• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diskursi demografik / Regjistrimi i popullsisë duhet të mbahet me elementët e identitetit

August 13, 2021 by s p

Vetëm ata të cilët kanë manipuluar në të kalurën me statistikat reale të popullsisë sidomos me strukturën kombëtare të saj, iu pengon realiteti demografik në Mal të Zi, duke harruar se koha e manipulimeve nuk mund të jetë e përhershme, e sidomos tash kur këtu ka ndodhur rotacioni i pushtetit, që ofron mundësi reale të prezantimit të elementëve të identitetit të popullsisë si në vend dhe në botën e jashtme

Nga Nail  Draga

Çështja e regjistrimit të popullsisë në çdo vend paraqet moment të veçantë jo vetëm statistikor por edhe  shoqëror, sepse ofrohen të dhëna më interes të përgjithshëm për planifikimin dhe  zhvillimin e vendit. Pra, kemi të bëjmë me një çështje serioze me peshë shtetërore, ku formohen ekipe të veçanta që merrën me këtë proces statistikor.

Por, procesi i regjistrimit të popullsisë varët shumë nga rrethanat shoqëroe e politike në mjedisin përkatës. Në veçanti ka të bëjë me mjediset heterogjene në aspektin kombëtar, të cilat nuk janë të konsoliduara në sajë të raportëve shoqërore. Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti me Malin e Zi, duke qenë ndër vendet me multinacionale në Europën Juglindore. Në këtë aspekt  këtu nuk mund të anashkalohet qasja  politike e cila është dominuese në këtë çëshje demografike. Dhe një dukuri e tillë është e pranishme nga viti 1990 e më miratimin  e pluralizmit, ku çështjet demografike morën përmasa politike, që u dëshmu edhe në regjistrimet e popullsisë.

Në sajë të përvojës së mëhershme regjistrimi  i popullsisë është mbajtur çdo dhjetë vjet, duke mbetur aksiomë edhe për kohën e pluralizmit. Por, në rrethana të reja në pluralizëm, kemi përjashtime që dëshmohet me regjistrimin e vitit 2001. Ishte ky vit me turbulenca politike në Mal të Zi, ku nga një situatë e tillë nuk u mbajt regjistrimi i regullt por është shtyer për vitin 2002, ndërsa më së fundi u realizu  në vitin 2003.

Pasi regjistrimi vijues i popullsisë u mbajt në vitin 2011, sipas  praktikës regjistrimi i radhës duhet të mbahet në vitin 2021. Por, në sajë të disa pengesave teknike, siç është mosmiratimi i ligjit për regjsitrimin e popullsisë dhe miratimit të buxhetit për vitin 2021, u vendos që regjistrimi i popullsisë të mos mbahet në muajin prill të këtij viti, por ai të shtyhet për fund të vitit.

Pasi ditë më parë, ndonëse me vonesë  u miratu buxheti për këtë vit, nuk ka pengesa subjektive për ta realizuar regjistrimin e popullsisë, andaj janë gjasat reale të mbahet deri në fund të vitit. Por, duke marrë parasysh se regjistrimi i popullsisë këtu ka peshë të veçantë politike, se kur realisht do të mbahet do të varët  nga partitë politike, përkatësisht shumica parlamentare në Mal të Zi.

Regjistrimi duhet të jetë i kompletuar

Më herët kemi pasur rast të dëgjojmë nga individë apo subjekte të ndryshme  të shoqërisë civile, që në regjistrimin e popullsisë të mos evidentohen elementët identitare. Fjala është për strukturën kombëtare, gjuhësore dhe fetare të popullsisë si elemente identitare për çdo individ apo popull si kudo në botën e qytetëruar. Ishte ky paralajmërim absurd dhe konfuz i cili nuk është pritur mirë nga partitë politike si dhe opinioni i gjerë, sepse çdo individ ka emrin e mbiemrin, gjuhën dhe fenë e vet.

Nuk ka dilemë se çdo mohim i tyre elementëve paraqet diskriminim individual dhe kolektiv dhe si i tillë i është i pa pranueshëm. Propozuesit e tillë  kanë dështuar sepse pjesëtarët e popujve në Mal të Zi, deri më tash janë regjistruar të kompletuar me strukturat e tyre. Ndërsa është  çështë tjetër sa kanë qenë të sakta të dhënat nga regjistrimet e popullsisë, duke ditur se në monizëm janë bërë manipulime të ndryshme të kësaj natyre.

Regjistrimisi proces statistikor

Nëse analizojmë në detaje regjistrimet e popullsisë(1948-1991) sipas përkatësisë kombëtare, gjuhësore e fetare vërehen ndryshime të theksuara, duke kriuar dyshime në realitetin në terren. Në këtë aspekt kanë qenë të diskriminuar serbët, popullsia me përkatësi të fesë islame së cilës i është mohuar përkatësia kombëtare, ndërsa emërtimi boshnjake është definuar nga viti 1993. Po ashtu në këtë aspekt në pozitë të pavolitshme kanë qenë edhe shqiptarët, sepse statsitika shtetërore i ka evidentuar sipas dëshirës së tyre e jo sa realisht kanë qenë në terren.

Pikërisht, në lidhje me këtë çështje nëse analizojmë të dhënat në regjistrimet e popullsisë në kohën e monizmit, popullsia serbe është paraqitur në mënyrë simbolike, që nuk ka treguar realitetin demografik në aspektin nacional. Por, në këtë aspekt për serbët u bë kthesë e madhe në regjistrimin e vitit 2003 e 2011, duke dëshmuar se  regjistrimet e mëhershme kanë qenë të programuara me qellime të caktuara nga ana e pushtetit. Sepse nuk mund të quhet ndryshe e dhëna se serb në aspektin kombëtar në vitin 1948 janë deklaruar 1.78%, ndërsa malazez 90.67%, ndërsa në vitin 2003, serb janë deklaruar 31.99%, ndërsa malazez   43.16%. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar realitetin demografik në Mal të Zi, sepse për këtë periudhë kohore(1948-2003), numri i serbëve është rritur për 30.21%, ndërsa i malazezëve ka rënë për 47.51%, që është dëshmi transparente e manipulimit të pushtetit me strukturën nacionale të popullsisë në këtë mjedis.

Në këtë aspekt nuk kanë bërë përjashtim as shqiptarët, boshnjakët e kroatët. Andaj në rrethana të reja shoqërore e politike regjistrimin e ardhshëm të popullsisë duhet trajtuar si proces statistikor e jo manipulues. Vetëm me një qasje të tillë do të kemi një realitet objektiv  demografik, duke e paraqitur strukturën reale në këtë mjedis multinacional si nder më të veçantit në regjion.

Diaspora ka identitetin e vet

Sipas informacionëve të cilat disponojmë  në regjistrimin e popullsisë i cili do të zhvillohet në fund të këtij viti, sikurse në vitin 2011  diaspora do të regjistrohet vetëm në aspektin numërik, do të thot  pa përkatësinë nacionale, gjuhës amtare dhe ate konfesionale që është paradoks i llojit të vet, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet.

Por, pas rotacionit të pushtetit të ndodhur me 30 gusht 2020, shpresojmë se në këtë aspekt duhet të ndodhin ndryshime cilësore ku nuk duhet të përjashtohet as diaspora, sepse ajo është pjesë e pandarë e popullsisë në vend, ndonëse janë me dekada në botën e jashtme. Mohimi i të drejtës për tu regjistruar në këtë proces statistikor dëshmon se shteti nuk i trajton të gjithë qytetarët përkatësisht shtetasit e vet të barabartë. Në këtë aspekt dallohen vendet më popullsi heterogjene nacionale, ku shëmbull tipik është Mali i Zi.  Por, kësaj here besojmë se do të angazhohen jo vetëm partite politike por edhe nga shoqëria civile, që defekti I vitit 2011  të eliminohet, në favor te të gjithëve në përgjithësi e diasporës në veçanti.

Sepse nuk ka diasporë pa identitet kombëtar, gjuhësor e fetar, pavarësisht se ku punojnë e jetojnë. E kundërta ndodhë vetëm të ata popuj me kompleksin e tyre të cilët e kanë të rrezikuar identitetin e tyre nacional dhe gjuhësor. Nga ana tjetër shqiptarët në ketë aspekt kanë qenë të përmbajtur nga fakti së janë të vetmit që nuk i përkasin korpusit të popujve sllavë, dhe së nuk i kemi komplekset e atyre popujve në Mal të Zi.

Në lidhje me këtë çështje mbetet të presim reagimin nga Monstat–i i cili do të merret me regjistrimin e popullsisë, në muajt në vijim, kur do të kemi mundësi të kemi kopjen e fletëregjistrimin e popullsisë, ku do të evidentohet edhe diaspora. Vetëm atëherë duhet të kemi mundësi të japim vërejtjet në lidhje me çështjet kontestuese, ku diaspora mbetën çështje e cila kërkon zgjidhje e jo të mohohet sikurse në regjistrimin e fundit të popullsisë(2011). Sepse mohimi i të drejtës së diasporës bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe standartët demokratike, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet nacional, gjuhësor dhe konfesional. Kujtojmë me këtë rast se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2003, janë evidentuar 52511 banorësh nga Mali i Zi në botën e jashtme, apo 7.8% e popullsisë së përgjithshme.

Një e treta e diasporës është shqiptare                     

Nuk ka dilemë se një të dhënë të tillë duhet analizuar më tërë spektrin e vet  nacional, gjuhësor dhe konfesional, sepse atëherë do të kemi mundësi të japim disa përfundime. Kështu nëse analizojmë këtë numër sipas strukturës nacionale të popullsisë del qartë së në botën e jashtme janë 16519 pjesëtarë të kombësisë shqiptare, nga del së çdo i treti shqiptarë është në botën e jashtme. E dhëna së shqiptarët paraqesin  1/3 e diasporës së përgjithshme te Malit të Zi, është diçka e jashtëzakonshme kur dihet së shqiptarët në vitin 2003 kanë  marrë pjesë më 7.09% në kuadrin e popullsisë të përgjithshme.

Ndërsa pjesa tjetër e diasporës nga Mali i Zi i takon pjesëtarëve të popullit boshnjak, e më së paku atij malazez apo serb, duke dëshmuar në mënyrë transparente gjendjen faktike të diasporës  ku  popujt të cilët janë numërikisht më të pakët përbëjnë pjesën më të madhe të diasporës nga Mali i Zi. Pikërisht një e dhënë e tillë dëshmon qartë statusin e tyre social dhe politik të popujve përkatës në Mal të Zi. Sepse nuk ka mundësi të shpjegohet ndryshe që pjesëtarët e popujve numërikisht më të pakët janë pjesëtarët më të mëdhënj të diasporës.

Për ndryshime duhet vullnet  politik

Andaj duke marrë parasysh këto të dhëna mendoj së hartuesit e pyetjeve në fletëregjistrimin e popullsisë në vitin 2011, kanë vendosur me qellim  eliminimin e deklarimit te diasporës  sipas përkatësisë nacionale, gjuhës amtare e asaj konfesionale. Pikërisht  nga një veprim i tillë del qartë qellimi, më çka dëshmohet së ky regjistrim i popullsisë është politizuar në përmasa të jashtëzakonshme nga Monstat-i në Mal të Zi.

Përfundimisht nëse ekziston vullneti politik, defektet nga regjistrimi i diasporës mund dhe duhet të përmirësohen në regjistrimin e popullsisë  që parashihet të mbahet në fund të këtij viti, duke dëshmuar profesionalizëm në respektin ndaj diasporës e cila është ndërgjegja kombëtare e çdo vendi.

Shpërndarjaterritoriale e popullsisënë Mal të Zi sipas përkatësisë kombëtare(2003)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Shqiptaret ne Mal te Zi

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE MALAZEZE

September 28, 2020 by dgreca

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve dhe shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze. Kryetari z.Camaj analizon fenomenin politik “Abazoviq”, orientimin pro-perendimor të qeverisë së re, shëmbjen e perandorisë së pushtetit politik Gjukanoviq, dhe sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar. Me z. Nikollë Camaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

POZICIONI I SHQIPTARËVE PAS ZGJEDHJEVE NË MAL TË ZI

Ne dolëm në zgjedhje me premtimin se do jemi pjesë e qeverisë, dhe se nga ajo pozitë do zgjedhim shumë çështje të pazgjidhura deri më tani,  e në rend të parë çështjet ekonomike dhe zhvillimore të trevave ku jetojnë shqiptarët. Pritnim, dhe dëshironim, që të jemi çelësi i qeverisë së re, por ja se ajo nuk ndolli. Zgjedhjet krijuan një shumicë të re, shumicë që bëhet edhe pa ne. Mirëpo, për faktin se kjo qeveri i ka të nevojshme pakicat brenda, besoj se jemi në pozitë mjaft të favorshme, nëse sjellim vendim që të bëhemi pjesë e sajë. Për të qenë i qartë, LDSH është e mendimit se duhet të hyhet në qeveri, sepse, ku pikon çatia mund të vërehen nga brenda, edhe pse të ndërtohet duhet nga jashtë. Për ne pra, ka rëndësi të pozicionohemi në favor të zgjidhjes së çështjeve të shqiptarëve, e me qëndrim në opozitë, nuk besoj se mund të zgjedhim gjë. Por, se a do të jemi më të fortë, apo më të dobët, shumëçka do të varet edhe nga aftësitëe liderëve që do të bëjnë bisedimet. Natyrisht, pozicionet tona do të ishin edhe më të favorshme, sikur në zgjedhje të kishim dalë me një listë.

SHEMBJA E PERANDORISË SË PUSHTETIT 30 VJEÇAR TË GJUKANOVIQ

Rezultati i zgjedhjeve sikur i ka habitur njerëzit. Derisa një pjesë e madhe e shoqërisë në Malin e Zi e ka kuptuar si çlirim; një pjesë tjetër,  ndër ta edhe shumë shqiptarë, për fat të keq edhe në diasporë,  e kanë kuptuar si humbje të veten. Personalisht, nuk mund ta kuptoj prej nga e gjithë kjo nostalgji për humbësit e zgjedhjeve. Edhe pse, ndoshta ne nuk kemi tepër arsye për t’u gëzuar, por aq më pak kemi arsye që të bashkë-vuajmë humbjen e një oligarku, duke e arsyetuar atë me faktin se në taborin fitues ka dhe parti me prefiksin serb. Kjo më kujton kohën kur një pjesë e shqiptarëve kërkontebanën sulltan, pas shpërbërjes së perandorisë turke. Sindromi i Stokholmit, duket! LDSH,  si parti e vërtet opozitare,  e vetme ndër shqiptarët, që parapëlqen ndryshimet, e kupton si ajo pjesa e madhe, pra, si çlirim! 

QEVERIA E RE NË MAL TË ZI DHE RAPORTET ME SHQIPËRINË E KOSOVËN

Mendoj se qeveria s’do të ketë orientim as pro-serb, as pro-rus,  por pro-perëndimor. Ne rast se tenton te marr atë drejtim, forcat pro-perëndimore, brenda bllokut, janë të mjaftueshme, dhe tejet të qëndrueshme në kursin e vet pro-evropian, saqë forcat eventuale të cilat do provonin të ndërronin drejtim, do mbeteshin të pakta dhe pa përkrahje. Prandaj frikësimi me gogolin pro-serb e pro-rus, është më tepër në favor të arsyetimit të atyre që qajnë për humbësin. 

DRITAN ABAZOVIQ SI FENOMEN POLITIK SHQIPTAR

Ai vërtet nuk është i mbështjellë me flamurin shqiptar, por si një kozmopolitevropian,  ndoshta edhe utopik,  për kohën dhe vendin, nuk ngurron të mburret se është shqiptar. Është fenomen, edhe si njeri edhe si politikan. I mençur e  parimor, besnik ndaj idealeve të veta. Paraqitjet e tij teatrale tashmë kane fituar simpatinë e një rrethi të gjerë,  por e di fare mirë se as malazezët as serbet, hero s’do ta shpallin, prandaj zor se do të lejojë të dalë i shfrytëzuar, siç pretendon ta paraqes ndokush, por do të çojë deri në fund idealin e vet për një Mal të Zi evropian, në kuptimin e plotë të fjalës. Si person, nuk ka nevojë as ta mbroj, e as ta këshilloj, por duhet ta kemi para sysh se një shqiptar e bëri të mundur ndryshimin e qeverisë dhe rënien e perandorisë Gjukanoviq, çka nuk besoj se ka ndodhur pa bekimin e Perëndimit. Përçarjet ndërnacionale, të shkaktuara gjatë 30 viteve, dhe grabitja e pasurisë, dhe resurseve kombëtare, në emër të ruajtjes së shtetit , më në fund e morën hakun. 

SFIDAT E KOMUNËS TUZ ME ADMINISTRIM SHQIPTAR

Deri më tani ia kemi dal mirë, edhe përkundër problemeve që na ka shkaktuar procesin i ndarjes me Podgoricën, të cilit nuk po i shihet fundi. Podgorica akoma vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë; vazhdon të marrë pagesat nga banorët e Tuzit, kurse shërbimet i bën sikur Tuzi të ishte një lagje e parëndësishme e Podgoricës. Kjo kërthizë thithëse, me Podgoricën, duhet të ndërpritet urgjentisht, nëse mendojmë të zhvillojmë trevën, siç e meriton Malësia dhe banorët e sajë. Përpos kësaj, ajo në çka,tutje duhet të fokusohemi, është ruajtja, mirëmbajtja dhe rregullimi i hapësirave publike dhe vënia e resurseve lokal në funksion të zhvillimit të Malësisë, e jo të Podgoricës, siç është rasti deri më tani. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, duhet apostrofuar një realitet tjetër; se administrata shqip po funksionin me entuziazmin, frymën dhe përkushtimin fillestar. Përndryshe, vlerësimet janë se, edhe përkundër obstruksionit që vjen nga kryeqyteti,  më shumë është bërë për Malësinë tash 2 vite se për 50 vitet e fundit. Malësia, shtëpia jonë, e lënë tepër gjatë mbas dore, ka nevojë, dhe e meriton dorën e kujdesshme të atyre që e duan.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE DIASPORËN, NË USA

Qëndroni pranë vendlindjes siç keni qëndruar deri më tani.  Keni besimin në ne, se do t’i shërbejmë vendit pa hile, me aq sa kemi mundësi e dije. Ndikimi juaj në jetën ton është i madh,  prandaj kujdes, si e shfrytëzoni atë ndikim. Duhet ta kuptojmë se gjerat mund t’i shohim ndryshe,  por qëllimet i kemi të njëjta; që shqiptarët të shkëlqejnë në çdo drejtim. Ndërsa për ata që po kanë frik nga ndryshimet: duhet ditur se ndryshimet është dashur që njëherë të ndodhin,  dhe pa votën e atyre që i mbajmë për çetnik, ajo s’mund të ndodhte. Prandaj, ndarjen në çetnikë,ballistë e partizanë t’ia lëmë të së kaluarës dhe pushtetit aktual që i ka krijuar. Mendoj se për ne janë njëlloj, prandaj ne duhet të fokusohemi në interesat e shqiptarëve dhe jo në zënkat hileqare ndër-sllave. Por, që shqiptarët të shkëlqejnë është e paimagjinueshme pa faktorin diasporë. E ka thënë Noli, e ka dëshmuar Kosova, e madje edhe komuna jonë. E thash edhe në fillim: se ku pikon çatia shihet nga brenda, por të ndreqet, mundet vetëm nga jashtë! Pra, që të mos pikojë shtëpia jonë, e quajtur Shqiptari, njëlloj duhen njerëzit që rrinë brenda, dhe ata që rrinë jashtë!

Ju faleminderit

Filed Under: Featured Tagged With: Nikolle Camaj, Shqiptaret ne Mal te Zi, Sokol Paja

Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit

March 9, 2017 by dgreca

BOTIM ME  VLERA SHUMËDIMENSIONALE/1 shqiptaret ne Mal te Zi

Hajrullah Hajdari, Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016/

NGA DR. NAIL DRAGA/

Trajtimi i temave  qe ka të bëjë ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdimisht ka qenë intriguese për hulumtues fushave të ndryshme shkencore.Gamës së studimeve të tilla të publikuara vitëve të fundit ditë më parë i shtohet edhe libri Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, nga autori H.Hajdari, botuar ditë më parë nga Art Club në Ulqin.Botimi në fjalë trajton pozitën kushtetuese-juridike me një vështrim retrospektiv, duke prezantuar çështjet përkatëse në mënyrë analitike dhe me një qasje profesionale, që paraqet botimin e parë në  shqip në këtë aspekt tek ne në kohën e pluralizmit.Pas pathënies në hyrje autori trajton aspektin gjeografik, historik dhe popullsinë e vendbanimeve shqiptare sipas shpërndarjës territoriale të viseve shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqin në jug e deri në Rozhajë në veri. Ndërsa në pjesën e parë bëhët fjalë për rrethanat politike në Ballkan para Kongresit të Berlinit e pas tij, protestat e shqiptarëve kundër coptimit të trojeve të tyre, organizimi i mbrojtjës dhe kryengritjeve të ndryshme për mbrojtjën e tërësisë toksore shqiptare, që kulmon me formimin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.Me pas bëhët fjalë për luftërat ballaknike, Luftën e Parë Botërore, shpërnguljet  dhe  emigrimi i shqiptarëve si  dhe kolonizimi i viseve shqiptare me popullsi sllave sikurse ishte rasti i qyteti i Ulqinit etj.  Ndërsa në pjesën e dytë  bëhët fjalë për rregullimin shtetëror të Malit të Zi si dhe pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Mal të Zi.Në përgjithësi autori trajton organizimin  e pushtetit qendror dhe ati lokal me theks të veçantë në territoret e aneksuara ku bënin pjesë viset shqiptare, pastaj çështjet nga fusha e arsimit, liritë fetare, përfaqësimi i shqiptarëve, partitë politike të kohës dhe zgjedhjet lokale e parlamentare, padrejtësitë ndaj shqiptarëve, dëbimi dhe shpërngulja e tyre e çështje të tjera qe ishin në favor të politikës së pushtetit përkatësisht  në funksion të shkombëtarizimit dhe asimilimit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Autori këtë studim e trajton në aspektin shumëdimensional, duke ofruar të dhëna historike, gjeografike, gjeopolitike, ekonomike,juridike,  arsimore, kulturore etj. Një punë e tillë nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse i është dashur të konsultoj një literaturë profesionale nga autor të ndryshëm, e sidomos dokumente arkivore të cilat disa publikohen për herë të parë.

Objekti i këtij studimi është qendresa e shqiptarëve  në Mal të Zi, përkundër diskriminimit të pushtetëve të kohës , si djegia e shtëpive dhe fshatrave të tëra, plaçkitjet, vrasjet, denimet, konvertimi me dhunë nga feja islame në ate pravosllave, deri të mohimi i të drejtave civile e politike, siç ishte  mohimi i arsimit në gjuhën shqipe, mospunësimi në administratën publike, mospërfaqësimi  në organët ligjvenëse, ekzekutive e gjyqësore dhe zhvillim jo adekuat i viseve shqiptare, veprime këto që si pasojë patën tentativat e politikave shtetërore për shkombëtarizimin dhe asimilimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Periudha kohore e trajtuar në këtë botim është e një rëndësie të veçantë historike për kombin shqiptarë në përgjithësi, e në veçanti për shqiptarët në Mal të Zi.Në këtë periudhë  kohore , prej gjashtë dekadave, populli shqiptarë përjetoi shumë ngjarje të hidhura  qe nga okupimi e aneksimi, që si pasojë patën copëtimin e trojeve shqiptare e deri të pavarësia e Shqipërisë me 1912, që për këtë periudhë paraqet aktin më të ndritshëm të historisë sonë kombëtare.

Krahas veprimeve përfide të pushtetit të kohës ndaj shqiptarëve përmes formave ligjore, autori trajton edhe format joligjore të cilat ishin në favor të politikës asimiliuese dhe humbjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Natyrisht këto veprime joligjore të pushtetit malazez kanë ndikuar  drejtpërdrejtë në nivelin e të drejtave dhe lirive qytetare e më ketë edhe pozita kushtetuese juridike e politike e shqiptarëve në këtë mjedis. Një nder format direkte asimiluese ishte veprimi i pushtetit në deformimin e mbiemrave të shqiptarëve, duke iu vendosur prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky një veprim joligjor  i imponuar pa vullnetin e popullsisë shqiptare, qe nuk kishte asnjë bazë juridike, pra nuk kishte as ligj  apo urdhëresë të qeverisë. Megjithate, kjo ndodhte në çdo evidentim zyrtar administrativ apo gjyqësor, të regjistrave të ndryshëm ku shqiptarët evidentoheshin me prefiksin sllav, nga del se sipas të gjitha gjasave kemi pasur të bëjmë me direktiva sekrete të pushtetit.

Kështu duke filluar nga viti 1899, e sidomos nga viti 1904, një veprim i tillë asimilues ishte direktivë e pushtetit, nga del se shqiptarët prezentoheshin me identitetin e patronimit të sllavizuar.Ne lidhje me këtë dukuri asimiluese autori na ofron të dhëna për popullsinë shqiptare në vendbanimet krahinës së Krajës  dhe të viseve tjera shqiptare që ka të bëjë me vitet 1904 dhe 1905.Ndërsa një dukuri e tillë e pushtetit nuk ishte aktive në qytetin e Ulqinit, sepse pushteti si duket ne ketë mjedis ishte me i kujdesshëm, por pas Luftës së Parë Botërore në rrethana të reja politike e shoqërore edhe këtu kjo formë e asimilimit mori përmasa shqetësuese. Në të njëjtën formë u vepru edhe me emërtimet e vendbanimeve shqiptare, duke i deformuar, përkthyer apo kriuar dubleta të panevojshme, me të vetmin qellim për të ndryshuar identitetin e tyre ne viset shqiptare.

Për këtë periudhë kohore të cilën e trajton autori, për ne shqiptarët përjashtim bën koha e Austro Hungarisë (1916 -1918) gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shqiptarët realizuan të drejtat të cilat i kishin të mohuara nga pushteti i Malit të Zi. Në këtë kohë pushteti austro-hungarez shqiptarëve iu siguroi të drejtat nacionale, duke iu hapur shkollat me mësim në gjuhën shqipe, vendosjesn e gjuhës shqipe në administratë, përdorimin e flamurit kombëtar, punësimin e shqiptarëve në sektorin shtetëror etj. Por, për fat të keq kjo kohë ishte e shkurtër dhe zgjati vetëm tre vite, sepse me pas  ndaj shqiptarëve pushteti i kohës Mbretëria SKS veproi me të njëjtat metoda duke i trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, duke legalizuar diskriminimin e përgjithshëm  qe vazhdoi deri në vitin 1941, kur filloi Lufta e Dytë Botërore.

Duke lexuar këtë libër del qartë angazhimi dhe puna serioze e autorit duke ofruar të dhëna shumëplanëshe, në saj të shfrytëzimit të literaturës së publikuar, por edhe të dokumentave arkivore.Madje, një numër i tillë i dokumentave publikohen për herë të parë, qe ia rrisin vlerën këtij studimi. Çështjet e trajtuara në këtë botim, autori  i trajton në kontekstin e kohës, duke demaskuar politikën diskriminuese të  pushteteve përkatëse, duke ofruar të dhëna të cilat dëshmojnë strategjinë e pushtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Andaj,  është konstatim i pakontestueshëm se shqiptarët pas shkëputjes nga shteti amë përjetuan tragjedi të mëdha,  nga ushtria serbo-malazeze, sepse përjetuan masakra e krime të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare, ndaj individëve dhe ndaj grupeve të tëra, me elemente të gjenocidit,që dëshmohet  gjatë Luftërave Ballkanike 1912-13 dhe gjatë e pas Luftës së Parë Botërore. Një veprim i tillë gjenocidal   prezentohet me dokumente përkatëse nga autori ne saje të hulumtimit të fondit në “Komisionin hetues”  qe  ka të bëj në veçanti me popullsinë shqiptare  në krahinën e Plavës e Gucisë.Nga këto dokumente konstatohen  shumë keqpërdorime e krime të kryera nga zyrtarët e lartë të gjendjes civile, të ushtrisë, policisë, xhandarmërisë dhe gjykatës ushtarake  të Malit të Zi, që pasqyrojnë në detaje veprimet antinjerëzore të pushtuesve të rinj dhe vuajtjet e popullit shqiptarë të krahinës së Plavës e të Gucisë. Autori me të drejtë konstaton se këto veprime kanë një emërtim e ai është gjenocid, sepse nuk mund të quhën me emërtim tjetër konvertimi me dhunë nga feja islame ne ate pravosllave, ndryshimi i emrave te personave, pushkatimet me gjyq e pa gjyq vetëm se ishin shqiptarë e çështje të tjera diskriminuese me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve të kësaj krahine.

Nga veshtrimi retrospektiv i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi në kuadër të legjislacionit pozitiv shtetëror të kohës autori me të drejt konstaton se  pozita kushtetuese juridike  e shqiptarëve ka qenë neglizhuese, e pabarabartë dhe diskriminuese kundrejtë shtetasve të tjerë në Mal të Zi. Por, edhe përkundër vështirësive dhe padrejtësive të cekura populli shqiptarë në Mal të Zi mbijetoi dhe sfidoi rrethanat e kohës, edhe pse të zvogluar numërikisht  në viset e tyre autoktone.

Urojmë dhe shpresojmë qe autori të vazhdoj këtë studim  edhe për vitet në vazhdim nga koha e Luftës së Dytë Botërore e më pas, deri më rënien e sistemit monist, sepse në këtë periudhë kohore kanë ndodhur ngjarje dhe ndryshime të mëdha shoqërore ku shqiptarët i kanë përjetuar drejtpërdrejtë si qytetarë të këtij shteti por të një etnie tjetër.

Satisfakcioni i vetëm për autorin dhe për të gjith ne shqiptarët është se në rrethana të reja në pluralizëm, kemi të vetmën mundësi të hulumtojmë dhe të shkruajmë për çështjet përkatëse ashtu si kanë ndodhur dhe pasojat e tyre, ku ne shqiptarët i vuajmë  në përmasa të ndryshme edhe në ditët tona. Pra tani, çështjet trajtohen me qasje shkencore e jo ideologjike, si ne kohën e monizmit, ku janë paraqitur deformime dhe pasaktësi, duke eliminuar realitetin  sepse nuk ishte në favor të pushtetit të kohës. Autori, bën një paraqitje dhe analizë me kompetencë profesionale çështjeve të trajtuara, pa paragjykime apo lajthitje shkencore duke iu mbetur besnik argumenteve të kohës për çështjet e luftërave të zhvilluara, okupimit dhe aneksimit të viseve shqiptare në kontekstin e rrethanave të kohës.

Andaj,  këtë botim e vlerësoj një përpjekje  profesionale dhe kombëtare të autorit për të dëshmuar të kaluarën tonë, sakrificën dhe mbijetesën shqiptare në këtë periudhë kohore ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha dhe dekompozime territoriale në kuadër të  gjeopolitikës së kohës. Ishin pikërisht Fuqitë  e Mëdha  të kohës ku si parim nuk kishin aspektin etnik përkatësisht parimin e   drejtësisë por interesat e tyre, qe ishin  në dëm të popujve të vegjël ku shqiptarët janë rasti tipik i këtyre veprimeve të padrejta, ku pasojat e tilla  janë edhe në ditët tona.

Nga ajo qe u tha më lartë nuk ka dilemë se  ky botim do të jetë referencë e domosdoshme për të gjithë ata të cilët do të trajtojnë në të ardhmën  pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi për këtë periudhë kohore, dhe si i tillë  do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor dhe kulturor.

*Dr.Nail   Draga-(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin,  më 26.12.2016 )                                                                                 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hajrullah Hajdari, Nail Draga, Shqiptaret ne Mal te Zi

Shqiptaret ne Mal te Zi- Bardhi i dergon ftese Cungut

December 17, 2015 by dgreca

BARDHI E FTON CUNGUN  NË BISEDIME NË TAVOLINËN E KOALICIONIT/

Nisur nga interesimi i njëmendt i anëtarëve dhe qytetarëve tanë për situatën aktuale disajavëshe jo të mirë e shqetësuese në Koalicionin e Qeverisjes Vendore aktuale të Ulqinit, përpjekjet tona, të Lidhjes Demokratike në MZ, ishin  dhe janë të vazhdueshme për të sqaruar me bisedime e besueshmëri të ndërsjelltë problemet  dhe të tejkalohen. Në këtë drejtim kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, në cilësinë e kryetarit të njërit nga subjektet  bashkëqeverisëse, bëri disa takime me udhëheqësit më të lartë të subjektit politik,  të Forcës së Re Demokratike, subjektit më numrin më të madh të mandatëve në KK të Ulqinit, në këtë Koalicion Qeverisës,  madje iu drejtua edhe me një shkresë Nazif Cungut, kryetarit dhe Genci Nimanbegut, nënkryetarit të Forcës, të cilëve, sipas asaj që doli në shtyp dhe asaj që deklaroi nënkryetari i Forcës dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, z.G. Nimanbegu, janë iniciatorë të nismës për votëbesimin kryetarit të komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjekës, me të cilën i fton të ulemi në tavolinën e bisedimeve, aty ku u lidh edhe Koalicioni, se vetëm aty është vendi ku duhet të sqarohen dhe eliminohen ose jo mosmarrëveshjet.

Në shkresën, të cilën po e bëjmë publike, sqarojmë se ishin dhe janë arsyet objektive qëllimmire vendimtare për bërjen e saj publike (sot, pas disa ditësh).

Më poshtë po ju njoftojmë me shkresën në tërësi.

Nga ZYRA e  LD në MZ-së PËR INFORMIM

Ulqin, më 15. 12. 2015

LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI

                       DEMOKRATSKI SAVEZ U CRNOJ GORI

DEMOCRATIC LEAGUE IN MONTENEGRO

Nr.   203 -15

Ulqin – Tuz , më  7. 12. 2015

                                     FORCËS SË RE DEMOKRATIKE

                                             Kryetarit z. NAZIF CUNGU

                                                                                         U l q i n

Lënda: Propozim për bisedime për ruajtjen e Koalicionit ekzistues – shqiptar në nivelin e

Qeverisjes  Lokale në Ulqin

I nderuari z. kryetar,

Me datën 17 nëntor 2015, e martë, nënkryetari  i Forcës së Re Demokratike dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, sot në Malin e Zi, në mjetet e informimit publik ( në të përditshmen DAN, prej kah u shpërnda pothuaj nëpër gjithë portalet e rrjetat shoqërore) deklaroi se  deri në fund të këtij muaji mund të niset apo do të niset iniciativa për votëbesimin e kryetarit të komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka. Pastaj se Kryetari i DPS-it të Ulqinit kishte thënë, po për këtë gazetë, se pushteti aktual në Ulqin po numëron ditët e fundit… e kështu me radhë.I shqetësuar për këtë, për të ardhmen e Koalicionit, nuk gjeta ndonjë përgjigje precize, as të subjektet e tjera, përbërëse të Koalicionit, por edhe thanë se e kanë lexuar këtë deklaratë të z. G. Nimanbegu, madje ka të dhëna se të tetë këshilltarët e FORCËS e kanë nënshkruar Iniciativën për votëbesimin  kryetarit aktual Fatmir Gjekës, i cili u zgjodh në këtë funksion qeverisës, pas formimit të Koalicionit Shqiptar  me votat e këshilltarëve të këtij Koalicioni, pra edhe me votën e këshilltarit të LD në MZ, z. Hajredin Kovaçi dhe ia kanë dorëzua DPS-it, si ofertë për një koalicion të ri  me ata!?

Për ne kjo ishte befasuese dhe e papranueshme, mu për faktin se një gjë e tillë, nuk ishte propozua nga ana e FORCËS që shqetësimi i tyre e jo më Iniciativa për votëbesim të shqyrtohej në tavolinën e Koalicionit, ashtu siç ishte dhe se ku ishte lidhë Koalicioni, çka do të ishte normale dhe rendi obligimi ndaj përbërësve të Koalicionit dhe bazë e  parimit demokratik, po edhe kombëtar, pa prejudikua që t’ia marrim dikujt të drejtën e aq më pak FORCËS, e cila në kuadër të Koalicionit si subjekt ka më së shumti këshilltarë në KK të Ulqinit (8) dhe ka të drejtë të ketë vërejtje, kërkesa, të propozojë ndryshime, madje edhe të ndërrojë mendimin e vendimin, deri në shkëputje a shpërbërje të Koalicionit, por elementare do të ishte që edhe kjo apo këto të bëhen, se pari, në tavolinën e bisedimeve, aty ku edhe u lidh Koalicioni.

Duke u nisur nga sa më lart dhe duke marrë parasysh, faktin se LD në MZ si subjekti më i vjetër politik në përbërje të këtij Koalicioni,  të hënën, më 23.11. 2015, mora iniciativën  dhe i propozova z. G. Nimanbegu, nënkryetarit të FORCËS dhe kumtuesit të lajmit për votëbesim të Kryetarit të Komunës dhe Kryetarit të KKSH-së, që të ulemi e të pimë nga një kafe.

E falënderoj z. Nimanbegu i cili shprehu gatitshmërinë që të takoheshim madje menjëherë. Takimin e bëmë në lokalet e KKSH-së, ku i shpreha shqetësimin tim, dhe jo vetëm timin për iniciativën e tyre për votëbesim Kryetarit të Komunës, pasi kjo mund të sjellë deri të shpërbërja e Koalicionit dhe i propozova që ta shikojnë edhe një herë me kryetarin dhe udhëheqjen e partisë këtë çështje.Po atë ditë, po në lokalet e KKSH-së bëmë edhe një takim, ku ishit edhe Ju zotëri kryetar, ku edhe Ju po ashtu  iu  shpreha shqetësimin tim për Iniciativën Tuaj dhe fatin e vazhdimit të Koalicionit. Ju z. Nazif, paraqitët  disa vërejtje për  punën e Kryetarit të Komunës z.F.Gjeka dhe pohuat se e kishit nis Iniciativën për votëbesimin e tij. Në fund, pas një bashkëbisedimi jo edhe të shkurtër, kërkova dhe iu propozova që të mendoni dhe të analizoni edhe një herë, edhe sukseset edhe mossukseset, edhe të metat e mangësitë edhe anët pozitive madje edhe rezultatet po edhe pasojat që do të kishte një prishje a shpërbërje e Koalicionit. Të ulemi dhe të bisedojmë, të shohim ku janë gabimet dhe çka duhet të ndërmerret për me vazhdua më tej, – ju thashë me dashamirësi, sinqeritet dhe përgjegjësi.

Zotëri kryetar i Partisë, zotëri Nazif Cunga, nisur nga fakti se pas këtyre kontakteve me Ju po edhe me palët e tjera të Koalicionit dhe me kryetarin e komunës, z. Fatmir Gjeka, nga Ju nuk arriti edhe asnjë iniciativë që të ulemi të gjithë së bashku e të shohim çka mund të bëjmë, prandaj sot  vendosa që edhe një herë t’ju drejtohem me propozim që të ulemi e të bisedojmë për me tejkalua problemet, nëse është e mundshme, deri sa ende besoj se nuk është vonë. Mund të shpëtojmë atë çka është më e nevojshme, UNITETIN, veprimin e përbashkët, kur dimë faktin se së shpejti, në pranverë ose në vjeshtë, do të kemi zgjedhjet parlamentare. Këtë e kërkon logjika e shëndoshë, rrethanat aktuale, ardhmëria, kombëtarja e demokracia.

Me respekt.

Ulqin, më 7. 12. 2015

MEHMET BARDHI, prof., kryetar i LD në MZ

PS:Dërguar: 1 x  Genci Nimanbegut, nënkryetar i FORCËS dhe KRYETAR I KKSH-së

Filed Under: Rajon Tagged With: Bradhi fton Cungun, Shqiptaret ne Mal te Zi

Shqiptarët në Mal të Zi dhe skenarët e vjetër të Kral Nikollës

July 22, 2013 by dgreca

(Reagim i SHSHA-së në Çikago)/

Shkruan: Skënder Karaçica/

Në tëejtër gjitha vendet e Ballkanit ku shqiptarët jetojnë të ndarë padrejtësisht po përjetojnë skenarët e vjetër të kohës antishqiptare të regjimeve pansllaviste,thuhet në fillim të reagimit të SHSHA-së në Çikago.Në të gjitha qarqet politike dhe diplomatike të BE-së në bashkërenditje më SHBA-në i kanë dhënë transformimit dhe të kohezionit të vlerave universale të demokracisë dhe të lirisë së popujve të këtij rajoni të trazuar me luftërat shekullore për liri dhe të ndarjes së vijave të mëvetësisë kombëtare.Në këtë rrugëtim të shpalimit të vlerave europiane,në Mal të Zi shqiptarët ende po përballën me politikën ditore të regjimit me skenarët e vjetër të Kral Nikollës,që dihet historikisht përmasat e përbuzjes dhe të shtypjes kombëtare të vrasjeve kolektive deri te debimi me dhunë nga toka etnike.
Pushteti aktual në Mal të Zi ndaj shqiptarëve po lejon para syve të Europës ,,standardet,,e dyfishta dhe pse jo me auforinë me sytë e urrejtjes që dalngadalë po e zbraz truallin shqiptar përmes udhës së mërgimit si dhe të mekanizmave tjerë të ligjor,që kanë shkuar aq larg sa në tokën shqiptare tashmë ia kanë vënë syrin për të ndërtuar kishat artodokse si shënja të kultit dhe përthekimi i tërë çështjes shqiptare nën hijen malaziase,kështu thekson ky asociacion kombëtar nga Amerika për opinionin e gjerë dhe të institucioneve relevante ndërkombëtare të BE-së,të SHBA-së dhe të OKB-së.
Kujt i duhen tashti dhe para syve të Europës,shpalimi i skenarëve të vejtër të kohës së Kral Nikollës dhe shpërblimi i Shoqatës Vullnetare të vrasjeve të shqiptarëve (1912-1918)që është organizuar para subjekteve politike dhe të shetit malazias,qkëta në mes dledhjet e përbashë hapi plagët e vjetra dhe lëkundi eshrat ndër varre të qindra shqiptarëve të vrarë në Mal të Zi,pyet me indijatë ky asociacion politiko-kombëtar në Çikago.Krejt diçka tjetër trumbetohet gjatë ditës për spektrin e gjerë të proceseve të demokracisë dhe të barazisë së qytetarëve në këtë vend të vogël dhe problematik gjatë shekullit të kaluar,e krejt diçka tjetër po veprohet në praktikë me ,,standardet,,e dyfishta kur kihet parasysh çështja e popullit shqiptar në truallin e vet.Nuk është e rastësisheme vizita pas dhjetë vjetësh në Beograd e kryeministrit Gjukanoviq dhe aktivizimi i programeve të përbashkëta politike në Ballkan.Kësaj rruge kohë më parë u nis edhe qeveria e Nikolla Gruevskit që mbajti mbledhje të përbashkëta në mes të dyja qeverive serbo-maqedonase për të krijuar frymën  politike të Jugosllavisë së Tretë(!).Tërë këto lëvizje të përbashkimit rretqiph boshtit pansllavsit kanë për qëllim të dalin përball realitetit të ri politik dhe demokratik të krijimit të shtetit të ri të Kosovës dhe për ballansimin me çdo kusht të çështjes shqiptare.
SHSHA-ja në Çikago,përmes këtij reagimi,u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve të shpërngulur nëpër botë dhe SHBA që të kthejnë në tokën e tyre etnike në Mal të Zi dhe të kërkojnë që përmes ,,shtetit ligjor,,dhe të përkrahjes me zërin tuaj të faktorit ndërkombëtar të krijihen kushtet e parandalimit të skenarëve të vjetër hegjemonist të Kral Nikollës dhe të regjimit komunist të ish-Jugosllavisë,që çështje shqiptare në këtë vend të brishtë të marrë kahet e reciprocitetit aq sa kërkon pushteti në Mal të Zi për pakicën malazeze në Kosovë,po aq të kenë të drejtat legjitime dhe kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi.Në gjithë transformimet e jetës politike dhe të pushtetit lokal,propozojmë që komuna e Ulqinit të marrë statusin e veçantë si qendër e afrimit të pushtetit për shqiptarët në të gjitha fushat e jetës.Ndërkaq,përmes privatizimit të objekteve kapitale ekonomike(hoteliere)përgjtë bregdetit rreth Ulqinit nga biznesmenet nga Rusia,ky kapital të participohet edhe për shqiptarët dhe të krijohen kushtet për të jetuar me dinjitet dhe i barabartë me popullin malazias dhe pakicat tjera.Kërkojmë nga institucionet e BE-së dhe Uashingtoni që të jenë më afër me shqiptarët që kanë mbetur në geto dhe pa përkrahjen e duhur të ligjeve kushtetuese të Malit të Zi dhe nën hijen e kohës politike të shtetit i diskriminuar para derës së shtëpisë!E gjitha loja e strucit ka filluar në bregdetin malaziasë kur për çdo ditë vijnë nga 100 aeroplanë i pushtuar me turistët rusë që tregon qartë se privatizimi i objekteve ekonomike(hoteliere)edhe në Ulqin ka për qëllim (ri)pushtimin e tokës shqiptare dhe në heshtje të krijojë politikën e spastrimit etnik dhe para syve të botës së lirë demokratike europiane,thekson zëshëm SHSHA-ja në Çikago për aktualitetin shqiptar të pambrojtur në trojet e veta etnike në Mal të Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shqiptaret ne Mal te Zi, skenaret e vjeter, te Kral nikolles

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT