Nga Vasil Sofokli Tole/
Ndodh edhe kështu, që një piktor si Eduart Liri (1812-1888) të shenjohet edhe si transkriptuesi i parë i muzikës iso-polifonike shqiptare, kjo në vitin e largët 1848, gati 100 vjet më përpara botimit të parë në nota të muzikës popullore shqiptare, në vitin 1940 nga Pjetër Dungu!
Bëhet fjalë për një pentagram unikal për nga lloji dhe mënyra, i vendosur në qendër të vizatimit me titullin “Kudhësi”, i realizuar më 31 tetor 1848, në malet e Tepelenës, prej Tij, i cili përveçse piktor e shkrimtar ishte edhe një muziktar i zoti, gjë e patheksuar sa e si duhet deri më sot.
Ky pentagram është si ato mbetjet fosile përmes interpretimit të të cilit mund të rindërtosh të gjithë trupin.
Për më shumë artikulli i botuar sot tek gazeta “Panorama”.
“Eduart Lear, transkriptuesi i parë i tingujve të iso-polifonisë popullore shqiptare”
Nga të gjithë dihet fakti se udhëtimi në Shqipëri i piktorit Eduart Lear (1812-1888) ishte një rezultat rrethanash të cilat bënë të mundur që udhëtimi i tij drejt Stambollit të bëhej duke kaluar përmes Shqipërisë, kjo mundësuar nga leja që ambasadori britanik mundi të siguronte pranë Portës së Lartë në vitin 1848. Falë këtij udhëtimi të përshkruar prej tij edhe në ditarin e botuar më pas në “Journal of a Landscape Painter in Albania”, kemi rreth 100 vizatime, kryesisht peizazhe të bëra gjatë itinerarit që përfshiu Ohrin, Strugën, Elbasanin, Tiranën, Krujën, Lezhën, Shkodrën, Kavajën, Beratin, Ardenicën, Apoloninë, Vlorën, rivierën e Himarës, Tepelenën, Gjirokastrën për të përfunduar në Janinë. Për rëndësinë e këtij udhëtimi e posaçërisht të pikturave të tij kanë shkruar dhe folur ndër vite studiuesit tanë të arteve pamore dhe ata të historisë së Shqipërisë. Me të drejtë, ndër ta Prof. Ferit Hudhri shkroi se Liri krijoi për herë të parë përmasat e plota të peizazhit shqiptar, ku ndihet menjëherë madhështia dhe larmia e relievit, si dhe drita e plotë e ngjyrat e qarta të Mesdheut, etj. Po çfarë ka mbetur ende pa thënë për këtë artist dhe udhëtar të shquar i cili udhëtoi për të pikturuar edhe në Itali, Greqi, Palestinë, Siri, Egjipt, Indi dhe në Celion?
Tashmë është më se e qartë që vlerave të patjetërsueshme të Eduart Lirit në paraqitjen e vlerave artistike, mjedisore dhe atyre te trashëgimisë kulturore të lidhura me Shqipërinë, do t’u shtohen edhe ato të muziktarit, i cili edhe pse në mënyrë të pjesshme, renditet si i pari transkriptues në nota muzikore i tingujve të muzikës popullore shqiptare, posaçërisht atyre të iso-polifonisë jugore. Për këtë le të shohim konkretisht vizatimin me numrin 202 i cili mban shënimin: “KUDHES”, datë 31 tetor 1848, vizatim me përmasat 25 x 51 cm, i realizuar me bojëra uji, ku vetë Liri ka shkruar në qendër të pikturës edhe një pentagram së bashku me notat muzikore në të, këto krahas shënimeve të bëra me laps në trup të vizatimit. (Shih pikturën që ruhet në Harvad University, Houghton Library: http://ids.lib.harvard.edu/ids/view/42729781…”Coudessi/31)
Qartësisht në pentagramin e vizatuar me dorë nga vetë Liri, lexohen notat të cilat përbëjnë melodinë e dëgjuar, të cilën mesa duket, fyelltari lab ne qendër të pikurës e ka interpretuar ndërkohë që Liri e pikturonte atë. Nuk përjashtohet mundësia që grupi i leberve që paraqitet në vizatim mund t’ja ketë marrë edhe këngës me iso-polifoni, por ajo çka shohim është fokusimi i Lirit tek fyelltari në qendër të pikturës, i cili jepet me fyell në buzë i kthyer me fytyrë nga lugina e lumit në sfondin e maleve. Nuk jemi në gjendje të themi se cilët ishin emrat e bartësve të kësaj cope të trashëgimisë sonë shpirtërore që e ndikoi Lirin aq shumë sa të vendoste elemente të saj në trupin e pikturës, duke bërë kështu një miks unikal të arteve (pikturës dhe muzikës), në majën e një mali në Shqipëri.
Ajo që me siguri pohojmë është se përmes shkrimit të notave muzikore, ne jemi në gjendje të kuptojmë si alfabetin muzikor të tingujve pentatonike anhemitonikë dhe të intervaleve karakteristike (2+, 3-, 4, 5+ etj.), tipike për iso-polifoninë tonë, këto të shkruara në pentagramin e pikturës, e po ashtu të pohojmë se ne pentagram nuk gjejmë të plotë një motiv/melodi të mirë transkriptuar deri në fund, gjë e cila do të kërkonte natyrshëm edhe shkrimin e munguar të çelësit të solit, evidentimin e kohës muzikore të pjesës, kjo krahas teksturës muzikore dhe marrëdhënies së notave në melodi, ekzistenca e të cilave qartazi do të përvijonte edhe gjuhën muzikore të pjesës në fjalë. Themi që është melodi fyelli dhe jo këngë e kënduar pasi, së pari kemi qartazi synimin për të transkriptuar një linjë të vetme, por edhe se, mesa duket, iso-ja është e zhvendosur në notat e sipërme (nota re në vijën e katërt), e cila është tipike për një iso të veglës së fyellit dhe jo një shtrat iso-je normal për këndimit e burrave i cili vërtitet në notat fa dhe sol të oktavës së parë. Ky pentagram unikal është si ato mbetjet fosile përmes interpretimit të të cilit mund të rindërtosh të gjithë trupin. Gjithsesi, edhe kaq sa është na mjafton për të thënë se Eduart Lirr është edhe transkriptuesi i parë i tingujve të iso-polifonisë popullore shqiptare. Dhe kjo nuk është pak.
Për të sqaruar të interesuarit duhet të pohojmë se sistemi i notizimit muzikor në Shqipëri ka qënë përdorur vetëm dhe kryesisht në muzikën liturgjike fetare, posaçërisht në atë orthodhokse. Dokumentacion i pasur rreth dorëshkrimeve dhe kodikëve muzikore mesjetare gjendet në Arkivin e Shtetit, ndër to: Kodiku i Beratit nr. 3- shek. IX, Kodiku i Vlorës nr. 7- shek. XI, Kodiku i Beratit nr. 8- shek. XI. Kodiku i Beratit nr. 9- shek XI-XIII, Kodiku i Beratit nr.15-shek. XI-XII, Kodiku i Beratit nr. 16- shek. XIII, Kodiku i Beratit nr. 21- viti 1181, Kodiku i Beratit nr. 23- viti 1292, Kodiku i Beratit nr. 26- shek. XII-XIII, Kodiku i Beratit” nr. 89- shek. XIV, Kodiku i Përmetit nr. 81- shek. XIV, etj të cilët pohojnë këtë realitet muziko-letrar. Në këtë vazhdë do të përmendim edhe emrat e disa krijuesve të muzikës bizanatine të lidhur me Shqipërinë si Jani Gliki, Joasafi, Kukuzeli i Ri, Jan Lambardari, Balasi, Gjon Kryepsaltit (tek kodiku i 95 i Tiranës), Grigori kompozitor (kodik i Beratit i shek. XVIII), etj të cilët kanë shkruar muzikalisht fjalët e Perëndisë. Pra, për aq sa njohim deri më tani, ky lloj sistemi muzikor i cili përdorte kryesisht shenjat muzikore të lidhura me shumë me imazhin grafik të shkronjave se sa me notat e mirëfillta muzikore, ishte e vetmja traditë e notizimit muzikor në Shqipërinë e Mesjetës, traditë që u pasurua shekuj më vonë, në kohën kur kompozitori i shquar hungarez Bela Bartok transkriptoi mjeshtërisht rapsoditë me lahutë të rapsodit shqiptar Salih UGLA në USA në vitin 1940, kur Pjetër Dungu në vitin 1940 botoi të parin libër me transkriptime të muzikës sonë popullore, i pasuar disa vite më pas nga Gjon Kujxhia me botimin “Valle komtare”-1943 etj. Nga ana tjetër janë me dhjetra dëshmitë (shkrimore dhe ato pamore), të cilat provojnë traditën e pasur të këndimit dhe interpretimit muzikor në vegla, por që në asnjë prej tyre nuk gjejmë qoftë edhe një të vetëm notë muzikore si përpjekje për transkriptimin e saj, deri sa vijmë në 31 tetor të vitit 1848 tek pentagrami mitik që Eduart Liri shkroi në qendër të pikturës së tij me titullin kuptimplotë: KUDHESI!
Natyrshëm lind pyetja se a ishte valle në gjendje Eduart Lear që të bënte një transkriptim të plotë të melodisë, apo ai u mjaftua vetëm me kaq, pasi piktura ishte e para dhe e fundit punë në interesin e tij artistik?
Liri ishte një intelektual i njohur për mendjen ekscentrike. Ai e filloi karrierën artistike në moshën 15 vjeç dhe në vitin 1832 u punësua nga Shoqëria Zoologjike e Londrës, për të realizuar ilustrime të zogjve. Në të njëjtin vit, Konti i Derbit e ftoi Lirin të qëndronte në pronat e veta, aty ku Liri shkroi poemën “Një Libër Pa sens”-1846, enkas për nipërit e mbesat e familjes së Kontit. Pas vitit 1836, Liri vendosi t’i përkushtohej ekskluzivisht pikturimit të peizazheve dhe për këtë mes 1837 dhe 1847 udhëtoi gjerësisht në Evropë e Azi. Pas kthimit në Angli, seritë e udhëtimeve u botuan në disa volume me ttitullin “Udhëtime të Ilustruara të një Piktori Peizazhesh”. Lir kujtohet për poemat humoristike si “Bufi dhe kotelja” dhe si krijuesi i formës dhe metrikës së limerikut modern. Liri shkroi shumë poema thellësisht fantastike për krijesa imagjinare, si psh., “Dong-u me hundën e shndritshme”. Libra të tij me vargje humoristike përfshijnë edhe “Këngët pa Kuptim”-1871 dhe “Lirika për të Qeshur”-1877. Liri satirizonte me gjithçka, përfshi edhe veten, si tek “Me anë të një Parathënie” etj.
Krahas sa më sipër, Liri si të gjithë njerëzit e talentuar luante në fizarmonikë, flaut dhe kitarë dhe në piano, një pjesë të tyre i gjejmë edhe të pikturuara prej tij. Ai madje ka kompozuar muzikë për shumë poema Viktoriane dhe romantike, por u njoh më tepër për sfondet e shumta muzikore të poezisë së Tenisonit, poeti që shkroi edhe vargjet epitaf në varrin e Lirit.
Tomorr e Athos, fron magjie,
Vjen hije e largët, gjer tek ne.
Një laps e nje penel i bie
E ndjej si të isha vetë atje!
Liri gjithashtu kompozoi melodi edhe për shumë nga “Këngët pa sens”, përfshi këtu “Bufi dhe Kotelja”, por vetëm dy nga punimet kanë mbijetuar: “Daljet e Yonghy-Bonghy-Bò” dhe “Kori Pelikan”. Ai nuk luajti asnjëherë si profesionist, por ekzekutoi këngët e tij dhe sfondet e poezive të të tjerëve në takime apo festa sociale të panumërta, ndonjëherë duke shtuar edhe lirikat e veta (si me këngën “Familja Nervoze”), dhe ndonjëherë zëvendësonte vargje serioze me rima ninullash. Për ndjeshërine e tij te hollë muzikore, Liri ka hyrë gjithashtu në librin e artë të thënieve të njerëzve më të shquar të muzikës, kjo prej një fragmenti të letrës që ai i dërgonte Lady Strachey më 24 janar 1859: … një by….e marrë e një gruaje të ndyrë, kokë kalbur, budallaqe që në lindje, grykë-pa cipë, me një ulërimë shkatërruese makute, çjerrëse, shushatëse, kërcit-çarje, shkatërrimtare, është duke u praktikuar me ulërima poshtë shkallëve me një mësues shtazë kantoje në mënyrë kaq të tmerrshme, sapo më dilte koka nga vendi…!
Me pak fjalë ky ishe parashtrimi i transkriptimit të parë në nota muzikore i njeh melodie iso-polifonike shqiptare me fyell i realizuar nga piktori Eduart Lear në vitin e largët 1848, të cilit i pëlqente që ta thërrisnin edhe si “Mr Abebika kratoponoko Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto phashyph” ose “Chakonoton the Cozovex Dossi Fossi Sini Tomentilla Coronilla Polentilla Battledore & Shuttlecock Derry down Derry Dumps”!
Tiranë, gusht 2015
Kadetë Amerikanë dhe nënoficerë shqiptarë njohin kulturën dhe gjuhën e përbashkët
Nga Shefqet Kërcelli/U zhvillua më datën 12 qershor, në Ministrinë e Mbrojtjes, ceremonia e realizimit të programit tre javor për shkëmbimin kulturor dhe gjuhësor midis ushtarakëve të dy vendeve. Mori pjesë dhe Ambasadori i SHBA, Donald LU.
Në kuadër të planit të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Ushtrisë Amerikane, në Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjes si dhe disa reparteve të FA, nga data 20 maj deri më 12 Qershor u realizua Programi i Shkëmbimit Kulturor dhe Gjuhësor i Përbashkët, i Kadetëve Amerikanë dhe ushtarakëve Shqiptarë. (CULP 2015). Ky program i vecantë ka tre vjet që zhvillohet në vendin tonë dhe bazohet në tre drejtime kryesore:-asistencë humanitare, trajnim i përbashkët ushtarak, si dhe trajnim i gjuhës angleze. Cdo vit në të janë përfshirë dhjetra ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa sivjet rreth 23 kadetë amerikanë, (midis tyre dy shqiptaro-amerikanë) dhe 34 shqiptarë të njësive e reparteve të ndryshme të FA, të cilët për një periudhë afro dy mujore, ndoqën këtë program gjithpërfshirës. Programi i zhvilluar këtë vit, përfshiu dhënie asistence në zona e vende specifike të Shqipërisë, si jetimore, klinika, shkolla për fëmijet me aftësi të kufizuar; trajnime të përbashkëta ushtarake si dhe mësim të gjuhës angleze për terminologjinë profesionale ushtarake. Gjithashtu, një aspekt tjetër i këtij program ishte dhe shkëmbimi i njohurive kulturore dhe qasje drejt kulturës shqiptare, e cila u realizua nëpërmjet vizitave kulturore në vende te ndryshme të Shqipërisë. Përsa i përket dhënies së asistencës humanitare, programi filloi me punën konkrete për përmirësimin dhe zbukurimin e godinës së Qëndrës Sociale për fëmijët romë ”Shtëpia e ngjyrave”, në Tiranë (ARSIS). Për këtë u punua konkretisht për sistemimin e ambjenteve të jashtme, lyerje fasadash dhe mjedise të brendshme, rregullime të brëndshme etj. Fillimisht në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua një takim i kadetëve amerikanë me SHSHPFA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo. Në takim morën pjesë dhe drejtuesi i programit CULP 2015, N/kolonel Priester, Zv.shefi i Zyrës së ODC, Major Richard Kartcher, Komandanti i KDS, Kolonel Ruzhdi Kuçi, koordinatori për palën shqiptare, N/kolonel Behar Mara etj. Nëpërmjet një bashkëbisedimi tepër miqësor midis kadetëve amerikanë dhe Gjeneral Bazo-s, u dha një panoramë e përgjithshme me konceptin e arsimimit profesional ushtarak shqiptar, programin pilot, bashkëpunimin dypalësh midis Gardës së New Jersey dhe FA të RSh, rekrutimi i të rinjve në radhët e FARSH, lidhja e ushtrisë me shoqërinë civile etj. “Jam i privilegjuar të diskutoj me ju, tha gjeneral Bazo, të ndaj mendime e ide me ju, sikundër më vjen mirë e ndjehem krenar që në radhët tuaja ka dhe shqiptarë”. Drejtuesi i këtij programi, N/kololonel Priester, në këtë takim shprehu falenderimet e tij për mbështetjen e ofruar nga FA shqiptare në realizimin me sukses të këtij programi me përfitime të ndërsjellta për të dy vendet, në drejtim të ndërgjegjësimit kulturor, rritjes së aftësive ushtarake dhe gjuhësore etj. Programi u bazua në kuadër të kurrikulave të Korpusit Trajnues të Oficerëve Rezervistë, ku trajnimi për ndërgjegjësimin kulturor merr një rëndësi të vecantë. Ai siguron mundësi që liderët e ardhshëm të kultivojnë aftësitë e tyre drejt mjediseve të ndryshme kulturore, për të vlerësuar dhe respektuar ide të ndryshme, tradita dhe njerëz të ndryshëm. Gjithashtu, nëpërmjet njohjes së kulturave të ndryshme të zhvillojë një partnership të ngushtë me partnerët e aleatët si Shqipëria. Sic më njofton N/kolonel Behar Mara, kordinator i këtij programi për këtë vit, gjatë tri javëve të qëndrimit në Shqipëri, kadetët patën mundësinë të njihen nga afër me kulturën shqiptare, historinë, gjuhën shqipe si dhe Forcat e Armatosura të RSH. Njëkohësisht ata u stërvitën së bashku me ushtarakë të Forcave të Armatosura. Në këtë kuadër kadetët amerikanë zhvilluan një varg vizitash në reparte dhe qytete te ndryshme të vendit tonë. Fillimisht ata vizituan mjediset e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore (FT), ku u njohën me strukturën, misionin dhe detyrat specifike të batalionit të Forcave Speciale. Më pas miqtë nga SHBA kryen një vizitë të shkurtër në Muzeun e Forcave Speciale, ku u informuan shkurtimisht me historikun, stërvitjet e ndryshme si dhe misionet e zhvilluara nga ky efektiv.
Studentët amerikanë vazhduan vizitën e tyre në mjediset stërvitorë të bfs, ku ndoqën nga afër edhe në një demonstrim të kryer nga batalioni i Forcave Speciale dhe Forcat Speciale RENEA, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur). Gjithashtu kadetët amerikanë zhvilluan një vizitë në Bazën Ajrore Farkë, ku u njohën me historikun, misionin, detyrat, strukturën, aktivitetin aktual, modernizimin dhe planet e zhvillimit të kësaj Baze. Në vijim të programit kadetët amerikanë vizituan dhe Komandën e Forcës Detare ku u njohën me detyrat dhe misionin e kësaj Force. Më pas studentët amerikanë zhvilluan një vizitë në bordin e anijes “Iliria”, ku u njohën me kapacitetet dhe me të dhënat e taktike- teknike të anijes. Në përfundim të cdo vizite, drejtuesi i ekipit të kadetëve amerikanë N/kolonel Priester, u shprehu ushtarakëve shqiptarë, falënderimet e tij të përzemërta, për pritjen dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona. Krahas programit me ushtarakët shqiptarë grupi i kadetëve amerikanë zhvilloi vizita në qytetin e Tiranës, Krujës, Durrësit, Vlorës, etj, ku u njoh me historinë, muzeumet dhe bukuritë e vendit tonë. Ndërkohë theksojmë se realizimi i objektivave të këtij programi pati kujdesin e drejtuesve ushtarakë të gjithë niveleve e Forcave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo gjatë takimeve me kursantët amerikanë ka shprehur mbështetjen e FARSH për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve. Gjeneralmajor Bazo vlerësoi programin e përgatitjes së oficerëve të rinj shqiptarë, një projekt i nisur me Gardën Kombëtare të New Jersey. Oficerët e certifikuar gjatë këtij programi tashmë janë duke shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura si dhe duke drejtuar e stërvitur trupat sipas modelit të përfituar në SHBA. Ky kurs është vijim i bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm midis FARSH dhe Gardës Kombëtare të Nëw Jersey. Mbas mbylljes me sukses të këtij programi, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 12 qershor, u zhvillua një ceremoni e veçantë, ku vec 23 kadetëve amerikanë dhe nënoficerëve shqiptarë, morën pjesë dhe Zvendësministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu, Zvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Viktor Bërdo, Drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA etj. Zvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, në përshëndetjen e tij, ndër të tjera, u shpreh: “Po i drejtohem kadetëve amerikanë dhe po ju them, se vërtet ju vini nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por pas një përvoje 3-javore këtu, shpresoj të ktheheni me një opinion unik e të përbashkët për Shqipërinë dhe shqiptarët, se Shqipëria është një vend i bukur, se qytetarët e saj janë mikpritës dhe evropianë që vlerësojnë se, SHBA,-janë aleati më i rëndësishëm gjeostrategjik për shqiptarët. Pjesmarrësit në këtë ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu. “Suksesi i kësaj vizite nuk do të kishte qenë e mundur pa mikpritjen e jashtëzakonshme të shqiptarëve, – nënvizoi ai, – prandaj më lejoni t’ju shpreh falënderimet më të veçanta. Shqipëria është e njohur për mikpritjen dhe njerëzit e saj miqësorë. Jam informuar se disa të rinj amerikanë kanë pasur një përvojë të mrekullueshme për shkak të mbështetjes tuaj. Ata janë argëtuar shumë gjatë qëndrimit dhe udhëtimeve që kanë zhvilluar me ju. Jam shumë i lumtur që dy prej kadetëve amerikanë janë shqiptare etnikë. Ata përfaqësojnë atë që është më e mira e lidhjes mes dy vendeve tona”. Ai u tha kadetëve se, shumë prej jush do të kthehen në Shqipëri pas disa vitesh për t’u ritakuar me miqtë që keni bërë gjatë qëndrimit tuaj këtu. Ju jeni aleatë të NATO dhe mund të shërbeni krah për krah me njëri-tjetrin kudo në botë. Në fund të ceremonisë Zvendësministri Koçi dhe Ambasadori LU, shpërndanë certifikatat për kadetët amerikanë dhe ushtarakët shqiptarë që u dalluan në përvetsimin e këtij programi.
Shënim:-Njoftoj lexuesit e gazetës “Dielli”, se cdo shqiptar ose shqiptaro-amerikan, që ka pasur të afërm, pjestar të familjes ose vetë personalisht në Ushtrinë amerikane apo programe të përbashkëta me të, mund të bëhet pjesë e librit më të ri “Bashkëpunimi ushtarak SHBA-Shqipëri, gjatë shekullit të XX-të”. Mund të më kontaktojë në adresën time të emailit:- shefqetkercelli10@gmail.com. Faleminderit për mirëkuptimin!
Mijëra protestues kundër diskriminimit të shqiptarëve në Shkup
Mijëra shqiptarë sot protestuan në Shkup në organizimin të lëvizjes politike “BESA”/
Protesta ka nisur nga parku i Çairit duket përfunduar në urën “Goce Dellçev” disa metra larg Qeverisë.Protestuesit brohorisnin “Stop dhunës ndaj shqiptarëve”, “Ali tradhtari”, “Besa –Besë besën e kemi dhënë!, “UÇK” , etj në shoqërimin edhe të këngëve patriotike.
Marshi protestues u sigurua edhe nga dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “BESA” dhe shoqatave të tjera pjesëmarrëse në protestë.
Anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi deklaroi se prania e një numri kaq të madh dëshmon se Këshilli Organizativ e bëri mirë punën duke treguar se shqiptarët dinë të bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre.
“Këshilli organizativ e ka bërë këtë protestë sepse nuk do të ketë më shkelje të shqiptarëve. Mjaft më me vrasje burgosje, pse mos jemi bashkë dhe të jemi me popullin. Deri sa do përmbushen kërkesat tona ne nuk do të ndalemi. Ky shtet duhet të formatohet dhe të jetë i barabartë”, deklaroi Rexhepi në skenën e ngritur pranë urës disa metra larg Qeverisë.
Në këtë protestë me moton “Protestojë Shqip” u kërkua dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni. Protesta u vlerësua tejet masive nga organizatorët dhe se në përkrahje të saj ishin dhjetëra shoqata dhe thirrje të personaliteteve publike shqiptare. Protestës nuk i`u bashkëngjitën dy partitë e tjera RDK dhe Lëvizja për Reforma në PDSH e Ziadin Selës, për shkak të mosmarrëveshjeve midis tyre. (INA)
Takime tradicional “Azem Shkreli” 2015 bashkoi krijuesit shqiptarë nga shtetet e Evropës!
Nga Asllan Dibrani/
E shtuna e kaluar me 06.06.2015 në Ennepetal të Gjermanisë,nën organizimin e “Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë të Gjermanisë”,u mbajt manifestimi tradicional kushtuar të madhit krijuesit dhe poetit “Azem Shkrelit”.
Rrugët ishin të ngarkuar ngase, ma veç ka filluar fluksi i parë drejt brigjeve bregdetare të pushuesve të shteteve Skandinave dhe të Beneluksit që frekuentojnë autostradave të Gjermanisë .Krijuesit shqiptar këtë ditë vikendi e kishin zgjedh si pikë takimit të kulturës dhe artit poetik në Ennepetal të Gjermanisë. Tashmë në këto takime tradicionale “Azem Shkreli” po i bashkon krijuesit shqiptar nga shtetet e Evropës !Krijuesit shqiptar ,vitet që po lëmë pas trasuan një voluminitet të ngjeshur veprimtarish dhe aktivitetesh në fushën e krijimtarisë me tituj të shumtë duke i bashkuar të gjithë krijuesit nga Kosova ,Shqipëria ,Maqedonia ,Çamëria dhe trevat tjera të emigruar në shtetet perëndimore. Salla e bukur e stolisur me flamujt tanë dhe portreti i Azem Shkrelit ,sikur komunikonin me publikun që kishin ardhur me qindra kilometra ta nderonin ketë takim.
Shfaqjet filmike të tij të ndërkohëshme na rikujtonte të kaluarën e Kosovës që Azem Shkreli e skaliti e gdhendi dhe e shkroi me fjalët e arta poetike .Pal Sokoli kryetar iu uroj mirëseardhje mysafirëve, që nuk ishin pak të ardhur t’i ndanin disa orë së bashku me krijuesit e “Lidhjes se Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani”. Zoti Hasan Qyqalla përshëndeti në emër të LSHKM. Fjalë përshëndetëse patën edhe zoti Martin Çuni (kryetar nderi), zoti Hysen Ibrahimi kryetar i Shoqatës Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi,Fatmire Musliu,këshilltare e konsullatës së Kosovës në Frankfurt e cila foli për vlerat e takimeve të tilla nga e cila u përkul pran figurës se Azem Shkrelit etj. Daut Demaku ishte një personash që bëri një mozaik shumëngjyrësh mbi këtë takim kushtuar Azem Shkrelit dhe krijuesve tanë në Mërgatë .Ai shumë bukur elaboroi vlerat artistike mbi krijimtarinë e poetit tonë të madh Azem Shkrelit .Madje ai tha se Azem Shktreli ishte poeti ma i mirë shqiptar i fundshekullit të kaluar. Daut Demaku u prezantuar edhe me një ligjëratë të nduarduart lidhur me kulturën artin dhe situatën politike nga i cili rast u duartrokit disa herë. Në takimin tradicional Azem Shkreli” 2015 me poezitë e tyre u prezantuan z. Gonxhe Letmi Begisholli, z. Neki Lulaj, z. Sadri Gashi, z. Hasan Qyqalla, Seveme Fetiqi, z. Selajdin Gashi, z. Arif Molliqi dhe z. Musa Mulolli me poezitë e Gjergj Fishtës
Për ta nderuar takimin dhe familjen Shkreli në këtë datë i dhanë një fokusim kulturor dhe emocionues edhe nxënësit e shkollës shqipe”Dituria” nga Heidelbergu dhe Schwetzingeni të udhëhequr nga Gonxhe Letmi-Begisholli. Recitali teatral i nxënësve të shkollës “Dituria” me titull; ”Nuk ndalen Shqiptarët” të shkruar nga autori Martin Çuni, përgatitur nga mësuesja Shqipe Gara dhe Gonxhe Letmi Begisholli, ku rikujtuan shumë ngjarje emocionuese gjatë shekujve për figura të ndryshme shqiptare me rëndësi historike.
Skenës për të qenë sa ma të kompletuar këta fëmijë i ndihmuan edhe Këshilli i prindërve nga z. Emine Cakolli ,z.Binak Ramaj dhe Lendita Gashi Bytyqi. Nxënësit që aktruan në këtë takim ishin Tregim Ramaj,Endrit Veliu ,Blegin Berisha,Kujtim Ramaj,Donika Begisholli,Gentrina Bytyqi,Ariana Halilaj,Brikena Halilaj etj. Gjatë këtij takim u promovua edhe libri i të ndjerit Shaban Cakollit që mbeti në dorëshkrim ,por falë z.Pal Sokloit z. Ferdinanad Lahollit dhe z. Martin Çunit ,ai gjeti dritën dhe u botuar nga Shtëpia Botuese “Laholli. Një përshkrim mbi këtë vepër dha z. Hysen Ibrahimi, ndërsa z. Ferdinand Laholli foli në emër të redaktorit.
Këngëtarja Ermelinda Lajcaj i dha një ngrohtësi sallës me këngët e saja me karakter kombëtar. Zëri i saj jehoj nëpërmes këngës qe solli një kënaqësi tek të pranishmit. Po ashtu burrat e këngës rapsodike të ulur këmbëkryq Zyber Topalli,Dalip Sylejmani dhe Bajram Aliu kënduan me zërin e tyre të mrekullueshëm me këngën “Në ballë të Arbrit”.
Në fund u shpërndanë disa mirënjohje, ,dhe u shpallën rezultatet e konkursit letrar të LSHAKSH në Gjermani, për veprën më të mirë të vitit 2014. Çmimi letrar për krijuesit shqiptarë në këtë takim”Azem Shkreli” 2015,u nda nga juria e zgjedhur në përbërje të Arif Molliqit,Martin Çunit dhe Seveme Fetiqit dhe u shpërblyen këta krijues:1.Vendin i parë:Sadik Krasniqi me librin “Ag Muzgu” me poezi poezi
2.Vendi i dytë:znj.Pranvera Gjoni, me librin “Mendime të Arnuara” me poezi
3.Vendi i tretë:Fatmir R.Gjata “Valsi i tretë” me poezi dhe Fehmi Korça(post mortum) libri”Përtej poleve të jetës”poezi. Pauza të pranishmeve nuk u shkoj huq,por shijuan ushqimet tradicionale shqiptare nga kuzhinat familjare shqiptare që i sollën aty.
-Takimet e tilla Lidhjen e shkrimtarëve po e përforcojnë, po i japin shpirt ,po e zgjerojnë me anëtarë të rinj dhe në saje të bashkëpunimit kjo “Lidhje e Shkrimtareve” po merr dimensione dhe korniza ma të mëdha dhe përgjegjësi që të jetë një oazë e afrimit të vlerave dhe krijimeve të reja. Takimi si ky për poetin e madh Azem Shkrelin që bashkoj krijuesit shqiptarë nga shtetet e Evropës do të jetë një sinjal i mirë që deri sa të ketë Azem Shkrela shqiptarët do të jenë ma të fuqishëm ma të afërm ma të nderuar dhe gjithnjë në trend vrapues ta nxëmë atë që e humbëm nën pushtimin e armiqve gjatë shekujve.
‘ TINGUJT E FJALEVE PLOT NGJYRA SHQIPERIE NE LONDER”
Nga Marjana BULKU/
Të dëgjosh protagonizma shqiptarësh nëpër botë tashmë nuk përbën ndonjë sensacion pasi fati i ka shpërndarë shumë prej tyre nga ku mjaft të tillë kanë bërë emër dhe sukses globalisht,por të përjetosh emocionet që shkakton arti shqiptar për disa ditë me radhë m’u në zemër të qytetërimit botëror , në Londër, kjo padyshim përbën një ngjarje që nuk mund të ndodhë rëndom.
Ekzistojnë mjaft evente që bashkojnë shqiptarët , janë festa apo ngjarje , mund të jenë ndeshje apo mbrëmje koncertore,por vetëm disa prej tyre kanë mundësi të memorizohen dhe të amplifikojnë madhështinë ,,,janë disa akte të thjeshta ,tingujsh, ngjyrash ,fjalësh që vitalizojnë historinë tonë sa të lashtë aq edhe të re.Janë akoma edhe më të rralla ato veprimtari ku institucionet perëndimore ,studjues dhe intelektualë britanikë e shohin nga afër artin ,historinë dhe kulturën shqiptare sic ishte edhe kjo javë veprimtarish në Londër e organizuar nga Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe ,zoti Mal Berisha.
Java e KULTURES SHQIPTARO – BRITANIKE në Londër e konceptuar si një rrjet eventesh ku nderoheshin kontributorët e kulturës dhe diplomacisë perëndimore ndaj cështjes shqiptare (Eduart Lear dhe Herman Bernstein) ,ku promovoheshin botime “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo”, botuar nga Cambridge Scholars Press në gjuhën angleze me autor Dr. Enver Bytyci dhe ku artistët shqiptarë mbajnë gjallë me artin vizual dhe atë muzikor kulturën shqiptare ( Bashkim Ahmeti Izano , Adelina Hoxha dhe Robert Radoja).
Një javë e kulturës shqiptare në Londër me një dialektikë dhe intesitet informativ që i drejtohet:
1. Syrit …përmes telajove plot ngjyra ku flasin kostumet e traditës dhe apdurdi futurist, e bukura historike që arti e gdhend me përjetësi …ku më shumë sesa impresionet e artistit që flet me ngjyra , fjalën e ka kureshtja e spektatorëve e cila flet duke u ngujuar dhe medituar përballë artit të pa fjalë por me të gjitha gjuhët e botës në zotërim.
2.Veshit…me ”Këngët e Atdheut” një album i punuar mjeshtërisht nga muzikantët Hoxha e Radoja ku tinguj dhe fjalë prezantojnë historinë tonë për vogëlushë që rriten larg atdheut të tyre dhe që Shqipërinë e kanë edhe mall edhe dashuri ndonëse jo përjetim.
3. Mendjes …me Ligjëratën brilante të një ambasadori (zotit Mal Berisha) i cili në axhendën e tij ka kontributetet reale të individëve që krijojnë, progresojnë, dhe kontribuojnë pro Shqipërisë nëpër një dialektike që ka rrënjë të thella në historinë tonë dhe prej andejmi nxit frytet e së ardhmes së kombit shqiptar,,, një e ardhme që kërcënohet nga rryma dhe furtuna që ia kanë zbehur progresin ,por jo dialektikën e zhvillimeve….ku e shkuara dhe e ardhmja takohen në një pikë historike që risjell dhe nxjerr në dritë zoti Berisha gjatë trajtesës shumëplanëshe tek trajtesa ”Jeta e Ambasadorit amerikan në Shqipëri Herman Bernstein”.
Eshtë një javë eventesh që mbart intesitetin e një pune të shumfishtë ku ne si spektatorë shijojmë dhe duartrokasim, emocionohemi apo edhe këndojmë nën zë tinguj me të cilët jemi rritur, kuptojmë se qytetërimi nuk ia ka mbyllur kurrë portat Shqipërisë kur ajo ka trokitur me dije e zgjuarsi në dyert e saj sic është edhe ky event në ”Europe House”, American Embassy …Londër, është një javë që të lind dhjetra pyetje ,,,se si është e mundur që Shqipëria ,ky vend i vogël të nxisë mendje të mëdha sic është rasti i Presidentit të nderit të ”Anglo Albanian association” Sir Noel Malcolm të shkruajë veprën me titull ”Një histori Shqiptare e shekullit të 16” ,se si dritëhijet tona historike janë plot enigma dhe kureshtje të atyre që duan ti zgjidhin ato?
Duket sikur është një ”Javë” veprimtarish që ka kohë që ka nisur, kur sjell në kujtesë emrat, veprat dhe eventet e pafundme që Ambasada Shqiptare në Londër ka organizuar, evente që duket se i kanë bashkuar emigrantët shhqiptarë nëpër botë duke i integruar nëpër mjediset përkatëse ku jetojnë dhe punojnë ,duke ua ndricuar krenarinë ,duke sjellë në kujtesë por edhe në vetëdijen e brezit të dytë lindur dhe rritur në emigracion hijeshinë e artit historiko-kulturor shqiptar që denjësisht shpaloset në kryeqendrën e qytetërimeve perëndimore për t’u përjetësuar.
Kjo Paradë e KULTURES SHQIPTARE në LONDER është dëshmia më e mirë e kontributeve të njerëzve të cilët pa dashur ti idealizoj ,janë veprat e tyre ato që i lartësojnë duke përjetësuar kështu historinë tonë që flet me detaje që nuk i mban dot vetëm pena e shkrimtarit, tingujt e muzikës , ngjyrat e tablove, bukuritë gjeografike të natyrës, aventurat e politikës, duke iu ngjitur kështu majave të një ngjarjeje që i bashkon të gjitha e nga ku ne dukemi më të bukur ,më dinjitozë. Kur Sokrati fliste shqip në Londër përmes MIrush Kabashit të madh,,,ishte bujaria e ambasadorit Mal Berisha baza e madhështisë së shfaqjeve që numërojnë pafundësisht emra edhe të skenës si ;Inva Mula. Ermonela Jaho, Arlinda Morava, Genc Tukici , Sajmir Pirgu…si dhe mjaft intelektualë të tjerë shqiptarë që shqip përjetësojnë atdheun e tyre në zemër të qytetërimeve ku Shqipëria aspiron prej shekujsh të aderojë…Ne ”ishim ”aty , në zemër të qytetërimit , në Londër për një javë rrjesht teksa shijonim pikturat e Izanos , Kengët e Atdheut dhe Ligjëratën e një ambasadori që na bën të ndjehemi krenar për bashkëkombësinë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 16
- Next Page »