• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria ende jashtë dyerve të drejtësisë evropiane

April 4, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

Prej fillimit të vitit 2017 Shqipëria nuk ka një përfaqësues në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe gjasat duken të shumta që vendi ynë të vazhdojë të mbetet jashtë dyerve të drejtësisë evropiane edhe në muajt e ardhshëm. Fajin për këtë e ka vetëm qeveria aktuale e Republikës së Shqipërisë. Si?

Siç dihet, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar listën e qeverisë Rama me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan madje në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata u shpërfillën krejtësisht, duke bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare.

Lexuesit i sqarojmë se secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Europës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Procedurat që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Europës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë. Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.

Ndërkohë këto ditë, më 6 prill, tri kandidaturat e reja të qeverisë Rama pritet të intervistohennë Paris nga komiteti përzgjedhës i përbërë nga 22 deputetë nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës i kryesuar nga deputeti socialist letonez Boriss Cilevis. Ky komitet do t’ia dërgojë kandidaturën fituese Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të përbërë nga 324 parlamentarë, për ta votuar më 25 prill me votim të fshehtë gjykatësin e ri që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Strasburg deri në vitin 2026.

Ndërkohë pritet që edhe tri kandidaturat të cilat do të shqyrtohen më 6 prill do të jenë një tjetër dështim i turpshëm si ai i tri propozimeve të para.

Pas vendimit historik të kthimi të tri kandidaturave të mëparshme, në vend që qeveria të reflektonte për të bërë një përzgjedhje me përmbajtje të ndryshme, konstatohet se kjo qeveri përsëri ngulmon për të dërguar në Gjykatën e Strasburgut tri kandidatura të reja të të njëjtit format si më parë, si ajo e Znj Aurela Anastasi, Aleksandër Muskaj, dhe një kandidaturë tashmë të refuzuar nga ana juaj, të Z. Sokol Berberi i cili prej shtatorit ndodhet i papunë. Qeveria, nënvizon shoqata, pretendon se përzgjedhja është bërë duke marrë parasysh dhe pëlqimin e plotë të ekspertëve të Këshillit të Europës, prandaj është e sigurtë se njëra prej kandidaturave do të miratohet në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Evropës.

Por kjo duket e pabesueshme. Këto tri kandidatura lënë shumë për të dëshiruar, sidomos në këto momente ku shoqëria shqiptare është në pragun e reformave shumë të thella, sidomos ato që kanë të bëjnë me riorganizimin e sistemit të korruptuar të dejtësisë. Ato janë që të gjitha kandidatura që vijnë nga e njëjta zonë gjeografike, i përkasin të së njëjtës familje politike, dhe të gjithë janë të formuar përpara viteve 1991, pra gjatë periudhës së regjimit komunist, ku juristët ishin të përzgjedhur nga familjet më të përbetuara të regjimit dhe partizanët më të zjarrtë të luftës së klasave.

Këta persona të formuar dhe që i përkasin doktrinës komuniste, të propozuar nga qeveria shqiptare për të qenë pjesë e drejtësisë ndërkombëtare, kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtësisht me privilegjet e administratës shtetërore të të gjithave formatëve dhe përmasave gjatë gjithë kohës. Shikoni CV e tyre.

Intervistimi i tyre dhe propozimi për votim në Asamblenë Parlamentare në Këshilin e Europës, do të ishte plotësisht kundra produktive, duke qenë se, zgjedhja e njërit prej tyre do të binte në kundërshtim të hapur me përpjekjet dhe predikimet e bëra nga komuniteti Komuniteti Europian dhe SHBA për të ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Nëse, njëri nga këto kandidatë do zgjidhet në postin e gjyqtarit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg, sigurisht që për gjykatat shqiptare do të vijnë ditë të zeza. Ato jo vetëm që nuk mund të largojnë më gjyqtarë të cilët janë të këtij profili, por përkundrazi, do të mbushen plot e përplot me jusristët e regjimit komunist që për më se 73 vjet, kanë kryer vepra makabre ndaj elitës së vendit, ndaj pronarëve të ndershëm dhe ndaj popullsisë së pa mbojtur.

Qeveria tepër e korruptuar e vendit, nëpërmjet këtij provokimi, duke bërë propozimin e këtyre tri kandidaturave Këshillit të Europës, ka për qëllim, jo vetëm për të patur një militant të vetin në gjirin e Gjykatës më të rëndësishme të kontinentit por, me zgjedhjen e njërës prej tyre do të testonte organizmat më relevant të Europës, për të përcaktuar strategjinë e saj meqenëse Gjykatat e vendit do ti nënshtrohen një reforme rrënjësore

Tre kandidatë duhet që t’i nënshtrohen vetingut, ashtu si gjithë kandidatët e tjerë të cilët do të konkurojnë për postet e ndryshme për të qenë pjesë përbërëse e Gjykatave të të gjithave niveleve të drejtësisë shqiptare. Sigurisht ata nuk do të guxojnë ti nështrohen Vetingut nëse po, patjetër që nuk mund të jenë pjesë e sistemit të ri gjyqësor për arsyet që u përmendën më sipër.

Është shumë e rëndësishme për tu vënë në pah fakti se, gjatë përzgjedhjes, janë eliminuar kandidatë të pavarurur që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e sistemit plolitik e gjyqësor aq të përfolur e të korruptuar në Shqipëri. Ata vijnë nga shoqëria civile dhe janë të formuar në Europë, jo vetëm në fushën akademike, por dhe në atë professionale.

Këtu kam parasysh domosdoshmërinë e zgjedhjes së gjyqtarit të ri që do të përfaqësojë Shqipërinë për gjatë 9 vjetëve të ardhshme në Gjykatën e Strasburgut, por kjo për momentin do të ishte kundraproduktive dhe në kundërshtim të hapur me nismat e guximshme që janë ndërmarrë për të reformuar sistemin e drejtësisë në vend në sajë të ndërhyerjes së fuqishme të përfaqësusesve të lartë të Bashkimit Europian dhe SHBA, si dhe me ambicjet e vendit me reformën e re janë që të jetë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian.

Konkretisht: Sokol Berberi, i vetmi kandidat i ripropozuar nga qeveria, deri në fund të muajit tetor ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por papritur dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vettingut nga kjo gjykatë. Në media u përfol se ishte pikërisht kjo arsyeja që ai u lagua në formë proteste, por ai vetë e ka mohuar, se dorëheqja e tij kishte lidhje me ligjin e vettingut.

Kunati që është ndër më të përfolurit se mund të shkojë drejt Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është ai i Sokol Berberit, i cili rezulton të jetë edhe kunati i kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa, aktualisht ministër i Brendshëm.

Berberi ishte piketuar nga Rama për të qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishëm të drejtësisë pas miratimit të reformës, për ndryshimet dhe specifikimet e vendosura nga opozita e përjashtojnë tani që Berberi të jetë në një nga këto institucione. Rama ka menduar që ta shpërblejë kunatin e Xhafës, duke i vendosur emrin si një ndër kandidatët më të preferuar për në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Berberi e ka një problem jo të vogël. Duke qenë kunati i Fatmir Xhafës është në të njëjtën kohë edhe krushqi me të kërkuarin ndërkombëtar për trafik droge, Agron Xhafa, që është vëllai i Fatmir Xhafës. A mund të jetë në kriteret e Strasburgut një kandidat me lidhje familjare me një të kërkuar ndërkombëtar droge? Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme.

A mund të pranohet në Gjykatën e Strasburgut një kunat i qeverisë që urdhërohet nga Rama për vendimet që mund të marrë. 

Një gjë është më se e sigurt: këto tri kandidatura nuk i përfaqësojnë interesat e shenjta dhe jetike të Shqipërisë, sepse ato përfaqësojnë interesat e dyshimta dhe të dëmshme të klaneve që e kanë sot në dorë Qeverinë Rama.

Filed Under: Opinion Tagged With: drejtesia evropiane, shqiperia, Skender Bucpapaj

KUPOLA-PENG I VETËVETES, SHQIPTARËT -PENG I KUPOLËS

March 10, 2017 by dgreca

Nga  Skënder Buçpapaj/skender-bucpapaj-voal1

Në komentet mediatike për seancat e të enjteve në Kuvendin e Shqipërisë dëgjohen shpesh thëniet“filani u armiqësua përfundimisht me filanin”.Sipas mendësive të tilla, anëtarët e politikës sonë, përkatësisht të Kupolës së mafies sonë përgjatë karrierës së tyre, më se njëçerekshekullore, disa herë kanë qenë miq, disa herë të tjera kanë qenë armiq, ndërsa tashmë janë përfundimisht amiq, dmth nuk do të bëhen miq kurrë më.

Në mafie nuk ekziston koncepti ‘miqësi’. Ky rregull vlen edhe për komunizmin. Një mafioz mund ta kesh vetëm armik, nuk mund ta kesh kurrë mik. Mafiozët janë armiq të lindur. Edhe komunistët janë armiq të lindur. Sikur botën t’ua japësh, as të parët, as të dytët nuk bëhen kurrë miq.

Ashtu si në komunizëm, një përvojë e njohur dhe e pranuar nga të gjithë ne, edhe në mafia ndjenja që i lidh dy ose më shumë veta është bashkëpunimi në një krim. Dy ose më shumë mafiozë, ashtu si dy ose më shumë komunistë, janë gjoja shokë ose miq sa kohë që janë bashkëpunëtorë në një krim të caktuar. Nga çasti i përfundimit të këtij bashkëpunimi nuk ekziston më kjo ndjenjë. Ajo zëvendësohet me çdo lloj ndjenje tjetër, por kurrë me atë të mëparshmen. Dhe kurrë nuk është miqësi. Më së shumti, ndjenja pasuese është armiqësi.

Sepse momentin e bashkëpunimit e pason gjithmonë momenti i ndarjes së territoreve. Territoret kanë kuptimin konkret të kufizimit të zonës ku mund të shtrihet fushëveprimi apo fushëndikimi i njërës palë apo tjetrës palë, kanë edhe kuptimin fluid të kufizimit të sferës shoqërore a politike të fushëveprimit apo fushëndikimit të njërës apo tjetrës palë. Këto janë territore apo terrene të tregjeve të tenderave, të posteve e tjerë, pra të tregjeve politike, ekonomike, e tjerë.

Lufta e individëve dhe grupimeve brenda mafies bëhet për arsye të pozicionit në hierarkinë e Kupolës, në nivel lokal apo qendror, si dhe për të mbrojtur territoret (terrenet) në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e sferave. Rezultat i këtyre përplasjeve janë tronditjet brenda kupolave, rindërtimet e hierarkive, ngushtimet apo zgjerimet e territoreve në dëm të dikujt dhe në favor të dikujt tjetër.

Kjo luftë brenda mafies nuk ka pak ngjasime me luftën e klasave, e cila është i vetmi mjet i brendshëm, e vetmja forcë e brendshme lëvizëse që e rregullon dhe e rirregullon pafundësisht jetën e një partie komuniste dhe të një regjimi komunist, përkatësisht jetën e një vendi komunist.

Mafia jonë, në gjithë Shqipërinë, brenda dhe jashtë kufijve të saj shtetërorë, është një mafia postkomuniste. Reformimi i komunizmit tonë nuk u bë në kahjen progresive, pra nuk u shndërrua në një demokraci evropiane. Ky reformim ndodhi në kahjen negative, duke u shndërruar në mafie. Kuptohet se ishte dhe është shumë më e lehtë që një komunist të shndërrohet në mafioz sesa ai të shndërrohej në një demokrat.

Demokracia është sistem i garës mes më të merituarve, mes më vizionarëve, mes më të përkushtuarve ndaj përparimit të një shoqërie, të një vendi, të një sistemi, garë mes më të besuarve që përfaqësojnë një program të caktuar, një platformë, një alternativë për nxjerrjen nga një prapambetje e caktuar relative dhe përparimin e zhvillimin e një vendi dhe të një shoqërie.

Mafia është përplasje, është luftë e pafundme mes më të fortëve dhe më pak të fortëve, mes më të pabesëve dhe më pak të pabesëve, mes më mizorëve dhe më pak mizorëve në një spirale të pafundme.

Në këtë spirale jemi futur ne shqiptarët. Dhe kemi mbetur duke e pësuar teksa soditim se kur kacafytjet brenda Kupolës do ta dobësojnë e do ta shkatërrojnë atë. Këtë kënaqësi të rreme e jepte komunizmi, kur grupe gjoja antiparti zbuloheshin nga vigjilenca e partisë dhe asgjësoheshin nga udhëheqësi. Edhe këtë kënaqësi e llogariste partia kur jepte goditje të brendshme, pas të cilave ajo dilte më e fortë, ndërsa populli thjesht përjetonte zbavitjen e radhës, duke parë fundin e disave prej atyre që ishin majmur me gjakun e tij.

Në Kupolë vepron logjika e klaneve. Një klan më i fortë, një grupim më i fortë klanesh merr në duar Kupolën. Një klan ose grupim i dobësuar zhvendoset, por mbetet brenda Kupolës. Mbetet i dëmtuar, i dobësuar, por brenda saj, duke pritur fatin e radhës ose duke organizuar revanshin e radhës.

Kjo e bën kupolën peng të vetvetes. Ne mbetemi peng i saj. Kështu shpjegohet rrethi vicioz ku ne vërtitemi pa shpresë – ose me shpresa të kota se ndonjë faktor i jashtëm do të jetë i interesuar dhe do të na nxjerrë nga ngujimi ku na ka grumbulluar mafia jonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: -PENG I VETËVETES, KUPOLA -, Skender Bucpapaj

MAFIA JONË- MË E LUMTURA NË BOTË

February 24, 2017 by dgreca

Capture-112

By Skënder Buçpapaj/Mafia jonë, në Tiranë, Prishtinë dhe në krejt hapësirën tonë në Ballkan, si dhe celulat e saj të përhapura gjithandej, është mafia më e lumtur në botë, ndërkohë që është mafia e qytetarëve më të varfër, e shoqërisë më të mjerë, e kombit më halleshumë. Pse kështu.

Ne që e kemi quajtur me emrin e saj të vërtetë, 20 e sa vite më parë e në vijim, ndërkohë që ajo po profilizohej si e tillë, e dimë sa zemërim kemi ngjallur te ajo, sa armiqësore ka qenë përgjigja e saj, sa i pamëshirshëm ka qenë kundërveprimi i saj. Ligji i saj është – njëherë i shpallur armik i mafies, gjithherë armik i mafies.

Sepse, në atë moshë të saj, nuk ka akuzë më të rëndë, më dërmuese, më rrënuese për mafien se sa ta thërrasësh atë me emër. I pranon të gjithë eufemizmat, sado të pagjetur, sado të papërshtatshëm, sado joartistikë të jenë ato. Por emrin e vërtetë jo, kurrsesi.

Sepse eufemizmat janë klima më e shëndetshme, më pjellore, më e rehatshme për mafian. Sepse eufemistët janë rritësit dhe selitësit më të mirë të dukurive të tilla si mafia.

Sot të gjithë e quajnë mafie. Të gjithë ata që nuk na duronin ne kur, në kushte krejt të tjera, krejt të pafavorshme, e bënim të njëjtën gjë që ata po bëjnë tash. Të gjithë pa përjashtim.

Mafia jonë, aq sa tronditej kur ne e quanim me këtë emër, aq sa tërbohej, hakërrohej dhe shkumëzonte atëherë, po aq përkëdhelet sot, po aq kapardiset dhe ndihet krenohet sot, po aq llastohet e lazdrohet, kur të gjithë ata që mohonin papushim, sot e quajnë me plot gojën ‘mafie’.

Mafia jonë është e sigurtë se asaj nuk do t’i vijë asnjë e keqe nga një shoqëri si e jona, që ka dalë nga sundimi gjysmëshekullor enverist brenda kufijve shtetërorë dhe nga pushtimi shekullor i Serbisë jashtë kufijve shtetërorë. Shoqëria jonë është e tulatur. Është e traumatizuar gati pa shpresë. Ajo edhe kur reagon, si më 1997, reagon në mënyrë të verbër, reagon kundër vetvetes, e rrënon vetveten dhe përsëri ushqen tentakulat e mafies me tragjedinë që ia shkakton vetvetes.

Një ditë, megjithatë, edhe mafia jonë do të ketë fundin e saj. Por nuk do ta ketë nga ne. Fundin e saj ajo do ta ketë nga disa dukuri që e shoqërojnë atë, që e përbëjnë atë.Mafia jonë është një mafie që vuan përherë e më shumë nga vetëkënaqësia e tepëruar. Në këtë gjendje të sëmurë e çojnë sukseset e pafundme, pa asnjë dështim, fitoret e pafundme, pa asnjë humbje.

Kjo sëmundje e brendshme e çon mafien tonë në një shkëputje gjithnjë e më të madhe nga realiteti. Mafia jonë është përherë e më shumë mes reve, këmbëpërpjetë e kokëposhtë, përherë e më larg realitetit shqiptar.

Mafia jonë është një mafie narciste. Është një mafie e festave të pafundme gala, e sfilatave të pafundme në paradat festive. Me sytë e saj të shtrigosur ajo e han vetveten, duke e kundruar nëpërmjet ekraneve të pafundme të mediave të panumërta, të cilat mbahen ‘live’ ditë e natë, në një reality show të pakufishëm dhe të paprecedent.

Mafia jonë është një mafie ishullore. Ajo është e shpërndarë nëpër pallatet luksoze madhështore në kryeqytete, në zonat bregdetare, në zonat malore, në komplekset private të banimit, të ngjashme me ato që superyjeve të Hollivudit.

Bllokut të dikurshëm i duket vetja i mjerë, kur i shikon blloqet e reja që mbijnë si kërpudhat pas shiut.

Pa dashur, pa kuptuar mafia jonë e fut veten në bunkerë. Sado të ëmbël, sado të ndritshëm, sado parajsorë këta bunkerë të kujtojnë bunkerët e Hoxhës të cilët tashmë po ekspozohen për publikun, ku paraardhësit e mafies e parashikonin të ardhmen e tyre, të mbrojtur nga urrejta konkrete e popullit të vet dhe nga armiqtë abstraktë, imagjinarë.

Si mafie me prejardhje ateiste, mafia jonë nuk ka frikë as nga Zoti.

Nga librat që kemi lexuar, nga filmat që kemi parë, jemi mësuar ta shohim mafian në ankth dhe në makth të përhershëm përballë bëmave të saj, të cilat një ditë do të kenë fundin e merituar. Ato arrijnë të kapin segmente të shoqërisë, të politikës, të shtetit, por nuk e kapin dot gjithë shoqërinë, nuk e kapin dot gjithë politikën, nuk e kapin dot gjithë shtetin. Prandaj ato janë në ankth të vazhdueshëm.

Mafiat e tjera, përkundër të gjithave e gjithçkaje, e kanë vetëdijën se janë të përkohshme, ndërsa populli është i përjetshëm. Mafia jonë është ndryshe. Ajo është e gatshme ta zëvendësojë popullin e vet me gjithkënd tjetër. Përvjet nga njëra anë e kufirit ikin me dhjetëra mijë shqiptarë, në mënyrë të ligjshme. Nga ana tjetër e kufirit ikin me qindra mijë shqiptarë, me pasaporta të vendeve fqinje, në mënyrë të ligjshme, ose pa ato, në mënyrë të paligjshme.

Nga i tillë këndvështrim, mafia jonë është sa tipike në bëmat e saj, aq atipike në sjelljet e saj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: MAFIA JONË-, MË E LUMTURA NË BOTË, Skender Bucpapaj

SIKUR NË ÇADËR ME PD-në TË BASHKOHET DHE PS-ja

February 23, 2017 by dgreca

Opinion nga Skënder Buçpapaj/*

Në ditën e tij të tretë në çadër, kryetari i PD-së Lulzim Basha iu tha gazetarëve se nuk largohet andej pa zgjedhje të lira, siç iu ka premtuar qytetarëve dhe shtoi: “Zgjedhje të lira ka e do të ketë vetëm me një qeveri pa Edi Ramën kryeministër.”

E vërteta është se, edhe sikur në krye të qeverisë të vijë paraardhësi i Ramës, edhe sikur të vijë automatikisht menjëherë vetë mëtuesi për pasardhës të Ramës, edhe sikur të vijë cilido prej pjesëtarëve të politikës, aktivë apo pasivë, në krye të çdo qeverie, me këtë klasë politike, zgjedhje të lira në Shqipëri, siç nuk ka pasur, as nuk do të ketë.

“Edhe ne, sikur ju, duam zgjedhje të lira,” i tha në reagimin e tij të parë, në ditën e parë të çadrës, kryeministri njëherësh “kryesocialisti” Rama “kryedemokratit” kryeopozitar Lulzim Basha. Zgjedhjet në Shqipëri secila palë i konsideron të lira kur i jepet mundësia për të vjedhur më shumë se pala tjetër. Palët në pushtet, gjithsesi, nuk mund të ankohen pse opozitat vjedhin më shumë vota. Vetëm Partia Demokratike, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve me shumë palë, duke qenë vetë në pushtet më 2013, u ankua se opozita ia vodhi votat, ia bleu votuesit dhe komisionerët me para të thata në dorë dhe me premtime boshe elektorale.

Nga reagimi i Ramës merret vesh lehtë tundimi i tij i pafshehur dhe, nëpërmjet tij, i Partisë Socialiste, që edhe ai dhe partia e tij të jenë në çadër me Bashën dhe me Partinë Demokratike. Sepse kauza e shprehur, ajo e zgjedhjeve të lira, por edhe kauza e pashprehur, ajo e mbrojtjes nga reforma në drejtësi, janë të përbashkëta.

Madje Rama e tha shkoqur në mbledhjen me grupin parlamentar “socialist” se “çadra e protestës” po përdoret si strehë “për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi”. Pra, vendi i Partisë Socialiste është pikërisht aty, në çadrën e ngritur nga Partia Demokratike. Sepse, duke mbrojtur veten e tyre nga reforma, “demokratët” po i mbrojnë edhe “socialistët”.

Rama tha se bojkotimi i Kuvendit nga opozita “ka për qëllim bllokimin e Vettingut”. Pra, opozita është edhe misionare e qeverisë në “protestën” e saj në çadra.

“Protesta” e opozitës po bëhet në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë duhet t’ia japë vendit reformën zgjedhore, duke e nxjerrë përbërjen e re të këtij institucioni nga kthetrat e kryetarëve të partive, në radhë të parë Ramës, Bashës e Metës, por edhe Blushit, Mediut, Idrizit, Ndokës e të tjerëve. Dhe duke ua dhënë zgjedhësve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë mundësinë të sjellin në kuvend të parapëlqyerit e tyre dhe jo kriminelët e radhës.

Basha gjoja kërkon qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të lira, të drejta, të ndershme. Asnjë qeveri e vendit, asnjë qeveri e importuar nga jashtë, as më e mira e të mirave, nuk mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve sa më të besueshme nga qytetarët pa një reformë zgjedhore e cila të garantonte një përbërje të re sa më të pranueshme të Kuvendit.

Në vend të reformës ai kërkon votim elektronik, diçka që edhe vetë Zvicra, me tekonologjinë e saj të përkryer, e ka në fazë eksperimentale, ende vetëm në dy kantone. Diçka që ia kërkon Partisë Socialiste sot, asnjëherë nuk provoi ta bënte vetë Partia Demokratike kur ishte në pushtet, qoftë edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal, në zona sado të kufizuara.

Rama, në mbledhjen me grupin parlamentar të PS-së, i urdhëroi deputetët t’i shtojnë lidhjet e tyre me bazën: “qe te mos merren me komente ne rrjetet sociale per protesten e opozites” dhe “te dalin ne zonat ku jane caktuar se bashku me te deleguarit e qarqeve per te takuar qytetaret”.

Gjoja opozita, në vend që të jetë më e shkrirë se kurrë me bazën e saj të mundshme, me elektoratin, me “popullin demokrat”, ka zgjedhur çadrën e “protestës”, ku nuk mungon asgjë tjetër me rëndësi përveçse Partia Socialiste.

*Opinioni është i autorit

 

Filed Under: Komente Tagged With: NË ÇADËR, Pd-PS, Protesta, Skender Bucpapaj

Trump tjetër, prej nesër

January 21, 2017 by dgreca

skender-bucpapaj-voal1

Nga Skënder Buçpapaj/

Kush e ka parashikuar fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, a do të mund të parashikojë edhe presidencën e tij? Sa do të ndryshojë presidenti Donald Trumpi nga kandidati presidencial Donald Trumpi?

donald-trump

Fitorja e papritur e Trumpit i ka lënë disi pa tekst mediat perëndimore. Ato kanë thirrur për t’ua dhënë fjalën në faqet e tyre ekspertë të fushave të ndryshme, për të dhënë mendimin e tyre profesional rreth figures dhe dukurisë Trump, rreth perpektivës amerikane, perëndimore dhe asaj globale pas 20 janarit 2017, kur merr detyrën presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supërfuqisë botërore.Linguistja (gjuhëtarja) Elisabeth Wehling është ftuar për një intervistë nga Neue Zürcher Zeitung (Gazeta e Re e Zyrihut) si një ndër të vetmit dijetarë që e ka parashikuar fitoren e Trumpit. Wehling, madje, siç thotë, nga këto zgjedhje ajo ka dalë 500 dollarë më e pasur ngaqë ka vënë bast, duke qenë e sigurt për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit 2016.

Wehling është profesoreshë nga Hamburgu, drejtoreshë e International Computer Science Institute në Berkeley Projekte, për kërkime në fushën e ideologjisë, gjuhës dhe opinionit të paanshëm, autore e librit të ri “Inkuadrimi politik”. Meqë ka parashikuar fitoren e Trumpit, a mund ta parashikojë edhe presidencën e tij?Titulli i intervistës në NZZ është “Gjuha e tij e thjeshtë është shumë e efektshme” dhe nëntitulli “Linguistja Elisabeth Wehling sqaron çfarë mund të mësojmë nga retorika e Donald Trumpit”.E çfarë ka të veçantë gjuha e Trumpit? – pyet gazetari. Thjeshtësinë, thotë Wehling. Trumpi është në një nivel, të cilin ne të hulumtimit e quajmë “basic level cognition” ( “nivel themelor i perceptimit”). Ai përdor fjalë të prekshme, që mund të shijohen, të shikohen, të dëgjohen njëkohësisht. Diçka e tillë është muri me Meksikën. Kjo gjuhë e thjeshtë është shumë e efektshme (vepruese, e frytshme).

Hillary Clinton e la pasdore përdorimin e një gjuhe të thjeshtë? Absolutisht, përgjigjet hulumtuesja. Unë të marr ty si shembull reformën shëndetësore të presidentit Barack Obama. Për ta mbrojtur atë, Clinton duhej të gjente fjalë të qarta. Diçka si: “Më dëgjo mua, Donald, nëse fëmija im është në shtrat me temperaturë, unë e thërras mjekun menjëherë. Dhe kjo vlen edhe për bashkëqyetarët e mi.”.Në vend të kësaj, ajo argumentoi me statistika. Ndërsa Trumpi vazhdoi me rrëfimet e tij ideologjike.Pra, fushata mbeti tek fjalët dhe nuk mori asnjëherë përmbajtje? Fjalët dhe gjuha janë njëkohësisht edhe përmbajtje, përgjigjet shkurt ekspertja.Cila është analiza juaj për gjuhën që përdori Trumpi gjatë fushatës? Kjo është një gjuhë që përdoret vetëm gjatë fushatave. Kjo vlen edhe për rastin e Trumpit. Populizmi shpërblen vetëm për sa kohë nuk je ulur në karriken e Shtëpisë së Bardhë, shpjegon ajo.Kini ju ndonjë shembull për ndryshimin e gjuhës së Trumpit? për shembull gjatë fushatës ai e kërcënoi Clintonin se do ta nxirrte para drejtësisë. Pas fitores thotë se Clintoni nuk do të jetë nën hetime. Nga njëra anë, ai tërhiqet nga akuzat, nga ana tjetër ende e konsideron atë kriminele.

Ai ka bërë premtime për qarkullimin e lirë të njerëzve, për NATO-n, për mbrojtjen e klimës, për Obamacare. A do t’iu përmbahet ai premtimeve? A do t’iu përmbahet të gjithave. Është një keqpërllogaritje. Atij i duhet të punojë për të gjetur rrugën e realizimit të premtimeve.Ai duhet të ndërtojë murin. Duhet të bëjë diçka këtu e diçka atje. Dhe nëse nuk do t’ia arrijë, atëherë do të shpikë ndonjë fabul gë bukur si ato të garës me Clintonin, shpjegon hulumuesja.

Pra, Trumpi do të vazhdojë të mbështetet fuqishëm në strategjinë e tij të komunikimit? – Po edhe në paraqijet e tij në Twiiter, kjo duket qartë, thotë ajo.Duke iu përgjigjur pyetjeve vijuese, gjuhëtarja gjermane thekson se Trumpi do t’i përmbahet logjikës së deritanishme: ka fitues dhe të humbur. Ai i përket një kryefjale të vetme: Fitore, fitore, fitore. Kështu që ai portretizohet si një fitimtar. Kjo ka të bëjë me një Amerikë, ku ka të pasur dhe të varfër. Të varfërit shikojnë tek Trumpi ajkën e ajkës.Lidhur me mediat, hulumtuesja thotë se ato do të vazhdojnë të mos kenë me Trumpin atë raport të ngushtë që kishin me Clintonin. Nga ana tjetër, Trumpi, që i ka quajtur mediat klasike të rrezikshme, tashmë e ka ndryshuar gjuhën e tij, duke filluar nga vlerësimet e tij për New York Times.Sa i përket ndikimit të fitores së Trumpit në zgjedhjet parlamentare të afërta në Francë dhe Gjermani, Elisabeth Wehling thotë se kandidatët do të përpiqen të përdorin një gjuhë të thjeshtë. Kështu përballë njëri tjetrit do të jenë popullistët e djathtë, populistët e majtë dhe jopopulistët.Konkluzioni i përgjithshëm i gjuhëtares është se Trumpi do të ndryshojë shumëçka nga retorika e tij gjatë qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë, por nuk do të heqë dorë, përkundrazi do ta bëjë natyrë të punës së tij dhe të ekipit të tij strategjinë e tij fitimtare të komunikimit.Neue Zürcher Zeitung, gazeta kryesore e Zvicrës dhe një ndër kryesore e gjuhës gjermane, si pothuaj të gjitha mediat perëndimore e ka perceptuar Trumpin si një kontrast të plotë të Hillary Clintonit. Ky perceptim do të vazhdojë të jetë në provë edhe prej nesër, kur, siç thotë edhe ekspertja e thirrur në faqet e gazetës, do të kemi në plot pikëpamje një Trump tjetër.(Derguar prej VOAL)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: prej nesër, Skender Bucpapaj, Trump tjetër

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT