Kosovë-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli takon ambasadorin e ri amerikan, Greg Delawie
PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot pasdite takim me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Në takim u bisedua për çështjet dhe sfidat kryesore nëpër të cilat është duke kaluar aktualisht shteti i Kosovës. Amabasdori Delawie përgëzoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për lidershipin e treguar në procesin shumë të vështirë të ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjeve për krijimin e Gjykatës Speciale.
Më tutje ambasadori Delawie theksoi mbështetjen e Uashingtonit për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë që ka për qëllim normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.
Kryetari Veseli, duke i uruar ambasadorit Delawie mirëseardhje dhe punë të mbarë në Kosovë, theksoi se ndihma amerikane mbetet faktor i pazëvendësueshëm në ecjen përpara të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik, të integrimeve euro-atlantike dhe forcimin e shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Ambasadori Delawie, duke shprehur kënaqësinë për detyrën e tij të re në Kosovë, theksoi se vendi që ai përfaqëson është e do të mbetet miku më i mirë i Kosovës dhe do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset e saj.
Në takim u bisedua edhe për procesin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës ( FAK), funksionimin e Kuvendit të Kosovës, raportet në mes pozitës dhe opozitës, si dhe rolin e pakicave etnike në jetën parlamentare dhe politike të Kosovës.
Të premtën pasdite të 21 gushtit, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës, e pastaj u prit në takim njoftues edhe nga kryeministri Isa Mustafa.
Në 22 gusht, para ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë, Delawie, u betuan solemnisht 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët përfunduan trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare dhe fillojnë shërbimin për dy vitet e ardhshme në Kosovë. /B.Jashari/
Ministri Kuçi takohet me homologun e tij gjerman
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë vizitës zyrtare në Berlin, ka takuar sot homologun e tij gjerman, Ministrin e Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Mass.
Ministri Kuçi, sipas njoftimit derguar nga Berlini, është shprehur falënderues ndaj Republikës Federale të Gjermanisë, për kontributin dhe qasjen e saj ndaj rajonit të Ballkanit dhe Republikës së Kosovës. Ministri Kuçi është shprehur i përkushtuar që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve në të ardhmen të thellohen edhe më shumë.
Ministri Kuçi dhe Ministri Mass, formalizuan nënshkrimin e marrëveshjes model për bashkëpunim juridik për çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Në fund të këtij takimi, Heiko Mass, pranoi ftesën e Ministrit Kuçi, që në një të ardhme të afërt ta vizitoj Republikën e Kosovës.
Me marrëveshjen e formalizuar, palët marrin përsipër ofrimin e ndihmës së ndërsjellë juridike në procedurat penale të cilat janë duke u zhvilluar para organeve gjyqësore të vendeve nënshkruese të kësaj Marrëveshje.
Presidentja e Kosovës takon Papa Françeskun
Papa Françesku bekon Kosovën, Jahjaga i dhuron një kristal nga Trepça/
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private nga Papa Françesku.
Në një njoftim të presidencës thuhet se ajo në një takim mbi 40 minutësh e njoftoi mikpritësin e saj për zhvillimet në Kosovë dhe shfaqi shpresën për njohje të pavarësisë së saj nga Vatikani, duke vlerësuar siç thuhet, rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot, si një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës, duke shfaqur shpresën se edhe Selia e Shenjtë do të vendos që ta mbështes vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike.
Presidentja Jahjaga, tha se Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim frymëzues i harmonisë ndërfetare dhe i barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Ajo tha se pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur karakterin shumetnike dhe shumkulturor, Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve të të tri besimeve të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot shënon një rrëfim suksesi të përbashkët të popullit dhe të institucioneve ë saj si dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si një faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë dhe nxitëse e fqinjësisë së mirë, duke hapur rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, për të cilën ka konsensus të plotë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës.
Adnan Januzaj e Elona Zhana takohen në Bruksel
Elona Zhana, e cila kandidon në zgjedhjet e datës 25 maj 2014, për deputete në Parlamentin Rajonal të Brukselit, në radhët e partisë Belge “CDH”, pati një takim të këndshëm me talentin e madh shqiptaro-belg të futbollit, Adnan Januzaj. Ku takim ishte shumë i papritur, duke parë se axhenda e Januzaj për momentin është shumë e ngarkuar, për shkak se ai është përzgjedhur dhe po përgatitet për të marrë pjesë në Botërorin “Brazil 2014”, me Belgjikën.
Ky takim kaloi shumë mire në zyrën e punës së zonjës, Zhana.
Adnani, i cili jeton dhe ai në Bruksel, është shumë krenar që shumë bashkatdhetarë të ardhur nga Shqipëria e Kosova po përparojnë e po shkëlqejnë në fushën e politikës e drejtime të tjera. Ai mbështet kandidaturën e Elonës në komunitet.
Koçidenca më e madhe është se Adnani luan në fanellën e tij me numrin 44, gjithashtu dhe Elona kandidon me numrin 44. Siç duket “nr 44” është krijuar si numër fati për të dy këto personazhe, që të kapin majat e të dalin fitues e kampionë.
Elona ndihet shumë krenare për këtë takim me Adnan Januzaj. – “Ne ndajmë dashurinë për shqiptarinë, Brukselin, respektin ndaj talentit dhe nr 44” – shprehet Elona Zhana, në profilin e saj, “facebook”.
Adnan Januzaj
Adnan Januzaj ( i lindur në Bruksel, 5 shkurt 1995) është lindur në Belgjikë nga prindër Kosovarë, e konsiderohet si një prej talenteve të rinj më të mirë të futbollit Europian.
Ai luan si mesfushor dhe aktualisht ka kontratë 5 vjeçare me Mançester Junajtid.
Januzaj është një mesfushor krijues e luan dhe si sulmues, ndonjëherë luan dhe si anësor. Ka filluar të luajë me Mançester Junajtid që nga viti 2011. Fillimet e karrierës i pati në klubin belg FC Bruksel dhe Anderlecht.
Elona Zhana
Me origjinë nga Bajram Curri, Tropojë, Elona Zhana jeton në Bruksel që prej vitit 2001. Është diplomuar për Marrëdhënie me Publikun dhe Administrim e Menaxhim të Punës në ULB – Université libre de Buxelles (Universiteti i Lirë i Brukselit). Në zgjedhjet rajonale të datës 25 maj 2014, ajo është kandidate për deputete në Parlamentin Rajonal të Brukselit, në radhët e partisë CDH (Centre démocrate humaniste)”– (Qendra e demokracisë humaniste), është Parti e qendrës së djathtë, anëtare të PPE (Partive Popullore Europiane).
Sonia .M
JAKUP KRASNIQI, takim me Presidentin Nishani e kryeparlamentarin Meta
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vendet respektive, për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për avancimin e tyre cilësor dhe përmbajtësor, situatën dhe bashkëpunimin në rajon, përpjekjet diplomatike për mbështetjen e njohjeve të mëtejshme të Kosovës, të integrimit evropian dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe më gjerë.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Krasniqi u prit në një takim dhe nga homologu i tij shqiptar Ilir Meta, me të cilin diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme vllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona.
Meta dhe Krasniqi ndanë bindjen në përfundim se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit, dhe se të dy Parlamentet do t’a rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.