• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U NDA NGA JETA GAZETARI KURAJOZ KOSTAQ XOXA

August 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: SHPENDI TOPOLLAJ-

Si rezultat i një arresti kardiak, u nda nga jeta gazetari i mirënjohur Kostaq Xoxa. Kostaqi u lind në Tiranë në vitin 1931 në një familje të shquar atdhetare. Babai i tij Xoi Xoxe ishte një gazetar dhe politikan i ndershëm dhe i guximshëm, fjalimet e të cilit në Parlament dhe kujtimet e shkruara, mbeten shembujt më domethënës për të treguar se cili duhet të jetë roli dhe pozicioni i një intelektuali të vërtetë në shërbim të popullit. Në rrugën e tij eci përherë edhe Kostaqi, i cili pati një jetë plot peripeci, si pasojë e goditjeve të herëpasherëshme që regjimi komunist ushtroi ndaj familjes së tij, pasi kishte arritur edhe t`i burgoste pa asnjë faj, të atin. Provoi çpronësimin e egër, përbuzjen dhe deri pengimin për t`u shkolluar rregullisht, edhe pse ishte përherë nga nxënësit më të shkëlqyer, apo internimin e kufomës së vëllait të vdekur dhe mos lejimin për ta varrosur atë. Bëri punë të rëndomta krahu, si në Kriporen e Kavajës, dhe shofer kamioni, gjersa duke parë aftësitë e tij, kulturën e gjërë, prirjet letrare dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja, me ndërhyrjen e një njeriu të mirë, Kahreman Yllit, emërohet mësues në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, ku arriti të japë me mjaft kompetencë edhe lëndën e matematikës. Për korrektesën e tij, aftësitë pedagogjike, horizontin e gjërë dhe mënyrën e komunikimit me nxënësit, duke aplikuar metoda të reja mësimdhënieje, ai mbeti i dashur dhe i respektuar nga kushdo. Pas vitit 90 – të shte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos te gazeta “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd. Për të, të gjithë ishim vëllezër dhe së bashku do ta bënim më të mirë këtë vend. I rreptë në qëndrimet e tij politike, dhe armik i vendosur i korrupsionit, ai asnjëherë nuk bëri kundërshtarë. Miqtë e tij të shumtë ishin të çdo krahu, dhe ai mundohej me gjithë shpirt të ndihmonte cilindo që kishte nevojë për të. Skrupuloz në kërkesat gjuhësore, ai kujtdo i shfaqte gatishmërinë për t`ia korrektuar librat qysh në dorëshkrim, pa asnjë shpërblim, duke thënë se le të jemi të kundërt në mendime, te gjuha jonë e bukur duhet të jemi njësoj. Ishte mik besnik Kostaq Xoxa dhe u gëzohej arritjeve të të tjerëve. Sapo botohej një libër, ai e lexonte dhe shkruante artikullin përkatës me talentin e një kritiku të mirëfilltë, duke vënë në dukje anët e mira dhe mangësitë që konstatonte në të. I pakët nga trupi, por zjarr në biseda, me atë të qeshurën që i buronte nga shpirti, ky shok, ky mik, ky bashkëshort e prind i rrallë, që ngriti fuqishëm deri në fund, zërin për demaskimin e krimeve të komunizmit dhe domosdoshmërinë e futjes në Evropë, do mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu, modeli i intelektualit të ndershëm, plot integritet e dinjitet. La në pikëllim gruan e tij të mençur, Meritën dhe dy fëmijët e mrekullueshëm, por dhe një boshllëk te të gjithë ne që e deshëm dhe e vlerësuam ashtu sikurse e meritonte. Jeta dhe vepra e tij nuk do të harrohen lehtë, pasi ai me to, do na kujtojë gjithmonë thënien e Virgjilit se “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar, jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”. Dhe Kostaq Xoxa ynë, iku nga kjo botë i virtytshëm!  

Filed Under: ESSE Tagged With: Kostaq xoxa, Shpendi Topallaj, u nda nga jeta

ARSHI PIPA DHE VEPRA MADHORE E TIJ MERITOJNË NDERIM TË PËRJETSHËM

July 29, 2020 by dgreca

SHKRUAN: SHPENDI TOPOLLAJ- U mbushën 100 vjet nga lindja e profesor Arshi Pipës, njërit nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatura atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj ç`do diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti. Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të tij mbi kurrizin e tij dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa. Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojës së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit. Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “ Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B. Amerikës, vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotës ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj. I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu , tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin.  Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracia, neveria e hapur ndaj diktaturës, urretja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karaktei i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullnet për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij,  ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Arshi Pipa, nderim i perjetshem, Shpendi Topallaj

VERMOSHI, PERLA SHQIPTARE

September 9, 2017 by dgreca

1 lepusha_vermoshNGA SHPENDI TOPALLAJ/

maje mal

Kur nuk ke shkuar ndonjëherë atje, Malësia e Madhe sepse të përfytyrohet ashtu siç e kanë përshkruar udhëtarët e huaj aq të vëmendshëm në fillim të shekullit që shkoi. Seç të vjen në mendje diçka nga mesjeta; një vend i zymtë, pa shumë dritë dhe me njerëz që rrojnë si në një botë tjetër. Por ja që befasohesh kur e shkel atë dhe vëren që nuk është aspak ashtu. Madje të vjen turp nga vetja që ke ruajtur aq gjatë atë mendim të gabuar. Dhe njëkohësisht mallkon veten që je vonuar aq shumë për ta vizituar këtë krahinë nga më të rëndësishmet dhe me një histori kreshnikësh të mbushur me krenari. Gjatë gjithë rrugëtimit, gjatë asaj lugine rrethuar nga male madhështore, nuk të ndahet shprehja “vend perëndish”. Po, ashtu është e tërë ajo zonë, bukuria e së cilës jo se të le pamend, por ta qartëson mendjen dhe të thotë:”E sheh që nuk e paske njohur fare Shqipërinë? Bindesh tani se edhe parajsa nuk ka sesi të jetë pikturuar më mirë?”.1Kelmend-road-SH20

Kishim kohë që diskutonim këtu në Durrës dhe ja mësë fundi e vendosëm dhe një të shtunë të nxehtë Gushti, së bashku me juristin Eduard Allamani, punonjësin e pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, fotografin Luan Jaupi dhe ekonomistin Përparim Manaj, u nisëm për atje. Rrugët e mira i kanë shkurtuar distancat. Për një orë e gjysmë, mbërritëm në Shkodër. CemiKam jetuar shtatë vitet e fëmijërisë atje dhe më drithërohet zemra kur shkoj në atë qytet. Por sot, nuk hymë në qendër të tij; e anashkaluam nëpërmjet unazës për të marrë rrugën e Koplikut. M`u duk se po ja bëja me të pabesë atij qyteti që e doja aq shumë dhe që më ngjallte aq kujtime. Djathtas e majtas, syri të zë vila të ndërtuara rishtazi, njera më interesante se tjetra. Vetë Kopliku tani është një qytet krejt i ri. Prej aty dhe drejt e në Han të Hotit për pak minuta. Shkuam në Doganë, ku Edi preu siguracionin e makinës. Nuk u vonua; aq na u desh edhe neve për të parë dy rreshta të gjata maunesh të ngarkuara dinga me mallra të ndryshme. Pastaj, makina jonë nisi udhëtimin drejt Tamarës. Pamja në atë malore që nuk ndihej fare, sa vinte e bëhej më piktoreske. Derisa krejt papritur, në një kthesë, ballë për ballë me një masiv malor hijerëndë, na u shfaq një ballkon i ndërtuar posaçërisht me dërrasa dhe xhama, i cili të detyronte të ndalesh e të bëje fotografi. Para nesh, aty kishin ndalur disa të tjerë, turistë, familjarë dhe kalimtarë të rastësishëm, ma celularët nëpër duar, duke pozuar. Si del atje dhe hedh shikimin majtas, mbetesh pa fjalë: të magjepsin Leqet e Hotit me ato kthesat e shumta. 7 vermoshLuani që gjithë rrugën e ka shkrepur aparatin me qindra herë, lëviz sa në njërin krah në tjetrin. Pastaj, ndalemi në Tamarë. Një qytezë e vogël e ndërtuar tani së fundmi e tëra me gurë të latuar bukur. Në mes shatërvani dhe në krah të tij obelisku kushtuar të rënëve antikomunistë. Emrat e tyre janë gdhendur në pllakën e mermerit dhe në krye figura burrërore e patriotit antikomunist Prek Cali. Në nderim të tyre bëjmë disa fotografi dhe zbresim poshtë te përroi plot gurë të mëdhenj. Një pellg me ujin si kristal, sikur ta bën me sy, për t`u futur e freskuar në të. Te kafet e sheshit të shtruar gjithashtu me pllaka guri, në hijen e çadrave ku janë ulur plot vizitorë, ulemi edhe ne dhe pimë nga një gotë raki. Miqtë këtu dallojnë menjëherë dhe ai që kemi pranë, duket se kërkon të hyjë në bisedë me ne. Ka një djalë në Amerikë dhe kuptohet se qysh nga koha e kooperativës, nuk ka zënë punë me dorë. Kalojmë Selcën, ku dallon një kishë me arkitekturë joshëse të cilën thamë se do ta shohim kur të kthehemi. maje malMë pas mbërrijmë në Lapushë, ku Luani që nga makina fotografon një djalë dhe një vajzë, veshur me rroba motoçiklistësh prej lëkure të zezë, që patjetër ishin të huaj dhe që me skafandra në kokë putheshin me afsh. I afrohemi kufirit. Tabela me shigjeta tregonte majtas Vermoshin dhe djathtas Doganën. Ne marrim majtas për të parë Vermoshin që s`qe tjetër veçse një fushë, një luginë plot jeshillëk e rrethuar në të dy anët me male mbuluar me pyje të larta. Një mrekulli e natyrës. Rruga e asfaltuar vazhdon edhe këtu mes për mes fshatit. Personalisht e kisha menduar mal e shkrep Vermoshin, por ja që qenkej ndryshe.

1 sheshiDukeshin njerëzit e ardhur për pushime në oborret dhe lëndinat para hoteleve e restoranteve, që mësë shumti ishin pjesë e turizmit familjar. Ne ndaluam te kisha e madhe e Shën Gjonit, me një shesh të madh përpara, me ujë të bollshëm çezme dhe me dy lapidarë kushtuar martirëve të klerit katolik dhe nacionalistëve antikomunistë. Edhe aty fotografohemi dhe futemi brenda godinës së kishës. Prift, për të shkëmbyer dy fjalë nuk pamë gjëkundi dhe dolëm për të kërkuar një mikun e shokut të Përparimit, me të cilin ai qe njohur në spital. Se ne shqiptarët krijojmë miqësi të forta në ushtri, në aksion, në burg dhe në spitale. Ai quhej Vesal Mitaj dhe lokali i tij, Qershia. E gjetëm menjëherë. Ishte një njeri gazmor që sapo mori vesh se ishim miqtë e Aliut nga Durrësi u bë shend e verë. Hëngrëm në shoqërinë e tij drekën poshtë qershisë ku qenë varur lloj – lloj kafshësh e shpendësh të ballsamosura dhe lëkura të ndryshme, (sido që unë kisha dëshirë të qendronim te ajo dhoma që ai kishte ngritur mbi qershi dhe ku të dukej vetja si në xhungël), ku nuk ngopeshim me bukën shumë të shijshme që porsa e kishte gatuar e shoqja. Kur pyetëm se ku e merrnin miellin dhe Vesali na tha në Mal të Zi, më erdhi keq dhe kujtova simitet e dikurshme të Naumit në Shkodër që me miellin e vendit, jo me Malin e Zi, po as me gjithë botën nuk kishin të krahasuar. U ndamë me të, pasi e siguruam se Aliut në Durrës do t`i jepnim të falat e tij, dhe drejt e në Doganë, por që nuk e kuptuam përse kishin mbetur pashtruar nja treqind metro. Ndofta, tha Përparimi, për të mos i marrë më sysh. Në barakat e kufirit, policët që duhet pohuar se janë përmirësuar shumë si në paraqitje ashtu edhe në sjellje, bisedojnë dhe bëjnë shaka me kolegët e tyre malazes. Duket që janë miqësuar. Pa shumë solemnitete, futemi në Mal të Zi, pra në trojet tona, vazhdim i Malësisë së Madhe,  dhënë dikujt tjetër. Seç kemi një gjendje shpirtërore të pa shpjeguar, një gudulisje në shpirt, një kënaqësi të një lloji të veçantë, një mall ngashëryes, ne shqiptarët, kur vemë në ato vende që edhe pse historikisht kanë qenë tonat, na kanë ndaluar politikat tekanjoze për t`i vizituar. Kanë ndarë për vite e vite me radhë, vëllanë nga motra, djalin nga prindërit, shokun nga shoku. Qëndrojmë për të pirë ndonjë kafe buzë liqenit, në një lokal prej nga përftohet një pamje mbresëlënëse dhe futemi në Guci. Këtu, prej familjes së dëgjuar Shabanagaj, doli Ali Pashë Gucia, ai që i dha lavdi këtij vendi, njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, kryetari i shtabit luftarak të Plavë – Gucisë, luftëtari kundër okupatorëve serbo – malazes, i vendosjes së shtetit kombëtar shqiptar, dhe mytesarifi i Pejës, vrarë në një atentat të pabesë. Pasi vizitojmë qytetin, nisemi për në Plavë e cila nuk është larg. Akomodohemi në një dhomë katërshe në hyrje të qytetit dhe dalim shëtitje. Aty pranë, në një hotel tjetër, kuptohet se po nis një dasmë. Me pamje mjaft të këndshme, detyrohemi të ndalim e ta fotografojmë, kur papritur shohim në oborrin e një vile ngjitur me të, në majë të një shtize të lartë, flamurin tonë kuq e zi. U ngazëllyem dhe u drejtuam për atje. Ndërkohë, i zoti qysh nga dera na përshëndeti, duke na ftuar të hyjmë brenda për një kafe. Ishte një burrë i fisëm, në fytyrën e të cilit lexohej inteligjenca dhe kultura. Por dhe atdhedashuria. Me shumë dëshirë u ulëm rreth tavolinës, aty në freskinë e atij oborri me bar të njomë. Ai quhej Naser Vuçetaj, kurse e shoqja e tij Mane, dhe jetonin prej kohësh në Bernë të Svicrës. Ndërkohë që gruaja mbushi tavolinën me shishe pijesh dhe meze, ne i thamë se na bëri përshtypje flamuri ynë kombëtar. Sa herë vij, shpjegoi Naseri, puna e parë që bëj është të ngre flamurin shqiptar. Pushimet këtu i kaloj çdo vit. Shumëve u bën përshtypje flamuri; ndalojnë dhe mbledhin supet. Sidomos serbëve. Se këtu shqiptarë kanë mbetur vetëm njëzetepesë përqind e popullsisë. Shumë janë larguar jashtë shtetit dhe kjo ikje ka qenë e qëllimshme. Në bisedë futet krejt e lirshme Maneja e cila ka mendimin se edhe malazezët origjinën tonë kanë, dhe me keqardhje shton: por ashtu kanë rrjedhur punët dhe tani nuk para kanë ndonjë dashuri të madhe për shqiptarët. Me vete kisha vetëm një librin tim me poezi të zgjedhura. E nxora dhe ua dhurova. Këtë do ta lexoj unë më parë se më pëlqen poezia, kurse Naseri do historinë – nxitoi të thotë gruaja. Kur po ndaheshim me këta njerëz të mirë, na u lutën të flinim aty. Kur u thamë që kemi zënë hotel, me gjithë zemër na thanë se po erdhët tjetër herë, edhe po nuk qemë ne, shiheni ku e lemë çelsin. Merreni dhe futuni brenda, dhe rrini sa të doni. U dhamë numrat e telefonave dhe u thamë që po të vinin ndonjëherë në Durrës, të na njoftonin. U ndamë me ta si miq të vjetër. Natën, koha u ftoh dhe ra një shi i lehtë. Kishim gati një muaj të tërë që vapa na kishte torturuar. Në mëngjes, Luani pa nga dritarja dhe na tha se retë kanë zbritur në tokë. Ishte një pamje sureale, e liqenit dhe malit përkarshi, ku sipas asaj që na thanë Vuçetajt, në mos gaboj, ishte varrosur djali i Karagjeorgjeviçit (Gjergji i Zi). Pra, pinjolli i nacionalistit të tërbuar serb Gjergj Petroviçit që kishin ushtruar genocidin e paparë ndaj kosovarëve e më tej. Sapo zbardhi, madje edhe duke e ndierë pak të ftohtit, u nisëm për në Vuthaj, ku jo vetëm do shihnim vende të rralla, por dhe që ishte vendlindja e akademikut Rexhep Qosja. Unë kisha dhe një arsye personale, pasi në kohën e komunizmit, prej leximit të librit të tij “Kontinuitete” isha ndëshkuar keq. Nuk ishte larg Gucisë, Vuthaj dhe nuk e di se ç`ndiente njeriu si ne, kur shihte krahas emrit Vuthaj edhe fjalën Vusanje. Kudo vila mes një gjelbërimi prrallor. Në ballkonin e njërës prej tyre, sikur të mos mjaftonte një, i zoti i shtëpisë kishte venë tre flamurë kombëtarë. Kurse një tjetër e kishte gdhendur flamurin e kuq dhe shqiponjën dykrenore mu në faqen ballore të shtëpisë çka dukej që së largu. Dhe ja, në anë të rrugës, një goxha lapidar me flamur sipër. Ndalemi dhe lexojmë: “Isuf Kamer Çela 1909 – 1944 Përjetësi të gjithë atyre trimave vuthjanë e të krahinës së Plavë – Gucisë që na mësuan të mos harrojmë Komb e Atdhe.” Me siguri ishte dora e profesor Qoses në këtë formulim, mendova. Dhe pak më tej, atje te varrezat pranë xhamisë, një varr i dy burrave të tjerë; Çung Tahiri e Isuf Ymeraj (Dedushaj) pushkatuar në vitin 1951. I kishin vizatuar me plis në kokë. Ky i fundit ishte vetëm 22 vjeç. E donin Shqipërinë, ashtu siç e kishte bërë natyra. Dhe komunistët tanë ishin vëllazëruar dikur me vrasësit e tyre. Histori tragjike vrasje shqiptarësh të ndershëm në të dy krahët. Dhe tani varret dhe lapidarët ishin akuza për ta dhe turpi e mallkimi i tyre. Ne vijuam dhe ndalëm te një shesh aty ku qe Syri i Kaltër. Ishte një habi e natyrës, një monument i pashoq, një pus i stërmadh, i thellë pafund dhe me ujë të kulluar. Ca turistë ende të përgjumur dhe si të hutuar nga shiu dhe i ftohti i natës, palosnin me përtesë mbulojat dhe i vendosnin në çantat e tyre të shpinës. I përshëndetëm dhe vazhduam më tutje luginës. Në të dy anët e rrugës tani të pashtruar, nga malet ndër shekuj ishin rrëzuar gurë qikllopikë, ndofta si rezultat i tërmeteve të rënë. Tani të përzjerë me pemë, shkurre, gëmusha e myshk, dukeshin si dëshmitarë të frikësuar dhe të heshtur të ngjarjeve të mëdha. Ja dhe katarakti, Ujvara Gerla ose Syni i Skafkaçit, por tani si pasojë e thatësirës, me fare pak ujë. Këtu mbërritën dhe turistët që kishim parë duke mbledhur shtrojat e mbulojat. Ishin gjermanë dhe qenë gjallëruar disi. Na përshëndetën pëzemërsisht. Kuptohej, se dhe ata ishin të mrekulluar nga ajo që shihnin. Kur u kthyem, pyetëm për shtëpinë e profesor Rexhepit. Ai shtëpinë e kishte pranë e pranë vëllezërve të tij, Halilit dhe Isait. Të treja njësoj. U futëm në atë oborr të pafund dhe sapo na pa, na u afrua Halili. Ngjiste me të vëllanë si dy pika uji, veç ishte më i ri. I dhamë të njohur dhe na ftoi brenda. I thamë se nguteshim, do të shkonim edhe te burimet e Pashait. Bëmë foto me të dhe i u lutëm që t`i jepte të falat tona profesorit kur ta takonte. Krojet ishin me ujë të bollshëm dhe formonin një pellg gjigant. Takuam një grup kosovarësh që kishin ardhur njësoj si ne. U gëzuan që na takuan. Në restorantin “Krojet” ku Luani si koleksionist shihte me admirim gjithë antikuaret popullore që ishin varur mureve a vënë në dysheme, gjetëm pronaren, Hale Gjonbalaj, një grua e shkathët e cila pasi na seviri kafetë u ul me ne në tavolinë dhe piu një gotë të vogël nga rakia jonë që i hodhi Edi. Kishte qenë nja pesëmbëdhjetë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer. Jetonte me vëllezërit, të cilët kishin qindra bagëti, për të përballuar fluksin e turistëve që vinin, kryesisht dimrit. Kur fjala erdhi te çështja kombëtare dhe te mundësia perspektive e bashkimit, gati e revoltuar na tha: Nuk bëhet kjo punë duke pritur Evropën. Fishta ka thënë, më falni… Sot puna zgjidhet ndrysh: të çohet i madh e i vogël dhe të shkojnë atje ku qetë ju dje, te kufiri dhe të merret gjithçka e të hidhet në kanal. Ndryshe lodhemi kot. Na vuri në mendime kjo grua kurajoze. Ja tani thoja me vete se shtypja do të ketë qenë e padurueshme, gjersa miku im Myftar Gjionbalaj që kishte qenë drejtor i gjimnazit “Naim Frashëri”, qysh fëmijë, la shtëpinë dhe këtë vend të magjishëm dhe së bashku me një shokun e tij, u arratis në Shqipëri. Dhe me këto mendime në kokë, morëm rrugën e kthimit. Si kaluam kufirin dhe ecëm nja tre çerek ore, ndaluam te kisha e Selcës. Ajo qe e mbyllur, por në oborr, në një trug peme, dikush, një skulptor për ne i panjohur, kishte gdhendur Krishtin e kryqëzuar. Ishte një vepër mjaft e bukur arti, ndaj qendruam gjatë duke e soditur. Kur u nisëm për të ikur, takuam një djalë të parruar. Gabimisht e vlerësova si ca të metë që vinë rrotull fshatit dhe mezi presin të takojnë ndonjë të ardhur nga qyteti. Jo; ai ishte fare në rregull dhe kur e pyeta se nga e merrni ujin, m`u përgjigj se ujë nuk kemi fare, vuajmë shumë nga mungesa e tij dhe askush nuk interesohet. Harrojnë që edhe ne njerëz jemi dhe nuk po kërkojmë ndonjë gjë të madhe. Na u dhimbs ai dhe gjithë banorët e atij fshati që kishin aq besim te mirëbërjet e Krishtit. Kur kaluam Tamarën, tani që qe kthyer dhe i nxehti, nisën celularët që kishin heshtur gjatë nga mungesa e valëve. Morëm ato dredhat e këndshme të Leqeve të Hotit dhe duke zbritur pamë se lokalet ishin plot e përplot me klientë dhe shumica qenë dasmorë. U kujtuam se ishte e dielë dhe kishin ardhur refugjatët. Si anashkaluam sërish Shkodrën, kthyem te ura e re për Shirokë për të drekuar, por aha.., nuk gjetëm asnjë vend të lirë deri afër Zogajt në ndonjë nga restorantet e shumtë buzë liqenit. Vetura pa hesap, të reja flakë dhe o zot, sa të kushtueshme. Dikur, pas një vizite, kisha shkruar se Shkodrës i qe kthyer buzëqeshja, po tani, ç`më mbetej të thoja? E vërteta ishte se po bëhej më mirë. Dhe besoja se edhe në rrafshin kombëtar, kohë më të mira do të vinin.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Shpendi Topallaj, VERMOSHI

KUJTIME TË PAHARRUARA NË LIBRIN E PRENJO IMERIT

August 24, 2017 by dgreca

Dr.-Prenjo-Imeraj1 Prenjoshpendi

KUJTIME TË PAHARRUARA TË SHPREHURA ARTISTIKISHT NË LIBRIN E PRENJO IMERIT/

Nga SHPENDI TOPOLLAJ/DIELLI/

Pashmangësisht, në jetën e njeriut vjen një kohë që kujtimet marrin përmasa akoma më të mëdha. Ato i shfaqen atij përherë e më të qarta. I bëhen edhe më të dashura dhe nga largësia e kohës, jo vetëm i shndërrohen në nostalgji, por dhe i shërbejnë për të gjykuar veprimet e kaluara të tij dhe të të tjerëve apo ngjarjet e shkuara, me gjakftohtësi e pa pasione. Zakonisht, lind dëshira për t`i evokuar ato gjithnjë e më shpesh, ndër biseda miqsh, nëpër tavolina kafenesh, aq sa ndofta pa e kuptuar i mërzisim bashkëbiseduesit. Kurse ai që ka durim dhe një fare prirjeje, preferon t`i sistemojë ato dhe t`i hedhë në letër. Pra, duke i botuar në ndonjë libër, mund edhe të presë romuze e ta qesëndisin duke i thënë shokët e miqtë që e rrethojnë se “na u bëre shkrimtar tani në pleqëri.” Atij s`i mbetet tjetër, veç të qeshë hidhur dhe me vete të thotë se “mirë keq, unë e bëra punën time. Fundja, llafet i përplas era në skutat e harresës, kurse e shkruara këtu mbetet.” Por ja që ka edhe nga ata, të cilët pasi ua lexon këto kujtime, kupton se falë kulturës dhe talentit të tyre janë shkrimtarë të mirëfilltë dhe sepse të vjen keq që pavarësisht rrjedhave të jetës, duhej ta kishin ushtruar shumë kohë më parë këtë talent me krijime të mirëfillta letrare. Të tillë e gjeta dhe unë doktor Prenjo Imerin, vëllanë e pedagogut dhe mikut tim të shtrenjtë, autorit të disa librave dinjitozë, kolonelit në rezervë dhe përherë të ri, Xhemalit, pasi lexova librin e tij voluminoz “Mall dhe brengë”. Me këtë libër, ai përmbush atë betimin e hershëm para varrit të së ëmës se: “Po betohem nëna ima / përmbi varr, /  Se për jetë do ju ngre / lapidar!” Me një kujtesë fenomenale, libri është një bashkim tregimesh të mrekullueshme që së bashku përbëjnë një roman të vërtetë, sikurse e ka quajtur edhe vetë autori. Këtë bënte dikur edhe James Joyce te “Dublinasit”, për çka i kumtonte botuesit se kam si qëllim “…të shkruaj një kapitull të historisë morale të vendit tim… Jam munduar t`ia paraqes publikut indiferent nën katër aspekte: fëminia, adoleshenca, pjekuria dhe jeta publike.” Por edhe në mos qoftë tamam kështu, më vjen për mbarë të kujtoj atë që dikush ka thënë për “Jetë fshati” (se dhe këtu me të tillë jetë ndeshemi më së shumti) të Amos Oz: “Në këtë libër ka gjithçka nga jeta mbi tokë, në këtë lloj jete ka njerëz dhe kafshë, me skena dhe pikturime mes qensh, të cilët, ku raktësisht e ku enkas, hyjnë në jetët e njeri – tjetrit. I shkruar kësisoj, çdo lexues e ka të drejtën ta lexojë këtë vepër si një roman. Por “Jetë fshati” nuk është roman, por copëza të lidhura jete, që japin e marrin mes tyre si arterie të një trupi, të tilla që i japin atij jetën e një qenieje intriguese. Besnik i lojës së tij psikologjike, i vizatimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe natyrës, të veshura të gjitha me sfond historik të kohës në të cilën jeton.” Përmenda pak më sipër talentin dhe kulturën e autorit, por sa pa vlerë do të ishin ato, sikur në këtë lloj letërsie, pra në të rrëfyerit biografik, të mungonte sinqeriteti. Se koha kur autori jetoi fëmininë, u arsimua dhe punoi, ishte e mbushur vetiu edhe me gënjeshtra e hipokrizi, ndaj sot ajo do dhënë ashtu sikurse ishte realisht; pa maska e doreza, pa drojë se mos i mbetet qejfi dikujt e mos zemërohet ndokush. Ndofta sinqeriteti është ndihmësi më i pazëvendësueshëm i artit të të shkruarit. Tragjasi i viteve kur lindi Prenjo Imeri, ishte si gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me të mirat e të këqiat e veta. Ama, për atdhedashuri, tragjasiotët ishin të parët. Vetë babai i tij Seferi, ashtu sikurse donte të thosh edhe emri i tij nga turqishtja, ishte një luftëtar sypatrembur, njeri i drejtë dhe burrë me karakter të fortë. Nacionalist besnik i idealit të tij antikomunist, ai u vra pabesisht së bashku me trimin Hysni Lepenica atje në Grehot më 14 shtator 1943. Edhe vëllai i madh, Bilbili, ndahet nga nacional – çlirimtarja dhe në fund largohet jashtë vendit dhe përfundon në Amerikë. Kurse vëllai tjetër, Xhemali bashkohet me partizanët. Pas çlirimit, pjestarët e kësaj familjeje që edhe far e fisi kishte dhënë kontribute të mëdha në luftën për çlirim, nuk dinte njeriu i gjorë ku t`i rreshtonte. Në fakt, ata ishin si shumica e familjeve shqiptare, ku komunizmi me rregullat e tij të rrepta e djallëzore, i përçau keq dhe sipas rastit mundohej t`i mbante të nënshtruar sipas parimit liro e shtrëngo. Me vullnet e këmbëngulje, ata u shkolluan brenda dhe jashtë vendit. Por letrat e kallximet e fshehta, survejimet e sigurimsave, nuk ju ndanë asnjëherë, gjersa Prenjon e kthejnë nga R.D.Gjermanisë, kurse të vëllanë, Xhemalin, pas përçartjeve të E. Hoxhës për “grupet armiqsore” në ushtri e përjashtojnë nga Partia dhe ushtria. Edhe pse ndonjë i shihte me përbuzje, ata të bindur në ndershmërinë e tyre, sido që u vajti filli, asnjëherë nuk u ndanë nga fshati. Me çfarë dashurie e malli i përshkruan Prenjua Tragjasin e vjetër që piktorit anglez Edwart Lear i kishte bërë aq përshtypje, sa gati kishe thirrur; “Shkoni o piktorë të vizitoni malet e Vetëtimës!”, ata njerëzit e mirë e bujarë, zakonet e tyre të trashëguara nga brezi në brez, vendet ku bridhte kur ishte i vogël e hipte pemë më pemë, stanet ku ruante bagëtitë, shkollën ku mësoi shkrim e këndim, burimet e Izvorit në krye të fshatit, ku shuante etjen gjatë verës, lëndinat ku u merrte erë luleve, ata tregtarët ambulantë që u thoshin pramatarë, ajo xhamia minarekëputur, fiqtë aq të shijshëm shëngjinës e deri manin legjendar të nënë Sulltanës. Me mjaft kompetencë autori sqaron toponimet e pambarimta të asaj treve dhe detajon ngjarjet kryesore historike të fshatit. Dhe pastaj burrat e gratë, pavarësisht nga rëndësia që patën në jetë. Ata, ai i sheh si pjesë e së tërës dhe i jep me vërtetësi dhe imtësitë më të vogla. Ka aty ngjarje herë të gëzueshme dhe herë të hidhura. Por që të mbeten në mëndje. Përpjekjet për t`u rregjistruar në shkollë, studimet, shokët, hareja mes tyre, vajtjen në shkollën “Skënderbej”, ai i pikturon me akuarel të ngrohtë, se janë vite të gëzueshme që mbahen mend tërë jetën. Dhe pastaj puna në Korpusin e Elbasanit si stomatolog ushtarak, miqësia me kolonelin e mirë rus Zarçenko dhe transferimi pas lirimit nga ushtria. Ai ruan kujtimet më të mira për drejtuesit dhe punëtorët e minierës së Krrabës që me dashamirësinë e tyre e vlerësuan ashtu siç ishte. Po ashtu, jep detaje rreth udhëtimit për jashtë shtetit, luftës për rezultate sa më të mira, domosdoshmërisë për të ruajtur dinjitetin si shqiptar, veprimtaritë kuturore, leksionet e albanologut Maximilian Lambertz, shoqërinë me vjazat si pjesë e pandashme e moshës, e pastaj kthimi i papritur në atdhe, ku nuk kishin harruar “vetëvrasjen” e dajiut të tij, guximtarit të çartur të luftës, kuadrit të lartë dhe deputetit Sali Ormëni, dhe vazhdimi i shkollës këtu. Sa mirënjohje ka ky njeri për këdo që ju gjend kur kishte nevojë. Sa i dhimbsen ata që nuk jetojnë më. Janë me dhjetra e dhjetra personazhet e këtij libri. Duke evokuar jetën e tyre, Prenjua shpesh përdor dhe një humor të hollë e të zgjuar, sa patjetër do të qeshësh me vete. Në krye të ç`do kapitulli, ai ka zgjedhur e vendosur nga një citat të goditur, pjesë e erudicionit të tij. Në gjuhën që përdor takon shpesh dialektalizma dhe fjalë zyrtarisht gati të harruara, por që janë pjesë e pasurisë sintaksore dhe që e bëjnë akoma më të besueshëm përshkrimin. Dhe ka një zgjidhje mjaft interesante, kur jetën e Sefer Ismail Imerajt, babait të tij, shpallur  Martir i Demokracisë nga Presidenti i Republikës, ja lë shënimeve mjaft interesante dhe të goditura të vëllait të tij Bilbilit, me të cilin u takua në SH.B.A. pas plot 53 vjetësh. Dhe me qenë se jemi në këtë vend të madh, kampion të demokracisë, po i mbyll këto shënime me fjalët e Williams S. Faulkner nga Nju – Albani, Misisipi, i cili në përshëndetjen e tij gjatë marrjes së çmimit Nobel tha shprehjen e vlefshme për cilindo shkrimtar serioz: “Jam i sigurt se njeriu nuk do të mbijetojë, ai do të ngadhënjejë. Ai është i pavdekshëm, jo sepse vetëm ai, midis krijesave, ka një zë të pashtershëm, po sepse ai ka një shpirt, një frymë, që janë të afta të dhembin, të flijohen, të mbijetojnë. .. shkrimtarit, s`i mbetet asgjë tjetër, por se të shkruaj për këto. Është privilegj ndihma që i jep njeriut që të mbijetojë duke i dhënë zemër, duke i ndërmendur guximin, nderin, shpresën, dhembshurinë, mëshirën, flijimin – lavdinë e së shkuarës së tij.” Ja, këtë detyrë e ka kryer mësë miri Prenjo Imeri me librin e tij lapidar “Mall dhe brengë”.

Filed Under: Histori Tagged With: Mall e Brenge, Prenjo Imeraj, Shpendi Topallaj

STIGMATA E DRITËRO AGOLLIT NGA ZYLUA TE SISTEMI QË I LIND ATA

August 23, 2017 by dgreca

18377251

“KALORËSI LAKURIQ”, romani i ri i Dritëro Agollit/

shpendi Topallaj

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

Ndeshja e heshtur apo e hapur midis shkrimtarëve të shquar të ç`do vendi e ç`do kohe me shtetarët burokratë në përgjithësi apo tiranët në veçanti, është e njohur. Jo vetëm mprehtësia e kritikave të tyre, humanizmi karakteristik që i dallonte apo kundërvënia e guximshme ndaj padrejtësive shoqërore, por edhe dashuria, respekti dhe autoriteti që ata gëzonin në popull, bënte që diktatorët jo vetëm t`ua kishin frikën atyre, por edhe t`i urrenin ata. Historia e letërsisë botërore është e ngopur me shembuj të tillë, ku në analizë të fundit, të fituar kanë dalë shkrimtarët, Pra, Dantet, Hygotë, Lorkat, Manët me shokë, të cilët ndëshkimi, largimi e përbuzja, i dhanë veprës së tyre një vlerë akoma më të madhe dhe një shkëlqim të ri. Këtë të vërtetë e pa dhe e përjetoi edhe shkrimtari ynë i shquar Dritëro Agolli gjatë viteve që studioi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Leningradit (sot San Petersburg) të ish Bashkimit Sovjetik. Këtu ai dëgjoi akoma më mirë, jo vetëm për fatin e Pushkinit dhe të Lermontovit në kohën e Carit, por edhe për “herezitë” e simbolistit A. Bllok, lirikes së pikëlluar A. Ahmatova, zotit të plotfuqishëm të detajit, “refuzuesit” të detyruar të çmimit Nobel B. Pasternak, fanarit intelektual O. Mandelshtamit, tragjikut të regjimit totalitar V.  Majakovski, reformueses së vjershërimit rus M. Cvetajeva, lirikut të papërsëritshëm S. Esenin, antikonformistit J. Jevtushenko, të përzënës nga Instituti i Letërsisë, B. Ahmadulina, apo të të dëbuarit nga atdheu së bashku me klithmën e tij kundër tiranisë J. Brodskij. Pa shkuar pak më vonë tek ai disidenti sypatrembur, nobelisti i famshëm A.I. Solzhenicin. Por jo pak ai pa edhe në atdheun e tij. Realizmi socialist zhdanovian kishte ligjësitë e veta dhe mjerë ai që guxonte t`i shkelte ato. Ca më shumë ai që kishte pasur një grua ruse dhe një fëmijë me të. Për hir të së vërtetës, regjimi komunist, duke parë talentin e tij e përkrahu. Arriti deri kryetar i Lidhjes së Shkrimarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtar i Komitetit Qendror dhe deputet i Kuvendit Popullor. Dhe ai nga ana e tij kishte besim se gjërat do të shkonin mirë në këtë vend të varfër. Ndaj, mangësitë fillimisht nuk i shihte te sistemi për të cilin shkroi, por te veset e zyrtarëve që ishin shkëputur nga hallet e popullit dhe po rendnin pas rehatisë e mirëqenies personale, ç`ka dukej sheshit se po i tjetësonte. Pikërisht për këtë, nuk e kurseu stigmatën e artit të tij shpotitës në gazeta dhe sidomos në faqet e revistës aq të kërkuar “Hosteni”. Por me kalimin e kohës, duke parë varfërimin e përditshëm, prishjen e karaktereve njerëzore, uniformizmin e mendimeve, mungesën e lirisë së fjalës e të lëvizjes, të flamosurën, të egrën dhe të pambarimtën luftë klasash, një njeri si ai, nuk kishte sesi të mos e kuptonte se kjo nuk qe mëkat i njerëzve sesa i vetë sistemit hipokrit, i cili ishte vënë totalisht në shërbim të Zeusit. I kujtohen fjalët e Cassierer – it – cili duke analizuar ndikimin e madh të Rusoit te Kanti që admironte aq shumë “Emilin” e tij, mendonte si ai për idenë sipas së cilës pavarësia e njeriut ndaj njerëzve të tjerë duhet të vështrohet si njera nga vlerat më të larta. Dhe shtonte: “Njeriu që varet nga një tjetër nuk është më qenie njerëzore, ai e ka humbur këtë shkallë, ai është vetëm shtesë e një njeriu tjetër, shkruan Kanti”. Pastaj është e habitëshme kur mendon se Mbreti bari Sirusi i Madh qysh para 2500 vjetëve kishte formuluar kartën e parë të të drejtave të njeriut e cila e fiksuar në një cilindër balte dhe e ruajtur në muzeun e Londrës, thotë: “Nuk do të lejoj askënd të zotërojë pasuri të tundshme apo troje të të tjerëve me forcë dhe pa kompensim. Për sa kohë që jam gjallë, do ta ndaloj punën e detyrueshme të papaguar. Sot, deklaroj se kushdo është i lirë të zgjedhë fenë e vet. Njerëzit janë të lire të jetojnë sipas fesë së tyre dhe të zgjedhin një punë, me kusht që të mos dhunojnë kurrë të drejtat e tjetrit. Askush nuk do të dënohet për fajet e të afërmve”. Mirëpo te ne, bëhet vetëm ajo që thotë njëshi. Pra, miliona mendje duhet të mendojnë, të vishen, të sillen, të hanë, të jetojnë aty ku thotë ai. Ata edhe për qumshtin duhet ta mjelin dhinë siç thosh ai, edhe tokën ta punojnë sipas këshillave të tij, edhe grurin e misrin ta mbjellin ku dhe kur mendon ai, edhe naftën ta gjejnë atje ku urdhëron ai, edhe fqinjin ta spiunojnë se do ai, edhe të dënurin me vdekje ta përcjellin me gëzim e brohorima se ashtu do ai, edhe të afërmit t`i internojnë se ashtu i është tekur atij, edhe bar të hanë se mos lëndohet lavdia e tij, edhe këngë të këndojnë për trimëritë e tij. Vetë Dritëroi është miqësor e pa qibër. Takon me të njejtë përzemërsi intelektualin, punëtorin, bujkun, romin. Ulet me ta dhe e kthen ndonjë gotë, shpesh duke ndenjur zgjuar gjithë natën. Ndaj ata i hapen atij, I tregojnë mangësitë e vështirësitë që hasin, rezervat ndaj shtetëzimit të gjithçkaje derivon nga vendimet e plenumeve. Por edhe pa folur fare ata, ai e e sheh vetë realitetin e trishtuar. Dikur fshatari e kishte një qengj për mikun a një pulë, kurse tani aha… as gotën e dhallës për të vegjlit nuk a kanë. Atje lart dhe nëpër gazeta e konferenca, raportohet me shifra marramendëse. Por shifrat nuk hahen. Ato janë vetëm pluhur i hedhur syve. E sa do shkojë kjo? Se gënjeshtra vete deri diku dhe pastaj i del boja. Këto shejtan mungesash duken edhe në qytet, ku dyqanet janë bosh. Njerëzit, ashtu në heshtje duket se pyesin: – Ky na qenka socializmi? Pakënaqsia sa vjen e shtohet. Nisin e thurren barcaleta. Ndërgjegja e shkrimtarit i thotë atij se si misionar që je, ngrije zërin. Ja Ismaili e kishte provuar herë pas here. I qenë hapur goxha telashe, por qenë kapërcyer. Shteti e nuhaste se populli e donte edhe më shumë shkrimtarin. Ndaj dhe nuk guxonte ta godiste. I bënte mirë llogaritë për këto punë. Tërhiq e lësho, gjithmonë me bindjen që e di se nuk e duan, por ta shfrytëzojë sa më shumë të talentuarin. Sidomos atë që kishte një emër të shquar jashtë vendit. Edhe Dritëroi vetë e kishte provuar një herë seriozisht. Ishte viti 1973 kur u botua ai Zylua i tij. Dhe si u prit… Me çfarë kënaqësie. Po godiste paaftësinë e servilizmin. Shteti hop! Bëri sikur se kishte me të, por me ata të paudhët. Sikur ishin vetëm disa… Por autori e dinte se tani e keqja ishte shumë më e madhe; tek ajo që kishin ndërtuar. Tek ajo që i kishin besuar. Tek ajo që po i zhgënjente paturpësisht. Kjo i pillte të tillët. Ata ishin në natyrën e tij. Pa ata, ai sistem patjomkinian, merrte fund. Partia që ishte mbi gjithçka, në interes të saj, po ngrinte ngrehinën e kalbur të pushtetit, ku duhet pranuar se njërin tra e kishte shumë të fortë: atë të diktaturës. Të diktaturës së gjoja proletariatit. Që shqip duhet kuptuar; të Neronit. Të atij që po u merrte jetën shokëve të tij dhe po u shpartallonte familjet. Kudo zotëronte terrori, frika e varfëria. Dhe ç`pret nga njerëzit e shkretë, veç përkuljes së shpinës dhe duartrokitjeve. Nga thellësia e ndërgjegjes qytetare, shkrimtarit i vinte një zë: Ku je ti njeriu i baltës? Pse hesht? Gjej një mënyrë të mençur dhe shprehu. Ata do të kuptojnë të parët. Se nuk ka njeri t`ua thotë troç: – Ku po e shpini këtë vend? Pse po e prishni racën tonë të bukur? Do t`u zërë mallkimi i tyre. Ndofta kështu do t`i ndihmosh edhe vetë ata. Por fundja të vejë si të vejë. A nuk ishte Platoni ai që pjesën e fundit të “Fedoni” – t të tij ja kushtonte Sokratit “njeriut për të cilin do të thoshim me dëshirë, se ndër ata njerëz të kësaj kohe të cilët ne kemi mundur të njohim, ai ka qenë më i miri, më i urti, më i drejti.”? Ndaj, dreq u bëftë! Më mirë Sokrat i vojtur se derr i kënaqur. Nuk e zgjat më shumë dhe vendos të shkruaj një roman, ku e ku më ashiqare dhe më kurajoz se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Do fliste pa maska, krejt lakuriq, ndaj dhe romanin ashtu do ta quante: “Kalorësi lakuriq”. A do të ishte vetë ai në lëkurën e personazhit kryesor? Apo s`kishte sesi të ndodhte ndryshe, si në cilindo libër të shkruar deri më sot. A do ta merrte subjektin nga realitetit i zymtë, apo do të sajonte diçka, në dukje të pangjarë, por që fundja çdo kush do ta kuptonte se asnjë fantazi nuk mund t`ia kalonte realitetit dhe sido që të stisej, tek ai realitet do bazohej. E ku kish më mirë sesa të zgjidhte ca intelektualë, madje akademikë, të cilët në praninë e grave të tyre do shfaqnin vanitetin dhe anën karikatureske të marrëdhënieve mes tyre, të cilat më shumë se dobësi karakteresh, ishin të imponuara nga ajo sesi sistemi me diabolizmin e tij i kishte strukturuar sjelljet e njerëzve. Gënjeshtra, hipokrizia, falsiteti, servilizmi, interesi, në radhë të parë, kishte pushtuar mendimet dhe qendrimet e tyre. Dy akademikë korrespondentë, shkojnë herë pas here te profesor Xheladin Apollonia, njeri me autoritet të madh në shkencat ekonomike i cili teksa përgatiste kumtesën për konferencën kombëtare, nuk harronte për asnjë çast të vendoste duart nën sqetulla si Lenini dhe të theksonte slloganin “vlera, mbivlera, ligji themeltar e të tjera”. Ai gjithashtu besonte shumë te planifikimi, si shkopi magjik i mirëqenies, se planifikim kishte dhe vetë natyra.  E bënte këtë, pasi donte t`i përmbahej rreptësisht kërkesës që vinte nga lart se “Teoria është gjeneratori”. Dhe ana qesharake ishte se gjithmonë në funksion të këtij parimi, i lindnin ide gjeniale, të cilat dhe ata dy anëtarët korrespondentë që ngjanin si dy pika uji, Zyrap Kandari (që sepse të vjen ta quash Koqe Kandari) dhe Sotir Kucka (pse jo dhe Sotir Kuçka) edhe pse e dinin kotësinë e tyre, e brohorisnin me entuziazëm të shtirë, për të mos thënë të pështirë. Edhe pse biseda e tyre , që rrotullohet rreth domosdoshmërinë së teorisë marksiste – leniniste dhe sidomos të planifikimit, është anemike dhe jo për nivelin e tyre, ato bëjnë sikur habitet me gojtarinë e profesorit. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në studion e Xheladin Apollonisë dhe nga mënyra sesi janë vendosur personazhet dhe si dialogojnë, të bëhet se je duke parë një teatër. Se në të vërtetë, këtu të gjithë janë nga pak teatralë, madje shumë teatralë. Dhe nuk e kanë keq; se ja, vetë profesori falë postit që mban e ka dërguar vajzën në Vjenë për kurim të …bajameve.  Ndaj, dy “siamezët” korrespondentë, bëjnë sikur janë të shqetësuar për të, pasi e dinë se ai edhe pse është çensori i madh, përsëri ka në dorë ardhmërinë dhe sigurinë e karrierës së tyre, pra të mundësisë që edhe ata të gëzojnë më shumë favore. Mirëpo autori i librit ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për t`ua prishur këtyre aktorëve monotoninë e qetësisë, duke u sjellë një njeri tepër interesant të quajtur Dane Gajtani, shok fëmijërie i profesor Xheladinit. Lexuesve u kujtohet se në zhargonin popullor, është përdorur rëndom shprehja “se mos biesh në ndonjë hundëlesh”. Ja, një hundëlesh i tillë është edhe ky tersi, mik i profesorit që kur hyn në studion e shokut të fëmijërisë, veç akademikëve dhe grave të tyre, gjen edhe Ritën, motrën mjeke të Sotirit. Profesori e do, por  ky burrë i gjatë si një lis dhe që nuk e heq nga dora kapelen e kashtës, përveçse shakatar i madh, seç ka një zakon të keq, nga i cili profesor Apollonia rri me gjak të ngrirë: ai po të hodhi dorën në qafë, të fut dhe gishtin prapa. Por më shumë se kaq, ai është kontrapedal. Pa pasur fare drojë, atë që mendon, ta përplas në fytyrë. Por belaja është se ai më shumë e ka me qeverinë dhe kështu të hap telashe që si mban toka. Kur nisi lufta për tufëzimin e bagëtive ai si Nekludovi i Tolstoit, u flet fshatarëve në sy të të deleguarve se “Po t`i hiqni lopët nga shtëpitë dhe t`i futni në pronën e përbashkët, do të vdisni… Ky do të jetë hapi i fundit drejt varfërisë.” Më shqip nuk kishte si thuhej. Veç ama fshatarët tanë nuk ishin ata bujkrobërit e kontit rus të mbushur me dyshime; ata ishin bujkrobërit e Partisë dhe ndofta fare pa konshiencë, i përgjigjeshin atij, duke e quajtur provokator dhe armik: “Do t`ia falim lopët Partisë. Për atë ne jemi gati të falim jetën, jo lopët. Do të shpëtojmë nga bajgat.” Vini re sa therëse është kjo ironi. Kurse këta që rrinë duke lavdëruar njeri – tjetrin për sofizmat e goditura të referateve, ai i tall faqeza, duke u kujtuar se asgjë nuk vjen nga fjalimet e tyre pa bereqet, ndërkohë që mjerimi ka pllakosur kudo, demokracia po vdes shkallë – shkallë dhe virtytet njerëzore po shkatërrohen. Vetë ata që e rrethojnë në atë studio i quan hije dhe nga hijet thotë del dhe shkenca hije. Le po sajon aty për aty ca vjersha me spec, duke thënë për vete se: Po vjen nga vrapon tufëzimi / Nga qan për një qengj çdo fshatar, / Po vjen ku gjëmon dikutimi / Për ligjin e madh themeltar.  Se ai, andej vinte vërtetë, se pasi e kishin shkarkuar si kryetar kooperative e kishin lënë si veteriner. Dhe ky lloj veterineri, papritur bëhet patetik: “- Mua të gjithë ju më jeni neveritur. Të gjithë: akademikët, gratë, drejtuesit, rrugët, qytetet, kalimtarët… Ngado shoh lajkatarë dhe hipokritë që fshehin të vërtetën, që mizerjen e quajnë arritje, që ligjet absurde ekonomike e shoqërore i bazojnë teorikisht për të justifikuar varfërinë dhe për t`i vënë këto ligje e këto parime në vitrinat e dyqaneve në vend të mishit, qumështit, djathit dhe patateve… Xhungël lajkatarësh dhe gënjeshtarësh! Në këtë xhungël bëni pjesë edhe ju…” Dhe kujton djalin 28 vjeçar që vdiq në fshat nga mungesa e serumit, kur vajza e profesorit dërgohej në Vjenë për të kontrolluar bajamet… Dhe për çudi, ky burrë që krijon situata komike me hundën e tij me lesh, me karakterin e tij dhe kurajon për të folur açik, i bën përshtypje të veçantë, për të mos thënë se edhe i hyn në zemër, Ritës e cila urren edhe të vëllanë si pjesë të kësaj maskarade ku tirret teori me lugën e zbrazur. Por Rita ende nuk e ka pozicionin të përcaktuar; ajo është e lëkundur në bindjet dhe frikërat e saj. Ajo e pëlqen paturpësinë dhe lakuriqësinë e mendimeve, shprehet autori, por pa rrezikuar në qëndrimet politike… Kurse ky lloj burri i paparë, as që do t`ia dijë për pasojat politike. Ai i befason të gjithë, kur deklaron se jo vetëm që do të marrë pjesë në konferencën shkencore, por edhe do të diskutojë atje, qoftë edhe pa qenë në listë. Dhe do t`i thosh mendimet e tij ashtu siç i ndiente ai. Dhe kur vëllai i Ritës e pyet në është konsultuar me literature ekonomike, ai ia kthen: “- Pse, ka ndonjë literaturë të tillë në vendin tonë? Unë nuk di të ketë! Jam konsultuar vetëm me literaturën që kanë shkruar dhentë dhe lopët e fshatit tim!..”  Dhe ditën e çeljes së konferencës, Dane Gajtani, duke sjellë ndërmend reagimin e ashpër të Xheladin Apollonisë teksa lexonte fjalën e tij, meditonte: “Shkenca ka një moral. Ku shkoi ky moral? A mund të bërtasë shkencëtari si gardian burgu? Me këtë moral idetë zyrtare nuk mbrohen me diskutim, por sigurohen me roje, ndërsa idetë kundërshtare hidhen poshtë kategorikisht dhe burgosen.” Pika kulmore e këtyre ngjarjeve, pra e vetë romanit, mbetet zhvillimi i konferencës shkencore, ku në prani të delegatëve që s`ishin tjetër, por brigadierë të veshur me rroba kombëtare, gjeologë popullorë, barinj dhensh me arritje të larta, rapsodë që këndonin me lahutë e çifteli, zyrtarë me çanta në dorë, heronj të punës socialiste me yje të artë në gjoks, të ftuar spitullaqë, pra djali i shokut.., vajza e shokut.., dhëndri i shoqes.., dhe dy anëtarëve të Byrosë Politike, Tersiti shqiptar Dane Gajtani, mban atë fjalimin tronditës, gati – gati akuzues i cili nuk është tjetër, veçse fjalimi i paharruar i vetë Dritëro Agollit, kalorësit të vërtetë lakuriq, në Kongresin e 10 të Partisë së hutuar që sapo kishte hedhur hapin e parë të rinovimit. Dhe reagimi i sallës po ai; armik, mosmirënjohës, bukëshkalë. Ca të vërteta tha i ziu Xheladin për skamjen, radhat dhe se pa liri të pronës private në fshat dhe në qytet, nuk ka as liri të individit dhe e mbytën. Njëri nga udhëheqësit kryesorë, i tërbuar dhe i nxirë në fytyrë, i hakërrehet që nga tribuna: “ – Ti po hedh baltë në realitetin tonë dhe po na servir mendime borgjeze dhe revizioniste!” Po kush na e bëri peshqesh një njeri hundëlesh si ky në këtë konferencë? Këtë e sqaron fare thjeshtë Sotir Kucka, duke deklaruar se atë e kishte sjellë profesori Xheladin Apollonia, duke nxjerrë kështu edhe inatin e mos respektimit të faljes së një ideje nga ai, por dhe duke shpresuar t`i zerë vendin. Kaq qe, dhe Profesori i famshëm u bë profesori – i shkretë dhe për të t`u dhimbsur. Uli kokën pa guxuar të zgjaste dorën për të marrë në pushim, qoftë dhe një kokërr mollë nga tavolina e udhëheqjes ku qe ulur. Tani mollët, trimëroheshin t`i merrnin akademikët korrespondentë. Vetë Dane Gajtani, tani pyet veten: “Kaq e fuqishme të jetë gënjeshtra? Çfarë force satanike duhet të ketë?” Por nuk di të japë përgjigje, veçse të presë prangat, nga të cilat edhe simpatizantja e tij Rita, nuk di si ta qetësojë. Dhe sipas zakonit të vjetër, vijon vjershërimi, por tani për veten e tij; “Ç`t`u desh të shkosh në tribunë, / Atje diskutimi ç`t`u desh, / O Dane Gajtani me gunë, / O hunda e madhe me lesh.” Këtu autori ka zgjedhur një shprehje shumë domethënëse: “…ndodh që dhjetë a njëzet minuta mendimesh mund të shembin përnjëherësh dyzet apo shtatëdhjetë vjet të jetës së njeriut.” Kjo vlen për të, për akademikun Xheladin Apollonia dhe për këdo në këtë vend, ku njeriu nuk di në duhet t`i mbajë apo t`i hedhë flamujt e grisur, gjë që për mjeken Rita ishte e pakuptimtë dhe që e shpjegonte se atë mund ta dinte vetëm ai kalorësi lakuriq ose ndofta kjo mund të ishte dhe vajtimi i tij. Turp për ata që s`kishin arritur as te mendimi i Sirusit të Madh. Turp edhe për këta të sotmit që tallen me popullin si ata që shkuan. Dhe nder për Dritëro Agollin që edhe pas vdekjes vazhdon të dritërojë si Sokrati i Greqisë së Lashtë!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shpendi Topallaj, STIGMATA E DRITËRO AGOLLIT NGA ZYLUA, TE SISTEMI QË I LIND ATA

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT