*Mrekullia e nëntokës shqiptare zbulon qytetërimin e hershëm ilir, dhe mashtrimin serb!/
*Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra të moçëm, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen./
*Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Shkruan: Idriz Morina/
Çfarë do të na dhurojë nëntoka shqiptare? Çfarë sekretesh arkeologjike fsheh, po a jemi të gatshëm të fillojmë ti nxjerrim ne ato? Këto dhe shumë dilema të tjera vazhdojnë të mbesin pa përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, në një prej qendrave që përherë është cilësuar si më e lashta në Kosovë, në Prizrenin e bukur, dikush po përpiqet të bëjë më shumë për ti dhënë përgjigje çështjeve që kemi shtruar më sipër.
Për më shumë se 100 vjet të shtetit shqiptar arkeologjia jonë është në fillime të saja, madje ende nuk e ka ndërtuar identitetin e vet, ajo ende hulumton sipas kornizave të përcaktuara nga arkeologjia progreke dhe proromake, dhe në interes të serbëve.
Në Kosovë ajo është në gjendje edhe më të keqe, ajo ishte ndërtuar në mbrojtje kryesisht të tezave sllave dhe ortodokse.
Por, në një pjesë të Kosovës, tek qyteti i konsideruar babai i atdhesisë, në Prizren, një prift shqiptar i ritit katolik, po përpiqet të bëjë të pamundurën, që të sigurojë fondet e nevojshme, për të dëshmuar vijimësinë e qytetërimit shqiptar, nga ilirët e deri më sot.
Ai ndjen se ka një mision brenda vetes, ta nxjerrë para botës të vërtetën e nëntokës shqiptare, ashtu siç bëri për shumë vite Atë Shtjefën Gjeqovi.
Dr.Don Shan Zefi, i doktoruar në teologji, dhe njohës i shkëlqyer i krishterimit, islamizimit të shqiptarëve dhe laramanisë, shpjegon shtresat e qytetërimit që vazhdojnë të zbulohen në katedralen katolike në Prizren, ku beson se ndodhet një qytet i tërë arkeologjik, sipas informacioneve dhe vlerësimeve të nxjerra nga ai nëpërmjet profesionistëve.
Fshehtësitë iliro-shqiptare nën themelet e katedrales
Dëshmia më e mirë, se populli shqiptar, ka një trashëgimi kulturore, nëpër shekuj – në vazhdimësi nga antikiteti i hershëm, duket të jetë zona ku ndodhet katedralja katolike e Prizrenit.
Ndërkohë, që një jehonë të veçantë në botën kristiane dhe në trashëgiminë tonë kulturore shqiptare e ka zbulimi i kishës paleokristiane e ndërtuar në shekullin 3-4, në Ulpianë, e zbuluar vitin që shkoi, e që dëshmon se shqiptarët kanë një trashëgimi kishtare të jashtëzakonshme, dhe se ajo serbe është vetëm një përvetësim i trashëgimisë shqiptare, dhe po ashtu se ajo serbe është tepër e vonë dhe e pakët.
Por, trashëgimia në Prizren duket krejt me një fat tjetër, por edhe me një vazhdimësi të jashtëzakonshme.
Kisha e zbuluar së fundi është e lidhur me dy kisha të hershme që janë zbuluar gjatë restaurimit të kryer të komplet të katedrales në vitin 2013, që kishte filluar në mars të vitit 2012.
Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Zbulimet na i prezanton me dashuri dhe patos, murgu hijerëndë, Don Shan Zefi, një burrë i përkushtuar po aq sa etërit e dikurshëm të kristianizmit shqiptar, nga Pal Engjëlli, bashkëluftëtar i Skënderbeut, Pjetër Bogdani, dijetari i jashtëzakonshëm evropian, e deri tek patër Gjergj Fishta dhe Atë Shtjefën Gjeqovi.
Një ekspeditë me arkeologë eminent
Me informacionet e arkeologëve, sikur një ciceron profesionist Don Shan Zefi, na i shpjegon një për një të gjitha zbulimet që duket se do të sjellin mrekulli për arkeologjinë dhe më tej trashëgiminë shqiptare.
Gjurmët arkeologjike të kishës së parë, muret, harku i aniatës laterale, muri i së cilës arrin në gjerësinë 2.5 m, ndërsa lartësia ende nuk është verifikuar, pasi nga 4 metra të gjurmuara nën tokë, ende nuk është arritur në dysheme dhe mendohet se po aq duhet të gërmohet që të arrihet në fund, thotë Don Zefi.
Verifikimi i supozimit të thellësisë, mbetet të zbulohet nga një ekspeditë më serioze arkeologjike, gjë që për këtë po bëhen përpjekje që me ekspert arkeologjik të bëhet skenimi nëntokësor, me sonda.
“Gjithashtu vlen të theksohet se jemi në formim të një ekspedite të arkeologëve vendës dhe të huaj, eminent, të lëmive përkatëse, të studimeve të atyre kohërave, ku pritet finalizimi apo përcaktimi zyrtar shkencor – i vjetërsisë së kishës së vjetër paleokristiane”, thotë Don Zefi.
Ndërsa, shëtisim më tej në brendësinë e katedrales, Don Zefi na shpjegon se në të njëjtën ombrellë, “katedrale” ruhet tek altari sakristia, gjithashtu kisha e dytë e një periudhe që mendohet të jetë e mëvonshme, e shekullit 8 apo 9, e njohur në histori si periudha bizantine.
Në muret e zbuluara deri më tani të kësaj kishe të dytë, ruhen gjurmët e afreskave si dhe guri i dyshemesë në nivelin minus dy metra, rrëfen Don Zefi, për ato fakte që kanë zbuluar arkeologët, gjithë shpresë e vullnet se zbulimet do të sjellin dëshmi të fuqishme dhe akoma më tej, do të krijojnë qëndrueshmëri për teoritë shqiptare kristiane dhe ato të trashëgimisë ilire.
Brenda në kishën e dytë shihen edhe eshtrat e paprekura, që gjenden në një thellësi prej gjysmë metre afërsisht, ku janë lënë të shihen aty deri në zbulimet përfundimtare, që do ti bëjnë arkeologët në funksion të vërtetësisë së zbulimeve, për të mos lejuar dyshime, për ti konkretizuar tezat në mënyrë që të mos ketë asnjë argument edhe nga dyshuesit më të mëdhenj.
Aty fle, historia e paprekur shqiptare.
Ndërsa, jashtë katedrales shihen qartë muret e dy kishave në fjalë, pjesë të trupit të të cilave shtrihen edhe në brendësi të katedrales, gjë që pritet të hulumtohen deri në nivelin e dyshemesë, dhe që lidhen edhe me murin rrethues, që kalon suazat e kompleksit hapësinor, oborrit të katedrales.
Artefaktet e gjetura
Don Zefi ka krijuar një muze të vogël në hapësirën përcjellëse të katedrales. Artefaktet e gjetura, me shumë skrupulozitet ruhen në ish rezidencën e arqipeshkvit të famshëm Lazër Mjedës vëllait të poetit të shquar lirik, Ndre Mjeda.
“Nga artefaktet vlen të përmendet një mori e madhe e eshtrave, të gjetura gjatë gërmimeve brenda dhe jashtë Katedrales. Pritet gjithashtu të vlerësohen nga pikëpamja e medicinës legale, ADN-së, kur dihet se historikisht deri në periudhën e sundimit të perandorisë osmane, më 1832, vendi i shenjtë brenda katedrales dhe oborrit të saj, ka qenë varrezë katolike, ku në të njëjtin vend ka patur edhe ekzekutime, të besimtarëve katolikë”, thotë Don Zefi.
Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen dhe të skanohen e të deshifrohen përmbajtjet e tyre.
A kishte katakombe ilire në Prizren?
Brenda shtyllave – mureve të katedrales, tek altari janë gjetur edhe pesë relikte të eshtrave të martirëve të hershme të krishterimit, që datojnë madje nga shekulli i parë, nga viti 62 e këndej, thotë Don Zefi.
Janë gjetur po ashtu në oborrin e Katedrales edhe 5-6 pllaka masive, gurë varresh, nga 1.8 – 2 metra, që dëshmojnë një mënyrë tjetër se si janë varrosur apo nderuar shqiptarët e hershëm.
Renovimi
Aktualisht është punuar edhe në restaurimin e tërësishëm të katedrales, i cili bëhet për herë të parë në historinë e saj. Është bërë nga përforcimi i shtyllave nëntokësore, e deri tek kulmet (që janë tre), kambanorja dhe për herë të parë i kthehet fizionomia e vërtetë një objekti sakral. Me përkushtim, admirim, profesionalizëm, falë njohurive historike, i ka udhëhequr ato z. Don Shan Zefi. Ndërsa, punimet i ka ekzekutuar një firmë e njohur nga Shqipëria, AdStar.
Punimet janë kryer me përkushtimin më të madh, pasi ishte i bindur se katedralja është ndërtuar mbi kishat paleokristiane dhe një kishe të vjetër.
Të gjitha punimet mund të përmbyllen këtë vit nga një ekip i arkeologëve ndërkombëtarë, të cilët pritet ti rregullojnë zbulimet e vjetra me xham, ku do të jenë edhe mbishkrimet për të gjeturat brenda katedrales, si pjesë monumentale.
“Shpresojmë më në fund, që të fillojmë me fazën e dytë të restaurimit, të funksionalizimit, të kishës deri tek restaurimi i pikturave të vlefshme, për të cilat kërkohen mjete të veçanta, gjatë periudhës së njëjtë të formimit të Lidhjes së Prizrenit”, thotë Don Zefi.
Ai thotë se brenda hapësirës së Kishës katolike do të jetë muzeu etnologjik, etnografik, arkivi dhe biblioteka. “Një muze multikompleks”, thotë ai teksa na kujton se po bëhen përpjekje të argumentohet se shqiptarët kishin shkolla më parë se hapja e shkollës shqipe në Korçë. “Po bëhen përpjekje që në shenjë të shkollës më të vjetër gjithë shqiptare, pas gjetjes së një guri me mbishkrim latin të vitit 1856, që është vit i restaurimit të shkollës, sepse dihet që më 1836 ka ekzistuar shkolla nëse jo edhe më parë, siç flasin relacionet me Romën, në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të”, thotë Don Shan Zefi, duke e çuar kështu të paktën edhe 51 vjet më parë datën e krijimit të shkollës shqipe, që historia e shënon si datë vitin 1887.
Të gjitha këto zbulime e bëjnë këtë zonë kompleks më vete arkeologjik, duke argumentuar se këtu gjendet një qytet arkeologjik më vete.
Në kompleksin e katedrales aktuale, mund të zbulohen shumë fshehtësi apo mistere të pazbuluara si katakombet ilire, kriptet.
Pagëzimorja
Para Kërshëndellave të vitit 2014, në Prizren janë gjetur shenjat edhe të një pagëzimoreje babtistere, ku sipas Don Shanit, që e njeh më së miri këtë lëmi (të krishterimit gjithëshqiptarë) ruhet një kishë tjetër me gjasë paleokristiane e shekullit 4 ku në thellësi të saj duhet të ruhen mozaiku dhe shtyllat e saj.
Ajo gjendet disa qindra metra poshtë Katedrales, dhe shumë afër kompleksit të Lidhjes së Prizrenit.
I pyetur se si do të veprohet për zbulimin e mëtutjeshëm të saj, pasi kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është i dominuar me vendbanime, dhe prek shumë çështje të ndërlikuara qoftë ndërtimesh, qoftë besimesh, urbanistike, ekonomike, biznesi etj, ai thotë se vendimi i takon autoriteteve dhe shoqërisë.
“Sa i përket gjurmimeve arkeologjike kompetente është ministria e kulturës, Instituti arkeologjik i Kosovës, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, dhe ai i Prizrenit”, thotë ai.
Si mund të arrihet tek gjurmimi, nxjerrja e dëshmive? Për këtë ai thotë se duke pasur përvojën arkeologjike me katedralen, janë në formim të një grupi ekspertësh dhe arkeologësh, “sugjeroj, që mund ti kryejë punimet, ndërsa kontributi im, nuk do të mungojë as për këtë vend, nëse është nevoja”.
Ai shton se ka edhe zona të tjera arkeologjike në Prizren, që duhet të zbulohen si edhe në gjithë Kosovën.
Duke folur për pagëzimoren, ai thotë se mendohet të jetë aty kisha paleokristiane, ku ritet liturgjike dhe mesha e shenjtë janë kremtuar deri më 1455, ndërsa një shekull më vonë, diku rreth vitit 1572 kanë filluar mbi themelet e saj, të ndërtohet një xhami e vogël, minareja e së cilës ruhet edhe sot, ashtu siç ishte paraparë edhe në planin urbanistik të viteve të ’60-ta të qytetit të Prizrenit.
“Është interesant se si këtu gërshetohen ndërtime të ndryshme mbi këtë vend të shenjtë, si monumenti më i madh i ideologjisë komuniste, ndërtesa, hoteli, banka ashtu që të mbulohet njëherë e përgjithmonë e kaluara e krishtere shqiptare, katolike”, thotë Don Shan Zefi, duke iu referuar përpjekjeve serbe për falsifikimin e historisë.
*Falenderojme autirin qe e dergoi artikullin edhe per lexuesit e Diellit. Faleminderit z. Morina!