– Një Kuran në gjuhën arabe/
– Një libër lutjesh në osmanisht/
– që të dy vlerësuar lart nga orientalistët si të përsosur gjuhësisht dhe të një kaligrafie model/
Nga Shpend Sollku Noé/
Kur hordhitë e rinisë së kuqe të shkurtit të 1967-ës rendën të përdhosnin, shktatërronin e digjnin instituzionet fetare, Hyrì Sollakut – xhò Hyria e thirrur me shumë respekt nga beratasit – nuk i kishte shkuar ndërmend që kishin për të mësyrë edhe shtëpinë e tyre në kodrën poshtë Bregut, përballë Biftës, në Berat. Ajo, e veja e Hafëz Xhelalit, nuk besonte që, pasi kishin mbyllur e plaçkitur xhami, kisha, teqe apo vakëfe, ata do të kishin vënë shënjestër edhe shtëpitë e shërbyesve të fesë.
Ishte akoma java kur Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë, teksa ajo bandë të rinjsh ia mbërriti përpara portës së Sollakëve. Ashtu si edhe tek insitucionet fetare, ata kërkuan të sekuestrojnë bilbiotekën e Hafëzit. Sikur ta kish nuhatur që më parë, xhò Hyria i kish fshehur më të çmuarit e librave poshtë sofasë ku, në vitet e pleqerisë së thellë (ajo jetoi pothuaj një shekull), rrinte dhe kundronte ecejaket e lagjes përballë, në të cilën kishte edhe shtëpinë e vajzës së vetme – Madè. Sofaja ishte e gjatë sa edhe faqja e murit të përbërë kryesisht prej pesë dritaresh të njëpasnjëshme. Ajo e kish parë atë grup të hakërryer të kalonte mbi urën e përroit, përtej të cilës niste ngjitja drejt shtëpisë së tyre. Por nuk ia donte mendja që do t’i binin me grushte edhe portës së saj.
Pa ndonjë urdhër nga prokuroria, ata u futën për kontroll në shtëpi, dhe dretpërdrejt tek biblioteka e Hafëzit. Ishte e pasur, me libra të rrallë, shumë të vjetër, një thesar i vërtetë, kryesisht në gjuhët që kish pasë njohur hafëz Xhelali: shqip, persisht, osmanisht, arabisht e turqisht. Pjesa dërmuese ishin blerë prej tij që kur kish qenë student në Izmir, por edhe më vonë, gjatë udhëtimeve për në Mekë. Në atë bibliotekë gjendeshin edhe shumë dorëshkrime të tij, punë e një jete, të filluar që në kohën kur vazhdonte medresenë.
Gjithçka gjetën harbutërit e rinj e hodhën në oborr. Dikush prej tyre, djalë i lagjes, që u paraqit si sekretar i rinisë, kish marrë me vete edhe një shishe me benzinë. Spërkati nëpërmejt saj pirgun e librave dhe i vuri flakën.
Ndërkaq Hyrì Sollaku, me lotë në sy, ish ngritur nga sofaja, dhe, pa e përmbajtur dot veten, u kish thënë: Ju deshët të shkelmonit zotin, por ato libra që po digjni nuk flisnin vetëm për të. Cili prej jush ia lejon padituria të kuptojë se ç’thuhet në ato fletë?
Kaq u desh që ata të riktheheshin edhe njëherë brenda shtëpisë. Më të egërsuar se herën e parë. Njëri prej tyre, nëpërmjet baxhasë, futi duart edhe mbi e nën çati. Një tjetër arriti të gjente edhe librat e çmuar poshtë sofasë. Edhe kjo plaçkitje përfundoi në zjarrin e madh që tashmë bubullinte e kërciste në oborr. Pasi u siguruan që librat nuk munt t’i shpëtonin më zjarrit, hordhia e të rinjve mori tëposhtë, për t’i vënë zjarrin ndonjë pasurie tjetër të paçmuar.
E veja e Hafëzit nxitoi të shuante zjarrin me të vetmin mjet që mund të përdorte: ujin. Prej gjithë atij pirgu diturie arriti të shpëtojë, edhe pse të dëmtuar, vetëm dy prej dorëshkrimeve të të shoqit: Kuranin në arabisht dhe Librin e Lutjeve në osmanisht.
Sapo gjeti rastin, që të dy këto libra i dërgoi me njeri të besuar tek e bija Madè, në lagjen përballë. Madeja i fsheu me xhelozi në tavanin e shtëpisë së saj. Herë pas here, nëpërmejt kapanxhës, ngjitej atje i vetmi njeri i shtëpisë të cilës e bija e hafëzit ia kishte besuar sekretin: mbesa Entela.
Këto dy libra e panë dritën e diellit vetëm pas 1990-ës. Fatin e tyre Madé Braçe ia besoi Entelës, me prosinë që t’i ruante si sytë e ballit. Ajo i mori në Itali që ditën e emigrimit të saj për atje. Qoftë kuranin, qoftë Librin e Lutjeve, i kam ekzaminuar personalisht, i kemi digitalizuar në familjen time, dhe, në mirëkuptim me kushërirën Entela (Dedé ka qenë halla ime) po presim që të gjejmë ndonjë muze të përshtashëm për t’i ekspozuar përgjithmonë, sipas një protokolli serioz.
Minivitae i Hafëz Xhelal Sollakut, me shpjegime të shkurtra rreth dorëshkrimeve të Kuranit dhe të librit të Lutjeve.
Ky Kuran në arabisht, foton nga brendësia e të cilit po ju paraqes, është dorëshkrim nga gjyshi im i Beratit, Hafëz Xhelali, shkruar kur ai vazhdonte Medresenë në Izmir. Aty kish mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, që i dhanë edhe titullin “Hafëz” menjëherë me diplomën. Ky titull u jepej vetëm atyre që e dinin Kuranin përmendsh. Specialistët, që më ndihmuan më këto hollësira, thonë që ky dorëskrim është i një kaligrafie tipike arabe dhe i një cilësie të mrekullueshme të të shkruarit. Lulet dhe pikat e verdha janë prej ari. Libri është shkruar diku para 1890-ës.
Hafëz Xhelali ka qenë mëngjërash (sollaks), pra shkruante me dorën e majtë. Prej tij kemi trashëguar edhe mbiemrin Sollaku.
Xhelal Xhelali – Sollaku, më mirë i njohur si Hafëz Xhelali, kish lindur në Berat, më 11 prill 1870. Ka qenë një orientalist i përmendur beratas i kohës së tij, kryesisht për fenë islame. Siç është përmendur më sipër, ai kish kryer medresenë sunite të Izmirit. Deri vonë në shtëpinë e tij gjendeshin libra të shumtë, të vëllimshëm e me shumë vlerë, shumë syresh edhe antikë. Disa prej tyre i kish shkruar vetë. Ai shkruante shqip, persisht, arabisht e osmanisht e turqisht. Sot gjenden të shpëtuar vetëm dy prej tyre, Kurani dhe një Libër Lutjesh. Të dy të shkruar me dorën e tij. Sipas specialistë të Islamit, por edhe atyre laikë, që të dy këta libra janë të një vlere të pallogaritshme historike e kulturore, jo vetëm për fenë Islame, por për gjithë trashëgiminë e kulturës shqiptare. Libri i parë është një dorëshkrim i mirëfilltë, i shkruajtur në një arabishte të pastër, me një kaligrafi të mrekullueshme, perfekte, të gjuhës në fjalë. Ky libër ka tërhequr vëmendjen sidomos të studiuesve të rinj në Shqipëri.
Hafëz Xhelali kish qenë mëngjërash edhe kur punonte, jo vetëm kur shkruante. Atij ia kishin harruar mbiemrin në Berat. Për të gjithë ia kish qenë gjithmonë i shumërespektuari Hafëz Xhelali. Aq e vërtetë është kjo, saqë, kur u bë regjistrimi i popullsisë, asnjërit nuk iu kujtua mbiemri i tij. Vetë hafëzi ishte në Mekë. Atëherë, siç ndodhte rëndom në ato kohëra, thërriteshin në ndihmë zanatet apo nofkat. Për Xhelalin të tërë u kujtuan që ishte sollaks, prandaj e regjistruan me mbiemrin Sollaku. Pas tij e gjithë familja dhe zhvillimi i saj trashëgoi këtë mbiemër. Shumë orientaliste të rinj të mëvonshëm janë orientuar apo kanë marrë mësime prej tij. Një emër mbi të gjithë, i riu Vexhi Buharaja, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e hershme familjare.
Thesari i dytë i shpëtuar zjarrit të të kuqve është Libri i lutjeve – “Dua”. Edhe ky libër është dorëshkrim i shkruajtur në osmanisht, por, siç ma konfirmon edhe miku Genc Çurgu, ka në brendësi edhe disa faqe në arabisht, të evidencuara me korniza të kuqe, ashtu siç bën Hafëzi edhe tek libri tjetër i tij i sipërpërmendur. Ndryshe nga Kurani që është riprodhuar përmendsh, po pa asnjë grimcë të ndryshuar, libri i lutjeve është krijesë e vetë Hafëzit. Që të dy këta libra dëshmojnë saktë vlerën shumëpalëshe të autorit të tyre.
Hafëz Xhelali ka qenë nga kundërshtarët e parë të komunistizimit të Shqipërisë. Ai u nda nga kjo botë më 20 Shtator 1942, nga një vdekje e papritur në rrethana misterioze. Xhò Hyria e kujtonte gjithmonë vdekjen e tij si eventin më të beftë të botës: Një mollë ishte, e bukur dhe e fortë, që bie prej degës papritur. Asnjë krimb sëmundjeje nuk e kish brerë më parë. Erdhi në shtëpi si gjithmonë, me misterin e zoti në sy. E piva kavenë tek… më tha. Dhe u mbështet mbi sofà si për të pushuar pak, me vështrimin nga Meka.