• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I LUSHNJËS OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË

January 21, 2019 by dgreca

1 shtepia e Kongresit–Një letër Presidentin Wilson dhe drama e atyre njerëzve – /

1 Visari 1

Nga Visar ZHITI/1 Kongresi-i-lushnjes-delegatet-1920-616x330

Sa larg është Kongresi i Lushnjës? – Është një pyetje që mund t’u bëhet shqiptarëve. Sa larg nga çfarë dhe nga cilët? Si kohë 99 vjet më parë. Si hapësirë, po të nisemi… nga ku? Nga Amerika? Larg, larg, është një oqean në mes, duhet të shkosh në Europë, në Mesdhe, në Ballkan, në brigjet e Adrikatikut… Nga kryeqyteti i Shqipërisë, që pikërisht ky kongres caktoi Tiranën si të tillë, është 84.57 km. Në vijë ajrore shumë më pak.

Dhe mua do të më interesonte ajri, fryma. Se ishte kuvendi i një vendi të vogël mes rreziqesh të mëdha, të cilit SHBA i dha mbështjetjen e vet, aq jetike dhe ekzistenciale për kombin shqiptar. Po sa pranë fryme së atij kuvendi është kujtesa? Po shteti shqiptar dhe institucionet e tij? Po njerëzit?

Ndërsa Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar janë futur tashmë në shekullin e dytë të jetës së tyre, saktësisht në vitin e shtatë të tij, ndërkaq më 21 janar mbushen 99 vjet nga Kongresi jetik i Lushnjës ose “Pavarësia e Dytë e Shqipërisë”, siç është cilësuar.

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda; kërcënuese dhe tejet agresive nga jashtë. Ishin mprehur hanxharët si në një kasaphanë dhe po kërkonin të bënin copëtimin e dytë dhe përfundimtar të Shqipërisë.

Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëhere, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. Lufta e Dytë Botërore kishte mabruar, por pasojat jo. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 99 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin universitetet, trenat, postat, media, institucionet, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër ajër me ç’frymë?

Dhe erdhën, u bashkuan. S’i caktoi kush, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë e zërave të Kombit. Pra, jo me vota të blera, por sipas bëmave sakrificave dhe arritjeve. Jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja veç “të bënin Shqipëri”.

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund.

Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin dhe të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me diplomaci e luftë, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej copëtimi dhe i kësaj që kishte mbetur.

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.

Dhe u arrit mrekullia. Me përpjekje, sakrifica, përkushtim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave. Kjo i dha forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë.

Duke mos hyrë në zejen e historianit, për të mos thënë ato që tashmë janë arkivuar në historinë e Kongresit shpëtimtar të Lushnjë, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, por t’i kthejnë në përvojë e mësime, unë dua të risjell këtu një letër, që më çudit me largpamësinë, dërguar në SHBA nga Lushnja e humbur e Shqipërisë së vogël e në rrezik Presdentit të SHBA.

LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINGTON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.

Letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendje shkencëtari. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
        Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

        I shteteve të bashuem Vashington

        Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

       I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

      Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës

      Lushnjë, më 17.3.1920

 

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? Ja, një nga kronikat e kohës:

      “…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’”…

 
Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, pse jo dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

 

 

FRYMA NË DRAMËN E KONGRESIT

 

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë e popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qytetit.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, plot mangësi, por harrimi i saj i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërsa në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre. Akt prekës, por vetëm kaq.

Vendi ynë vazhdon të harrojë shumë dhe të bëjë pak, shumë pak për ato që do të duheshin dhe konsumohet me tepri për ato që s’do të duheshin dhe aq, që janë kohëhumbëse, deri dhe të dëmshme si diktaturat, s’e kam fjalën për atë të madhen, që erdhi me dhunë botërore dhe u vendos në gjysmën e kontinentit të Europës, në Azi, Afrikë e deri në Amerikë dhe besojmë se iku përgjithmonë, por si pasojë e saj, prej arsenalit të saj, trashëgimisë dhe mendësisve e praktikave gëlojnë “diktaturat e vogla”, gjithsesi të hatashme, të institucionalizuara si varfëria dhe korrupsioni e për pasojë  sherret, marrëzi e delire, një mediokritet kombëtar i pashëmbullt.

Si kundërveprim po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë.

Në Kongres:

Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar… 

        Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

ZËRA: 

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe… 

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë… 

– …nuk kanë mbrritë të gjithë… 

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët? 

– Francezët për grekërit… 

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë, 

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë…  ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise… 

PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

 

KRYETARI (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision  të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

DELEGATI I MATIT- (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

ZËRA- Me shka, me çfarë?

DELEGATI I MATIT- Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

DELEGATI IV- Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

KRYETARI- Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombitnë Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

SHEH KARBUNARA- Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

ROJET E ARMATOSURA- Rroftë Qeveria e re!…  (Duartrokitje)

NËNKRYETARI- Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

PLAKU I BUTKËS – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

PËRFAQËSUESI I MATIT – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

VRENOZI- Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

DELEGATI IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

KRYETARI- Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

DELEGATI II –  Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë…                                                           THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

DELEGATI I- Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

DELEGATI II- Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

KRYETARI- S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

DELEGAT II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

KRYETARI- Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

SEKRETARI- (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

TË ZGJEDHURIT – (Një zëri) Betohemi!

Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

NJË ZË- Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

NJË ZË TJETËR: – Rroftë Poeti!

Duartrokitje prapë.

KRYETARI- Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

SEKRETARI- Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël. 

NJËRI NGA DELEGATËT- Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

ZËRA TË ASHPËR- Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR- Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

NJË ZË I ASPËR- Kush jeni ju?

MINISTRI I BRENDSHËM- Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

ZËRI- Mos lëvizni.

MINISTRI I BRENDSHËM- Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!

Hingëllima kuajsh, trokëllima…Bieperdja.                                                                                                                 

 *   *   *

 

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kuajve vazhdojnë, po ndryshe, pa kuaj e kalorsa dhe pa barra mbi shpinë, britma gjithandej, sidomos brenda në parlament, ndërsa trokëllimat janë kthyer dhe në flakje çizmesh, dosjesh, batare armësh, etj.

Sa larg është salla e gjorë e Kongresit të Lushnjës me atë të Parlamentit shqiptar sot? Po antarët midis tyre? Nëse do të mateshin me idetë, përgjegjësitë, moralin? Atë kongres e kemi lënë prapa apo ai na ka lënë prapa 99 vjet?

Pa ardhur viti i 100-të t’i rikthehemi atij betimi autentik, të lartë me besë e fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, se të gjithë tani e gjithmonë jemi para “Mbledhjes së Kombit”, ndërkaq si një mister në dramë ndihet fryma e shpëtimit, si e dërguar nga Zoti, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe pavarësinë e tij të ndjejnë të shenjtë, po kështu dhe të shërbyerit popullit tënd.

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Pavaresia e dyte, Shqiperise, Visar Zhiti

Mitropoliti i Konicës Andreas shpalosi hartën për copëtimin e Shqipërisë

May 18, 2017 by dgreca

Mitropoliti i Konicës Andreas shpalosi hartën për copëtimin e Shqipërisë. Tirana ia merr me gjumë/1 1 Ok mitropMitropoliti Andreas: Shikojmë se Shqipëria kërkon të zgjasë dorën e saj me idenë e Shqipërisë së Madhe në Maqedoni e deri në Artë dhe Prevezë./

1 Mitrop Konices

Nga Arben Llalla/Të dielën në fshatin Delvinaq, i cili ndodhet pranë kufirit të Greqisë me Shqipërinë Mitropoliti i Konicës Andreas mbajti i fjalim me rastin e 103 vjetorit të aneksimit të Jugut të Shqipërisë, kur ushtria e Greqisë më 1914 kreu masakra.

Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi shtetëror dhe fetar i Greqisë, Mitropoliti Andreas ndër të tjera deklaroi: “Shikojmë se Shqipëria kërkon të zgjasë dorën e saj me idenë e Shqipërisë së Madhe në Maqedoni e deri në Artë dhe Prevezë. Ne kërkojmë nga qeveria e Shqipërisë të ndalojë abuzimet me pasuritë e banorëve të Himarës duke përdorur “dekrete” sulltanësh të fallsifikuar. Të anullohet ligji i votimit, i cili parashikon humbjen e të drejtës së votës atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë. Këto ligje të qëllimshme skandaloze kanë për qëllim të përjashtojnë grekët nga procesi zgjedhor për të reduktuar numrin e minoritarëve në jugun e Shqipërisë. Të ndryshohet metoda joefikase e deritanishme të Autonomisë për t’u bashkuar pjesa veriore e Veriut të Epirit me Greqinë.”

Këto deklarata për nxitje të një lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë bien ndesh me vlerat e fqinjësisë së mirë, por edhe ligjet e anëtarësimit të dy vendeve në NATO. Mitropoliti Andreas nuk është një njeri i thjeshtë, por një përfaqësues shtetëror dhe fetar, sepse në Greqi feja dhe shteti janë të pandara, pra i njëjti etnitet.

Gjatë fjalës së Mitropolitit të Konicës Anderas u shpalos edhe harta e Greqisë së Madhe, ku jugu i Shqipërisë ishte brenda Greqisë me parrullën: “Fund Autonomia, tani duam pavarësinë e Vorio Epirit!”.

Zbulimi i hartës së Greqisë së Madhe me aneksimin e jugut të Shqipërisë, me një parrullë subversive është një provokim i rëndës, sepse këtë veprim e ka bërë një funksionar i lartë zyrtar i Republikës së Greqisë. Këto veprime të Mitropolitit Andreas nxisin urrejtjen etnike dhe fetare midis dy popujve, dy fqinjëve që më shumë i bashkojnë gjërat historike se sa i ndajnë.

Nga Tirana zyrtare nuk ka kurrfarë reagimi. Me sa duket politika e mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë për qeverinë e Tiranës bëhet me fushata dhe vetëm me qëllime të pastra elektorale.

Filed Under: Editorial Tagged With: arben llalla, harta e copetimit, Mitropoli i Konices, Shqiperise

NUSTRETI DHE SHANO BEJKOSALA AMBASADORET E PERJETSHEM TE SHQIPERISE NE KANADA

February 13, 2016 by dgreca

Nga Gëzim LLojdia/
1.Bashkshortët Bejkosala u mërguan në dy muaj të këtij viti nga bota jonë.Ikur nga atdheu,fill pas paslufte ata krijuan identitetin e tyre si dhe ndihmuan shqiptarët për tu integruar në jetën e re përtej oqeanit në Amerikën e Veriut.Nusreti financoi kujtimet e Ismail Qemalit që u botuan në vitin 1965 në Kanada,ndërsa Shanoja ka dhen një kontribut në organizmin e grave shqiptare si dhe në strehimin e vellezërve kosovarë për gjatë luftës.Shanoja është nderuar me titullin e lartë:” Nderi i kombit”.
Në 7 janar 2016 u largua nga bota jonë Nusret Bejkosalaj. Ambasada e Shqipërisë në Kanada shkruan:Bir i Vlorës dhe i vendosur që në rininë e hershme në Kanada, z. Bejkosalaj përfaqësoi gjithë jetën tiparet e shqiptarit të mirë, atdhedashës, sipërmarrësit të palodhur që me punë të ndershme ndërtoi nga e para një zinxhir të suksesshëm biznesesh, duke shërbyer si model në jetën ekonomike dhe publike të kryeqytetit federal. Si një ndër themeluesit e komunitetit shqiptar të Otavës, bashkëatdhetarët e këtushëm do të nderojnë sot e gjithmonë humanizmin dhe kontributet e tij dhe të familjes në forcimin e jetës komunitare, krenarinë e prejardhjes dhe ruajtjen e rrënjëve identitare. Xha Nusreti, siç shpeshherë e quanim me dashuri, do të mbahet mend si financuesi dhe botuesi i parë i veprës së Ismail Qemalit në Amerikën e Veriut. Me forcën e karakterit, magjinë e komunikimit, sensin unik të humorit, mbi të gjitha me shembullin e jetës së tij, vënë në shërbim të familjes, kombit shqiptar dhe Kanadasë që e mikpriti në gjirin e vet, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme te të gjithë njerëzit që kanë pasur fatin ta kenë afër dhe të bashkëpunojnë me të.
Për ata që nuk e njohin ka një fakt përveç të tjerave. Reshat Agaj që është edhe zyrtarisht përkthyesi i para i kujtimeve të Ismail Qemalit ,në kujtimet e tij të botuara te :”Vëllai i pengut” shkruan se në vitin 1965 ai pas një aksidenti në Kanada dhe pas dy javëve kur ai filloi te lëvizte dorën mendoi të përkthente kujtimet e Ismail Qemal Vlorës që ai I kishte lexuar dhe ndodheshin në bibliotekën e Torontos.Pas 4 mujave ai përktheu kujtimet plakut të Vlorës .Si u botuan ato dhe kush mundësoi financimin e tyre Reshat Agaj e përshkruan kështu:Më duhet ët shtoj se tërë shpenzimet e botimit u vunë nga Nysret Bejkosala i cili më tha të nisja botimin se harxhet do ti kishte ai.
2.
Bashkëshortja e Nysretit ishte nje amazonë e rralle ,mbesa e Alikajve të Kucit,ikur dy vjece,Nderi i Kombit Shanoja.Vetëm nj muaj pas vdekjes së patriotit Nusret Bejkosala,Shanoja mërgoi edhe ajo në yllësin e qielli të Zotit,besimtar të së cilit ishin bashkortëtë Bejkosala.Dr Ruki Kondaj ,kryetar e komunitetit shqiptar shkruan
Një lajm kaq i hidhur dhe kaq i papritur per Zonjen Shano Bejkosalaj, për një grua te rralle, një nene, një bashkëshorte, një shoqe, një aktiviste e palodhur e ceshtjes shqiptare qe patëm fatin ta njohim nga afër e qe na ka lënë mbrese te pashlyeshme.Bija e shquar e Shqipërisë dhe e Labërisë time qe krenohem me te se na la pas nje emer te madh, “Gruaja Shqiptaro Kanadeze Nder i kombit. Ambasada shqiptare që i ka pasur mbështetje dhe është kujdesur për komunitetin shqiptar Elida Petoshati një ambasadore që ka shkëlqyer më punën e saj shkruan për zonjën Nderi i kombit :Lajmi se zemra e Shano Bejkosalaj ka pushuar së rrahuri ka sjellë pikëllim të thellë te çdo shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë botën shqiptare.Humbja është edhe më e madhe për komunitetin e Otavës dhe mbarë Kanadasë që pati privilegjin unik të ketë në gjirin e vet një grua që i bën nder Shqipërisë që e lindi dhe e përkundi në virtytet dhe vlerat më të mira, kombit shqiptar të cilit ia përvetësoi dhe rrezatoi më tej konstitucionin shpirtëror dhe Kanadasë që e mikpriti me dashuri dhe e bëri qytetare të botës.“Nderi i Kombit”, me dekret të Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, Shano Bejkosalaj, kjo bijë e Labërisë i ka bërë të gjithë krenarë me rrugëtimin e një jete të shënuar nga mbijetesa, dhimbja, sakrifica mbi të cilat ndërtoi solidaritetin, kujdesin, filantropizmin për njerëzit në nevojë. Megjithëse një vajzë vetëm tre vjeçe që barti tragjedinë e shkëputjes së familjes nga rrënjët teksa zbarkoi në brigjet e Halifaksit, Shano i shëroi plagët e shpirtit, përtej pengesës që nuk mund ta kishte më atdheun, dhe qëndroi shqiptare në çdo qelizë. Qëndroi shqiptare në çdo hap, si grua, nënë dhe zonjë aktiviste, duke dhënë shembullin se identiteti kultivohet në mendje dhe në zemër, prandaj nuk ka forcë ta fshijë. Qëndroi shqiptare, duke qenë njëherësh kanadeze thellësisht e denjë, në thelb një vlerë e dyfishtë për të dyja vendet.Si e tillë ajo u qëndroi pranë qindra familjeve shqiptare nga Kosova që mbërritën pas genocidit në Kanadanë që i priti me krahë hapur. Në të gjitha rolet e ndërmarra si grua e angazhuar, ndër të tjera Kryetare e Grave Myslimane të Otavës dhe Kryetare e Organizatës Shqiptaro-Kanadeze të Otavës, Shano dëshmoi se energjia brenda komunitetit gjeneron iniciativa dhe projekte të identitetit, të vazhdimësisë, të urave të mirëkuptimit. Të gjithë që e kanë njohur nga afër Shanon dhe kanë prekur episode të jetës së saj kanë ndjerë forcën, zgjuarsinë, fisnikërinë, magjinë e sjelljes, të fjalës dhe të veprës së kësaj gruaje të rrallë. Ajo përfaqësoi ndër vite vlerat e grave dhe nënave tona dhe ruajti traditat e bukura të dhembshurisë dhe zemrës së madhe shqiptare në shoqërinë kanadeze, por edhe brenda komunitetit. Shanua, së bashku me bashkëshortin e saj, patriotin e nderuar Nusret Bejkosalaj gdhendën së bashku përmes një rrugëtimi të mrekullueshëm të mbushur me historitë e jashtëzakonshme të familjeve të tyre, të atdheut të shtrenjtë që lanë pas, shenjën e pangatërrueshme që krijuan si dy shqiptarë përfaqësues, mirëfilli si Ambasadorë të pashpallur të Shqipërisë në Kanada, si qytetarë të denjë dhe të angazhuar që rritën fëmijë po aq të mrekullueshëm në mjedisin e dy botëve sa të plota aq edhe të ndërthura. Sot e kësaj dite dhe më shumë globalë se kurdoherë, përveç se admirimit, duhet të na frymëzojë shtëpia e Shano dhe Nusret Bejksosalaj kur sapo hyje brenda dera gjendeshe në Shqipëri.Në dëshmi të gjallë dhe të vërtetë të vlerave që i ke dhënë komunitetit dhe Shqipërisë, me largimin tënd do të na duhet të vendosim një copëz autentike historie të komunitetit shqiptar në Kanada në mozaikun e kujtesës që pikërisht kujtesa dhe dokumentimi duhet dhe do të ruajnë disafish të gjallë në mendjen tonë kolektive.Shano ti do të mbetesh bijë e shquar e Shqipërisë, kombit shqiptar dhe e Kanadasë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasadoret, E PERJETSHEM TE, Gezim Llojdia, ne Kanada, NUSTRETI DHE SHANO BEJKOSALA, Shqiperise

Qindvjetori i Prenk Vidit të Shqipnisë

March 5, 2014 by dgreca

Më 7 mars 1914, nji fisnik gjerman mbërrijti në Durrës për ta marrë fronin shqiptar. Por sundimi i Mbretit Vid qe ditëshkurtë. Kundër tij u ngritën n’emën të fesë anmiqtë e Shqipnisë./

Nga Getoar Mjeku*/

Shum bujarë në Perëndim zunë t’andrrojnë kunorën e nji shteti të vogël në viset ma të lashta të kontinentit, ndërsa Turqia Evropiane po lëshonte grahmën e fundit në vjeshtën e 1912-ës. Por të gjithë andrrimtarët e kotë qenë ma fatlumë se njeriu që – mbasi kishte thanë jo njiherë – pranoi të bahej «Princ i Shqipnisë».

Shqiptarët shpallën pamvarsinë në vlugun e Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur vendet fqinje kishin pushtue gati cdo cep të Dheut të Arbënit. Muaj ma vonë, gjashtë Fuqitë e Mëdha t’Evropës e njohën mëvetsinë e Shqipnisë. Por lajmi i vonuem ishte dyfish i dhimbshëm: fqinjët do ta merrnin mbi gjysmën e trojeve shqiptare dhe evropianët do ta caktonin vetë sundimtarin e shtetit të ri.

Kjo ishte punë pazari. Për nji kohë, perëndimorët shpresojshin që sulltanit t’ia ruanin zotnimet që kishte në siujdhesë para se të plaste lufta. Por tani që status quo-ja s’kish ma shpëtim, Fuqitë e Mëdha nisën betejën diplomatike për ndikim n’Adriatikun Lindor. Se kush e sundonte Shqipninë do të thoshte se kujt do t’i shkonte fjala n’at anë të Botës së Vjetër.

Mbas nji ecunie të lodhshme, Fuqitë e Mëdha u pajtuan dhe shqiptarët pranuan t’ia ofrojnë fronin nji kandidati gjerman. Vilhelmi, i biri i tretë i princit Vilhelm të Vidit (Wied), fillimisht kishte ngurrue të bahej sovran i Shqipnisë. Tek mbas nji viti, austriakët si përkrahës të shqiptarëve i kishin mbushë mendjen fisnikut 38-vjeçar ta pranonte kunorën e trashigueshme të shtetit e ri.

Ndërsa Austro-Hungaria e Italia garonin për ndikim në Shqipni, zgjedhja e Vidit qe zgjidhje për ta fashitë rivalrinë. Fuqitë e Mëdha caktuan princ nji gjerman protestant, ndërkohë që as Gjermania e as protestantët s’kishin interes të veçantë në vendin e vogël. Sundimtari asnjanës, thoshin evropianët, do ta ruante baraspeshën mes fuqive dhe do t’i knaqte ithtarët e të katër besimeve të përhapuna n’Arbëni.

Por prijësi i ri nuk i knaqi të gjithë. Më 7 mars 1914, ai mbërrijti në Durrës, asokohe kryeqytet i vendit. Evropa e njohu për princ, Shqipnia e quajti Mbret. Por nuk i shkoi gjatë para se anmiqtë e Shqipnisë – dhe, ndër ta, njeriu që ia kishte ofrue kunorën – ta nisnin punën kundër tij.

Ditën që shkeli në Shqipni, Vidi e emnoi nji aristokrat nga Tirana ministër të dyfishtë, tue ia besue punët e jashtme dhe mbrojtjen. Esad Pashë Toptani kishte kryesue shpurën shqiptare, që nji muaj ma parë i pati paraqitë Vidit kërkesën për t’u ba sundimtar. Por shpërblimi që monarku i bani pashait ia hapi gropën vetë shtetit.

Ende pa e mbushë muajin në fron, mbreti kish pak arsye t’i druhej Esadit. Grupe t’armatosuna kontrollonin pjesë të ndryshme të Shqipnisë, ndërsa grekët mbanin të pushtuem jugun. Detyra ma e ngutshme për Vidin ishte me shtri pushtetin e tij në tanë truallin e principatës. Dhe pashai barkmadh kishte shprehë gadishmëni të paepun ta çonte në vend fjalën e sovranit.

Kur Vidi kërkoi zgjidhje për praninë greke në jug, Esad Pasha sugjeroi forcën si të vetmen udhë. Për kët qëllim, mori pëlqimin e mbretit për t’armatosë 7 mijë luftarë nga Shqipnia e Mesme. Ma pas, siç shestonte Vidi, njerzit e Esadit do të niseshin drejt Lumit Vjosë, matanë të cilit forcat greke kishin shpallë shtetin autonom të Vorio-Epirit.

Por ministri i mbrojtjes ishte ma së paku i interesuem në trevat përtej Vjosës. Në mes të majit, autoritetet zbuluan se Esad Pasha ishte nismëtari nji kryengritjeje që sapo kishte plasë kundër regjimit fare pranë Durrësit. Ndonse pashai u largua nga vendi, shteti shqiptar nuk i bani ballë dot grushtit t’anmikut.

Më 3 shtator, Mbreti Vid tha se po largohej përkohësisht nga Shqipnia. Por ai s’u kthye ma kurrë. Shteti shqiptar u shua. Në Durrës, rrebelët shqyen flamurin me shkabë dhe ngritën sërish gjysmëhanën osmane. Esad Pasha u shfaq prapë në vendlindje, qëroi hesapet me disa kryengritës që ma s’i duheshin dhe sundoi copë të dheut si satrap i Sërbisë. Pushtimit grek në jug s’i bani dot trazim.

Shtetin që e humbën më 1914, shqiptarët e rikthyen me shum mund më 1920 në Kogresin e Lushnjes. Por Shqipnia nuk arriti do t’i rikthejë tokat që Konferenca e Londrës padrejtësisht ia dha Jugosllavisë e Greqisë. Vilhelm Vidi ndërroi jetë më 1945, kurse i biri i tij i vetëm, princi trashigimtar Karl, vdiq pa lanë pasaardhës tri dekada ma vonë. Sundimi i dinastisë qe ditëshkurtë dhe qëlloi në motin ma t’errët në historinë e Shqipnisë.

Vërtet, Vidi nuk i knaqi të gjithë. Por jo për fajin e tij. Ai u ba halë në sytë e anmiqve, të cilët i futën flakën Shqipnisë. Historia asht hamendë ndaj kryengritjes së 1914-ës: ca flasin për nji lëvizje islame; komunistët për nji përpjekje të fshatarsisë. Mirpo, si islami si fshatarsia qenë vegla t’atyne që s’e deshtën shtetin tonë.

Rrebelët nuk e shënuan 7 Marsin. Ata s’iu gëzuan Prenk Vidit, ashtu siç nuk gëzuan shkollën qytetare shqitare, që kremtonte përvjetorin at ditë. Nuk baj thirrje që kët ditë ta kujtojmë patjetër edhe monarkun gjerman të vendit. Por krahas përvjetorit të mësonjëtores, ta nderojmë të plotë vegimin e rilindësve, duke mos e lanë anash shtetin shekullar. Sepse njimend, si njana si tjetra e mbajnë gjallë kombin tonë.


*Autori, ish-gazetar dhe përkthyes, asht kandidat për titullin «Juris Doctor» në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Texas, të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: Getoar Mjeku, Prenk Vidi, Qindvjetori, Shqiperise

MIRATOHET TAP- PROJEKTI QE I JEP SHQIPERISE 2 MILIARDE DOLLARE DHE 20 MIJE VENDE PUNE

February 6, 2013 by dgreca

TAP kalon në rreth 200 kilometra në territorin shqiptar dhe nën detin Adriatik kalon në Itali. Investimi total i parashikuar deri më sot në projektin e madh të gazsjellësit Trans Adriatik është rreth 41 miliardë dollarë, nga të cilat 25 miliardë janë investime në fushën e gazit Shah Deniz 2 për nxjerrjen e rezervave të gazit dhe pjesa tjetër investim për ndërtimin e gazsjellësit.

Këshilli i Ministrave miratoi te merkuren me 6 shkurt në parim Marrëveshjen trepalëshe Shqipëri-Itali-Greqi, për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), një nga projektet më të rëndësishme energjetike jo vetëm për Shqipërinë, që do të sjellë gazin nga fusha e Shah Deniz në Kaspik në Europë.
Kryeministri Berisha, duke prezantuar tekstin e Marrëveshjes, e vlerësoi atë historike për nga rëndësia që ajo ka për zhvillimin e Shqipërisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të saj.
“Vetëm në territorin e Shqipërisë, – u tha Kryeministri – investimi arrin në 2 miliardë dollarë dhe krijohen direkt e indirekt gjatë ndërtimit e funksionimit të tij mbi 20 mijë vende të reja pune.”
Kryeministri Berisha theksoi se me këtë projekt, me pozicionin e saj gjeografik dhe depot natyrale të gazit prej disa miliarda metër kub, Shqipëria merr një pozicion nevralgjik në fushën e energjisë në rajon, ndërsa garantoi se projekti i viteve në vazhdim është ai për gazifikimin e vendit.
“Gazifikimi nënkupton përdorim e gazit për ngrohje e gatim, si dhe shpenzime më të ulëta për çdo familje shqiptare për ngrohe e gatim, pra, nënkupton një rritje të standardit të jetesës e mirëqenies për mbarë qytetarët shqiptarë, të cilët do paguajnë më pak për energjinë e tyre për ngrohje e gatim.”
Kryeministri Berisha siguroi se Shqipëria do të gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj, në kuadër të këtij projekti.
“Shqipëria ka bërë përgatitjet më serioze në trajektoren e saj, ka krijuar ekipet e shpronësimeve ku ai do të kalojë dhe ekipe të tjera dhe është e vendosur të bëjë gjithçka për pjesën e vet, në mënyrën më serioze.”
Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë, gjatë prezantimit të Marrëveshjes trepalëshe për ndërtimin e gazsjellësit TAP.
“Në këtë mbledhje miratojmë sëbashku një marrëveshje, e cila vërtet është historike si për zhvillimin, ashtu edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Kjo është Marrëveshja tre paleshe, e cila do të firmoset gjatë një afati të shkurter, nga tre qeveritë e Shqipërisë, Italisë e Greqisë, për gazsjellësin Trans Adriatik. Ky gazsjellës do të sjellë gazin nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, Azerbajxhan, në Europën Perëndimore. Ai kalon në rreth 200 kilometra në territorin shqiptar dhe nën detin Adriatik kalon në Itali. Aktualisht është projekti më fizibël, më i leverdishëm që ekziston nga të gjitha projektet e tjera. Leverdia e Shqipërisë për këtë projekt është e jashtëzakonshme, por edhe angazhimi i saj për të qenë partnerë në këtë projekt ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve. Marrëveshja finalizon një kuadër ligjor të domosdoshëm të bashkëpunimit dhe kalimit të gazsjellësit në territorin e vendeve tona. Investimi total i parashikuar deri më sot në projektin e madh të gazsjellësit Trans Adriatik është rreth 41 miliardë dollarë, nga të cilat 25 miliardë janë investime në fushën e gazit Shah Deniz 2 për nxjerrjen e rezervave të gazit dhe pjesa tjetër investim për ndërtimin e gazsjellësit. Vetëm në territorin e Shqipërisë, investimi arrin në 2 miliardë dollarë dhe krijohen direkt e indirekt gjatë ndërtimit e funksionimit të tij mbi 20 mijë vende të reja pune.
Ndërkohë, Shqipëria merr një pozicion nevralgjik në fushën e energjisë në rajon, pasi vetë pozicioni i saj gjeografik është shumë i rëndësishëm. Ajo është jo vetëm një vendkalim i gazsjellësit drejt Italisë, por ekziston edhe një potencial tjetër i madh, që gazi, krahas trajektores së gjertanishme, të shkojë drejt Ballkanit të Veriut. Bashkimi Europian po studion e konkretizon çdo ditë e më shumë një projekt tjetër të gazsjellësit të quajtur JAP, Jonian Adriatik Pipeline, i cili fillon nga Fieri dhe përfundon në Slloveni. Natyrisht, ky gazsjellës ndërtohet me vendosmërinë dhe vullnetin e BE-së, për këtë zonë që vuan për gaz, nuk ka sasinë e nevojshme, madje Shqipëria nuk e ka fare në përdorim – me anëtarësimin e Kroacisë në BE, dy prej tyre bëhen vende anëtare të BE-së. Gazi i gazsjellësit Trans Adriatik ka të gjithë shanset të shkojë drejt veriut të Ballkanit, nga Shqipëria, nëpërmjet gazsjellësit JAP. Natyrisht, ky është projekti më konkret dhe fillimi për punimet e tij do të mund të kapin fundin e këtij viti. Vendimi pritet të merret nga mesi i viti.
Shqipëria ka bërë përgatitjet më serioze në trajektoren e saj, ka krijuar ekipet e shpronësimeve ku ai do të kalojë dhe ekipe të tjera dhe është e vendosur të bëjë gjithçka për pjesën e vet, në mënyrën më serioze. Për Shqipërinë, një vend pa gaz në përdorim ose me përdorim jashtëzakonisht rudimentar, të kufizuar, ky është një shans shumë i madh, sepse do të ketë mundësi të ndërmarrë gjatë mandatit që vjen, gazifikimin e Shqipërisë. Gazifikimi nënkupton përdorim e gazit për ngrohje e gatim, si dhe shpenzime më të ulëta për çdo familje shqiptare për ngrohe e gatim, pra, nënkupton një rritje të standardit të jetesës e mirëqenies për mbarë qytetarët shqiptarë, të cilët do paguajnë më pak për energjinë e tyre për ngrohje e gatim.
Shqipëria ka një avantazh vërtet të madh, sepse ka depo natyrale të mëdha, prej disa miliarda metër kub gaz, gjë e cila është shumë e leverdishme për gazsjellësin. Ne jemi të gatshëm që, në bazë të rregullave, t’i vëmë ato në dispozicion, në mënyrë që të rregullojë fluksin e gazit në varësi nga faktorë të ndryshëm.
Marrëveshja miratohet sot në parim, pasi janë disa çështje teknike, terminologjike, për t’u zgjidhur nga grupet që po punojnë. Kjo marrëveshje, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është historike. Ky projekt se bashku me projektin tjetër të kaskadës së Devollit po e shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar.
Kush do të mund të imagjinonte ndonjëherë se në dy projektet më të mëdha në historinë e vendit do të kishte peshë kryesore një prej vendeve më të veriore të Europës, Norvegjia. Këto projekte japin një transformim të madh të marrëdhënieve të bashkëpunimit të Shqipërisë jo vetëm me vendet mike Greqinë e Italinë, Azerbajxhanin e Turqinë, por edhe me të gjitha vendet, kompanitë e mëdha të të cilave janë aksionere, Zvicrën, Norvegjinë, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. Kompania gjermane EON është nga më kryesoret në këtë projekt. Me këtë ridimensionohet shumë bashkëpunimi ndërkombëtar i Shqipërisë.”

Filed Under: Kronike Tagged With: 2 miliarde dollare, Gazjellesi, qe i jep, Shqiperise, TAP

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT