• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Shqiptarët i shpëtuan moralin Evropës”- Johanna Neumann

May 20, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/
Para pak ditësh dhe pikërisht më 14 maj, lexova në internet shkrimin mjaft interesant të publicistes së talentuar, zonjës Elida Buçpapaj, me titull:
“Takim me zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan shqiptarët”.
Në atë shkrim fort prekës dhe me një domethënie mjaft të thellë, flitet për zonjën 84-vjeçare Johanna Neumann, e cila mundi të shpëtonte nga zhdukja fizike e nazizmit gjerman, falë humanizmit dhe besës proverbiale të popullit shqiptar.
Shkrimi i zonjës Elida më la shumë mbresa dhe më bëri të përsias gjatë me veten time. Para se të filloja t’i hedhja në faqet e kompjuterit përsiatjet e mia, mendova se titullit të shkrimit të zonjës Elida mund t’i shkonte shumë mirë edhe nëntitulli: “Në gjurmët e një të vërtete të braktisur nga Tirana zyrtare”.
Qëndrimi aq fisnik, aq i besës, aq burrëror i popullit shqiptar ndaj hebrenjve në vitet e luftës së Dytë Botërore, kur, as edhe në një rast të vetëm, askush prej tyre nuk ra në duart e nazistëve gjermanë, dëshmon për kodin moral të shqiptarëve që nuk mund të krahasohet me kodin moral të asnjë populli tjetër evropian.
Por ky qëndrim kaq i madhërishëm i popullit shqiptar ndaj hebrenjëve, i cili u bë për ta mburojë e sigurt përballë egërsisë naziste për zhdukjen e tyre, u shoqërua me heshtjen paradoksale gati gjysmëshekullore të Tiranës zyrtare, e cila, me të drejtë, kishte se çfarë t’i tregonte jo vetëm Evropës, por edhe botës mbarë se çfarë aktesh heroike kishin kryer shqiptarët e thjeshtë për të shpëtuar jetën e hebrenjve Kjo e vërtetë, po ashtu, duhej të ishte dokumentuar me rrëfime të familjeve që i strehuan hebrenjtë, familje këto që vunë veten në rrezik, vetëm e vetëm që asnjë hebre të mos binte pre e mizorisë naziste. Këto rrëfime, të dokumentuara edhe me pohimet e vetë hebrenjve që asokohe ishin strehuar në Shqipëri, pas mbarimit të luftës, duhej t’u bëheshin të njohura të gjitha institucioneve ndërkombëtare, deri edhe në Këshillin e Sigurimit dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që bota ta mësonte se ç’vlera të larta morale e karakterizojnë kombin shqiptar, se ç’dimensione befasuese përfton instituti i besës në formimin psikologjik të kombit shqiptar.
Në periudhën e sundimit komunist në vendin tonë, Izraeli, si një shtet që gëzonte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vlerësohej si shtet armik i Shqipërisë. Prandaj edhe heroizmit të pazakontë që manifestuan familjet e thjeshta shqiptare për t’i strehuar hebrenjtë në vende të sigurta, komunizmi enverian i vuri përsipër një gur të rëndë. Kjo ishte edhe arsyeja që temës së heroizmit të popullit tonë në mbrojtje të tyre, nuk iu kushtua asnjë fletëpalosje, asnjë album, asnjë libër artistik, asnjë pikturë, nuk u xhirua një film artistik për be, nuk u përgatit asnjë libër i posaçëm me mbresa dhe me kujtime të vetë hebrenjve dhe të familjeve që sakrifikuan veten e tyre për t’i shpëtuar nga barbaria gjermane, libër që të përkthehej edhe në gjuhë të huaja dhe të shpërndahej në mbarë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në bibliotekën e tim biri, Plarentit, në Santa Barbara (Kaliforni) gjeta albumin interesant, për të cilin bën fjalë zonja Elida, të botuar në gjuhën angleze. Albumi titullohet: “BESA. Myslims who saved jews in World War II” (BESA. Myslimanë që shpëtuan hebrenj në Luftën e Dytë Botërore). Syracuse Unicersity Press. New York 2008”. Autor i këtij albumi mbresëlënës është hebreoamerikani Norman H. Gershman, me profesion fotograf. Punimet e tij në artin e fotografisë janë paraqitur në mjaft muze në mbarë botën. Fotografitë e tij kanë qenë të ekspozuara në Izrael dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Fotografitë që ai ka bërë në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shërbyer si subjekt për përgatitjen e një dokumentari me titull “God’s House” (Shtëpia e Zotit).
Nga ky album, që autori edhe në anglisht titullin ia ka lënë “BESA”, me qëllim që të nxjerr në pah faktin se hebrenjtë shpëtuan nga vdekja për forcë të institutit të besës që karakterizon shqiptarët, mësova se kanë qenë 58 familje shqiptare që kanë pas strehuar hebrenj gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Mes atyre familjeve të nderuara dhe të respektuara, ishte edhe familja e Abaz dhe Zade Sinanit nga Lushnja, prindërit e të njohurve të mij të vjetër, Agim Dhe Petri Sinani. Në album, në faqen 81, ishte botuar fotografia e zotit Agim Sinani, të cilin autori e kishte nxjerr në një pozicion të tillë, ku ai mbante në dorë fotografinë e të atit, të vendosur pranë zemrës.
Këtë album duhej ta kishin përgatitur me kohë e me vakt autoritetet komuniste shqiptare. Por ato, për fatin e keq të mbarë kombit shqiptar, mendjen e kishin te miqësia e pamoralshme me sllavizmin, te lufta e egër e klasave, te shtypja e lirive dhe e të drejtave më elementare të njeriut, te varfërimi kriminal i popullit shqiptar, i cili në vitet ’80 të shekullit të kaluar mori përmasa katastrofike, dhe te forcimi i pushtetit të tyre diktatorial.

Tiranë, 20 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Europa, Johanna Neumann, shqiptaret

ARRESTOHEN 15 PERSONA QE SILLNIN SHQIPTARET NE AMERIKE

May 12, 2014 by dgreca

* Skema e trafikut ishte Tiranë – Maqedoni; nga Maqedonia në Bullgari, ku pajiseshin me dokumenta bullgare të rreme dhe më pas, dërgoheshin në Meksikë; nga Meksika, ata hynin në territorin e SHBA.
*Lista me 15 emrat e të arrestuarve, çonin shqiptarë në SHBA për 24 mijë €URO. U kapen pasi i kishin nise 50 persona/
TIRANË – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar sot 15 persona, ndërmjet tyre disa biznesmenë shqiptarë, të cilët dërgonin shqiptarë si emigrantë ilegalë në Shtetet e Bashkuara kundrejt pagesës 24 mijë euro për person.
Policia e Shtetit ka njoftuar se “operacioni pёr ndalimin e tyre ёshtё shtrirё njёkohёsisht nё 6 rrethe tё vendit, nё Tiranё, Kavajё, Shkodёr, Malёsi e Madhe, Durrёs dhe Elbasan dhe gjatё 24 orёve tё fundit ka ekzekutuar 10 urdhёra ndalimi nё Tiranё dhe 5 urdhёra ndalimi nё Shkodёr.
Të arrestuarit janë:
Pashko Jak Nilaj, vjeç 52, banues nё Kamicё, Malёsi e Madhe
Prel Maç Micaj, vjeç 60, banues nё Bajzё Malёsi e Madhe
Ali Bajram Metvelaj, vjeç 53, banues nё Koplik Malёsi e Madhe Shkodёr
Gjergj Nik Martinaj vjeç 49, banues nё Shkodёr
Filip Gjergj Kertunga, vjeç 55, banues nё Velipojё Shkodёr
Fatmir Zyhdi Bakalli, vjeç 53, banues nё Tiranё
Enver Karaj, vjeç 50, banues nё Shkozё Tiranё
Fatos (Dashnor) Osmen Fasko, vjeç 44, banues nё Fier
Nertil Axhem Pervizi, vjeç 40, banues nё Delogozhd, Strugё Maqedoni
Fatmir Rasim Flaga, vjeç 58, banues nё Tiranё
Nikoll Pal Kolaj vjeç 49, lindur nё Puke dhe banues nё Tiranё
Zaim Ferit Hysenbelliu, vjeç 53, banues nё Tiranё
Durim Fuat Koxha, vjeç 56, banues nё Tiranё
Gezim Idriz Tafaj, vjeç 44, lindur nё Viçidol dhe banues nё Tiranё,
Alfred Xhezmi Myrtaj,vjeç 50, banues nё Tiranё
Njëkohësisht, ёshtё shpallur nё kërkim 28-vjeçari Lek Maç Micaj, banues nё Bajzё të Malёsisë së Madhe.
Nё momentin e ndalimit,”- vë në dukje Policia, – ” shtetasit maqedonas Nertil Perzvizi iu sekuestruan 58 500 dollarё, ndёrkohё që Zaim Hysenbelliut iu sekuestruan 10150 dollarё; Nikollё Kalajt, gjatё kontrollit nё banesё, iu gjet njё armё zjarri automatik dhe njё sasi municioni luftarak.”
Prokuroria ka bërë të ditur se ky grup kriminal ishte mjaft i strukturuar dhe konspirativ. Sinjalimi për këtë trafik është bërë nga FBI-ja, që ka vënë në lëvizje Prokurorinë Shqiptare për të hetuar të përfshirët në këtë trafik.
Skema e trafikut ishte Tiranë – Maqedoni; nga Maqedonia në Bullgari, ku pajiseshin me dokumenta bullgare të rreme dhe më pas, dërgoheshin në Meksikë; nga Meksika, ata hynin në territorin e SHBA.
Ata kishin kohë që operonin në këtë linjë trafiku dhe deri më sot kanë nisur deri në 50 vetë.
Këtë çështje janë duke e hetuar, prokurorët: Përparim Kulluri, Elisabeta Imeraj dhe Ervjola Stojaka; hetimet janë në vazhdim, pasi përveç të arrestuave ka edhe persona të tjerë të përfshirë. (Kortezi:Shqiptarja.com)

Filed Under: Kronike Tagged With: ARRESTOHEN 15 PERSONA, ne Amerike, QE SILLNIN, shqiptaret

MAQEDONI, TEATRI POLITIK I ANETARESIMIT NE NATO DHE SHQIPTARET

May 10, 2014 by dgreca

TEATRI POLITIK PËR ANËTARËSIMIN NË NATO VAZHDON DERI NË PAFUNDËSI DUKE INJORUAR PROBLEMET JETËSORE TË SHQIPTARËVE/
Nga Arben LlALlA/
Frika e madhe e BDI se mos del në opozitë po tregon se kjo parti nuk është themeluar me themele të forta betoni, por me themele rëre integriste kalimtare vetëm sa për të qetësuar shpirtrat të dala pas luftës së 2001.
Pyetjet që mund të parashtrohen sot janë se në rast të një pozicioni afat gjatë të BDI në opozitë çdo të bëhet me disa drejtues të lartë të kësaj partie? A do ta braktisin BDI këta liderë apo do të humbin në mjegullën e zezë që sjellë politika shpeshherë? Prandaj kjo parti bëri lëvizjen e fundit rreth formimit të qeverisë midis VMDRO-DPMNE dhe BDI, të bazohet vetëm me kërkesën që në Shtator Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Këtë kërkesë e ka si kusht vetëm BDI për tu bërë pjesë e qeverisë duke injoruar 153.000 votat që fitoj duke bërtitur se nuk do e njohë Ivanovin si kryetar shteti dhe se do kërkoj kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë. Por burrëria e Ali Ahmetit dhe e grupit të tij të ngushtë nuk kishte qenë e fort përballë boksierit të Follorinës. Kaq e patën burrat e BDI duke kërcyer vallen me muzikë rome ballkanase. Por e vërteta është se çështja e emrit që ekziston midis Greqisë dhe Maqedonisë nuk do të zgjidhet as këtë vit dhe ka shumë mundësi që Maqedonia mos të anëtarësohet në NATO me emrin Kushtetues, por mundet të përdori referencën FYROM-IJRM në Samitin e Shtatorit.
Megjithatë unë mendoj se treni i Maqedonisë drejtë NATO dhe BE nuk mund të shkojë deri më 2018, sepse grupet e interesave Globale të Kospiracionit nuk ju intereson që disa vende të vogla të Ballkanit të jetë të forta ekonomikisht dhe ushtarakisht, shkurt të jeni vende stabile.
Me hyrjen e BDI në qeveri pa asnjë kusht kombëtar dhe ekonomik për shqiptarët tregon qartë se këta politikanë nuk e kanë mendjen dhe sytë nga shpirti i vuajtur i shqiptarëve, por tek rehabilitimi dhe mbushja e buxhetit të tyre familjar.
Gëzimi i madh që i ka kapur militantën dhe anëtarët e BDI për rihyrjen në qeveri është shumë i fortë, kjo pjesë e shqiptarëve nuk shikon se si rrihen, dhunohen dhe injorohen shqiptarët rrugëve të Shkupit e deri në Kumanovë. Ende se kuptoj se kush është kundërshtari politik i BDI, por mendoj se kundërshtar duhet të ketë partitë sllavo-maqedonase dhe jo partitë shqiptar sepse tek e fundit çdo parti shqiptare i mbron sado pak interesat kombëtare.
Nëse BDI bëhet pjesë e qeverisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe pas Shtatorit vendi nuk anëtarësohet çfarë do bëj BDI?
Në përfundim duhet të themi se mjegulla dhe nervozizmi që po tregohet këto ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 27 Prillit nga politikanët e BDI po nxjerrë në dukje problemet që ka midis klasës politike dhe intelektuale të pavarur shqiptar.
Partia e BDI-s që u themelua në emër të vlerave të luftës duhet të jetë me e kujdesshme në politikën e saj sepse ajo i ka marrë votat e shqiptarëve në emër të vlerave të luftës dhe të gjakut të dëshmorëve. Prandaj politikanët e kësaj partie më nuk duhet ta kenë guximin e tyre të përfaqësojnë vlerat e saj lufte që po i humbasin në paqe.
Meqenëse historia shkruhet dhe regjistrohet në mendjen e popullit çdo tentativë dashakeqëse që bëhet në emër të shqiptarizmës do ti humbi shpejtë vlerat e saja.
Faji për gjendjen e rëndë ekonomike dhe kombëtare bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që u qëndrojnë të tjerëve me kobure prapa veshit dhe që koburja do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit një ditë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arben Llallo, maqedoni, NATO, shqiptaret

Kur shteti ateist konvertonte shqiptarët!

May 9, 2014 by dgreca

Shteti ateist jugosllavë bëri konvertimin e shqiptarëve katolik në mysliman (1945-1953) në rrethet e Gjilanit e të Vitisë për t’i shpërngulur në Turqi. Disa shpëtuan nga dëbimi, disa iu shmangën konvertimit. Kështu sot, Zefi e ka djalë xhaxhai Zenunin, Mejremja e ka mbesë Marinë. Shkojnë e vinë në dasma e morte si kushërinj të parë, gjithnjë duke e kujtuar me psherëtima atë kohë që mos u harroftë./
Nga Gani MEHMETAJ/
Kohë më parë u përshkallëzua një polemikë në gazetat shqiptare të Tiranës ku kërkoheshin momentet “pikante” të cilat do ta denonconin Enver Hoxhën mysliman, apo që në emër të myslimanëve bëri gjenocid ndaj Shkodrës e Malësisë katolike. Me të njëjtin mas ia ktheu një polemist tjetër duke u përpjekur të dëshmonte se ishin ortodoksët e katolikët shqiptarë ata që e sollën dhe e konsoliduan murtajën komuniste në Shqipëri, ndërsa nxiten luftën civile ndër shqiptarë. Kjo luftë në media e në politikë ende nuk ka përfunduar. Tek-tuk po përvijohet edhe mos durimi fetar. Njëra palë thuhet se denoncimet po i bënë edhe në mediet e huaja, duke i dhënë ngjyrim sikur ka përflakje të luftës ndërfetare, kurse pala tjetër sikur kjo gjë nuk do të bëhet kurrë falë zemërgjerësisë së shumicës shqiptare myslimane! Pse bëhet kjo ndarje e dëmshme nga intelektualë shqiptarë të qëllimit të mirë, nuk e kam të qartë, sepse nga të huajt a mercenarët shqipfolës që po marrim goditje të vazhdueshme kjo gjë nuk na befason.

Lufta kundër Kishës katolike Shqiptare-në emër të Serbisë

Vrasja në mas e shqiptarëve në veri dhe e shqiptarëve katolikë në veçanti ishte luftë e urdhëruar nga Serbia, ndërsa partizanët e Enver Hoxhës ishin zbatues të këtij krimi. Lufta e partizanëve të Enver Hoxhës dhe e partizanëve serb të ish-Jugosllavisë kundër shqiptarëve katolik ishte po ashtu përpjekje për të përshkallëzuar luftën civile në Shqipëri e Kosovë. Enver Hoxha me partizanët shqipfolës dhe partizanë serbë në Kosovë, bën gjenocid të paparë kundër shqiptarëve katolikë dhe shqiptarëve të tjerë nacionalistë, sepse donin të zhduknin një bërthamë të fuqishme të shqiptarizmit, meqë me shqiptarët e tjerë kishin plane të tjera- shkombëtarizimin e shndërrimin në internacionalistë proletarë, pra pa komb e pa fe (Shqipëri), apo planifikonin t’i shpërngulnin në Turqi, sipas marrëveshjes me Ankaranë(Kosovë e territoret tjera shqiptare në ish-Jugosllavi).
Duke vrarë e burgosur priftërinjtë e kreun e Kishës Katolike Shqiptare ata donin të shkëpusnin lidhjet me Perëndimin, sepse planifikonin që Shqipërinë t’ia bashkonin Jugosllavisë, satelitë i të cilave ishte diktatori Hoxha me kreun e komunistëve shqipfolës, sepse ata shqiptarë nuk mund t’i quash.
Fushata e Enver Hoxhës dhe e Serbisë kundër shqiptarëve në përgjithësi e shqiptarëve katolik në veçanti nisi në mënyrë të koordinuar. Partizanët e Hoxhës vrisnin shkodranë e malësorë në mënyrë të pamëshirshme, partizanët serbë e malazezë vrisnin shqiptarë të Kosovës e territoreve tjera etnike pa dallim feje e krahine. Natyrisht kreun e kishës katolike e zhduken edhe në Kosovë, sepse kjo ishte strategji e serbëve që e sundonin Jugosllavinë- të pengonin frymën e pavarësimit të shqiptarëve, ashtu sikurse që bënin luftë Beogradi edhe kundër Kishës Katolike Kroate e cila ishte shtylla e shtetit kroat.
Serbia kishte urrejtje patologjike ndaj kroatëve katolik, sepse kroatët synonin të shkëputeshin nga Jugosllavia. Serbia e luftonte herë vet, herë më mashën e partizanëve të E. Hoxhës Kishën Katolike Shqiptare, sepse kisha e mbështeste shkëputjen e shqiptarëve nga ish-Jugosllavia, sepse kisha katolike 500 vjet ishte shtylla e kombit, ndërsa e kërkonte diellin atje ku perëndon e jo në Jugosllavi e Rusi.

Kur shqiptarët konvertoheshin që të dëboheshin në Turqi

Krahas vrasjeve në shkallë gjenocidi shqiptarët u dëbuan për më shumë se njëzetë vjet (1945-1967) në Turqi. Procesi pati filluar me herët, por lufta e ndërpreu Ndërkaq, ndaj shqiptarëve katolikë në Kosovë nisi procesi i konvertimit në myslimanë, po ashtu i nisur me 1912. Shteti ateist jugosllav bënte konvertime fetare nga katolik në mysliman, duke u përpjekur të përfundonte një proces që Perandoria turke e kishte nis para 500 vjetësh. Shqiptarët katolik të rretheve të Gjilanit e të Vitisë me fshatrat e Anamoravës e të Karadakut iu nënshtruan dhunës së paparë që të bëheshin myslimanë, ose të iknin kah sytë këmbët. Procesin e konvertimit e udhëhiqnin serbët deri me 1953, kur pati ndërhyrje nga Perëndimi të ndërpritej kjo dhunë barbare. Kështu u krijuan martirë të tjerë si Martirët e Karadakut në kohën e Turqisë.
Shqiptarët katolikë që konvertoheshin në myslimanë shpërndaheshin pastaj në Shkup, Kumanovë, madje deri në Tetovë e fshatrat për rreth në pritje të vizave turke, pjesë e kontingjenteve për shpërngulje në Anadoll. Me t’u kthyer në myslimanë i dëbonin në Turqi. Ndërsa secili syresh duhej të deklarohej që është turk, ndryshe i torturonin e ndiqnin pa mëshirë. Prandaj sot në Maqedoni ka 77 mijë të deklaruar turq, ndërkaq shumica dërmuese janë shqiptarë të bërë turq nga zori i torturave sllave.
Shumë familje të pa konvertuara shqiptare ikën nga sytë këmbët: në Kroaci, Itali apo edhe më larg në SHBA. Ndërkaq, shqiptarët myslimanë i zuri muzgu në Turqi. Më shumë ka shqiptarë në Turqi se sa në Kosovë e territoret etnike shqiptare.
“Tri ditë e tri net i mbajtën një grup kryefamiljarësh nën torturat çnjerëzore në burgun e Gjilanit, që t’i kthenin në fenë e turkut” – me tregonte miku im nga Karadaku këto ditë.
“Ata që s’pranuan, vdiqën nga torturat, ose i lëshuan gjysmë të vdekur. Ata që pranuan fenë e re, i ndanë nga vëllezërit e tyre. Por një pjesë e atyre që nuk u shpërngulen sot jetojnë në fqinjësi, pa harruar se janë vëllezër në shkallë të dytë. Zefi e ka djalë xhaxhai Zenunin, Mejremja e ka mbesë Marinë. Shkojnë e vinë në dasma e morte si kushërinj të parë, gjithnjë duke e kujtuar me psherëtima atë kohë që mos u harroftë kurrë.
Kjo është një pjesë e historisë tragjike të shqiptarëve. Kjo nuk u bë as pse Enver Hoxha ishte mysliman, as pse në Gjilan e Viti i pati barbarë fanatik, por sepse ishin çakej të Serbisë. Ata renegatë me Enver Hoxhën në krye nuk ishin as shqiptarë, as myslimanë, nuk ishin as njerëz, ata ishin kriminelë që i bënë dëme kombit e njerëzimit. Ndërsa do të duhej të ndiqeshin si qentë e çartur.
Prandaj përpjekjet e reja për mos durim fetar prapë urdhërohen nga Beogradi, por herë-herë zbatohen nga mercenarë shqipfolës. Por ne duhet t’u dalim për ballë e të mos biem pre e mos dijes apo e mungesës së taktit intelektual.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, Kur shteti ateist konvertonte, shqiptaret

QINDRA SHQIPTARË PROTESTUAN KUNDËR GJUKANOVICIT PARA SHTËPISË SË BARDHË DHE AMBASADES SË MALIT TË ZI

April 8, 2014 by dgreca

Ashtu sic ishte njoftuar, të Martën, 8 prill 2014, shoqatat shqiptare me origjinë nga Mali i Zi të mbështeyura edhe nga Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”  dhe shoqata të tjera, organizuan një protestë masive para Shtëpisë së Bardhë. Demonstruesit kishin ardhë me autobuze dhe makina nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Micigani, Kënektikat, Bostoni si dhe dega e Vatrës në Washington.

Kjo protestë mori shkas nga vizita e Kryeministrit Malzez Milo Gjukonovic, i cili u takua të martën me zv/presidentin amerikan Joe Biden. Protestuesit ishin nga të gjitha moshat, madje edhe fëmijë. Demosntrusit mbanin ndër duar flamujë Kombëtar Shqiptar dhe Amerikan si dhe shumë pankarta ku denoncohej politika gjenocidale e qeverisë së Kryeministrit Gjukanovic. Në njërën nga parullat i bëhej thirrje presidentit amerikan, Obama që t’i thotë ndal gjenocidit të qeverisë së Malit të Zi kundër shqiptarëve. Tubimin para Shtëpisë së bardhë e ka hapur Xhevat Kukaj, ku përmes një fjalimi të shkurtër ka shpalosur qëllimin e këtij demonstrimi ku morën pjesë qindra shqiptarë.

Më pas Esat Gjonbalaj, ka moderuar protestën dhe u ka dhënë fjalën folësve. Fillimisht e ka marrë fjalën ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Ndër të tjera z. Gjonaj tha para medias së pranishme : “Zemra ime është plot kur shikoj kaq shumë shqiptarë nga të gjitha territoret shqiptare të mbledhur bashkë, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Çamëria, për të diskutuar çështjet e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ndjej veçse gëzim. Ky bashkim në vetvete dërgon një mesazh të fortë jo vetëm për qeverinë e Malit të Zi por për të gjithë udhëheqësit shqiptarë, se ne jemi ketu per ata, se do te jemi zëri për gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe në të gjitha territoret shqiptare.”

Nënkryetari i Vatrës, Asllan Bushati ka mbajtë një fjalim në përkrahje të kërkesave të protestuesëve për të drejtat e bashkadhetarëve tanë në Mal të Zi. Më pas ka folë edhe Emin Egriu që synon një vend në Kongresin amerikan. Ka fole edhe Nikolle Camaj, I ardhur psoacerisht nga Malesia. Protesta ka vijuar me folës të tjerë.

Protestussit kanë lënë Shtëpinë e Bardhë pas një ore protestë dhe janë drejtuar drejt Ambasadës së Malit të Zi në Washington, duke  marshuar për rreth 20 minuta deri atje. Rrugët e Washingtonit skuqnin nga flamujtë Kombëtar Shqiptare dhe amerikane. Edhe tek Ambasada Malazeze ka vijuar për më shumë se një orë demonstrimi, ku folës të shumtë kanë denoncuar politikën antishqiptare të Gjukanovicit, që ua mohon shqiptarëve të drejtat më elementare. Një peticion me kërkesat për të drejtat e Shqiptarëve në Mal të Zi u dorëzua në ambasadë, ndërsa një përfaqësi me në krye ansamblesitin Mark Gjonaj u takuan me kongresistin Eliot Engel dhe kongresisitë të tjerë për t’i bërë të njohur kërkesat e demonstruesëve.

Në demonstratë morën pjesë një grup vatranësh: Asllan Bushati me zonjën dhe vajzën, Marjan Cubi, Ramiz Mujaj, Mëhill Gjuraj, Ibrahim Kolari, Mëhill Velaj, Uka Gjonbalaj, Dalip Greca, Merita B McCormack, Edward Bucaj, Vasel Ujkaj e të tjerë.

 

FJALA E ZV/KRYETARIT TË VATRËS, Z.ASLLAN BUSHATI NË DEMONSTRATË

 

Te nderuar bashkeatdhetar,

Ne emer te Federates Pan-Shqiptaro-Amerikane Vatra, te Kryetarit te saj Dr. Gjon Bucaj, te forumeve drejtuese dhe te cdo vatrani ju pershendes per pjesemarrjen ne kete tubim demostrues shume te rendesishem. Vatranet kane qene e do te jene te pranishem kudo e kurdohere qe i therrasin problemet e medha te Kombit Shqipetar.

Per nje qellim madhor jemi mbledhur edhe sot ketu para Shtepise se Bardhe, shtepise se lirise e demokracise, shtepise sone amerikane nga ku rrezatohet drite e shprese jo vetem per ne shqiptaro amerikanet, por per gjithe njerezit perparimtare e liridashes te botes. Jemi mbjedhur per ti thene Milo Gjukanovicit te Mali te Zi (MZ), se para disa vitesh nuk do te shkeputeshe kurre nga Serbia pa deshiren e amerikaneve dhe vullnetin e voten e shqipetareve.

Po ashtu jemi mbledhur nga te gjitha anet e Sh.B.A-se, per t’ja kujtuar edhe nje here atij se vllezerve e motrave tona ne trojet e tyre mijera vjecare  ne M.Z. u kerkove  ndihem per mevetesine  e MZ  dhe ata  ndihmen ta dhame. Ju kerkove paqe e bashkejetese harmonike dhe ata ti dhane.Ju  kerkove ndihmese per ngritjen e funksionimin e strukturave te shtetit ne te gjithe piramiden e vet dhe ata  ti dhane. Ju  kerkove tatime e taksa dhe ata  i paguan. Pra me nje fjale cfare kerkove nga njerezit tane njekohesisht dhe shtetas te M.Z. ata  ti dhane. Por medalja ka dy ane Gjukanovic. Le ta shohim dhe anen tuaj.

U premtove  njerezve tane  liri e demokraci, respektimin e  lirive e te  drejtave  universale, njerezore  e  kombetare, u  premtove  pune e progres ekonomik dhe proporcionalitet ne  vendim marrje e qeverisje ne te gjitha sferat e jetes  se tyre. Por cfare ndodhi realisht me premtimet tuaja Gjukanovic? Koha tregon se Ju  bete te kunderten e atyre qe premtuat. Ju ndaluat perdorimin e simboleve  kombetare shqipetare sipas tradites sone ne dasma, gezime, festa  e ceremoni  te vecanta. Ju i derguat shqipetaret prapa dyerve te hekurta te burgjeve vecse ata  perdoruan flamurin e tyre kuq e zi. Ju tjetersuat ngjarje e fakte madhore te histories se Kombit Shqipetar, sepse ato hedhin drite  mbi ngjarjet ne rajon e me gjere dhe se ndriconin kontributet e asaje pjese te Kombit Shqipetar  qe fatkeqesisht jeton sot nen regjimin tuaj totalitar ne M.Z. Ju  nuk i lejoni  nxenesit  shqipetar  qe me plan programe  te mesojne gjuhen dhe historine e kombit te tyre sepse  keni  frike nga e verteta dhe e ardhmja me shqipetaret. Ju nuk  pranuat drejtshkrimin e emrave shqip ne dokumentat zyrtare ne qofte se ato nuk kane shtesen “vic” nga prapa. Ju tjetersuat emra krahinash, lagjesh, shkollash, objektesh etno kulturore e fetare etj. Po kujtojme ketu vetem nje fakt te thjeshte: Gjergj Balsha eshte nje prijes i madh shqipetar bashke kohes i Skenderbeut. Emri i tij i eshte vene nje kishe kotolike ne M.Z. qe pra me shume se kater shekujsh. Tashme kjo kishe eshte adoptuar ne ortodokese dhe Gjergj Balsha ne Xhorxh Balshovic.

Ne raporte me te  drejten e punes  ju i diskriminuat njerezit tane ne punedheni e punemarrje, ju bete e vazhdoni te beni diskriminime ekonomike ne fushen e shperndarjes dhe te ardhurave financiare. Ju i  konsideroni pronat e shqipetareve si mall pa zot duke u dhene serbve e malazeseve  per troje e biznes hapsira te pafundeta ne bregdet, zonat kodrinore, pyje, kullota, kojrie etj. Dhe nga ana tjeter kujtojme ketu se Tuzi megjithese ka permasat hapesinore, popullsine dhe gjeneralitetet e tjera per te qene Komune e pavarur ju prej shume vitesh ja keni mohuar kete te drejte vetem e vetem se eshte hapesire Shqiptare.

Keto e shume e shume te tjera si keto, tregojne se Gjukanovici jo vetem nuk ka bere asnje hap perpara ne drejtim te lirive e te drejtave njerezore e kombetare te shqiperareve ne M.Z. por  me totalitarizmin e seres se tij, ja ka kaluar edhe regjimit komunist.

Nisur nga sa me siper, ne i bejme thirrje Gjukanovicit, por ne te njejten kohe dhe Shtepise se Bardhe (per dijeni) se: ne qofte se M.Z. e do paqen e bashkejetesen normale me shqipetaret ne trojet e tyre mijra vjecare ,atehere autoritetet ne M.Z. ne cdo segment  te  respektojne  te drejtat dhe lirite themelore te njeriut, kushtetuten dhe ligjet e vendit te tyre, proporcionalitetin ne qeverisje, fonde, buxhet, ushtri, polici, shendetesi, arsim, drejtesi e kudo. Mos te luajne me dinjitetin, zakonet, traditat, fene e institucionet e saj, me tokat, pyjet, kullotat, vendet e shenjta e turistike, bregdetin e pasurite materjale e shpirterore te shqipetareve. Mos ti fryne zjarrit  nacionalizmave malazeso-serb ne dem te interesave te shqipetareve dhe mos bejne trysni politike deskriminues e mafioziste per asimilimin e shqipetareve. Kjo per ne eshte vija e kuqe dhe ne se Milo Gjukanovici dhe segmentet e tij nuk ndalen ne rrugen e tyre  ne shkeljet e te drejtave njerezore e kombetare te  shqipetareve, ne u themi se keni kaluar vijen e kuqe pertej se ciles eshte fushe e minuar. E ne se doni te  beni  ndonje marrezi  duke  shetitur  ne fushe te minuar, ato pelcasin dhe per kete se kane fajin shqipetaret. Fajin kerkojeni tek vetja dhe tek askush tjeter.

Vllezer e motra shqipetar ne  Sh.B.A e kudo qe te jeni, ne emer te Federates Pan-Shqiptare Vatra, ju bej thirrje te bashkohemi ne mendim e veprim per mbrojtjen e te drejtave te shqipetareve ne M.Z. Ju bej thirrje qe kapitalet tuaja ti investoni ne trojet  tona duke hapur vende pune e duke i prere rrugen keshtu emigracionit kesaj plage te madhe te hapur. Pas kesaj me Milon e Gjukanovicit e shoket e tij ne se nuk kthejne rruge, do te kemi pune te tjera.

(Në Diellin e printuar do të japim më shumë informacion rreth demonstratës)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ambasades Malzeze ne Washington, para Shtepise se Bardhe, proteste, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT