin e Neë Jersey, Phil Murphy për të ndërtuar strategji rajonale për Treshtetshin.

Cuomo kërkoi respektimin e distancimit social. Ai tha se po planifikon të lëshojë disa urdhra ekzekutiv, duke përfshirë edhe atë që dyfishon gjobat për ata që shkelin distancën sociale, duke rritur gjobën nga 500 në 1.000 dollarë.

Sidoqoftë, guvernatori informoi se mesatarja tre ditore për infeksionet kishte rënë. Gjithësesi, ai paralajmëroi se njujorkezët duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet shëndetësore dhe të ruajnë distancën sociale dhe të qëndrojnë brenda shtëpive.Ai u kërkoi njorkezëve që të shmangnin tubimet e mëdha edhe në festat fetare, veçanërisht tash që po afrohen Pashkët.

BOTA NË SHIFRA- 24 ORË NË LUFTË ME COVID-19

Bota raportoi 78 mijë e 104 të infektuar në 24 orë(në total 1 milion 424 mijë e 140), 7 mijë 235 të vdekur(në total 81 mijë e 889), ndërkohë që janë shërur deri tani 301 mijë e 738 pacientë.

SHBA shënoi 1mijë e 877 të vdekur(numri total 12 mijë e 748), ndërkohë që numri i të shëruarëve arriti në 21 e 674. Franca është sërish e dyta me 1 mijë e 417 të vdekur(numri i përgjithshëm 10 mijë e 328, si dhe 11 mijë e 59 të infektuar të rinj(në total 109 mijë e 69), Britania e Madhe ishte e treta për numrin e viktimave me 786( në total 3 mijë 634), me 3 mijë e 634 të infektuar të rinj(në total 55 mijë e 242), Italia pati më pak të infektuar të rinj, 3 mijë e 39 (në total 135 mijë e 586), ndërkohë që humbi në 24 orë 604 (në total 17 mijë e 127, Spanja humbi 704 pacientë(në total 14 mijë e 45), 5 mijë e 267 të infektuar të rinj( në total 141 mijë e 942) etj…

Në SHBA- New Yorku shënoi 731 viktima, duke e çuar numrin e viktimave në 5 mijë e 448, ndërsa të infektuarit u rritën me 6 mijë e 947, duke e çuar shifrën totale 138 mijë e 863. 

 New Jersey i shtoi edhe 3 mijë e 326 të infektuar në 24 orë, duke e çuar numrin e të infektuarëve në 44 mijë e 416, ndërkohe që vdiqën 229 pacientë në 24 orë duke e çuar numrin e viktimave në 1 mijë e 232.

  Michigani ishte sërish i treti për numrin e viktimave në 24 orë me 118 viktima(në total 845), duke e ruajtë të njëjtën renditje edhe për numrin e  të infektuarëve me 1 mijë e 749 në 24 orë(në total 18 mijë e 970).

Plot 100 të vdekur ka raportua Georgia në 24 orët e fundit(në total 329), ndërkohë që në këtë 24 orësh numri i të infektuarëve u rrit me 1 mijë e 504(numri total 8 mijë e 818).

Massachusetts raportoi për 96 viktima(në total 356), ndërkohë që u shënuan 1 mijë e 365 të infektuar të rinj(në total 15 mijë 202).California raportoi 50 të vdekur plus, Illinois 73, Pennsylvania 61, Connecttcut 71, Loisiana 70 etj.

KOSOVA

Kosova e ka çuar në 184 numrin e të prekurve nga korona virusi dhe në 5 numrin e të vdekurve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike raportoi se janë regjistruar 19 raste të reja të të infektuarve, një prej të cilëve u konfirmuar pas vdekjes.Gjatë ditës së martë u testuan 259 mostra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën e studentëve në Prishtinë. Instituti raportoi: “rastet pozitive janë raste kontakti, shtatë prej tyre me vendbanim në fshatin Smrekonicë të komunës së Vushtrrisë, tre me vendbanim në Prishtinë, dy me vendbanim në fshatin Senik të Malishevës dhe nga një rast në fshatin Llashkadrenovc të Malishevës, Ferizaj, Klinë, Gjakovë, Gjilan, Kamenicë dhe Vushtrri”.Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë shëruar edhe gjashtë pacientë, duke çuar numrin e të shëruarve në 30.

SHQIPËRIA, VËMENDJA KALON NË SHKODËR

Zëri i Amerikës raportoi të martën se : Rritja e papritur e rasteve me COVID-19 në Shkodër ka vënë në alarm si strukturat vendore ashtu edhe ato qendrore, të cilat po kërkojnë shtimin e masave të shpejta dhe efikase për ndërprejen e zinxhirit të transmetimit të virusit dhe distancimin fizik të qytetarëve, sidomos nga vatrat ku është shfaqur COVID-19. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pas një bisede telefonike që zhvilloi një ditë më parë me prefektin dhe kryetaren e bashkisë, ishte sot në Shkodër për tu njohur nga afër me gjendjen dhe për të nxitur strukturat vendore për më shumë bashkëpunim në përpjekjet për mospërhapjen e mëtejshme të virusit. 

Gjatë ditëve të para të prillit, numri i të prekurve në Shkodër u rrit disa herë, pas pjesëmarrjes së shumë qytetarëve në një ceremoni varrimi. Për pasojë, numri i të infektuarve arriti në 44, ndërsa një grua 80 vjeçare humbi jetën. Kjo e ka renditur Shkodrën në vendin e dytë, pas Tiranës, për nga numri i lartë i të prekurve nga COVID-19. 

Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave civile, në sajë të një hetimi të shpejtë epidemiologjik, janë identifikuar tre vatra të kuqe me COVID-19 ku janë prekur 43 persona, pjesëtarë kryesisht të dy familjeve dhe të afërm të tyre, të cilët banojnë në lagjet periferike, në Dobraç dhe Kiras. Gjatë ditës së djeshme, janë dërguar në Tiranë edhe 15 mostra të tjera nga vatrat infeksonit, nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me COVID-19. Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, përsëriti kërkesën për shtimin e numrit të testeve si masë, sipas saj, e efektshme për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit në qytet si dhe mbështejen e qeverisë për banorët e Shkodrës.Në Shkodër shkoi edhe Presidenti Ilir Meta.

Filed Under: Featured Tagged With: SHBA

PËR AMERIKANËT PO TROKET JAVA MË E VËSHTIRË, MË E TRISHTUAR

April 5, 2020 by dgreca

  • Zëvendës Admirali Jerome Adams e krahasoi javën e ardhshme me një Pearl Harbour ose me momentin e 11 shtatorit, duke thënë në “Fox News Sunday” që do të ishte “java më e vështirë dhe më e trishtuar në jetën e shumicës së amerikanëve”.
  • Lufta kundër koronavirusit në SHBA hyn në javën e provës pasi numri i të infektuarëve kaloi  336 mijë e 673 të infektuar dhe me 9 mijë e 616 viktima –

             Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër koronavirusit, paralajmëruan zyrtarët shëndetësorë, të cilët po u bëjnë thirrje amerikanëve të vazhdojnë të praktikojnë masa të rrepta për distancimin shoqëror.

“Ky është momenti i vështirë, që ju dikton të mos shkoni në dyqane ushqimesh, të mos shkoni në farmaci, por të bëni gjithçka që mundeni për të mbajtur të sigurt familjen dhe miqtë tuaj”, tha Dr. Deborah Birx, koordinatorja përgjigjese për koronavirusin në Shtëpinë së Bardhë. 

Të Dielën, numri i çështjeve në mbarë vendin u ngjit në të paktën 336 mijë e 673, me të paktën 9 mije 616 të vdekur, sipas të dhënave të regjistruara nga Universiteti Johns Hopkins. Nga këto vdekje,1.344 u raportuan të Shtunën (numri më i madh i viktimave në një ditë të vetme), ndërsa të Dielën shfra ishte pak më e ulët, 1,165.

Me numrin e rasteve të infektuar që vazhdojnë të rriten, Presidenti Donald Trump ofroi një tablo të zymtë të asaj që do të vijë, duke u thënë amerikanëve, “Do të ketë shumë vdekje”!

Zëvendës Admirali Jerome Adams, e krahasoi javën e ardhshme me një Pearl Harbour ose me momentin e 11 shtatorit, duke thënë në “Fox News Sunday” që do të ishte “java më e vështirë dhe më e trishtuar në jetën e shumicës së amerikanëve”.

Ndërkohë, duke u shfaqur të Dielën në “Face the Nation” të CBS, “Dr. Anthony Fauci nga Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive e pranoi se” do të ishte një deklaratë e rremë “për të thënë që SH.B.A. ka pandeminë nën kontroll.

“Ne po mundohemi ta marrim atë nën kontroll,” tha Fauci.

Fauci këmbënguli në rëndësinë e masave për distancimin shoqëror. 

Departamenti i Shëndetit në Boston lëshoi ​​të Dielën një urdhër- këshillë për shëndetin publik duke rekomanduar banorët – me përjashtim të atyre që konsiderohen punëtorë thelbësorë – të qëndrojnë në shtëpi nga 9 p.m. në orën 6 të mëngjesit, duke filluar nga e hëna, tha kryebashkiaku Marty Walsh.

Tash po udhëzohen qytetarët mundësisht të mbulojnë edhe fytyrën kur janë në publik, një masë që përputhet me rekomandimin e lëshuar të Premten nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse presidenti Trump pat theksuar se rekomandimi ishte vullnetar.

“Nëse nuk pajtoheni me mua ose nuk më besoni mua ose guvernatorin ose dikë tjetër, thjesht ndizni TV”, tha Walsh- “Shikoni se si një numër i madh amerikanësh janë duke humbur jetën çdo ditë ndaj këtij virusi.”

     ***

Bill Gates e quan pandeminë koronavirus një “skenar makthi”, por parashikon numër më të ulët të vdekjeve sesa Trump.

 Bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates e quajti pandeminë e koronavirusit një “skenar makthi”.

 Sidoqoftë, ai parashikoi që Sh.B.A mund të përjetojë më pak se 100,000 deri 240,000 vdekje nga COVID-19, sa ç’ka parashikuar Shtëpia e Bardhë, para se shpërthimi të vihet nën kontroll.

 Gates tha nëse njerëzit vazhdojmë të praktikojmë distancën e sigurt sociale dhe të mbetemi në karantinë, rastet e COVID-19 duhet të përmirësohen deri në fund të këtij muaji.

 Pandemia e koronavirusit është një “skenar makthi”.

  “Nëse e bëjmë distancimin shoqëror siç duhet, ne duhet të jemi në gjendje të dalim nga kjo situatë me një numër më të pakët” tha Gates për Chris Wallace në Fox News të Dielën. 

 Gates, i cili dha dorëheqjen nga bordi i Microsoft për t’u përqëndruar në përpjekjet e tij filantropike, tha se nëse njerëzit vazhdojnë të praktikojnë distanca të sigurta sociale dhe të mbeten në karantinë, çështjet duhet të fillojnë të përfundojnë deri në fund të këtij muaji.

24 ORËT E FUNDIT TË LUFTËS ME COVID-19

Bota regjistroi në 24 orët e fundit edhe 71 mijë e 377 të infektuar duke u ngjitur në shifrën totale 1 milion e 272 mijë e 860, ndërkohë që vdiqën 4 mijë e 734 pacientë, që ishin në gjendje kritike, duke e ngjitur shifrën totale të viktimave 69 mijë e 424, me një risk në rritje të pacientëve që janë në gjendje kritike, janë jo pak por 45 mijë e 619, kontigjenet për viktima në 24 orët e ardhshme.

SHBA vijon të të jetë në krye duke e rritur shifrën e të infektuarëve edhe me 25 mijë e 316 në 24 orët që kaluan, gjithsej 336 mijë e 673, ndërsa u shënuan për 24 orë 1,165 viktima, duke e çuar numrin e vdekjeve në 9 mijë 616.

 Italia ka pasë numrin më të pakët të infektuarëve në 24 orët e kaluara, si dhe numër më të vogël të viktimave, krahasuar me të gjitha ditët e dy javëve të fundit.

 Edhe Spanja shënoi shifra më të ulta në këtë 24 orë, duke shënuar 5 mijë 478 të infektuar,621 viktima. 

Në Shtetet e Bashkuara epidemia po godet ashpër New York-un, që sot raportoi edhe 8 mijë 243 të infektuar, duke arritur shifrën e 123 mijë e 18 të infektuar, ndërsa me 594 të vdekur në 24 orët e fundit, duke qenë në krye të shteteve me 4 mijë e 159 viktima në total. New Jersey edhe në këtë 24 orësh ishte në ndjekje të fqinjit të vet, me 3mije e 381 të infektuar dhe me 71 viktima të reja, duke shënuar në total 917 të vdekur, i ndjekur nga Michigan me 617 viktima, Lousiana me 477, California me 347, Washingtoni me 338, Illinoisi me 274, Florida me 221, etj.

Pergatiti:Dalip Greca

Filed Under: Analiza Tagged With: SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT