• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënderbeu, arbëreshët dhe ne

September 18, 2017 by dgreca

1 agim Kola 2

Nga Agim Kola/New Yok

Rreth viteve 2000-2003 po kryeja Masterin në Edukim Muzikor. Si pjesë e programit mësimor ishte edhe praktika pedagogjike për rreth 3 muaj. U caktova në Edgemont Junior/Senior High School në Scarsdale, New York, që bënte pjesë në 50 shkollat më të mira në ShBA. Këtë e vërtetoi edhe banda frymore e shkollës, me një nivel profesjonal sikur të kishin mbaruar shkollë muzike, e jo sikur të ishin nxënës të zakonshëm gjimnazi. Atje takova edhe një nga mësuesit e tunxhit, në prag të pensionit, që e kishte mbiemrin Matrimogno. Sapo e mori vesh që isha shqiptar më tha në anglisht: unë jam arbëresh, nuk di të flas shqip, por babai kur ishte gjallë më pati porositur të mbaja mend dy fjalë: “Gegë and Bukë”. Nuk e dinte kuptimin e këtyre fjalëve, dhe unë, shumë i emocjonur ja përktheva me një frymë.

2 scanderbeg

Kjo praktikë në këtë shkollë u bë shkak që disa vite më vonë të banonim në këtë vend. Mbas transferimit shkova te zyrat e regjistrimit të seksjonit të arësimit ku u prita nga një mesogrua me mbiemër DeVito. Më priti me shumë dashamirësi dhe kur e mori vesh nga ishim, për habinë time më foli shqip: unë jam arbëreshe dhe flas pak shqip. Nëna flet shumë mirë, po unë pak,…di të numëroj-dhe filloi-një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë. Unë u mahnita se sa mirë i shqiptonte fjalët dhe sa mirë i kishte mbajtur mend tërë këta vite. Vazhduam bashkëbisedimin në anglisht dhe u ndamë si miq.

Në një kohë që kombet tjera absorbohen në dy-tre breza në Amerikë e vende të tjera, Arbëreshët ruajnë më dinjitet gjuhën, kulturën, veshjet, zakonet, traditat dhe fenë e tyre, si në Itali, ashtu edhe në vende të tjera si ShBA, Brazil, Kili, Argjentinë, Meksikë, Venezuela, Uruguai, Kanada, etj. Kjo dashuri e rrallë për mëmëdheun, që erdhi si pasojë e dëbimit të tyre nga okupacjoni osman, u kultivua brez mbas brezi. Edhe pse janë qytetarë Italjanë, në shpirt e identitet mbajnë origjinalitetin Arbëror.  Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngeli udhëheqësi i tyre, edhe pas vdekjes, si simbol i bashkimit dhe i qëndresës kombëtare, ashtu siç thotë edhe Naimi i madh:

S’kishin ata thash’ e theme

Të këqija e të rreme

Donin gjithë mëmëdhenë

Dhe kombin e Skënderbenë.

Janë tre gjëra që nuk i ndryshon dot, nënën, babain dhe vendlindjen. Këta tre faktorë përbëjnë DNA-në fiziologjike dhe shpirtërore të njeriut. Të tjerat gjëra në jetë mund të ndryshojnë, përkatësia politike, fetare, shoqërore etj., por jo tre faktorët më lart. Këtu duhet të fillojë dhe mbarojë debati me ata që vjellin vrer për Skënderbeun e Shenjtëreshën Nënën Terezë. Këtu duhet të ndahet shapi me sheqerin, nqs do vesh fenë mbi atdhenë, të është korruptuar DNA. Çajupi thotë:

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënur koka,
ku më ka dashur mëm’ e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdesë.

Por paradokset s’kanë të mbaruar për kombin tonë. Në ditët e sotme, kur Skënderbeu na nderon me prezencën e tij jo vetëm në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Dibër, por edhe në Itali, Angli, Francë, Danimarkë, Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë e ShBA, nderohen gjithashtu edhe armiqtë e Skënderbeut, me të cilët ai luftoi dhe fitoi betejat. Në asnjë vend tjetër të botës nuk nderohet edhe luftëtari edhe armiku i tij, por në viset shqiptare kjo ka arësyet e veta. Në Prishtinë kemi Xhaminë e Sulltan Mehmetit II, me të cilin Skënderbeunë luftoi në 1450. Në Ulqin e Ohër janë xhamitë e Ali Pashës me të cilin Skënderbeu luftoi më, në Shkup gjendet xhamia e Mustafa Pashës dhe xhamia e Isak Beut, kundër të cilëve Skënderbeu luftoi dhe fitoi përkatësisht më 1448 dhe 1457. Në Prizren është xhamia e Mehmed Pashës dhe e Sinan Pashës, me të cilët Skënderbeu luftoi dhe fitoi. Në Preshevë kemi xhaminë e Ibrahim Pashës me të cilin Skënderbeu luftoi e fitoi në 1453. Në Pejë gjejmë xhaminë e Hasan Beut, ushtrinë e të cilit Skënderbeu e mundi në betejën e Ohrit.

Shkrimtari, historjani dhe filozofi i famshëm i rilindjes franceze Volteri e admiroi dhe e nderoi Skënderbeun duke shkruar për të në veprat e tija. Gjithashtu, tre opera janë shkruar për Skënderbeun, njëra prej tyre nga kompozitori i madh Antonio Vivaldi. Papa e deklaroi “Captain General of the Holy Sea, për luftën kundër otomanëve, duke i dhënë titullin “Athleta Christi”. Në librat e historisë së Europës Skënderbeu konsiderohet “figurë udhëheqëse e shekullit XV”. Skënderbeu ishte tmerri i otomanëve për 25 vjet me rradhë, kjo duket edhe nga shprehja e famshme e Sulltanit mbasi vdiq Skënderbeu: Tani që të pafetë humbën shpatën dhe mburojën e tyre, kush mund t’i mbrojë ata nga zemërimi im? James Wolf, komandanti i forcave ushtarake britanike në Quebec, Canada thotë për Skënderbeun që ai shkëlqen mbi të gjithë drejtuesit ushtarakë, të vjetër e modernë, në mënyrën e drejtimit të një ushtrie të vogël. Me 26 Tetor 2005, Kongresi i ShBA-së lëshoi një rezolucjon në nder të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, udhëheqës shteti, diplomat dhe gjeni ushtarak në rrolin e tij si mbrojtës i Europës Perëndimore nga okupacjonit otoman.

Fqinjët tanë, kanë përdorur të gjitha mënyrat e metodat për ta shfarosur kombin tonë. Kur e panë që s’e morën dot me luftë Kosovën, menduan që të përdorin hilen e vjetër, kalin e Trojës, financimin e fondamentalizmit arab në një shtet të ri, të dobët dhe që manipulohej lehtë. Dhe kur macja fle, minjtë hedhin valle-thotë një shprehje e vjetër. Kosovarët harruan shpejt se kush i çliroi nga dhuna serbe. Pashko Vasa, si të jetonte në ditët tona thotë:

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè, ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!

Por ku tjetër konsiston lufta ideologjike për asgjësimin e kombit shqiptar?

Asgjësimi i simboleve kombëtarë, heronjve kombëtarë, historisë, kulturës e gjuhës me anën e shpifjeve, shtrembërimit të historisë, përdorimin e mediave në favorin e tyre, ashtu siç bëhet edhe propaganda e ISIS. Kur padituria sundon vendin, bëhet shumë i lehtë manipulimi i fakteve, ose “shpëlarja e truve”. Pseudo-historianët e pseudo-patriotët kanë dalë si kërpurdhat mbas shiut, që nën flamurin e lirisë së fjalës, janë duke u përpjekur për të shkatërruar dita-ditës e në mënyrë sistematike çdo ‘gur’ të historisë, që nga Iliria e deri në ditët e sotme. Mjeda thotë për këta:

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Sot më shumë se kurrë duhet të inkurajojmë historjanët, kërkuesit, akademikët, politikanët, gjuhëtarët e të gjithë intelektualët e tjerë që të mprehin penat e tyre dhe të sqarojnë publikun për historinë tonë të lashtë e të lavdishme, jo me mburrje boshe, por me fakte. Sepse jemi një nga vendet, gjuhët dhe popujt më të vjetër të botës dhe i takojmë Europës gjeografikisht dhe historikisht.

Më shumë informacjon për prezencën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut nëpër botë:

Angli, corner of Inverness Terrace & Porchester Gardens, London.

Francë, Place Skanderbeg, Pont-de Flandre, Paris.

Danimarkë, ku vula e tij ruhet në Muzeun Kombëtar.

Gjermani, punime në dru nga Jost Amman, Frankfurt: Kthimi i Skënderbeut në Krujë, Fitorja e Skënderbeut në betejën e Torviollit, rrethimi i parë i Krujës, beteja e dytë e Oranikut, beteja e Orhrit, rrethimi i dytë i Krujës, Skënderbeu i drejtohet popullit, dhe Vdekja e Skënderbeut. Austri, ku ruhet përkrenarja dhe shpata e heroit në muzeun Kunthistorisches, 1010 Wien.

Itali, Piazza Scanderbeg, Rome, Galeria Uffizi, Florence,

Zvicër William Rappard Park, Geneva

Belgjikë, monumenti në sheshin Prévost-Delaunay, Brussels.

Hungari, parku qëndror në Budapest.

Maqedoni, monument në Shkup e Dibër

ShBA, Kisha shqiptare e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Kola, arbëreshët dhe ne, Skenderbeu

Skënderbeu, 2017: “Marrëzinë nuk jua solla unë, atë e gjeta mes tuaj”

September 8, 2017 by dgreca

1 Ermir_Hoxha-500x281-e14292618973441-347x2331-364x245111-347x233-347x233-1-1-347x233-1-1-1-1-1-347x233-1NGA ERMIR HOXHA/

Një debat mbi “Skënderbeun e mbuluar” që zotëroi këto ditë hapësirat sociale dhe mediatike shqiptare,  e çon thënien e pretenduar të heroit tonë kombëtar nga “Lirinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes tuaj”, që të adaptohet në kushtet e sotme si “Marrëzinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes tuaj!”.

Sepse deri më sot, nuk ka patur debat më të marrëzishëm. Dhe mjaftojnë pak kampionë për ta kategorizuar si të tillë. E para, termi “i mbuluar”. Për të gjithë ata që lexuan e dëgjuan për herë të parë lidhur me mbulimin e heroit ditën e Kurban Bajramit, pa e parë realisht se çfarë kishte ndodhur, u krijua përshtypja e krijuar se një beze gjigande i ishte hedhur monumentit për ta bërë atë inekzistent për do orë. Dhe vulën kësaj idiotësie ia vuri presidenti Thaçi, që deklaroi se “asnjë pëlhurë nuk e mbulon dot…”(!). Pra, kreu i shtetit kosovar ishte ende tek bezja, në një imagjinatë jo krejtësisht naive, por në një bindje tërësisht të trashë në raport me ditët që kanë kaluar kur pothuajse për çdokënd me dy pare mend në kokë është bërë e qartë gjithçka, më kryesorja që kishim të bënim me një “budalla që hedh një gur në lum, e ku futen njëqind (po aq budallenj), e që s’e nxjerrin sot”.

Prej tyre pati sosh që shihnin tek “mbulimi” (ka shumë arsye për ta futur në thonjëza), një konspiracion mes Erjon Velisë dhe Muhamed Kalasë (vëreni me kujdes: Ahmed Kalasë, gjithsesi një figurë e njohur publike si imam i njohur i një xhamie të njohur në Tiranë, ia shkruan emrin Muhamed(!)), dhe ky që ia servirte opinionit zbulimin e madh të konspiracionit anti-Skënderbe mes kreut të Bashkisë dhe një prijësi fetar në kryeqytet, vetërenditet tek të lëçiturit, të iluminuarit, moralistët, të shembshurit për fatet e kombit.

Mes tyre, me më shumë peshë fjale, ishte dhe Artan Lame. E nëse të gjithë janë të falur si pjesëmarrës e kontribuues në marrëzi, mes tyre Flutura Açka dhe Agron Gjekmarkaj, të njohur tashmë për angazhimin e tyre publik në gjetjen e ndonjë ceni tek besimi i shumicës shqiptare për ta bërë më pas qimen-tra, nuk vlen kjo për Artan Lamen, njeriu që aq shumë ka investuar tek vetvetja për të mos qenë pjesë e berihajit, e që atë ditë ngjau me një shqiptar të rëndomtë e të papunë facebook-u, duke u bërë njësh me marrëzinë, e madje dhënë një dorë të mirë asaj në një gjallim të çmendur disaditor.

Por le ta shohim dhe njëherë ftohtësisht se ç’ndodhi atë ditë:

Në fakt nuk ndodhi asgjë. Të paktën në shesh. Ndodhi më e zakonshmja që ka ndodhur çdo kremtim Bajrami. Një podium, një ekran pas – sigurisht, falë avancave teknologjike – vendosur në pozicion simetrik përballë masës së besimtarëve. Madje është vetë simetria, ky detaj gjeometrik, që shpartallon çdo aluzion se e gjitha kishte të bënte me atë agregat të bronxtë pas, pra Skënderbeut mbi kalë.

Por dhe nëse do ishte vërtet kështu, nuk ka asgjë penalizuese në këtë mes, gjersa askush nuk është marrë me Skënderbeun, as me dorë e as me fjalë. Organizatorët, KMSH-ja në këtë rast, i është përgjigjur vetëm kërkesave estetike-skenike, pa patur ndonjë udhëzues të veçantë kushtëzues, ligjor apo etik, në përgatitjen e dekorit festiv. Dhe këtu mbyllet gjithë debati. Të lirë për ta vijuar atë, në pamundësi për t’i penguar, janë vetëm masat e të papunëve në rrjete, delirantëve gjithashtu, ku dallon dhe ndonjë që në pamundësi për t’u bërë gazetar i njohur tek “vendi i qenit” – terreni – zgjedh të bëhet në facebook.

Pjesa tjetër e marrëzisë gjendet dhe tek masat e besimtarëve muslimanë, që lehtësisht tërhiqen për hunde duke rrëshqitur  e zhvendosur me një lehtësi naive drejt debatit mbi statusin historik apo fetar të Skënderbeut. Me një mungesë të theksuar urtësie që buron nga tradita profetike, së cilën mëtojnë se e ndjekin, kjo masë bie me një lehtësi të papërballueshme në karemin që i ofrohet, sidomos nga “peshkimi” mediatik. Veçohet në gjithë këtë lojë, lloji i përzgjedhjes që bëhet për panele debati televiziv, mbi figura “përfaqsuese” komunitare që në realitet kanë një reputacion minimal “brenda llojit”.

Për më tepër se kaq, një komuniteti me shumë probleme të brendshme, i cili ende nuk ka të konsoliduar tiparet bazë të vetëdijes së lartë fetare në disa terma socialë, ku përfshihet dhe komunikimi në një shoqëri diverse, nuk i shkon që të jepet me aq nerv e energji në çështje që nuk i ka parësore, referuar modelit profetik me formulën kohë/moment/pozitë.

Dhe në fund, ndonëse është herët të flitet, KMSH nuk ka pse kompleksohet nga gjithë çka ka ndodhur këto ditë, duke u tërhequr nga prishja e simetrisë së vendosjes së podiumit, apo dhe e uljes së lartësisë së ekranit, Bajramet e ardhshme.

Skënderbeu është në vendin e vet, siç janë dhe besimtarët në organizimet e tyre festive. Për mendjet e kthjellëta, Shqipëria është madhe aq sa ka vend për të gjithë. Ndaj nuk duhet t’jua lëmë atë mendjeshthurrurve që me iluzionet e tyre optike e bëjnë të vogël, të ngushtë, të sikletshme, siç janë dhe vetë të tillë. /tesheshi.

Filed Under: Politike Tagged With: 2017, Marrezine, nuk ua solla une, Skenderbeu

Tragjedia e rigjetur e Skënderbeut dhe skulptori arbër që mrekulloi Venedikun

May 17, 2017 by dgreca

1 Nadini

*Nuk mjafton të lësh vetëm plazhin e bukur, sepse pas atij plazhi duhet të jetë Butrinti, e pas Butrintit duhet të jetë një histori. Mësojani fëmijëve atë./

*Nëse e çoni fëmijën në Shkodër, duhet ta dini çfarë është Shkodra”, e sipas saj Shkodra dihet më mirë ç’është, përmes Statuteve./

Nga Fatmira NIKOLLI/ G. Shqiptare/

…Kam 20 vite që i them kujtdo që takoj: kujtohuni që mbase do u lini fëmijëve xhepat plot me para, por do u lini kokat bosh. Pa kulturë, nuk mund ta bësh historinë e një vendi, një vend duhet të ketë historinë e tij. Nuk mjafton të lësh vetëm plazhin e bukur, sepse pas atij plazhi duhet të jetë Butrinti, e pas Butrintit duhet të jetë një histori. Mësojani fëmijëve atë. Nëse e çoni fëmijën në Shkodër, duhet ta dini çfarë është Shkodra”, e sipas saj Shkodra dihet më mirë ç’është, përmes Statuteve.
Për Nadinin, një qytet nuk mund të jetë i tillë pa historinë që i paraprin.

Shqipëria ka njohur në vitet e jetës së saj me këtë emër shumë studiues të huaj. Edhe si Arbëri, po ashtu. Dëshmitë e shkruara të udhëtarëve, kalimtarëve, konsujve e studiuesve të huaj që kanë kaluar këtejpari, kanë sot për ne vlera të mëdha; së pari se dëshmitë e shqipes së shkruar janë të vona (edhe pse ne kemi pasur trashëgimi orale); e dyta, sepse përmes tyre njohim atë që kemi qenë. Prej të mësipërmve, ka pasur shumë llojesh. Gjen mes tyre, emra që na zbuluan thesare e që na i lanë, gjen edhe emra që zbuluan thesare e na i morën; gjen që na deshën, gjen që iu deshëm; gjen që “i përdorëm”, gjen që na përdorën. Në radhën e këtyre emrave studiuesish të huaj, Luçia Nadin, është pa më të voglin dyshim, një emër që na ka dhënë më shumë sesa i kemi dhënë. Në mos për asgjë tjetër Statutet e Shkodrës, pa Luçia Nadinin, do kishin mbetur veçse një grumbull dokumentesh në Venecian e pafund. Gjetja e saj, na radhit ne shqiptarëve sot mes kombeve të Europës në mesjetë; radhitje që rrekemi pareshtur ta “imitojmë” sot- me një masë suksesi të diskutueshme.
“Sot, falë kuriozitetit e pasionit shkencor për hershmëritë shqiptare të Prof. Luçia Nadin, ne zotërojmë pa dyshim një tjetër perlë, po aq të çmuar sa e para. Nëse e para, Kronika e Gjon Muzakës, na njeh me jetën dhe shoqërinë feudale shqiptare të shek. XIV-XV, Statutet e Shkodrës na zbulojnë në mënyrë verbuese polin tjetër të qytetërimit mesjetar shqiptar, atë të qyteteve autonome, ku Shkodra zinte një vend të veçantë nderi në krejt arealin dalmato-shqiptar”, shkruan Pëllumb Xhufi, në botimin e ri, tanimë anastatik të librit “Statutet e Shkodrës – Nga gjysma e parë e shek. XIV, me shtesat deri më 1469”.
Historia e Nadin me Shqipërinë zë fill më 1994. 23 vite më pas, vjen në një bisedë në “GAZETA SHQIPTARE”, për të rrëfyer këtë udhëtim, nga zbulimet e fundit te vëmendja e munguar. Dokumente të gjetura e të sjella falas, që mezi shohin dritën e botimit, qëndrojnë në mendjen e saj, e në mundimet e kërkimeve të përditshme në arkivat veneciane.
NJË TRAGJEDI PËR SKËNDERBEUN
– Së fundmi keni mundur të gjeni një tragjedi për Skënderbeun. Ç’rëndësi ka ajo në lëmin e dokumenteve a veprave për të?
Kjo pjesë është një mrekulli për vendin tuaj, sepse del përmes saj një imazh i Skënderbeut që nuk është vetëm imazh politik, por imazhi i njeriut që deshi të bashkonte vendin e tij. Vepra është e vitit 1783. Në bibliografinë zyrtare është thënë gjithnjë që tragjedia ka humbur.
Jemi në 1700-ën, kur një njeri nga Dalmacia shkruan një tragjedi, me protagonist Skënderbeun. Unë e rigjeta, por që të mund të shkruaja për të, më duhej leja. Ata që kanë veprën origjinale, fillimisht nuk më lejonin dhe as nuk donin që të shkruhej për gjetjen. Ishin të trembur, kishin frikë pasi e cilësonin edhe “një tekst religjioni”- meqë Skënderbeu njihet edhe si mbrojtës i krishterimit, zonja që e mbante librin më thoshte se kishte frikë nga ISIS-i.
– Ku jetonte ajo?
Jetonte në Trieste. Më kishte dërguar fotokopjet dhe me to mund të shkruaja për tragjedinë, por fillimisht nuk e bëra se doja të isha korrekte. I kisha dhënë fjalën që doja të bëja diçka shkencore, e jo një skup mediatik- nuk doja të vija në Shqipëri e të bërtisja: kam gjetur tekstin e tragjedisë së humbur të Skënderbeut.
– Sa faqe është tragjedia?
Janë rreth 70 faqe dhe autori që e ka shkruar quhet Triffone Smecchio.
M’u desh të studioja tekstin dhe të kuptoja pse ishte shkruar në fund të 1700-ës dhe pse ishte shkruar mes Venecias e Padovas. Studiova teatrot dhe punova një vit e gjysmë. Tani, teksti është aty, por kush do ta publikojë? Kush është ai do t’i japë paratë për ta botuar? Unë nuk kërkoj para dhe nuk i kam kërkuar kurrë, por vetë nuk kam mundësi ta botoj. Ai është një tekst që mund të përdoret edhe për t’u vënë në skenë.
– Cili është imazhi i Skënderbeut në këtë tragjedi?
Është një autor venecian që jeton në Dalmaci, ku është ende e gjallë jehona e Skënderbeut si mbrojtës i krishterimit në Ballkan, ndaj shkruan këtë tragjedi së cilës i mungon një akt. E publikova këtë fakt me Ardian Ndrecën. Të shohim nëse ndokush do interesohet që ajo të përkthehet e botohet në shqip. (Ajo që shqetëson Nadinin është destini i këtyre dokumenteve, ndaj pyet me një çehre të zbehtë- ‘a do e donit ju këtë tekst në bibliografitë tuaja? Unë jua rikthej, po ju, a doni të bëni diçka me të? Nuk ju kërkoj asgjë, sepse asnjëherë nuk kam kërkuar, por nëse ju rikthej faqe të historisë suaj, a do keni ju pak vëmendje për historinë tuaj?’ Pyetjet e saj kanë të bëjnë me dëshirën tonë për dije e për të vënë në vend historitë e humbura, copëza të rigjetura të së shkuarës së ‘errët’, në kohët e një Arbërie nën thundrën e sunduesve.)
Në atë kohë(shekulli XVIII kur u shkrua tragjedia) kishte një valë emigracioni shqiptarësh. Ndërsa tragjedia, sjell imazhin e një fushe lufte dhe një Skënderbe, i cili tradhtohet nga një njeri i tij i besuar. Ka një përballje mes qëndrestarëve e tradhtarit. Në kampin e Skënderbeut kanë mbetur e motra dhe e shoqja (që për Nadin përbëjnë në vepër ‘dy figura të mrekullueshme femërore’). Skënderbeu i thotë të ikurit se “nëse do ketë luftë mes nesh, nuk do bashkohemi kurrë, do humbasim”. Mendoj se ky është një mesazh i fortë, sepse ai ka dëshirë të bashkojë vendin dhe është kundër luftës së brendshme. Në fund, tradhtari rikthehet.
RIBOTIMI I STATUTEVE
(Të nxjerra në dritë pas rreth shtatë shekujsh, Statutet e Shkodrës na sjellin një pamje të panjohur më parë të një segmenti të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, duke na shfaqur fytyrën e një vendi me qasje kah detit, pjesë e një qarku mesdhetar, që asaj kohe përbënte vetë qendrën e botës së njohur… Këto ditë ka dalë në librari nën siglën e ‘IDK’, botimi i ri i Statuteve të Shkodrës. Është dorëshkrimi origjinal i dokumenteve të 1300-ës, kopje unike të Bibliotekës së Venecias. Nadin sqaron rëndësinë e një botimi anastatik që e bën historinë po aq të prekshme sa në arkiv. Kapitujt e Statuteve na paraqesin një jetë qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim nga ajo që zhvillohej në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare).

– Një botim i ri anastatik i Statuteve të Shkodrës. Çfarë ndjesie ju jep ky botim?
Unë i kam bërë në Venecia ato fotokopje, faqe për faqe, siç janë. Janë 40 imazhe që rikthejnë te ju historinë mesjetare. Dihej që qytetet e Durrësit e Shkodrës i afroheshin Perëndimit, e që kishin një strukturë perëndimore. Ky tekst, tani del si botim anastatik, çdokush e lexon si të kishte në duar dorëshkrimet. Jua kam dhënë këto foto, që do të kushtonin shumë, falas.
– Sa do të mund të kushtonin?
Nga ana ime, nuk është çështje parash. Kam thënë, jam studiuese që ua kam kushtuar jetën studimeve për Shqipërinë dhe raporteve të saj me Venecian. Tani që doli libri, më në fund çdo shqiptar do të shohë dokumentet origjinale. Nëse në përkthimin e dokumenteve mesjetare ka gabime, do të jeni ju që do e dalloni, pra specialistët. Është si të kisha unë në dorë ekzemplarin e “Mesharit” të Buzukut. Kjo është vlera e një botimi anastatik. Në gjithë këto vite, kam shkruar gjëra të “rënda”(a të vështira për t’u besuar), por vetëm përmes dokumenteve kam mundur të jem e ndershme dhe e besueshme. Unë jap dokumentin, jo interpretimin.
BOTUESI SHQIPTAR I BARLETIT E SHQIPTARËT E VENEDIKUT
(Ku shkroi (At) Marin Barleti? Kush ishte pas tij? Kush e botoi? Si ia doli të botonte matanë detit ‘Rrethimin e Shkodrës’ e ‘Historinë e Skënderbeut’? Nadin, flet për një emigracion shqiptar në Venedik, që u integrua deri në asimilim.)
– Nadin, jeni marrë gjatë me emigracionin shqiptar në Venedik. Kush ishte botuesi i Marin Barletit?
Botuesi i Barletit ishte Bernardino Vitali. Duke i studiuar këto vepra, unë kuptova që botuesi ishte me origjinë shqiptare, e ishte për këtë arsye që i botoi librat e Barletit. Nëse ai sot shihet si humanist, shtrohet pyetja, si u bë i tillë? Sepse kishte pas shpatullash, një venecian humanist. Por, për ta treguar këtë duhet të studiosh vepër për vepër, aktivitetin e botimeve të Bernardino Vitalit, e të gjesh mes të tjerash një vepër të tijën ku gjendet një vizion i kalasë së Shkodrës.
– Si e vërtetuat që Vitali kishte origjinë shqiptare?
Për të vërtetuar që botuesi ishte me origjinë shqiptare më është dashur shumë punë. Më së pari, mësova se shqiptarët emigrantë në Venecia kanë pasur shumë mbrojtje nga shteti i kohës- Shqipëria “ishte” nën mbrojtjen e shtetit të Venecias, ndaj kjo e fundit e ka pasur politikë integrimin e shqiptarëve emigrantë. Arrijmë të mësojmë kështu integrimin e vetë botuesit, më pas kemi botuesin që boton Barletin më 1504- kohë kur mbyllet fronti i luftës me turqit e duhej bërë një vepër paqeje me Shqipërinë. Emigrantët që ishin atje, thonë se kanë ndihmuar të shpëtojnë krishterimin europian, duke ndaluar turqit, ndaj nga ana veneciane ka një lloj marrjeje të përgjegjësisë mbi supe mbi këta të ardhur. Botuesi boton veprat e Barletit, ndërsa ky vetë ishte dërguar në një kishë të Viçençës si prift. Mësojmë më tej se pas Barletit e Bernardino Vitalit, është një studiues ende më i madh, është një personalitet i madh i kohës, një humanist që quhej Girolamo Donatto. Donatto atë kohë, dërgohet në Romë si ambasador i Venecias nga Papa. Në Romë, e ndjekin si botuesi edhe Marin Barleti, ndaj edhe historia e Skënderbeut u botua në Romë më 1510.
Ka një udhëtim përmes studimesh. Tani këtë po ta them në dy minuta, por janë muaj e muaj punë, që të arrihej deri te ky moment.
Është një rindërtim (i mundimshëm)i historisë që të bën të kuptosh se si u shkrua vepra e Barletit.
– Këta emigrantë e humbën identitetin e tyre; pse?
(Në fund të 20 viteve studime mbi Shqipërinë, Nadin flet për një ‘Shqipëri’ që hynte në mitin venecian. Ajo thotë se si Venecia dhe Roma(pra Papa), i janë referuar Shqipërisë për të treguar në një mënyrë rolin që ajo ka pasur si tokë që mbrojti krishterimin dhe gjithë Perëndimin. Qe në këtë vazhdë që ajo u ndal pak javë më parë, edhe te miti i Zojës së Shkodrës, një kult që sipas saj, në dokumente del të jetë përhapur në Itali nga një prift shqiptar).
Më lejoni t’ju them si fillim se unë nuk isha marrë me mitin e Zojës së Shkodrës, deri para disa muajsh që ma kërkoi Dom Artur Jaku. Sa i takon mitit të Zojës, ka shumë gjëra që ende nuk i kam të konfirmuara me dokumente. Ndërsa mbi emigracionin shqiptar në Venedik, problemi është se është folur gjithnjë për shqiptarët që emigruan në jug të Italisë, arbëreshët pra. Ndërsa historia në veri të Italisë, është tjetër. Venecia ishte qendër tregtie. Ata që vinin ishte tashmë ndërmjetës të Venecias. Kishte marrëdhënie mes shqiptarëve (arbërve) e venecianëve në Mesjetë, e kur më pas Skënderbeu vdes, e qytetet bien, si edhe Shkodra, Venecia hap dyert për të gjithë ata që donin të shkonin, duke qenë mirënjohës për rolin dhe besnikërinë. Pati një politikë pritjeje, një politike integrimi, për ç’arsye në 3-4 breza, të gjithë marrin ‘nënshtetësinë’ (veneciane). Dhe kështu, ata e humbën atë identitetin që mund të quhej shqiptar, i cili u ruajt në jug te arbëreshët, edhe sepse ishte një realitet ekonomik krejt ndryshe. Në Venecia, merreshe me tregti dhe shqiptarët aty u asimiluan.
– A identifikohen sot shqiptarë të asaj kohe që jetojnë në Venecia?
Disa, vetëm nga mbiemrat. Ka mbiemra Scutari, që është i gjendshëm në Venecia. Venecia ishte ndryshe nga jugu, ishte ndryshe nga stili disi feudal i Napolit.
(“Sa herë gjurmët e qytetërimit evropian gjenden në Shqipëri, një horizont i ri reflektimi hapet, por sa herë qytetet simbol të qytetërimit e përparimit artistik janë gdhendur nga duart e artistëve shqiptarë, të gjithë horizontet ngarendin tek një shpirt artistik që mishëron populli ynë”
. Dom Artur Jaku, famullitar i Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, sjell imazhe të veprave të realizuara nga skulptor arbër në Venecia shumë motmote më parë, vepra që kanë kaluar tangent nga vëmendja jonë, anipse, Luçia Nadin i ka përmendur në disa dalje të saj para mediave a para studiuesve tanë.
“Venediku ishte kryeqyteti ku ishin drejtuar sytë gjithë interes të zonës përreth, veçanërisht për sektorin e arteve figurative, ku skulptori dhe gdhendësi në dru më i madh në Venedikun e kohëve të Rilindjes, ishte shqiptari që për shumë kohë ishte neglizhuar si ‘veneciani’, Pal Kampsa (Kamsi)”, shton Dom Artur Jaku. Sipas tij, këto vepra arti “gjurmë shqiptare” gjenden edhe sot në kisha të ndryshme ne Venezia, Padova, Vicenza etj”. Duke bërë një paralelizëm mes kohësh, vendesh e kujtesash, diku të bartura e diku të lëna në harresë, famullitari i Shën Shtjefnit shënon se “Venediku flet shqip, aq sa Shkodra kuadri i Zojës së Shkodrës flasin për ndikimin Venecian”. Përkrah këtij shënimi që hedh dritë mbi Kamsin (në dokumente del Kampsa) Dom Arturi, sjell edhe disa imazhe të veprave të skulptorit, që gdhendi ‘shpirtra’ e figura, me dashurinë e një artisti).  Mandej, Luçia Nadin shton si më poshtë. Mandej, Luçia Nadin shton si më poshtë.)
Ai lind në Venecia si fëmijë emigrantësh. Veprat që kanë mbijetuar, janë të një vlere të shkëlqyer. Janë në Venecia, në rajonin e Venettos, janë në Istria. Që kur kam publikuar të dhënat për të, a mendoni ju se ndokush nga Shqipëria është interesuar për të ardhur e për të parë në Venecia këto vepra të këtij skulptori që mbase duhej të ish krenaria e Shqipërisë? Ishte një bir emigrantësh, u bë skulptori më i madh i Rilindjes në Venecia. “Këto vepra arti ‘gjurmë shqiptare’ gjenden edhe sot në kisha të ndryshme në Venezia, Padova, Vicenza”, shton Dom Arturi.
GJURMË QË (PO) FSHIHEN
Nadin përmend një sërë emrash shqiptarë, që në pikturë a skulpturë, në dokumentet që ajo ka hasur dalin të jenë shqiptarë të Venecias që në Mesjetë qenë emra mes anonimësh. “Shqipëria është pas pikturave të një prej piktorëve më të njohur në të gjithë botën”, thotë ajo, me keqardhjen e gjurmëve të gjetura që po zbehen e fshihen. “Mbase kur të vdes unë”, shton ajo, “do vijnë të interesohen për shqiptarët e Venedikut, e do vijojnë studimet”.
Shprehet e gatshme të vijë në Shqipëri e të japë leksione për gjithë ç’ka mësuar nga arkivat veneciane ose t’i lërë diku për ditën që do duhen. “Nuk kam kërkuar kurrë asnjë para. Më jepni një krevat për të fjetur e kaq. Askush nuk është shqetësuar për të përdorur gjithë punën që unë kam bërë vetëm për të njohur të shkuarën tuaj”. Mohon madje, të ketë marrë “qoftë edhe dy lekë” për botimet e bëra në Shqipëri, mbi Arbërinë e arbrit në shekuj.
“Librin e parë e botova falë një grupi të Universitetit të Firences që punonte me Shqipërinë. U dhashë tekstin dhe e botuan. Tani, nëse unë e dua prapë tekstin, për t’ua shpërndarë miqve, duhet ta blej”. Edhe për librin e dytë mohon të jetë paguar.
“Unë nuk kam marrë para, por as nuk kam para të paguaj botimin, unë bëj punën shkencore. Nuk kam pasur kurrë shumën e parave që kanë akademikët e diplomatët. Nuk kam bërë punë për arsye financiare.
 
Kam 20 vite që i them kujtdo që takoj: kujtohuni që mbase do u lini fëmijëve xhepat plot me para, por do u lini kokat bosh. Pa kulturë, nuk mund ta bësh historinë e një vendi, një vend duhet të ketë historinë e tij. Nuk mjafton të lësh vetëm plazhin e bukur, sepse pas atij plazhi duhet të jetë Butrinti, e pas Butrintit duhet të jetë një histori. Mësojani fëmijëve atë. Nëse e çoni fëmijën në Shkodër, duhet ta dini çfarë është Shkodra”, e sipas saj Shkodra dihet më mirë ç’është, përmes Statuteve.
Për Nadinin, një qytet nuk mund të jetë i tillë pa historinë që i paraprin.

Vetë ajo, ka botuar “Shqipëria e rigjetur”, “Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552”, apo esenë “Gjergj Kastriot Skënderbeu në Venecia”, ku për herë të parë njihet prania e një statuje që përfaqëson Skënderbeun në mjetin lundrues mitik venecian.

Filed Under: Histori Tagged With: sculptor barber, Skenderbeu, Tragjedia e rigjetur, Venediku

Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

May 6, 2017 by dgreca

1 SkenderbeuHistoriani Drançolli: Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/

Historiani i njohur Jahja Drançolli ka postuar një artikull të gjatë sot në rastin e ditës së lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ka thënë se në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për çudi në çdo artikull përsëritet në trajtë shablloni origjina dibrane e tij, çështje kjo që, sipas tij, nuk mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.

“Në të vërtetë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun”, ka thënë Drançolli.

Më poshtë është i plotë artikulli që grumbullon argumentet e historianit Drançolli:

Sipas burimeve më të verifikuara, familje bujare e princërore e origjinës arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga një pasazh i librit të Jak Lukari, “Analet e Raguzës” (1605), dëshmohet origjina hasiane e Haroit: “Gjon Kastrioti zotërues i Krujës, të cilit familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën jurisdkisionin e Hasit të Arbërisë, jo fortë larg nga lumi Dri”. Kjo dëshmi për origjinën hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si dhe në një manuskript shek. XVI thuhet se, “[…] Kastriotët ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“[…] Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Sipas kryeveprës së Marin Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian, duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË ose në MIRDITË.

Burimet historike hedhin dritë se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468), është shquar për burrështeti të Arbërisë, strateg ushtarak, si dhe Hero Kombëtar e Ndërkombëtar. Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Së pari nga Novobërdasi Martin Segoni (1480), dhe më pastaj nga Barleci, Beçikemi, Frëngu, Bardhi, e ndonjë tjetër. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, gjermanë, anglezë, frëngë, sllavë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve” (1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.

Vitet e para të fëmijërisë së Skënderbeut shoqëroheshin me lulëzimit e principatës së Kastriotëve. Mirëpo, pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.

Në vitin 1438, pasi që kishte fituar besimin e Muratit II (1421-1451), Skënderbeu qe emëruar për komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe kishte vendosur kontakte me Venedikun (1438) dhe Raguzën (1439); Raguza më 1439 e kishte shpallur Skënderbeun për qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Venediku. Në një dokument osman nga vitet 1438-1443 ruhet ky njoftim: “Iskënderi [i biri Gjonit] kishte hyrë në [kuadrot] e timareve, duke dalë nga Porta e lartë”. Brenda viteve në fjalë e ndeshim për sanxhakbej në Dibër (1440). Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur trupat osmane kishin pësuar me rastin e një ofensive hungareze të Janosh Huniadit, Skënderbeu, dhe nipi i tij Hamza, si dhe 300 kalorës kishin braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”. Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu kishte formuar aleanca përmes martesës me pjesëtarët familjeve kryesore. Ai, u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra tij, Mamica, ndërkaq u martua me Karl Muzak Topinë, etj.

Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444 (njoftimin për datën e ndeshim te, G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve; në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po nga kjo qendër, është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të Kosovës. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Sipas Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët (federale); sipas traditave të lashta qe themeluar Besëlidhja, që është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “Primus inter pares” (“i pari ndër të barabartit”). Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshkvi, Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në Beograd.

Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash. Me këtë ushtri, vetëm në vitet 1444-1446 Skënderbeu i përmbysi 13 sulme osmane (Beteja e Torviollit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465, u arritën suksese, në Dibër, Pollog, fushën e Domosdove, Fushë Kosovë, grykat e luginat e Drinit e Shkumbinit, Livadhi të Ohrit (1462), fusha e Vajkalit (1465), etj. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatat e Dibrës, Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), por pasi që rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), ku sulltani për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përveç dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë ngjarje, është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, John Newport, një pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bejë këtë rezistencë”.

Rezistenca e madhe në Krujë (1450), si dhe fitorët e mëparshe (1443-1450), mundësuan Arbërinë të rifillonte procesin historik, krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane. Pas Krujës, më 1451, Skënderbeu, zuri të quhet zyrtarisht “zot i Arbërisë” (“dominus Albaniae”). Në ndërkohë, marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun ishin përkeqësuar për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Konflikti mes tyre është zgjedhur më një traktat paqeje (1448).

Në luftërat e tij, Skënderbeu kishte pasur mbështetjen e Shtetit të Papës, Republikës së Venedikut e të Raguzës, Mbretërisë së Napolit, si dhe të Mbretërisë së Hungarisë. Mbështetje, më të madhe e gjente te mbreti aragonez, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta kthente për vasal në ato toka, që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, osmanët arritën të ngadhnjejnë në Berat (1455), për ta detyruar më pastaj që Skënderbeu të transferohet në Napoli me 2.500 trupa për të përbushur detyrimin e tij sipas Traktatit. Ferdinand I (1458-1494), pasuesi i Alfonsit V (1458), kërkonte ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, Dukën Anzhu, që aspironte ta sundonte Napolin. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor të Ferdinantit, Gian Antonio Orsini, princin e Tarantos. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali për ta themeluar koloninë e parë arbreshe në Kalabri. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri. Në ndërkohë janë bërë përpjekje që të funksionalizohën luftërat e Skënderbeut edhe në planin europian. Së pari, në konferencën në Mantova (1458), si dhe më pastaj (1464), nga Papa Pius II.

Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Këtej, nuk u kursye askush. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kishte kërkuar ndihmë shteve mike. Në Romë, popullata e të gjitha shtresave kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin e lavdishëm. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.

Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.(Kortezi:Koha)

Filed Under: Histori Tagged With: Decolli, Gjergj Kastrioti, Origin Hasiane, Skenderbeu

“Skënderbeu“rifreskon porositë e tij në Vjenë

April 15, 2017 by dgreca

_Skënderbeu në VjenëXhevat Limani: “Një popull kur i vë vetës çmim, e ka vënë gishtin në qëllimin e tij, atëherë e ka rrugën e hapur”/

Hazir MEHMETI, Vjenë/ Teatri shqiptar nga Amerika në Vjenë shfaqi poemën dramatike “Skënderbeu”, në qytetin ku ruhen shekujve shpata dhe përkrenarja e kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Trupa e teatrit e udhëhequr nga aktori dhe regjisori i njohur Xhevat Limani nga Amerika, u pritën ngrohtësisht nga publiku  në mesin e të cilit ishte përfaqësuesi nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri z. Imer Lladrovci, konsull.        Vjenës, simbol  qyteti i klasikëve të mëdhenj, iu shtua dhe një realizim i shkëlqyer nga aktorët shqiptarë të cilën e ndihmuan regjisori i ri Safet Murati, aktivistja shqiptare në Vjenë, Drita Cacaj dhe Shpresa Kameraj. Loja e aktorëve u duartrokit ngrohtësisht nga publiku artdashës në fund të së cilës aktori Xhevat Limani ia dedikoi Naser Hanit, i cili e ndihmoi luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Gjithë të ardhurat nga shfaqja i dhuroj nismës për themelimin e teatrit shqiptar në Austri.    Poema dramatike sipas oratorikes së krye heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bazuar në strategjinë e tij diplomatike dhe ushtarake kundër Perandorisë Osmane si forcë kohe e cila synonte pushtimin e Gadishullit Ilirik dhe gjithë Europën, doli e fuqishme përmes aktrimi të shkëlqyer të krye personazhit Xhevat Limani i cili është dhe autor i dramës. Aktorja Era Hoxha në rolin e Donikës me zërin e saj në solo këndim dhe  lëvizjet në harmoni të mrekullonin në koloritin e fjalën e skenës duke  lanë mbresa të paharruara.
Përpos tekstit Xhevat Limani i cili e bëri edhe regjinë e dramës në bashkëpunim me Michael Tylo, ekipi realizues ishte: muzika e dramës nga Elvis Peçi, ndërsa pjesët e veçanta muzikore, arie enkas të kompozuara për rolin e Donikës dhe libreto për Skënderbeun e bëri Aleksandër Peçi. Skenografi e dramës nga Kristaq Kapedani, kostumet sipas idesë së regjisorit u përgatitën nga Fadil Sahiti, kurse përkrenaren dhe shpatën nga Lenny Tarrrantinos, elemente koreografike nga Altin Naska.

Drama e përgatitur me përkushtim për një kohë të gjatë, shpalosi me forcën e aktrimit madhështinë me gjithë lavdinë e një epoke historike e cila vuri rrënjët gjeneratave në pavdekësinë e etnisë së lashtë shqiptare.

Regjisori dhe aktori i madh Xhevat Limani rikujtoi porositë e Gjergj Kastriotit përmes lojës së tij të shkëlqyeshme. Një shfaqje të tillë me gjithë simbolikën e saj në shqip e për shqiptarë nuk është parë asnjëherë në Vjenë.
Salla e bukur në Vjenën e armeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu pasuroi historinë e jetës së saj me një dramë të shkëlqyeshme në aktrim, skenografi, muzikë dhe mbi të gjitha me emrin e madh Skënderbe i cili e madhëron kryeqytetin austriak me shpatën dhe përkrenaren e tij të flakëruar në arin e kujtesës së Kalorësit të Shenjtë, mbrojtës i kulturës evropiane nga hija e gjysmëhënës së verdhë përtej Bosforit për 25 vjet me radhë.

Aktori, Xhevat Limani :  “E falënderoj publikun shqiptarë në Vjenë, kam pasur gjithmonë dëshirë dhe ëndërr që të prezantoj në Vjenë dhe më gjerë, jo vetëm me teatër por konkretisht  SKËNDERBEUN për hir të atij borxhi të madh, të asaj Embleme, kur dihet se austriakët këtu mbajnë shpatën dhe përkrenaren e kryeheroit tonë kombëtar.”

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti Drama, Skenderbeu, Vjene

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT