“Në Austri jetojnë rreth 16 mijë nxënës të regjistruar me gjuhë shqipe si gjuhë amtare, kurse mësimin e vijojnë rreth 2500 prej tyre. I. Lladrovci: Lufta për ruajtjen e gjuhës përmes shkollës shqipe është lufta më e madhe dhe lufta e vetme e shenjtë e diasporës sonë./
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/
Fundjavën e kaluar në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, u mbajt takimi i mësuesve shqiptarë në Austri. Nga Ambasada e Kosovës ishte z.Imer Lladrovci, konsull. Mësimdhënësit në Austri janë të shpërndarë në Landet e Austrisë dhe pjesëmarrja e tyre në tubimet e rregullta të Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve është e vështirë. Kësaj radhe prezent ishin, nga Vjena: Osman Ademi, Shefqet Gashi, Valbona Çepani, Dr.Ina Arapi e Hazir Mehmeti, nga Austria e Ulët: Milaim Zyrapi, Miradije Berisha dhe Ibrahim Hasani dhe nga Staermaku Roza Ndrecaj.
Tubimin e udhëhoqi mësuesi Osman Ademi, kryetar i shoqatës, ku tema kryesore ishte vijueshmëria e nxënësve në mësimin amtar. “Në Austri janë diku rreth 16 mijë nxënës të regjistruar me gjuhë shqipe si gjuhë amtare, kurse mësimin e vijojnë rreth 2500 prej tyre. Kur dihen kushtet shumë të mira që ofron Ministria e Mësimit e Austrisë, ky numër është shumë i ulët dhe shqetësues”- tha në fjalën hyrëse z.Ademi.
Z.Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Kosovës, iniciator i takimit, u shpreh i gatshëm në çdo kohë për përkrahje të mësuesve dhe shoqatës së tyre për shtimin e aktiviteteve në shërbim të ngritjes së numrit të fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe. “ Shkolla Shqipe në Diasporë është një institucion i rëndësishëm të cilin ne duhet ta ruajmë dhe ta bëjmë të tillë që të meriton edhe të miqve tanë që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë në vazhdimësi siç është në rastin tonë shteti austriak, i cili ka investuar për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët tanë. …Duke mësuar gjuhën e respekton veten tënde, e nderon historinë e kulturën tënde, dhe në radhë të parë gjuhën tënde. Ne shqiptarët patëm një histori të vështirë, gjuha jonë kishte të njëjtin fat, por ajo rezistoi kohëve. Lufta për ruajtjen e gjuhës përmes shkollës shqipe është lufta më e madhe dhe lufta e vetme e shenjtë e diasporës sonë. Shërbimi ynë shpreh përkushtimin dhe angazhimin për të ndihmuar mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në Austri”
Nga diskutimet e mësimdhënësve doli deklarata e përbashkët për shtyp.
a ) – Vijueshmëria e nxënësve shqiptarë është akoma jo e kënaqshme përkundër kushteve të mira që ofron Ministria e Mësimit dhe Kulturës e Austrisë nën mbikëqyrjen e së cilës zhvillohet mësimi i gjuhë amtare, shqipe.
b ) – Qëndrimi i prindërve nuk është në nivelin që kërkon gjithë përfshirja e fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare dhe kërkohet ndihmë nga të gjitha organizimet brenda mërgimtarëve në Austri në vetëdijesimin lidhur me rolin pozitiv të mësimit tek fëmijët shqiptarë.
c ) – Përpjekja për ruajtjen e gjuhës përmes mësimit shqip është përpjekja më madhore dhe e shenjtë e diasporës.
d ) – Kërkohet përkrahja nga Ministria e Arsimit, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Kulturës në të gjitha format e mundshme për shtrirjen e gjithanshme të mësimit shqip në Austri, si masa më efikase në ruajtjen e identitetin kombëtar.
e ) – Kërkohet përkrahja nga mjetet e informimit, veçan ato publike RTK dhe TVSh, në pjesiminë e programeve të tyre informative, të aktiviteteve kulturore e organizative në diasporë, sensibilizimin e prindërve në interes të masivizimit të mësimit në gjuhën shqipe.
d ) – Të fuqizohet funksionimi i Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë në Austri, duke shtuar aktivitetet në qendrat tjera të Austrisë Linz, Graz, Salzburg etj.
f ) – Nxjerrja e një buletini dokumentar periodik nga puna e aktivitet e të gjithë mësuesit/et e gjuhës shqipe në Austri.
g ) – Revistat dedikuar për nxënësit të botojnë shkrime nga puna dhe aktivitetet kulturore nga mësuesit në Austri.
h ) – Organizimi i mësimit shqip të mbetet larg ndikimeve të ndryshme nga jashtë, dhe i bazuar në bazat ligjore vendore dhe brenda planeve e programeve nga Ministria e Mësimit për Gjuhët Amtare të Austrisë dhe Kurrikulës për Mësimin Plotësues në Diasporë.
i ) – E mirëpresin dhe falënderojnë Ministrinë e Mësimit Artit dhe Kulturës- Departamenti për Gjuhët Amtare në Austri për ndihmën e pakursyer në furnizim me tekste e nevojshme mësimore.
j ) – Shprehim kënaqësi e mirënjohje për aktivitet e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Diasporës në pajisje me tekste, në përkrahjen e projekteve mësimore e kulturore të mësuesve/eve nga Austria. Shpresojmë se kjo do thellohet e zgjerohet akoma në interes të ruajtjes së gjuhës e kulturës shqipe.
KONSULLATA E KOSOVES MBLEDH KESHILLIN ORGANIZATIV PER FESTIVALIN E SHKOLLAVE SHQIPE
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Manhattan u mblodh Këshilli organizativ i përgatitjes së Festivalit të parë të fëmijëve në Diasporën amerikane me nxënësit e shkollave shqipe që do të zhvillohet në Bronx të Nju Jorkut.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës Ambasadori z.Bekim Sejdiu njëherazi ideatori dhe kryetari i këshillit organizativ të festivalit pasi ka përgëzuar punën e të gjithë drejtuesve të shkollave shqipe që veprojnë në USA është ndalur rreth përgatitjeve të festivalit dhe çfarë pune ka mbetur për të bërë deri në finalizimin e tij.
Z.Sejdiu tha se jemi krenarë që bashkëpunojmë së bashku pasi vetëm kështu ruhet gjuha, traditat dhe zakonet e mrekullueshme shqiptare dhe në Diasporë.
Ndërsa Konsulli i Kosovës z.Korab Mushkolaj është interesuar gjithashtu për mbarëvajtjen e punëve dhe shprehu gadishmërinë e Konsullatës pa kushte për t’u paraqitur sa më denjësisht në festivalin e parë me nxënësit e shkollave shqipe të Diasporës amerikane.
Në këtë mbledhje morën pjesë këshilli organizativ me mësuesit e shkollave shqipe në Bronx z.Mustaf Qosja, mësuesja e muzikës znj.Albina Zajmi dhe z.Luzi, përfaqësuesit nga shkolla shqipe “Fondi i përbashkët shqiptar” në Patterson, Nju Xhersi zotërinjtë: Nebi Kaba, Argëtim Ferhati, Urim Shabani dhe Berat Kaliqi si dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn me përfaqësues z.Qemal Zylo.
Secili përfaqsues i shkollave shqipe diskutoi me seriozitetin më të madh dhe profesionalizëm rreth përgatitjeve të shumta dhe sollën pranë problemet si dhe përzgjedhjen e programit që do të bëhet për këngët, vallet që do të shfaqen në festivalin e fëmijëve më 15 Qershor ditën e dielë, ora 5 mbasdite në shkollën “Christopher Columbus High School” në Bronx. Udhëheqësi artistik i Festivalit prof.Petrika Melo dhe sopranoja e shquar Lindita Mezini Lole kanë dhënë udhëzimet e nevojshme artistike dhe kanë rënë dakord me Këshillin organizues për programin e përbashkët që do të shfaqin nxënësit e shkollave shqipe në këtë festival. Është për t’u përshëndetur se në këtë festival do të jenë të ftuar shkolla shqipe në Uster, Bijtë e shqipes në Filadelfia, grupi “Rozafati” dhe shkolla e re e sapohapur në Jacksonville në Florida nga dega e Federates VATRA, të cilat do të sjellin zërat e nxënësve shqiptarë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Në fund të mbledhjes për TV “Alba Life” Nju Jork u morën disa intervista nga ambasadori Sejdiu, Mushkolaj si dhe pjesëmarrësit rreth përgatitjes së Festivalit të parë të fëmijëve me nxënësit e shkollave shqipe që veprojnë në USA dhe që do të transmetohet së shpejti.
Një moment emocionant për të gjithë ka qenë shpërndarja e kostumeve tradicionale të Kosovës dhuruar shkollave shqipe nga Ministria e Diasporës me ministër z.Ibrahim Makolli. Ndërsa prekja me duar kostumet e bukura kosovare dhuruar për shkollat shqipe, në ninëzën e syrit më reflektonte drita e Nënë Lokes Kosovë, amaneti i arsimtarëve martirë që derdhën gjakun lumë për Gjuhën Shqipe, gjuhën tonë hyjnore që të mos asimilohet dhe këtu në Diasporë.
Ps: Të dashur bashkatdhetarë jeni të ftuar në këtë festival të parë të nxënësve të shkollave shqipe. Mirë ardhshi!
Adresa:
Christopher Columbus High School
925 Astor Ave
Bronx, New York 10469
Data: 15 Qershor 2014
Ora: 5 mbasdite, ditën e dielë
Hyrja falas
Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë
Nga Kozeta Zylo/
Me një ditë të bukur plot diell dhe cicërima zogjsh në pemë ku dëgjohej një fëshfërimë e lehtë gjethesh pranë xhamave të dritareve filloi dita e parë e shkollës shqipe në Staten Island të lejuara nga Bordi i edukimit të shtetit të Nju Jorkut. Në mjediset plot komoditet të një shkolle amerikane të cilët kanë vite që na e kanë vëne në dispozicion të mësimit të gjuhës shqipe erdhën fëmijë, prindër dhe mësues të gëzuar. Nxënësit e vjetër grupe-grupe takoheshin dhe përqafoheshin me njeri-tjetrin, ndërsa të rinjtë shihnin plot kurreshtje përreth.
Sa shumë janë prej tyre që mezi e presin mësimin e abetares dhe të gjuhës shqipe, edhe pse në komunikim me ta ka shumë vështirësi për të folur lirshëm shqip. Disa prej tyre kishin shkuar me pushime gjatë verës në Shqipëri dhe ata jo vetëm që kishin përmirësime, por dhe ndihej që ishin ngarkuar me një barrë këshillash nga gjyshërit e tyre. Ja tha Edia një nxënëse e bukur me prindër nga Dibra se: mua nëna gjithmonë më thotë që unë nuk të kuptoj anglisht duhet të flasim shqip. Po kështu dhe Fitimi një djalë tjetër plot talent më thotë se ne prindërit dhe gjyshërit në shtepi nuk na lejojnë të flasim gjuhë tjetër vetëm shqip. Ndërsa nxënësja e re Aurora me sy gjithë dritë që u regjistrua sivjet për herë të parë kishte ardhur me vëllain Aronin dhe me gjyshen përdore. Gjyshja e vet fisnike më tha se Aurora mezi po priste të vinte sot në shkollë dhe ndjehej shumë e gëzuar se sa shumë do ta lumturonte ajo drejtorin e shkollës, njëherazi dhe miku i babait të vet. Të rriturit si Brian, Oresti, Marvi, Aroni, Aduson, Irsa, Andri, Rafaeli, Elio, Davit, Almira, Elsa, Edon etj…po tregonin herë në shqip dhe herë në anglisht se si kishin kaluar pushimet e verës dhe njëkohësisht mbresat gjatë dy javëve në shkollën amerikane. Nxënëset më të vogla në moshë duke filluar me Dean, Vivian etj herë pas here vizatonin ndonjë lule në dërrasë ose ngjyrosnin në fletoret e tyre përkatëse dhe kur i mbaronin kishin mjaft dëshirë t’i shikonin punët e tyre. Ndërsa Ari një djalë i vogël simpatik i cili u regjistrua për herë të parë kishte dëshirë të rrinte më shumë me gjyshen dhe të ndjente ndihmën e saj.
Hapja e shkollës shqipe filloi me dy himnet kombëtare shqiptar dhe atë amerikan. Programin e shkollës Shqipe e ka prezantuar Dr.Valbona Watkins, profesore në universitet dhe drejtore e programeve të shkollave shqipe. Paraqitja e programit të pasur ku përfshihen dhe aktivitete kulturore për të ruajtur traditën shqiptare u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.
Nxënësit, mësuesit dhe prindërit i ka uruar sopranoja e shquar shqiptare Lindita Mezini Lole njëkohësisht mësuese e muzikës në Nju Xhersi e cila së bashku me pianistin e talentuar, prof.Petrika Melo kanë dhënë një kontribut tepër të vyer në shkollat shqipe. Ndërsa z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave dhe president i TV Alba Life iu ka uruar gjithë nxënësve mirëseardhjen dhe ndërkohë ka prezantuar mënyrën e organizimit të shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe më gjerë. Z.Zylo vlerësoi punën e palodhur të mësueseve që do të japin mësim këtë vit si: Valbona Kostrista, Ornela Melo, Dita Kacubaj, Mimoza Salillari dhe mësueses më të re në punë znj.Liza Pëllumbi të cilat janë dipllomuar në Shqipëri si mësuese dhe disa prej tyre janë në proces për konvertimin e diplomës së tyre nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut. Eshtë tejet emocionante të ndodhesh pranë nxënësve, është ngazellyese t’i shikosh me abetaret shqip përpara duarve të tyre, por ndërkohë nuk ke se si të mos mendosh se sa shumë punë kemi për të bërë përpara. Kjo për vetë faktin se ka shumë fëmijë në Diasporë që asimilohen, nuk flasin fare shqip . Dhe kjo duhet të jetë problem i ditës për qeveritë shqiptare dhe të Kosovës, për gjithë organizatat në Diasporë, duke i lënë pritjet dhe përcjelljet plot bujë që ju bëhen qeveritarëve, por ato pritje të kthehen në punë, të kthehen në ndihmë për shkollat shqipe. Do të dëshiroja të shikoja një qeveritar, nje kryeministër, një president, të ulej pranë bankave të shkollës, apo të merrte shkumësin në dërrasë dhe t’ju shkruante fëmijëve shkronjat shqipe, ashtu siç ka bërë senatori amerikan Golden i cili do të ngelet gjatë në kujtesën e nxënësve. Do të dëshiroja që një ditë të inagurohej një godinë e shkollës shqipe ku të mësohej çdo ditë rregullisht shqip ashtu siç i kanë shumë komunitete të fuqishme në Diasporë, si hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët, ndërsa ne na shkoi jeta me qera në shumë fusha kryesore.
Kjo gjuhë e Shqipërisë që është dhe gjuhë e Perëndisë siç thotë Naim Frashëri do një bashkëpunim dhe vëmendje tejet të posacme për t’i thënë: Stop asimilimit të Gjuhës Shqipe! Me sa duket atë do ta bëjnë vetëm Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë.
21 shtator, 2013
Staten Island, New York