Liceu i Jezuitëve në Shkodër do të japë bursa studimi për t’i ndihmuar ekonomikisht nxënësit më nevojtarë. Nisma, që u bë e njohur këto ditë, do të mbështetet prej një projekti ad hoc, nga Fondacioni Magis. Liceu Atë Pjetër Meshkalla është institucion edukativ i mirënjohur në veri të Shqipërisë. Vijon me sukses traditën e Kolegjës së famshme Saveriane, themeluar nga jezuitët, në Shkodër, në vitin 1877, që u bë menjëherë e njohur si një nga shkollat më serioze e më autoritare në rajon. Për dhjetra vjet, në klasat e kësaj Kolegje u formua elita e intelektualëve të Ballkanit. E mbyllur më 1945 nga autoritetet komuniste, i rihapi dyert më 1994. Për këtë Shkollë të ndritur, u zgjodh edhe një emër i ndritur: u pagëzua me emrin Atë Pjetër Meshkalla, jezuit, simbol i rezistencës së klerit katolik shqiptar, që guxoi t’i kundërvihej ballë për ballë diktaturës.Sot liceu u jep formim serioz.të rinjve e të rejave ardhur nga e gjithë Shqipëria, Falë tij, nxënësit mund t’i vijojnë më lart studimet, si në universitetet e Shqipërisë, ashtu edhe të ato të vendeve më të përparuara të botës. Por jo më pak, mund të merren edhe me punë të ndryshme. Shumica e nxënësve, myslimanë e të krishterë, vijnë nga zonat fushore e malore.
Për t’i hapur portat një numri sa më të madh nxënësish, shkolla kërkon pagesë shumë të ulët. Megjithatë, shpesh herë, familjet që jetojnë me bujqësi e blegtori, nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë. Pagat mujore të zyrtarëve arrijnë në rreth 400 euro në muaj, ndërsa në sektorin privat nuk e kalojnë shumën 160 euro në muaj. Në një vend me çmime evropiane! Shteti jep disa bursa studimi, por vetëm për nxënësit e shkollave publike. Kështu drejtoria e Liceut Atë Pjetër Meshkalla vendosi të ketë edhe ajo bursat e veta të studimit: 125 familje do të përfitojnë mbështetje të plotë; 64, një pjesë të kuotës shkollore vjetore.
Projekti parashikon edhe krjimin e një regjistri elektronik, në mënyrë që të mund të komunikojë drejtpërdrejt me prindërit për problemet e ndryshme të nxënësve. Regjistri do të ndihmojë pikërisht prindërit, që kanë vështirësi të lidhen vazhdimisht me shkollën.