Në dhjetëvjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova/
Nga Sinan Kamberaj-New York/
Ka të ngjarë që rrallëherë në histori ta ketë bekuar jeta një njeri, duke e pajisur me të gjitha vlerat morale e intelektuale, si Ibrahim Rugovën, prijësin emblematik te shqiptarëve, në kapërcyell të shekullit që e lamë mbas. Vyrtytet e tij prej intelektuali humanist, shkencëtari erudit, politikani pragmatist dhe burrështetasi e strategu vizionar, bënë që Ibrahim Rugova të radhitet, që në të gjallë të tij, në mesin e figurave më të shquara botërore.
Ibrahim Rugova u shfaq në nënqiellin e Kosovës si një Njeri i Veçantë, në një Kohë të Veçantë, ashtu siç shfaqen në këtë botë një herë në njëqind vjet Njerëzit e Mëdhenj. Ai iku nga kjo botë, poashtu, siç ikin Njerëzit e Mëdhenj, i heshtur e modest, posi një Profet, sapo e kreu Misionin e vet, Projektin e tij të Madh, çlirimin e Dardanisë së tij Antike nga pushtuesi shekullor sllav.
Si u shfaq në Zezonën e Madhe të Kosovës, Njeriu i Urtë, pacifisti i shpallur nga Perëndimi, dhe, siç tha me të drejtë një mik i tij këto ditë, ‘nacionalisti i kultivuar’, Ibrahim Rugova?
Pasi u shqua si një personalitet i veçantë, në vitet ’70, në Qarkun Kulturor të Prishtinës, në brezin që po bënte një kthesë të guximshme në fushën e mendimit kritik letrar dhe artistik shqiptar, duke e sfiduar shkollën e realizmit socialist, ose më mirë të thuhet atë antishkollë ideologjike, dhjetë vjet më vonë, Ibrahim Rugova po ngritej në skenën politike shqiptare të Kosovës, me poaq guxim, si një ideolog vizionar, me një platformë moderne politike, me Durimin si strategji dhe Pritjen si taktikë, dy postulate këto që vinin nga rrënjët e etnopsikologjisë shqiptare dhe të cilat, për fat të mirë, ishin në sinkroni me konceptin politik tē botës demokratike perëndimore.
I “gjeti” Prijësi shqiptarët siç i donte Ai, apo “e gjeten” ata Prijësin siç e donin vetë?
Ndodhi si në baladat e rinjohjes.
U bë publik pakti i heshtur; Ti do t’i prijsh “durimit” tonë, ndërsa ne do të respektojmë “predikimin” Tënd!
Kosova e kishte “humbur orën”. Ishte degraduar hovshëm jeta sociale e shqiptarëve nga goditja brutale e Beogradit hegjenomist. Pak, edhe me fajin e udhëheqjes së vet të përgjumur. Papritmas ngeli edhe pa Qeveri të besueshme, ndërkohë që Shoqata e Shkrimtarëve u bë qeveri e re morale e Kosovës, me Rugovën në krye të saj. Ai vinte aty me një bagazh kulturor e shkencor modern, si dhe me vyrtyte klasike morale shqiptare. Shoqatës së Shkrimtarëve, pra, asaj që ishte një Lidhje, një bërthamë kulturore për shumë vjet, i kishte rënë hise të bëhej edhe bërthamë politike. Ndaj, pikërisht në zyrat e saj u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i saj, i partisë së parë demokratike me atribute nacionale në Gadishullin Ilirik.
Më në fund e gjetën shqiptarët Prijësin e vet. Misioni i Prijësit ishte i rëndë; atë mund ta bartte mbi shpatulla vetëm ai që besonte dhe ishte i vendosur të mos tërhiqej nga synimi, për asnjë çast dhe për asnjë çmim.
Ky akt, në fakt, e kishte një prelud. Gjashtë muaj më parë, atëherë kur lidershipi autonom shqiptar i Kosovës e kishte çliderizue dhe çburrënue vetëvetën, duke e “çarë lisin me pyka nga trungu i vet”, Prijësi i Kosovës, pacifisti Ibrahim Rugova, do të jepte një mesazh, aspak pacifist:
“Në qoftë se Serbia do të përpiqet përsëri të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij”, i kundërpërgjigjej Rugova vozhdit serb, më 26 qershor 1989, në gazetën gjermane Der Spiegel, ditën kur “Kasapi i Ballkanit” po i kërcënonte shqiptarët që kishin vendosur të mos i nënshtroheshin Beogradit.
(Atë ditë Millosheviqi kishte mbledhur, siç propagandonte media serbe, një milion serbë në Fushë – Kosovë, në kremtimin (!) e 600 vjetorit të humbjes së Betejës Mesjetare të Kosovës. Jehona e brohoritjeve dhe kërcënimeve nga serbët vendorë dhe të ardhur nga Serbia, shkonte deri në qiell).
Ibrahim Rugova me këtë akt ishte bërë Emblema e Kosovës.
Tashti ishte hapur rruga. Pakkush mund ta ketë ditur, ndoshta as ai vetë, se kjo rrugë do të ishte shumë e gjatë dhe e mundimshme, plot sakrifica, personale e kolektive, plot kthesa të papritura, me ngritje e rënie, me ringritje dhe rënie të sërishme mareriale e morale, deri në zgripc të zhdukjes.
Por, Kosova do të bëhej, thoshte çdo ditë Presidenti. Do të bëhej, sepse po u vinte “radha popujve të shtypur”, siç tha një tjetër mendje e ndritur shqiptare lidhur me Kosovën, në prag të luftës.
Jemi vetë ne dëshmitarë për zhvillimet e mëvonshme në Kosovë.
I takon merita Presidentit Rugova që arriti të ruante qetësinë dhe unitetin, bashkë me këto edhe substancën kombëtare, në një kohë që ishte tepër vështirë të ishe shqiptar i Kosovës, kur dinjiteti jo vetëm nacional, por edhe njerëzor po përdhosej çdo ditë nga barbaria serbe.
I takon merita Presidentit Rugova që për një decenie e organizoi një rezistencë paqësore aktive, duke refuzuar në mënyrë absolute institucionet e regjimit serb dhe duke ngritur institucione paralele shqiptare, për të mbajtur gjallë frymën e lirisë, por edhe ekzistencën fizike të shqiptarëve në Kosovën e pushtuar.
I takon merita Presidentit Rugova që Kosova nuk u implikua në luftërat idiotike, të shkaktuara nga Sebia, midis republikave sllave, motra midis tyre, me gjithë “pëshperitjet” bukur të zëshme, si dhe yshtjet për rebelim, që vinin nga qarqe të ndryshme, madje edhe brendashqiptare, që të hapej edhe “Fronti i Jugut”.
(Ne e kemi vendin tonë, Kosovën tonë. Ne nuk duam luftë. Kosova duhet të mbrohet nga një Forcë Ndërkombëtare. Kosova duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Pikë).
Kjo ishte motoja dhe mesazhi i përditshëm i Presidentit Rugova.
I takon merita Presidentit Rugova që arriti ta internacionalizonte çështjen e Kosovës në të gjitha qarqet politike e shtetërore ndërkombëtare dhe sidomos në qendrat e vendosjes. Si një politikan modern, ai nuk e kultivonte trillin e “gjetjes” dhe goditjes së “miqve të moçëm” të armiqve të shqiptarëve. Ai kishte prirje pozitive, me urtësi kërkonte miq, kudo që ishin ata, duke spikatur në gjetjen e Mikes më të Madhe të shqiptarëve, SHBA-në, vendin e Lirisë, “shpresën e fundit të njerëzimit”, siç ka thënë me një rast për Amerikën e shtrenjtë, Presidenti Abraham Lincoln.
Presidenti Rugova i ishte mirënjohës, në kuptimin proverbial, Amerikës, shpëtimtares së kombit shqiptar, tashmë një shekull, pa i harruar asnjëherë demokracitë perëndimore, vendet e Bashkimit Evropian, ato që e ndihmuan dhe e po e ndihmojnë kaq shumë Kosovën.
Një tipar dallues që e ka stolisur portretin moral të Presidentit Rugova dhe figurën e tij prej Trimi të Urtë, është fakti se Rugova nuk luajti vendit, në çastet më të vështira – qëndroi në Kosovë, në zemër të saj, derisa u kap peng në rezidencën e tij, nga forcet militare serbe. Akti i qëndrimit të tij në Kosovë, së bashku me familjen, është një dëshmi e gjallë e përgjegjshmërisë së tij për vendin dhe popullin e Kosovës. Ne, që jemi këndej Atlantikut, e kemi dëgjuar shpesh në takimet me komunitetin përgjigjen e tij, kur dikush “nga trimat” e nagcmonte, le të besojmë, pa të keq, “si guxonte të rrinte në Prishtinë e të fliste aq ashpër kundër regjimit serb”.
“E kam tankun serb, jo më larg se dy-treqind metra shtëpisë dhe nuk frikësohem. S’kam ku shkoj përtej shtëpisë sime. Ne po ndjekim politikë paqësore, ndaj do ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, sepse pavarësia është e vetmja zgjidhje për Kosovën. Ne do të fitojme”, thoshte ai qetësisht.
Liria erdhi; e përgjakur e me dhimbje nga më të rëndat e shpirtit.
Me çmim shumë të lartë e të pakompensueshëm. Ndoshta vetëm respekti ndaj Saj, pra ndaj Lirisë, mund ta kompensojë sadopak sakrificën sublime të të gjithë atyre që ranë në Altar dhe veçanërisht fëmijëve njomakë, grave të dhunuara nga barbarët, pleqve të martirizuar, si dhe të gjithë atyre të zhdukurve, të mbetur pa asnjë nishan.
Ibrahim Rugova, prijësi legjendar, po shuhej nga një “sëmundje e keqe”, që vdektarët hezitojnë t’ia thonë madje edhe emrin. Ai, siç ishte, e tha trimërisht dhe publikisht. Do tërpiqem ta luftoj, tha. Por, fatkeqësisht, s’ia doli, se nuk ishte në dorën e Tij.
Atë ditë janari të acartë, më 21, 2016, qindamijëra njerëz, me lotë të ngrirë, po e përcillnin Heroin e tyre, në një heshtje qiellore, në kortezhin funebër, drejt Velanisë së Dardanisë. Qinda burrështetas të Botës së Lirë, si dhe mijëra njerëz të shquar të shkencës dhe kulturës, i përkuleshin Prijësit të shqiptarëve, personalisht fizikisht, si dhe nga larg.
Ai e meritonte përkuljen.
Ibrahim Rugova ishte i lidhur si Anteu mitik me Tokën. Toka, Guri, Shtëpia, Miku, Flamuri – këto ishin Shenjat e Tij të Mëdha.
Dhe, fare në fund. Pse ishte i këtillë Ibrahim Rugova?
Nuk mund të thuhet me saktësi cilët ishin faktorët që ndikuan në krijimin e personalitetit të Ibrahim Rugovës. Mund të thuhet, ndërkaq, se ishin dy faktorë ndërveprues, ndoshta vendimtarë që kanë përcaktuar rrugën e tij jetësore, krijuese e politike: prejardhja familiare dhe formimi i tij kulturor perëndimor.
Ibrahim Rugova, jetimi nga Cerca, qyshkur u bâ me dijtë, nuk do të pushonte për asnjë çast së kërkuari me mendje, ditë e natë, eshtrat e babës dhe gjyshit, që të dytë të masakruar e të zhdukur pa nishan, nga ana e ushtrisë çetnike serbe, e maskuar me kapota partizane, në Istog.
Por, ai s’arriti t’i gjente kurrë.
Ibrahim Rugova do të burrërohej para kohe. Do ta “ruente Nâna”, siç thuhet në Kosovë për nënat që rrisin fëmijë jetimë. Do ta rriste Nâna Sofë me vuajtje dhe besim se një ditë do t’i dilte Zot shtëpisë, pa e ditur se po e rriste një djalë që kur do të bëhej burrë, do t’i dilte Zot, jo vetëm shtëpisë së tij, por Tokës së pushtuar e të larë me gjak, shekuj me radhë, Dardanisë Antike – zemrës së Ilirisë, duke u bërë një Emblemë e saj e përjetshme.
Prijësi i Kosovës mbante emrin e një Profeti dhe mbiemrin e një Mali, bjeshkës që takohet me Qiellin.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Tij.
——–
New York, 21 janar 2016
FAN S. NOLI, KY KOLOS I KULTURES SHQIPTARE
Nga Sinan Kamberaj*/
Kritikë të letërsisë, biografë, kulturologë dhe studiues të veprës së Nolit, kanë pohuar njëzërit se figurën e Fan Nolit e stolisin të gjitha atributet që mund t’i ketë një figurë si ai: peshkop patriot e vizionar, ikonë e “Vatrës” dhe e “Diellit”, poet e përkthyes, politikan e ideolog, diplomat e strateg, filozof e historian, publicist e botues, biograf, polemist, kritik, dramaturg, muzikolog, poliglot … Me një fjalë, Fan Noli është vlerësuar me të drejtë si njeri ndër figurat më të spikatura, poliedrike, të kulturës e të dijes shqiptare të shekullit qe e lamë mbas.
NOLI POET
Fan Noli ishte një poet i shkëlqyeshëm. Ndonëse nuk ishte një prodhimtar i madh në gjininë e poezisë, Noli, megjithatë, e lëvroi me pasion të madh atë dhe, me aq sa shkroi, – një dyzinë vjershash e poemash, – spikati me artin e tij, duke zënë një vend të nderuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe.
Brezi im, në Kosove, prej nga vi unë, i rritur e i formuar në frymën e gjakimit të lirisë së munguar, e përjetonte poezinë patriotike të Fan Nolit në mënyrë tëvezante; kjo poezi kishte një kuptim dhe jehonë, përtej artit letrar, – ishte protestë kundër dhunës dhe pushtimit, pra një frymëzin i fuqishëm për liri. Mund te them se pjesa dërmuese e këtij brezi, nxenës e studentë, i kanë ditur përmendësh shumicën e poezive të Nolit.
Në krijimtarinë poetike të Nolit, kryet e vendit e zë, natyrshëm, poezia me motive patriotike. Le ta kujtojmë këtu poezinë ‘Hymni i Flamurit’, (1926) një tekst që i bën karshillëk edhe sot tekstit të Hymnit të sotëm Kombëtar me tekst të Asdrenit, si dhe teksteve të autorëve të tjerë, me pretendime për Hymn, si një poezi e Gjegj Fishtës (1913), një tjetër e Ernest Koliqit (1921), Mihal Gramenos, Hil Mosit e deri te Lasgush Poradeci (1933). Mjafton të kujtojmë poezinë programatike, Jepni për Nenën, këtë Hymn nolian të Mërgatës së Amerikës, që u bë këngë gjithëpopullore, pastaj poemën Anës së Lumenjve, qeë gurgullon nga figuracioni stilistik, poezitë Rent or Marathonomak, Thomsoni dhe Kucedra, e deri te poezia elegjiake, sa pikëlluese aq edhe trishtuese, Syrgjyn Vdekur, qe ta shohim Nolin – Poet, ne dritën vezulluese të artit të tij poetik.
Krahas poezisë me motive kthjelltësisht patriotike, pastaj asaj me motive elegjiake-përkushtuese, si Shpellë e Dragobisë, Te ura, ura, etj. pjesa dërmuese e krijimtarisë së Nolit dominohet nga motivet politike, me frymë polemiste. Kënga e Salep Sulltanit, Marshi i Barabajt, si dhe një varg poezish të tjera te kësaj fryme, godasin kundërshtarin e tij politik, kryeministrin e vendit Ahmet Zogun e fuqishëm, të cilin Poeti i brishtë e rrëzoi dhe e dëboi nga Atdheu. Për ironi të fatit, Noli, ky ‘demokrat fatkeq’, sic është quajtur shpesh, që provoi ta bënte shtet demokratik Shqipërinë e sakatosur e të cfilitur nga varfëria e injoranca, midis shteteve armike të egra të Ballkanit, që ia kishin gllaberuar 12 vjet me parë me shumë se gjysmën e trollit historik e etnik te saj, te dy Polet, Jugun dhe Veriun, e përjetoi vetë një rrëzim edhe më të ashpër nga froni kryeministror, pas gjashtë muajsh, dhe, krahas rrëzimit, edhe dëbimin e përjetshëm nga Ardheu.
Megjithëkëtë fatkeqësi, Noli nuk e pushoi asnjëherë veprimtarinë e tij patriotike per Atdheun e tij, Shqiperinë.
Pertej analizes ideo-estetike, asaj metode, tashmë fatmirësisht të tejkaluar të kritikës së arteve, të cilës iu nënshtrua shpesh edhe poezia e Nolit, ajo, si art, përgjithesisht është vlerësuar lart nga kritika letrare, ndërsa autori është cmuar dhe cmohet si njëri ndër mjeshtrit e rrallë të poezisë politike satirike shqiptare.
Kritikët e poezisë së Nolit e kanë cmuar jo një herë fuqinë fshikulluese të artit të tij satirik, të realizuar me mjete artistike letrare, të zgjedhura me sqimën noliane.
NOLI PERKTHYES
Noli Patriot, është Noli përktheyes dhe botues i librave doracakë liturgjikë, për nevojat e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Autoqefalia, kjo vepër madhështore dhe e jashtëzakonshme e Nolit, duhej te merrte urgjentisht frymë shqip, pra e kishte të ngutshme nevojën e ligjërimit kishtar në gjuhën shqipe. Dhe, kush do ta bënte e mund ta bënte këtë, përvecNolit?
Do ta përkthente më 1908 librin liturgjik “Shërbes’ e Javes së Madhe”, pastaj tjetrin ‘Libri i Kremteve të Medha’, (1911), etj. Në përkthimin shqip, nga greqishtja, të Librit të Kremteve të Mëdha, krahas rëndësisë së botimit shqip që e thekson në parathëien e saj, Noli shprehet i kënaqur që po shkarkohej nga detyrimi i përkthimit të librave fetarë të nevojshëm, sicthote ai, “në mënyrë që të më lërë të lirë të merrem me kthime veprash letrare, për të cilat kombi ynë ka aq nevojë”. Pra, Noli i quante të barasvlefshme detyrimet dhe prioritetet, përkthimin e librave fetarë dhe të atyre artistikë,packa se kënaqësinë e ndjente te e dyta.
Kjo s’kishte si të ndodhte ndryshe, nga që një njëri me një kulturë elitare boterore, s’e ndali punën e përkthimit shqip të veprave te mëdha të letërsisë botërore, në mënyrë që ta ngriste kombin e tij në rradhët e kombeve të ditura të botës. I prirë nga kjo ndjenjë fisnike iluministe, Noli i bëri të flasin shqip kolosë të mëdhenj botërorë, si Shekspirin, Allan Poe, Ibanjezin, Khajamin, Servantesin, Longfelloë, etj.
Noli i shoqëronte përkthimet e këtyre veprave të përbotshme me parathënie për lexuesit dhe dedikime për njerëzit e shquar, shqiptarë e të huaj. Në parathënien e përkthimit të njërës prej kryeveprave të letërisë botërore, të kryedramaturgut botëror Ëilliam Shakespeare, “Tragjedia e Othellos”, (Boston Mass. 1915), Noli thoshte se kjo vepër i kishte marrë pesë muaj ta shqipëronte dhe dy të tjerë ta ‘limonte” e t’i jepte “formën e funtme’, pra kishte bërë një punë shumë të madhe. “Këndonjësit do të gjykojnë në e ktheva mirë”, thoshte ai, dhe shtonte me humorin e tij fin: “Unë mburrem vetëm që munda ta kthenj”.
Libri i dedikohej aktorit shekspirian dhe menaxherit të famshëm të Teatrit Londinez, Herbert Tree, i cili e kishte frymëzuar ta përkthente shqip, pra, sic thote Noli në tekstin përkushtues anglisht, “në gjuhën e lashtë të ilirianëve”.
Nje vit më vonë (1916) Fan Noli e kishte përkthyer nga anglishtja me një zell të jashtëzakonshëm poemën “Skanderbeg” (“Skcenderbeu”) të shkrimtarit amerikan Henry Longfelloë. I rrëmbyer,përvec artit te padiskutueshëm që përmbante poema, edhe nga motivi patriotik, pra nga ekzaltimi që ndjente që një i huaj, poet i madh gjithësesi, ishte marrë me kryeheroin e shqiptarëve, Skenderbeun, Noli e përktheu poemën aq bukur, sa që “kritikët konspiracionistë” mund të “dyshojnë”(!) se Lonfelloë e kishte shkruar veprën me qëllim parësor – që të përkthehej shqip.
Tema e saj, sic dihet, është episodi i betejës së Nishit, midis ushtrisë Osmane dhe asaj Hune, prej nga kryeheroi shqiptar, Gjergj Kastrioti, kryekomandant i ushtrisë turke në këtë betejë, ikën dhe kthehet në Krujen e tij, me një ferman të Sulltanit në dorë dhe e merr Fronin shqiptar për ta mbajtur me luftë të pandërprerë kundër osmanëve, deri në frymën e tij të fundit.
Anglisht:
“In the middle of the night,
In a half of the hurrying flight
Ther came a scribe of the King
Ëearing his signet ring
And said in a voice severe:
This is the first dark blot
On the name, George Castriot!
Alas the army of Amurath slain.
And left on the battle plain?”
Shqip:
“Mes’ i nates kur afroj
Ikja e rreptë kur pushoj
Një qatip na i vjen Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zemërim:
“Njoll’ e parë t’u vu sot
N’emër, o Gjerq Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërine pse e le?
Therrur fushës për vajtim?
Kritika letrare e ka vënë në pah përkthimin mjeshtëror të poemës së Longfelloë-s, ritmin dhe muzikalitetin e vargut. Këtë mund ta bënte vetëm Fan Noli.Ai vetë thoshte se gjatë përkthimit ishte përpjekur të mos largohej shumë nga teksti, “duke përdorur masën dhe ritmin e këngëve tona popullore”.
“Skenderbeu” anglisht-shqip, paralelisht, ishte botim i Librarisë Popullore të Nolit, të cilën, sicthotë vetë, e themeloi, me qëllim që t’u jepte bashkatdetarëve “ca vepra të zgjedhura nga letratyra e përbotshme”. Ai thotë, midis tjerash se “kjo poemë, ndoshta, mund të jetë më e bukura, e shkruar në gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar”, ndaj e meritonte vendin e parë në mesin e vëllimeve që kishte ndërmend të nxirte në dritë për lexuesit shqiptarë. Ai nuk ngurronte t’i luste lexuesit ta blenin këtë libër, me qëllim që të përballonte shtypjen e librave të tjerë, që kishte në plan të botonte.
Libri i dedikohej mikut të tij, Faik Be Konicës, “Lëronjësit të gjuhës Atërore dhe Kaloresit të Kryqësatës Kombëtare, si shenjë nderimi, nga shoku i tij i armëve, Noli”.
Fan Noli solli në shqip edhe një kryevepër të letersisë botërore, romanin me teme kalorsiake, “Don Kishoti i Mances”, një roman humoristik-satirik i Miguel Servantesit, botuar spanjisht me 1555. Eshtë një nga përkthimet më të bukura në gjuhën shqipe. Ndoshta pse satira dhe sarkazma, që e përshkon veprën fund e krye, ishte mjet artistik që i përkiste prirjes së lindur të Nolit.
Një poemë tjetër, një nga më të mirat e letërsisë botërore, “Korbi”, e Edgar Allan Poe-s, është poashtu perlë e përkthimit nolian. Eshtë vlerësuar si përkthimi më i mirë në gjuhët e botës, që ruan plotësisht origjinalitetin, madje shkon edhe përtej vlerave të origjinalit.
Me poaq ëmbëlsi stilistike Noli i ka sjellë në gjuhën shqipe, pa humbur asnjë akord të muzikalitetit poetik të artit te Lindjes, Rubairat e famshme të Omar Kjajamit, njërës prej kryeveprave jo vetëm të letërsisë persiane, duke e vënë shqipen në piedestalin e gjuhëve që përballojnë stilet shkrimore të kryeveprave të letërsisë botërorë.
Fan Noli, sic u tha, lëvroi me sukses shumë fusha të artit e të dijes shqiptare. E provoi veten edhe si dramaturg. Vlerësohet e suksesshme vepra e tij në gjininë e dramës “Israelitë dhe Filistinë”.
Janë dy vepra madhore që e përplotesojnë figuren komplekse e të jashtëzakonshme të Fan Nolit, si njeri me kulturë e dije të thellë: “Histori e Skenderbeut”, me temë shqiptare, një nga kryeveprat e tij, dhe tjetra – Bethoveni dhe Revolucioni Francez, një studim i thelluar nga fusha e muzikologjisë dhe kulturës frënge.
…
Noli – ky Kolos i Kombit, bashkë me Konicën, po aq te madh, ngritën bashke Shtepinë e Shqiptarëve të Amerikës, Vatrën famëmadhe, zjarri i pashuar i së cilës mbijetoi një shekull dhe arriti te ne, bashkë me dritën e “Diellit” të saj.
Do të mjaftonte vetëm kaq, që ky Kolos të kujtohet brez pas brezi.
* Ligjëratë e mbajtur në Seminarin Përkujtimor të VATRËS për 50 vjetorin e ndarjes së Nolit nga Jeta.
13 mars 20015
ËSHTË KOHA TË ÇLIROHEN PAK NGA KRAVATAT PATRIOTËT QË NA PATËN “ÇLIRUAR”,SE JEMI LODHUR NE DHE ATA VETË
Dy ditë para një verdikti të madh:/
NGA SINAN KAMBERAJ/
1.
Nipi im i vogël pesëvjeçar, Loni, ka ndarë mendjen që në zgjedhjet e ardhshme të kandidojë për president të SHBA-së. Mua, dyshuesin e përjetshëm ballkanas, dje përpiqej të më bindte edukatorja e tij Mrs. Jenny ta mbështesja për këtë synim te madh. Pse jo, tha ajo, duke buzëqeshur, kur i ka të gjitha parakushtet! I zgjuar, i dashur, i bukur, fisnik, mirënjohës, besnik, i ndershëm, i sinqerte, i mençur … Ajo më fliste për tiparet që e stolisnin figurën e tim nipi, pa e ditur se në vendlindjen e gjyshit të tij, këto virtyte te fisnikerise ka kohë që quhen vese. Atje, pra ne vendlindjen e gjyshit, qe nga clirimi e kendej, virtyte quhen dredhia, genjeshtra, mashtrimi, kopilia … gati sa s’i thash Jenny-t që po më vështronte si të përhumbur. Per fat, s’i thash. Rastesia e shpëton shpeshherë patriotin nga akti i shëmtuar i tradhëtisë kombetare. Loni më ka thënë se e do shumë edhe vendin tënd dhe se sivjet do të shkojë atje bashke me ty, tha Mrs Jenny. Po, po. Loni i gjyshit mund të shkojë në Kosovë me gjyshin, pse jo, e konfirmova dhe une? Por, s’mund të rrijë gjatë atje, thashë me vete. Ka kohë që edhe gjyshi po shkon gjithnjë e më rrallë atje. Duhet ta vuajë denimin e ikjes nga Atdheu njezetedy vjet më parë. Ata qe u bene sebep për ikjen e gjyshit, s’janë më aty. Kanë ikur barbaret, ose figurativisht – kane vdekur. Por, do ti që, ata qe pengojne kthimin e gjyshit jane gjallë e të fortë. Të forte jane, përsa kohë qe gjenden trutharë që i votojnë të dielën …I ka pare gjyshi, kur kane hyre ne Kosove, “clirimtaret” qe erdhen nga hotelet e Tiranes, kur i lane kallashat kineze anash dhe i rroken kazmat , per te “cliruar” dycane e banesa te shqiptareve, te atyre fatzinjve qe s’ishin kthyer akoma nga eksodi, nga kampet e Burrelit dhe te Bllaces.
Do te votojne te dielen edhe mergimtare nga Diaspora, kryesisht “shatcat” nga Evropa, sic u thone me perkedheli vendalitë, se jane me afer Atdheut. Por, dikush eshte kujdesur mire t’i lë jashtë listave votuese qindamijë mergimtarë në Diasporë. Gjyshi i Lonit nuk e ka problem. Babai i tij i ndjere, vdekur para dhjete vjetesh, voton rregullisht, dhe, meqe vota eshte e fshehte, vetem komisioneret me patllake ne shoke e dine per ke ka votuar fatbardhi stergjysh i Lonit. Fundja aq u bën pushtetareve pse kane mbetuar rreth gjysme milioni mergimtare jashte listave votuese. Kanë serbë boll të Serbise qe votojne ne Kafenene “Dollce Vita” ne Mitrovice. Aq sa u duhen për koalicion qeveritareve qe i ka kapluar paniku zgjedhor. Fytyre eshte kjo, shkon sahora, nese nuk dalin ne zgjedhje edhe Rojet e Urës.
Lamtumirë Mrs. Jenny! Hajde, Loni me gjyshin.
2.
Rreth nje milion e shtatëqindmije zgjedhes ( nga rreth 1.600.000 banore (!) sa ka Kosova simbas regjistrimit te fundit te popullsise), thene figurativisht, i kane 101 arsye per ta ndeshkuar te dielen me vote koalicionin qeveritar, që po ikën me panik, koalicion që pat dalë tri vjet më parë nga PD e Hashim Thaçit me disa partiçka, satelite te saj.
Është e tepert te thuhet se qytetaret e Kosoves do ta mbajne mend per nje kohë te gjatë keqqeverisjen gjashtëvjeçare te PD-së, kësaj krijese të majte, por te vetëquajtur e “qendrës së djathtë” (!). Kjo parti e djathtamajte, e modeluar sipas instruksioneve të SHIK-ut famëkeq shqiptar, do te mbahet mend vetem per dekorime e shpallje reciproke me PS-ne moter, te drejtuesve te tyre, Qytetar Nderi, si ilac per sherimin e komplekseve te perkatesise fshatarake, oh, te vellezerve kosovare; te shpalljeve reciproke Doctor Honoris Causa, poashtu si nje ilac per sherimin e komplekseve te shkollimit te shtyer, per arsye objektive, gati ne pleqeri.
Ky, zaten, ishte misioni i vjeter i mandatit te Dyte te Partise Demokratike te z. Thaci. Gati harrova. Kjo parti, ne mandatin e parë te saj pat thënë se pike kryesore e Programit te saj do te jete industrializimi i shpejte i vendit. Keshtu i kishin sugjeruar ministrat e tij me mastere evropiane. Dicka nuk shkonte me industrine, si dege e ekonomise. Meqë nuk arriti ta realizonte premtimin ne kete mandat, në zgjedhjet vijuese u mor me një industri tjetër – atë të vjedhjes së votave, si kusht sine qua non , qe thoshin latinet e vjeter. Ndërkohë, kur u pa si profitabil ky zanat, doli ne skene një biçim i oligarkëve matrapazë vendorë, nje mbetje “vëllazërore kariqësh”, pastrues parash te pista, së bashku me (me nder jush) biznesm…, të rodit të njëjtë – të cilët, – siç pat thënë një gazetar bukur moti, – hanë në Azi e (prapë me nder jush) dh… ne Kosove, duke u bënë paterica të “Partisë së Madhe”. Ky bashkëdyzim, qeveritarë e oligarkë, e ka shfytyruar lirinë e shumëpritur me shekuj, te fituar pas nje pergjakjeje te madhe shqiptare. Ne mos per asgje tjeter, Qeveria ne ikje e Kosoves duhet ndeshkuar me vote kesaj radhe, per shkak te zellit te saj te tepruar per te mbuluar me harrese gjithcka qe ka ndodhur pak vjet me pare, Golgoten Kosovare, zhdukjen potenciale nga faqja e dheut te nje populli te tere. Qeveria ne ikje, me gazetaret e vet tupanxhinj, promovoi harresen, duke e mbuluar me genjeshter se gjoja Perendimi do qe te harrohet e kaluara, per hir te se ardhmes. Kjo nuk eshte e vertete aspak, sepse Pernedimi promovon faljen, se falja eshte akt biblik, por jo harresen, se harresa eshte barbari, eshte nena e perseritjes se kobit mbi harrestaret. Qeveria ne ikje fali, pa ia kerkuar kush ate. As vete serbet, ata qe i bene krimet monstruoze mbi shqiptaret duarthate.
Qeveria qe po iken me panik thoshte panderprere se kishte plane per Veriun, pa pasur asnje plan fare. Pune e madhe, u kthy a s’u kthy sovraniteti mbi Mitrovicen dhe tri komuna te tjera ne Veri! Kosova do te kete prape veri, packa se Veriu i saj do te vetevaret ne kangjellat e Ures se Ibrit.
Shtypi serioz kosovar ka dyshuar dhe ka thene shume here se nga portat doganore ne Veri rrjedhin milionat qe derdhen kriminalisht ne xhepat e ologarkeve kosovare. Haracxhinjte, te pabreket e darkes, simbas poetit Ali Asllani, mengjesi i gjen milionere. Dhe bertasin ne kupe te qiellit. Poshte hajnat, kapini hajnat. Ne dijme me bo pushtet. Ne duam pushtet. Sepse duan miliona. Miliona te turpit.
Qeverise qe po iken me panik po i vetevriten cdo dite, fatkeqesisht, nga varferia, pa buke per femijet e tyre, ata qe dhane gjymtyret e trupit per lirine e Kosoves.
Cka kane punuar qeveritaret e Kosoves me pare? Ku kane punuar? Cfare shkruajne ne CV-te e tyre? Kane luftuar. Vete kryeqeveritari ne ikje, posi Shen Pjetri i Nolit, here pohon e here mohon. Pohon se ka qene ne ballet e luftes, por kur i bie ne mend dicka, thote se ka qene ne ballet e luftes, jo ne Kosove, por ne Tirane.
Qeveria e Kosoves qe po iken me panik thote se ka fituar shume beteja, si ne lufte, ashtu dhe ne paqe. Ama nuk e ka fituar nje beteje pikerisht ne Drenice. Betejen me rriqrat. Nuk luftohen rriqrat me lutje te Dr. Adhamudhit, ministrit te shendetesise. Po, Z. Thaci nuk merzitet per endemite ne kete zone, ku sipas tij, ka shume zagare dhe, per pasoje, pak votues. Keshtu i ka thene me goje te vet “shefit te shefave”, kur ky po i raportonte kryeshefit qe po skijonte ne Bullgari, ku po pushonte, pasi ishte lodhe, tmerresisht shume, ne bisedat maratonike me Daciqin e Serbise.
3.
Shkurt. Qeverise qe po iken, me gjithe ate ordi zyrtaresh badihavxhinj, zv.kryeministra, ministra e zv.ministra, drejtore drejtoratesh e shefa agjencish, gjysmëanalfabetë me diploma e doktoratura te blera në Shkup e në Shkodër, madje edhe në Arizonën tejoqeanike (online), nuk i bëri dhe nuk i ben syri vërr për gjashtë vjet per te berat e te paberat e saj. Qeveria qe po iken me panik, as u skuq per gjashte vjet nga mileti, të cilin e sundoi brutalisht; as u tremb nga raportet e agjencive nderkombetare, qe e renditen Kosoven ne top-listat e vendeve me te korruptuara, më të varfëra e më të kriminalizuara ne Evropë.
Qeveria që po ikën do të mbahet mend për një mal aferash korruptive, do të kujtohet per të keq për jetë të jetëve për privatizimin barbar të fabrikave e tokave, pronave shoqërore e publike, për zhvatje të buxhetit të varfër, bash si në bahçe të babës, për kurdisje tenderesh milionëshe në favor të familiarëve e militantëve me kallasha në krah, për nepotizëm e klientelizëm, për pjesëmarrje në trafiqe të ndyta e të turpshme…
Qeveria në ikje e Kosovës do të mbahet mend për shkatërrimin e sistemeve të shtetit: sigurine dhe mbrojtjen e vendit, sistemin banker, atë të shëndetësisë, sistemin e arsimit e të kulturës, te mbrojtjes sociale, të doganave e tatimeve…
Duke vendosur ne krye te ekonomisë së vendit njerëzor të paaftë, nuk mund të ndodhte ndryshe pérveçse një shkatérrim I plotë i shtresës së mesme sociale, i asaj klase, të cilën sociologjia perëndimore e njeh si bosht kurrizor të shtetit. Qeveria qe po iken me panik ka krijuar nje bicim shteti me dy klase: politikane pasanike milionere, ne nje ane, dhe varfanjake te pabuke, ne zgripc te varrit.
Qeveria e Kosovës që po shkon, do të mbahet mend për vrasjen e shpresës se në ketë vend mund të jetohet me punë e me nder, me respekt dhe dinjitet. Qeveria e Kosoves që po shkon e ka stimuluar amoralitetin, ka kultivuar dhe nxitur veset më të kqia shoqërore – fodullllëkun e servilizmin, arrogancën e urrejtjen, mizantropizmin e shpirtngushtësinë, dhe, mbi të gjitha – rrenën e mashtrimin – këto dy vese të sojit të keq njerëzor, të cilat u bënë paradigma të qeverisjes së saj.
Prandaj, koalicioni qeveritar i derisotëm duhet të shkojë, ndërsa partitë që e pollën dhe na e lane ne dere dobicin, duhet të pushojnë pak, se janë lodhur me “vizionin, qofte ai i ri, apo i vjeter”, se nuk mund të bejne gje, pavaresisht se thone “ne kryejnë punë”, as me zona të lira, e as te mbyllura ekonomike, për sa kohë që nuk dijnë ta bëjnë dallimin midis simulimit dhe stimulimit të zhvillimit ekonomik pocurkor të vendit.
Është koha të çlirohen nga ato kravata të mallkuara që ua kanë zënë frymën qe gjashtë vjet, t’u kthehen arave e kopshtijeve, pazareve te kafshëve, zabeleve me dhi, se, nuk e dijne te gjoret qe aty do ta ndjejnë vetën më mirë, qebesa e Zotit.
4.
Bashke me nipin tim te vogel, Lonin, jam kthyer ne banesen time ne Yonkers. Shtatedhjete, nga 97 kanale shqiptare ne DigitAlb, transmetojne muzike. Une, i papermiresueshmi, ndegjoj muzike nga Jugu. Ai fle i qete si qingj. Sa i tmerrshem eshte televizioni, nje mashtrues i pashpirte. Te krijon pershtypjen se i tere nje popull vallezon perdite. Kendon pernate. S’ka asnje hall. Do t’i besoja Televizionit, po te mos kisha punuar vete 16 vjet ne nje te tille..
Ose, pertej pretendimit se di shumecka, mbase nuk di t’i shpjegoj fenomenet.
E therras ne ndihme Konicen.“Shqiperine e kane krijuar idealistet, e ka shpetuar rastesia dhe mund ta shkaterrojne politikanet”. Afersisht keshtu ka thene mendjendrituri. Pse te mos vleje kjo edhe per Kosoven?
Eshte fatlum nipi im i vogel. Fle si qingj. Ai s’ka nevoje te meditoje. Mediton gjyshi. Fundjaven, ai e ka hallin e vet: duhet ta mbaje permtimin – te pergatitet per zgjedhje presidenciale ne ShBA. Gjyshi mediton.
Kriza morale që ka mbërthyer Kosoven mbas Çlirimit, mund të jetë, ndoshta, pasojë e një “jete qenqe“, siÇthote poeti Ali Podrimja në një poezi të tij, pasojë e një jete të gjatë në robëri, ndaj, mos o Zotynë, të pamësuar me lirinë, s’e durojme, e “refuzojmë” kaq ashpër atë. Jo, mor jo, s’jemi fajtor ne. Heronjte e gjalle, qe shkelin mbi vdektaret, qe na shohin ne si kope jane fajtore. Ata na shohin se plebej. Ose, si dicka ne forme vote. As me shume, as me pak.
Pra, nuk kam asnje dyshim se nekëtë katrahurë egërshane antivlerash që kanë dalë në sipërfaqe, Kosoven po e ngulfasin, po ia zënë frymën pushtetaret mujsharë, duke e shtrënguar fort e me patriotizem, “nga dashuria e madhe që kanë për të”. Të tjerëve, pra Ne, s’na mbetet tjetër, përvecse t’i lusim Ata: “Na lini, aman, edhe ne ta duam pak Atdheun”!
Por, sic na meson Shqiperia 100 vjecare, pushtetaret hajdute nuk ikin me te lutura. Ata ikin vetem kur t’i ndeshkoje sovrani, votuesi i ndergjegjshem.
Te dielen duhet te behet kthesa e madhe. Ate e kane ne dore votuesit.
—–
P.s.
Për sa i përket preferencës sime personale politike për votimin e sivjemë, si një rugovist i sojit që nuk fiton gjē drejtpërdrejt personalisht nga përkatêsia partiake, votoj pro LDK-së, jo vetëm pêr shkak inercioni, por pêr arsye të bindjes sime të thellë, se LDK përfaqëson , siç e ka thênë me të drejtë edhe kolegu im i nderuar H. Matoshi, nē kolumnen e tij të fundit para zgjedhjeve, se “LDK-ja duhet që t’ua ruajë dhe balancojë dinjitetin të gjithë atyre që kanë dhënë kontributet e tyre në shërbim të kauzës kosovare për liri e demokraci dhe në shërbim të partisë së Rugovës”, duke shtuar se (…) vota për LDK-në më 8 qershor është paralajmërim se Republika e Kosovës ka edhe traditat e saj humaniste, edhe emër të mirë, sepse ka gra e burra të mirë dhe mbi të gjitha qytetarë të edukuar, të cilët do t’i thonë jo klanit “Pronto.”
New York, 6 qershor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5