• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GREQIA, SHQIPERIA, DETI NE MES

July 9, 2018 by dgreca

Greqisë jepja gjithë tasin e groshës, prapë do grindet për një lugë që ka mbetur në kusi/

Nga Arben Llalla/

Disa ditë më parë Greqia lajmëroi se marrëveshja për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumë vjeçare greko-shqiptare që ishte parashikuar të nënshkruhej nga kryeministrat Tsipras-Rama për më 12 korrik u shty për në vitin 2019. Për këtë shtyrje nuk u dha asnjë sqarim si nga ana e Greqisë, ashtu edhe nga ana Shqipërisë. E vërteta është se Shqipëria po ia plotëson të gjitha kërkesat Greqisë si: Varrezat e Ushtrisë së Greqisë të 1940, njohjen e minoriteti grek në Himarë e Korçë, përcaktimit të kufirit detar në zonën ekskluzive ekonomike duke i dhënë 12 milje Greqisë, duke shkelur konventat ndërkombëtare, ndryshimin e toponimeve sipas kërkesës greke, si dhe ndryshimet e teksteve shkollore të Shqipërisë, ku duhet hequr fjala “Çamëri”, “Çam”, teksa duhet thënë që Epiri asnjëherë nuk ka qenë i banuar nga shqiptarët. Teksa pala shqiptare i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Greqisë me diplomacinë “lepe-peqe”, Greqia deri tani ka bërë dy lehtësira si njohjen e patentave dhe vulën apostile, duke lënë në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

Nga burimet e besueshme të Ministrisë së Jashtme të Greqisë thuhet se shtyrja u bë, pasi Shqipëria duhet të zhdukë termin “Çam” dhe “Çamëri” nga librat zyrtarë si librat shkollorë të historisë, letërsisë dhe gjeografisë, librat që botohen nga universitetet shtetërore dhe Akademia e Shkencave. Të shtunën në Athinë u takuan përfaqësuesit e dy vendeve për heqjen e termit “Çam” dhe “Çamëri”. Pra, shtyrja e nënshkrimit të marrëveshjes është mos ndryshimi në kohën e premtuar nga qeveria Rama 2, i librave të Republikës së Shqipërisë në lidhje me Çështjen Çame, por sipas gjasave Greqia kurrë nuk do heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ai ligj do qëndrojë si hanxhar mbi kryet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, për të cilin Greqia përjetësisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë do vendosë Veton.

Greqia ka kërkuar me ngulm që mos të ketë asnjë studim në librat e historisë, studime, rreth origjinën shqiptare të arvanitasve të Greqisë, duke i kategorizuar si pjesë e popullsisë greke që janë shpërngulur me dhunë nga Jugu i Shqipërisë, të cilin Greqia e njeh me termin “Veriu i Epirit”.

Shqipëria është e nënshtruar përpara Greqisë përmes fuqisë ekonomike, e cila përcakton edhe zgjedhjet tona politike apo pozicionet e partive. Prandaj prej kaq vitesh sovraniteti kombëtar është i nënshtruar apo i kufizuar, sepse sovraniteti ekonomik përcakton edhe sovranitetin kombëtar, janë dy gjëra të lidhura ngushtë me njera-tjetrën. Kështu, shqiptarët ende do vazhdojnë të jenë të kufizuar në lëvizjet e tyre politike e kombëtare. Ende do na përfaqësojnë politikanë me kapacitete të kufizuar që i përcaktojnë në pozicionet e tyre politike, deputet apo ministra vendet që na kanë nënshtruar ekonomikisht.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Deti ne mes, Greqia, shqiperia

Europianët shohin hijen e Erdoganit tek ne

May 30, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Që opinioni europian nuk e ka me qejf lidhjen e Edi Ramës me Erdoganin, kjo u vërtetua edhe nga intervista e tij më e fundit për televizionin Francë 24. Dhe gjykojeni vet që gjithë këto ditë, Franca, është përfshirë nga një indinjatë publike për shkak të influencës që Erdogani kërkon të imponojë kudo në Europë, përmes komuniteteve turke edhe në lidhje me shtypin e lirë. Kjo për faktin se një revistë franceze e cilësoi si diktator, madje duke publikuar në faqen e parë, një foto të tij. Dhe siç e ka zakon Erdogani, i drejtoi gishtin qortues edhe Francës. Por përgjigja i erdhi e menjëherëshme nga vet Emanuel Macron-i, presidenti në detyrë, i cili midis të tjerave i tha se në Francë fjala e lirë nuk përligjet me asnjë lloj çmimi. E bëri këtë vitin e kaluar me Gjermaninë kur u përpoq të bënte fushatë elektorale në zgjedhjet e vjetshme në Turqi. E bëri me Hollandën pak muaj më parë, në shkurt të këtij viti, vetëm pse kjo njohu gjenocidin turk të prillit 1915, karshi popullit armen. Pa lënë mënjanë të ashtuqujtuarin sipas tij grusht shteti atë vitit 2016 nga gylenistët apo lëvizja Hizmet. Megjithëse sipas shtypit në botë, qysh pas ngjarjeve të këtij të ashtuqujtuari grusht shteti, arrestimeve të shumta, pa bërë përjashtim edhe gazetarët…, apo arsimtarët si rasti i Kosovës kur nga Ankaraja erdhi posaçërisht vetëm për gjashtë mësues, një çarter special…, shifra e nivelit të inflacionit në Turqi është dyfishur. Erdogani po përpiqet t’i heqi së fundi edhe pavarësinë bankës kombëtare. Ose më saktë të luaj blofet edhe në ekonomi, siç edhe po bën me thirrjet drejtuar turqëve që çdo cent euroje a dollari ta kthejnë në lira turke, edhe pse monedha vendase ka rënë në pikjatë.

Në fakt të gjitha këto janë blofet politike të Erdoganit, që kudo mund të ngjizin. Sidomos në botën rurale lindore një shumicë dërrmuese me ithtarë fanatikë të islamizmit. Gjë që u faktua edhe me zgjedhjet e vjetshme atje, ku qendrat urbane ato të mëdhatë nuk e votuan. Kurse ruralet po, me shumicë dërrmuese. Dhe kjo është e vërteta e fitoreve të tia, ruralizmi dhe fanatikët e fesë. Mirëpo Shqipërisë i ka rënë për pjesë, nga ky dishepulli ynë. I cili edhe pse e njeh Francën për shkak të bonusve që i dha familja dhe soji i nomeklaturës nga ai rrjedh, i përdridhet pyetjeve dhe përgjigjet thatë. Ne e mirëpresim çdo investim. Që në mendësinë perëndimore ka kuptimin që, qofshin këta investitorë kushdo, madje edhe nga bota e drogës apo e krimit. Shqipërisë nuk ka çfarë i duhet burimi, por paratë e tyre. Një diletantizëm politik që na nxjerr gjithmonë me gisht në gojë. Dhe na deshi Zoti, që mllefit të shefit të qeverisë së shqiptarëve, dhëmbët ia mbajtën që nuk e quajti gazetaren kazan dhe të ngrihej e të ikte, ashtu siç bëri me atë çupën nga Tepelena. Nga ana tjetër i shkon kaq për shtat politikës së Taulant Ballës dhe Erisa Spiropalit, kur thonë se, sikur në qershor negociatat me Europën të mos çelen, fajin e ka opozita që proteston. Jo qeveria, e cila bashkë me Shqipërinë, ka ndërmend t’i ofrojë Europës tërthorazi edhe Erdoganin. Eshtë kumti më i mbrapshtë, por që dëshmoi qartë se sa e mirëimformuar është bota perëndimore karshi nesh. Dhe a do t’i kapërdijë dot blofet tona propogandistike si lirimet nga salla e gjyqit me ceremoni eskortash policore të shtetarëve të akuzuar për lidhjet me botën e krimit dhe të drogës?! A do t’i kapërdijë dot firmat publike, për asgjësimin e parave offshore, pronave të pajustifikuara etj…, të ujqërve që ruajnë kopenë?! A do ta bëj këtë sakrificë të jashtëzakonshme për ne? Ku ta dish? Kjo mbetet për t’u parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Erdogani, Europianet, Ilir Levonja, shqiperia

Kancelari austriak kërkon negociatat për Shqipërinë

May 28, 2018 by dgreca

-“Me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt negociatat”, është shprehur kancelari austriak, Sebastian Kurz për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”./

1 Kancelari Kurs

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz kërkon hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Kush kërkon të mënjanojë konfliktet në fqinjësinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojë për stabilizimin, ai duhet t’u ofrojë një perspektivë të besueshme europiane vendeve në rajon”, ka thënë politikani austriak për gazetën gjermane “Welt am Sonntag.”

Austria mbështet Serbinë dhe Malin e Zi që kanë bërë përparime në pjekurinë për anëtarësim. “Edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të fillojmë të hapim negociatat”, tha Kurz.

Samiti i qershorit do të vendosë, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në Gjermani, sidomos në partinë konservatore, CDU dhe CSU, por edhe në disa vende të BE-së ka ende rezerva për këtë hap. Por Komisioni Europian e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.(DW)

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Maqedonia, Sebastian Kurz, shqiperia

Pse shqiptarët e duan Zogun I ?

May 17, 2018 by dgreca

Original caption: King Zog and Queen Geraldine of Albania in Sweden July 20, 1939 Stockholm, Sweden

COMOEDIA (1928) : “AHMET ZOGU KA BËRË PËR SHQIPËRINË, ATË QË ASNJË KRYETAR SHTETI NUK KA BËRË DERI TANI PËR VENDIN E TIJ.”/1 Zogu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Maj 2018/

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 6 shtatorit 1928, në faqen n°3, shkrimin e shkrimtarit, romancierit dhe gazetarit, Pierre Chanlaine, në lidhje me arritjet (sukseset) e Ahmet Zogut gjatë udhëheqjes së tij .

Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, tekstin ekskluziv të gazetës franceze :

 E kaluara e një mbreti.

Pse shqiptarët e duan Zogun I ?

 “Z. Ahmet Zogu, President i Republikës së Shqipërisë, që prej 31 janarit 1925, sapo u shpall Mbret i Shqipërisë. Nëse disa kurora rrëzohen, të tjera shfaqen. Kompensim i merituar.Kur luftova në Shqipëri, ishte vendi më i prapambetur që ekzistonte. Një vend i bukur, ku përrenjtë kapërcejnë me gëzim pranë maleve gjigante, një vend gjithashtu simpatik. Shqiptarët e kanë mbrojtur gjithmonë gjuhën e tyre ndaj shtypjes greke apo turke. Shqiptari është besnik ; Ai e ruan nderin. Nga tradita, ai është një ushtar i mrekullueshëm. Etërit e tij luftuan në Fornovo (Fornoue) në ushtritë e Henry III, Maximilien-it dhe François I.

 Ai është i matur. Është trim. Si mund të mos e duam atë ?

Po, por para Ahmet Zogut, duhet të thuhet se vendi nuk ishte shumë i sigurtë. Ky organizëm i vogël ishte i infektuar me mikrobe – komitadjis – që e hanin atë. Nuk kishte pushtet qendror. Dhe nëse rastësisht fuqitë e mëdha do të kishin vendosur një, askush nuk do t’u bindej atyre.

 Anarkia mbizotëronte dhe lindi pyetja, pavarësisht simpatisë që shqiptarët kishin ngjallur, pavarësisht protestave të tyre të rrepta dhe legjitime, nëse do të ishim të detyruar që t’i ndajmë ata mes grekëve dhe jugosllavëve.

 Ahmet Zogu u shfaq. Dhe vendi u transformua.

 Fillimisht, ai krijon një Kushtetutë.Dy dhoma. Dhoma e Deputetëve, e zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga populli ; Ajo e Senatit, në të cilën një e katërta caktohet nga Presidenti, pjesa tjetër zgjidhet si deputetët.

Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë President i Këshillit, si në Shtetet e Bashkuara. Ai formon Kabinetin dhe është përgjegjës për Dhomën e Deputetëve. I investuar në detyrat e tij dhe i shqetësuar nga përgjegjësitë e tij, Ahmet Zogu punon. Ai ndërtoi rrugë : atë të Durrësit për në Tiranë ; atë të Elbasanit për në Korçë ; atë të Tiranës për në Shkodër, e cila ndahet nga një urë madhështore mbi lumin Mat.

 Kompania Franceze e “Fives-Lille” ka ndërtuar dy nga këto vepra arti, midis Durrësit dhe Tiranës, për të cilat mund të jetë krenare.Këtyre rrugëve u shtohet ajo e Beratit për në Tiranë, e ndërtuar kohët e fundit, dhe ajo e Santi – Quaranta për Selanik, të cilën e kishim riparuar gjatë luftës dhe që ai e riparoi sërish.

Ahmet Zogu urdhëron që të qarkullojnë rrugëve shërbime të rregullta auto-transporti. Por, pavarësisht gjithçkaje, meqë komunikimet janë të ngadalta, ai krijoi tri linja avionësh : Tiranë, Vlorë, Korçë ; Tiranë – Shkodër, Brindisi, Vlorë.

Menjëherë, vendi u bë i sigurtë. Ahmet Zogu do t’i sigurojë atij mjete që do të mundësojnë shkëmbime. Ai po ndërton portin e Durrësit. Një kompani shqiptare është themeluar për të prodhuar energjinë hidroelektrike të nevojshme për veprimtarinë e qytetit. Një hekurudhë – e para në këtë vend – është ndërtuar mes Tiranës dhe Durrësit ; tani ajo shtrihet deri në portin e Vlorës.

Dhe pastaj, presidenti, metodikisht, por me energji, shfrytëzon – së fundi – pasurinë e tokës : bakrin e rajonit të Pukës, shfrytëzimin e naftës së Elbasanit dhe të Vlorës prej katër kompanive – një franceze, një italiane, një angleze dhe një amerikane ; peshkarexhat e gjirit të Vlorës, që një kompani franceze i ka dhënë me qera, perlat e liqenit të Ohrit, kuajt e vegjël të fushës së Mukrës (Mursisë), të cilët njihen për rezistencën e tyre dhe shitja e të cilëve në vendet fqinje është një burim fitimesh i rëndësishëm për Shqipërinë.

Industritë e vjetra – fabrikat e sapunit, rafineritë e naftës (vajit), fabrikat e duhanit dhe të alkoolit – mbrohen ; kultivimi i drithërave dhe hardhive, zhvillohet. Dhe kur një vend i organizuar tërheq vëmendjen e të tjerëve, dhe meqë duhet frymëzuar frika së bashku me admirimin, Ahmet Zogu krijoi një ushtri dhe një xhandarmëri. Oficerë italianë dhe anglezë janë përgjegjës për organizimin e njërës dhe tjetrës. Forcat e armatosura përbëjnë totalisht rreth njëzet mijë burra.

Ahmet Zogu ka bërë për Shqipërinë, atë që asnjë kryetar shteti nuk ka bërë për vendin e tij. U tha se ai kishte bërë vetëm një koloni italiane…Një interpretim i gabuar! A do t’a lejonte patriotizmi shqiptar një gjë të tillë ? Në të vërtetë, shqiptari, si të gjitha vendet në zhvillim, shfrytëzon pasurinë e tij nëpërmjet kompanive të huaja. Por konçesionet jepen në bazë të gjykimit (analizës) dhe vetëm në rast të ofertave të barabarta fitojnë kompanitë italiane.”

 Pierre Chanlaine

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Zogu, Aurenc Bebja, COMOEDIA (1928), shqiperia

Mogherini… vendimin e merr Merkel në qershor…?

April 17, 2018 by dgreca

Moherini MerkelPër shumë arsye, sot në Tiranë, Frederica Mogherini dhe Hahn do të tregojnë me fjalë të bukura se Komisioni Europian do të kërkojë që Këshilli Europian që mblidhet në qershor të “hapë negociatat me Shqipërinë”.

Arsyet e vërteta të këtij qëndrimi të Mogherini lidhen më shumë me arsye gjeopolitike. Rreziku i faktorëve të tretë i ka shtyrë burokratët e Komisionit Europian të japin mendim pozitiv për hapjen e negociatave, duke lënë mënjanë të gjithë problemet e mëdha që kanë këto vende, me korrupsionin, krimin, trafiqet e drogës, mos ngritjen e shtetit ligjor, me administratën e paqëndrueshme publike, me të drejtat e njeriut, me marrëdhëniet me fqinjët, e tjerë e tjerë pafund.

Sepse Mogherini dhe të gjithë ata burokratët që punojnë në Bruksel, e dinë sa e korruptuar është qeveria Rama, çfarë lidhjesh ka kjo qeveri me krimin dhe kriminelët. Dinë me saktësi, madje më mirë sesa ne në Shqipëri se si kanë qenë e angazhuar policia dhe Saimir Tahiri në kultivimin masiv të kanabisit. Sesi Shqipëria është shndërruar në trampolinën kryesore të trafikut të drogave të forta në Europë, dinë se në ç’gjendje të rrënuar është ekonomia. E dinë me saktësi, edhe nga FMN, se PPP dhe koncesionet po e zhysin ekonominë në kolaps; se Shqipëria po grindet e nuk po bën marrëveshje me Greqinë për shkak të njërit nga faktorët e tretë; dinë se sa të korruptuar janë Ahmetaj, Gjiknuri, Beqaj; dinë se kush është Xhafaj dhe çfarë bën vëllai i tij; dinë se Rama ka një pasuri 200 milionë euro të fshehur në llogari “off shore”; dinë se sa i implikuar është vëllai i tij Olsi Rama….

Dinë gjithçka ndodh në Shqipëri dhe kanë informacion më të plotë, me fakte e prova, për situatën në Shqipëri. Deri edhe që Rama e ka quajtur popullin e tij “organ seksual që nuk ngrihet dot…”.

Por pavarësisht gjithë këtyre, Mogherini dhe Hahn, do të thonë se Shqipëria ka bërë progres, se kjo qeveri ka bërë reforma të guximshme, se ka pasur rezultate në luftën kundër kanabisit, se ekonomia po ecën në rrugën e duhur e tjerë e tjerë fjalë të bukura, më shumë që shqiptarët të jenë optimistë dhe të mos dëshpërohen e pastaj të emigrojnë. Kaq është detyra e Mogherini.

Ajo e ka të qartë se vendimi nuk është në dorën e saj, Madje ajo e ka shumë të qartë se vendimi i Merkel është ndryshe nga çfarë ajo mendon. Madje as në Italinë nga ajo ka ardhur, mendojnë ndryshe. Madje edhe ajo vetë mendon ndryshe por puna ia do të flasë sot ndryshe në Tiranë. Kjo është e vërteta. Dhe kaq.

Merkel është një politikane që zgjidhet me votat e qytetarëve gjermane, prandaj mendon dhe vendos ndryshe nga një burokrate siç është Mogherini. Po ashtu Merkel është drejtuese e shtetit më të fuqishëm të Europës e cila ka mbi kurriz të gjithë shqetësimet që vijnë edhe nga shtetet e tjera, anëtare apo kandidate të BE. Pra ajo mendon dhe vendos ndryshe edhe nga një drejtues tjetër i një vendi tjetër të BE, që nuk është po aq i madh dhe po aq i rëndësishëm në BE, sa Gjermania.

Merkel ka edhe një situatë të brendshme specifike, me koalicionin qeverisës, ku anëtarët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme për zgjerimin dhe emigrantët. Prandaj Merkel para se të marrë vendimin për Shqipërinë, pavarësisht se e një situatën në BE, në Ballkan dhe Shqipëri shumë më mirë se burokratët e Brukselit, ndryshe nga burokratja Mogherini, i peshon të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë në një peshore farmacie.

Pastaj vendos. Dhe prandaj vendimi në këto raste i është lënë Kryeministrave të vendeve të BE të vendosin me konsensus nëse do të hapen apo jo negociatat, edhe me Shqipërinë. Prandaj shqiptarët nuk duhet të mashtrohen sot nga fjalët e bukura të Ramës apo “lëvdatat” e Mogherini. Ata bëjnë detyrën. E vërteta është ndryshe. Vendimin e merr Merkel në qershor. Vendimi i saj ka peshë vendimtare dhe gjasat janë që Merkel të jetë realiste.

Prandaj, shqiptarët duhet të presin qershorin. Që të mos thonë se Mogherini ishte e mirë, por Merkel…

Shqiptarët duhet të kuptojnë se me qeverinë Rama rruga drejt Europës është jo vetëm e gjatë, jo vetëm e vështirë, por mundet edhe dera të mbetet mbyllur…dhe nuk i ndihmojnë as fjalët e ëmbla të Mogherini dhe realizmi i Merkel.

Filed Under: Editorial Tagged With: Angela Merkel, Be, Mogherini, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT