• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët, njëqind vjet pas Konferencës së Parisit

October 30, 2018 by dgreca

Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

xh ibrahimi

Shkruan: XHYLIJE IBRAHIMI/*

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Rreth njëqind vjet më parë, në janar të vitit 1919, ndizet një dritë e gjelbër në fund të tunelit për këtë popull të lashtë por të përvuajtur, të ndarë e të copëtuar.

Në Paris, më 1919 ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha. Në mesin e tyre ishte edhe presidenti amerikan Uilson, kryeministri i Britanisë, Francës, Italisë dhe të tjerë. Kishte më shumë se tridhjetë vende që kishin dërguar delegacionet e tyre.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Amerikanët ishin kundër kësaj teorie. Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, vinte në dukje se zgjidhja e këtyre çështjeve i përket drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve. Shotvelli ishte i mendimit se çështja shqiptare, është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.

Parisi, vend i vijëzimit të kufijve të rinj në Evropë  

Në Konferencën e Paqes (1919), gjashtë muajt e parë të saj u morën vendime kyçe nga paqebërësit, pas një lufte të përgjakshme, e cila mori shumë viktima, luftë kjo që kishte filluar për pushtet në Ballkan dhe e cila kishte mbërthyer të gjitha fuqitë e mëdha, prej Rusisë cariste, në lindje e deri te Britania, në perëndim. Vetëm Spanja, Zvicra, Holanda dhe vendet skandinave kishin arritur të mos përfshiheshin në këtë luftë. Lufta jo vetëm që shkaktoi humbjen e njerëzve, por shkaktoi edhe humbjen e pasurive, shkatërrimin e industrisë, shkencës dhe teknologjisë, por edhe solli kufij të rinj në qendër të Evropës dhe përmes Lindjes së Mesme.

Pikëpamja e Uilsonit ishte e qartë. Arritja a paqes ishte po aq e rëndësishme, sa edhe fitimi i luftës. Këtë ua kishte borxh popujve të Evropës që thërrisnin për një botë më të mirë. Këtë ua kishte borxh ushtarakëve amerikanë. “Tani është detyra ime të kryej rolin që më takon në përmbushjen e plotë të asaj për të cilën ata derdhën gjakun e tyre”, kishte deklaruar Uilsoni para Kongresit, para se të nisej për në Paris.

Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë.

Pretendimet e fqinjëve të Shqipërisë ndaj saj dhe territorit të saj kishin filluar shumë më herët, andaj edhe gjatë punës së konferencës, çështja shqiptare vihej në diskutim ngushtë e lidhur me çështjen e grekëve, italianëve e po ashtu edhe me çështjen serbe. Delegacioni shqiptar, që në fillim të Konferencës së Paqes në Paris hasi në vështirësi dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në listën e miqve të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe dy njerëzit më të ndritur të Amerikës dhe të botës, presidenti Uillson dhe ish-presidenti Rusvelt. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. Po ashtu, ish-presidenti Rusvelt dukej se ishte jashtëzakonisht i informuar për Shqipërinë.

Një shekull nëpër rreziqe

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. Me këtë shtyrje u mundësua që kjo çështje t`i paraqitet Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në momentin kur Shqipëria tashmë ishte bërë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve dhe rrethanat ndërkombëtare ofruan zgjidhje dhe perspektivë tjetër për Shqipëri.

U desh shumë punë e mund nga shqiptarët, por edhe nga individë, diplomatë amerikanë e diplomatë të tjerë, misionarë të ndryshëm, që ishin duke shërbyer në shtete fqinje të Shqipërisë, të cilët me shkrimet e raportet e tyre bënë që Amerika të shtrijë dorën e ndihmës edhe për popullin shqiptar, në këtë vend të vogël të Ballkanit

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

Forcimi i shqiptarëve në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë, nuk po mirëpritet nga disa shtete fqinje, sidomos nga Serbia dhe aleatët e saj. Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar këtë sfidë, në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

………………………………

*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare) 

Filed Under: Analiza Tagged With: njëqind vjet, pas Konferencës, së Parisit, shqiptaret, Xhylije Ibrahimi

Shqiptarët dhe Qendra Wilson

September 29, 2018 by dgreca

50-VJETORI I QENDRËS WILSON NË WASHINGTON/

Nga Frank Shkreli/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson/

1 woodrow_wilsonMuaji shtator i këtij viti shënoi 50-vjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve Woodrow Wilson në Washington, që njëkohësisht, duke u bazuar në një akt të Kongresit amerikan, kjo qendër shërben gjithashtu edhe si një memorial, kushtuar Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit.  Është pra një qendër studimore ndër më të njohurat në Amerikë, por që nuk anon politikisht nga ndonjë parti politike ose ideologji dhe si një qendër akademike, gëzon një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, për paanësi, objektivitet dhe si një forum i hapët për debate të hapura politike mbi çështje botërore dhe të mbrendshme.  Studimet, idetë dhe hulumtimet e Qendrës Wilson i shpërndahen Kongresit, administratës dhe komunitetit më të gjërë politik, diplomatik dhe akademik.  Për më tepër, nepërmjet shpërnadarjes së materialeve dhe studimeve në internet, përfshirë mediet shoqërore, materialin dhe studimet e prodhuara nga Qendra Wilson, tani mund t’i lexojnë qindra mijëra të interesuar, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe qeveritarët dhe vendimarrësit e të gjitha niveleve, kudo në botë.  Pasi 50-vjetë më parë, Kongresi e ka krijuar si një memorial kushtuar Presidentit Woodrow Wilson, Qendra siguron një të tretën e buxhetit nga Kongresi amerikan, ndërsa për pjesën tjetër të financimit të kësaj qendre, ajo varet nga ndihmat e publikut dhe të donatorëve, përfshirë fonadacione, korporata dhe individë të ndryshëm, që besojnë në misionin kritik dhe në kontributin e të kësaj qendre studimore.

Qendra Wilson konsiderohet, në përgjithësi, si një memorial kombëtar i gjallë, kushtuar Presidentit Wilson, vepra e të cilit për të ndërtuar një urë midis botës akademike dhe politikës, në interes të publikut, ndërkohë që vizioni i tij, për një bashkpunim më të madh ndërkombëtar, vazhdon të frymëzojë edhe sot njerëzit, kudo.  Në kaudër të 50-vjetorit të themelimit, të martën që vjen, Qendra Wilson do të zhvillojë një debat prej një dite, me eskspertë të njohur amerikanë dhe të huaj, mbi influencën e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare që i atribohet Presidentit Wilson, si dhe mbi trashëgiminë e tij, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë historisë e madje edhe në ditët e sotëme.  Ndër subjektet që do të diskutohen nga ekspertë të njohur në fushat e tyre të ekspertizës, është edhe pyetja nëse — vizioni i rendit botëror të promovuar nga Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar — është ende i zbatueshëm edhe sot, përballë ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në sistemin dhe në rendin politik ndërkombëtar.  Dhe nëse Amerika dhe bota kanë mësuar gjë, jo vetëm nga sukseset, por edhe nga dështimet e tija si president, qoftë në politikën e brendshme, qoftë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të ish-Presidentit Woodrow Wilson.

Dy javë më parë, Qendra Wilson në Washington shënoi 50-vjetorin e themelimit të saj me një darkë me miqë e dashamirës të ftuar të Qendrës duke nderuar me këtë rast ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Dr. Henry Kissinger-in, Senatorin republikan Roy Blunt dhe Kongresmenin demokrat Steny Hoyer.  Dr-it. Henry Kissinger iu dorëzua dekorata, “Fryma e Wilsonit”, e krijuar posçërisht për t’iu dhënë personit i cili personifikon më së miri besimin e Presidentit Wilson se, “Ka shumë zëra që japin këshilla, por ekzistojnë shumë pak zëra që përçojnë vizion.”  Sipas shefes së Qendrës Wilson, Jane Harman, ish-shefi i diplomacisë amerikane e meriton këtë dekoratë, pasi, “Henri Kissinger është i vetmi person, këshillat e të cilit janë kërkuar dhe kërkohen nga çdo president i Shteteve të Bashkuara, nga çdo president i Kinës dhe nga shumë udhëheqës të ndryshëm anë e mbanë botës”, u shpreh ajo.

        SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË QENDRËN WILSON

Është vështirë të gjëndet ndonjë subjekt, çështje, krizë botërore ose rajonale që të mos jetë diskutuar gjatë dekadave në këtë qendër studimore, qoftë nga ekspertë vendas ose ndërkombëtarë, të ardhur nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë paraqitur studimet ose kanë ndarë mendimet dhe ekspertizën e tyre me kolegët e tyre amerikanë për çështje të ndryshme të rajoneve nga vijnë.  Zëri i Amerikës gjatë dekadave ka mbuluar shumë debate dhe ka marrë shumë intervista nga eskpertë amerikanë dhe të huaj, të cilët kanë ndarë me dëgjuesit mendimet e tyre, emrat e disa prej të cilëve mund të jenë gjithnjë të njohur për dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt të Zërit të Amerikës.

Shqiptarët kanë qenë me fat gjatë viteve sepse Qendra Wilson ka treguar një interesim të posaçëm për fatin e Shqipërisë nën komunizëm, për Kosovën nën pushtimin serb dhe për tëdrejtat e shqiptarëve në përgjithësi.  Për këtë ndoshta nuk është për tu çuditur kur të merret parasyshë roli që ka luajtur Presidenti Wilson në fillim shekullin e kaluar, për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, nga fqinjtë grabitqarë.

Gjatë viteve, Qendra Wilson ka mbajtur me dyzina debate e diskutime akademike edhe me ekspertë me origjinë shqiptare por edhe me specialistë të huaj dhe amerikanë që janë marrë me punët e shqiptarëve.   Një ndër të parët i ftuar nga Qendra Wilson ka qenë Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtor i VOA-s për Euroazinë, i cili kryesisht ka folur aty për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, duke ofruar pikëpamjet e tija mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, bazuar në mire-informimin e tij si gazetar dhe si akademik.  Ndërsa ndër folësit më të fundit shqiptaro-amerikanë, ishte ftuar njëri prej profesorëve të rinjë shqiptar në Amerikë, Dr. Elidor Mëhilli, Profesor i Historisë në universitetin Hunter, në Nju Jork, i cili ka paraqitur librin e tij me titull, “Nga Stalini te Mao: Shqipëria Socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit”.  Temat e mbuluara nga këta dhe ekspertë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Qendrën Wilson, kanë përfshirë kryesisht çështjet shqiptare në përgjithësi, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta, pa lenë jashtë as problemet dhe politikat rajonale të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë prekur dhe prekin gjithnjë interesat e shqiptarëve.  Nga ekspertët e huaj aty ndër të parët që kanë folur për Shqipërinë dhe për Kosovën ka qenë Xhorxh Hoffman, specialistë si Janush Bugajski, Misha Gleni e James Petiffer, pa dashur të përmend edhe të tjerë, si Ross Johnson, Dejvid Binder e shumë të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit, si Rosemary DiCarlo, si dhe përfaqsues të dikasterve të tjera  të qeverisë dhe Kongresit amerikan dhe shumë të tjerë, sidomos gjatë krizës në Kosovë në dekadën e1990-ve.  Përveç politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ndërkombëtare, në Qendrën Wilson janë ftuar për të folur edhe eskpertë të tjerë, për të diskutuar mbi çështje madje edhe kulturore dhe letrare të shqiptarëve, siç ishte rasti iJohn Cox, profesor i historisë në Universitetin Jezuit Wheeling të Virxhinias Perëndimore, i cili ka shkruar edhe një libër për evoluimin e veprës së Ismail Kadaresë, në kontekstin historik.

Fan Noli ka shënuar se në takimin e tij me Presidentin Woodrow Wilson, para se të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, ai i ka kërkuar Wilsonit të shpëtonte Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm i tokave shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris.  Wilsoni, ka shkruar Noli, e kishte siguruar atë se “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Qendra e cila mban emrin e këtij mbrojtësi të madh të trojeve shqiptare — ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson – në traditën më të mire wilsoniane, vazhdon edhe sot, 50-vjet pas themelimit të saj, të ftojë dhe të dëgjojë gjithnjë ata ekspertë shqiptarë dhe të huaj — ashtu siç është shprehur edhe vet Wilsoni – zërat e të cilëve përçojnë vision, për të ardhmen e Kombit shqiptar.

Qendra Wilson qendron sot, në këtë 50-vjetor të themelimit të saj, si një memorial dhe një simbol i sukseseve të Presidentit Woodrow Wilson, në fushën e politikës së jashtme, të një idealisti i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla, përfshirë Shqipërinë.  14 pikat e tija të famshme për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e popujve, vizion ky që më në fund ka çuar në krijimin e Lidhjes së Kombeve — para-ardhëse e Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat ai ishte dekoruar me Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 1920.

Në këtë 50-vjetor të themelimit të Qëndrës së Studimeve Wilson në Washington, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri vizionar i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke kontribuar — secili prej nesh, siç ka porositur edhe Fan Noli — “Sadopak për kauzën njerëzore dhe për qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 Vjetori i qendres, dhe Qendra Wilson, Frank shkreli, shqiptaret

Ali Ahmeti,thuaje një fjalë Për Shqiptarët !

August 14, 2018 by dgreca

Këtu e ngjeti/
Ali Ahmeti,thuaje një fjalë për popullin shqiptar në Maqedoni dhe Referendumi…?!?/
Ka filluar loja për ,,kujtesën historike,,për 17 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit,që e ndali konfliktin shqiptar në hapësirën etnike për të drejtat e tyre kombëtare.Foli gjerë e gjatë kryeministri maqedonas Zaev dhe njeriu i kryevendit të shqiptarëve (Ali Ahmeti-BDI).
(A)li (A)hmeti foli për shtatorin dhe Referendumin që,sipas tij do të sjellë paqe dhe përspektivë për shtetin e Maqedonisë deri në anëtarsim në BE dhe NATO.
Këtu e ngjeti,njeriu i parë i kryevendit shqiptar,nuk e tha asnjë fjalë dhe asnjë fjalë për popullin shqiptar si popull i dytë shumicë kombëtare(përtej 40%)që edhe më tej me ligjet kushtetuese këtë e tha vetë kryeministri maqesionas Zaev(pakica shqiptare)për njëfarë ,,ardhmërie,,të dyshimtë dhe pa asnjë përspektivë.
Referendumi i 30 shtatorit nuk e zgjidh çështjen shqiptare dhe as që është në frymën kushtetuese të këtij referendumi,por kësaj radhe vetëm për Rferendumin për emrin Maqedonia Veriore.
Zaev e tha me gojën plotë se Referendumi dhe zgidhje e kontestit me shtetitn grek rreth emrit,për ne popullin maqedonas po zgjidhet njëherë e mirë ,,identetiteti kombëtar..(sic!)pa popullin etnik shqiptar në këto hapësira(sic!).
Këtu e ngjeti,populli shqiptar përsëri nën hijen e diplomacisë dhe e mbyllur fortë në kapërtinat e Kushtetutës së Maqedonisë(vetëm)si pakicë kombëtare e hiq më shumë dhe jo shtetformues(sic!).
Këtu e ngjeti,po vazhdon avazi i vjetër për popullin shqiptar në Maqedoni!
Çikago,13 gusht 2018

Filed Under: Komente Tagged With: Ali Ahmeti, Referendumi, shqiptaret, Skender Karacica

Kur shqiptarët lejoheshin të studionin në shkollat ushtarake të Greqisë

August 9, 2018 by dgreca

Dekreti i mbretit të Greqisë që lejonte shqiptarët të studionin në shkollat ushtarake të Greqisë/

2Kuvendi Greqi

Ne Foto: Kuvendi i Greqise/

Nga  Arben Llalla/

Në gazetën e qeverisë së mbretërisë së Greqisë të 29 gushtit 1886 ishte botuar dekreti i cili lejonte studentët të cilët kishin njërin nga prindërit të kombësisë greke apo shqiptare, që jetonin jashtë mbretërisë së Greqisë për t’u regjistruar në shkollat ushtarake të Greqisë.

Siç shihet dekreti ishte nënshkruar nga kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Harrilla Trikupi i cili ishte arvanitas dhe e fliste gjuhën shqipe. Nuk dihet përse ky Ligj lejonte çdo studentët për të studiuar në shkollat ushtarake të Greqisë nëse njeri nga prindërit kishte kombësi shqiptare dhe pa qenë shtetas i mbretërisë së Greqisë. Por bëhet fjalë për periudhën e propagandës ku flitej për një federatë greko-shqiptare.

Në këtë pikturë duket në këmbë kryeministri Harrilla Trikupi, në krahun e tij të majtë me veshje kombëtare është Çelo Picari, ndërsa nga krahu i djathtë me veshje kombëtare shqiptare është Joani Theodhor Kolokotroni i cili ka qenë kryeministër i Greqisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: arben llalla, Dekreti i Greqise, shqiptaret

Miku është i shejtë….

July 4, 2018 by dgreca

Miku është i shejtë për shqiptarët dhe Amerika do të jetë përgjithmonë e tillë/ 
Nga Jahja LLUKA/
Sa herë flasim për Amerikën, ne shqiptarët kemi emocion të veçantë i cili me kalimin e kohës sa vjen e forcohet. Ndoshta nga fakti që ne si komb jemi s’provuar shumë duke qenë në armiqësi të përhershme me fqinjët tanë në Ballkan, dikur ka qenë e pamundur të mendohet se do arrinim aleance dhe miqësi me një komb të madh si ai amerikan. Por në çaste kritike për kombin tonë, politika amerikane ka qenë shpëtim për ne. Ndërkaq me 1999′ veç politikës dhe populli amerikan tregoi gatishmëri në raport me shqiptarët të cilët nga vuajtja dhunshëm kishin marrë rrugën e pakthim. Sot në 242 vjetorin e Pavarësisë, dua të shprehë falenderimin tim,ndaj SHBA-ve, sepse po të mos kishim përkrahjen e tyre do ishte i pamundur shtet-formimi i Kosovës, vuajten tonë dhe saktificën të cilen e dhamë për liri, Amerika e çmoi, duke na hapur derën në çastin më kritik në historinë tonë më të re. Andaj tani e jona është që të ndjekim rrugën tonë duke marrë shembull demokracinë amerikane dhe shtet-ndërtimin. Miku ka qenë dhe është i shejtë për shqiptarët dhe Amerika do të jetë përhere e tillë. Uroj që në rrugëtimin tonë si kombe dhe shtete të lira, do arrijmë ti përmbushim objektivat tona. 4 Korriku është festë dhe e kombit shqiptarë.

Filed Under: Komente Tagged With: amerika, Jahja Llula, miqesia, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 27
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT