• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë

January 20, 2021 by dgreca

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida. 

Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash. 

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. 

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë. 

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”. 

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar. 

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”. 

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina. 

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”. 

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president. 

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij. 

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Largimi, Presidenti Trump, shtepia e bardhe

Shtëpia e Bardhë planifikon ta shpërbëjë task-forcën për koronavirusin

May 6, 2020 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se task-forca për koronavirus e Shtëpisë së Bardhë do të shpërbëhet.

“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë vizitës që i bëri një fabrike për prodhimin e maskave në Arizonë.

Task-forca për koronavirus udhëhiqet nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

“Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, por tani do të shohim për një formë tjetër dhe kjo formë është siguria dhe hapja [e ekonomisë]. Do të kemi një grup tjetër që do të krijohet ndoshta për këtë çështje”, tha Trump.

Numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA çdo ditë arrin në 20,000, ndërsa ai i viktimave e kalon 1,000.

Në total, numri i të infektuarve atje është mbi 1.2 milion, ndërsa i viktimave mbi 70,000.Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset të fillojnë të rihapen.

Sipas kritikëve, Trump po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Duke folur në Arizonë, Trump tha se demokratët shpresojnë se politika e tij për koronavirusin do të dështojë dhe se “ata mund t’i fitojnë zgjedhjet”.(RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: President Trump, shtepia e bardhe

Shtëpia e Bardhë në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit

November 10, 2018 by dgreca

Shtëpia e Bardhë shënon për të dytin vit Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit/frank-1

NGA FRANK SHKRELI/

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mban datën e 7 Nëntorit 2018, ditës që Shtëpia e Bardhë ka vendosur për të dytin vit, t’ia kushtojë viktimave të komunizmit në botë. “Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 100-milionë vetave të vrarë dhe të persekutuar nga regjimet totalitare komuniste”, në mbi 40 vende të ndryshme të botës. “Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të patundur ndaj atyre të cilët luftojnë për paqe, begati dhe liri, anë e mbanë botës”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të shpërndarë për medien, më 7 Nëntor, data që shënon ditën e Revolucionit Bolshevik në Rusi.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nënvizohet se, “Që prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 në Rusi, ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të anktheve të mëdha, shtypjeve dhe vdekjeve të shumta. Komunizmi ka përfunduar në eliminimin e lirisë së fesë, të pronës private dhe të lirisë së fjalës. Këto tmerre kanë përfshirë vrasjet e qëllimshme të ukrainasve duke përdorur urinë si mjet eliminimi të tyre gjatë Holodomorit, përndjekjet e mëdha të rusëve gjatë Terrorit të Madh; zhdukjen e kamboxhianëve në fushat e eliminimit dhe vrasjen e qytetarëve të Berlinit ndërkohë që përpiqeshin të arratiseshin nga komunizmi gjermano-lindor për në liri në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këto viktima dhe vuajtjet e tyre janë një dëshmi e gjallë e një fakti të pamohueshëm, se komunizmi do të jetë përgjithmonë shkatërrimtar ndaj shpirtit të njeriut dhe ndaj begatisë së njerëzimit”, theksohet në deklaratën me rastin e Ditës Kombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë përfundon duke u kujtuar amerikanëve se, “Sot ne kujtojmë të gjithë ata, të cilëve u janë mohuar bekimet e mëdha të lirisë, nën regjimet shtypëse komuniste. Së bashku ne mbajmë zi, duke kujtuar humbjet e mëdha që shumë prej tyre kanë pësuar nën komunizëm dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të vazhduar përpjekjet tona për avancimin e kauzës së lirisë dhe të mundësive për një jetë më të mirë, për të gjithë”, përfundon deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, më 7 nëntor 2018. Vendimi për të kujtuar artë nga 100 milionë viktimat e komunizmit botëror në nivel kombëtar këtu në Shtetet e Bashkuara ishte marrë vitin që kaloi nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 1917-n.

Në atë përvjetor vitin e kaluar, në gazetën “Telegraf” kisha shënuar se në Washington u organizuan ceremoni dhe konferenca akademike ku morën pjesë ekspertë dhe historianë nga e mbarë bota, për të kujtuar krimet e komunizmit anë e mbanë botës. . Ishte me atë rast që administrata e Presidentit Trump kishte vendosur që të caktonte datën e 7 Nëntorit, të ditës së Revolucionit Bolshevik Rus, si një datë kujtese për miliona viktimat e komunizmit në botë – një revolucion Bolshevik ky, që sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë ditë përkujtimore botuar vitin e e kaluar – “shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhej në deklaratën e vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Amerikës kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë.“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet më tej në atë deklaratë “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare kombëtare, në të vërtetë, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirish të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shenjta.

”Siç dihet, deri vitin që kaloi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ditë të tillë, kushtuar viktimave të komunizmit, ndoshta për arsyen logjike se në Amerikë nuk ka pasur viktima të komunizmit. Por u vendos data e 7 Nëntorit, ditës së Revolucionit Bolshevik rus, për të kujtuar viktimat e komunizmit kudo në botë. Sivjet, Shtëpisë së Bardhë iu bashkëngjit edhe shteti Virxhinia, ligjvënësit e së cilës vendosën marsin që kaloi, që në shtetin Virxhinia të shpallet gjithashtu 7 Nëntori i këtij viti dhe për vitet në vijim, si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Ka gjasë që edhe shtete të tjera të ndjekin shembullin e Virxhinias.

Me këtë rast dua të përsëris thirrjen time për të disatën herë, se edhe Shqipëria e Kosova, si dy vende që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, që udhëheqësit aktualë të tyre, të bëjnë diçka simbolike për të kujtuar viktimat e komunizmit – duke caktuar, të pakën një ditë në kalendarin vjetor, kushtuar viktimave të komunizmit – ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi dhe të shënojë një pajtim të vërtetë kombëtar. Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – duke caktuar një ditë kushtuar kujtimit të tyre – kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme, të një regjimi ilegal dhe shtypës. Përcaktimi i një dite kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, kësaj ideologjie çnjerëzore,të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e viktimave te Komunizmit, Frank shkreli, shtepia e bardhe

SHBA: JO EMIGRIM SIPAS LIDHJEVE FAMILJARE- SIPAS MERITAVE

December 16, 2017 by dgreca

-Shtëpia e Bardhë synon të ndryshojë sistemin aktual të emigrimit drejt SHBA-së/

-Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre./

1 Emigracioni

Shtëpia e Bardhë po fillon një fushatë për të kthyer opinionin publik amerikan kundër sistemit aktual të vendit për emigracionin, i cili bazohet përgjithësisht tek lidhjet familjare. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, synimi i fushatës është zhvendosja drejt një sistemi emigracioni të bazuar tek merita.Administrata kishte filluar madje përgatitjet përpara se një ekstremist i frymëzuar nga Shteti Islamik, i lindur në Bangladesh, të përpiqej të hidhte veten në erë në Manhatan. Administrata po mbledh të dhëna për të mbështetur argumentin se legjislacioni aktual për emigracionin jo vetëm që është i konceptuar keq, por se është edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për punonjësit amerikanë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, thotë se “ne besojmë që të dhënat drejtojnë politikat. Këto të dhëna do të ndihmojnë në mbledhjen e votave në Kongres për një reformim gjithëpërfshirës të emigracionit”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ia detajuan ekskluzivisht strategjinë e tyre agjencisë Associated Press, duke thënë se të dhënat tregojnë që ndryshimet duhen ndërmarrë menjëherë. Por, kjo përpjekje e tyre bëhet në një klimë të vështirë politike, pasi edhe vetë republikanët ngurrojnë të angazhohen në një debat madhor për emigracionin përpara zgjedhjeve të 2018-tës.

Çështja pritet të radhitet ndër pikat kryesore të fjalimit për gjendjen e kombit që Presidenti Donald Trump do të mbajë në Kongres më 30 janar. Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe deklarata të tjera të Presidentit, të zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe një fushatë nëpërmjet mediave konservatore.

Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre.

Të dhëna të tjera që do të bëhen publike përfshijnë një raport ku theksohet numri i emigrantëve në burgjet amerikane, një shqyrtim të mbingarkesës dhe vonesave në gjykata të dosjeve për azilkërkuesit, si dhe një studim që administrata thotë se provon lidhjet ndërmjet emigracionit dhe terrorizmit.

Kritikët kanë vënë në pikëpyetje përdorimin selektiv nga administrata të të dhënave që ndonjëherë kanë rezultuar se janë keqpërdorur.

Ky propozim për të braktisur sistemin e emigracionit të bazuar tek familja do të ishte ndryshimi më radikal i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit. Kjo do t’i jepte fund asaj që kritikët dhe Shtëpia e Bardhë e quajnë “emigracioni zinxhir”, ku emigrantëve u lejohet të sjellin një sërë anëtarësh të familjeve të tyre në vend. Sistemi që do ta zëvendësonte, do të bazohej tek një skemë pikësh për arsimimin dhe potencialin e punësimit. Masa të tilla të bazuara tek meritat janë duke u përqafuar gjithnjë e më shumë nga vende të tjera, ndër to edhe Britania.

Publiku amerikan është i ndarë për këto ndryshime që shpreson të bëjë Presidenti Trump. Një anketim i Universitetit Quinnipac i zhvilluar në muajin gusht tregoi se 48% e votuesve kundërshtojnë propozimet e Presidentit Trump për të përgjysmuar numrin e emigrantëve të ligjshëm dhe për t’u dhënë prioritet emigrantëve bazuar tek aftësitë profesionale dhe jo më lidhjet e tyre familjare me SHBA-në. 44% e të anketuarve, ndër ta 68% e republikanëve, e mbështesin këtë ide të Presidentit.

Shtëpia e Bardhë shpreson që Kongresi të fillojë trajtimin e kësaj çështjeje në fillimin e vitit të ardhshëm, megjithëse zyrtarët thonë se nuk kanë filluar ende të diskutojnë strategjinë legjislative me udhëheqësit e Kongresit.(VOA- Associated Press)

Filed Under: Featured Tagged With: emigracioni, reforme e re, shtepia e bardhe

A i dha Trump informacione sekrete Lavrovit?

May 16, 2017 by dgreca

Shtëpia e Bardhë mohon se Presidenti Trump u tregoi rusëve informacion tepër sekret/

„Washington Post“ informon se presidenti amerikan Donald Trump në takimin e tij të fundit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë ka ndarë me atë informata sekrete. Por qeveria amerikane nuk i pranon këto raportime.

USA Treffen zwischen Trump und Lavrov (picture alliance/dpa/A. Shcherbak)

Me dhënien e informacioneve janë vendosur në rrezik burimet informative qw japin të dhëna për Shtetin Islamik (IS), raporton gazeta “Washington Post” duke u bazuar në  të dhëna të nëpunësve të qeverisë së tanishme dhe të asaj së kaluar. Presidenti Donald Trumap u takua javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe ambasadorin rus Sergej Kislajk.

Në këtë takim Prsidenti ka treguar se si IS përdor laptopët në aeroplanë për sulme terroriste, njofton gazeta. Po ashtu edhe agjencia e lajmeve Reuters raporton, që dy zyrtarë të qeverisë Trump kanë konfirmuar se Presidenti ka ndarë informacione për një sulm të përgatitur kundër IS.

Këto informata SHBA-të i kanë nga një vend partner i tyre, por nuk kanë qenë dakord për ndarjen e tyre me Rusinë, informon “Washington Post”. Me këtë veprim Trump vendos në rrezik marrëdhëniet me vendin aleat që ka informacione për strukturat e brendshme të IS. Po me këtë veprim Trump nuk ka shkelur ndonjë ligj. Nuk ka në SHBA një ligj që i ndalon presidentit dhënien e informacioneve të tilla sekrete.

Këshilltarët dhe shtabi Qeveritar hedhin poshtë njoftimet

Këshilltari i sigurisë, Herbert Raymond McMaster, i cili ka qënë pjesë e takimit të mërkurën e kaluar, i hedh poshtë pjesërisht këto raportime.”Kjo nuk ka ndodhur”, siguron McMaster dhe thotë që “nuk janë ndarë metodat sekrete dhe burimet e informacioneve në asnjë moment dhe se presidenti nuk ka folur për asnjë operacion ushtarak, për të cilin nuk është i informuar edhe opinioni.” “Historia e publikuar në mbrëmje”  është e gabuar.”

Këshilltari i sigurisë shton se “nuk ka gjë tjetër që presidenti e merr më seriozisht se ruajtja e sigurisë së popullit të Shteteve të Bashkuara”. Por McMaster nuk i hedh poshtë shprehimisht se Trump ka ndarë informacione sekrete. Ministri i Punëve të Jashtme të SHBA-së Rex Tillerson deklaroi gjithashtu, se Trump nuk ka diskutuar asnjë “burim, metodë ose veprime ushtarake” gjatë takimit.

Shtëpia e Bardhë mohon se Presidenti Trump u tregoi rusëve informacion tepër sekret

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar amerikan, H.R. McMaster dhe anëtarë të tjerë të administratës Trump mohuan njoftimet e mediave se presidenti zbuloi informacione tepër sekrete kur ishte duke biseduar me zyrtarët rusë në Zyrën Ovale.

Njoftimi i raportuar fillimisht nga gazeta Washington Post, “është i rremë”, u tha zoti McMaster gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbrëma. “Asnjëherë nuk u diskutua për burime apo metoda zbulimi dhe presidenti nuk foli për ndonjë operacion ushtarak që nuk ishte i njohur publikisht,” shtoi ai.

“Unë isha vetë atje dhe asgjë e tillë nuk ndodhi”, përfundoi gjeneral McMaster, para se të hynte përsëri në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

H.R. McMaster flet për gazetarët

H.R. McMaster flet për gazetarët

Tillerson mbështet gjeneralin McMasters

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili tha se ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e 10 majit me ministrin e jashtëm dhe ambasadorin rus, mbështeti përshkrimin që zoti McMaster u bëri bisedimeve. Ai tha në një deklaratë se “u diskutua një gamë e gjerë temash, ndër të cilat ishin përpjekjet e përbashkëta dhe kërcënimet përsa i përket luftës kundër terrorizmit”.

Disa media amerikane njoftuan se presidenti, në takimin e Zyrës Ovale, zbuloi informacione që shihen si tepër sekrete.

Sipas njoftimeve të gazetave Washington Post, New York Times dhe mediave të tjera, informacioni i nxjerrë nga zoti Trump mund të vinte në rrezik një burim zbulimi me rëndësi të madhe lidhur me grupin Shteti Islamik si dhe mënyrën me të cilën ishte siguruar ai informacion.

Në SHBA, presidenti ka kompetencën të deklasifikojë pothuajse çdo informacion, prandaj ajo që bëri zoti Trump nuk duket të jetë diçka e paligjshme. Por zyrtarët e zbulimit, të cituar nga gazetat, shprehën shqetësimin se informacioni, i siguruar nga një qeveri partnere me SHBA, mund të dëmtojë disa marrëdhënie të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Zbulimit dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, nuk pranuan të bëjnë komente.

Alarm nga selia e Kongresit

Sipas gazetës Washington Post, në takimin me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe Ambasadorin Sergej Kislyak, Presidenti Trump me sa duket po lëvdohej rreth informacioneve të brendshme që kishte për një kërcënim të afërt me të cilin përballet aviacioni.

Informacioni, i cili shihej si tepër sensitiv, nuk ishte ndarë madje as brenda qeverisë amerikane dhe as me aleatët e SHBA, sipas gazetës New York Times.

Njoftimet u bënë menjëherë shkak për alarm mes ligjvënësve të të dyja partive në selinë e Kongresit.

“Jam i tronditur nga njoftimet se Presidenti Trump u zbuloi informacione të klasifikuara diplomatëve rusë javën e shkuar. Kjo sigurisht ngre pyetje nëse Presidenti i njeh implikimet serioze që ka nxjerrja e një informacioni të tillë të ndjeshëm përpara një kundërshtari”, tha ligjvënësi Eliot Engel, numri dy i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. “Do të takohem këtë javë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare McMaster në një sesion të klasifikuar dhe do të kërkoj përgjigje për atë që u zbulua dhe si mund ta ketë dëmtuar kjo sigurinë kombëtare amerikane,” tha ligjvënësi.

Senator Mark Warner

Senator Mark Warner

“E pafalshme”

Nënkryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Mark Warner, tha në Twitter se “vënia në rrezik e burimeve dhe metodave është e pafalshme, veçanërisht me rusët”.

Komentet e zotit Trump, nëse janë të vërteta, janë një “shuplakë në fytyrë” për komunitetin amerikan të zbulimit, shtoi senatori Warner.

“Shtëpia e Bardhë duhet të bëjë diçka shpejt për ta vënë veten nën kontroll dhe rregull”, u tha gazetarëve kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, republikani Bob Corker. “Është e kuptueshme se ata janë tani në një spirale që shkon në rënie, prandaj duhet të gjejnë mënyrat për të riparuar atë që po ndodh,” tha senatori.

Njoftimet e medias vijnë në një kohë që Shtëpia e Bardhë mbetet e përfshirë në polemika për shkak të shkarkimit javën e kaluar nga presidenti të drejtorit të FBI-së, James Comey. Shkarkimi ndodhi një ditë para takimit me rusët në Zyrën Ovale.

FBI heton rreth lidhjeve me Rusinë

Byroja Federale e Hetimeve po heton rreth lidhjeve të dyshuara midis ekipit të fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë.

Në një deklaratë të përbashkët, demokratët kryesorë në Komisionin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare si dhe në Komisionin Juridik të Dhomës, Elijah Cumming dhe John Conyers, kërkuan publikimin e çdo regjistrimi audio të takimit të zotit Trump me rusët javën e kaluar.

“Pas një jave të pashembullt, në të cilën shumë njerëz mendonin se ishte e pamundur që Presidenti Trump të tregohej më i papërgjegjshëm se aq, tani ai mund të ketë rënë në një nivel edhe më të rrezikshëm,” thuhej në deklaratë.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Lavrov, President Trump, Sekrete, shtepia e bardhe

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT