• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RREZIK PËR MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE?!

April 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria, e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënje të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara.  Dhe për çka?  Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova.   Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar, jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”.  Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe  asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.  Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump.  Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.

       Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar dhe njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri?  A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme?  Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria?  Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre, për të ardhmen e marrëdhënieve të vendit me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi të drejtave të shqiptarëve.

    Për ndryshe pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama? Është e pabesueshme që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh. Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, nuk më kujtohet që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratë e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.

Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur.  Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të një kryeministri, si masë të parë dhe ndër të tjera, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është  kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera.   Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake. 

Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë të përzihej drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij si dhe e gjithë neve.  Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër?  Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?

     Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti, as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar.  Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike për interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë.  

Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë.   Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre.  Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës.   Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar. Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër që ka mbajtur komuniteti midis republikanëve dhe demokratëve.   Përballë deklaratës së tij, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë Edi Rama i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë? A po ndoshta preferon një parti kundrejtë një tjetre. Gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare.  Është kjo në përçarje që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla nga një udhëheqës shteti.

Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si individ ose si udhëheqës i një qeverie, kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia.  Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim si të Edi Ramës, nga ndonjë udhëheqës tjetër botëror megjith kritikat e shumta që të jetë shprehur ashtu siç u shpreh në Prishtinë Kryeministri shqiptar I cili u shpreh se fitorja e një kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, në këtë rast Donald Trump, do të sillte pasoja të këqia dhe prishjen e marrëdhënieve.  Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar  më ashpër se askush duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal. Madje as ata nuk kanë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.

Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga më të mirët udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë.  Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet.  Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën, por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe pozitive.   Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk kritikoi Trumpin as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Trump.  Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.

Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm.  Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë.  Uroj gjithashtu që në fund të vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe që  kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve, nuk do të ketë kurrfarë pasojash për marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme, për të kundërtën, në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, PËR MARRËDHËNIET, RREZIK, shqiptaro-amerikane

Roli i diasporës në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

March 30, 2016 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Muaji mars i këtij viti shënoi 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë aq të vjetëra, sa është edhe diaspora shqiptare në Amerikë. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e Fan Nolit dhe Faik Konicës, atëherë kur diaspora shqiptare në këtë vend, megjithëse e vogël në krahasim me komunitetin e tanishëm shqiptaro-amerikan anë e mbanë Amerikës, mundi të siguronte nëpërmjet Presidentit Woodrow Wilson, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e ri shqiptar. Atëherë, si edhe një gjysëm shekulli më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri — diaspora shqiptare në Amerikë edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.

Njëzet e pesë vjetë më parë, në ceremoninë historike të nënshkrimit të Memorandumit për Rivendosjen e Marrëdhënjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në mars vitit 1991, nënshkruesi i këtij memorandumi nga pala amerikane, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Punët Europiane, Raymond Seitz, ka njohur publikisht rolin e diasporës së vjetër shqiptare në Amerikë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, duke theksuar se megjithëse kishte kaluar një gjysëm shekulli ç’prej kohës kur Enver Hoxha prishi marrëdhënjet me Amerikën, “Këto marrëdhënje mdis dy kombeve nuk u harruan kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare….”

Mesin e këtij muaji u shënua në mënyrë modeste 25 vjetori i rivendosjes së këtyre marrëdhënjeve ndër të tjera edhe me një pritje që organizoi me këtë rast Ambasada e Shqipërisë në Washington, ku sipas lajmeve ishin të ftuar amerikanë dhe shqiptarë, ndonëse shqiptaro-amerikanët, me përjashtim të disa gazetarve përfshirë ata të VOA-s shqip, sipas një pjesëmarrësi mund të numëroheshin me gishtat e një dore. Megjithëse siç duket, me qëllim ose pa qëllim në një përkujtim të tillë u injorua diaspora shqiptare, sidomos ajo e vjetëra që jeton jashtë Washingtonit, Ambasadores së Shqipërisë në Washington, Floreta Luli-Faber duhet t’i jepet kredia që në këtë përkujtim ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike opozitare të Shqipërisë, Lulzim Basha me delegacionin e tij, që ndodhej në Washington për një vizitë pune dhe për të shënuar përvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 25 vjetë më parë në Washington. Ky zhvillim duhet të përshëndetet si fillimi i një epoke të re në veprimtarinë e ambasadës shqiptare në Washington, sepse nuk ishte gjithmonë kështu. Është ky një gjest tepër pozitiv i ambasadores Faber duke marrë parasyshë se si trajtoheshin, nga të dy palët, përfaqsues të opozitës kur vizitonin Washingtonin, megjithëse në botën që jetojmë, një gjë e tillë është krejt normale në rrethanat si kjo. Mbaj mend se gjatë 25-viteve të kaluara, ambasadën e Shqipërisë në Washington (kur ishte e hapur), varësisht se cila parti ishte në pushtet, nuk e vizitonin zyrtarët e partisë në opozitë, duke lënë përshtypjen ndër amerikanët dhe në radhët e shqiptarëve, se ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin e botës, përfaqësonte vetëm partinë në pushtet dhe jo të gjithë shqiptarët. S’do mend se ambasada e cilit do vend kudo duhet t’i ketë dyert e hapura për të gjithë shtetasit e vet taksapagues, pa marrë parasysh pikëpamjet politike të njërës ose tjetrës palë, ose cilës parti politike i përkasin ata. Grindjet politike të Tiranës ç’vendoseshin në Washington për afatin e vizitave të zyrtarëve të lartë shqiptarë në kryeqytetin amerikan. Shpresohet që ky gjest të përjetësohet jo vetëm nga ambasada shqiptare në Washington por edhe nga të gjitha ambasadat shqiptare me përfaqësi në kryeqytete të tjera të botës. Mbi të gjitha, kjo duhet të jetë politikë e përhershme e urdhëruar nga Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë dhe jo të lihet në dorë të ambasadorëve të ndryshëm.

Në këtë frymë pranimi e tolerance, do të ishte mirë që edhe diaspora shqiptare të trajtohej dhe të pranohet në një frymë bashkëpunimi. E vërteta është se angazhimi i diasporës duhet të trajtohet si diçka jo vetëm në interesin e vet ambasadës por edhe në interesin afat gjatë të Shqipërisë. Ambasada dhe Shqipëria kanë më shumë nevojë për diasporën, për këtë diasporë — të vjetër e të re — e cila si individë dhe si komunitet, historikisht dhe në periudha të ndryshme gjatë një shekulli dhe jo vetëm në 25-vitet e fundit, ka mbajtur lidhje të forta me Washingtonin zyrtar dhe me përfaqësues të dy partive kryesore në Kongres, gjithmonë duke punuar në interesin e bashkatdhetarëve të vet kudo në trojet etnike, sidomos në periudha të vështira për kombin shqiptar.

Kohët e fundit udhëheqsi i opozitës Lulzim Basha vizitoi Shtetet e Bashkuara, ku zhvilloi takime me zyrtarë amerikan në Washington, ndërsa zhvilloi edhe vizita me komunitetin shqiptaro-amerikan në New York. Lajmet njoftojnë se edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka në agjendë një vizitë muajin që vjen në Washington. Mbetet për tu parë angazhimi i Kryeminstrit shqiptar gjatë vizitës së tij në Amerikë me diasporën e vjetër dhe të re. Në lidhje me këtë subjekt, Kryeministri shqiptar kishte premtuar gjithashtu, vitin që kaloi, se në fillim të këtij viti, një përpjekje për të angazhuar më shumë diasporën, ai kishte njoftuar se do të organizonte një konferencë për diasporën në Tiranë. Nismë e mirë si fillesë por të pakën publikisht nuk vihen re shënja të ndonjë organizimi të tillë ndonëse po fillon muaji i katërt i këtij viti.

Në të vërtetë, fund vitin e kaluar Departmenti Amerikan i Shtetit – në kuadër të veprimtarive të javës së diasporave anë e mbanë botës — kishte organizuar një konferencë kushtuar rolit të diasporës në politikën e jashtme amerikane dhe në diplomaci si dhe ndikimit të diasporës në zhvillimet botërore. Në atë konferencë ka marrë pjesë edhe Kryediplomati amerikan John Kerry i cili vlerësoi veprimtarinë e diasporave në këtë vend duke u shprehur se ishte tepër krenarë për rolin që luan diaspora në Shtetet e Bashkuara dhe theksoi zhvillimin e partneritetit publik dhe privat në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane. Ai vlerësoi rolin e diasporave të ndryshme në Amerikë, duke thënë se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.” Në të vërtetë, angazhimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në mbështetje të interesave të shqiptarëve kudo gjatë 100-viteve të shkuara, mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Kryediplomati amerikan, fund vitin e kaluar në konferencën e Washingtonit kushtuar rolit të diasporave në përpilimin e politikës së jashtme amerikane.

Është ky një rol që — pa marrë parasyshë se e vlerëson përpiluesi kryesor i politikës së jashtme amerikane tani — duhet të vlerësohet edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare dhe jo vetëm me rastin e 25-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pasi ky angazhim i diasporës shqiptare në Amerikë, siç dihet ka një histori më të gjatë dhe të suksesshme. Ka ardhur koha që diaspora shqiptare, e re dhe e vjetër, të mos konsiderohet më si një realitet kundërshtarësh të përherëshëm, si një luftë që vazhdon midis “nesh dhe atyre” për më shumë se 50-vjetë. Kombi shqiptar, nepërmjet përfaqsuesve zyrtar në Tiranë dhe në Prishtinë, ka nevojë të angazhojë më shumë diasporën pa dallim, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet mike të shqiptarëve kudo, por sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu u shpreh me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhdënjeve shqiptaro-amerikane se shpresa është rinia e lindur gjatë 25-viteve të kaluara, duke thënë se, “Për mua Shqipëria është me të rinjtë e jashtëzakonshëm të saj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur gjatë këtyre 25 viteve. Më e mira nuk ka ardhur ende në marrëdhënien tonë. Ne qëndrojmë së bashku me krenari. Ky është vetëm fillimi”, është shprehur ambasadori Lu.
Nuk është aspak vonë as për këtë gjeneratë politikanësh që t’i njohë vlerat, veprimtarinë dhe pasurinë që përmban diaspora. Nuk ka asnjë arsye që të presim një brez tjetër shqiptarësh me qëllim që të njihet kontributi i diasporës së vjetër dhe të re në Shtetet e Bashkuara dhe që njëkohsisht të ndërmirren masa zyrtare për angazhimin e tyre të mëtejshëm edhe më të fortë në mbështetje të interesave të shqiptarëve. Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar historikisht se, siç është shprehur John Kerry në konferencën e Washingtonit të vitit të kaluar mbi diasporën — përfaqsuesit e këtyre komuniteteve në këtë vend, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”

Të kujtojmë në këtë 25-vjetor se në mungesë të zhvillimit të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane, gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar, komuniteti shqiptaro-amerikan, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, luajti rolin e ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Roli i diasporës në marrëdhëniet, shqiptaro-amerikane

AKT I GUXIMSHEM I POLICEVE SHQIPTARO-AMERIKANE

January 13, 2016 by dgreca

* NJU JORK : Ngrihet lart imazhi i shqiptaro amerikanëve në qytet- Tjetër akt i guximshëm i policëve shqiptarë në radhët e unformave blu të NYPD/
*Në aksionin për kapjen e një grupi që vidhte shtëpitë në Bruklin – edhe Lieutenant Ylli Dautaj, i cili është kryetar i Shoqatës Amerikane Shqiptare e Policisë Iliriane, me punonjësit shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit, në uniformat blu të NYPD/
Nga Beqir SINA – New York/
BROOKLYN NYC : Duket se viti i ri 2016 – ka nisur shumë mirë për djemtë e vajzat shqiptare, të cilët shërbejnë në uniformat blu të qytetit më të madh në botë – New Yorkut – ditën e natën për ruajtjen e rendit e të qetësisë së qytetarëve, së bashku me mijëra djem dhe vajza që shërbejnë në radhët e NYPD.
Kur flasim për shqiptaro amerikanët, në radhët e unifromave blu – NYPD , kemi në të paktën në një muaj tre raste, ku ata janë bërë protogonistë të veprimeve nga më të guximshme, me kolgët e tyre, që kan tërhequr vëmendjen edhe të shtypit njujorkez, të eprorëve të lartë, komisiariteve të policisë nga Departamenti i Policisë në qytetin e New Yorkut, shtypi dhe qytetarët të cilët shprehin faleminderime.
Lajmet e suksesit të tyre në krye të detyrës, i shtohet edhe një aksion i guximshëm – ku në mesin e unformave blu këto ditë është edhe emri i policit shqiptar me gradën Lieutenant Ylli Dauti i cili shërben në komisiariatin e policisë “Brooklyn’s 83 Precinct”
Portali i policisë së qytetit NYPD News , njofton sot se oficerët NYPD të shërbimit në komisiariatin e policisë “Brooklin 83 Precinct”, kan arrestuar tre burra , duke iu përgjigjur me një aksion të guximshëm një grabitje në një shtëpi të dielën mbrëma.
Simbas saj, Lieutenant Dautaj dhe policiët oficer Rodriguez, Sweeney dhe Husain, iu përgjigjën thirrjes 911 të grabitjes në një shtëpi në rrugën “Stanhope Street” në Brooklyn, dhe u ndeshën me një njeri, i cili ka deklaruar se familja e tij ishte duke u mbajtur “rob” brenda shtëpisë së tij – nga tre burrat me armë zjarri dhe maska.
Gjatë aksionit të ndërhyrjes – pasi skuadra e patrullës në pamundësi për të hyrë në banesë me derën e përparme, kan vepruar për të hyrë përmes shkalleve të jashtme të katit të dytë me dy policë oficerët Sweeney dhe Husain.
Në këtë kohë, Lieutenant Dautaj dhe oficer Rodriguez ka vërejtur një burr i mbuluar me një maskë duke u përpjekur për të dalë nga vendbanimi nga një derë anësore. Oficeri i policisë Rodriguez ka thirrur “Policia mos lëvizini” dhe i dyshuari iku me shpejtësi nëpër dhoma por u kap prej oficerit Rodriguez, në tentativë për të dalë jashtë. I dyshuari u arrestua më pas brenda në shtëpi nga oficerët Sweeney dhe Husain.Kur në shtëpi erdhën edhe forcat shtesë të policëve aty, janë gjetur katër persona të lidhur dhe dy të dyshuar të tjerë, të cilët ishin fshehur në banesë, dhe u arrestuan. Policët gjetën dy pistoleta gjysmë-automatike dhe dy maska të tjera u gjetën nga vendngjarja.
Kurse, viktimat ka pësuar dëmtime të lehta, thuhet në njoftimin e NYPD NEWS.Pra, kjo është hera e tretë , që brenda një muaji 3 oficerët shqiptarë – amerikanë , oficer Kristo Kevi, Xhoana Tozaj, dhe Lieutenant Ylli Dautaj, i cili është kryetar i Shoqatës Amerikane Shqiptare e Policisë Iliriane, me punonjësit shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit, në uniformat blu të NYPD,si pjesë e ekipeve të tyre, të shërbimit të bëjnë akte të gunximshme për të shpëtuar jetën e qytetarëve”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: akt i guximshem, I POLICEVE, Lieutenant Ylli Dauti, shqiptaro-amerikane

LIGA QYTETARE SHQIPTARO AMERIKANE FESTON 25 VJETORIN E THEMELIMIT

June 11, 2015 by dgreca

Me 14 Qershor 2015, në një nga hotelet luksoze të Manhattanit,në Grand Hyatt Hotel, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me president z. Joe DioGuardi, feston 25 vjetorin e themelimit të saj.I fuari kryesor dhe folësi i darkës do të jetë Senatori republikan John McCain. Nga Kosova vjen i ftuar Ipeshëkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Ndër personalitetet që do të nderojnë me pjesmarrjen e tyre në këtë përvjetor do të jenë:
Rabbi Joe Potasnik, Ambasador Ferit Hoxha, senatori demokrat Charls Schumer, Kongresmeni Jerold Nadler, kongresmenia Grace Mang, kongresmeni Dana Rohrabacher dhe kongresmenia Ileana Rose-Lehtinen.
Hymnet do të përcillen nga Tenori i talentuar shqiptar Kreshnik Zhabiaku, ndërsa do të argëtojë Grupi Muzikor i Bashkimit Kombëtar.
Bekimi i Darkës do të bëhet nga Imam Rifat Latifi.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, do të jetë e pranishme në përvjetorin e 25-të të Ligës.
Në një cerek shekulli, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën drejtimin e Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi,ka shërbyer si një avokate e sprovuar në mbrojtjen e Cështjes Shqiptare.Shqiptarët e Amerikës dhe ata të vendlindjes i janë mirënjohës Ligës për cfarë ka bërë për cështjen shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: E THEMELIMIT, FESTON 25 VJETORIN, LIGA QYTETARE, shqiptaro-amerikane

NJË SHIKIM PRAPA NË HISTORI

March 17, 2015 by dgreca

SHËNIM ME RASTIN E 24-VJETORIT TË MARRËDHËNJEVE SHQIPTARO- AMERIKANE/
Nga Frank Shkreli/
5 Marsi, 1991 është data kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Një javë më vonë në Tiranë arrijti delegacioni i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara, që autori i këtyre rreshtave pati nderin dhe privilegjin të ishte pjesë e tij. Ishte kjo hera e parë në 50-vjetë që diplomatët amerikanë shkelën në Tiranë.
Si shënim të asaj vizite prej pothuaj një muaji, po sjellë artikullin e bashkangjitur – mesa mbajë mend i vetmi artikull i një gazete shqiptare me rënëdësi të asaj kohe — botuar në gazetën Rilindja Demokratike (RD) që sapo kishte filluar të botohej si organ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, shkrim në të cilin përshkruhet arrijtja e delegacionit amerikan në Tiranë dhe takimi i parë me përfaqsues të Partisë
Demokratike. Delegacioni amerikan kishte caktuar një ditë pas arrijtjes në kryeqytetin shqiptar, takimin e parë me përfaqsues të Partisë së re të sapo formuar.
Ndonëse, me sa u informuam në atë kohë, asnjë gazetë e regjimit dhe as radio televizioni shtetëror nuk njoftuan fillimisht arrijtjen e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Tiranë, gazeta RD e botoi njoftimin e takimit në faqën e parë të saj, të datës 23 Mars, 1991, por siç mund të shihni nga artikulli, pa ndonjë eufori dhe pa asnjë koment të drejtë për drejtë ose të tërthortë mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje – sigurisht pa shfaqje euforike që u akordohet sot lidhjes së marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane nga zyrtarët dhe nga media shqiptare. As takimet e mëvonshme të delegacionit të parë amerikan me faktorë të tjerë politikë të vendit, nuk u pasqyruan në shtypin zyrtar të kohës. Kuptohet se regjimi i
Ramiz Alisë ishte gjithnjë në fuqi dhe duket se gjithkush ishte tepër i kujdesshëm mbi ato që shkruanin. Por, ama mungesa e entuziazmit zyrtar për praninë e delegacionit të parë amerikan, më shumë se u trefishua nga pritja tepër entuziaste që i bënë delegacionit shqiptarët e thjeshtë anë e mbanë vendit, nga Shkodra e deri Ndërkaqë, të hënën në Tiranë, “Qendra Shqiptare e Politikave” organizoi konferencën me titull “24 vjet partner strategjik”, me rastin e 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike shqiptaro-amerikane ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu si dhe zyrtarë të tjerë, e të cilët sipas Zërit të Amerikës, në atë tubim ata theksuan marrëdhënjet e shkëlqyera që ekzistojnë tani midis
Washingtonit dhe Tiranës dhe njëkohsisht u zotuan për bashkpunimin midis dy vendeve për përballimin e sfidave aktuale.
Mirëpo, nga këndveshtrimi 24-viteve më parë, si dëshmitar i atij mjerimi të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik të regjimit komunist i cili kishte kaplluar Shqipërinë e Marsit të vitit 1991, është vështirë të besohet se sot 24-vjetë më vonë, populli shqiptar, siç tha edhe ambasadori Lu të hënën, vazhdon të përballet me ose të vuaj nga trashëgimia e regjimit komunist. Por megjithkëtë, si atëherë ashtu edhe sot, siç theksoi edhe Ambasadori Lu në konferencën e Tiranës, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë”. Atë besim kishin edhe 24 vite më parë ku u rivendosën marrëdhënjet diplomatike. Besimin se duke marrë parasyshë trashëgiminë dhe pasojat e tmershme të regjimit komunist në shoqërinë
shqiptare, Shqipëria do të shkundte njëherë e mirë trashëgiminë e njërit prej regjimeve më të egëra komuniste të botës mbrenda një kohe të shkurtër dhe se do të dinte të çmonte lirinë dhe demokracinë me qëllim të ndërtimit të një jete më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.
Në konferencën kushtuar 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve, Ambasadori Lu theksoi gjithashtu të hënën në Tiranë se, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë, dhe jo në ndonjërën parti politike ose udhëheqës të vetëm politik. “Ato besojnë”, theksoi diplomati amerikan, “në afëtësinë e shqiptarëve të guximshëm që të ndërmarrin bërjen e ndryshimeve të nevojshme dhe që të bëjnë sakrifica për veten dhe për fëmijtë e tyre.”
Është ky një mesazh i rëndësishëm që duhet të përsëritet shpesh nga diplomatët amerikanë, se marrëdhënjet midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar janë midis dy popujve, dhe nuk mund të ndryshojnë, të përdoren ose të keqpërdoren si t’i teket një partie politike të rastit ose një udhëheqsi të përkohëshëm politik. Si të tilla, ato marrëveshje duhet të bazohen jo vetëm në marrëdhënjet politiko-
ekonomiko-ushtarake, por mbi të gjitha duhet të bazohen në vlera të përbashkëta, në këtë rast në vlerat perëndimore. Jo se Amerika dhe perëndimi në përgjithësi janë shoqëri të përsosura dhe pa gabime e pa probleme, por marrëdhënjet e Amerikës me shumë vende, sidomos me ato të Europës Perëndimore, janë të bazuara, mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore që historikisht ndajnë me ato shtete dhe popuj, pa marrë parasyshë se cila parti ose cili udhëheqës është në pushtet në një kohë të caktuar. Të tilla duhet të jenë edhe marrëdhënjet midis Washingtonit dhe Tiranës, të bazuara në vlerat e përbashkëta të një shoqërie e cila duhet të distancohet tanimë njëherë e mirë nga trashëgimia e tmershëme e komunizmit duke luftuar krimin, dhunën dhe korrupsionin.
Në këtë 24 vjetor të marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, le të shpresojmë me ambasadorin më të ri amerikan në Tiranë i cili, në emër të shtetit që ai përfaqëson, shprehu besimin e tij se më në fund, “Shumica e shqiptarëve të cilët janë të ndershëm dhe me integritet do të triumfojnë mbi ata të cilët përfaqësojnë krimin, dhunën dhe korrupsionin.”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu u angazhua se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në këtë betejë të rëndësishme. Kjo është një mbështetje e nevojshme, por kjo luftë kundër “krimit, dhunës dhe korrupsionit”, nëqoftse do të dalë me sukses, është një luftë që duhet të bëhet nga shqiptarët dhe se fitorja kundër këtyre të këqiave duhet të sigurohet gjithashtu nga vet shqiptarët, për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar dhe për të mirën e marrëdhënjeve më të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, bazuar mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore.

Filed Under: Editorial Tagged With: 24 vjetori, Frank shkreli, Marrdheniet, shqiptaro-amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT