Nga Klajdi Musabelliu/Sonte është vigjilja e “Shën Kollit”, një festë shumë e përhapur ne botën kristiane, katolike dhe jo vetëm. Kryesisht të gjitha familjet shkodrane, lezhjane, matjane (katolike e muslimane, syni) por dhe më gjërë, e festojnë këtë natë pavarësisht në se në familje është apo jo një “Nikoll” ose “Nikolinë”.
Tavolina mbushet si në një ditë feste, therret një pulë ose nje gjel, dhe karakteristikë është pogaçja( bukë pa maja birre). Para buke mbas lutjes recitohen në formë vjershe mrekullitë e shenjtit, bekohet pogaçja me ujë të bekuar, dhe pastaj fillon darka.
Ndërsa një pjesë e besimtarëve me këtë rast shkojnë edhe në kishën e Shënkollit në Shkodër, e I luten atij si pajtori I ujrave, për kujdesin ndaj njerëzve në udhëtim si dhe peshkatarëve. Shën Kolli ka jetuar në shekullin e III-IV, e atij i atribuohen shumë mrekullira duke qënë se besimtarët e identifikojnë si mbrojtesi i udhëtareve, marinarëve, i të burgosurve, i të shtypurve etj.
Me kalimin e kohes ne besimin popullor Shën Kolli bëhet dhe “Plaku i Vitit te Ri”(ai qe me slitën e tij shpërndan dhuratat e Krishtlindjes fëmijëve). Në anglisht Shën Kolli quhet “Santa Claus” dhe në Italisht “Babbo Natale”. Kjo është festa e parë e festave kristjane të fundit të vitit. Me 13 eshte Shen Luçia, më 25 Krishtlindja, më 26 Shën Stefani, më 31 nata e vitit te ri ose nata e Shën Silvestrit, dhe e fundit më 6 janar “Ujët e bekuar” ose Epifania”