• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAKSIM KALOTI, KADAREJA DHE FILMI “BALLË PËR BALLË”- Mpleksje nga Shpend Sollaku Noé

March 24, 2019 by dgreca

  • Nga Shpend Sollaku Noé

Mundohuni të merrni me mend një tufë prej disa qindra djemsh, të porsaqethur zero, të veshur të gjithë me të njëjtat bereta, me të njëjtat xhaketone, me të  njëjtat pantallona e këpucë me qafa. Si emërues i përbashkët i tyre, me tepër sesa uniforma – hutimi tërësor. Duhen ditë apo edhe javë për ta mbledhur veten, për ta kuptuar se për tre vjet ti nuk i përket më vetvetes, por një rregulloreje të çmendur dhe ca burrave të tjerë me uniformë që e zbatojnë pikë për pikë, apo që e interpretojnë akoma më egërsisht, dhe që mund të bëjnë ç’të duan me trullosjen tënde.

Ndonjeri, sapo dëgjoi që ai grup kazermash quhej “Shkolla e Instruksionit Orikum”, mendoi vërtetë se gjindej në një shkollë, në të cilën mund edhe të bënte mungesa; mund të ngrihej edhe vonë nga shtrati, mund edhe të mos i lante çorapet dhe të gërhiste sa ta mundësonte fyti, në kapanonin ku ngryseshin e përpiqeshin të shpodheshin dhjetra marinarë.

Ushtria është shkolle pjekurie, kështu na kishin thënë. U përpoqem ta ligjëronim këtë thënie, por shenjat e pjekurisë së vërtetë na u desh t’i shihnim tek mosvjellja e copave të dhjamit të derrit sa një sapun Rrogozhine që, sipas normës së marinës, na servirej si mish; t’i vërenim në gjellën me fara kungulli sa një pesëlekshe, t’i gëlltisnim në servilizmin ndaj eprorit edhe për një ditë lejeje pranë familjes; të blerë me spiunimin e shokut; të shpërblyer me një karriere të mjerueshme prej komandanti skuadre. Për të mos pësuar fjetjen gjumë me Kallashnikov apo Simonov në dorë, pasi, sipas thënieve nën zë, armiku atë priste prapa cepit të kazermës, të na fuste thonjtë në grykë.

Tregoheshin shumë legjenda rreth depos së silurave aty përreth. Tregohej se si armiku kish tentuar ta na hidhte në erë; shpjegohej sesa forcë shkatërruese mund të kishte gjithë ai eksploziv i përfshirë tek silurat; na thuhej se pa ata silura nëndetset tona nuk vlenin asgjë.

Ah, nëndeteset, ato në portin “sekret” përballë shkollës, nën sqetullën e Karaburunit. Ku ta dinim se vendi ku na dërgonin për karantinë nuk ishte vetëm ai kinoteatër i vogël antik me skenë dhe shkallë

të gdhendura në shkëmb; nuk ishte vetëm Sheshi i Goricave, nuk ishte vetëm rrushi i vjedhur për të shuar etjen dhe urinë. Kush do të kish guxuar të thonte se aty pranë ishte varreza në qiell të hapur e baterive të nëndetseve që villnin plumbin në tokë, që plagosnin pa shpresë shpëtimi ujrat dhe ajrin.

Eh, nëndetëset. Shumë prej nesh ishin ndeshur me atë koncept anijeje së pari nga një roman i Kadaresë.

Po pse, o Ismail?

Pse edhe pse. Jo sepse shkruajte një roman me nëndetëse të pathyeshme, jo sepse shkruajte një libër me personazh kryesor diktatorin, por sepse na gënjeve; jo vetëm për diktatorin, prej të cilit edhe mund të ishe i detyruar të bëje lëshime. Gënjeshtra më e madhe ishte ajo me nëndetëset. Katër gërdalla nënujëse na i paraqite sikur të kishin qenë mbrojtëse të shkëlqyera të ujrave tona. Ti kishe studjuar në Bashkimin Sovjetik. Nuk e dije që, në kohën që ti lavdëroje ato qerret tona me Diesel Gjenerator, sovjetikët kishin hedhur në det nëndetëset me silura balistikë bërthamorë? Dhe ti mendoje vërtetë se sovjetikët do t’i shpinin në atdhe ato bythëglasat që lanë në Pashaliman? Po ku ishin në gjëndje ato zhele të ndërmerrnin një lundrim aq të gjatë? E mendoje vërtetë, vërtetë? Se vështirë të mos e dije. Apo nuk ishe thelluar? Ë? Po ti ndërkaq ishe mjaft i njohur. Arkivat nuk t’i mbyllte askush. Rusishten duhet ta kesh njohur mirë. Kredija për t’i rrëmuar nuk besoj të të mohohej. Sidomos nëse punoje për një vepër që kish si strumbullar përbindshin vetë. Si ia lejove vetes atë mashtrim? Apo e dije që kishim për të të besuar, pasi shumë nga ne, sidomos intelektualë, tek ty i kishin sytë. Apo mendoje se ne do të mbeteshim përjetë të painformuar, pasi as që e kishe vënë në preventiv rënien e komunizmit? E hëngri atë mashtrimin tënd edhe autori i këtyre rreshtave: shkoi me një shokun e tij, nga Lushnja në Hyzgjokaj, pasi një librar i atjeshëm, prej të cilit mbaj mend vetëm vetullat më të trasha se të Stefano Belisarit, të “Elio e le Storie Tese”, na kish premtuar të na gjente ndonjë copë libër. Gjithë ajo rrugë në këmbë për një kopje të romanit tënd “Dimri i vetmisë së madhe”.

Po pse, or burra të tjerë, edhe një film-propagandë sipas atij libri? Nuk mjaftuan dy variante të romanit të Kadaresë?

Më kujtohet si sot, kur filloi xhirimi i tij në Pashaliman. “Ballë për ballë” do ta quanin. Që në fillim ai nisi me mashtrime të mëdha. Jo vetë për skenarin që bazohej mbi “Mashtrimin Stërmadh” të Kadaresë. Autorët e filmit u përpoqën të gënjenin edhe veten. Nëse shqiptarët do ta besojnë, ne pse jo, mendonin të bindur.

Së pari mashtrimi i vetvetes filloi me ndërtimin e një kodre të rreme në mes të fushës së futbollit të Shkollës së Instruksionit. Kodër e sajuar me gozhdë, trarë e dërrasa. Në kulmin e saj u montua një varr i lashtë prej guri, që nuk e di se nga u suall. Shumë betoheshin se me atë pretekst po bëhej batërdia në Apolloninë e lashtë; të tjerë mendonin se po shkatërroheshin site të tjera arkologjike, ndokush ishte i bindur që ndoshta edhe Butrinti ish përdorur si burim i “lëndës së parë” për një film që, mesa dukej, duhej patjetër të kënaqte jo vetëm Kadarënë që kish shkruar edhe skenarin, por edhe sidomos, Enver Hoxhën. Unë, marinar Sollaku, nuk kisha sesi ta dija se nga ia mbërrinin gjithë ato gjetje arkeologjike që u vunë sidomos mbi muret rrethues të Shkollës së Instruksionit dhe përreth varrit. Të dridhurat e emetuara nga ato thesare të gurtë, të shpërngulura me dhunë, sidoqoftë, i ndieja deri në palcë. Po pëpiqesha të luaja rolin e mjerë të një figuranti, me shpresën që të shpëtoja prej stërvitjes së rëndë qoftë edhe për ca ditë. I vendosur nga regjisori të rrija me Kallashnikov në dorë, sikur bëja roje, mbi një dyqan kuleçësh të shndërruar në pikë vrojtimi. Veprim që më dha mundësinë edhe të shihja më mirë mashtrimet, sidomos ato me nëndetëset. Problemi ishte sesi të dukeshin shumë, dhe jo vetëm ato katër bishta dhish që kishin mbetur në Pashaliman. Kurrësesi nuk duhej ditur nga publiku i gjërë që vetëm dy prej tyre ishin në gjendje të dilnin në det të hapur; që dy të tjerat “me të shtyrë” mezi i nxirrje në radë, përballë Shkollës së Inkursionit. Prandaj të shkretët regjizorë u detyruan t’i filmonin dy herë. Në anën e majtë të urës së komandimit vunë një numër, në anën e djathtë një numër tjetër. Njëra nëndetëse vlente sa për dy. Ky lloj truku nuk është i panjohur edhe në kinematografinë botërore. Por nëse filmi ishte aq shumë i politizuar si ai “Ballë për ballë”, idea artistike ishte trasformuar në propagandë të pastër partiake.

Të gjitha skenat e filmit të lënë përshtypjen se ilustrojnë 100% idetë e Enverit për prishsjen me sovjetikët. Dhe as që mund të merret me mend ideja aq e vërtetë që qëdrimi i tyre rreth liderit shqiptar ka qenë pothuaj mospërfillës, qoftë kur e kishin si aleat, qoftë kur pellua shqiptar u rebelua.

Qëndrimi para atij karakollit të rremë në Shkollën e Instruksionit, sidoqoftë, mua më dha rastësisht mundësinë t’i veshtroja shumë gjëra nga lart, dmth për t’i kuptuar më mirë. Ato rrena kombëtare ndonjëherë edhe më zbavitnin, sidomos kur Stavri Shkurtit të shkretë, ndërsa ngjitej drejt varrit të Pashait, i ngecte këmba në të çarat e dërrasave, të fshehura poshtë pllakave të barit. Më vinte edhe keq. Po sikur të ishte gjakosur?

 Ah, më vijnë ndërmend edhe skenat me kollonat që ecnin me hap rreshtor nëpër rrugicat e Shkollës. I bëmë vërtetë ato ecje deri sa të dilnin të përsosura sipas regjizorëve. Aty njohëm edhe Ben Imamin, që shpejt e pagëzuam “Beni i Mamit”. Ai të paktën, në mos gaboj, edhe fjeti në kapanonin tonë. Po këto kujtime nuk kanë kurrsesi efektin e lavazhit të trurit, për harrimin e mashtrimeve të mëdha. As edhe forcën që të na detyrojnë të mos bëjmë edhe pyetjet: Po pse o Kujtim Çashku? Po pse o Piro Milkani? Vetëm artin e llustrimit kishit studiuar?

Maksi, shpirti parajsor mes Grykave të Xhehnemit

Maksi Kaloti ishte djali i lagjes tonë. Fytyrë e bukur, trup i gjatë, sjellje prej zotërie të lindur, shpirt fisnik. Maksin e ngritën ushtar. Shumë prej nesh nuk e dinin se ku. Edhe unë, deri ditën e fundit, nuk e dija se ku do të më përplasnin. Vetëm kur pashë kapotat e zeza të oficerëve në aneksin e stadiumit të Lushnjes, kuptova se rinisë time kishin për t’i munguar plot tre nga vitet më të bukura. Marinën ne e kishim marrë me tapi. Vëllai im i madh – Fatmiri, atje e kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Për katër vite të pambarueshme. Duhej të ngushëllohesha që do të vuaja një vit më pak? Jo edhe jo. Nuk po shkoja vullnetar t’ì shërbeja atdheut tim, më detyruan ta vesh atë uniformë.

As Maksin nuk e kishin pyetur, ashtu si edhe vëllezërit e tij. Ashtu si unë, edhe ai qe i detyruar të pranonte. Nuk mund të ishe conscientious objector nën diktaturë. Nëse nuk paraqiteshe, trajtoheshe si dezertor, përfundoje në burg apo edhe më keq.

Bijtë e atyre që predikonin dashurinë për atdheun, me nota shumë më të keqija se tonat, u nisën universiteteve. Ata ishin përzgjedhur t’i shërbenin atdheut ndryshe, nëpër auditore.

Vetëm kur, pas disa mujash në Pashaliman, mua dhe Qerim Serbishtin nga Lushnja, si të padëshiruar, na dërguan në Sazan, fillova ta kuptoj vërtetë se ç’më kish ndodhur. U ngjita në njërën nga kodrat me pisha, përkrah portit të vogël të ishullit, dhe ndizja e shuaja cigaret me njera-tjetrën. O zot, si do t’i shtyja ato 27 muajt e mbetura atje, mbi shkëmbinjtë me emra të tmerrshëm në mes të detit?

Me Qerimin nuk u ndamë asnjëhere, as edhe në Sazan, deri sa morëm vesh që një tjetër lushnjar gjëndej aty: Maksim Kaloti. U interesuam dhe, si për mrekulli, vumë re se ai ishte caktuar kuzhinier në mensën e madhe të Katerave Silurues. Mensë në ushtri do të thote së pari të hash dicka. Se ushtarit nuk i shkonte mendja për gjë tjetër në ato vite të egra: vetëm një copë buke më shumë, mundësisht të ngjyer në salsën e kazanit të fasuleve. Pastaj gjumë. Besomëni: që ekzistojnë femrat ushtarit të Sazanit i kujtohej kur dilte në Tokë të Madhe, siç i thoshim Vlorës. Nëpër shkëmbinj, falë zotit, kishte plot bunkerë në të cilët, të paktën, partia nuk kishte arritur të ndalonte masturbimin ritual. Atje kish falimentuar edhe klori me tepricë i hedhur në çaj e gjellëra.

Gjetja e Maksim Kalotit tonë në rolin e kuzhinierit për ne qe më i rëndësishëm se zbulimi i penicilinës. Edhe pse bënim pjesë në efektivin e marinës, shpesh, unë dhe Qerimi duhej të hapnim edhe tunele. Ushqimi i marinës sa vinte e keqësohej. Sigurisht mbetej më i mire se ai i “kambaleve”, si i quanim në përgjithësi ushtarët me uniformë të gjelbër; në rastet më të shumta ose genierë, ose artilierë. Për ta shteti kish rezervuar një copë bukë, pak çaj me klor nëpër sapllake alumini të deformuara, të palara mirë, një copë nga korja e djathit kaçkavall sa një domino, ca kokra fasulesh të rralla nën një shtresë të trashë salce që maskonte edhe mungesën e yndyrës, apo pak pilaf me miza e buburrecër, që ne i quanim me lloj-lloj emrash, si doçër, tarakane, etj. Vetëm kaq, edhe per ata që bënin 12 orë shërbim në ditë apo hapnin tunele. Kush kish mik kuzhinierin e repartit të kambaleve, mund edhe ta ngjyente bukën me salcën në pjesën e sipërme të kazanit, që mbulonte ujin e zjerë, në fund të të cilit një polumbar do ta kish të vështirë të peshkonte kokrat e rralla të groshës. Salca acide që brente stomaqet, sidoqoftë, konsiderohej një fat i madh.

Prej kësaj urie të përhershme tek ushtarët e Sazanit kish lindur prej kohe këmbimi në natyrë, i tipit:  një fletë-leje e fallsfikuar me katër vazo komposteje kumbulle plus dy bukë të porsapjekura pjekura, korja e të cilave mund të ta shuante edhe thatë urinë. Bukët t’i jepte me një shkëmbim tjetër furxhiu apo mushkaxhiu, edhe ai ushtar, kur i vije para hundës një kuti të vjedhur mishi. Tre konserva të sardeleve të Vlores arritën të shkëmbeheshin me një kg manaferra të mbledhura nga barinjtë. Sardelet vidheshin kryesisht nëpër magazinat e anijeve. Dikush njëherë shkëmbeu xhaketonin për një kg djathë, me shpresë që të vidhte më pas një tjetër por, për fatin e tij të keq, iu desh të kalonte një javë janari vetëm me bluzën, deri sa e zëvendësoi. Me ca paco makarona mund edhe të siguroje një dalje klandestine prej Sazanit në Vlorë, me çisternën e ujit që kish ekipazh civil.

Tek mensa e silurave dieta socialiste ishte ca më mdryshe. Atje qarkullonin edhe kutitë e mishit, edhe konservat e peshkut. Kuptohet, jo për të gjithë. Hidheshin në kazan dhe askush nuk kuptonte më sesa ishin përdorur. Prandaj edhe gjetja e Maksit në atë mensë qe një ndodhi e jashtëzakonshme. Ai u bë copë të na ndihmonte, për të mos provuar urinë. Nuk qe i detyruar ta bënte, por rrezikoi njëlloj duke na nxjerre ushqim, apo duke mbyllyr derën e kuzhines nga brenda, për të mos na gjetur duke ngrënë oficerët që, sidomos mua, sidomos disa prej tyre, nuk më shihnin dot me sy. Shumë në atë kuzhinë të rrezikshme, me derën përballë komandës së marinës, do të kishin zgjedhur asnjëanësinë apo servilizmin ndaj eprorëve. Maksi zgjodhi rrezikun duke ndihmuar të tjerët. Dhe ky është tipari kryesor i njeriut fisnik: nëse ka mundësi, bën mirë, edhe në ato vende të sikterisura që mund t’i quaje me plot gojën vrimën anale të Shqipërisë.

 Në atë ishull pata fatin e mirë të kem miq besnikë, se ndryshe kushedi se në çfarë qelish do të kisha përfunduar. Shoqëria ime me Qerimin e Maksin u zgjerua nga pak shumë me lushnjarë, përfshirë këtu të mirin Arjan Rançi, të buzëqeshurin Llazar Loshe, Idriz Labotin e shkretë me forcë herkulore dhe ndonjë tjetër. Jam gjendur mirë edhe me Xhovani Pingulin, të riun e edukuar nga Berati, me të cilin më bashkonte origjina. Rrinte afër nesh edhe ish-mësuesi i urtë i rusishtes, Gëzim Myzeqari, që e kishin caktuar postier dhe na tregonte fshehurazi telegramet, edhe për vdekje, që ndodhte të mos na i njoftonin.

Mes oficereve kishte edhe nga ta që nuk më njoftuan vdekjen e babait, por kishte edhe të tjerë që na ndodheshin afër në hall apo që na kuptonin. Quheshin Et’hem Mahmutaj, Kostandin Lika, Vladimir Beja, Ylli Lika, Resul Lagji. Ata burra nuk ishin vetëm të mbushur gjer në grykë me parime, tritole, silura, bomba thellesie, nëndetese, katera, dragamina e gjuajtës. Edhe pa e rrënuar autoritetin prej oficeri, nën uniformë ata ditën të mbeteshin njerëz ndaj nesh – të papranuarit edhe në vendin me emra të tmerrshëm: Gryka e Xhehnemit, Gryka e Skëterrës. 

Këto rreshta janë vetëm një homazh i vogël për njerëzit shpirtgjërë si Maks Kaloti që, si edhe shumë të tjerë, kanë bërë mirë në kohëra të vështira, pa synyar aspak të jenë heronj, apo të përfundojnë në faqet e para të shtypit. Në fund të fundit këta janë heronjtë e vërtetë, që si të tillë i njohu shoqëria, dhe jo dekretet e vulosura në zyrat e mykyra të diktaturës.

Në kohë të këqija ai që nuk arrin të bëjë mirë, të paktën nuk duhet të bëjë keq. Aq më mire kur në mes të ferrishtes gjen mundësi edhe t’i falësh tjetrit një mirësi, që mbetet edhe pas jetës.

Pasi vendi i keq i bënte akoma më të ligj të këqinjtë, ndërsa të mirën tek burrat që përmenda më sipër nuk arriti ta tjetërsojë. Ashtu edhe si nuk tjetërsoi djaloshin Maksim Kaloti. Edhe pse ne nuk ishim nga më të këshilluarit për t’u patur miq, edhe pse, për shkakun tim e të shokëve të mi, kur u larguam më në fund prej Ishullit, lamë pas një psherëtime kënaqësie: Ahhhh! Mos na mbiftë më këmbë lushnjari këtu në Sazan. I dinim të urtë! Kush, Shpend Sollaku? Pa, pa, pa, pa!

Filed Under: Histori Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

Et’hem Haxhiademi e Gabriele d’Annunzio,Fate të skajshme…

February 23, 2019 by dgreca

Et’hem Haxhiademi e Salvatore d’Annunzio,Fate të skajshme…… andej Burreli – këtej “Il Vittoriale degli Italiani”./

D'AnnunzioEt'hem Haxhiademi1 Mauzoleu Da'nnunzio 800x6002 varri haxhiademitIl Vittoriale degli italianiLyra 1939

D’Annunzio, Ethem Haxhiademi- Mauzoleu d’A’nnunzioi-Ethem Haxhiademi -Mauzoleu d’A’nnunzio- Varri i Haxhiademit- Ballina e librit te d’Annunzio-s Alcyone 1903-Ballina e vellimit te Haxhiademit “Lyra”/

1 Shpendi

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ia kisha borxh një sarkofagu bosh këto rreshta. Ia kisha premtuar një mermeri të nxehtë si tehu i thikës. Fjalët që do të vija në tezgjahun e mendjes ia kisha thënë vetes qindra herë. Nëse nuk do t’i hidhja mbi letër edhe kësaj here, rrezikoja të më mbeteshin në grykë, të më linin pa oksigjen, të më përplasnin përtokë.

Epilepsia akute e ndjenjave më errësoi shikimin edhe njëherë këto ditë, ndërsa përhumbesha nëpër tronditjet që mund të shkaktojë vetëm një madhështi si ajo në Gardone Riviera, e quajtur “Il Vittoriale degli Italiani”; e ideuar më shumë për vetveten prej një poeti të madh: Gabriele  d’Annunzio. Mauzoleu është realizuar pas vdekjes së poetit prej arkitektit Maroni. Është një mauzole atipik, i frymëzuar prej traditës etrusko-romake. Tre rrathët në mermer Botticcino vënë në pah fitoret e të të përulurve, të artizanëve – maja e diamantë i të cilëve janë poetët – dhe të heronjve. Në qendër të tij është vendosur qivuri i poetit të madh.

Gjithkush, edhe ai që nuk është vizitor i ri, mbetet gojëhapur duke filluar që nga Hyrja Monumentale në Vittoriale. Pastaj nuk ka sesi të mos admirojë Amfiteatrin veror, të frymëzuar prej atij antik të Pompeit. Po ajo e quajtura Prioria, shtëpia e preferuar në të cilën d’Annunzio kishte studion dhe ku dha frymën e fundit? Si mund ta lerë indiferent brendësia e saj me bibliotekën prej 30 mije vëllimesh, me vizatime të Mikelanxhelos, me sende që i përkisnin Napoloeon Bonapartit, pëfshirë edhe maskën që iu vu mbi fytyrë pas vdekjes perandorit francez? Harrohet anija luftarake “Puglia”, ngjitur e betonizuar në shpat të kodrës? Po avioni gjuajtës S.V.A. me të cilin d’Annunzio fluturoi mbi Vjenë për të sfiduar Austro-Hungarinë? Po kopshtet, frutorja dhe limonishtja? Po muzeu d’Annunzio Hero? Po ai d’Annunzio Sekret?

Ia kam zili poetit të madh gjithë këtë qytezë metafizike parajsore, por jo për vete. Me sa duket unë, Shpend Sollaku Noé, i lindur në Lushnje, as që kam për të pasur një varr në atdhe. Por prania ime mes kësaj mrekullie më shtyn së pari të mendoj fate të tjerë, edhe më tragjikë se i imi. Risqe në dukje të largët, qindra e qindra kilometra që këtej.

Sarkofagu i parë që bën të më zënë ngërçet e shpirtit është diku andej, në viset e Shqipërisë së mesme, në një qytet që ka lidhje edhe me historinë e jetës time, por sidomos me poetin e vyer që së fundi jam duke njohur më shumë. Mbi pllakën vertikale të mermerit të errët, nën foton eliptike lexohet: Et’hem Haxhiademi, 8 –  3 – 1902; 16 – 3 – 1965. Mbi rrasën horizontale – vargjet e tij prej vëllimit “Lyra”: Qëndro gjersa të marrësh frymë i lirë… Mbi mermer mungon vendlindja: Elbasan. Por këtë janë të shumtë tashmë ata që e dinë. Mungon edhe vendvdekja: Burgu i Burrelit. Por këtë ndoshta janë të pakët ata që e dinë.

Nuk është shkruar as edhe që sarkofagu është bosh, pasi eshtrat nuk i janë kthyer kurrë familjes.

Edhe këtë hidhësi historike janë shumë të pakët ata që e dinë. Apo të shumtë ata që e kanë harruar. Pasi përdhosja e vdekjes së tij nuk mund të ketë patur një autor të vetëm.

Eh Gabriele  d’Annunzio, ç’më bëre, duke më shpuar shpirtin me njëmijë gjilpëra, ndërsa padashur më sjell ndërmend bashkëkombësin tim, atë të kthyerin në ajër, në copëzë qielli, të paktën derisa t’i gjenden eshtrat, nëse është shkruar që ajo ditë të na vijë.

Edhe ti, poet i Vittoriale-s, ke lindur dhe je shuar në mars, ashtu si kolegu yt i Elbasanit. Kur ti botoje “ Libri sekret i Gabriele  D’annunzio-s”, Et’hemi sillte në dritë vëllimin “Lyra”. Atbotë kishte hedhur mbi letër edhe pjesën dërmuese të tragjedive. Ti ishe ndërkaq një korifè, ai imponohej edhe me perlën e tij poetike. Që të dy ishit të brezit të “poetëve të mallkuar”, siç do t’ju kishte klasifikuar P. Verlaine.

Ashtu si ty, edhe Eth’emi ynë mund ta kish lidhur krijimtarinë me atë brez të mëdhenjsh që quheshin J. Joyce, L. Pirandello, R. Musil, G. Ungaretti, E. Montale, A. Moravia. Nëse nuk do të kish menduar t’i shërbente Shqipërisë, por do të kish zgjedhur jetën në Berlin apo Vjenë, edhe Haxhiademi ynë sipas  mjaft gjasave do të ish studiuar si avanguardistët futuristë, dadaistë, surrealistë, ekspresionistë. Këta të fundit vuanin plagët e shoqërisë dhe vetpërfshiheshin tek të mallkuarit. I mallkuari i vërtetë historikisht mbeti vetëm ai që e pagoi shtrenjtë nacionalizmin e tij dhe dashurinë për artin: punëtori i pendës Et’hem Haxhiademi.

Ti, Gabriele , jetoje në Itali; Et’hemi atje ku horizonti verbohet, jo fort përballë Peskarës tënde. Midis jush – një det rënkimesh. Kishe dëgjuar ndonjëherë nga bashkëluftëtarët e tu për Lushnjen, Gabriele ? Mes atyre baltrave e njohu jetën e drejtpërdrejtë poeti ynë. Ndërkaq ti, i zhgënjyer nga përvoja e Rjekës, ishe tërhequr në vilën e vetmuar princërore të Cargnacco-s.

Ty, pas vdekjes, nuk t’u kërkua ndonjëherë llogari pse kishe qenë ekstremist i djathtë, pse pastaj u ktheve në ekstremist të majtë; pse kishe qenë nacionalist, pse irredentist, pse interventist. Poetit tonë të urtë i kushtoi shtrenjtë përkushtimi në shërbimin ndaj shtetit amë. Ndërsa për ty, carissimo d’Annunzio, filluan të zhvendosin mermeret nga Botticcino për të të lartësuar përjetë përballë Liqenit të Gardës, Et’hemi ynë i kishte shkruar tashmë të gjashtë tragjeditë e tija të mëdha. Ty, i dashur Gabriele , ato vepra do të të kishin siguruar lavdinë, edhe sikur të mos kishe shkruar diçka tjetër. Haxhiademit, për fatin e tij dhe tonë të keq si edhe për krim kombtëar, nuk arritën as t’i anullonin fletën e arrestimit.

Të kujtohet, Gabriele , kur i shkruaje autoriteteve më të larta për të t’i falur borxhet? Sepse shteti, sipas teje, duhej t’i paguante borxhet private të poetit, që mjeshtrit të pamort të mos i prishej niveli i asaj jetese që i mbante gjallë talentin. Edhe mbretit i dërgove njoftim, pasi ti ishe poet. Dhe mbretërit lindin prej nënës njerëzore, poetët e vërtetë prej perëndive. Ata vijnë aq rrallë në këtë botë, sa duhej të ishte detyrë e shtetit dhe e shoqërise që jo vetmë t’i mbante me bukë, por edhe t’u krijonte kushtet për të shkruar. Humbja e një poeti është më e pazëvendësueshme për një popull sesa humbja e një mbreti.

Ej, Salvato’, sipas këtij këndvështrimi ngjani shumë me Et’hemin, e di? Shih se çfarë shkruante poeti ynë: “…Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi ti banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji punë qi ep bukë si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës”.

E sheh or mik, sa pak kërkonte i shkreti poet shqiptar? E dhimbshme deri në asgjësim dëshira e tij.

Ndërkaq ti jo vetëm punove il lirë përgjatë gjithë kohës për pasionet e tua më të mëdha, por nuk i le gjë mangut edhe dëfrimeve të shfrenuara. Me sa zero duhet t’i numëroj dashnoret e tua? Ti, për t’u ushqyer me luks, thonë se u bëre edhe aktor porno. Tani kritika sugjeron si të vertetë faktin se ke qenë ti që luaje “Frate foco”.  Ndërkaq poetit nga Elbasani as që i shkonte ndërmend të tradhëtonte gruan Burbuqe, as edhe më pas, në ëndrat që e shpinin përtej zgarës së hekurt.

T’i nuk kurseje kurrë as edhe per kokainën, që e quaje “pluhuri i çmendur”.

Et’hem Haxhiademi, pas shufrave fatale të burgut, i kërkonte familjes vetëm pak tokla sheqeri, sepse i forconin kujtesën. Priste ditën të flakte prangat, prandaj edhe kërkonte të fiksonte në raftet e kujtesës gjithçka që ia ndalonin të shkruante brenda mureve me diell të vdekur.

Siç e vërteton tek poema jote “Maia”, jeta jote, caro d’Annunzio, u jetua sa për dhjetëmijë jetë. Ajo e elbasanlliut tonë nuk arriti të jetë as edhe një e tërë, por u shua pas 18 vjetësh në qelitë e terrorrit kuqalash. Zyrtarisht zemra e tij nuk i rezistoi më errësirës. Në qelitë – pronë edhe të helmit tinëzar.

Dëgjomë mua, vëlla Gabriele , ti ke qenë me fat qëkur kishe lindur në Itali, ti ke qenë me fat edhe pas vdekjes, kur Italia jote, me dashjen e të mëdhenjve, hyri nën sqetullën amerikane. Haxhiademi nuk e pati atë rrësk. Vendi i tij ra nën thundrën mesozoike të Stalinit. Sikur të kish ndodhur edhe me popullin tënd ajo gjëmë, “Vittoriali” yt do të ish kthyer së paku në një repart ushtarak; eshtrat e tua – sot krenare në majë të mauzoleut – do të ishin bërë kërruarëse dhembësh për peshqit Luccio të liqenit të Gardës.

Përpara teje edhe unë them se, ashtu si ty, jam krenar që i përkas vendit tim. Por Haxhiademi, që ti nuk mund ta shohësh, më zë prej mënge: Çfarë? Si mund të jesh krenar? Sipas cilës mënyre, asaj të Konicës, apo asaj të Çajupit? Mua aresyeja më shtyn drejt Konicës, por shpirti im, përdreq, ështe i dobët: ai citon edhe në gjumë Çajupin. Pastaj, Et’hem, ja, sapo të zesh vendin e merituar me vepra në Panteonin Kombëtar, atëherë edhe ti do ta besoh se ata që të zhvatën lirinë dhe jetën, janë hequr vërtet qafesh, që më në fund as unë nuk gjendem më në qelinë tënde, duke qëmtuar një gjurmë të helmit, një copëz vegle të harruar të torturave, apo të paktën ca faqe të shpëtuara të veprave që shkrove apo përktheve në atë burg mesjetar.

Eh, Gabriele  i dashur. Gurët e tu të çmuar, që i fale kulturës italiane, tashmë bota mund edhe t’i ketë në shtëpi, edhe mund t’i prekë duke vizituar “Vittoriale”-n. Mund edhe t’i kunsultojë on line. Bashkëkohësi yt Haxhiademi mbeti qysh atëhere – në ditën e akullt të 25 janarit, në vitin e egër ‘47 – si një minierë diamantesh që sapo kish filluar të shrytëzohej, mbi të cilën, ata që i trëmbeshin verbimit prej tij, hodhën dinamit për t’ia mbyllyr hyrjen. Akoma presim ta hapim atë xehe të çmuar. Por ne jemi Shqipëri, ku këmbët kanë akoma të lidhura tek kyçet gjylet e rënda të luftës së klasave. Ne hiqemi zvarrë, nuk ecim, aq më pak nuk fluturojmë, ashtu si të pëlqente ty të bëje, mbi qiejt e Vjenës, Gabriele . E dije që edhe Et’hemi ynë  e ka pasur në zemër Vjenën? Eh, atje kish studiuar, për drejtësi, por si shumë të tjerë që vunë atdheun në plan të parë, preferoi baltën e ëmbël si mjalta. Kishte shumë të meta të tjera, Haxhiademi ynë; njihte rrjedhshëm italishten, gjermanishten, latinishten, anglishten, frëngjishten, greqishten e vjetër e të re. Pse jo edhe turqishten. Kish lexuar në origjinal Homerin, Shakespeare-in, Goethe-n. Virgilio-n, Corneille-n e sa të tjerë. Pastaj kish pas qenë shumë i dhënë në respektimin e rregullave të punës dhe shoqërisë,  besnik i familjes, vetmohues në artin e të shkruarit. Tamam për të punuar në Lushnjen e vitit 1928, nuk thua? I padenjë për të vazhduar të japë letërsi në Normalen e Elbasanit, sidomos kur në pushtet erdhën anormalët. I papërshtatshëm edhe për t’u bërë element i qendrueshëm i tabelës së acideve titisto-staliniste.

Nuk kam më forca për ta vazhduar këtë shkrim, i dashur Gabriele . Të më falësh edhe ti, i perkryeri portret i dhimbjes – Et’hem Haxhiademi. Po ndihem sikur të jem epileptik në këto çaste. Kam humbur ekulibrin dhe nuk mund të qëndroj as edhe ulur. Bota po më rrotullohet. Alektrokardiograma po më çmendet. Kush e di sesa është ngjitur presioni i gjakut në damarë. Zhiva po shpërthen termometrin nën sqetull. Sytë, sidoqoftë, nuk i kam të lagur. Loti i fundit nuk më kujtohet qëkur është derdhur dhe gjendrat e mia tashmë janë shterpa. Lotin e shpirtit nuk mund të ma shihni. Mbërthejeni shikimin me kujdes mbi pikat, presjet, pikëpyetjet, pikëçuditëset, dy pikat, pikëpresjet… Janë të gjitha njollëza gjaku, të rrjedhura në qelinë e zezë të Burrelit, në vitin tragjik 1965, kur rruazat e kuqe reshtën së renduri në venat e Et’hem Haxhiademit të madh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ETHEM HAXHIADEMI, Fate të skajshme, Gabriele Annuzio, Shpend Sollaku Noe'

MUSINE KOKALARI- NE KUJTIM TE ZHAN DARKES SHQIPTARE

January 28, 2019 by dgreca

“Bermude të Gjirokastrës: “Musine, Ismail, Enver”/1 musine Kokalra

Nga Shpend Sollaku Noé./(retrospektive)/
Vështirë të gjendet një qytet tjetër kaq i vogël sa Gjirokastra që të ketë ndikuar aq shumë në historinë apo kulturën e një vendi. Dikush këtë e shpjegon me përpjekjet e qytetarëve të saj për të mbijetuar në një vend të tillë të izoluar, me pak banorë, më mundësira të kufizuara për zhvillim ekonomik, ku gjithçka ishte e kursyer përveç gurit, ku duhej kursyer parimisht dhe, veç të tjerave, larg prej qendrave të rëndësishme ku vendosej edhe fati i tyre. Dikush tjetër, sidomos të kaluarën e saj, e shpjegon si një ekzaltim të qëndresës ndaj të huajt të një fortese të fundit kufitare, politike apo kulturore. Ndonjë tjetër shkon edhe më tej, duke gjetur zgjidhjen e gjithçkaje gjirokastrite në ADN-në e banorëve të saj, me arësyetimin e thjeshtëzuar: lindin të tillë, për tʼju imponuar të tjerëve.

Pavarësisht nga reflektimet, faktet thonë që janë të shumta ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe personazhet e lindur në atë qytet që janë imponuar në rang kombëtar si në histori, ashtu edhe në kulturë apo shkenca.

Por unë këtu do të merrem vetëm me tre prej tyre, që të tre në vështrim të parë shumë larg njeri-tjetrit. Por që jetët dhe veprimtaritë e tyre i kanë patur të lidhura nëpërmjet shumë fillesh, diku të nëndheshme, diku tjetër mëse të dukshme: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe Musine Kokalari.

Për të parin është folur shumë, për tragjeditë e krijuara prej diktaturës së tij të përgjakshme, viteve të fundit edhe për veset e tij private. Personalisht më intereson pak nëse ai ishte apo jo i denjë për Gay Pride. Raste figurash historike që kanë qenë gay, të deklaruar ose jo, janë të shumtë. Është shkruar që edhe Michelangelo, Aleksandri i Madh apo edhe të tjerë të mëdhenj të kulturës apo të historisë deri në kohën e sotme kanë qenë homo apo biseksualë. Ky fakt, për studiuesit, është krejt i parëndësishëm për tʼi vlerësuar ata si të mbetur në histori apo kulturë e arte për veprën e tyre. Edhe Enveri ka për të mbetur përgjithmonë në historinë shqiptare. Nuk fshihen me një të rënë të lapsit pesëdhjetëvjetë nga jeta e një populli. Sa më shpejt të shihet realisht dhe me gjak të ftohtë kjo figurë makbethiane, aq më shpejt shqiptarët do të kthehen në qytetarë normalë, që gjykojnë, por nuk shajnë e mallkojnë. Por kjo nuk do të thotë të tolerohen manifestime nostalgjikësh me portretet e tij.

Nëpërmjet shumë fijesh figura e diktatorit tonë është lidhur qoftë më atë të Kadaresë, qoftë me atë të Musine Kokalarit. Lidhjet ndërmjet kësaj tresheje kanë qenë dhe mbeten kaq të rrezikshme për ne që pëpiqemi tʼi interpretojmë, saqë ndodhemi shpesh në gjendjen e një piloti mu në mes të Trekëndëshit të Bermudeve, duke rrezikuar seriozosht rënien në pikiatë apo zhdukjen pa lënë gjurmë. Aq shumë intriga në mes këtyre të treve, aq urrejtje, aq hakmarrje, aq kryeneçësi për tʼi rezistuar tiranit, aq egërsi për të errësuar tjetrin deri në eliminim.

Midis dy të parëve, Hoxhës dhe Kadaresë, më shumë se një raport dashuri-urrejtje, ka qenë një mbështetje e njëri-tjetrit, siç duhet të bëjnë dy gjirokastritë model; herë për konveniencë prej të të dyve, herë për nështrim total të të dytit ndaj të parit, herë për imponim me anë të frikës të të parit me të dytin; një kombinim i përsosur i kulaçit me kërbaçin, ose: më shumë kulaç sesa kërbaç. Nga ky fakt Kadareja ka qenë gjithmonë i ndier herë si më i përkëdheluri i regjimit, hërë më i kërcënuari, kur fama apo veprat e tij rrezikonin të tejkalonin ato të diktatorit. Sidoqoftë që të dy e shfrytëzonin njeri-tjetrin deri në palcë: Hoxha – Kadarenë për tʼu përjetësuar në letërsi, ndërsa shkrimtari për të patur liri veprimi në shkrimet e tij, liri deri në masën që nuk duhej të minonin autoritetin e diktatorit.

Tjetër gjë ka qenë raporti i Enverit me Musinenë. Njiheshin që në rini. Në një nga botimet e fundit për Musinenë, lihet të kuptohet që Hoxhët kishin kërkuar që të fejonin Musinenë me Enverin, gjë që paskërka qenë kundërshtuar nga Kokalarët. Kjo i paskërka dhënë shkas edhe ndjenjës së vazhdueshme hakmarrëse të Hoxhës në periudhën e mëpastajme. Ky detaj mund të ishte një gjetje e mirë për një telenovelë, por kundërshtohet me vendosmëri nga pasardhësit e vajzës Kokalari. Nuk mund të jetë e vërtetë, pasi Musineja ishte mjaft e vogël kur Enveri kish kohën e fejesës.

Xhelosia e diktatorit ndaj saj duhet parë së pari në prizmin politik.

Hoxhët dhe Kokalarët ishin farefis, dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë një sekret. Hoxha pra i ka pasë njohur mirë ata, por jo vetëm prej lidhjes fisnore. Gjirokastra ishte shumë e vogël. Intelektualët e saj numëroheshin me gishta. Ata banonin në një lagje. Ishin nga familjet më të vjetra të qytetit. Me vëllain e Musinesë, Hamitin, Enveri kish bërë shkollën që nga klasa e parë e deri në mbarimin e shkollës së mesme. Madje që të dyve u doli njëkohësisht bursa dhe njëkohësisht u nisën të studiojnë jashtë. Dy vëllezër të Musinësë kanë qenë profesorë të Enverit në liceun francez të Gjirokastrës. Enveri, për mënyrën e të sjellurit dhe për lidhjen e mëvonshme me komunistët, është parë, jo vetëm nga Kokalarët, por edhe vetë nga familja e tij, si një renegat dhe si i padenjë. Jo rastësisht diktatori ose e përmend pak, ose e injoron fare të atin në kujtimet e tij, duke marrë si përfaqësues të denjë të familjes xhaxhain, Hysenin. Inatet ndaj familjes së tij, por sidomos ndaj Kokalarëve, do të trasformoheshin shpejt në hakmarrje, veçanërisht ndaj Kokalarëve, që u kushtoi këtyre të fundit disa dënime me vdekje e mjaft vite internimi. Pa dyshim krijesa më e dhimbshme në kuadrin e kësaj hakmarrjeje të përbindshme ishte Musineja. Së pari, sepse ishte një intelektuale e fortë dhe e përgatitur; së dyti, dhe sidomos, si kundërtshtare politike. E reja Kokalari kish guxuar të themelonte një parti politike, atë Socialdemokrate, taman në kohën kur pluralizmi politik ishte sanksionuar si një herezi. Goditja u fundit e hakmarrjes së diktatorit ndaj saj mori shkas sidomos nga qëndrimi në gjyq i Musinesë. Kur të tjerë ishin dridhur në seancat penale të diktaturës, kishin kërkuar mëshirë, kishin qarë dhe ishin deklaruar të penduar, duke pranuar edhe dënimin me vdejke ndërsa thonin «rroftë partia», ajo kish qëndruar e pathyer, kish vazhduar tʼi sfidonte edhe para trupit gjykues, pa u lëkundur as edhe një grimë nga idealet e lirisë që mbronte prej kohësh. Këtë gjë Hoxha nuk kish për tʼia falur kurrë sa qe gjallë.

Musineja, nga ana e saj, e ka injoruar diktatorin pothuaj në të gjitha kujtimet e lëna me shkrim, përveç ndonje ironie të hollë, të cilës i nënkptohej qartë adresa.

Po Kadareja në çʼraport ka qenë me Musinenë? Në të gjitha veprat e tij me temë Gjirokastrën, ai është përpjekur vazhdimisht të errësojë apo të denigrojë gjithçka që ka të bëjë me Kokalarët apo kushërinjtë e miqtë e tyre. Tek «Kronikë në Gur», për shembull, dihet sesi e përshkruan Aqif Kashahun, nip i Kokalarëve. Po ashtu, sipas Kokalarëve, mendohet të jetë Musineja modeli i personazhes së vajzës së shkolluar që sʼbënte gjë tjetër veç dilte nëpër dritare.

Jashtë kontekstit të këtij romani, Enveri kish njohur Myfitin, vëllain e Aqif Kashahut, me të cilin kish qenë bashkëstudent. Enveri i ka pasë shprehur dëshirën Myfitit që ta martonte me njërën nga motrat e tij, por vëllai i Aqifit nuk kish pranuar. Shumë në Gjirokastër e komentojnë një përshkrim të tillë të Kashahut nga Kadareja, si një haraç të paguar diktatorit, ndaj atij mbiemri që dikur atë e kish «përçmuar». Kusuri është vetëm heshtje. Asnjë koment i Kadaresë, as edhe prej dy rreshtash, për librat e botuar nga Musineja, as edhe për faktin sesi ajo ka qenë si një zë i veçantë në enciklpedinë francese Larousse, në vitet 1945-1950.

I tillë ka qenë edhe qëndrimi i Musine Kokalarit ndaj Ismail Kadaresë, të paktën me shkrim, të paktën për aq sa kam mundur të lexoj prej kësaj autoreje: heshtje e plotë.

Deri tani kemi folur për mite: Miti i diktatorit që ende duhet zbërthyer siç duhet; miti i Kadaresë në të cilin ka meritë ai vetë por edhe diktatori që e lançoi: miti i Musinesë ku, në mënyrë paradoksale, edhe diktatori ka luajtur një rol të dorës së parë për ta bërë të pavdekshme, pikërisht duke e persekutuar.

Si paraqitet sot raporti në mes të këtyre tre miteve të Gjirokastrës?

Ai i diktatorit vazhdon të jetojë tek nostalgjikët. Dje ishte kryesori. Pas tij vinte sigurisht Kadareja. Musineja ishte fare e panjohur për turmat kombëtare.

Në një kohë të dytë ( vitet ʼ90) ndodhi parakalimi i Ismailit në dëm të Enverit. Ai ka patur edhe propozime që nuk i ka pranuar, për tʼu bërë president i Shqipërisë. Musineja, ndërkaq, sapo kish nisur të nxirrte kokën, si një manushaqe e brishtë, poshtë një shkëmbi, pas një dimri të zgjatur e të akullt.

Mitet vlejnë për turmat. Atyre nuk u intereson as të njohin në thellësi veprën dhe moralin e Enverit. As të lexojnë librat e Ismailit. As të thellohen e të njohin më tepër një vullkan të nënujshëm si Musineja. Turmat dijnë të bëjnë vetëm dy gjëra: ose të adhurojnë, ose të urrejnë. Është detyrë e studiuesve të vërtetë dhe, sidomos e shtetit, të ndajë mitin e tyre nga realieti.

Çʼqëndrim ka mbajtur shteti shqiptar ndaj këtyre tre miteve, të këqinj, të dyshimtë apo të kristaltë qofshin?

Rreth Enver Hoxhës janë bërë shumë botime, përgjithësisht denigruese, përgjithësisht nga privatët. Shteti shqiptar nuk e ka cilësuar kurrë ligjërisht apo formalisht atë si një diktator. Në Shqipëri janë lejuar manifestime të nostalgjikëve, gjë që nuk ndodh në Itali apo në Gjermani, ku janë ndaluar me ligj grumbullime që himnizojnë Musolinin apo Hitlerin. Kushtetuta shqiptare nuk shprehet qartë për këtë problem. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit janë dekoruar edhe eksponentë të ish-diktaturës, diçka e palejueshme kjo për një qeveri që pretendon të jetë europeiste. Është rindërtuar prej kohësh shtëpia e djegur e Enverit, në lagjen Palorto, në trajtën e Muzeut Etnografik. Atje gjenden edhe pak objekte të familjes Hoxha, pa dicitura, si dhe një bust i anesë, nënës së Enverit, i mbuluar nga pluhuri, i fshehur në një kthinë, pas një dere të vjetër, me kurriz të kthyer hyrjes, që unë e hapa rastësisht, për të parë se ku të shpinte. Gjatë vizitës tonë të fundit në atë muze, kushërinjtë e Hoxhës që banojnë aty pranë na thanë, edhe pa i pyetur: Enverin këtu e kanë akoma frikë, dhe prej nesh trëmben!

Edhe shtëpisë së Kadaresë, në skaj të Sokakut të të Marrëve, i ka pasë rënë zjarri. Por me të shteti është duke u marrë seriozisht. Edhe pse në mënyrë të ngadalshme, nuk kanë munguar fondet dhe atje punohet për të ndërtuar një fortesë që do të jetë Muzeu Kadare. Brenda saj pashë një skuadër muratorësh, por edhe modifikime që prishnin traditën gjirokastrite. Nga këto lloj modifikimesh jashtë tradite të ndërtesave dhe rrugicave vuante në përgjithësi e gjithë zona historike e Gjirokastrës, për të mos përmendur ato të braktisurat në degradim.

Shtëpia ku lindi Musine Kokalari, ndërkaq, nuk ka parë as edhe një qindarkë ndihme nga shteti apo nga fondacionet e kamufluara «joshtetërore». Rekuperimi i saj ka qenë vetëm vepër e përkushtimit të mbesës së Musinesë, Arjeta, dhe të të shoqit Yzeir Ceka. Ata, me sforcimin e tyre, arritën sa ta sjellin atë Muze deri në fazën e fundit, atë të mbushjes me materialet e duhura, të kataloguara me kujdes që më parë. Por, mesa duket, zjarri në Gjrokastër do të vazhdojë të jetë protagonist. Një ditë të premte, më 21 nëntor 2014, rreth orës njëzetë të mbrëmjes, ai do të bënte shkrumb, në pak minuta, gjithçka që qe ndërtuar e rekuperuar në Muzeun Kokalari. Prej tij tani kanë mbetur vetëm ngrehinat e mureve. Një humbje e madhe kjo jo vetëm për Kokalarët, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë. Ngushëllimi i vetëm është që janë shpëtuar të gjitha materialet arkivore. Vetëm me forcat e Arjetës dhe Yzeirit, ai Muze nuk mund të rindërtohet. Bashkia e Gjirokastrës vazhdon të jetë indiferente, Tirana gjithashtu. Për një vlerë të tillë kombëtare, të gjithë ne dashamirësit do të japim ndihmesën tonë. Por, sado që të bëjnë privatët, roli i shtetit shqiptar këtu është i pazëvendësueshëm. Në kthimin të prekshëm për të gjithë, të mitit të kristaltë, që shkon drejt superimit të Kadaresë e Hoxhës; Musine Kokalarit.

Filed Under: Featured Tagged With: Mermude te Gjirokastres, Musine Kokalari, Shpend Sollaku Noe'

Si shkruanim nën diktaturë*

January 18, 2019 by dgreca

Shpend Sollaku Noé ne ditet e sotmekopertina Mezat e kalterShpend Sollaku Noé adoleshent

 

Nga  Shpend Sollaku Noé*/

Është e rrezikshme të jesh poet në kohë diktature. Për nga na­tyra poetët janë lindur të lirë dhe li­ria, në një farë mënyre, është vlera më e rëndësishme që ata bartin përmes vargut. Por të qe­nit të lirë shpesh bëhet edhe kryqi që ata duhet të mbajnë mbi shpinë, sidomos kur, në kushte të caktuara historike, mendimi vetiak imponohet nëpërmjet parimesh të vendosura “nga lart”. Dëshira për të shkruar vargje sipas zemrës e jo sipas parimeve të diktaturës ka qenë fatale për shumë poetë. Ajo në Shqipëri është paguar me burgime të gjata, si në çështjen e Visar Zhitit, por edhe me dënime kapitale – siç ka ndodhur me Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Havzi Nelën; me vetmi e përçmim pas dekadash burgimi e internimi si në heqën e stërgjatur të Musine Kokalarit…

Letërsia shqiptare dhe ajo botërore kanë njohur edhe shembuj të panumurt të poetëve të oborrit, që iu nënvunë pushtetit dikta­torial sepse të bindur në idealet komuniste (rasti i shqiptarit Dritëro Agolli) apo në ato fashiste (italiani Gabriele DʼAnnun­zio). Shumë të tjerë i shërbyen regjimit për konve­niencë (shqiptari Ismail Kadare). Këto emra i servir vetëm sa për të përmendur dikë, pasi lista e këmbëlëpirësve, edhe pse ndonjëhere poetë të mëdhenj, bëhet shumë e gjatë.

Ai që merr penën e vendos të hedhë në vargje lirinë apo sklla­vërinë e tij e ka të domosdoshme të ballafaqohet me lexuesin. Dhe për të arritur tek lexuesi ka nevojë të domosdoshme të bo­tojë. Por nën diktaturë kjo nuk është e thjeshtë, duhet tʼi përulesh ose të bëhesh pjesë e saj. Kjo është e papranueshme për poetin e lirisë, por tundimit për tʼu përballur me njerëzit nuk mund tʼi rezistosh. Atëherë kërkohen mënyra të tërthorta për të thënë të vërtetën e për të “tribluar” çensurën.

Njëra nga armët më të efektshme për tʼia arritur këtij qëllimi është alego­ria. Shembujt e përdorimit të alegorisë në poezinë botëro­re janë të panumurt, nga letërsia antike greke tek Dante Ali­ghieri e deri në kohët moderne. Nga letërsia shqiptare sipas mendimit tim, më tipikët alegorikë kanë qenë Mjeda, Asdre­ni, Çajupi, Naimi e Noli – të gjithë një shkollë e vërtetë për tʼiu sh­mangur ndali­meve. Në kohët mo­derne kjo mënyrë u pasurua si­domos nga Kadareja me dykuptimësinë e vargut, që nuk është sipas meje një alegori e mirëfilltë, por që pak i mungon: ajo është më mo­derne, por, si alegoria, të jep mundë­sinë e shpreh­jes së mendi­mit edhe pa rrezikuar shumë zyrtarisht.

Alegoritë dhe dykuptimësitë u përpoq tʼi shfrytëzonte edhe brezi i poetëve me të cilin edhe unë nisa përpjekjet e mia në të thënën e të vërtetave. Një pjesë e mirë e atij brezi përqafoi dik­taturën, e shfrytëzoi atë për të bërë karrierë, shpesh në kurriz të të tjerëve poetë, duke spiunuar apo sabo­tuar poezinë e konkurrencës. Një pjesë tjetër, në të cilën mendoj se përfshihem, u për­poq të mbijetonte. Dhe për tʼi dalë mbanë dëshirës që të matej me lexuesin, zgjodhi mënyrën e tërthortë për tʼu shprehur, atë të alegorisë apo të dykuptimësisë. Por tashmë edhe çensorët nuk ishin më ata të pagdhendurit e dikur­shëm: ata ishin specializuar në­për universitetet e nëpër zyrat e diktaturës edhe për të zbërthyer ale­goritë e dykuptimësitë. Dhe as unë as ndonjë tjetër nuk ki­shim kredencialet e Kadaresë. Më fatkeqët prej këtij tipi të di­zidencës përfunduan pas hekurave; unë dhe ndonjë tjetër qemë më me fat, patëm shokë besnikë dhe i shpëtuam burgut, pasi nuk flisnim kur ishim më tepër se dy vetë (zyrtarisht, për të të dënuar du­heshin të paktën dy dëshmitarë). Por hakmmarrja e diktaturës mbi mua u shpreh ndryshe: me mënjanimin shoqëror, me mosdhë­nien e të drejtës për të studjuar, me dërgimin në Sazan për tre vjet, në kohën kur kisha mbaruar me rezultate shumë të mira të dymbëdhjetë vitet shkollore apo kisha filluar të botoja, edhe pse me pikatore, që në moshën katërmbëdhjetë vjeç. E sidomos ajo hakmarrje u shfaq me mohimin e të drejtës për të botuar. Gazeta «Drita», në të cilën kisha filluar të kisha cikle poetikë që herët, ra në dorë të poetëve të qeverisë, të sjellë aty nga rrethet apo Tirana për të pasur gjithçka nën kontroll. Në «Zërin e rinisë» vunë një tjetër, njeri i sigurimit të shtetit. Arritja e tij në atë gazetë shënoi edhe fundin e bashkëpunimeve të mia në atë organ. Për të marrë mendime rreth pastërtisë morale e talentin e atyre që vinin nga Lushnja, ishte dikush tjetër, i lindur në qytetin tonë, që, për të thënë pak, hante e pinte me ata të Tiranës dhe shtrembëronte të dhënat e poetëve lushnjarë sipas këndvështrimit të Ministrisë së Brendshme.

I armatosur me alegorinë apo me dykuptimësinë,  unë arrita të kem vetëm një fitore: të vetmin libër poetik të botuar në Shqi­përi: “Mëzat e kaltër”.

Në fillim ky libër titullohej “Sfinksi”. Në vitin 1976, për  “Sfinksi”- n Ismail Kadaré i shkruante shefit të poezisë: «I dashur I.N., autori i këtyre vargjeve është një djalë … Ju kër­koj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri». Kërkesa e  Kadaresë u hodh poshtë.  “Sfinksi”-t iu mohua botimi dhe mua mʼu bë presion të kthehesha në klishenë tradicionale të realiz­mit socialist. Në shkurt 1987, pas njëmbëdhjetë vitesh çensure, arrij ta botoj me titullin “Mëzat e kaltër”. Por, ndërsa po shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve që tʼi gëzohesha suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpë­ritej fati i tij: Në karton! I lajmëruar nën zë nga një tjerër autor i ri (T. K.), mësova se, pasi e kishte botuar, çensori kishte vendosur menjëherë ta zh­dukte librin tim për nxirje të realitetit nëpërmjet alegorirash të rrezikshme. Çʼtë bëja? Bashkë me të fejuarën, që më priste në koridor, renda në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipogra­fëve, të trembur prej “urdhërave nga lart” (Ky libër  nuk  duhet  absolutisht  të qarkullojë!), arrita “të vjedh” një kopje të vetme. Kur drejtori i “Naim Frashëri”-t, (G. B.) i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, unë nxora kopjen e “vjedhur” prej palltos. Ai i befasuar, pas orësh polemike, më detyroi të pranoj  një “kompromis”: të lejohej të qarkullonte libri, por pa varg­jet e kriminalizuara! Unë nuk shkova më të interesohesha për fatin e atij vëllimi. Por nuk më kish shkuar kurrë në mendje ajo që do të ndodhte vërtetë: Në variantin e dytë të “Mëzat e kaltër” ishin grisur poezi të tëra, të tjera ishin sakatuar dhe shumë vargje ishin shkruar nga njëri prej redaktorëve (F.M)! Aq banale ishte bërë girsja, saqë duken qartë edhe faqet “e reja” të ngjitura mbi “të vjetrat”. (majtas në fq 5 – titulli me kryq sipër – ka qenë poezia ime dhe është zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia. Po ashtu në faqen 6 ka qenë poezia “Revolta e maleve”, grisur e zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia si vazhdim i poezisë “Popujt si deti” e kështu me radhë gjatë vazhdimit të librit.). E vetmja kopje e plotë e këtij vëllimi gjendet në arkivin tim. Sidoqoftë, nuk mund të harroj mbrojtjen që më bënë, edhe pa më njohur, shkrimtarët Nasho Jor­gaqi e Fatos Arapi, që u shprehën kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: «Të dërgosh këtë autor të ri në karton do të thotë inkuizicion mesjetar!»

Disa prej poezive të grisura i kam edhe botuar më vonë në Itali e SHBA, disa akoma jo. Kam shtuar në antologjinë time të fundit – “Honet”- edhe disa të pabotura ende, ashtu siç kanë qenë, pa ndry­shuar as edhe një presje, më tepër për tʼu treguar poetëve të rinj sesi ishim detyruar të shkruanim nën diktaturë, sesi përdorn­im alegoritë apo dykuptimësitë për tʼiu shmangur çen­surës, edhe pse shpesh pa sukses. Ndoshta këto shënime kanë vlerë edhe për tʼu thënë poetëve të sotëm sesa e çmuar është li­ria e të shkruarit në demokraci, që imponon vetëm një rregull të paluaj­tshëm: vetëçensurimin në emër të cilësisë artisti­ke.

*Marrë prej librit  “”Honet” të Shpend Sollaku Noé

***

Disa nga poezitë e grisura apo të ndaluara nga libri “Mëzat e kaltër” (shkruar në vitet 1971-1985)

Shkëmbi

tashmë

u gërrye,

por

edhe

dallga

është

e vdekur.

Të zgjohesh

në fund

të greminës,

sa

të rënda

eshtrat!

Lëkundem,

por nuk rrëzohem,

në gjuetinë e zhgënjimit të ardhshëm.

Panteoni në black-out, zhuzhimëmadhe

kremtohet lavdia e kacabujve.

Qiellit zvarrisen retë shterpa

me një hirnosje të shtirur premtojnë shi.

Nje ditë…

Një muaj…

Një vit zvarritje…

Toka më kot zgjat buzët të pijë.

 

Herë jam njëqind, herë jam një hiç

herë degë e gjelbër, herë gjemb i thatë,

herë prush i ndezur, herë hi i ftohtë,

herë dallgë e egër, herë batak.

Herë hapësirë, herë vrimë e errët,

herë majë kreshte, herë gozhdë këpuce.

Jam fluks verbues o llampë e djegur,

apo jam veç një ëndërr e humbshme?

Një rriskë horizonti i egër, trysës,

një mashtrim i pafund gri,

me një të çarë momentale gërvishtëse

të minifluksit të shpresës.

Pas tij – fundjava shtrigë

me buzët në trajtën e gërshërës.

***

Një cigar që djeg gishtat,

kjo dritare e mbyllur korriku,

truri i lodhur që sʼguxon të mendojë,

gjuri që sʼbindet,

tranzistori i mekur

dhe kjo këngë që e njomi qerpikun

me tingujt që treten prekshëm tek kujtimi

më thonë sa rrallë, sa rrallë

e paskam ndjerë gëzimin.

 

***

Djajtë më flasin rrok

dhe shpirti më kot kërkon qetësimin,

dhe muskujt drithërimin,

dhe zemra tundimin.

Djajtë flasin rrok.

Ej, çliromëni, qafën nga vargonjtë,

të mbys gulçimin që sʼmbytet

të shpirtit rebel

të dremitur në qoshen e plogët.

***

Asgjëja përpirëse sundon

mbi librin e pluhurosur,

dhe lulja gjethezverdhur rënkon.

Tingull i plagosur,

gjethe që nxiton të vdesësh

në shurdhërinë kumbonjëse,

kthemani, kthemani gjumin e trembur

dhe ëndrën e fjetur dhe britmën e arratisur

tek vërtitem në shtjellën rraskapitëse

pa qenë aspak krijues i boshit.

 

Zëri i vardurit dëgjohet

qartë

mes drurëve,

në vesh – nanurisja e ëmbël.

Por pylli i gjithë bisedon:

flet dhe bari,

dhe marinëza,

flet dhe kaçja dhe drizat,

paçka se duket

sikur sʼkëndojnë, përshembull, lisat.

Mbaji vesh kur dita më nuk do të jetë e qetë,

mbaji vesh kur të grinden me erën.

Qielli im – trari i kalbur,

blerimi – trung pa hije,

lulja – pistil e thekë të pafrut.

Fytyra ime

– negativ

i një filmi të xhiruar me ngut.

Gjuha ime

– udhëtim shkurtalaq

nga qumështi i holluar

tek kafeja surrogato.

 

Humnera

– një pirg dheu

me fëmijëri të plakur.

 

Po gjaku, pse mʼu zbardh gjaku?

Filed Under: ESSE Tagged With: nën diktaturë*, Shpend Sollaku Noe', Si shkruanim

Politically incorrect

December 30, 2018 by dgreca

Një event për historinë e letërsisë, një hiç për kritikën zyrtare: Pentalogjia poetike e Net IsVeizit.  

net 4net 5Net IsVeizi foto

 

U ndanë çmime gjatë 2018-ës, u bënë edhe klasifikime. Siç pritej, u nderuan me to sidomos autorë pranë pushtetit, të sjellë në dritë nga botues ngjitur me pushtetin; të lëvduar nga tellallë që mbledhin me gjuhë thërrimet poshtë tavolinës së pushtetit.net 1

Asnjë shkrim me peshë rreth një botimi të rrallë, të plotë, madhështor, epik, që i  bën një shërbim të pakrahasueshëm gjuhës së lëvruar shqipe: pentalogjia “Argenit si shpirt yjesh”, “333+333 sonete” , “+ 333 sonete”,  “Shpirtgenit si ar yjesh” si edhe “333 sonete” – sjellë për lexuesin nga “Botimet Magus”.net 2
net 3

 

Me keqardhje e kemi pranuar që nuk kemi kritikë të mirëfilltë për letërsinë. Pas largimit nga skena të burizanëve të realsocit, pritej një boshllëk, por jo që të zgjaste kaq shumë. Por boshllëqet në kritikë, ashtu si edhe më gjërë në gjithë letërsinë – janë fatale. Në kritikë ato u mbushën me shkruajtës me porosi; në letërsi lexuesi ka mbetur pa një busullë, në mes të shkurreve të mediokritetit. Mendohej se nga vetë letrarët vërtetë të talentuar do të vinin shkrime të bazuara në cilësinë e veprave, por zhgënjimi qe i plotë: rrallë u gjendën shkrime të tilla. Nëpër media e social të marrin frymën elozhet për njëri-tjetrin, pothuaj gjithmonë nga shgarravitës që nuk kanë lexuar librat që lëvdojnë, mjafton të jenë të miqve, apo dhe, sidomos, të të afërmve.

As kritikët e mirëfilltë nuk janë të zhveshur prej subjektivizmit, por tek ata kriteri bazë – vlera e mirëfilltë – mbetet gur themeli.

Me Net IsVeizin nuk ndodhi as  njëri fenomen, as tjetri. Net, ashtu si edhe vepra e tij e rëndësishme, ka qenë dhe mbetet politically incorrect. Nga ky pikëvështrim duket normale ftohtësia, për mos të thënë armiqësia ndaj tij. Për të kanë heshtur scrivanët me pagesë. Ai nuk ka familjarë apo miq që ta lavdërojnë falas.

   E mos më thoni që koha i nxjerr vet në pah vlerat. Qëmtojini sa jeni gjallë. E nesermja nuk do të jetë e lexuesit të sotëm. E vetmja gjë e sigurtë është se Net IsVeizi do vazhdojë të përmendet, edhe kur të të lëvduarve me pagesë,  atyre prej familjarëve apo prej thërrimexhinjve të politikës t’u jenë konsumuar gurët e varrit.

 

Botuar në gazetën “Dielli”, Nju Jork, 30.12.2018

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Net IsVeizi, Shpend Sollaku Noe', Triptik

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT