• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Filius hostis ose i biri i armikut”- Një afresk dramatik….

December 5, 2020 by dgreca

 “Filius hostis ose i biri i armikut”- shkrimtari Shpend Sollaku Noé- Një afresk dramatik….  

Kritikja dhe editorja T. Frattini rreth romanit “Filius Hostis ovvero il figlio del nemico” (“Filius Hostis apo i biri i armikut”)të Shpend Sollaku Noè-së , të porsabotuar në Romë

 Një afresk dramatik mbi mbi rininë e djegur në komunizëm, mbi raportin ndërmjet autoritetit shtetëror dhe individit, midis pushtetit dhespotik dhe lirisë intelektuale/

Shkruan: Tatiana Frattini-

Nëpërmejt romanit “Filius hostis ose I biri i armikut”  shkrimtari Shpend Sollaku Noé ofron një afresk dramatik rreth fatit të paracaktuar të rinisë me të ardhme të djegur në diktaturat e kuqe të Europës Lindore.  

Një pjesë e madhe e konfliktit, e vështruar ne sytë e një ushtari, zhvillohet mbi një ishull të fortifikuar, vend në të cilin regjimi dërgontë të rinjtë marinarë dhe kambale për të pësuar dhimbjet e dreqedjallit. 

Një pjese të tyre – studentë të shkëlqyer në shkollat e mesme – i ishte mohuar e drejta për të studiuar në universitete, privilegj ky i bijve të nomenklaturës, që duhet të formonin të ardhmen e elitë së kuqe. 

Programe ushtarakë rigorozë, të regjur në propagandë komuniste dhe ambienti i ashpër e jomiqësor, në vend që t’i brumosin djemtë sipas mësimeve të marksizmit, shtyn një pjesë të mirë të tyre drejt vesit, frikës e të pacipërisë. Në sfond të përhershëm –  fati i atdheut të trishtuar, pre i luftës së ftohtë dhe i të pamëshirshmes luftë të klasave.

Gjithçka që paraqitet në këtë vepër të rëndësishme letrare është përjetuar nga autori në vetë të parë, sigurisht e trasformuar në laboratorin krijues. Në qendër të romanit – të rinj beratas. Ngjarjet zhvillohen sidomos në Berat e Sazan, por edhe në Sarandë, Durrë e Vlorë, në fillimin e viteve ‘80.

“Filius hostis – I biri i armikut” bën pjesë në oktalogjinë e romaneve “Bij të Saturnit” tashmë të shkruajtur në italisht nga Shpend Sollaku Noé, që vazhdon gradualisht të shohë dritën e botimit.

Kjo vepër madhore është frymëzuar në ngjarje realisht të ndodhura në më shumë se pesëdhjetë vite dramatike të të shkuarës së afërt të Evropës, duke filluar me Ligjet Raciale të viteve 1938-s për të vazhduar më pas me dikaturat komuniste e më tej. Skena, konflikti dhe personazhet në vazhdim shtrihen nëpër botë, nga Kriza e Kubës (1962) deri në Recesionin botëror te filluar në vitin 2008. Titujt e romaneve të oktalogjisë “Bij të Saturnit” janë: “I treni persi di Atzel Brauner”, “Il pero fiorì a dicembre”, “Filius hostis”, “Il Gancio”, “Scorpius”, “Cavie”, “Walscher”, “Gerda T. nelle braccia dei tre fiumi”. Secili prej këtyre romaneve ka një jetë të tijën, të pavarur, edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Filius hostis, Shpend Sollaku Noe', Tatiana Frattini

SOFRA E DIELLIT- Fabio Strinati per Shpend Sollaku Noè-në

August 23, 2020 by dgreca

MONTE KORAB-

Shpend Sollaku Noé–

S’affollano le nubi in cima

al Monte Korab; nel vento tiepido,

passeggiano gli odori

lungo l’immenso

all’ombra d’un temporale

innamorato. Esplode

in un ricamo, il tuono,

poetica visione; tutt’intorno,

erbe accoccolate sul ciglio

d’una flora alpina.

FABIO STRINATI

Mali Korab

      Shpend Sollaku Noè-së

Turmëzohen retë në majën

e Korabit; Në flladin e ngrohtë

shëtisin aromat

përgjatë të Pamasës

nën sqetullën e një stuhije të dashuruar. Shpërthen

në një qëndisje vetëtima,

vegim poezie githçka përreth

barishte kruspull nën vetullën

e florës alpine. 

FABIO STRINATI

Përktheu E.Salla

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fabio Strinati, Korabi, Shpend Sollaku Noe'

DAJË ZAKU – MYRTEZA DROGU DHE NJË ËNDËR E MUROSUR

June 14, 2020 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noè*/

Kur të mbroje ligjin konsiderohej nder/

Rasti sjell jo rrallë edhe në zbulime të rëndësishme, sidomos shpirtërore, pse jo edhe historike. Kështu ndodhi pas botimit tek grupi FB Lushnje Undergruond i një fotoje esklusive të tragjedianit të madh shqiptar Et’hem Haxhiademi. Ai kish dalë, një ditë të largët të vitit 1928, para Nëprefekturës së at’hershme të Lushnjes, në mes të dy xhandarëve. Portreti Haxhiademit tashmë  është i njohur nga çdo shqiptar me sadopak kulturë. Dy të tjerët në foton e sipërpërmendur për mua dhe frekuentuesit e shumtë të atij grupi ishin krejt të panjohur. Të paktën deri tek arritja e një mesazhi nga Fatbardha Drogu Sefa: “Shpend, ai majtas tragjedianit është babai im, Myrteza Drogu! Kam edhe foto të tjera të asaj kohe. Është ai, pa dyshim!”

   “Ai është dajë Zaku!?”- i them. Mua më mbërthejnë emocionet. Myrteza Drogu është daja i mamasë time, Shadies. Unë nuk kisha sesi ta mbaja mend. Ai kish ikur nga kjo botë kur isha vetëm dy vjeç. Atë figurë fisnore, sidoqoaftë, e kisha të gozhduar në mendje si nga më të rëndësishmet e fisit. Nëna ime e kishte pasë dashur shumë dhe e përmendte shpesh dajën e vet. Edhe fëmijët e tij për ne ishin vëllezër e motra të vërteta, të pranishëm të përhershmëm në jetët tona deri sot e kësaj dite.

Myrteza Drogu kish studiuar në Itali. Kish marrë mësime në jurisprudencë dhe ekonomi, i kish përforcuar e thelluar ato me qëllimnin e përdorimit të dijeve në fushën e rendit.

Si shumë bashkëkohës të tij edhe ai nuk mbeti në Itali. Magneti i Shqipërisë tërhiqte fort rreth vetes. Të panumërt  shembujt e intelektualëve – artistë, shkrimtarë e specialistë – që u kthyen për të forcuar shtetin e ri shqiptar.

Shteti kish nevojë në konsolidimin e forcave të rendit me njerëz të ditur dhe të përkushtuar.

Myrteza Drogu e pranoi me entuziazëm emërimin si Komandant Xhandarmërie në Kolonjën e at’hershme të Myzeqesë, qendër e rëndësishme e zonës. Aty, si edhe më pas, në Lushnje – siç e risjell fotoja me Haxhiademin – rezultatet qenë të shkëlqyera, deri në shifrat më të ulëta të kriminalitetit ordiner në rang vendi. Dhe këtu mos më sillni shembujt e myzeqarëve të butë, pasi ato janë vetëm barcaleta. Ndërkaq myzeqarët, lushnjarët në veçanti, hynin e dilnin në Itali pa asnjë lloj pengese, të mbështetur nga një administaratë e efektshme. Pronat dhe aktiviteti i tyre tregtar ishte i mbrojtur nga zbatimi i fortë i ligjit – liri veprimi që solli në ato vite një bum të vërtetë në ekonominë lushnjarë dhe në Myzeqenë përreth.

Eh, Dajë Zaku. Ime më të kujtonte shpesh, dhe mburrej që pajën për t’u martuar në Berat ia kishe falur ti, të gjithë të blerë në Itali, mëndafsh e ar, qëndisur me dorë dhe materiale të tilla që mbijetuan deri në ditët e sotme. Kishe shkuar posaçërisht në Bari për t’ia blerë.

Dajë Zaku – Myrteza Drogu i lindur dhe i rritur në Krujë, trapiantuar në Lushnje për dashurinë ndaj punës e njerëzve të tij.

Andej, nga krutanët.

Kështu cilësohej pjesa e lagjes Teqe në Lushnje, kur duhej të merrje një drejtim apo të të adresonin për diku. 

Krutanët e parë në Lushnje qenë Myjët, në fillim të shekullit të kaluar.

