-Kryeministri Kurti priti Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett:Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbesin partner i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj përballë sfidave me të cilat ballafaqohet/
PRISHTINË, 29 Mars 2021-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, z. Philip Kosnett, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Fillimisht ambasadori Kosnett e uroi kryeministrin Kurtin për marrjen e detyrës dhe shprehu kënaqësinë për arritjen e 24 mijë vaksinave kundër Covid-19 në Kosovë.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për rolin e ShBA-së në sigurimin e kontingjentit të parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbesin partner i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj përballë sfidave me të cilat ballafaqohet.
Ambasadori Kosnett dhe kryeministri Kurti diskutuan edhe për zhvillimet rreth përmbylljes së konsolidimit të institucioneve shtetërore bazuar në vullnetin e qartë qytetar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.