Frikën se nën udhëheqjen e Donald Trump-it, administrata amerikane do te ndryshojë politikat në Kosovë e ka shuar sekretari i ri i Mbrojtjes, James Mattis në një dëshmi me shkrim për Senatin. Në raportin prej 56 faqesh, shefi i Pentagonit konfirmoi se SHBA do ta mbrojë Kosovën dhe se NATO do të qëndrojë atje për aq sa të jetë e nevojshme.
“Kosova është shembulli më i mirë se çfare ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, angazhohet për të mbrojtur interesat dhe vlerat e saj”, pohon Mattis, i cili shton se përballë situatës së sigurisë në rajon KFOR-i është vendimtar në sigurimin e stabilitetit, e nuk do të rekomandonte reduktimin e trupave.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Gjenerali shprehu mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd dhe pohoi se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq edhe kryeministrja britanike Theresa May, gjatë takimit me presidentin Donald Trump, deklaroi se do të mbronin Kosovën bashkë me SHBA.
Kosova mirëpret komentet e sekretarit amerikan të mbrojtjes/
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se është i bindur që administrata e re amerikane do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, posaçërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.Ai i bëri këto komente pas publikimit të një dokumenti, në të cilin Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, citohet të ketë thënë se prania e forcave të NATO-s mbetet thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon. Gjatë seancës së konfirmimit të tij në senatin amerikan më 12 janar, ai citohet të ketë thënë se para çdo vendimi për shkurtimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, Forca e Sigurisë duhet të marrë mandatin për sigurinë dhe mbrojtjen territoriale.“Përshëndes qëndrimin e Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotit Mattis për Kosovën, për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe qëndrimet në rajon. E kam theksuar edhe më herët se edhe nga kontaktet me administratën e re të SHBA-ve dhe Presidentit Trump, Kosova do të vazhdon të mbetet në fokus të thellë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një politikë të kujdesshme për konsolidimin dhe afirmimin e shtetit tonë, për thellimin e raporteve të posaçme dhe të përjetshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve prandaj këtë qëndrim e përshëndes fuqishëm dhe zotohemi në kryerjen e obligimeve tona kushtetuese, ligjore sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha pesidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sekretari Mattis ka theksuar se Kosova është një shembull se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, përkushtohet angazhohet për mbrojtjen e vlerave dhe interesave të tij.Ai i ka vlerësuar si thelbësore përpjekjet e Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik dhe politik në Kosovë si dhe për qëndrueshmërinë e saj. Bashkimi Evropian ka theksuar ai, tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë duke ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet dialogut Beograd-Prishtinë. Bisedimet lejojnë të dyja shtetet të përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me mirëkuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të përmbyllet para anëtarësimit.Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën me praninë ushtarake dhe civile. Rreth 650 trupa amerikane vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s ndërsa Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka një bazë ushtarake amerikane.Roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj të Kosovës. Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe ato të integrimeve euroatlantike.