Shkruan:Eugen SHEHU/
Malet dhe gerxhet e Kolonjës,kanë pritur në supet e tyre dhjetra e qindra stuhi e rrebeshe. Por ata kanë qendruar e qendrojnë ende sot të paepura,pse rënjët i kanë në gjakun e bijve të tyre. Plejada e ndritur e burrave që luftuan deri në fund për lëvizjen kombëtare shqiptare,natyrisht do të ishte jo e plotë,pa emrin e Shahin Kolonjës,këtij burri mendimtar i cili edhe në çastet më të rënda të jetës,u përpoq veç për atdhenë e vet të robëruar.
Shahin Teki Ypi,lindi në fshatin e madh e të bukur Starje të Kolonjës në vitin 1865.I biri i beut të madh Kahreman Ypi,do të edukohej qysh në vitet e fëmijërisë,me këngët trimërore e legjendat e komiteteve kolonjare të cilat askurrë nuk kanë rreshtur së ngrituri krye për Liri.Shkollën fillore,Shahini e mbaroi në fshatin e lindjes,ndërsa më pas shkon në qytetin e Korçës,ku ndjek mësimet në shkollën Ruzhdije.Natyrisht,koha le gjurmët e veta në njerëzit dhe ngjarjet që ajo përcjell.Rinia e Shahin Ypit,do të kalonte mes ngjarjeve kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit ku i jati i tij,do të renditej me trimat e tjerë të Gjirokastrës,Frashërit dhe Janinës në vazhdën e udhës së çelur nga Abdyl Frashëri.Këto ngjarje do të ndikonin së tepërmi në formimin e vetëdijes nacionale të birit të Kolonjës.Pas mbarimit të shkollës Ruzhdije në qytetin e Korçës,ashtu si plot shqiptarë të tjerë,Shahini merr udhët e Stambollit.Falë personalitetit të Kahreman Beut,si atdhetar i shquar,i biri do të njihet personalisht me vëllezërit Frashëri,me Ibrahim Temon,Said Najdenin,Hamdi Ohrin dhe plot shqiptarë të tjerë që patën bërë emër në perandorinë e madhe të gjysëmhënës.Për më tej i ndihmuar nga Naim Frashëri,ai do të vazhdonte studimet e mesme si dhe ato në fakultetin e Dretësisë,në Universitetin e Stambollit.
Në vitin 1894,kur ishte ende 19 vjeçar,plot ëndrra dhe ambicije profesionale, e emërojnë drejtor gjimnazi në qytetin e Edrenes.Por detyrës dhe ofiqit të drejtorit diçka i mungon.Ai e ndjen së mbrendshmi se nuk është i prirur të japë leksione,apo të jetë autoritar në mabrëvajtjen e gjimnazistëve.Diçka tjetër e shtyn të paguaj lekë nga rroga e tij,të blerë libra dhe abetare shqip nga Rumania e për t’ua shpërndarë shqiptarëve e miqve të tyre në Stamboll.Në pranverë të vitit 1886,Shahin Kolonjën e shohim në shoqërinë e Said Najdenit (Hoxhë Voka) si edhe të Ibrahim Mitrovicës.Por ndërsa Saidi burgoset,Shahini nuk trembet aspak,përkundrazi duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare si drejtor gjimnazi,kërkon leje dhe takohet disa herë me Said Najdenin.Kështu,në qershorin e këtij viti,me urdhër të Stambollit,birin e Kolonjës e dërgojnë në vendin e quajtur Gjymulxhine.Por këtu,veprimtaria e tij atdhetare nuk do të gjente prehje.Mban korespondencë të vazhdueshme me Ibrahim Temon,i cili nga rreziku është larguar në Bukuresht,me Said Najdenin dhe Mid’hat Frashërin.Do të dije për gjithshka ngjet në Shqipëri e sidomos në Kolonjën e tij të dashur.Pas luftës greko-turke të vitit 1897,u duk se Porta e Lartë do të favorizonte disa të drejta të shqiptarëve,qoftë edhe për koniukturat politike në Ballkan.Është kjo arsyeja që Shahin Kolonja i kërkon zyrtarisht Portës,që ta lejojë të çele një gazetë në gjuhën shqipe,për të cilën ishte aq shumë e dëshiruar.Përgjigjja i vjen negative dhe për mos ta bërë kundërshtar këtë shqiptar të zgjuar,Stambolli e emëron ate në detyrën e kajmekamit të Kozhanit në sanxhakun e Selfixhies. Shahini e pranon detyrën e re me entuziazëm,ngase do të ishte tanimë shumë afër Kolonjës e sidomos pranë Manastirit ku Hamdi Ohri,Dervish Hima dhe miq të shumtë të tjerë po punonin për të ndezur shqiptarizmën.Ai që në ditët e para të detyrës,do të shfaqte hapur simpatinë për shqiptarët,ç’ka do të bënte që valiu i Manastirit,Abdyl Qerim Pasha t’i shkruante Portës së Lartë pos të tjerave : „Të mos i besoni shumë këtij Shahin Teki Ypit ngase një pis arnaut që nuk shfaq mendime të mira për mbretërinë dhe kur rrëmbehet del jashtë“.(Gazeta „Drita“ 19 nëndor 1904).
Në ato katër vite që Shahin Kolonja shërbeu në Kozan,pa me sytë e tij,korruptimin në masë të nënpunësve osman,padrejtësitë e gjykatave ndaj fshatarëve të varfër,si edhe kundërshtimin e shqiptarëve ndaj taksave të larta të Stambollit.Në emër gjoja të detyrave shtetërore,Shahini shkonte shpesh në Manastir dhe takohej me patriotët e kësaj treve.Por kjo histori nuk zgjati shumë,spiunët e Portës së Lartë bënin punën e tyre dhe në fillim të vitit 1900 ai u detyrua të shkonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Stamboll për të dhënë spjegime rreth atyre lidhjeve.Falë oratorisë dhe vendosmërisë së tij,biri i Kolonjës do të spjegohet fortë qetë në ato zyra duke iu shpëtuar mrekullisht kurtheve.Në mungesë të provave konkrete,dërgohet sërish në Kozan me porosinë të shohë vetëm detyrën dhe sgjë tjetër.Por Shahini me të shkuar aty,nuk vonon të duket në Manastir duke marrë takime sërish me atdhetarët shqiptarë aty.Kësaj kohe konsulli i Austro-Hungarisë,Kral,takohet në mënyrë të fshehtë me Shahinin dhe pas bisedës,i shkruan Vjenës se padyshim që nismat e komiteteve të fshehta i kanë rrënjët në këto biseda. Sidoqoftë kjo nuk do të zgjasë shum.Në verën e vitit 1900 Shahin Kolonjën e çojnë në Malin e Shenjtë,sërish në detyrën e Kajmekamit.Manovra të tilla,Porta e Lartë bënte rëndom,duke ndjerë rreziqe që mund t’u vinin prej lidhjeve të fshehta të shqiptarëve.Edhe këtu,biri i Kolonjës,do të rrëfnete se ishte shqiptar i madh. Ngase në malin e Shenjtë kishte me qindra shqiptarë,ai i mblidhte ato fshehurazi në shtëpinë e tij dhe u lexonte librin e shenjtë të Sami Frashërit „Shqipëria çka qenë,çështë e çdo të bëhet“. Por si kajmekam ai luftoi vendosmërisht edhe ndaj mijëra murgjeve ruse të cilët nën petkun fetar kërkonin të zaptonin me ardhje të tjera,Malin e Shenjtë.Ai u bë pengesë e pakapërcyeshme për ardhjen e tyre,me ç’rast detyroi qeverinë e Carit të ndërhynte tek Sulltani që të largohej prej andej arnauti Shahin.Sulltani u përkul përpara Carit rus,por gjithsesi figura e Shahin Kolonjës tashmë sa vinte e lartësohej në administratën osmane.Për këtë,biri i Kolonjës amërohet në detyrën e kajmekamit në qytetin e Vlorës,gjë të cilën e pritën me emocione mjaft burra të mençur në Shqipërinë e asaj kohe.Por Shahini nuk udhëtoi dot,drejt Vlorës.Tashmë i bindur se jeta e tij duhej vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare,ai i përgjigjet ftesës për bashkëpunim që prej kohësh ja pat bërë Ismail Qemali.Për më tej,nisur edhe nga të ardhurat e mira ekonomike në Kolonjë,Shahini donte ti kushtohej plotësisht,ëndrrës për të çelur një gazetë në gjuhën shqipe.Kështu stacioni i parë i qëndrimit të tij pas arratisjes nga Turqia ishte Brukseli.Kështu ai takohet me Ismail Qemalin dhe Faik Konicën,bisedon me ta për çështjet në Ballakn dhe herë-herë ka mendime të kundërta,sidomos me rolin e qëndrimin e turqve të rinj,në çështjen kombëtare shqiptare.Në fillim të marsit 1901 „Albania“ e Faik Konicës do të shkruante për te ; „Shahin Bej Starja,kajmekam i Kozanit,i Malit të Shenjtë e më në fund i Vlorës, e la shkollën e tij për të qenë i lirië t’i vihet i tërë propagandës kombëtare“. Në vjeshtën e po atij viti (1901) biri i Kolonjës udhëton për në sofje.Aty e pret me mirësinë e vet të njohur,një tjetër atdhetar i shquar Kristo Luarasi,i cili i lëshon edhe një dhomë nga shtëpia e vogël e tij.Ndonëse në kushte të vështira ekonomike,Kristo Luarasi i jep fjalën Shahinit se do ta ndihmojë në nismën e tij për çeljen e një gazete në gjuhën shqipe.Dy muaj më pas në 14 nëndorin e vitit 1901,në Sofje del numri i parë i gazetës „Drita“ në krye të së cilës,në faqen e parë shkruhej me germa të mëdha ; „Punoni për vehten tuaj ! Mos për botë e për të huaj „. Që në numrin e parë të saj „Drita“ e Shahin Kolonjës,shpalli idetë e propagandës për lëvizjen tonë kombëtare,duke u mbështetur në veprën madhore të Frashërllinjëve.Nëse që nga numri i parë e deri tek i mbrami burri i Kolonjës e vuri theksin tek bashkimi i shqiptarëve,këtë e bëri ngase në fillim të shekullit të kaluar,në të vërtetë shqiptarët ndodheshin të përçarë në die e në fe.Nëpër faqet e kësaj gazete,numër pas numri,nëpërmjet stilit origjinal gazetaresk,Shahin Kolonja nisi të flase për vuajtjet fizike dhe morale të shqiptarëve,për dasitë fetare,për sundimin osman,për rreziqet që mund t’i vinin Shqipërisë prej fqinjëve të saj ballkanike.Kur Dervish Hima pa në faqet e „Dritës“ se si goditej aty ideja e bashkëpunimit me turqit e rinj,në fillim nuk u besohej syve ngase asaj kohe plot atdhetarë shqiptarë shpresonin shumë tek reformat e propozuara prej tyre.Për më tej,në një letër miqësore ai e kritikonte Shahinin se nuk duhej të flitej me ate gjuhë.Ndërsa po miqësisht,Shahin Kolonja i përgjigjej : „I nderuari doktor !… duhet ta dish se jam ai,që do ta derdhi gjakun i pari, kur shqiptarët kann me pasur nevojë me luftuar kunder turkut“.(A.Q.i Sh.Tiranë fondi 19,dos32/2)
Ajo çka vlen të kujtohet,është sidomos shqetsimi i madh që „Drita“ ngjalli në rrethet shovene bullgaro-maqedonase.Ngase në mjaft shkrime të saj,hidheshin die të qarta për tërësinë toksore të trojeve shqiptare.Pikërisht autoktonia me fakte e këtyre trojeve i nxiste shovenët bullgaro-maqedonas t’i kundërviheshin hapur Shahin Kolonjës.Jo rrallë zyra ku ai punonte ish kontrolluar prej policisë ndërsa në një rast u kërcënua nga disa bullgarë se po të vazhdonte kështu,do të zhdukej fizikisht.Por mjeranët bullgarë ndofta nuk dinin nga ç’far familjeje vinte botuesi i „Dritës“.Ata kurrsesi nuk mund të dinin as për Kolonjën dhe as për komitetet e saj që të merrnin gjak në vetull kur ishte fjala për të drejtat shqiptare.Kanë qenë pikërisht disa djem të Kolonjës të cilët punonin e jetonin në Bullgari të cilët iu bënë një mbështetje e fuqishme bashkatdhetarit të tyre,me ç’rast ai vijoi luftën propagandistike lidhur me çështjen gjoja Maqedonase.Pikërisht në një prej numrave të gazetës së tij,Shahin Kolonja nxirrte në shesh lakuriq,tezat „shkencore“ të Bullgarit Vasil Kençov i cili paska shkruar diku se kufijtë e Maqedonisë janë ; „Që nga derdhja e lumit Masta afër Thasos e me anën e detit vete gjer tek lumi Aliakom,Inxhekara.Se endejmi le detin dhe shkon ne mes te Karaferjes e të Katerines,afër Selfixhijes e Dishkatës evete në malet e Pindit e afër Meçovës.Edhe së andejmi,në Samarinë e nga Gramozi vete në Zvezde,afër Korçës.Edhe së andejmi,duke marrë mbrenda .Starovën,Ohrin,Dibrën,Gostivarin,Tetovën,Shkupin,vete në Kaçanik,merr mbrenda Kumanovën,Preshevën e afër Vranjës bashkohet në kufinë e Serbisë.Bullgarët këtë vend e quajnë Maqedoni… dhe duan të thonë se tre katërt e banorëve janë bullgarë“.(Gazeta „Drita“ 8 shtator 1903).Pas këtij pohimi absurd,është pena e mprehtë e Shahin Kolonjës e cila i bën me dije lexuesit e shumtë shqiptar jo vetëm për bashkësinë e trojeve shqiptare,por edhe se ku e kanë qëllimin bullgaromëdhenjtë e tipit Kençov.Ai spjegon situatën e pështjelluar të Stambollit,si edhe politikat serbe,maqedonase,austro-hungareze e italiane,në ballkanin e trazuar.Ai i fton shqiptarët të mblidhen rreth ideve kombëtare se vetëm kështu do t’i bëjnë ballë rrezikut të madh të coptimit të trojeve të tyre.Tek e mbramja,pasi shkroi një varg artikujsh për Mqedoninë,Shahin Kolonja dhe mesazhin e madh para Evropës se nuk egziston vetëm çështja maqedonase por edhe çështja shqiptare.Nëse këto dy çështje nuk do të shiheshin të pandara nga njëra – tjetra,atëherë midis këtyre dy popujve do gjenerohej kurdohere konflikte dhe luftë.Se sa largpamës ka qenë kjo die e Shahin Kolonjës e shpallur botërisht më 1903,flet vetë e sotmja.
Ndonëse „Drita“ e Shahin Kolonjës botohej në 1000 kopje prej saj shiteshin shumë pak,sepse shumica u falej shqiptarëve në të katër vilajetet.Kjo e vuri në krizë ekonomike si Shahinin edhe Kristo Luarasin.Për më tej në vitet 1904-1906,shpesh gazeta nuk doli për shkak të largimit të Shahinit nga Sofja.E vërteta është se gjatë këtyre dy viteve,në bashkëpunim me Gjergj Qiriazin,Hamdi Ohrin,Bajo e Çerçiz Topullin,si edhe Idriz Gjakovën,burri i Kolonjës pati marëdhënie të fshehta por tepër të ngushta çka lidhet me krijimin e çetave të luftëtarëve të lirisë si edhe komiteteve të fshehta me qendër në Manastir.Një tjetër ngjarje e dhimbshme do të ndodhte në Kolonjën e dashur të Shahinit.Kisha greke, e tërbuar prej mësuesit të shqipes Papa Kristos nga fshati Negovan,paguan njerëz që e vrasin këtë pioner të palodhur të arësimit shqip dhe të çështjes kombëtare në përgjithsi.Ka qenë Gjergj Qiriazi i cili e ka njoftuar Shahinin në Sofje lidhur me këtë vrasje të ndyrë.E vërteta është se „Drita“ gjatë vitit 1905 disa herë kishte replikuar me disa gazeta greke lidhur me problemet e kishës e më gjërë.Mandej në të gjitha rastet,toni i Shahin Kolonjës pat qenë tepër i ashpër dhe forca argumentuese tejet e thellë.Por në këtë rast,ai do t’i shkruante mikut të ngushtë të tij,Asdrenit ; „Meqë zotëria juaj, enjihni fort mirë,stilin e gazetave greke,na dërgoni ju lutem ndonji artikull të shkruar greqisht.Gazeta „To Kratos“ është drejtëpërdrejt kundra kombit tonë“.( Arkivi Qendror i shtetit,Fondi 2 , dosja 74/1, fleta 436). Më pas kanë qenë Asdreni dhe Noli që u janë përgjigjur në gjuhë të pasur publicistike dhe politike,idhtarëve të kishës greke dhe atyre që donin të hapej lufta midis shqiptarëve dhe grekërve në Jug.
Në fund të vitit 1906,në Sofje shkojnë Bajo e Çerçiz Topulli.Të tre këta,në cilësinë e udhëheqësve të Komitetit të Manastirit,zhvilluan bisedime me ministrin e mbrendshëm Bullgar Genadiev rreth ndihmave që mund të merrnin sidomos në armatime,për çetat e luftëtarëve shqiptarë.Për hirë të së vërtetës,duhet thënë se Genadiev u premtoi luftëtarëve pushkë dhe pare por me kushtin që të njiheshin prej tyre pretendimet bulgare ndaj Maqedonisë.Në këtë rast,edhe Shahini por edhe Bajo e Çerçizi nuk vonuan t’ia bëjnë të qartë pozicionin e tyre,ministrit bullgar duke i deklaruar se ç’janë troje shqiptare do të mbrohen në mos me pushkë,me sopata dhe hanxhare.Këto qëndrime burrërore gjetën pasqyrim edhe në gazetën “Drita”.Në vitet 1907-1908,në bashkëpunim me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin,Mihal Gramenon dhe të tjerë atdhetarë shqiptarë,Shahin Kolonja,bënë përpjekje të ngrenë Komitetin “ Për Liri a për Vdekje të shqiptarëve e Shqipërisë “ i cili do të mund të përgjigjej për fatet e popullit në të katër vilajetet shqiptare.Jo vetëm nëpërmjet faqeve të “Dritës” por edhe në biseda e takime në Sofje,Bukuresht apo Vjenë,Shahin Kolonja pat çuar tej,idenë e këtij Komiteti i cili parashihte në thelb,bashkimin e krejt çetave shqiptare nën një komandë unike,duke i dhënë kështu,një lloj sigurie lëvizjes kombëtare që po rritej përmes rreziqeve të mëdha.Në të njejtën kohë,ai ndiqte me vëmendje veprimet trimërore të çetës së Çerçiz Topullit duke e përkrahur sidomos ate në rrafshin propagandistik.Kështu ndërsa Porta e Lartë,donte të shuante lëvizjen e komiteteve shqiptare,në krejt vilajetet,Shahin Kolonja me penën e vet të matur do të kumtonte qëllimet e vërteta të kësaj shtypjeje të egër.Për të krijuar idenë e rreme se shqiptarët e duan sulltanin dhe duan të jetojnë kurdoherë nën hijen e tij.Komandat ushtarake të garnizoneve osmane në trevat shqiptare,bënin çmos të shuanin me zjarr e dinakëri,çdo lëvizje liridashëse.Për më tej,Shahin Kolonja nuk mungoi të demaskonte edhe ata shqiptarë,të cilët për të siguruar përfitime nga Porta e Lartë,arrinin të ngrinin pushkën kundër vëllezërve të tyre komitë.Tepër ironikë,në publiçistikën e tij,Shahin Kolonja,bën me dije lexuesin e “Dritës” dhe krejt opinjonin shqiptar,për fytyrën kriminale të Hilmi Pashës i cili kish vënë një qese me flori për ate që do t’i çonte kokën e Çerçiz Topullit.”Pasi kreu disa reforma shumë” të bukura në Jemen”,tani ai ka shkuar në Rumeli për të vazhduar “historitë” e tij”.Gazeta “Drita” më 15 janar 1908,Sofje).Ndërsa në muajin mars 1908,atëhrë kur trimat e Çerçiz Topullit hynë në Gjirokastër dhe vrasin bimbashin osman i cili pat bërë njëmijë e një krime,Shahini do të ishte ndër të parët që do të përshëndeste këtë akt.Përndryshe nga fjalët që përhapnin turqit se vrasja ishte e disa hajdutëve shqiptarë,Shahin Kolonja do të shkruante : “Ashkollsun u qoftë ! Bravo njëmijë herë të vërtetë.Kështu duhet të bëjnë komitët shqiptarë,fort bukur kanë punuar gjer tashti.S’kemi as me të paktin dyshim që edhe pasketej, keshtu kan per të punuar.Dhe ne u vrafshim,ata mbeten perjetë dëshmorë të Kombit”. ( Gazeta “ Drita “ më 15 maj 1908 , Sofje ).
Fitorja e turqve të rinj,në verën e vitit 1908 e ndryshoi të paktën qëndrimin zyrtar turk,ndaj atdhetarëve të njohur shqiptar.Pas tërë atyre viteve të një sakrifice të madhe,Shahin Kolonja ndërmerr një udhëtim për në Stamboll.Ai qëndron disa ditë në shtëpinë e vëllait të vet ku rrethohet nga një dashuri e ngrohtë familjare.Më tej do të ishte vizita në shtëpinë e Frashërllinjëve ku do të njihej edhe me shoqen e vet të jetës,Nevrezin,të bijën e Naim Frashërit.Mosha që po shkonte,vitet e tëra të lodhshme,sakrificat dukej se kërkonin një çmim që mund të ishte jeta e ngrohtë familjare. Pati edhe miq, që duke njohur aftësitë intelektuale të Shahin Kolonjës e këshilluan ate,që të niste punë në administratën turke,në Stamboll,ku nuk do t’i mungonte karriera.Por edhe nga Stambolli, Shahin Kolonja nuk i ndërrpret asnjëherë lidhjet me kapedanët shqiptarë.I lajmëruar prej Çerçiz Topullit,ai niset në gushtin e vitit 1908 në Selanik ku takohet me Çerçizin,Bajon,Mihal Gramenon dhe Mid’hat Frashërin.Ndonëse pati asaj kohe shqiptarë që besuan në “Mrekullitë” e turqve të rinj,këta atdhetarë u ndalën më së shumti në rrugët që duhej të ndiqte lëvizja kombëtare shqiptare. Çerçizi ka folur aty mbi lidhjet e fshehta të çetës së tij pos të tjerave më së miri me çetën e Nijazi Resnjës e cila vepronte në Manastir.U përcaktuan qartë në Selanik edhe lidhja me atdhetarët të tjerë që vepronin në Çamëri,Shqipëri e Epërme dhe në Kosovë.Menjëherë pas kësaj Shahin Kolonja merr rrugën për në Shkup dhe i ndihmuar prej Çerçiz Topullit,fillon të punojë për krijimin e klubit të qytetit.Aty është takuar edhe më pas me Bajram Currin ku burrat kanë bërë planet e ardhme të kryengritjes shqiptare.Nisur nga kjo,ngase kjo kryengritje kërkonte patjetër një organizim ushtarak “Shahin Kolonja gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shkup,Tetovë,Gostivar,u përpoq të fuste në radhët e Komiteteve të këtyre trevave,sa më shumë oficerë me origjinë shqiptare”.( “Alfabeti i Gjuhës shqipe”, dokumenti 32 Shkup. Më 1 nëndor 1908, faqe 314 ).
Të ndodhur përpara organizimeve të reja të administratës,turqit e rinj,organizuan në vjeshtën e vitit 1908 zgjedhjet e reja të Parlamentit.Kanë qenë sigurisht Çerçiz e Bajo Topulli,të cilët kanë ndikuar tek Shahin Kolonja,që ky të vendoste kandidaturën e tij në Kolonjë në vendlindjen e tij.Kjo kandidaturë do të përballej sidomos me një tjetër të vendosur e ndihmuar prej grekofilëve të Korçës dhe Kolonjës.E vërteta është se ndonëse emri i Shahinit përmendej me respekt në krejt Kolonjën,ai nuk ka mundur të shkonte atje ngase ish zgjedhur si përfaqsues i asaj krahine,në Kongresin e Manastirit.Dihet tanimë se çfar aritit ky kongres madhorë i shqiptarëve. Pa folur për to,pa dashur të lënë nën hije çështjen e përdorimit të alfabeteve,unë dua vetëm të kujtojmë se Kongresi i Manastirit,në mënyrë të fshehtë shpalli edhe një program kombëtar,përndryshe mund të merret si manifest i kërkesave shqiptare për çështjen kombëtare.Burime të historiografisë së huaj dhe asaj shqiptare,prej kohe kanë pohuar se anëtari i vërtetë i përpilimit të këtij programi,ka qenë Shahin Kolonja i cili, ndonëse pjesmarrës i drejtëpërdrejtë në problemin e alfabetit shqiptar,nuk mungoi të shfaqte në ate program,guximin intelektual.Është kjo njëra nga arsyet që në ditët e zhvillimit të Kongresit të Manastirit,nga atdhetarët shqiptarë u organizua një konferencë e veçantë mbi rolin e gazetës “Drita” në formimin e ndjenjës kombëtare.Ndërkaq,në ditët e fundme të kuvendit të Manastirit jeta dhe vepra e madhe e Shahin Kolonjës,u shpërblye me një tjetër gëzim.Pas numërimit të votave në Kolonjë,ai u shpall deputet me ç’rast shtëpia ku rrinte biri i Kolonjës, e ktheu gëzimin në një dasmë të vërtetë.Pa humbur kohë,Shahin Kolonja bisedon me miqtë e tij se si do të mund të vinin në jetë të gjitha idetë e programit kombëtar duke ndërthurur idetë politike me ato diplomatike e propagandistike.Qëndrimi i Shahin Kolonjës në parlamentin turk,si deputet i popullit të Kolonjës,do të mbetet pa dyshim një tjetër faqe e ndritur e biografisë së këtij atdhetari.Së bashku me Ismail Qemalin,Nexhip Dragën,Hasan Prishtinën etj,Shahin Kolonja do të formonte Krahun Kombëtar,i cili do të godiste në Parlament,të gjitha orvatjet e turve të rinj,për absolutizëm si edhe shuarje të lëvizjes kombëtare shqiptare.Kompaktësia e deputetëve shqiptar,u pa veçmas në rastin kur parlamenti turk kërkoi të nxirrte në gjyq Ismail Qemalin për gjoja nxitjen e tij për ngjarjen e 13 prillit 1909.Këtu u dëgjua edhe një herë,zëri i prerë i Shahin Kolonjës,i cili pasi mbrojti me zjarr bashkëatdhetarin e vet,nuk nguroi të nxjerrë në shesh pazaret që Porta e Lartë bënte në Fuqitë e Mëdha,për fatet e ardhshme të Shqipërisë.Fjala e Shahin Kolonjës,gjëmoi fort edhe në rastin e diskutimit të ligjit për kishat në Rumeli.Në fjalën e vet,duke vënë në dukje tendencat e theksuara antishqiptare të kishës greke, e cila pat arritur deri në therrjen e patriotëve shqiptarë,deputeti i Kolonjës u shpreh ; “për njohjen e karakterit dhe Veçorive kombëtare të kishave shqiptare si edhe mos varjen e tyre prej fanarit”.(Arkivi i Institutit të historisë – Tiranë.Fletorja zyrtare e Parlamentit otoman,nr.282, dt. 13 korrik 1909 ).
Anipse Shahini gjatë kohës së tij si deputet,u tregua mjaft i ashpër ndaj turqve të rinj,ai gjithsesi së bashku me Nexhip Dragën do të ruanin një lloj statuskuoje me politikan turq të ndryshëm,ngase parashihnin ngjalljen e mërive të mëdha ballkanike.Për Shahinin si edhe për dhjetra patriotë të tjerë shqiptarë,është e qartë se në këto vorbulla të rrezikshme të ngjarjeve në Ballkan,Shqipëria duhej të kishte së paku një përkrahje sado të vogël,për mos tu gjendur e vetme në mes të ujqve.Ndaj edhe ai nuk u përfshi tërësisht në ngjarjet për ngritjen e Flamurit në Vlorë.Ndonëse pat zhvilluar edhe disa biseda me Luigj Gurakuqin,Shahini mendonte se shpallja e pavarsisë mund të kryhej,atëherë kur së paku të ishin të siguruara gjysma e territoreve shqiptare pasi ky fakt do të vinte në pozitë edhe Fuqitë e Mëdha kur vendosnin.Mendoj se kjo ka qenë arsyeja që lidhur me shpalljen e pavarsisë,shtypi shqiptar të shkruante : “Po të kishin dëgjuar shqiptarët,fjalët e urta të Shahin Kolonjës,këshillat e tij për bashkimin e tërë kombit si një shpirt i vetëm,ndoshta Shqipëria do të kishte pasur një fat tjetër”. ( Gazeta “ Liri e Shqipërisë ” më 11 prill 1913 ).
Ditët që pasuan pas 28 nëndorit 1912,do të ishin të trishtueshme për Shahinin,si për krejt shqiptarët.Qëndrimi i tij në Stamboll ishte gati i padurueshëm ngase turqit i kishin ende të freskëta fjalët e mençura të tij në parlamentin osman.E vetmja rreze drite që hyri në jetën e këtij luftëtari të pendës,ishte lindja e një vajze nga martesa e tij me Nevrezin,të bijën e Naim Frashërit.Për kujtim të poetit të madh shqiptar,Shahini e thërret vajzën e vet me emrin Naime.
Ka qenë sigurisht në shoqërinë e atdhetarëve të tjerë në Stamboll,atëhrë kur mori vesh çka po përgaditej në Londër,në kurriz të Shqipërisë midis dhjetra telegrameve që iu dërguan kësaj konference,ishte edhe ai i Shahin Kolonjës i cili pos të tjerave kumtonte : “Kemi mësuar se ushtritë greke e serbe,po detyrojnë me thikën në grykë vëllezërit tanë të Korçës,Dibrës dhe Ohrit,që të nënshkruajnë një kërkesë drejtuar Fuqive të Mëdha,me çrast territoret shqiptare të lihen nën sundimin grek e serb.Korça,Dibra,Ohri nuk kanë qenë askurrë as greke as serbe,ata kanë qenë gjithmonë shqiptare dhe kanë luftuar gjithnjë për të gëzuar një jetë politike të tyren.Kemi nderin të besojmë që Fuqitë e Mëdha,të mos u zënë kurrë besë përpjekjeve armiqësore lidhur me Shqipërinë, e cila qysh nga fillimi i luftimeve,është shndrruar në shehsh të egërsirave të padëgjuara.Shahin Kolonja ish deputet i Korçës”.( Gazeta “Atdheu” Konstance,Rumani,8 shkurt 1913 ).
Burime të historiografisë sonë,na bëjnë me dije se në prillin e vitit 1913,Shahin Kolonja shkon në Vlorë.Aty takohet me miqtë e ngushtë të tij,Mid’hat Frashërin,Mihal Gramenon,Sali Gjukën duke iu gëzuar sadopak punëve të vështira që pat nisur qeveria e përkohshme shqiptare.Ai nuk pret as të takohet me Ismail Qemalin i cili në krye të delegacionit shqiptar ishte në Evropë,por niset sërish për në Turqi.Në Stamboll merr vesh prej miqve dhe shokëve të vet,për konferencën e Londrës e cila pat vendosur coptimin e trojeve shqiptare.Biri i Kolonjës do të ligështohej shumë duke sjellë ndërmend sakrificat dhe gjakun e derdhur të shqiptarëve,pikërisht për të ruajtur ato troje.Nërmerr një udhëtim për në Sofje ku takohet me mikun e vjetër të tij Skender Luarasin,kërkon të hapë sërish një gazetë,ku mund t’i flase Evropës por si gjithmonë ndodhet i ngushtë nga ana ekonomike. Pas Sofjes ai do të shkonte në Bukuresht,ku edhe këtu,shqiptarët do ti hapnin dyert e shtëpive për birin e dashur të kolonjës.Sidoqoftë edhe këtu,Shahini e ndjente se nuk kish kush të mbështeste financiarisht.Për më tej,këtu trupi i tij i drobitur bie në shtrat dhe janë disa atdhetarë që mundën ta dërgojnë deri në Stamboll. Midis vetmisë,sëmundjes dhe antishqiptarizmit qeveritar turk,Shahin Kolonja kaloi vitet e fundit të jetës së tij.Kur mbyllte sytë,pranë vajzës,Naimes,do të sillte ndër mend vetëm Kolonjën e vet të dashur.Ishte tetori i vitit 1919 dhe qindra patriotë shqiptarë e qanë me lot të nxehta burrin e palodhur për çështjen kombëtare.Ndërsa gazeta “Koha” e tetorit 1919,nën titullin e madh “Shahin Kolonja vdiq !” pos të tjerave do të shkruante ;”Le të derdhim lotë të nxehtë,le të vajtojmë dhe të bashkohemi të gjithë,në zinë e madhe që pushtoi mëmën Shqipëri,me humbjen e njërit nga bijt e saj më të shquar dhe më të dashur që kishte,Shahin Kolonjën ! “.Penda të tilla si ajo e Shahinit e Mit’hat e patriotëve dhe atdhetarërve të vërtetë do të jenë gjithmonë shtylla e fortë ku me besnikëri do të mbështetet ardhmëria dhe fatlumësia e kombit shqiptar.
Bern – Zvicër
ZHITI – VISAR I LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPTARE
“Jo të dish të bësh poezi pa jetën, por të sjellësh jetën me poezinë…”
Visar Zhiti/
Shkruan:EUGJEN MERLIKA/
Dy vite më parë Shtëpia botuese italiane Diana – edizioni vuri në qarkullim një libër me poezi të shkrimtarit Visar Zhiti, të titulluar “Confessione senza altari” (Rrëfim pa asnjë altar). Vëllimi është përgatitur për botim nga studjuesi i njohur i gjuhës shqipe, ish nxënës i të madhit Ernest Koliqi, Elio Miracco. Në libër poezitë jepen në origjinal dhe në përkthimin italisht të studjuesit të mësipërm. Vëllimi hapet me një parathënie të kritikut letrar të gazetës “Corriere della Sera”, Sebastiano Grasso, të titulluar “Soltanto poeta” (Vetëm poet). Pasohet nga një paraqitje e gjatë e shkrimtarit, veprës së tij dhe tematikës së poezive të vëllimit, e shkruar nga Dr.Miracco dhe e titulluar “La pena di vivere” (“Mundi i të jetuarit”). Vëllimi paraqet në fund të tij, si pasthënie, një shkrim të një tjetër kritiku italian, Giovanni Ruggiero me titullin “Zhiti e la letterattura bicefala” (“Zhiti dhe letërsia dykokëshe”). Ky vëllim është një sukses i mëtejshëm i poetit të mirënjohur shqiptar në Itali e në Evropë.
“Rrëfim pa asnjë altar” është një bisedë e gjatë e poetit me veten, në të cilën spikat prirja e njeriut për të vënë në pikpyetje gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, moralin dhe zgjedhjet e ndryshme në udhëkryqet e jetës, çastet sublime dhe ata të tmerrit, luftën e përherëshme mes dëshirave e mundësive, brishtësisë njerëzore e ëndrrave të parealizuara, gabimeve, fajeve, mëkateve, që janë elementë bashkudhëtarë të jetës njerëzore. Kjo bisedë vetmitare të cilën poeti e quan një “rrëfim në asnjë altar”, bashkon idealisht të gjithë njerëzit, zhduk dallimet në kombësitë, kulturat, besimet fetare e merr formën e një mbifeje që ka si shtylla mbajtëse dy koncepte të njohura – Liri e Drejtësi – që, për poetin, janë të vetmet që i shpëtojnë një bote mëkatesh e dyshimesh që nuk kursejnë as vetë diellin. Dhe ky kryen gabimin e përditshëm të perëndimit të tij, duke shkëmbyer jetën me vdekjen, natën me ditën, dritën me errësirën.
Poeti nis një rrugë të gjatë, një udhëtim që nuk njeh kufij kohorë e gjeografikë, por e gjen burimin e frymëzimit dhe arsyen e qënies në tokën e tij, në dukuritë e veçanta të saj, në një përvojë që bashkon fatin e saj me atë të birit vjershëtar. Poezitë e këtij libri janë ndalesa në pika të ndryshme të shtegtimit të fantazisë, që përshkon humnerat e pashembullta të një jete që ka zënë fill në një kohë të vështirë, në një Vend të trazuar nga ide vrastare që kanë kthyer njerëzit në hiena t’etura për gjak. Ky është Atdheu, katër vargje të një fuqie madhore nga nis rrugëtimi : “Atdheu : jeton me të vdekurit dhe vdes mes të gjallëve, ndonjëherë”.
Jeta dhe vdekja në vëndlindjen e poetit kanë humbur kuptimin e termave, janë kërleshur kaq shumë me njëra tjetrën, janë shkrirë në një qënie mitologjike, të llahtarëshme, që njëjtësohet me të dytën. Por nga ky atdhe kufomash ngrihet një zë që shkon kundër rrymës, që predikon dashurinë si shpëtimtare, dashurinë në kuptimin e gjërë të fjalës, atë që i kundërvihet botës së urrejtjes. Është zëri i brëndshëm i poetit që ushton edhe në kthetrat e qënies së llahtarëshme, që ndriçon edhe në errësirën më të kobshme, sepse për të “është e tmerrshme të gjesh kohë për urrejtjen”. Ai zë është linfa e jetës që rrjedh në damarët e tij, që i jep fuqinë për të dalë nga gërmadhat e për të shkuar përpara.
Visar Zhiti i përket atij brezi shqiptarësh që lindi dhe u rrit në diktaturën e cila mohoi çdo të drejtë njerëzore për shtetasit e saj. Atij vetë i u dhunua liria, u bë një nga viktimat e asaj vdekjeje të atdheut që, në shëmbjen e tij, rroposi gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, traditën dhe pritmërinë. Në këtë shkatërrim të përgjithshëm, në atë errësirë mbytëse, n’atë shkretëtirë asgjësuese vlerash e jetësh njerëzore, triumfon vetëm ëndrra e poetit, e ruajtur në thellësi të genit të qenies.
Udhëtimi i poetit mbi Pegasin e fantazisë e frymëzimit të saj kapërcen kohët e hapësirat. Ai kalon nga lashtësia e Egjyptit me sfinksat e tij të pazbërthyeshëm, simbole të mistereve të përjetëshme të krijesës njerëzore, tek arenat e gladiatorëve të Romës, me gjakun që thithet nga trupat e prerë të tyre prej “pleqve të shquar” e ndalet në legjendën e tiranit që luan shah mbi trupin e skllaves, diku në mbretëritë e Lindjes. Ai fluturim bashkon në një hark kohor të shkurtër, sa ç’është frymëzimi, përvojat shekullore të perandorive, qëndrat e pushteteve të mëdha, që poetit nuk i ngacmojnë zilinë për madhështinë e tyre, por krrupën për imoralitetin e tyre. Dhe historia vazhdon deri në ditët tona, të mbushura me terma të bukura që shoqëria bashkëkohore vazhdon të prodhojë me të tepër për të mbuluar, në një farë mënyre, mizorinë e lashtë të veshur me rroba të reja.
Në rrugëtimin e tij poetik që kalon nëpër qytetet e ndryshme t’Evropës, së zbuluar mbas një jete të kaluar në kafazin e hekurt të dhunës e padijes së regjimit lirivrasës së Vendit të tij, poeti njëjtësohet me vlerat e qytetërimit, të cilat i ka kultivuar thellë në botën e tij të mbrendëshme, qëndrim për të cilin i ka takuar të paguajë një çmim shumë të lartë.
Poezitë e Visar Zhitit vërtiten në shumë boshte, interesat e tij janë të gjëra e të shumanëshme. Hyjnë në to kultura, në shfaqjet e saj të ndryshme, spikasin personazhe si kompozitori Wagner, si shkencëtari Giordano Bruno, ndihen si pika riferimi Shekspiri, Gëteja. Si formim poeti është prodhim i leximeve të artit të madh, prandaj dhe poezia e tij ka frymëmarrje të gjërë, i shmanget provincializmit të mjedisit nga del, mbetet një pasuri që i kalon kufijtë e atdheut, kthehet në një dëshmi e mesazh të fuqishëm për popuj të tjerë, fillon të flasë e të kuptohet në gjuhë të tjera.
Në konceptimin 360° të botës e dukurive të saj gjejnë vënd në të dhe bimët dhe kafshët. Përbëjnë mjedisin që rrethon njeriun, simbas autorit qëndron shpesh më lart se ky i fundit, shfaq më pak hipokrizi e më shumë vlera.
“Njeriun sa pak e gjej tek njeriu
Prandaj u drejtohem pemëve
Mësoj nga heshtja plot me fruta….”
Është fillimi i një poezie që dëshmon besimin e autorit, jo më te të ngjajshmit e tij, por në natyrën e papërdhosur prej ligjeve të njerëzve. Në poezitë e këtij cikli gjejnë vënd lotët e kalit që përkulet para të burgosurit të vrarë nga roja në një kamp të punës së detyruar, një skenë e pakrahasueshme që nxjerr në pah mizorinë njerëzore përballë fisnikërisë së kafshës, dallëndyshet që, me cicërimat dhe foletë e tyre, paralajmërojnë fundin e dimrit, xhirafat, më të hijshmet e botës së kafshëve. Ka një vjershë të thurur për kopshtin zoologjik të Tiranës që mbyllet me fjalët : “Me lirinë e gjallë të të gjithëve Dhe un jam më i lirë.”
Nuk përballemi me një prirje të vonë romantike, as me një shfaqje të një mode që, në botën e sotme, gjen mjaft përkrahës. Është diçka më e thellë, ka në bazën e saj bindje të krijuara, si pasojë e të jetuarit në një rend gjërash, në të cilat të gjitha vlerat njerëzore janë asgjësuar, ku nuk shihet as hija më e zbehtë e një shoqërie që t’i afrohet sado pak dhe njerëzve të Neandertalit apo të Kromanjonit. Ky është burgu i regjimit enverist shqiptar, ku është mbyllur, në vitet më të mira të rinisë, poeti. Simbas akuzuesve të tij poeti Visar kishte shkruar poezi “hermetike” që “rrezikonin” pushtetin e popullit !?
Ajo botë e vogël në të cilën u lind e u rrit shkrimtari dhe ajo pjesa e saj më shprehëse e më përfaqësuese, në të cilën u mbyll forcërisht në një çast dramatik përcaktues të jetës, janë një realitet, përballë të cilit bota e kafshëve, xhungla me të gjitha veçoritë e rregullat e saj, ku zotëron ligji i më të fortit, mund të quhen modele morali për t’u marrë si shembull. Nëse rendi i vlerave është përmbysur në dobi të së keqes, nëse njerëzimi, në gjysmën e dytë të shekullit të atomit, polli përbindësha të pashembulltë, për nga mizoria e tyre, si komunizmi shqiptar, të mbijetuarit e atij proçesi historik kanë vetëm një detyrë : paditjen deri në imtësi t’atij sistemi, arkitektëve e zbatuesve të tij, si shprehje e një përvoje historike që meriton të mbyllet “në bodrumet e errëta të historisë”, siç shprehet autori.
Drama e brëndëshme e tij, ai proçes i gjatë shnjerëzimi që, me mjetet më të dhunëshme e më të pamoralëshme u ushtrua mbi të, ashtu sikurse mbi qindra e mijra bashkëvuajtës të tij për gjysëm shekulli është edhe boshti qëndror, filli drejtues i një veprimtarie letrare, që mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të një epoke të zezë, autorësia e së cilës i u ngarkua vetëm një njeriu. Ndërsa ajo shoqëri, në shumicën dërmuese të saj, edhe sot priret nga anashkalimi i përgjegjësive të përgjithëshme e të përveçme në tragjedinë më të madhe të kombit.
Poezitë që i kushtohen asaj periudhe të jetës, që lidhen me çastet e pafund të dhimbjeve, poshtërimeve, dhunës fizike e psikologjike, t’ushtruar në bazë të një strategjie të hartuar përsosmërisht në instanca të larta të krimit botëror, janë edhe pjesa më e qenësishme dhe më prekëse e vëllimit. Që nga “E shtuna e parë e arrestit” deri tek poezia e fundit e ciklit në këtë vëllim që titullohet me një pyetje “Ç’kohë është, e njeriut apo e skeletit të tij?”, lexuesit, si në një film të gjatë, i dalin parasysh skenat e një jete që e ka humbur edhe kuptimin e termit. Ajo vazhdimësi dukurish të jetës së qelisë apo të kampit, ato skena të mjedisit të jashtëm që rrethojnë në çdo çast përsiatjet e heshtura të poetit të prangosur, borërat e bardha që mbulojnë qetësisht të gjitha gjurmët, figura e një vajze mësuese që çdo ditë, larg telave të kampit, zgjon tek çdo banor i tij stimujt e jetës, mundi i përditshëm i punës së skllavit në minierë, vdekja që herë mbas here troket në derën e të burgosurvet, thesi i tyre në depo që mbetet simboli i së vetmes shenje të diçkaje të tyre, të privatësisë, mesazhi i një rrëkeje uji në qetësinë vdekëse të një vetmie në frontin e punës së galerisë, janë disa nga skenat e atij filmi rrënqethës që e bëjnë lexuesin bashkëjetues të fatit të autorit.
Por Visar Zhiti nuk është një fotograf i thjeshtë që filmon e shfaq çdo gjë që ndodh rreth tij, ai e shoqëron dëshminë e tij me bluarjen e mendimit, me përgjithësimin e tij, me padinë qytetare që e kthen atë në një tribun, jo vetëm të vetes, por të gjithë brezit të tij, kryesisht atij bashkëvuajtës.
Autori i “Rrëfim pa asnjë altar” është një poet i lindur. Ndoshta poezia e tij, për t’u kuptuar, në gjithë shtrirjen dhe thellësinë e saj, ka nevojë për një mundim të mëtejshëm. Por aty ku ai arrin maja të artit të tij janë ato rrjeshta që i kushtohen botës intime, në këtë vëllim e ndërthurur me tragjedinë e atdheut dhe me fatkeqësinë e vetë poetit. “Ditëlindja ime në qeli” është rrëfimi i një çasti të dhimshëm, një përsiatje e thellë e një gjëndjeje, në të cilën është përmbysur gjithshka, së bashku me vetë kuptimin e jetës, një vdekje klinike e autorit të cilit Zoti i dërgon si varkë shpëtimi talentin e tij, poezinë, (prostitutë dhe Shën Mëri) në vetminë e qelisë. Lexuesi normal i Evropës së sotme, ku futet dhe ai shqiptar, fatmirësisht i shkëputur nga yzengjitë e vlerësimit të artit të partisë, gjen në këtë lloj poezie një vërtetim të idesë se deri në ç’pikë njeriu krijon artin dhe, anasjelltas, deri ku arrin aftësia e këtij të fundit për të formuar vetë njeriun. Por asnjë prej këtyre lexuesve nuk mund të futet në shpirtin e vërtetë të krijimit poetik, në thelbin e gurit filozofal të saj, si ata njerëz që kanë patur fatkeqësinë të festojnë ditlindjet e tyre në vetminë e qelive t’akullta të hetuesive shqiptare…..
Në këtë kuadër, një vënd të veçantë në vëllim, zënë dy poezitë kushtuar prindërve, të titulluara “Perëndesha e mbrojtjes” dhe “Im atë i verbër”. Janë yjet më të ndritshëm të yllësisë poetike zhitiane, të denja për cilëndo firmë të poezisë botërore, dhe asaj më eprore. Nuk është thjesht dithirambi poetik i mirënjohjes për ata që e sollën në këtë jetë, është hymnizimi deri në ngazëllim i funksionit dhe rolit të gruas në jetën njerëzore, kryesisht në figurën e nënës, në të cilën ajo, sigurisht, meriton skeptrin e botës. Nuk po futem në ftillimin e imtë të këtyre perlave poetike shqiptare, nuk dua të prek, sado pak, shkëlqimin e tyre. Lexuesit i kumtoj me sinqeritet kënaqësinë e jashtzakonshme që kam provuar me leximin e tyre dhe mikut poet i shpreh falënderimin, besoj edhe n’emër të mijra bashkëvuajtësve, që ka ditur të përjetësojë, nëpërmjet vargjeve të tij, çastet tragjike të jetëve tona dhe flijimet sublime të nënave, grave e motrave tona, heroinat e vërteta të qëndresës shqiptare në gjysëm shekullin më të zi të historisë së këtij populli.
Diku më sipër vura në dukje se, në jetën e trazuar të shkrimtarit, triumfoi vetëm ëndrra e poetit. Analiza, qoftë edhe shkurt e përciptas si kjo e imja, e poezive të Visar Zhitit, nuk mund të anashkalojë një nga përbërësit e saj më të rëndësishëm : ëndrrën. Ka një lidhje organike, në gjithë personalitetin e tij, mes prodhimtarisë letrare e motiveve shtytëse të brëndëshme të saj. Me gjithë praninë e elementëve racionalë poezia e autorit tonë i përket më shumë gjinisë emotive, botës së ndjenjave të holla e të fantazisë së ndezur që, ndonjëherë krijon figura e koncepte, vështirësisht të kapshme për lexuesin e thjeshtë. Ajo botë nuk do të mund të jetonte e t’ishte prodhuese pa elementin kryesor themelor të saj, ëndrrën.
Vetë poeti, në vargjet e tij, ka dëshirë t’a theksojë këtë shtytëse e nxitëse të gjithësisë krijuese të tij. Madje ëndrra është diçka më tepër, është përbërësja më e rëndësishme e vetë qënies krijuese : “Njihuni me skeletin tim – Jam unë pa ëndërrat e mija”. Për të ëndërra është gjithshka, sinonim i vetë jetës, i ngrohtësisë, i dritës, i shpresës. “Ëndrrën t’a zhvesh që të më mbetej guri i ngrohtë i jetës…” Lexuesi e ka të vështirë të përcaktojë nëse poeti është prodhim i ëndrrave të tij, apo ëndrrat e kthyera në poezi janë thelbi qenësor i vetë veprës së tij. Klithma e dëshpërimit, që del nga thellësia e shpirtit në çastin më dramatik të jetës së tij, n’atë të arrestimit, pasqyrohet në një varg të vjershës së shkruar n’atë rast : “ do të rrëzohen ëndrrat “.
Është ky tmerri i shkrimtarit n’ata çaste, një gjë e pakuptueshme për vdekëtarë të thjeshtë n’ata kushte, por kjo është vlera e shtuar e artistit krijues, e cila i jep atij fuqinë, guximin dhe energjinë për të përballuar vite të tëra të një vegjetacioni në kufijtë e vdekjes. Ëndrra e shoqëroi e paprekur poetin në vështirësitë e panumurta të ditëve e netëve në minierat e Spaçit apo Qafë – Barit, në zonat e thella të nëntokës, ku ai mbushi e shtyu vagonat në dritën e një kandili, në temperatura të larta e në një ajër të ngarkuar me avuj uji e squfuri, në përplasjen me të ftohtit therës të maleve të Mirditës në dalje të galerisë. Ajo mbeti pasuria e vetme e tij në një mjedis ku i a kishin rrëmbyer të gjitha, ku ishte kthyer në një numur, i vlefshëm vetëm për të nxjerrë mineral, që shteti fuqiplotë i tiranëve do t’a përdorte për të mbajtur në këmbë “ekonominë” e tij të bunkerëve dhe të të paaftëve.
Në çastin kur makthi mbaron e poeti kthehet në jetën “normale”, ëndrra bëhet edhe më e rëndësishme, sepse do të jetë përsëri ajo që do t’a drejtojë ecjen e tij drejt objektivash të tjera, që për të janë ata të krijimtarisë artistike. Në këtë rast ajo merr funksionin e misionit që duhet të marrë përsipër “poeti i ëndrrave”, mbasi koha i ve mbi shpinë detyrën e përjetësimit letrar të një përvoje të hidhur, t’errët, tragjike, nëpër të cilën kaloi ai dhe shumë bashkatdhetarë të tij.
“ Do të marr prej dore ty ëndërr
Dhe do të shëtis zgjimeve të mija
si një i çmëndur”
Kjo është besojma e re e shkrimtarit, i vetëdijshëm se tashmë jeta e tij nuk i përket vetëm vetes apo familjes, i përket edhe një shoqërie që pret prej pendës së tij vepra që do të përjetësojnë bëmat e asaj epoke historike plot vdekje, dhimbje, mohim lirish e të drejtash, padrejtësi e dhunë të çdo forme. Vëllimi “Rrëfim në asnjë altar” i qëndron besnik këtij misioni të shkrimtarit. Vlerësimi që i bëhet nga kritika e një Vendi që mbahet si djepi i poezisë, është mjaft shpresëdhënëse.
Kritiku Ennio Grasso pohon në gazetën “La voce” (Zëri), të 29 janarit 2013, në lidhje me botimin e librit të Visar Zhitit se “pa dyshim është ndër më të mëdhenjtë poetë evropianë në mënyrë absolute”, ndërsa kritiku Giovanni Ruggiero, në shtyllat e “Avvenire” (E ardhmja) shprehet : “Poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij, si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare…” Më poshtë vazhdon : “Mesazhi poetik i Zhitit universalizohet dhe kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare. Poeti është dëshmitar i vuajtjeve të njerëzimit, sepse këto i shkaktojnë më shumë dhimbje se çështja e tij vetiake.” Ndërsa studjuesi i njohur i botës shqiptare, Robert Elsie, e përkufizon kështu : “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…”
Këta janë disa nga vlerësimet për shkrimtarin tonë. Përkthimi dhe botimi i veprave të tij në Evropë e më gjërë, njohja dhe përhapja e tyre sa më shumë n’opinionin publik e artdashës të botës, vlerësimi në rritje i meritave të tij në fushën e letrave, na bëjnë t’a shohim me optimizëm përfaqësimin e populliti tonë në fushën e kulturës botërore dhe shpresën që, në galerinë e kandidatëve për Çmimin Nobel për letërsinë, krahas I. Kadaresë të rrjeshtohet edhe emri i nderuar i Visar Zhitit.
Shkurt 2015 Eugjen Merlika
IKJA E DR.SELAHEDINIT, SIMBOLI I DIASPORËS SHQIPTARE NË AMERIKË
Shkruan: GËZIM LLOJDIA-Vlore/
“Dr.Selahedin Velaj u largua nga Shqipëria në prag të vendosjes së rregjimit komunist Libri i jetës së tij ishte i shkruar me letrën e fatit..
Largimi, nën një mot të ftohtë, nën vështrimin e mjegulluar të heshtur,anija shqiptare përpara se të mbërrinte në brigjet fqinje,mbeti në det ku kuja dhe frika e tmerri zgjuan detin nga gjumi.
Nuk mund të harrohen të gjitha, se gjithë jetën e tij mbi supe mbetën në shpirtin etij brenga. Ka kohë që kur sheh brigjet dhe detin, nuk duhet t’i kujtoj në kthim dhe ikje, “arratinë” dhe zërat e trishtuar në anije.Një herë shkoi deri në Korfuz për të parë brigjet shqiptare
“Cfarë po lemë nga pas?I kujtonte fytyrat e tyre kur zemra ndahej në dysh. Njëri vëlla largohet tjetri,Petriti “Mandela i Vlorës”,kapet për tu “strehuar definitivisht “ 37 vjet nëpër burgjet shqiptare,vëllai tjetër Hulusiu drejtor i bankës,i japin plumbin ballit me një motivacion të njohur,përkrahës i amerikanëve,familja vite internimi.
Petrit Velaj:Neper fshatra te Shkodres, bashke me tim vella Selahedinin, kaluam 3-4 muaj. Papritur ne ditet e para te gushtit 1944, na erdhi lajmi se ideatoret e Ballit Kombetar: Skender Muca, Yzeir Ismaili, dhe Zako Mezini u arrestuan pabesisht nga forcat gjermane, tek Ura Izvorit ne Orikum. Brenda po asaj nate ata pushkatohen ne fshatin Bubullime te Lushnjes. Vrasja e Skender Mucos dhe e shokeve te tij ishte nje humbje e madhe per nacionalizmin shqiptar. E kam degjuar nga goja e Mit’hat Frasherit kur na tha: “Ishte avokati Muco, i cili do te na nxirrte nga gjendja katastrofike ku po jeton gjithe vendi…” Ai ishte nderlidhesi i Shtabit te Mesdheut me forcat e Ballit Kombetar shqiptar. Ai kishte organizuar zbarkimin e shpejt te trupave aleate ne Dukat dhe Bregdet. Sic duket, sic me ka thene edhe Mit’hat Frasheri, gjermanet nga agjentet e tyre e kane marre vesh punen e bere nga Skender Muco.Ishim ne shtepine e Rrushit Rroit ne Shkoder kur morem vesh se ne fillim te Nentorit 1944, ne kete qytet erdhen krejt kreret e Ballit Kombetar, me ne krye Mit’hat Frasherin. U grumbulluan edhe me shume se treqind e ca te rinj. Mbas disa ditesh u kthye Sulejman Mecua nga Shtabi i Mesdheut e na tha: “Ushtarakisht, sot per sot e ka Nacionalclirimtarja. Kjo s’do vazhdoje shume. Per te ruajtur njerzit tane duhet te largohemi nga Shqiperia…” Keto fjale kaluan goje me goje te nacionalisteve ne te gjithe qytetin.Te nesermen si u gdhi, me thote im vella, Selahedini: “Petrit vella, te kerkon zoti Mit’hat Frasheri, ne oden e siperme te shtepise. Menjehere ngjita shkallet e drunjta. Trokita ne dere. Sapo hyra, zoti Mit’hat me prit me buzen ne gaz. Me thote: – “Do te shkosh ne Tirane. Atje do te takosh Medihane, vajzen e Mehdi Frasherit. Do t’i kerkosh ne emrin tim 650 napolona flori. Na duhen per ne gjemixhiun qe te na coj ne Itali. Keshtu o biri im, armatosu e sigurohu mire rruges. Gjithashtu do te shkosh e te takosh profesor Nexhat Peshkepine e t’i japesh haber se i pres te vijne ketu se bashku me doktor Haxhi Musane nga Elbasani”. U gezova pse keta ishin edhe miq te familjes sone.Sic me keshilloi Selahedini, nuk u nisa me veture, por mora udhen me autobusin e linjes Shkoder-Tirane. Ne Milot takoj Abas Ermenin, pasi autobuzi na ndaloi nga shenja qe dha pararoja e tyre. Aty, dy dite me pare ishte bere nje perleshje me gjermanet. Forcat e Ballit Kombetar, te komanduara nga Abaz Ermeni kishin djegur 12 makina, ishin vrare njerez nga te dyja palet. Abazi ishte merzitur kaq shume nga vrasja e luftetareve te tij, saqe mua mezi me njohu. Profesor Abazi kishte ndenjur 2 jave gjate vitit 1944 ne shtepine tone, ne Ujet e Ftohte. Me tregoi per perleshjen. Une i thashe per porosite e Mit’hat Frasherit dhe u ndame.
Ne afersi te katundit Mamurras, u ndeshem me nje prite. Rruga ishte e zene me peme e trungje lisi. Ishte e pamundr qe te kaloje. Nderkohe nga kodrat perreth bresheri armesh na qelluan me mitroloz. Ishin partizane te vendosur ne kodrat e Albulenes, ne afersi te Mamurrasit. Ne autobuz ishte edhe Isak Metua nga Mesapliku se bashku me Ejup Zoton nga Ramica. Une, meqenese kisha dhe nje leter nga Mit’hat Frasheri nuk u dorezova. Te shtenave te armeve te tyre u pergjigja me revolverin tim. Aty, tek muret e shtepise se Prek Previzit, ne nje vije hapa nje grope dhe e futa letren brenda. Shkova tek muret e shtepise ku u ndesha perseri me forcat partizane. Njohja njerin prej tyre. Ishte Vangjel Kolea. Me lidhen dhe me cuan ne shtabin e Brigades 23 te partizane. Komandant i kesaj brigade ishin Hamim Keci dhe Xhavit Qesja. Me cuan ne nje katua, me qellonin e kerkonin te dinin misionin tim. Pas disa ditesh me denuan me pushkatim.
Pierre-Pandeli Simsia në botimin e tij Dr.Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në amerikë,shprehet: Që kur u njoha për herë të parë me Dr. Selahedin Velaj dhe gjatë viteve në vazhdim, si njeri, si bashkatdhetar, humanitar, patriot… gjithmonë më ka ngacmuar si një limë e bezdisshme në ndërgjegjen time ndjenja dhe dëshira të shkruaja për të. Një zë i brendshëm shpirtëror më fliste shpesh të bëja atë, që vetë Dr. Velaj e ka të vështirë të flasë e të shkruajë për veten e tij. Ai gjithmonë ka ditur të zgjedhë heshtjen.Heshtja e tij… ! Gjithë jetën, Dr. Selahedin Velaj ka punuar për Kombin Shqiptar në heshtje, pa e ngritur zërin të reklamonte e ta dëgjonin të tjerët atë që ai e bënte me vetëmohim dhe dashuri, me sakrifica, me përkushtim…
Por edhe nëse Dr. Velaj zgjedh heshtjen, janë faktet historike ato që nuk heshtin, janë puna dhe vepra e tij madhore në shërbim të Kombit, janë bashkatdhetarët, janë arkivat e VATRËS ku Dr. Selahedin Velaj ka dhënë një kontribut të madh në rritjen dhe jetëgjatësinë e saj si ndër anëtarët e Kryesisë së Vatrës, si Kryetar i Degës së Vatrës për dy vjet në Nju Jork, është vetë vepra e tij madhore brilante patriotike, janë shoqatat dhe njerëzit e ndryshëm në nevojë ekonomike ato që nuk heshtin kur Dr. Velaj u është gjendur pranë duke i ndihmuar në çastet e tyre më të vështira, janë “arkivat” në mendjet dhe zemrat e bashkatdhetarëve që e kanë njohur dhe që vazhdojnë ta njohin nga afër atë burrë kolos të ndritur të shqiptarizmës.
Dr. Velaj sot është një burrë i mbajtur mirë fizikisht. Fisnikëria vazhdon akoma të lexohet në fytyrën e tij. Edhe pse mosha bën të vetën, në rrudhat e tij mbi ballë, në flokët e tij të zbardhur, ne shohim vitet e kaluara të jetës së tij, merakun për vendin dhe popullin e tij, qetësinë e tij shpirtërore, që më në fund Shqipëria u çlirua nga vampiri komunist, që Kosova fitoi njëherë e përgjithmonë lirinë e përjetshme, që së shpejti edhe Çamëria të çlirohet njëherë e përgjithmonë e të marrë frymë lirisht.Heshtja e Dr. Velaj-t!Nuk mund të rri pa përmendur edhe një fakt: Në vitin 2005 i shpreha dëshirën time Dr. Velaj-t të bënim një bashkëbisedim (intervistë) një përmbledhje të jetës së tij në emigracion për t’a botuar në gazetën Shqiptaro-Amerikane ILLYRIA këtu në Neë York. Më falënderoi për ç’farë i kërkova, por më refuzoi, dukemë thënë disa arsye që mua nuk më bindën. (“arsyet” e tij ishin, sepse nuk donte të publikonte ato që kishte bërë… i dukej si mburrje përpara bashkatdhetarëve të tij…)Ditët në vazhdim, me insistimin tim, e “binda” dhe lamë vendin e takimit. Pas disa ditësh, kur shkrim-intervistën e kisha përfunduar dhe ishte gati për t’u botuar në gazetë, Dr. Velaj më njofton që të mos e dërgoja për botim shkrimin dhe, për t’u bindur në vendosmërinë e tij dhe në dëshirën dhe insistimin tim, në
të njëjtën kohë u kishte telefonuar edhe punonjësve të gazetës ILLYRIA që të mos e botonin në gazetë dërgesën time. Vetkputohet, nuk u ndjeva mirë, por unë kisha qëllimin tim ta realizoja atë që doja. Edhe pse nuk u botua në gazetën ILLYRIA, shkrimin bashkë me intervistën me Dr. Selahedinin të shoqëruara edhe me disa foto ia dërgova shtypit të pavarur në Shqipëri, ku edhe u botua, madje u botua edhe në disa gazeta evropiane ku ka shqiptarë dhe në ëeb site dhe gruplista të ndryshme në internet….Edhe pse jeta me të papriturat e saja e goditi pamëshirshëm familjen dhe shpirtin e tij, duke i shkaktuar dhimbjen më të madhe që mund të ndjejë një prind për humbjen e fëmijës së tij, Dr. Selahedin Velaj, me virtytet e tij të larta burrërore, me dashurinë për atdheun e tij dhe tonin bashkë, me patriotizmin që e karakterizon, vazhdon të ndjejë dhimbje në çdo kohë, kur mëson për politikat e mbrapshta, pabesitë dhe shantazhet, dinakërinë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ëndrrat e tyre të vjetruara dhe mjerane, copëtimin e territorit shqiptar.
Kështu ndodhi edhe muajt e fundit, kur Dr. Selahedin Velaj, ishte nismëtari dhe organizatori i takimit me intelektualë të ndryshëm që jetojnë në Nju Jork, ku diskutuam për pretendimet territoriale dhe detare që shtetet fqinje kanë ndaj vendit tonë.Ishte Dr. Velaj ai që propozoi në atë takim për t’i dërguar një peticionin Parlamentit Evropian, Qeverisë Shqiptare, që edhe ajo, nëpërmjet eurodeputetëve që përfaqësojnë Shqipërinë në Parlamentin Evropian, ta ngrejë zërin e saj për këto probleme, propozim ky, që u pranua nga të gjithë ne dhe peticioni u dërgua.
Në biseda të ndryshme me njerëz që e njohin Dr. Selahedinin të thonë në koinfidencë se ai njeri është Nderi i Komunitetit Shqiptar në Amerikë, Nderi i Kombit tonë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kaninioti Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në shqiptarët e Amerikës dhe në mbarë Diasporën Shqiptare.Gjithë jeta, puna, vepra e tij, janë histori, janë muze, janë thesaret e paçmueshme që ruhen në atë muze për të gjithë emigrantët dhe mbarë shqiptarët, për të njohur bijtë e rrallë e të ndershëm të Kombit tonë. Duke u njohur me jetën, vuajtjet, aktivitetin e të nderuarit Dr. Selahedin Velaj e kupton përsëri se bijtë e ndershëm të Shqipërisë janë dhe do të mbeten përherë të nderuar. Dr. Selahedin Velaj, Simboli i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A. biri i shtrenjtë i shqiptarisë, një ndër vatranët e vjetërqë ka dhënë një kontribut të çmuar në jetëgjatësinë e saj duke bërë edhe fushata për të grumbulluar ndihma në bashkatdhetarë për Vatrën . Një ndër rastet e shumtë, ka qenë edhe atëherë, kur grumbulloi njëzetë mijë dollarë, shumë e madhe me kursin e asaj kohe, kur Kryetar i Vatrës me qendër në Boston ka qenë zoti Pjetër Lukaj. Njeri i angazhuar me pjesëmarrjen e tij fizike në nismat dhe aktivitetet e ndryshme është ndër burrat e mëdhenj të Diasporës Shqiptare në Amerikë, një figurë e ndritur e Kombit tonë.Vlora heroike dhe historike, ajo vatër e ndezur për liri, që tregoi heroizëm kundër pushtuesit turq e deri tek heroizmi kundër pushtuesit italianë, Vlora, vendlindja e Pavarësisësë Shqipërisë dhe e Ismail Qemalit, qyteti bregdetar turistik dhe piktoresk, sigurisht, ndjehet krenare për birin e saj të ndritur që e lindi dhe e riti, burrin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehemi të gjithë ne krenarë, pjesëtarët e Komunitetit Shqiptar të Amerikës që patëm fatin e mirë të kemi në gjirin tonë doktorin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehet krenarë çdo shqiptar kur mëson për aktivitetin patriotik humanitar të tij, siç ndjehet krenarë mbarë Kombi Shqiptar.Vepra patriotike e Dr. Selahedin Velaj-t, respekti dhe vlerësimi që kanë bashkatdhetarët për të, vlejnë më tepër se një dekoratë mirënjohjeje, se një titull i lartë nderi, që duhet t’i jepej nga instancat më të larta të shtetit shqiptar. Titujt më të lartë të nderit, Dr. Velaj i ka marrë prej kohësh nga bashkatdhetarët dhe mbarë shqiptarët me dashurinë dhe respektin që kanë ndaj tij për kontributin e tij të përkushtuar.
Prof. Dr. Agron Fico ka thënë për këtë figurë të shquar:Dr. Selahedin Velaj shquhet si nismëtar i mjaft veprimtarive atdhetare, si donator për çështjen kombëtare, për luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër pushtuesve serbë.Dr. Velaj dëshmoi dashuri për kulturën shqiptare duke ndihmuar dhe bashkëpunuar me dijetarin japonez, Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, i cili i kushtoi Kanunit shqiptar të Lekë Dukagjinit studime të veçanta dhe serioze. Vetë Dr. Velaj, i veshur me kostum kombëtar, shkoi në Japoni dhe ngriti flamurin shqiptar në aulat e universitetit japonez.Dr. Velaj shquhet për karakterin e fortë, për dinjitetin njerëzor, për ndershmërinë dhe frymën miqësore. Edhe në humbjen e dhimbshme të të birit, djalit të madh, ai manifestoi virtyte të larta burrërore dhe shqiptare, duke fituar nderimin dhe përkrahjen e dhjetëra e dhjetëra miqve shqiptarë dhe amerikanë.Është kënaqësi intelektuale të takohesh dhe të bisedosh me Dr. Selahedin Velajn, që shquhet për fjalën e mençur dhe realiste, për humorin e këndshme dhe për respektin civilizues.Dr. Selahedin Velaj është legjenda e gjallë vlonjate në gjirin e bashkësisë shqiptare në Amerikë, e cila e do, e nderon dhe i uron shëndet, jetë të gjatë dhe të mbarë.
Peticion për hapjen e dosjeve; personalitetet botërore, apel politikës shqiptare
Pas nismës së shkrimtares dhe gazetares Lindita Arapi, mbi 90 shkrimtarë dhe personalitete të botës ndërkombëtare kanë firmosur një peticion i cili mbështet hapjen e dosjeve në Shqipëri.
Ky peticion, i cili është një apel për hapjen e dosjeve, është bërë publik në ambjentet e institutit të ish-të përndjekurve politikë.
“Jemi vetëm 4-5 intelektualë shqiptarë që jemi pjesë e apelit të nënshkruar nga intelektualë të ndryshëm evropianë, por ne tentojmë që sot të sensibilizojmë publikun dhe të ftojmë ata që kanë ndjeshmëri t’i bashkohen peticionit”, deklaroi publicisti Mark Marku.
Por a ndikon hapja e dosjeve dhe bërja transparencë e funksionarëve të lartë të shtetit në dhunimin e së drejtës personale? Arapi solli shembullin e Gjermanisë.
“Nëse unë dua të ruaj të drejtat e mia, atëherë dua të di se çfarë ka të regjistruar shteti për mua. Kjo qe baza juridike e ligjit të dosjeve në Gjermani. Nuk kaloi kollaj, por sot në Gjermani çdo individ mund të shohë dosjen e tij dhe kjo nuk shkakton më frikë dhe tmerre që ngjallnin debatet mediatike”, deklaroi Arapi.
“Nëse ata që do emërojnë zyrtarë apo që do kenë mundësi të fusin në lista kandidatë do jenë të vetëdijshëm që kemi një ligj që bën transparencë mbi të shkuarën, nuk besoj se do jenë aq guximtarë e kurajozë që të marrin vendime për të vënë në jetën tonë publike njerëz me të shkuar të errët nga regjimi i kaluar”, tha nga ana tjetër Bilal Kola, drejtor i Institutit të ish-të përndjekurve.
Projektligji për hapjen e dosjeve parashikon që çdo i përndjekur politik të njihet me dosjen e tij, si dhe të mësojë se kush është bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit, i cili ka hartuar dosjen.
Në nenin 28 të këtij projektligji kërkohet që për funksionarë të lartë të hallkave të shtetit shqiptar të bëhet transparencë, pra të shihet nëse ata kanë ose jo dosje.
Arkiv
Hapja e dosjeve, Veliaj: Jo “gjueti shtrigash”, pastrim të institucioneve/
Projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit përfshin pastrimin e figurave, por jo hapjen e një fushate për të dëmtuar emra apo persona të caktuar.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se ky projektligj, i cili është hartuar sipas modelit gjerman por duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, do të ndihmojë fillimisht ish-të burgosurit politikë, të cilët kërkojnë të zbulojnë se çfarë u ka ndodhur atyre dhe familjarëve të tyre.
“Një pjesë e politikës fillon e shantazhon pjesën tjetër, duke kërkuar një ligj lustracioni me një target të qartë në mendje, për të përjashtuar nga jeta publike dikë. Realisht ky ligj ka parasysh së pari transparencën totale; së dyti një lustracion apo pastrim të figurës, ku çdo institucion duhet të marrë këto përgjegjësi. Ligji përcakton që, për shembull, Këshilli i Ministrave apo kryeministri duhet të kërkojë verifikimin e figurave të anëtarëve të kabinetit të vetë dhe të marrë vendime mbi këtë verifikim që do t’i kërkohet komisionit. Ministri, një drejtues tjetër, apo një ambasador i ardhshëm, do të kërkohet gjithashtu të verifikohet dhe më pas të marrë një vendim. Ne nuk mund t’i heqim dikujt të drejtën kushtetuese, duke qenë se gjykata është shprehur për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, ose për të punuar diku. Por, kryesorja është se publiku ka të drejtë të informohet”, theksoi ministri Veliaj.
Por si do të bëhet pastrimi i figurave? Çdo institucion ka të drejtë të kërkojë lustracionin e zyrtarëve që punojnë aty.
“Kjo lloj pastërtie figure që ne kërkojmë do të jetë në vendimmarrjen e çdo institucioni. Parlamenti do të duhet të marrë një vendim për deputetët, ndërkohë që ekzekutivët për stafet e tyre, sepse një Sekretar i Përgjithshëm apo një drejtor në një Ministri nuk është i zgjedhur, por i emëruar ose ka fituar një konkurs. Kjo do të thotë se procedura të tjera janë për persona të ndryshëm. Ndaj dhe këtu nuk duhet të ngatërrojmë dënimet kolektive ‘alla komuniste’ për të kërkuar dekomunistizim, por duhet të kërkojmë për ata që kanë pasur përgjegjësi individuale”, u shpreh më tej Erion Veliaj.
Janë me mijëra dosje, të cilat duhet të dixhitalizohen dhe inventarizohen. Një komision prej pesë vetësh, jashtë politikës dhe krejtësisht të pastër, do të drejtojë këtë arkivë, ngritja e të cilit kërkon një buxhet dhe një staf të specializuar.
HISTORIA E FORCAVE DETARE SHQIPTARE, NGA FLOTILJA E VITIT 1912 DERI TEK NATO
Forca Detare, në 89 vite, 25 Dhjetor 1925 -2013/
Ngjarjet dhe zhvillimet më të rëndësishme /
Nga Shefqet Kërcelli*/
-Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e një flotilje të marinës nga Qeveria e Ismail bej Vlorës, por fillimi i Luftës së 1-rë Botërore e ndërpreu këtë angazhim të qeverisë, si dhe mjaft aspekte të tjera të jetës social
ekonomike dhe politike.
-Më 25 dhjetor 1925, mbrijnë nga Italia dy anije 190 tonshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektiva marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo date shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare.
-Më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e pare për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. (v.1917).
-Me dekret të parlamentit, dt.16.11.1929, Struktura e Institucioneve Detare të Mbretërisë përbëhej nga:-Komanda e Marinës, Skuadrilja me Motoskafë patrullimi tip “MAS”, Drejtoria Qendrore Detare dhe Kapiteneria e portit me 5 zyra, në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë, dhe një në liqenin e Pogradecit.
-Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan ”Saranda” dhe ”Durrësi”, të destinuara kryesisht për luftën kundër kontrabandës në bregdetit tonë.(B.Fisher.“Mbreti Zog dhe përpjekjet e tij për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”).
-Pushtimi fashist më 7 Prill 1939, e ndërpreu këtë zhvillim të detarisë shqiptare, e cila po hidhte hapa të rëndësishme për krijimin e strukturave të organizuara me një fizionomi të qartë. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat.
-Fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhër nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.
-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.
-Në prill të 1946, u krijua Komanda e Marinës, kurse në Shëngjin, Durrës, Sazan, Vlorë dhe Sarandë, krijohen grupet e ABD-së që vareshin prej saj. Në kuadrin e riorganizimit të MM, në shtator të v.1946, suprimohen Komandat dhe seksionet, midis të cilëve edhe seksioni i Marinës, pasi u krijua Drejtoria e Mbrojtjes Bregdetare.
-Periudha e mëvonëshme ka qenë një periudhë intensive, ku u punua me perspektivë për zhvillimin e FLD, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist.
-Në fillim të vitit 1949, Komanda e Marinës për çështje operative e të shërbimit kaloi në vartësinë e Komandës së Mbrojtjes Bregdetare, ndërsa për çështje të stërvitjes luftarake e teknike, ajo mbeti në vartësi të seksionit të Marinës në MMP.
-Në vitet ‘53-‘54, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtësa detarë dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Më 27 janar 1954, u krijua skuadrilja autonome e KS me qendër në ishullin e Sazanit, e cila e forcoi së tepërmi regjimin operativ për ruajtjen e ujërave tona detare.
-Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë tekniko-shkencore për
sigurimin hidrolundrimor dhe të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg fenerësh në gjithë bregdetin. Ai njëkohësisht filloi përgatitjen e hartave detare shqiptare. U ngritën e modernizuan mjaft pika sinjalo-vrojtuese dhe u pajisën ato me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.
-Në janar 1958, plot 13 vjet mbas krijimit të seksionit të marinës ushtarake në varësi Komandës së Përgjithëshme dhe FUD, FLD u nda si njësi operative më vete që varej direkt nga Kom. Përgjithëshme.
-Më 5 mars 1958, erdhën nga Sevastopoli, 4 GJDM, (tip.Kronshtad, Pr122 B).
-Në prill 1958, si rezultat i shtimit të teknikës e anijeve, u bë riorganizimi i FD-së. Flota u shkëput nga vartësia e Brigadës së MBD dhe kaloi në vartësi direkte të MM, me qendër në Vlorë.
–Më 21 shtator 1958, u krijua Brigada e Nëndetseve, {BrND}. ND e 1-rë, (Ëhiski 613 C, Stuhia), ND e 2-të, (Rrufeja), ND e 3-të, (Vetëtima), ND e 4-të, (Tufani),
-Në fund të v.1958, FLD kishte 20 anije luftarake, 4 ND, 4 GJDM, 6 MHV, 6 KS dhe 9 anije ndihmuese.
–Më 1959, filloi nga puna Ofiçina e Riparimit të Anijeve ne Pashaliman.
-Më 8 janar të 1959, u krijua Brigada e Mbrojtjes së Rajonit të Ujrave (BrMRU), me qendër në ishullin e Sazanit, në përbërje të së cilës përveç gjuajtësave detarë u futën Minaheqëset e Bazës, të radës dhe skuadrilja e KS.
-Në vitin 1961, me VKM Nr.381, date 28.10.1961, në Vlorë u hap shkolla e Marinës, sot Shkolla e Trupës,{seksioni detar}, e cila për mbi 4 dekada, ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe furnizimin e FLD, FDT e NSH të Peshkimit, me qindra kuadro oficerë e specialistë, komandues e navigatorë, duke treguar një përgatitje e nivel të lartë profesional.
-Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të FLD, krijimin e vendbazimeve të reja dhe disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U ngritën dhe modernizuan mjaft Pika Sinjalo-Vrojtuese me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.
-Në shkurt të vitit 1962, ka një tjetër riorganizim të pjesshëm të njësive të dislokuara në bregdet, me krijimin e Komandes së FUD-it. Në këtë Komandë u inkuadrua edhe dega e Flotës e cila deri këtë vit ishte prane MMP.
-Më 21 shkurt 1968, FLD ju shtuan KS të projektit të ri “Huchuan Pr 66-25”, të ardhur nga Kina.
–Në mars 1968, u bë një tjetër riorganizim. Komandat e Flotiljeve pranë Korpuseve suprimohen dhe krijohen Flotilja 52 LD me qendër në Vlorë, dhe Flotilja 66 LD me qendër në Durrës. Me riorganizimin e ri, 2 Flotiljet kaluan në vartësi të MM.
–Në 1973, për herë të parë në historinë e re të saj FLD, organizohet si njësi operative speciale në vartësi direkte nga Shtabi i Përgjithshëm, duke pasur në vartësi të saj të gjitha njësitë e BUD-eve, Br.ND, Shkollën e lartë të Marinës, Kantierin e Riparimit të anijeve, (KRAF), dhe 3 reparte speciale autonome.
-Periudha e viteve 1980-’90, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së
lundrimeve, mbijetesës në drejtimin e sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të anijeve në Pashaliman.
-Mbas viteve ‘90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO-s dhe BE. Në këtë periudhë vlen për tu theksuar mbështetja që dhanë efektivat e FD për proceset demokratike në vend, falë pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat të kuadrove e efektivave të FD. U rrit në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi me Flotat e vendeve të NATO-s, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta si “SAR-EX-1”, “SAR-EX-2”, “MAR-EX-1”, “MAR-EX-2” etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel profesional të vlerësuar nga partnerët.
– Në mars 1993, bazën e Kepit të Palit e vizitoi ishsekretari i Mbrojtjes i NATO-s,
Manfred Vërner.
-Në korrik v.1993, BUD-i i Durrësit e i Vlorës u emërtuan Distrikte Detare, ndërsa Shëngjini e Saranda ngelën po BUD-e.
-Në tetor 1995, u bë riorganizimi i Forcave Detare mbi bazën e Distrikteve Detare, Durrës e Vlorë, si dhe Bazave Ndihmuese Sarandë e Shëngjin. Në përbërje të tyre u futën dhe Bateritë e Artilerisë Bregdetare e K/Ajrore, në nivel batalioni. FLD u emërtuan FMD, Forcë e Mbrojtjes Detare.
-Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FMD, dëme shumë të mëdha e gati të pallogaritshme. Pjesa më e madhe e anijeve me qëllim që ti shpëtonin valës të shkatërimeve lundroi e u strehua në Brindizi të Italisë. Sipas marveshjes së përbashkët të dy shteteve, pas riparimit të tyre u kthyen në Shqipëri. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998 shënoi një etapë ringritje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas dëmeve të pësuara. Kështu pas një pune intensive, falë përkushtimit maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i DD të Durrësit e Vlorës, si dhe BnD Sarandë e Shëngjin. Vlen për tu përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si SHBA, Itali, Turqi, Greqi, etj.
-Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, pas një veprimtarie 40-vjeçare, dolën jashtë stukturave luftarake të FD-së, të 4 ND-et e saj.
-Në mars të vitit 1999, me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta patrulluese, (3 copë të klasit-65foot, dhe 2 copë-46 foot), të cilat u bënë protogoniste të operacioneve SAR dhe zbatimit të ligjshmërisë detare në këto 15 vite.
-Në 2001, Komanda e Forcave Detare deri në këtë kohë në godinën e Ministrisë
së Mbrojtjes, u vendos në Plepa, Durrës.
-Në 2002, me kontributin e qeverisë italiane, pas miratimit të Ligjit të Rojes Bregdetare
Shqiptare, Nr.8875, (dt.04.04.2002), FD u pajisën dhe me 6 motovedeta (MV të klasit 200 foot) nga Italia, të cilat së bashku me MV amerikane rritën aftësitë operacionale të Rojes sonë Bregdetare në luftën dhe përpjekjet kundër trafiqeve të paligjshme në det.
-Në gusht 2002, 14 anije të FD morën pjesë në operacionin e gjerë antitrafik “PUNA”, në
bashkëpunim me organet e rendit, të antikontrabandës, peshkimit, etj, duke bërë të mundur zvogëlimin e këtij trafiku.
–Më 30 maj 2003, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, u zhvillua Konferenca e 1-rë e Rojes Bregdetare, me pjesmarjen e disa Ministrive, ku u përcaktua vizioni dhe strategjia për të ardhmen e FD, dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera që kanë interesa në det.
-Më 12-23 shtator 2005, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja më e madhe e përbashkët detare “Cooperative Engagement-05’’, me pjesmarjen e Flotave të 14 vendeve të ndryshme të botës. Forca jonë Detare mori pjesë me 19 anije të tipeve të ndryshme.
-Në fillim të vitit 2007, Forca Detare kaloi në strukturën e re, Brigadë Detare me dy Flotilje (FDV E FDJ), dhe një Batalion Logjistik (mbështetje).
-Në shkurt 2007, filloi puna për instalimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, (SIHVD), projekt i zbatuar nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”.
-Në nëntor të vitit 2007, u nënshkrua marrëveshja me Mbretërinë e Hollandës (Kantierin Damen Shipyard), për pajisjen e FD me 4 anije patrulluese.
-Nga data 1-5 Mars 2008, 5 anije të Grupit të 2-të Detar të NATO-s, (SNMG2), me qendër në Napoli, zhvilluan një vizitë portuale në vendin tonë. Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e mirëkuptimit midis vendit tonë dhe strukturave të NATO-s. Ky grup detar viziton cdo vit portin e Durrësit dhe Vlorës.
-Më datën 5 Shtator 2008, në molin nr.5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria”, P-131, e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”.
-Në mars 2009, mbasi u zhvilluan provat finale, u mor në dorëzim nga përfaqësues të MM e FD, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”, i cili aktualisht përbën asetin më të rëndësishëm të zbulimit e vëzhgimit të hapësirës sonë detare, për të gjitha ministritë tona që mbulojnë kufirin blu.
-Në fillim vitin e 2010-ës, me organizimin e ri, Komanda e FD, zhvendoset tek ishkavaleshenca e Ushtrisë, SHPU, pasi atje u vendos QNOD.
-Më datën 2 shtator 2010, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e marjes në dorëzim të 3 anijeve patrulluese “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sajë të parametrave teknikë dhe ushtarakë “ArchAngel” janë në gjendje të zhvillojnë operacione të suksesshme për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe operacione SAR.
-Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje, dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe qeverisë italiane; ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti.
Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 89 vjet ekzistence.
Literatura kryesore :
-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e 1-rë, nga lashtësia deri në v.1960.
-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e dytë, nga v.1960 deri në v.2012.
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- …
- 16
- Next Page »