Shaban Myja, babai i nënës time, ka një histori që meriton vëmendje të vetën. Ai ishte pinjoll  i një familjeje të lashtë krutane  me tradita bektashiane. Familja e gjyshit u detyrua  të transferohej larg qytetit të Kastriotëve për diçka që në ato kohëra u quajt hasmëri, por që, në dritën e hulumtimeve të mëvonshme, mori gjithmonë e më shumë kontorne politike. Myjat kanë qenë latifondistë. Familja e tyre kish përkrahur pa rezerva, me forza njerëzore dhe ekonomike, lëvizjen për pavarësinë nga Turqia. Kjo përkrahje ish bërë edhe shkaku që gjysh Shabanit tʼi bëhej atentat nga një proturk i paguar prej pushtuesit. Në çastin e atentatit Shaban Myja ishte i shoqëruar nga një kushëri i tij me mbiemrin Kaçaçi, edhe ai ndër përkrahësit e Pavarësisë. (Nipi i Shabanit- avokati Mustafa Kaçaçi, më vonë u bë figurë e spikatur e Luftës së Dytë në Shqipëri. Ai u shpall, pas vrasjes në Krujë, «Hero i Popullit»). Me të ishte dhe një krutan i tretë, njeri i besuar.

Kur mercenari krutan, mes pazarit të Krujës, kërkoi të zbrazë armën kundër Shaban Myjës, kushëriri Kaçaçi ish tregur më i shkathët: qëllon atentatorin dhe e lë të vrarë. Shabani dhe dy të tjerët shpallen të kërkuar prej administratës turkoshake. Kaçaçi dhe i pranishmi i tretë largohen me emra të rremë për në Turqi. Gyshi im, përkundrazi, nuk deshi të braktisë Shqipërinë.

Familja e tij u trasferua në Lushnje, aso kohe një qytet i vogël, i papreferuar, në të cilin menduan të maskoheshin duke ndërruar edhe mbiemrin nga Myja në Kruja.

Në ato vite Lushnja, nga banorët e tjerë të Shqipërisë, konsiderohej vend i izoluar, pranë kënetës, me njerëz të mirë, prandaj mund të quhej një vend i sigurtë për të përndjekurit. Lagjia në të cilën u vendosën Myjët në Lushnje ishte periferike. Në rast bastisjeje, që prej shtëpisë së tyre mund të largoheshin në kodrat përreth me shpejtësi. Me ardhjen e tyre në atë qytet nisi edhe këmbimi i mbiemrit nga Myja në Kruja.

Ata u përshtatën mirë me vendasit që në fillim, duke u bërë miq shtëpie me Sefët, Haxhinjtë, Xhafët e të tjerë, më vonë të konsoliduar edhe me anë krushqirash.

Kolonia e krutanëve të Lushnjes u konsolidua sidomos pas ardhjes në këtë qytet të Myrteza Drogut. Ai  ndoqi pas Myjët për të mos i lënë vetëm përballë një hakmarrjeje të mundshme. Edhe emërimi i tij në Lushnje është  bërë sipas kërkesës së vetë Myrtezait në administraën qendrore të kohës. Në Krujë mbeti vëllai tij, babai i Teqesë Islami, të cilit sot i kushtohet Turbja e ringritur në Krujë. Nëpërmjet të bijës së babait të teqesë, Zyrasë, apo Syrit, siç e thërrisnim ne, krutanët e Lushnjes i mbajtën të gjalla lidhjet me Krujën. Një ndër të paktat foto të Islam Drogut, m’u soll prej mbesës së tij, Dhurata Qesja Osmënaj, që sot jeton në Vlorë. 

Krutanët  e Lushnjes nisën të merren me aktivitet që i menduan më të mundshme për të mbijetuar: hapën bujtina, klube e restorante. Ndërsa burrat merreshin me këto lloj aktivitetesh, gratë ndërkaq kishin hapur shërbimin e punës së dorës, sidomos, të qepjes së jorganëve dhe dyshekëve, që shpuri në një zëvendësim të shpejtë të rrogozave nga një pjesë e mirë e popullsisë vendase. Brezi i ri i krutanëve. i lindur në Lushnje, u integrua më së miri në shoqërinë vendase, u arësimua brenda kushteve të mëvonshme, dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, sidomos në arësimin, artin, letersinë dhe mjekësinë lushnjare, pse jo edhe në artizanatin e saj.

Ajo shtëpi mbi gronë

Në zonën e krutanëve kam kaluar një pjesë të fëmijërisë. Isha i lidhur më atë ambient jo vetëm sepse atje kisha dajë Hajdarin, teze Xhemilen dhe hallë Bulen, të shoqen e dajë Zakut. Atje kisha shumë moshatarë apo afër moshës time, duke filluar që nga fëmijët e dajave Xhemali, Shqiponja, Fatimeja, Eduarti, Mirela, Rezana, Mimoza deri tek Shpëtimi i tezes apo Çimi i Bules. Të tjerët, Dashnori, Shabani, Fatimeja, Kija, Hyseni, Alushi, Mustafai, Lumturia, Fatbardha, Begatori e Natasha, ishin me moshë më të diferencuar prej nesh, por kjo nuk na pengoi aspak të ruanim deri tani një miqësi të ngrohtë vëllazërore.

Luanim sidomos dokër, katipiti, polic-hajduti, kush e ka, orthi minorthi, Bëzzz!. Vraponim gjithë ditën, fshiheshim rishfaqeshim, qeshnim e ulërinim aq sa na e mbante gërmazi. Kodra, grona, shpella e prrocka ishin skena e spektakleve tona të mahnitshme, shoqëruar shpesh nga kënga e peligorgave, në qetësinë fantastike kur duhej të fshiheshim.

Kjo ishte zona e krutanëve. Me ne përzjeheshin edhe fëmijë e shtëpive përreth me të cilët na lidhte sinqeriteti dhe miqësia e pakushtëzuar. Një lagje e mrekullueshme, ndoshta e pagjendshme asgjëkund. Për të arritur atje, shpesh, pas mbarimit të mësimeve, ia jepja vrapit, nga lagjia ku kishim shtëpinë deri atje. Për t’u shfryrë me të gjitha forcat.

Pa dyshim vendi më ideal për të luajtur ishte ai përballë gronës së madhe. Kështu e quanim vendin mbi të cilin ngrihej shtëpia e Dajë Zakut.

E parë nga poshtë – një shembëlltyrë kështjelle. Një ambient i brishtë, plot lule e pemë, me një hije të këndshme si askund, gjatë vapës së madhe. Përreth saj nuk më harrohen rrushtë, shegët, fiqtë dhe hinxat. Dhe frika se mos bije poshtë nga grona, siç i thoshim thepisjes nën oborrin e shtëpisë.

Ajo rrugicë e ngushtë që shërbente për të çuar tek Drogët, i ndante ata nga një kopësht tjetër i habitshëm, ai i Koduzëve, i mbetur në mendjen time me pemë të larta, sidomos ullinj, por edhe sepse prej atij kopshti të pakufishëm ne fëmijët kuptonim ardhjen e vërtetë të pranverës: atje çelnin për herë të parë manushaqet.

Në fund të asaj rruge- shtëpia e një tjetër personazhi të rrallë të fëmijërisë time: Rakip Kurti – dibrani i mënçur e zemërmadh, burri i tezes time Mile. Nuk e di sepse s’më hiqet nga mendja e dhe një qen i madh i xha Rakipit, që quhej Lule. Lulen ne e kishim frikë, edhe pse nuk na kishte sulmuar ndonjeherë. Ajo i ngjante shumë, të paktën nga madhësia, një San Bernardo-je, si ai i filmit “Beethoven”. Mbase ka qene i racës Deltar Ilir, sjellë nga i miri Rakip Kurti prej Dibre, ku edhe kjo racë ka qenë dhe është mjaft e përhapur. Mbase.

Mbi këtë skenar e kam inkuadruar gjithmonë shtëpinë e dajë Zakut.

Mbizotëruese e gjithë kësaj zone të përshkuar më sipër. Me pyetjet e pashmangshme të fëmijërisë time: Pse kaq lart, pse kaq imponusese, pse në një vend kaq të mbrojtur?

Tanimë jam në gjendje t’i jap përgjigje jo vetëm atyre pyetjeve spontane.

I gjej ato përgjigje tek përmbysja e jetës së Myrteza Drogut pas 1944. Ajo që kish qenë virtyt para atij viti nisi të quhej ves dhe krim. Ish komandanti i rendit përfundoi magazinier, në një depo të rezikshme që mund t’i merrte jetën nga çasti në çast.

Djali i tij i madh, Begatori, si dhe mbesa e tij, nëna ime Shadia, kujtojnë se, deri ne vitin 1959, kur dha shpirt i pezmatuar nga një infarkt, ai ushqente shpresa në përmbysjen e rendit me ndihmën e aleatëve dhe të diasporës. Për të mos u gjendur  i papërgatitur në rastin e një rrethimi të shtëpisë nga komunistët, ai kish fshehur në mur një arsenal të vërtetë armësh – dhe ishte gjithmonë gati për të luftuar deri në fund.

Ndërkaq nuk kthehej kurrë në shtëpi pa disa kg frutash për fëmijët dhe Bulen e tij, kujton vajza e madhe Fatbardha Drogu Sefa.

Ashtu e kujtonte edhe ime më, Shadia, si njeriun që kërkonte si e si të ëmbëlsonte të tjerët.

Në një shoqëri që ushqehej e ushqehet akoma prej helmit.

Diciturat e fotografive:

1- Ethem Haxhiademi dhe ne te majte te tij Myrteza Drogu ne vitin 1928

2- Myrteza Drogu ne vitin 1944

3- Myrteza Drogu dhe e shoqja Makbule, vitet ’40 .jpg

4-Baba Islami dhe Syri Zyra Drogu, ne vitin 1935.jpg

Filed Under: Histori Tagged With: Daje Zaku, enderr e murosur, Shpend Sollaku Noe'

ISMAILI DHE E DREJTA PËR TË HESHTUR

May 23, 2020 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noè/

E kemi gjykuar sa herë flet. E gjykojmë edhe sa herë hesht. Pasi ai përbën lajm, edhe kur ecën, edhe kur tështin, edhe kur, i vetmuar, pi një freskuese.

Çakallët atë presin, t’i këpusin ndonjë të kafshuar, sidomos nga prapa shpine, sidomos kur gjindet i pavëmendshëm. 

Sidoqoftë, Kadare, veç faktit që llogaritet si një figurë e shquar, është edhe Ismail. Me të mirat dhe veset e tij. Me të drejtën për t’u lënë i qetë kur ka dëshirë të pushojë. Ai është i vitlindjes 1936; jo edhe aq i ri. Në atë moshë supreme gjithkujt i lejohet edhe të heshtë, por jo atij. Edhe pse ai nuk është vetëm Kadare por, dhe sidomos në këto 85 pranvera (me gjithë këtë të fundit), është edhe Ismail. 

Ndokush nga ata çakenjtë që e sulmoi ditët e fundit, pasi i kërkoi një opinion rreth prishjes së TK, nuk e vlerësoi të drejtë përgjigjen e tij. Hapu dhe të futem! Kadareja të  mos shprehet? 

Po sikur të ish shprehur “më vjen keq!” ç’do t’i kishin thënë?  Që po t’i kish ardhur keq duhej të kishte bërë këtë apo atë, duhej të kishte thënë kështu dhe jo ashtu…

Po sikur, larg qoftë, të kish thënë “bënë mirë që e shembën”? Prapë do t’i kishin treguar ferrin që meritonte. “Si more bënë mirë? Pse e thua këtë? Ke frikë se të ndëshkojnë ty? Asgjë nuk mund të të bëjnë. Kush, tjetër ka patur dy muzera me emrin e tij qysh për së gjalli? Një në kryeqytet e tjetrin në vendlindje. Atëherë i trëmbesh represioneve ndaj familjarëve të tu? Epo, edhe dikur, ke lënë të kuptosh, që ke qenë i detyruar t’i bësh elozhe dikujt, edhe pse kishe patur mundësi të arratiseshe shumë më parë se ajo që  kreve me shumë vonesë. Edhe atëherë, me ç’kemi lexuar prej teje, këtë frikë kishe pasur. Jo, mor, jo, t’i nuk ke të drejtë të kesh frikë. Ashtu si nuk ke të drejtë edhe të heshtësh, asnjëherë. Sepse ashtu na pëlqen më shumë ne çakenjve.”

Sipas kësaj logjike perverse Ti Ismail nuk ke të drejtë as për t’u plakur, as për t’u sëmurur, as për të thënë që nuk ndihesh mirë. Largqoftë sikur të të shpëtojë nga goja: “Mos më ngatërroni…”.

Ajo çfarë të ndodhi këto ditë më solli ndërmend një personazh të madh italian, bankierin Enrico Cuccia. Atij i qepeshin zagarët e shtypit sapo dilte nga shtëpia e deri atje ku duhej të shkonte. Shpesh ndodhej në këmbë. Ai kish një durim të mbinatyrshëm. Nuk i përgjigjej asnjërës prej pyetjeve të panumërta që i drejtonin, shpesh edhe provokime të hapura. Vazhdonte të ecte gojëqepur dhe me një fytyrë të padeshifrueshme. 

Ashtu si të provokojnë edhe ty. Për të të shkëputur edhe një fjalë të vetme. Ajo fjalë për çakenjtë do të thotë lavdi: arritën ta provokojnë atë, të llastuarin e pushteteve. 

Por edhe ti, mbaje të kyçur atë gojë, gjithmonë, sidomos rrugës, sidomos kur nuk je duke i dhënë intervistë një gazetari të verifikuar si të tillë. Sidomos kur të ngatërrojnë me politikën e sotme. Dikur u ngatërrove, me apo padashje, edhe ta kujtojnë e do të ta kujtojnë pareshtur. 

Por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. 

Arësyeja që u shkruan këto rreshta është një e vetme: edhe ti ke të drejtë të heshtësh. Këtë ligji ta garanton edhe në gjyq, në rolin e të pandehurit. 

Ajo që më shumë duhet të dinë çakenjtë, injorantët dhe konkurenca e dështuar është e drejta e gjithkujt që të plaket në qetësi e kthjelltësi. Këtë ia uroj edhe armikut, e jo më ty, Ismail. Ata duhet të dijnë që ti, edhe dikur, ke ecur jashtë rreshtit, e jo më tani, që nuk ka bir nëne që të mësojë hapin rreshtor.

Me ty gjithkush duhet të mësojë të jetë i drejtë. Nëse vërtetë kërkon të jetë i marrë në konsideratë. Dhe jo vetëm me ty. Këtë duhet ta mësojnë edhe ata që përpiqen të të kafshojnë nga mbrapa, kur mendja kush e di ku të fluturon. Sepse kam përshtypjen që edhe ata që të shajnë, thellë-thellë të dashurojnë. Fshehurazi edhe vetes së tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

Kostandin Sotir Lefta – Kur nisi rrënimi i dinjitetit të pronës

May 13, 2020 by dgreca

–I shikon dhëmbët e parë të atij polici të gjatë? – më pyeste im atë kur isha fëmijë, sa herë që ai na dilte përpara. – Janë nga florinjtë e gjyshit tënd, që ky me dy të tjerë ia sekuestruan!/

Kostandin  Lefta tregtar i njohur i Beratit, dale ne vitin 1926 /

nga Shpend Sollaku Noé/ Kanë ekzistuar disa familje në Berat që, sapo kam nisur t’i njoh më mirë, më është dukur vetja pjesë e tyre. Njëra nga ato është padyshim familja Lefta. Prej këtij mbiemri më ishte bërë virtualisht i afërt njëri prej tyre, profesori i matematikës Kostandin Lefta junior, sot në Louisville të SHBA. Më vonë gjeta rastësisht njëherë një nga fotot më interesante të risjella nga mjeshtrja Parashqevi Sahatçi. Bëhej fjalë për Ndini (Kostanndin) Leftën. Portret i shkrepur prej fotografit në një çast të qetë, që përcjell siguri edhe tek ata që e kundrojnë. Kur gjej dëshmi të tilla historike unë nxitoj t’i postoj tek grupi që administroj, Only Berat. Pastaj arrin gjithmonë diçka interesante që bën të kalojë në plan të dytë paparendësen. Rrallë ka të fakte të tillë që të mbërthejnë vëmendjen për më shumë se një ditë. Në këto pak raste i rikthehem disa herë atij fakti, deri sa t’i hyj në thelb. Diçka e tillë më ndodhi me foton që më bëri së pari të njohur Ndini Leftën. Ajo vetëm të joshte në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërhiqte t’i hyje më thellë njohjes më të. Kush ka qenë ky burrë kaq i sigurtë në vetvete? Si ka vazhduar dhe është përmbyllur parabola e tij?

Prona si metaforë e djersës.

Rrëmoj dhe gjej që i jati Kostandin Leftës senior ka pasë qenë quajtur Sotir. Që vetë Ndini ka lindur në vitin 1885: djalë i vetëm me katër motra. Viti i lindjes së tij është edhe nisja e mbarësisë për të jatin, Sotir Leftën. Ai përforcon veprimtarine e tij tregtare me themelimin e një firme për lëndët e ndërtimit – kapitali fillestar prej 8000 frangash ari, jo pak për atë kohë. Selia e firmës ndodhej në qendër të Beratit, prapa ish Kinemasë Nacionale (kinemaja e vjetër). Hapësira në të cilën Ndini Lefta sistemonte lëndën e ndërtimit ishte e rrethuar me mur. Ajo, që më pas u bë kinema verore, prej shtetit të kuq duke ruajtur muret fillestare si rrethim për spektatorët. 

Vasilika, Kostandini , djali i madh i tyre Trifoni . Ne prehrin e Vasilkes i biri Dhimitri, ne preherin e Ndinit  vajza e vetme Viktoria . Ulur duke filluar nga e majta djemte Jani dhe Llukan. Siper ne kembe, mbrapa gjysherve  Persefoni Shpofi, mbesa e Vasilikes.

Aktiviteti i Leftës senior u rrit dhe u konsolidua sidomos pas viteve 20’, kur ai nisi të importonte materialet prej Italisë. Leximi i dokumentave të shitblerjes është një shembull i shkëlqyer i reciprocitetit , ndershmërisë dhe korrektesës midis palëve.  Veprimtaria e Ndin Leftës shtrihet ne më vonë në qytete të mëtujtshme të Shqipërisë, deri në Prizren e Prishtinë. Ajo tashmë jep shtysë edhe për të hapur veprimtari të tjera, si qe edhe rasti i Hotel “Vlora”-s, apo edhe i ullishtave, i banesave apo edhe i dyqaneve të shumta.  

Fotoja eshte e vitit 1960. Nga e majta – Dhimiter Lefta, Trifon Lefta, Papu Theodhor Lako, i biri Dhimitraq, Kozma Stefa, Jani Lefta, Ilia Lefta. Ulur femijet Kostandin Lefta dhe Pavli Stefa.  

Ato vite qenë edhe kulmi i lulëzimit të ekonomisë beratase, kurrë më të përsëritur më pas. 80% e beratsve u forcuan si pronarë me më shumë se një aktivitet. Të tjerët u punësuan tek të parët në mënyrë aq të ndershme saqë nuk njihen kontestime të rëndësishme midis të dyja pjesëve të popullsisë beratase të kohës. E gjithë ky lulëzim bashkëqytetar kishte si shtysë nga nëndheu atë më fisniken e investimeve: djersën e trupit, të mendjes, dhe nderin e vënë në pëllëmbë e dorës, për t’u parë qartë nga të gjithë, shtet e popull. Këta ishin tregtarët e Beratit të athershëm, prej vepritarisë së ndershme të të cilëve lulëzuan edhe dege të reja të ekonomisë, u ringjallën ato të vjetrat, sipas ligjit më të hershëm të shoqërisë së qytetëruar njerëzore: atë të ekonomisë së tregut.

Ndini Lefta, e shoqja Vasilika dhe vajza e vellait te tregtarit, Persefoni. /

Kriminalizimi i tregut të lirë si rrënim i dinjitetit të njeriut.

Të gjithë – me përjashtim të kohës së flamës së kuqe – hidhnim apo dhe hedhim në treg diçka për të mbijetuar apo për të përmirësuar jetesën. Dikush nxjerr në shitje talentin, dikush shet edhe trupin, dikush tjetër blen nga të tjerë dhe e shet pak më shtrenjtë për të nxjerrë fitimin. Këta të fundit njihen me emrin tregtarë. Në përgjithësi janë këta që kanë impaktin më të drejtpërdrejtë më popullin. Nuk besoj që kjo kategori të ketë kaluar kohëra më të vështira se krizat botërore. Kjo, sigurisht, vlen nëse punonjësve  apo sipërmarrësve të saj nuk u qëlloi fati i keq që të kishin lindur në vendet ku pllakosi murtaja e komunizmit.

Këtu edhe fati i Ndin Leftës ngjan si dy pika uji me atë të qindra e mijrave shqiptarëve që ishin pasuruar me punë të ndershme, të tregtarëve në veçanti, por edhe më gjërë, sidomos të atyre që u shpallën kulakë – pronarëvë të tokave. 

Si prelud i një fatkeqësie kombëtare, edhe në Berat nisën sekuestrimet, lënia rrugëve e familjeve fisnike, heqja e triskave të Frontit. Kjo për Leftët, në veçanti, zgjati deri ne vitin 1949, kur 64 vjeçari Ndin Lefta arrestohet dhe i nështrohet torturave. Qëllimi kryesor ishte që, pasi e keshin zhveshur prej pronave të patundshme, t’i zhvasnin edhe floririn dhe gjërat e tjera të çmuara. Ai reziston e nuk flet. Ata i sjellin në qeli edhe djalin e tij të madh, Sotirin. I torturojnë bashkarisht, por pa rezultat. I bëjnë presion duke i sjellë në qeli të shoqen. Ndini ka frikë se do ta torturojnë edhe atë. I pëshpërit: “Kur të shkosh në shtëpi, mblidhi fëmijët dhe thuaji: më mirë babanë apo floririn?”

E shoqja shkon e kthehet me përgjigjen. “Më mirë babanë.”

Ishte sinjali që gjërat e çmuara nuk mund t’i fshihnin dot më.

Prej shtëpisë së Leftëve në Kala zbritën poshtë në qytet pesë teneqe djathi të importit, atij italian, të mbushura me flori. Për të plotësurar poshtërimin, dy prej kutijave ia varin në qafë Ndini Leftës si hejbete që mbanin fshatarët, dhe e zbresin në këmbë të ngarkuar nga shtëpia në kala deri tek  burgu. Gjatë gjithë itenerarit turpërues kishin kishin vënë në të dyja krahët njerëz të kënaqur që ulërinin: Poshtë tregtarët, poshtë kulakët!

Pas muzgut të gjatë, pak thërrime

Dekadat e kuqe prunë vetëm dëshpërim, papunësi, përçmim e shumë psherëtima nën syrin vëzhgues të Sigurimit. Në vitin 1955 Ndini Lefta u largua nga kjo botë në mjerim të thellë ekonomik e shpirtëror. Si të githë familjet e “prekura”. (O zot, kush e përdori i pari këtë term? Të prekur nga cila sëmundje, e civlizimit?).  

Familja e Kostandin Leftës junior, viti 2018 . Nga e majta Kostandin Dhimiter Lefta, Anthulla Lefta Curri, femija ne krah Gabriel Hoskins, Fotina Lefta Hoskins,  Zacharia Hoskins, Anisa Lefta, Mellani Lefta.  

Fati i pasardhësve të tij qe ai i shumicës së familjeve të ish pronarëve të para komunizmit. 

Shpresat e mëdha të pas 1991-isht u shpërblyen me zhgënjime të njëpasnjëshme. Në gostinë makabre të grabitjeve të mbështura nga një ligj kriminal pronarëve të ligjshëm u mbetën vetëm thërrimet poshtë tryezës. Pasardhësit e Ndini Leftës arritën t’i kthejnë familjes vetëm një dyqan të vogël dhe dy baçe me ullinj. Për floririn e grabitur as që bëhej fjalë. Rreth objekteve të tjera Leftëve u kanë mbetur në dorë vetëm dokumentat e pronësisë.

Pronat si meteoritë të ngecur në majë të bajonetës.

 E tillë ajo mbetet vetëm në shtete me regjime totalitare ose në derivatet e tyre. Shqipëria është shembulli tipik i këtyre derivateve. Bijtë e atyre që dje vishnin dhëmët me floririn e tjetrit, sot kanë përvetësuar edhe terrenet, edhe objektet e shpëtuar, i kanë shembur, i kanë modifikur apo kanë ndërtuar objekte të reja mbi mbi gërmadhat e mëparshme. Me vete kanë si mbështeje ligjin që e kanë miratuar ata vetë. Pasardhësve që kërkuan t’u rikthehen në mënyrë të ligjshme u treguan rrugët e mërgimit, si treguese më të mirë të idesë se atë që dikur baballarëve ua morën me forcë, sigurisht nuk kanë ndërmend t’ua dorëzojnë të tjerëve në tabakanë e mirësisë. Tashmë ata janë edhe më të armatosur se të parët shtetëzues me dhunë. Dhe dhuna vetëm me dhunë mund të përmbyset, sipas tyre. Në çdo veprim që lidhet me pronat ta thonë hapur: Jeni të zotët t’i merrni? Hajdeni, ne po ju presim, me gishtin në këmbëzën e armës.

Tashme ata të përqeshin jo vetëm me dhembë, por edhe me bedena të florinjta. Të kështjellave që vazhdojnë të ndërtojnë mbi turpet e pafund.I shikon ato bedena? të thonë sot bijtë e bijve. Janë të babait tim.   

Filed Under: Featured Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT