• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKRIMTARI QË TREGOI “SI MBIJETUAN SHQIPTARËT”, S’ËSHTË MĒ MIDIS NESH

March 7, 2017 by dgreca

1 Demolli Nga Sinan KAMBERAJ/ U nda nga jeta Arif Demolli, shkrimtari, i cili arriti t’i kthente në humor me shumë sukses situatat dramatike jetësore, përmes magjisë së artit të vet letrar.
Jam me fat që e kam njohur nê auditorët e Fakultetit Filizofik të Prishtinës, në Vitin 1971. Që atëherë e shtuam miqësinë, si kolegë, gazetarë në Gazetën e Studentëve “Bota e Re”; tri vjet më vonë, poashtu bashkë – në Televizionin e Prishtinës, për ta ruajtur miqësinë, edhe në situatat dramatike të jetë së tij, deri sot, kur e dha frymën e fundit.
Për gati pesë dekada, me Arifin i kemi përjetuar dhe pjesëtuar bashkarisht gëzimet jo të pakta familjare, ashtu sikurse edhe hidhërimet mjaft të shpeshta që di t’i sjell jeta, sidomos ato që u “parashkruhen” njerëzve jokonformistë, siç ishte Arif Demolli.
Arifi ka qenë një intelektual i rrallë, në plotëkuptimin e fjalës, – një gazetar e redaktor i guximshëm, një shkrimtar prodhimtar – poet e prozator; romancier, eseist, autor tekstesh muzikore, autor librash shkollorë dhe, mbi të gjitha, ai ishte një mjeshtër i prozēs së shkurtër satirike dhe i poezisë humoristike. Menjëfjalë, Arifi ishte një krijues i gjithanshëm që na la trashëgim dhjetëra vepra që zënë një vend nderi në fondin e artit letrar shqiptar.
Arif Demolli ishte një i dënuar politik, i cili i vuajti dy vjet burg, siç iu tha, si kundërshtar i regjimit 1981/82. Qe akuzuar se ishte tallur me qeverinë dhe se kjo shihej nga provat që i kishin parë të gjalla zyrtarët e shtetit në një ditar privat të tij, që i ishte gjetur gjatë një bastisjeje policore të shtëpisë familjare në Kolovicë të Prishtinēs.
Më pastaj, shtatë vjet të tjera, Arifi mbeti pa punë (!).
Ndoshta nuk është rasti të thuhet, por nuk mund të përmbahem pa e thënë se turpi duhet të bie mbi atë që e spiunoi, mbi urdhërdhënësin, hetuesin, prokurorin e gjyqtarin, serbë a shqiptarë qofshin ata, që e arrestuan dhe e dënuan Arifin, që u përpoqën t’ia prishnin jetën, ashtu si dhe mbi ata që s’e lanë të punonte, mbas vuajtjes së dënimit.
Ata që ia mohuan kētë të drejtë themelore, pra të drejtën e punës (shqiptarë ishin), do të duhej ta dinin se Arifi i kishte katër fëmijë që duhej rritur e ngritur. Fëmijët, megjithatë, do të rriteshin e do të ngriteshin, ndonëse me shumë mundime … Ata u rritën me dinjitet, me përkujdesjen e Gjyshit Rizë, sa ishte Arifi në burg, dhe Nënës Nergize, gjatë gjithë kohës, gjatë vuajtjes së burgut dhe më pas.
Sot, kur tashmë janë bërë të zotët e vetës, Anila, Mimoza, Ylli dhe Dodona, të gjithë me studime të mbaruara, duhet të jenē krenarë për Babën e tyre, Arifin.
Me Arifin krenohen edhe miqtë e shokët e tij të shumtë.
Arifi e ka përballuar dënimin me burg. Arifit ia kanë ndaluar të botonte për shtatë vjet, por s’kanê mundur t’ia ndalojnë të shkruante!
Ai shkruane pa u lodhur. “Po shkruaj për vete”, thoshte shpesh, deri në vitin 1990, pa shpresë se do t’i botonte në të gjallë.
Arifi e dinte si mbijetohet, sepse e dinte “Si mbijetuan shqiptarët”. Ai e dinte si dukej qyteti me sytë e një artisti, sepse i shihte mē mirë se të tjerët “Ballkonet e njē qyteze”. Secili e ka fëmijërinë dhe djalërinë e vet; edhe Arifi e kishte të vetën. Por, “Fëmijëria, djalëria …  ” e Arifit ishte tjetër, është artistike, është kryevepra e tij.
U gëzuam vjet që Ministria e Kulturës e Kosovēs e nderoi me   Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për Krijimtari Jetësore Letrare, për Vitin 2015.
Ajo e nderoi Arifin, por edhe vetëvetën.
Pêr fat të keq, që sot, artdashësit do ta kenë mangut një krijues të mirëfilltë të letêrsisë. Por, duhet ta pranojmë me keqardhje se fëmijët sot janë humbësit më të mëdhenj. Atyre do t’u mungojë shkrimtari Arif, autori i dhjetēra veprave për fëmijë, vepra me shumë vlerë. Atyre do t’u kēputet vargu i librave të reja të Arifit në raftet e bibliotekave shkollore e familjare.
Arifin do ta kujtijnë të gjithë ata që e kanë njohur! Do ta kujtojnë, sepse, Arif Demolli, ashtu siç shpërthente në gaz, duke qeshur me zemër për një barcoletë të rrëfyer nga tjetri, pikëllohej për njē pipth dardhe të shartuar, që s’e nxirte sythin në kopshtin e tij në Kolovicë.
Pushoftë në paqe shpirti i tij paqësor!
_____

New York, 6 mars 2017
___

Një foto e vitit 1970. Anëtare të Redaksisë së Gazetês “Bota e Re”, bashkë me anëtarë të SHKA të Studentëve “Ramiz Sadiku”. Arif Demolli (i treti në këmbë, nga e djathta)

Filed Under: Opinion Tagged With: Arif Demolli, Sinan Kamberaj, u shua

NJERIU QË VULOSI DY KOHË

January 23, 2017 by dgreca

Sinan KAMBERAJ/

NJERIU QË VULOSI DY KOHË/

(Ibrahim Rugovës, në 11 vjetorin e ndarjes prej nesh)/
1 Sinan

Saherë vinte nē New York -/

Në Zemrën e Tokës së Shenjtë/
Ai fliste për Shtëpinë -/
Që e  ruan Zoti dhe Miqtë/
Për Gurēt për Dritën për Jetën …/
Por kur fliste pë Zjarrin -/
Që kur bie djeg gjithçka të gjallë/
Më bëhej se i shtohej/
Nga një rrudhë në ballë …/

Njerëzit pëshpërisnin me vete
Dhe e vështronin me habi
Si mund ta shuajë Zjarrin me Frymë –
Ky Njeri?!
*
Dhe vitet shkonin
Borë thinjash reshte
Mbi kokat tona …

Ai s’e humbi asnëherë Shpresën
Dhe Besimin
Se Dielli i Naimit
Lind andej nga Perëndon …

Dhe vitet shkonin
E
Çatia zu të pikojë pikëllim
Nga dhimbjet e trarëve
Që kêrkëllinin nga acari
I Dimrit të Vetmisë së Madhe

*
Erdhi Dita e Premtuar

Rrathët e Ferrit të Dantes
Po çaheshin me gjēmim
Nga uturima e Zogjve të Zjarrtë
Mbi Qiejt e Ballkanit –
Të shituar nga Qoftëlarg’ja Plakë –
Tek digjeshin flakë, flakë …

Njerëzit që ishin bërë Numra
Flisnin me gishtërinj:
Një, dy, tre … dhjetë, Shtatëdhjetetetë
Shekuj ishin, ditē a net?
Derisa u përmenden:
Sa i hollë kish qenë Kufiri
Midis Jetës dhe Vdekjes!

Atë e kish ditur Njeriu i Mirë!
*
Sakaq të gjallët panë
Tek mbinin lulëkuqe
Mbi pellgje të njoma gjaku …

O Zot
Ç’Diell i tmerrshme po lindte
Me dënesa fëmijësh
Dhe gulqima Nënash të dhunuara
*
Sapo ishte çelur Qielli i Dardanisë
Të gjallët rikthyen –
Të folmën e moçme me jehona
– A jeni njehë, oreeeee!

Dhe –
Filluan ta masin kohen:
Para Lufte dhe Mbas Lufte!

Ai tashmë u kish rënë Vulë të Dy Kohëve!
__________________
21 janar 2017

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: NJERIU QË VULOSI DY KOHË, Rupva, Sinan Kamberaj

SINAN KAMBERAJ:TRE BREZAT E TRIMAVE KOSOVARË

December 31, 2016 by dgreca

1-sinanTRE BREZAT E TRIMAVE KOSOVARË/

Nga Sinan KAMBERAJ/
_______

I Pari nis nga Dy Vëllezër/
Mustaqepërdredhur
Kallushanë si Arusha t’Malit/
Që ishin zënë fytafyt/
Për një bagël nē udhë -/
Nëse ishte e Lopës a e Kalit …/

Dhe, sakaq e kishin lënë fshatin
Po atë natë tërë inat
Pa lamtumirë!

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

Mbas pesëdhjetë vjetësh
Na ishin takuar sërish

Për ta përsëritur marrinë
Secili në të vetën:
– E lopës ka qenë! – çartej njëri
– Jo e lopës, po e kalit! – tjetri!

Po, tashmë s’kishin takat për luftë

Kishin vdekur Vëllezërit e Marrë
Pa lënë gjë kryeshpirti
Përveç Anekdotës …

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

Erdhi Brezi i Dytë –
Bijtë e vëllezërve legjendarë
Të varfër e të rrjepur
Gjithë ditën në hije dardhe
Rronin me të vetmën drojë
Të mos i mundte Qyqja
Ditën e Shëngjergjit
Dhe të mos i hynin n’hak hyqymetit!

Mbrëmjeve mbas iftarit
Kur binte Tupani i Ramazanit
I Madhi mësyente drejt Xhamisë
Tjetri që shquhej për shkrim cirilicë
Çante udhën për dritë hane
Drejt Stacionit t’Milicisë …

E hajt – e – hajt, e hajt – e – hajt!

***
Erdhi koha e Stërnipërve
E “kumandantëve” – brez i tretë
Që i konvertojnë toskërisht
Nazalet e gegnishtes
Kur e rrjepin serbisht
Kosovënënën
Që e kanë çliruar
Me magji prej Rognerit
Larg – larg fronteve tê luftës!

As troku i Kalit të Anekdotës
Së Stërgjyshërve ahmakë
S’ua vret ndërgjegjen!

Sojsuzë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: E TRIMAVE KOSOVARË, Sinan Kamberaj, TRE BREZAT

NJË BANESË AFËR BANKKOS – it TË QEVERISË

September 12, 2016 by dgreca

Nga: Sinan KAMBERAJ/

Një fshatar nga Muçivërci, që kish ra mbas lufte në shehër, ka vendosë ta shesë një banesë katërdhomëshe në Prishtinë. “E shes banesën në qendër të Prishtinës, mbrapa Skënderbeut të Bukoshit, pra afër BANKKOS-it të Qeverisë”, thotë ai. Ai shton se banesën ia ka lanë për shfrytëzim djali i tezes, kur ka ikë drejt Evropës, nëpër Hungari, dukë shtuar se nuk do të kthehet deri sa Hasha e Isa f’i liberalizojnë vizat me Evropën. Shitësi thotë se “blerësi mundet ‘me fjetë dathë’, sepse ka punë veç me mu”. Ja në vazhdim njoftimi i plotë i shitësit: Banesa i ka 4 dhoma. E ka nji dhomë gjumi (me mundësi fjetjejr prej orës 4:00 të mëngjesit deri në 7:00, kur flen kojshia mbi banesë). Dhomat tjera i kam shndërru’, pa e pyet hiç ish-pronarin, dmth. ish – tezakun, në tri sallone pritjeje për mysafirë. * I lindur në një familje të varfër, por tepër bujare, e kam dijtë se ka me ardhë nji ditë kur kam me pritë mysafirë që vijnë për dert në Spitalin e QKUK-së, e ku s’ka me pasë dhoma të lira për akomodim të nafakëpremëve. Parashikimi im ka dalë i saktë, mbasiqë ka kohë që Ministria e Shëndetësisë, që dikur moti i kanë thanë serpçe “za zdravlje”, – që shqip dmth.: kundër zhugës, – Drejtoria ka bashku shumë dhoma të Spitalit, për me i shndërru në sallone – rezidenca për anëtarë të, tashmë, ish – Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që po e vuajnë ose do ta vuajnë burgun, për shkak se pop’llin e kanë “çliru'” prej s’largu, pra prej “Rognerit” të Tiranës, larg vijave të frontit. Ky veprim i Ministrisë ka bërë që të zvogëlohet shumë kapaciteti spitalor për t’i akomoduar dasmorët e dalldisun e të çallamitun me kallasha gjatë sezonit të dasmave kosovare. Sallonet janë të shtrume me qylyma kuqezi me shqiponja dykrenare – dhuratë nga VV (në këmbim të gazit lotësjellës, që i ka pas’ metë prej luftes nji kushërini). Muret e salloneve janë të stolisuna me çiftelia që i ka shpëtu Shtabi i Zonës së Dukagjinit, pa i djegë serbët gjatë luftês – dhuratë nga AAK. Ato janë të stolisuna edhe me kumona të lopëve që kanë cofë mbas lufte në Drenicë nga smundja e gungau’ – dhuratë nga PDK, – ato që kishin pasë fat me shpëtu pa i pre Shtabi i Zonës sē Drenicës, për nevoja të veta. Pastaj, muret janë të stolisuna edhe me defa të madhësive të ndryshme të katundeve të Ferizajt, që i kanë çky gratë në dasma mbas lufte, tu knu kangën “Jena gëzu, jena tranu tu fluturu”, kur pat bâ kUalicion Lë-Dë-Kë me Py-Dy-Ky në zgjedhjet parlamÊntare. Muret janë të veshuna, dyfish, me tulla të Fabrikës së Prishtinës, e falimentume nga AKP-ja, për shkak të konkurrencës me nji të ngjashme në Zonën Opreative të Llapit. Pastaj ka stoli të tjera, si rrotë bicikletash të vjetra, të kohës kur ka lujtë me to në Zhabar, kryetari i Ri i Py-Dy-Ky-së, Zotriu Veseli, pak para se me u ba Shef i SHIK-it , etj.. Ka edhe stoli metalike, si psh. fenerë të ish-Hekurudhave tu Kosovës, zinxhirë të ndalim-parkingjeve të Isës, që i pat ‘zavencu’ me kunxha Shpeni, pastaj llampa të moçme me gaz, që s’janë veç stoli. Ato përdoren kur na çkyq shefi I Operatorit të KEK-ut, me kryeshef (pa kUnkurs) tezakun e nipit të burrit të hallës së shefit të Shefave, Grabovçit, si dhe stoli të tjera. Në muret e sallonit tjetër ka të mbështetun hûj gardhi, që dikur I kanë përdorë si mjete konkretizimi “mësuesit” e Zonës Operative të Nerodimes, që, mbasi e kanë çliru popllin, e kanë çliru edhe Universitetin dhe instUtucionet tjera tê shtetit tonë të p-a-v-a-r-u-r dhe de-mo-kra-tik. Në sallone mund të xhirohen emisione me kangë patriotike, nga RTK, sa me ua hjekë dhimbjet e prostatës disa veteranëve të LDK-së, që u kanë mbetë vathët në cica, qyshkur kanë thithë, disa prej të cilëve janë tezeq e baxhaneq me veteranê të PDK-së. Në Këto Sallone, deri tash janë xhiru emisione me rapsodë tek: nji këngëtare ose nji këngëtar, ose çift: nji këngëtare me nji si-kangëtar, ose e kundërta. Salloni i tretë asht i pajisun me aparate mjekësore që m’i ka pas’ pru dhuratë gabimisht ni nip prej Suedie, për shkak se nuk e kishte kuptu’ porosinë e nji donatori zemërbardhë, kur asht nisë për Kosovë. Momentalisht në këtë sallon asht i shtrimë nji mysafir fatkeq, që e kishte nxanë nata në Lagjen e Spitalit, i cili, tu mos dijtë ku me bujtë, hyn në QKUK. I lodhun, qysh kish qëllu , ia kish futē gjumë në nji dhomë në Pavionin e Kirurgjisë, tu’ menu’ se ndonji pasanik e ka lanë çelë derën e Kullës për mysafirë. “Mysafiri” kishte përfundu në zyrat e Policisë në Lagjen e Trimave, zonê zgjedhore e Ismet Ebu Bekirit. Mbasi kish bâ be e rrëfe se nuk kishte shku me vjedhë në spital, por me fjetë nji natë, sepse, – siç kishte thanë, – atU, pra në Spital, nuk kish mâ kush çka me vjedhë, përveç shiringave të ndryshkun dhe ndonji skalperi që e përdorin motrat me pre suxhuk. Mbas deklEratës, nji rreshter ia kish dhânë nji shkelm bythëve dhe një pusullë për antibiotik. Unë e kam vendosë në sallon përkohësisht, shumë të traumatizuem, – mbasiqë s’ka kush që ia heq dyshimin se në spital, kur ka qenë n’gjumë, e kanë ba synet, për të dytën herë në jetë, me ‘udhëzim’ të Dr. Mulla Krasiqit, një javë para Bajramit, për shkak të nji inati të vjetër. Ky Mullai që po flet gati çdo natë për gra në TV, kur ka qenë i vogël tu lu’jtë guxhaz, me fëmijë, me nder jush, e paska pasë dhi Abetaren në faqe 37 te germa U – e madhe e shtypit, u – e vogël e shtypit, “Ujku ra ndër dele”. Dhe, ‘musafiri i Spitalit’, e paska pasë tregu këtë ngjarje në nji dasmë. Dr. Mullai, e ka mohu’ këtë, por prej atëherë i ka mbetë “ves” me rrejtë. Fatkeqi i Lagjes sê Spitalit ka me banu nê Sallonin tim, deri sa të vjen kysmeti me e shitê banesën. Shitësi thotë se ka qef me e shitë banesën pa ardhë tezaku i tij prej ‘jashti’ dhe shton se për çmim, merremi vesh lehtë. Emnin e shitësit e ka Agjencia e Patundshmërive “PALLATE, KULLOSA e GURËTHYES”

Filed Under: Politike Tagged With: AFËR BANKKOS - it, NJË BANESË, Sinan Kamberaj, te qeverise

Një takim i paharrueshëm me Nënë Terezen

September 2, 2016 by dgreca

 

1 SinanKamberaj-NeneTereza2

SinanKamberaj-NeneTereza4

SinanKamberaj-NeneTereza3Një fytyrë që rrezaton fisnikëri…/

Nga Sinan Kamberaj/

Sapo hapem zyrat e Gazetës Illyria, ra telefoni. Misioni Shqiptar në OKB na njoftoi se pas një kërkese që i kishin parashtruar zonjat dhe fëmijët e personelit të këtij Misioni,  zyrës së Motrave Misionare, për një takim të shkurtër me Nënë Terezën në Bronx, kishte arritur pëlqimi për takimin. Redaksia jonë kishte nderin dhe privilegjin të merrte pjesë në takim, gjë që ishte një kënaqësi e vecantë, e paharrueshme.

Takimi, në fakt, e kishte një të metë: nuk mund të bënim intervistë me Nënë Terezën, sepse Ajo ishte e lodhur nga puna që kishte bërë gjatë qëndrimit disaditor në Amerikë. Marrëveshja, si e tillë, duhej respektuar.

Kush do ta refuzonte këtë shans, pavarësisht nga ky kufizim? Do ta takonim Nënë Terezën, do të bënim fotografi bashkë, do të këmbenim ca fjalë, fundja, do ta përshëndesnim dhe do t’i thoshim shqip atë që duhej thënë: Lutu për ne!

E po, a nuk ishte ky një rast i rrallë?

Takimi u zhvillua gati ashtu siÇ e imagjinuam. Në një Shtëpi (të vogël) Misionare në St. Rita Church në Bronx, po na priste një Nënë e Madhe: Gonxhe Bojaxhiu  – Nënë Tereza.

“Do ta takoni pas pak Nënë Terezën”, tha Jenny, një ndihmëse e saj, e cila na priti ngrohtësisht para hyrjes së Shtëpisë.

U ngjitem shkallëve në katin e parë dhe sakaq u shfaq Nënë Tereza.

“Mirë se vini! Zoti ju bekoftë!”, përshëndet mysafirët Nënë Tereza dhe ulet në një karrike, në një dhomë të mobiluar fare thjeshtë.

“Është një nder për ne që e kemi Nënë Terezën në mesin tonë, krenarinë e kombit shqiptar dhe të gjithë njerëzimit” filloi të fliste ambasadori Pëllumb Kulla. “Kjo, me të vërtetë është një ditë e veÇantë për ne, që Ju takojmë këtu”, iu drejtua ai Nënë Terezës.

Ajo falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Fytyra e Saj rrezatonte ngrohtësisht mirësi dhe fisnikëri. Për një Çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare. Fytyra e saj është vërtet një fytyrë tipike  e nënave tona, e atyre plakave fisnike, të cilat, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat e tyre bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi e butësi qiellore.

Në këtë Çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!

(Sa fotografi të Saj i kam parë të varura në muret e shtëpive shqiptare në Kosovë, në muret e klasëve në shkolla, sa këngë janë kënduar për Të në kopshte e shkolla, sa vizatime me fytyrën e saj, me të hequra vijash të sigurta, nga duar fëmijësh, sa vargje në faqet e shtypit shqiptar: “Nënëz-o, Nënëz-o!…)

Gonxhe Bojaxhiu ka shkruar edhe vetë poezi. “Po lë shtëpinë zemërfanar/ Vendlindje e farefis/ Po vete n’Bengalin dergjevarë/ Atje në të largëtin vis”. (Nga poezia: “Lamtumirë”, shkruar më 9 dhjetor 1928, gjatë udhëtimit për në Indi).

Dora e ngrohtë e saj prek butësisht duart tona. Gishtërinjtë magjikë përkëdhelin flokët e butë të fëmijëve mysafirë. Ata e shikojnë me kurreshtje dhe dashuri dhe sakaq edhe ne të rriturit, më bëhet se bëhemi si ata. Unë, për veten time – po. Me vinte t’i pyesja fëmijët: Si e ndjeni vetën kur, në Çastet e Çapkënërisë, pas ndonjë sherri të vogël, nëna ua ngre veshin? Ju dhemb? Jo, jo, ju “djeg“ ëmbëlsisht, sepse gishtërinjët e  nënës janë magjikë?

Kthjellohem kur Nënë Tereza fillon të flasë, qetë-qetë. Nuk mund të mos e përfytyrosh gurgullimën e Vardarit të Shkupit. Tek lutet, Ajo palos cepin e veshjes së bardhë, me vija ngjyrëkaltër të  Çelët, ndërsa ti përfytyron shkumëzat e bardha të Lumbardhit të Prizrenit, pas përplasjes me shkëmbin.

“Ma kanë punuar të sëmurët leprozë shqiptarë”, thotë ajo në anglishte.

Tek zë ngoje Shqipërinë, padashur të shkon ndërmend se dy lumnej – njëri i trungut familjar Bojaxhiu, ndërsa tjetri – i fëmijërisë së Gonxhes, rrjedhin në dy drejtime të ndryshme dhe derdhen në dy dete, poashtu të ndryshme: Lumbardhi – në Adriatik, kurse Vardari – në Egje.

Familja Bojaxhiu është e shpërndarë në disa vende të botës. Është e sigurt se familja e saj rrjedh nga Prizreni; një pjesë jeton ende aty, një pjesë në Shkup. Dega shkon deri në Egjipt.

Gonxhja u lind në Shkup, më 27 gusht 1910, nga babai Kolë Bojaxhiu, një tregtar i madh e i ndershëm, patriot i flaktë, si dhe nga nëna Drane, një grua fisnike e bujare.

Njëri nga studiuesit e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Dom Lush Gjergji, duke iu referuar rrëfimeve të vëllait të Gonxhes, Lazrit, thotë se “shtëpia e Kolë Bojaxhiut ishte gjithmonë krahhapur, si për miqtë, ashtu edhe për të varfërit. Ajo ishte një Çerdhe politike, kulturore, ndërtimtare…”.

Dom Gjergji shpalos kujtimin e Nëne Terezës për të jatin e saj, Kolën.”Bija ime, mos e le asnjë kafshatë buke pa e ndarë me të tjerët…”.

Lorenc Antoni, tashmë i ndjerë, një kompozitor i njohur nga Prizreni, bashkëkohanik dhe farefis me Nënë Terezën, thoshte se më 20 gusht 1928, duke u kthyer nga Kisha Katolike Shqiptare e Letnicës së Vitisë së Kosovës, Gonxhja i kishte thënë në besë: “Kam vendosur para Zojës së Letnicës të shkoj në misione dhe t’i kushtohem tërësisht Zotit për shëlbimin e shpirtërave…”

Që nga viti 1948 Nënë Tereza jeton në Kalkutë të Indisë, midis njerëzve të uritur.

Ajo, edhe pse mban mbi supe 85 vjet, ngrihet lehtësisht. Flet kulluar “Edhe pse po i mbushi 85 vjet, ndjehem mirë, sepse të gjithë luten për mua”, na thotë ajo në anglishte.

“Presidenti (Berisha) më ka ftuar të shkoj të jetoj në Shqipëri”. “Nëse dikush dëshiron të të vizitojë apo të bisedojë me Ty, le të vijë në Shqipëri”, më tha ai, – shton Nënë Tereza, duke qeshur. “Ndoshta do ta dëgjoj sugjerimin e Presidentit”.

Nënë Tereza e kishte nënën, vëllain Lazër dhe një motër në Shqipëri. Regjimi komunist i Tiranës nuk e lejoi ta vizitonte as varrin e së ëmës, as varrin e së motrës, deri në gusht të vitit 1988. Ky akt do t’i ketë shkaktuar dhimbje Nënë Terezës, por jo edhe zhgënjim. Dhimbjet e bëjnë njeriun të fortë, por akoma më të fortë janë ata që kaliten me vuajtje e dhimbje në fëmijëri.

Babain e Gonxhe Bojaxhiut, Kolën e kishin helmuar serbët në Beograd, në vjeshtë të vitit 1918, pas një mbledhjeje të rëndësishme të Parlamentit, ku ishte diskutuar për Çështje shqiptare. Kola ishte përfshirë në debat, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve si deputet i Shkupit.

Vdekja e Kolës kishte shkaktuar dhimbje të madhe në familjen e tij, por edhe në mesin e shqiptarëve të këtij qyteti. Ishin pikëlluar veÇanërisht varfanjakët e shumtë të qytetit, të cilët i kishte mbajtur gjallë ai. Kola u varros me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, në varrezat katolike në Shkup. Pas tërmetit fatal që goditi Shkupin, në vitin 1963, eshtrat e Kolë Bojaxhiut u zhvarrosën, bashkë me eshtrat e shqiptarëve të tjerë dhe u rivarrosen në periferi të qytetit të Shkupit.

Vitet e fundit Nënë Tereza ka qenë shumë herë në Shqipëri. Herën e fundit ishte më 25 prill 1993, ku bashkë me Papa Gjon Palin mori pjesë në ceremoninë madheshtore të inaugurimit të Katedrales së Madhe në Shkodër.

***

Është koha ta lëmë të qetë Nënë Terezën. “Rrnofsh sa malet!”, i thotë kolegu im, Isufi. “Ju kujtohet kjo uratë shqip?”, shton ai. “Ma përsërit ngadalë!”, thotë Ajo. “O, po, po!”, përsërit duke buzëqeshur. “Na rrnofsh sa malet”, – i themi edhe ne. “Edhe Ju”, thotë Ajo.

Nënë Tereza na përcjell deri te dera. I përqafon fëmijët, i ledhaton. Na uron rrugë të mbarë.

***

Pas ndarjes, nuk mund te mos meditosh për takimin. Si është e mundur që një komb i vogël, si ne shqiptarët, – bukur i pafat gjatë historisë, – t’i jepë botës figura kaq të mëdha, si Nënë Tereza. Nobelistja e Paqes, tashmë është, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e gjithë njerëzimit. Më 557 shtëpitë e saj në 126 vende të botës, Misionet e saj ndihmojnë qinda mijëra fëmijë e pleq, të vuajtur e të uritur, njerëz të sëmurë e të pastrehë. Nënë Tereza ka në Shqipëri tetë Shtëpi Bamirësie. Në Kosovë i ka dy Shtëpi të tilla.

“Në Kalkutë i kemi marrë nga rruga të gjithë njerëzit e uritur dhe të sëmurë, i kemi strehuar dhe nuk i kemi lënë të vdesin në rrugë”, reprodukoj në mendjë fjalët e sapothëna të Nënë Terezës në zyrën e Motrave Misionare në Bronx.

Në redaksinë e gazetës, nxjerr nga rafti një libër me kujtime të Nënë Terezës, të Dom Lush Gjergjit.

“Kemi qenë një familje e lumtur, plot hare e dashuri … Edhepse kam vijuar shkollën laike, së pari familja ime, e më vonë “Famullia e Zemrës së Krishtit”, më kanë dhënë një edukim të shëndoshë dhe të thellë fetar”, shkruan Dom Gjergji, t’i ketë thënë Nënë Tereza.

Ndërkaq, vëllau, Lazri e kujton të motrën: “Ishte vajzë normale, ndoshta pak e mbyllur… Qysh nga vitet e para të shkollës fillore hetohej talenti dhe shkathtësia e saj për mësim. Ishte nxënësja më e mirë në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët…”

Teksa filloj t’i shkruaj këto rradhë, më shfaqen para syve gishtërinjtë e këmbëve të Nënë Terezës, që dukeshin paksa të ndrydhur në sandalet e saj të grisura… Pastaj, gishtërinjtë magjikë të duarve që preknin faqet e skuqura të fëmijëve mysafirë, të këtyre vogëlushëve që u bënë sebep për këtë takim të paharrueshëm.

“Prej nga je Ti, vogëlush?”. “Nga Shqipëria”. “Po ti?”. “Nga Kosova”. “Zoti Ju bekoftë!”.

Ajo lutet për liri e paqe midis njerëzve. Atë do ta ketë bekuar Zoti, qëkur u lëshua në krahët e Tij. Ndaj, Ajo lutet edhe për të tjerët që t’i bekojë e t’i pranojë në Mbretërinë e Paqes së Përhershme.

“Nuk është popull i vogël ai që ka dhënë një Nënë kaq të Madhe”, ka thënë për Nënë Tërëzën kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë, Paskal.

Ky reportazh eshte botuar ne gazeten shqiptare-amerikane “Illyria” nr. 411 (29 qershor – 1 korrik 1995) ne New York. Eshte ribotuar po ne kete gazete me 28 Nentor 20012.

NEW YORK, 28 qershor 1995

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Nene Tereza, Sinan Kamberaj, TAKIM I PAHARRUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE
  • Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti
  • TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU
  • Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë
  • Shuhet në New York nacionalisti Pjeter Mernaçaj, Vatra ngushëllon familjen
  • Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë
  • VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KOMUNITETI SHQIPTAR NË ILINOIS, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • SHBA-Shqipëri, 103 vite marrëdhënie diplomatike! Ambasada amerikane në Tiranë: Krenarë për partneritetin tonë
  • Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
  • Për një vetëdijësim gjuhësor
  • Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut
  • Gazeta “Dielli”, drita e kombit në mërgim
  • DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 
  • TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT