• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUHET URAN KOSTRECI, VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA

July 12, 2021 by dgreca

Në Tiranë ka ndërruar jetë legjenda e qëndresës antikomuniste, luftëtari i paepur i deologjisë komuniste, miku i Vatrës, shkrimtari URAN KOSTRECI.

Vatra i shpreh ngushëllimet me të thella vëllait Hasan Kostreci me familje dhe të gjithë të afërme e miqëve. Ngushëllimet e saj Federata Panshqiptare e Amerikës ia drejton edhe Shoqatës të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise dhe Kryetarit të saj z. Nebil Çika si dhe të gjithë bashkëvuajtësve!

Uran Kostreci ishte një mik i mirë i Vatrës dhe përsa kohë qëndroi në SHBA ai ishte pjesë e lidhur shpirtërisht me Vatrën.

Pushoftë në Paqë shpirti i Uran Kostrecit!

                               ***

NJOFTIM I KRYETARIT TE SHOQATËS TË PËRNDJEKURVE POLITIKË ANTIKOMUNISTË TË SHQIPERISË

Me pikëllim të thelle iu njoftojmë se legjenda e qendresës sonë antikomuniste Uran Kostreci,, ndërroi jetë sot . Në emrin tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërise, iu shpreh ngushllimet me te sinqerta familjarve, miqve, bashkëvujtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij .

Qofsh i parajsës vëllai ynë, kampion i qëndrës, asketi i lirisë e demokracisë !

Homazhet do të zhvillohen nesër

date 13.korrik 2021 nga ora 08.00-11.00 tek godina e te perndjekurve politike Ruga e Elbasanit Tiranë . Përcjellja në orën 12.00 ne Varrezat e Sharrës.

Nekrologji

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë ne një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike . Kur ishte ende fëmije i arrestuan dhe i denuan të atin si eksponent i Ballit Kombetar . Me mundime arriti te mbaroje shkollën normale Elbasan dhe per një kohë te shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.

Ai është themelues i Shoqates Antikomuniste e të Përndjekurve politikë te Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare . Ishte kryeredaktori e botuesi i pare i gazetës Liria gazete e te perndjekurve politikë.te Shqipërisë .

U përfshi fort në lëvizjen demokratike dhe u zgjodh, dy herë, kryetar i PD dega Elbasan . Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan krerët e lartë të diktaturës komuniste . Për qendresën dhe veprimtarinë kundër diktatures komuniste dhe aktivitetin e shquar politik, intelektial e patriotik, Presidenti i Republikës e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” .

Ikja e tij nga kjo botë eshte një humbje e madhe për të gjithë ne ,pasi sic thoshte edhe vete kishte ende shume per të na dhënë e thënë . Me sakrificën dhe veprën e tij jam i sigurt që e ka rezervuar vendin e tij në parajsë . Po nuk qe Atje Urani, kush tjetër mund të jetë? !

Filed Under: Opinion Tagged With: shuhet, Uran Kostreci, Vatra

Kosovë-Shuhet profesori e demografi Rifat Blaku

March 20, 2020 by dgreca

-Eksperti i  çështjeve demografike, Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, në funddhjetorin e vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja deklaronte se vlerësohej se në vitin 2009 shteti më i ri në botë hyn me 2 milonë e 700 mijë banorë/

-Në kohën kur Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991,  Rifat Blaku ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit/

-Në  21 Qershor 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar  profesorin Rifat Blaku me Medaljen Presidenciale të Meritave/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Mars 2020/ Është shuar sot demografi i njohur i Kosovës dhe profesori i ekonomisë, Rifat Blaku. Familja e tij ka njoftuar se varrimi do të bëhet vetëm nga rrethi i ngushtë familjar, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19.

Prof. Dr. Rifat Blaku ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës lëndët “Ekonomia e Kosovës dhe BE” dhe “Psikologjia e punës”.

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se, me pikëllim mori lajmin për vdekjen e profesorit universitar, demografit të njohur Rifat Blaku. “Profesor Blaku ka dhënë kontribut si në rrafshin akademik, ashtu edhe në jetën politike, në periudhat më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Familjes Blaku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan Presidenti i Republikës.

Eksperti i  çështjeve demografike, Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, në funddhjetorin e vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, për të cilën vazhdimisht shprehte shumë vlerësim e interesim, deklaronte se vlerësohej se në vitin 2009 shteti më i ri në botë hyn me 2 milonë e 700 mijë banorë.

“Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezident) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Shifrat janë të përafërta, meqë në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të plotë të popullsisë qe më shumë se një çerek shekulli, theksohej atëherë.

Gazeta historike Rilindja në numrin e saj të 6 Korrikut 1962 shkruante se në atë kohë Kosova kishte arritur në një milion banorë – “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

Në kohën kur Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991,  Rifat Blaku ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil. Ai vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

Në  21 Qershor 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar  profesorin Rifat Blaku me Medaljen Presidenciale të Meritave.

“Për kontributin e shquar në fushën akademike: në shkencë, arsim dhe edukim për dekada të tëra, sot me Medaljen Presidenciale të Meritave e dekorova Prof. Dr. Rifat Blakun”, shkruante Thaçi.

Presidenti vlerësonte se Blaku ka dhënë kontribut të çmuar edhe si studiues në fushën e migracionit dhe diasporës, si dhe në afirmimin e çështjes së Kosovës në periudhën e viteve të nëntëdhjeta.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka shkruar:

 Me keqardhje mësova lajmin për vdekjen e profesorit dhe demografit të njohur, Rifat Blaku. Ai ishte një njeri me virtyte të larta që punoi shumë dhe kontribuoi në edukimin e gjeneratave të reja. Duke marrë pjesë aktivisht në jetën politike e publike, profesor Blaku u angazhua për ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë të ri. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të.

Filed Under: Histori Tagged With: Bell Jashari, shuhet

Shuhet Sava Kuqeshi,emblema e vuajtjeve dhe persekutimeve

November 11, 2017 by dgreca

 

Nene SavaËshtë shuar në moshën 105 vjeçare, Sava Kuqeshi nji nga gratë emblemë të vuajtjeve dhe persekutimeve… Nji përfaqesuese e denjë e gruas shqiptare, e qëndresës së saj dinjitoze në kohra, grua e njëmijë sakrificave, nënë e kultit të ndershmërisë dhe drejtësisë, zonjë sa e hekurt aq edhe e duarve te arta, mëmë e dashurisë pafund për fëmijët, nipat dhe sternipat e shumetë…
Nënë Savën në moshën 47 vjeçare, mbasi ia vrane burri dhe ia sekuestruan pasurine, me 8 fëmijë (i fundit 1 vjeç) e hodhën ne një kamp interrnimi… dhe sot Ajo vdiq po në atë kamp internimi kur e sollën në vitin 1959… për të dëshmuar edhe me vdekjen e saj, se asgjë s’ka ndryshuar; për të dëshmuar se shoqatat e shumta të të përndjekurve politike, vetëm emrin e kanë të tillë sepse asnji vlerë për ta nuk kanë simbolet e qëndresës; për të dëshmuar se në Shqipëri mediat janë po aq qorre sa edhe vuve… për të dëshmuar me keqardhje se ne jemi pjesë e një turpi kolektiv që përditë e më tepër po hahet me bukë…
I lehte të qoftë dheu o grua e rrallë e Leskovikut, o nënë e gjithë atyre që pësuan padrejtësi dhe dhimbje pafund, po që nuk u nënshtruan kurrë prej saj, Ti Nënë Sava mbete etaloni më i përkryer që ndan të Mirën nga e Keqja, të Drejtën nga Padrejtësia, Të Vërtetën nga Mashtrimi, Lirinë nga Dhuna, Diktaturën nga Demokracia…
Nëse të ndëshkoi Diktatura dhe nuk të nderoi “Demokracia” tregon që nuk ka pasur demokraci!!! Nëse të përndjekurit nuk e mbështetën figurën tënde, për figurat e mijra Nënave shqiptare, tregon se nuk ka pasur të përndjekur të vertetë ndër ata që drejtuan… Nëse institucionet heshtën ndaj teje tregon se ata bënë nji lojë te ndyre demagogjike dhe nuk deshën kurrë që shoqëria shqiptare të pajtohej e te paqtohej me veten. Duke mbrojtur krimet, Ata nuk patën kohë të mbrojnë ty dhe Gruan Shqiptare!
Ngushëllimet më të sinqerta 8 fëmijëvë të Nënë Savës, dhjetra nipave mbesave e stërnipave të saj…
Unë do të kujtoj gjithnji ashtu si të kam dashur, si ajo gruaja me të zeza që rriste trëndafilë dhe dinte tua dhuronte trëndafilët atyre që me mirësi e nderonin…
Të përqafoj për të fundmen herë o Nënë Savë e dashur! Për ty kam luftuar në emër të mijra nënave dhe kam bërë për ty më shumë se për Nënën time, sepse ti meritoje shumë… sepse ti do të meritosh gjithnji shumë…
Kortezi: Jozef Radi, 11 nentor 2017

Filed Under: Kronike Tagged With: Embela e persekutimeve, Kortezi-Jozef Radi, Sava Kuqeshi, shuhet

SHUHET NJË FIGURË E RESPEKTUAR E GJERMANISË

February 2, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
“Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinjë apo të vjetër, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithëve na prekin pasojat e sajë, që na kanë goditur. Të gjithë ata që mbyllin sytë para së kaluarës, janë të verbër në të tashmen”.- Ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker
Zyra e presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck njoftoi se të shtunën ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti i Gjermanisë Richard von Weizsäcker. Ai kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një periudhë prej dhjetë vitesh, nga viti 1984 deri në 1994 dhe më përpara ai kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë së Berlinit nga viti 1981 deri në vitin 1984. Ndonëse detyra e presidentit në Gjermani është më tepër një post ceremonial, megjithëkëtë ai dijti ta përdorte postin e lartë shtetëror për të inkurajuar diskutimin e çështjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare — dhe për të nxitur debatin mbi rolin që duhet të luaj Gjermania në botë. Ish-presidenti gjerman konsiderohej si një udhëheqës i respektuar në fushën ndërkombëtare dhe si një figurë integruesedhe pajtuese brenda vendit të tij dhe me fqinjtë e Gjermanisë. Gjatë mandatit të Presidentit Richard von Weizsäcker dhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua me 3 tetor, 1990.
Presidenti i tanishëm i Gjermanisë, Joachim Gauck në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së para-ardhësit të tij tha se Presidenti Weizsacker, “Ishte simboli i integrimit të Gjermanisë në komunitetin e vendeve demokratike të botës dhe se ai dëshironte një Republikë Federale gjermane e cila do të përballej me të kaluarën e saj.” Ndërsa Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e cilësoi shuarjen e Richard von Weizsäcker si, “Një humbje të madhe për Gjermaninë.”
Ndërkombëtarisht, Richard vonWeizsäckermori famë me fjalimin që ai mbajti në vitin 1985 drejtuar parlamentit të Gjermanisë Perëndimore në Bon, me rastin e 40-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai e cilësoi me atë rast ditën e fitores mbi nazizmin si një “ditë e çlirimit nga sistemi çnjerzor i tiranisë nacional-socialiste.” Ishte ky një fjalim, që sipas Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, “Ndikoi mbinjë gjeneratë të tërë dhe një fjalim që ka përcaktoi imazhin e Gjermanisë si një forcë integruese, në qëndër të kontinentit tonë.”
Në atë fjalim i ndjeri Weizsäcker u bëri thirrje të gjithë gjermanëve — të gjeneratës së tij dhe të brezit të ri që të përballen me historinë e tyre — që të pranojnë turpin e kombit të vet në të kaluarën, duke theksuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të realizuar një të ardhme paqësore dhe të për siguruar pajtimin me njëri tjetrin dhe midis gjermanëve dhe shumë popujve fqinjë të cilët kanë vuajtur nga nacizmi hitlerian. Me atë rast ai pohoi se, “Pothuajse çdo vend në historinë e vet mund të fajësohet për luftë dhe dhunë”, por sipas tij, si krim, “gjenocidi kundër hebrejve është i pakrahasueshëm në histori.” Gjatë atij fjalimi, që bëri shumë bujë në atë kohë, ai pat përcaktuar të ardhmen e gjermanëve me Perëndimin, deklaruar gjithashtu se Gjermania është përgjithmonë e lidhur me Komunitetin Europian dhe me Aleancën Perëndimore.
Si bir i një zyrtari të lartë të regjimit nazist, dhe si anëtar i regjimentit ushtarak që pushtoi Poloninë në vitin 1939, Richard von Weizsäcker mbante mbi supe barrën e historisëjo vetëm si një gjerman i thjeshtë, poredhe si udhëheqës i Gjermanisë demokratike, pasardhëse e një regjimi që shkaktoi aq vuajtje. I ngarkuar me barrën e historisë, ai ishte presidenti i parë gjerman që vizitoi Izraelin dhe e i pari udhëheqës gjerman i cili shënoi 50-vjetorin e invadimit të Polonisë nga forcat naziste me një letër që ai i kishte dërguar homologut të tij polak, me të cilën i shkruante se Gjermania nuk do të ketë kurrë pretendime mbi ish provincat perëndimore gjermane të Polonisë. Për më tepër, ai vizitoi Poloninë për herë të parë në vitin 1990, menjëherë pas shëmbjes së Murit të Berlinit, vizitë të cilën ai e ka quajtur si më të rëndësishmen e karierës së tij politike. Në vazhdën e përpjekjeve të tija për pajtim me fqinjtë europianë, Presidenti von Weizsäcker priti presidentin e parë demokratik çekosllovak, Vaclav Havel për një vizitë në Munich, aty ku Hitleri kishte siguruar nënshkrimin e marrveshjes për ndarjen e Çekosllovakisë, dhe disa javë më vonë — me rastin e 51-vjetorit të hyrjes së forcave pushtuese naziste në Pragë, të prira nga vet Hitleri — presidenti Weizsaker u gjënd në Pragë për të shënuar atë përvjetor në liri.
Në një koment të radios gjermane Deutsche Welle (DW) kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-presidentit gjerman — duke e cilësuar atë si një “figurë morale të rëndësishme”, nënvijohet rëndësiaqë presidenti Weizsäcker i kushtoi gjatë mandatit 10-vjeçar të tij, pajtimit të Berlinit me vendet e Europës Lindore dhe me Izraelin. Ai ishte i bindur, thuhet në komentin e DW-së, se nuk mund të shënohej një fillim i ri në marrëdhënjet e Gjermanisë me këto vende duke fshehur të kaluarën, por donte që të rivendoste lidhje të reja integruese dhe pajtimi midis gjermanëve dhe popujve të tjerë, duke kujtuar dhe rikujtuar atë histori dhe duke diskutuar të kaluarën, sado e dhimshme që ishte, me qëllim për të mos e harruar kurrë.
Madje edhe pasi u largua nga posti i presidentit, Richard von Weizsäcker vazhdoi të luante rolin e tij integrues dhe pajtues në Europë midis vendit të tij dhe vendeve të Europës Lindore.Mendimet e tija kërkoheshin dhe këshillat e tija dëgjoheshin, pasi konsiderohej si mbështetës i vendosur i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe si njëri që besonte se historia sado e keqe dhe e dhimbshme të ketë qenë duhej të shpalosej për brezat e ardhëshme në përpjekje që të mos përsëritet kurrë më.
Në një kryeartikull mbi Kosovën, botuar në gazetën amerikane Washington Post më 28 mars, 2007 me bashkautor ish-ministrin e mbrendshëm Italian, Giuliano Amato, i ndjeri ish-presidenti gjerman Richard von Weizsäckertregon interesimin e tij edhe për gjëndjen në Kosovë. Në atë artikull ai shprehte shqetësimet e tija mbi status quonë në Kosovë (më 2007) duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për një angazhim më të madh dhe më të vendosur në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke shkruar se “E ardhmja e Bashkimit Europian nuk mund të ndahet nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit tani janë aq afër suksesit sa janë edhe afër dështimit. Luftërat kanë marrë fund, por profili i rajonit është një numër shtetesh të dobëta dhe protektorate ndërkombëtare të cilat shpresojnë të antarësohen në Bashkimin Europian, por nuk dinë se kur dhe si.”
Ata vazhdojnë artikullin duke theksuar se, “Ne europianët kemi një përgjegjësi të veçantë për çka ka ndodhë në Ballkan.” Dhe duke pranuar dështimet e politikës europiane ndaj Ballkanit gjatë 1990-ave, ata shkruajnënë gazetën Washington Post se, “Ne dështuam të parandalonim shpërthimin e luftërave në zemër të Europës, megjithëse tani, ndërhyrja jonë ushtarake dhe ekonomike, kryesisht, i ka dhënë formën gjëndjes së tanishme të kirjuar në atë rajon”, dhe theksonin se “shumica e forcave ushtarake sot në Kosovë janë europiane dhe se Europa ka kontribuar shumicën e fondeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit”, nënvijojnë bashkautorët e artikullit mbi Kosovën. I ndjeri Richard von Weizsäcker, së bashku me kolegun e tij Italian, e përfundonte artikullin mbi Kosovën duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës duke bërë thirrje që “Me çdo kusht, Europa duhet të mos lejojë që disa vende europaine të përkrahin njohjen e Kosovës e disa të tjera jo”, përfundonte artikulli i botuar në gazetën e kryeqytetit amerikan në vitin 2007.
Ish-presidenti i parë i Gjermanisë së ribashkuar, Richard vonWeizsäcker dhe figura që konsiderohet si “ndërgjegja morale e kombit” të vet, ndërroi jetë të shtunën që kaloi në moshën 94-vjeçare.

Filed Under: Analiza Tagged With: E RESPEKTUAR E GJERMANISË, Framk Shkreli, NJË FIGURË, shuhet

SHUHET ME PENGUN E MADH NE ZEMER

January 23, 2015 by dgreca

Shuhet Dedë Gjomarkaj(1921-2015) me pengun e madh në zemer të jetëve të këputura të familjarëve të tij që vepruan për atdheun e roberuar./
Nga Leonora Laçi- Shkodër./
Deda kujtonte-“ Dy gjana i kemi pa nëper burgje dhe kampe të përqendrimit se sa poshtë bjen karakteri i njeriut dhe se sa lartë ngritet karakteri i njeriut. Unë kam pa një qen që kishte kap një zorrë te qejve që i prenin, ku në një anë e ka kap zorrën qeni ndërsa ne anën tjeter i burgosuri, se kush ta merr i pari zorrën e lopës me hanger.”
Në Kullën e Qendresës në Shkodren heroike, jep frymen e fundit, sot me 23 janar 2015 , në moshën 94 vjeçare pinjolli i parafundit i familjes së njohur të Derës së Gjomarkajve që njihen ndër shekuj si Kapidanet e Mirditës.
Ky lajm hidhëroj sëtepërmi Nikollën që është djali i fundit i Gjon Marka Gjonit. Në Orosh të Mirditës në Derën e Kapidanit Gjon Marka Gjoni u lindën fëmijët : Marku, Ndoja, Lleshi, Deda e Nikolla si dhe Dava, Gjela, Marta , Dila dhe më e vogla Bardha.
Dedë Gjomarkaj i lindur mes shkrepave të Oroshit në Mirditës, që su mposht as nga torturat e regjimit komunisit, duke bëri 46 vite burg dhe interrnime.
U burgos që në moshën 22 vjeçare, duke e denuar me pesë vjet heqje lirie për shkak gjoja të lidhjes së tij me të arratisurit e nëntorit të 1944. Pasi kreu dënimin u pengua të shoh familjen e tij pasi ri-arrestohet duke e mbajtur për tre vjet të izoluar nga Sigurimi i Shtetit.
Në periudhen kur emigracioni politik Shqiptarë me mbështetje nga perendimi po bënte tentativa për destabilizimin e regjimit të Hoxhës, i bëhet presion që ti shkruante letër babait (që ishte arratisur në 1944) pasi donin ta bënin vegël të sigurimit, për ta dërguar me aktivitet, për diversion në rradhët e diasporës. Sigurimi përdori çdo mjet të torturës për ta detyruar Kapidan Dedën të bëhet vegël e sigurimit. Meqë nuk ja arritën e nxorrën para gjygjit duke e dënuar dhe me 7 vjet të tjera me motivin se kishte tentuar të arratisej, tashmë ndodhej në burgun e Gjirokastres. Pothuajse gjatë gjithë sundimit të regjimit Komunsit i kaloi këto vite sa në një burg në tjetrin si Burgun e Vlorës, Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës e Burrelit. Duke provuar të gjitha punët e rëndomta, jo vetëm ai por dhe e gjithë elita shqiptare antikomuniste e pro-perendimore që nuk e dëshironte regjimin e instaluar. Jeta e Dedës, që na paraqitet përmes fakteve tashmë të botuara në vepra nga Studiuesja e njohur Fatbardha Saraçi-Mulleti, është shëmbull i sakrificës, është dëshmi e gjallë e saj çfarë komunizmi Stalinist bëri mbi një popull të tërë. Ku ndërtoi socializmin duke skllaveruar një popull të tërë, e mbi eshtrat e gjakun e tyre ngriti Shtetin. Ku shqiptarët jetuan luftën më të egër të klasave, ku shtypja e torturat ishin të ndërthurura e që hodhën themelet e atij regjimi diktatorial. Kapidani Deda që u kalit që në rinin e hershme nëpër burgje, do kthehej në shtëpi në moshën 67 vjeçare, tashmë i lodhur, i drobitur, e i plakur, e pa formuar familje duke ngrysur vitet e fundit të jetës në Kullën e famshme ku burrat e mëdhenjë të Shqipërisë vendosen për fatet e vendit. Prof. Ernest Koliqi i ka kushtuar një këngë Kapidanit të Mirditës Dr. Mark Gjon Markut, nga poezia e gjatë e tij po shkëpus disa rreshta-
“ Bri votrave n’Mirditën thepa thepa
shka pershperisin nanat përmbi djepa?
Fjalen e fundit qi me za t’thekun
la kapedani para se me dekun:
– Ju shtegtar’: kushdo qofshi, qi kërkoni
rrugët e botës, Plakut t’em m’i thoni,
për n’m’ a takofshi kund nder dhena t’hueja:
Vul’ gjaku u vuna porosive t’tueja:
dathë ase mbathë e ngran’pa ngranë un ngjitas
t’ mirën e t’keqen dava me Mirditas,
vuejta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita
e Derën e Kanunit s’ta korita.”
(marr nga Libri i Tomë Mirjaj-t“Marie Shllaku- Bijë e Shkodres martire e Kosovës”, NY 2004) Publicisti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit në SHBA Z. Tomë Mrijaj u shpreh-“ Atë që nuk mundi ta bëj për 500 vjet pushtimi Otoman, për turpin e madh u përpjekën ta shfarosin historinë 500- vjeçare të derës së Kapidanëve të Mirditës, vet vllezërit e një gjaku.
-Jo Dera e Kapedaneve nuk do shuhet kurrë, se është vetë historia e popullit Shqiptar.
Gazetari i mirënjohur Shqiptaro-Amerikan Beqir Sina, që ka provuar mbi kurriz përsekutimin e egër komunist shprehet për Kapidan Dedën se -“Ky ka qene nje ndër ata burrat e shumte qe me plot kuptimin e fjalës i thon zotni dhe fisnik, te kampeve te interrnimit – simbol i familjeve te medha deres se madhe te Kapedanit te Mirdites, i cil ka ndrruar jet sot . Deda ishte nje njeri i urte, fjalë but dhe shpirt njeriu ai transmetonte tek ne, te presekutuarit vetem vlera humane, atdhetarie dhe patriotizmi, Ai eshte nga ata te presekutuar egersisht nga regjimi diktatorial qe ndoshta kurre nuk beri thirrje per hakmarrje, perkundere vuajtjeve te tmershme qe kishte perjetuare ne burgjete e komunizmit ai dhe familja e Kapedenati te Mirdites -Mbetet vetem ti Shprehim Ngushllimet me te Sinqerta Familjes se Kapedanit te Mirdites, miqve te afremeve dhe dashamirve te Tij – Shokeve te burgut dhe Perjetuesve te tij.
Zoti e Ndrit Shpirtin e Tij ne Pariz dhe nderoft Qendresen e tij, Zoti e Bekoft Shqiperin dhe familjen e Kapedanit te Mirdites. I perjetshem qofte kujtimi i Tij – i mikut te shtrejte te familjes time Ded Markagjoni”. Ndërsa parashutisti antikomunist Zef Luka nga Shkodra qw i shpëtoj kthetrave të komunizmit, i cili i kaloi 50-vite në mërgim, me tu kthyer në atdhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit , takohet me Kapidan Ded Gjomarkut, në kullën e Kapidan Markagjonit në Shkoder ku e përshëndet Dedën me këto fjalë – “A je burr i forte? – ku Deda i përgjigjet- Burrat e fortë janë në Zallin e Kirit. Ndërsa Fatbardha Saraçi e kujton Dedën me këto fjalë-“ Ishte njëri me zemër të madhe, që vuajti shumë, por shpirti i tij mbeti përherë i lirë. E gjithë qenia e tij, rrezatonte, një ngrohtësi, dashuri, qetësi, që dine ta dhurojnë njerëzit me shpirt të madh, heronjë që i mbijetuan torturave të sistemit socialist-komunist të Shqipërisë”. I paharrueshem qoftë kujtimi i tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Dede Gjonmarkaj, e madh, Leonora Laci, me me pengun, shuhet

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT