• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM VIKTIMAVE DHE TË INTERNUARËVE TË KAMPIT TË TEPELENËS

August 26, 2018 by dgreca

Presidenti Meta nderon kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë: Të reflektojmë së bashku në këtë ditë përkujtimore e kujtese!

 Presidenti Meta nderon kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë: Të reflektojmë së bashku në këtë ditë përkujtimore e kujtese!/

Tepelenë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Me këtë rast, Kreu i Shtetit vlerësoi, duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatava dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar dhe të dashur të mbijetuar të ish-kampit të Tepelenës dhe familjarë të tyre,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të përsekutuarve politikë,
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë z. Peçi,
E nderuara zonja Ministre Kumbaro,
E nderuara zonja Kryetare e Bashkisë së Shkodrës Ademi,
E nderuara Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit znj. Sulaj,
I nderuar zoti Brian,
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,

Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.

Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqëndrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.

Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor.

Kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.

Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar.

Keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje.

Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës!

Sepse disa nga këta heronj, po perifrazoj titullin e librit të At Zef Pllumit ”Rrno vetëm për me tregue”, jetuan dhe jetojnë për të treguar tmerret e terrorit komunist dhe totalitarizmit. Tregojnë që ne të mos harrojmë! Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes.

Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.

Dhe sot jemi së bashku në ish-kampin e Tepelenës pikërisht për të bërë këtë homazh, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, si personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare.

Znj. Gjelë Gjikola, znj. Mrikë Gjikola, dhe z. Lek Pervizi që janë sot këtu, por dhe kujtimi i znj. Drane Jakja janë disa nga figurat më frymëzuese që vlerësohen edhe sot këtu në Tepelenë, në vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit të njerëzve të thjeshtë.

Jeta e tyre ka qenë një kalvar i gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh, por humanizmi, sakrifica dhe heroizmi i tyre duhet të bëhen shembuj frymëzimi veçanërsiht për brezat e rinj.

Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakritificë dhe vetmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetmohimi.

Dy prej tyre, znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.

Znj. Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve.

Ndërkohë që z. Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme. Duke përdorur thëngjill e laps, ai ka dokumentuar me saktësi figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij, të cilat i pamë në hyrje në kampit, shprehin gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie.

Këta janë vetëm 4 nga shumë heroina e heronj që kanë vuajtur në këtë kamp famëkeq, që sot nderohen në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe kërkon paqësisht të jetojë të ardhmen.

Për merita të veçanta civile, në kujtesën e kombit ata janë shembuj të vetëdijes qytetare, por dhe kombëtare për të ardhmen.

Nderim përjetë të gjithë disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë që dhanë jetën në emër të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor!”

Në përfundim Presidenti i Republikës pasi falenderoi organizatorët për këtë iniciativë u shpreh se:

“Është detyra jonë që të ndriçojmë historinë tonë, me qetësi dhe drejtësi, në emër të forcimit të paqes sociale e të realizimit të një pajtimi kombëtar të vërtetë. Kjo sakrificë e jashtëzakonshme duhet kujtuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos përsëritur drama dhe tragjedi të tilla për shoqërinë dhe për popullin tonë, për mos e ndarë më atë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe për të patur gjithmonë parasysh atë që ka thënë Shën Nënë Terezës: ‘ne të gjithë i përkasim njëri-tjetrit’.

Faleminderit të gjithëve, për këtë iniciativë kaq kuptimplotë për të ndriçuar këtë vend dhe sidomos për këtë zgjidhje kaq të mençur, për të mbjellë filiza të rinj këtu në Tepelenë që na kujtojnë se këto sakrifica të jashtëzakonshme duhet t’i vëmë në shërbim të mbarë kombit për një të ardhme më të mirë dhe më të paqtë!”.

Filed Under: Featured Tagged With: - Kampi i internimit, . Tepelenë, nderim, Presidenti Meta, viktimave

Letra e DioGuardit drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës fyen viktimat e komunizmit

August 21, 2018 by dgreca

Nga Mithat Gashi*/

1-Mithat-gashi-2-300x197

Kam vlerësimin më të lartë për punën që ish-kongresmeni Joe Diguardi ka kryer në mbrojtje të Kosovës. Si anëtar i Kongresit dhe kryetar i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, zoti DioGuardi ka folur fort dhe qartë në mbështetje të shqiptarëve etnikë të Kosovës, dhe paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar shumë më herët para se të shpërbëhej Jugosllavia, se duhej ndaluar agresioni serb, i kryesuar nga Sllobodan Millosheviçi.

Dje lexova një letër që z.DioGuardi i ka shkruar së fundmi Kryetarit të bashkisë Tepelenë, një qytet në jug të Shqipërisë, ku regjimi komunist kishte ngritur një kamp përqendrimi pas L2B. Letra, që mban datën 12 korrik 2018, u publikua në gazetën “Dita”.

Në lidhje me këtë, unë theksoj se nuk pajtohem fare me deklarimet e zotit DioGuardi drejtuar kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi, ku e nxit të mos mbështesë ngritjen e një kompleksi memorial (muzeu) në nderim të viktimave të komunizmit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me mijëra gra dhe fëmijë, pjesëtarë të familjeve me emër në Shqipëri, u mblodhën me metoda të dhunshme ushtarake dhe u mbyllën forcërisht në kampe përqendrimi që kutërbonin era vdekje dhe vuajtje çnjerëzore. Në këto kampe të rrethuara me tela me gjemba, të mbijetuarit kanë dëshmuar psh., se vetëm në një natë vdiqën 34 fëmijë për shkak të kushteve që kishin. Krimi i vetëm që gjoja kishin kryer këta të dënuar, ishte “të qenit” fëmijë të prindërve apo gjyshërve, të cilët kishin shprehur pikëpamje të ndryshme politike (nga ato të komunistëve). Këto viktima u çuan për të vuajtur në këtë kamp (Tepelenë) njësoj si në shumë kampe të tjera në Shqipëri; dhe vuajtjet e tyre vazhduan për gati 5 dekada, deri në rënien e komunizmit.

Nga familjarët e mi në kampin e Tepelenës, ishin nëna ime, Sanija; tezet e mia Feride, Fatime dhe Shpresa; gjyshja Gjylije dhe daja, Ahmet Kolgjini. Përveç tyre ishin edhe gruaja e xhaxhait tim Qemal Gashi, Lirija (vajza e Muharrem Bajraktarit), që, së bashku me vëllain, Gencin, dhe nënën e saj, u transferuan nga Berati në kampin e Tepelenës. E ëma e Lirijes vdiq në kampin e Tepelenës. Lirija nuk i gjeti kurrë eshtrat e nënës së vet.

Në 1944, Brigada e Pestë e ushtrisë komuniste (partizane), e komanduar nga Shefqet Peçi, marshoi mbi Lumë, një krahinë në verilindje të Shqipërisë, duke ekzekutuar njerëz dhe duke shkaktuar terror. Ata dogjën shtëpinë gjyshit tim dhe gjithashtu i konfiskuan pasurinë. Në 1945, forca të ushtrisë dhe të policisë rrethuan familjen e gjyshit tim dhe i dëbuan në një kamp përqendrimi në Berat. Gjyshi im, Haziz Gashi, kishte kundërshtuar fuqishëm ideologjinë komuniste. Për qëndrimet e tija antikomuniste, ai ishte dënuar me vdekje në mungesë, sapo komunistët morën pushtetin dhe vunë nën sundim gjithë Shqipërinë. Ndër pjesëtarët e familjes time të mbyllur në kampin e Beratit, mund të përmend tim atë, Haxhi Gashin (11 vjeç); xhaxhallarët, Ramiz (10) dhe Gani (23, së bashku me gruan dhe djalin foshnje); hallat Dalije (4), Remzije (1); gjyshen Zarije Gashi, dhe kushërinjtë e pare te babait tim, Shaqir Gashi, Gafurr Spahija dhe Kadishe Spahija. Dy nga kushërinjtë e vegjël, Lutfi (djali i xhaxhait Gani) dhe Kadishe (vajza e Prof. Miftar Spahija) vdiqën brenda kampit të Beratit.

Memoriale dhe muzeume të Holokaustit janë ndërtuar anembanë botës, deri në Argjentinë e Uruguaj. Janë me qindra memoriale dhe muzeume të tilla në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i tyre është të nderojnë viktimat dhe të edukojnë publikun mbi mizoritë e kryera ndaj njerëzimit.

Të gjithë kampet e internimit dhe burgjet politike në Shqipëri duhet të kthehen në muzeume. Memoriale që nderojnë viktimat e komunizmit duhet të ngrihen në çdo qytet; ndërsa ata që kanë kryer krime, ekzekutorët masha të verbra të Enver Hoxhës, duhet të dalin para drejtësisë.

Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje ta fshijmë të shkuarën, por jemi moralisht të detyruar t’u japim drejtësi viktimave nëpërmjet njohjes së vuajtjeve të tyre. Kjo pjesë e tmerrshme e historisë shqiptare duhet të dalë në dritë (duke u përfshirë në kurrikulat shkollore) në mënyrë që brezat e rinj dhe brezat e ardhshëm të mund të thonë “NE NUK DO TË HARROJME KURRE”.
*Mithat Gashi u arratis nga Shqipëria në 1986. Eshtë anëtar bordi i Qendrës për Holokaustin, Genocidin dhe Edukimit Ndërfetar në “Manhattan College”, SHBA.

Filed Under: Politike Tagged With: . Tepelenë, Kampi i internist, Letra e DioGuardit, Mithat Gashi

“Nëse ferri ka formë kampi, ai ishte realizimi perfekt”

April 19, 2018 by dgreca

Prifti që shpëtoi 101 myslimanë nga pushkatimi gjerman, u internua ne Kampin e Tepelenes/Një prift pak i njohur i cili për hirë të së vërtetës, meriton të jetë hero! Bëhet fjalë për dom Zef Gilën.

1 Dom GilaNga informacionet që na jep dom Artur Jaku, prift i dioqezës së Shkodrës, pasi dom Zefi mbaron studimet në Romë, shugurohet meshtar nga Papa Piu XII. Në kohën kur lufta e Dytë Botërore tashmë ishte ndezur, do të vihej në udhëtim për në Shqipëri përmes Adriatikut ku siç e përshkruan vetë “nga lart qiellit bombardierët plumbues të aleateve, në det minat e siluret e nëndetseve që ndanin më dysh anijet n’udhëtim Itali-Shqipëri.

Nxënësi dhe pasardhësi i dom Ndre Mjedes, meshtari që fliste 8 gjuhë të huaja nuk u kursye duke i shërbyer Zotit dhe besimtarve, madje pa dallim feje.

Gjatë shërbimit të tij baritor e vuri jetën në rrezik disa herë, si atëherë kur një fshatar muslimanë nga Barbullushi kishte vrarë një ushtar gjerman, ku sipas ligjeve të rrepta gjermane për një ushtar të vrarë duhej të vriteshin 101 burra si hakmarrje. Me ta marrë vesh dom Zefi që ishte i vetmi qe fliste gjermanisht, u del përballë 4 mitrolozave gjermanë dhe gjeneralit. Me zgjuarsinë e butësinë e tij, arriti ta bindë gjeneralin që t’u falet jeta këtyre burrave me pëkatesi muslimane.

Një tjetër akt fisnik i tij ishte shpëtimi i tre ushtarëve italianë (robër lufte) nga ushtria gjermane ku do u kërcënohej jeta seriozisht.

Por siç e pershkruan ai “e keqja e madhe erdhi nga të (mitë) komunizmi”.

Në moshën 35-vjeçare, e arrestuan dhe për një vit e izoluan duke e rrahë dhe torturuar. Atëherë, për mungese provash e dërguan në kampin e Tepelenes, Vlores e Tiranes. Ato vite atje ai thoshte me dhembje:

“Nëse ferri ka formë kampi, ai ishte realizimi perfekt”.(Andreas Dushi, Konica.al)

 

Filed Under: Histori Tagged With: . Tepelenë, Dom Zef Gila, internim, prifti qe shpetoi myslimanet

Fëmijët e kampit të internimit (çfarosjes) Tepelenë

August 30, 2017 by dgreca

1 Mirakaj Simon

Nga Simon MIRAKAJ/

1 Kampi i Tepelenes

Mbas prishjeve të mardhënieve me Jugosllavinë ne vitin 1949 të internuarit që gjëndeshin në Berat i nisën për në kampin e internimit nëTepelenë. Në këtë kamp mbërritën edhe të internuarit që gjendeshin në kampin e Krujës, tek tri rrugët e Shijakut, Cerrik, etj. Unë sapo kisha mbushur 5 vjeç. Fillimisht na vendosën në fshatin Turan që gjendej në shpat mali, na strehuan në stanet e bagëtive. Ato pak plaçka që kishim I shtruam në tokë. Gjëndja këtu cdo ditë bëhej më e rëndë , filluan epidemitë si zgjebja,tifo,dizanteria. Nga mungesa e higjenës dhe e ushqimit, vdekja rrëmbeu shumë jetë, sidomos fëmijë, njëqind fëmijë vdiqën në këtë kamp, 33 fëmijë vdiqën brënda 24 orëve. Vdekja e fëmijve në një periudhë kohe kaq të shkurtër alarmoi qeverinë e cila vendosi transferimin në kampin e Tepelenës . Ky kamp internimi ishte i rrethuar me tela me gjëmba e gjëndej buzë lumit të Bënçës i cili dimërit ishte mjaft i rrëmbyshëm, kampi ishte i ndërtuar nga Italianët, gjatë luftës me Greqinë. Kampi kishte pesë gazerma të gjata afërisht 50m, tre ishin me të internuar ,një gazermë kishte 600 – 700 te internuar. Brënda gazermat kishin shtretër marinarësh pa ndarje ku flinin familjarët. Ishte dhe një gazermë që kishte vetëm muret anësore, ishte goditur me predha gjatë luftës, por të internuarve të këtij kampi çfarosës ju shërbeu si lavanteri ku gratë zienin rrobat apo lanin fëmijët. Ndërsa gazerma tjetër shërbente si depo. Në situata të tilla ku nëpër gazerma kishte mbi popullim , higjena ishte zero, morri bënte kërdinë si te fëmijët e te të rriturit, prandaj nënat na lanin verë e dimër në atë gazermë të zbuluar. Dimëri në Tepelenë ishte shumë i ftohtë, kur na merrnin nënat për dore në dimër për të na dërguar atje për të na larë shkonim duke qarë. Brënda kampit gjëndej komanda e policisë , furra e bukës, infermeria, anash komandës ishte një vend i ngritur ku vendoseshin kazanët e gjellës që jepej dy herë në ditë në drekë e në darkë. Komanda e policisë përbëhej nga komandanti toger Hakiu, aspirant Syrjaj, marshall Tomi dhe kapterri famëkeq Selfo, një katil i lindur që bënte apelin dhe në 12 të natës kur njerzit dhe mund ti kishte zënë gjumi, them mund mbasi natën i shikoje nënat apo motrat,vëllezërit më të rritur që me një copë pishë në dorë digjnin foletë e çimkave që kishin pushtuar shtretërit e kërkonin të na pinin dhe atë pikë gjak që na kishte mbetur. Kapter Selfo ulërinte sa hynte në gazermë për të bërë apelin, pastajë fillonte po me ulurima duke zbuluar jorganet për ti kontrolluar familjarët, kishte raste që i zbriste të gjithë njerzit nga krevatet e nëse ndonjë grua nuk e kishte marrë fëmijën në krahë e detyronte të shkonte ta zgjonte fëmijën e ta merrte në krahë për ta paraqitur para kapter Selfos. Natën vonë dëgjoheshin dhe zëra të fëmijve të uritur që ju kërkonin nënave bukë e nënat motrat më të mëdha me lot në sy kërkonin ti qetësonin me ndonjë përrallë që ti hutonin e ti zinte gjumi. Kampi përbëhej nga gra, fëmijë e pleq sepse burrat ishin disa në mal që luftonin kundra instalimit të diktaturës komuniste , disa ishin vrarë në përpjekje , disa ishin në burg disa ishin arratisur. Nuk lejohej të dilje jashtë telave me përjashtim të atyre që shkonin në punë e fëmijve që shkonin në shkollë. Trajtimi ishte çnjerzor, bukë 500 gram në ditë si baltë e papjekur ,ndërsa gjella ndahej në drekë e në darkë. Gjella ishte lëng makaronash, në kazanin me ujë lundronte ndonjë fije makarone apo ndonjëherë ndonjë kokërr groshe, gatuanin dhe bollgur që ishte gjithë krimba dhe ata notonin të qetë në kazan e pastaj përfundonin në barkun e të uriturve, njerzit e hanin bollgurin duke mbyllur sytë. Në darkë zakonisht njerzit nëpër kazermë rreshtoheshin për të zënë rradhën për tek soba për të pjekur lendet që të shuanin sado pak urine e për të tharë rrobet nga shiu që i kishte zënë në punë në mal. Uria kishte pushtuar gjithe kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë manaferra, mbasi hëngrën mirë u kthyen për tu futur në kamp , ndërkohë i pa kapterri i ndaloi të dy i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtylle që ishte afër çezmës. Të dy fëmijet e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci te moshës 9 vjec. Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika ndërsa, nënat e tyre motrat e të afërmit rrinin brenda telave të kampit duke ju dhënë kurajo :

-Mos keni frikë se ja ku jemi…. Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i moren familjarët. Vdekjet e fëmijve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjenës e ushqimit, cdo dite dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët. Vdiqën afërsisht 300 fëmijë e 400 pleq . Aty vdiq edhe gjyshja jonë nënë Dedja. Varret u lëvizën tre herë, herën e tretë i vendosën buzë lumit të Bënçes i cili dimrit fryhej e përpiu në shtratin e vet dhe eshtrat e tyre , sot janë pa varre. Cdo ditë hapej porta e kampit se vinin kamione me të internuar nga rrethe të ndryshme të vendit , brenda pak diteve erdhën 300 familje vetëm nga Mirdita. Ditëve të pranverës që kishte rënë i ftohtit fëmijët i shikoje që luanin me zara tek guzhina e prishur, të tjerët që ishin pak më të rritur gjuanin me llastiqe nëpër stallat e kuajve apo derrave. Njerzit ishin shumë solidarë me njeri tjetrin ishin të gatshëm për të ndihmuar njeri tjetrin në ato kushte të tmerrshme, fisnikeria e tyre dallohej . Të moshuarit në ditët me diell dilnin në oborre e bisedonin njeri me tjetrin duke treguar histori të ndryshme, ndërsa një lumjan i ulur mbi një gur ja mori këngës me një zë të ëmbël:
-Kur i hipa vaporit … ndoshta ka qënë dëshira për të hipur në vaporr e për të gjetur lirinë. Fëmijët u lejuan të shkojnë në shkollë , ishte lajm i gëzushëm , do shkonim në shkollë do dilnim dhe nga telat për pak kohë. Shtatori po afronte dhe ne po bëheshim gati për ditën e parë të shkollës problem më i madh ishte se çfarë do vishnim , çfarë do mbathnim se librat na I dhanë falas. Leka me Franin që ishin më të mëdhenj se ne , na sajuan mua e vëllait një palë sandale me rrypat e frenave të kuajve që i gjetën tek stalla, ndërsa pantallonat ishin mirë, ishin pak të grisur tek gjunjët , kishim edhe një jelek që sapo e kishte punuar motra Lajdja. Leka e Frani ishin vëllezërit e Pal Mëlyshit, pas vrasjes së Palit ata u liruan . Kur shkuam në shkollë para se të hynim në klasë te oborri ishte një fotograf icili na bëri nga një foto,kur e futi kokën në aparat unë u tremba.
-Pritni pak : tha fotografi e merrni fotot. Fotografinë e asaj dite e kemi si kujtim të vetëm të atij kampi . Dita e parë e shkollës për mua nuk shkoi mirë se kur po dilnim për tu kthyer në kamp mësuesi më ndaloi duke më thënë :
E do babain?… Ku e ke babain? Unë i thoja se e dua babain , megjithëse nuk e kisha parë e as më kishte parë kurrë, e mësuesi më godiste me tehun e vizores, më mbajti afër një orë mbas mësimit , vëllai me motrën rrinin mbrapa derës, kur më la të lirë mësuesi, unë eca pak e pastaj më morën në krahë herë motra e herë vëllai se më kishte rënë të fikët. Librat na i dhanë falas, për të shkuar në shkollë e kishim të vështirë se rruga ishte pak malore e nuk na mbanin gjunjët ,ishim të dobët nga mungesa e ushqimit, . E kishim të vështirë për të mësuar për të bërë detyrat, abetaren për ta mësuar e vendosnim në gjunjët e hollë që sa mezi e mbanin , ndërsa detyrat i bënim barkas, bojën e shkrimit e bënim me lule kuqe që I mblidhnim në oborrin e kampit ose e bënim me mullaga. Unë nga ndonjëherë përdorja djepin tim si tavolinë për të bërë detyrat, kjo nuk vazhdoi shumë. Një malsoreje i vdes fëmija i vogël, nuk ikshte dërrasë për të bërë arkivolin , nëna ime i dha djepin tim e sajuan një arkivol.
Ata që mbaruan klasën e shtatë i detyruan të shkojnë në punë. Puna ishte shumë e rëndë për ata trupa të njomë e të pa ushqyer. Prisnin dru e I ngarkonin në kurriz në male për degën e brëndëshme e për komandën e policisë të kampit . Nuk ishin të pakta rastet kur mbushnin thasë me plehun e staneve e i, sillnin në kamp për baçen e policisë. Shpina e tyre e njomë bëhej gjak edhe nga drizat e trasha që i ngarkonin në shpinë për ti sjellë për guzhinën e kampit. Drutë, plehu, drizat i bënin në mal që ishte një orë, a më shumë larg nga kampi. Me gjithë këtë lodhje , megjithë këtë mundim, ato mendjen e kishin tek vëllezrit e motrat më të vegjël që i kishin lënë në kamp të uritur. Mbasi kishin bërë barrën e druve turreshin nëpër ferra për të mbledhur manaferra apo gorrica. Kur niseshin në Turan për të prerë dru merrnin me vete nga një gavetë për ta mbushur me hirrë, puntorët e baxhos ja jepnin fshehurazi. Ne e dinim orarin kur ktheheshin nga puna ju dilnim përpara se e dinim se dicka na kanë sjellë.
Nje ditë ato të lodhura nga puna e rëndë në pa mundësi për ta përballuar jetën ato flasin me njera tjetrën që kur të ndodhen tek ura e Leklit të kapen dorë për dore e të hidhen në lumë për ti dhënë fund vuajtjeve. Për fat këtë bisedë e dëgjon njera që ishte më e madhe dhe ju thotë:
-Mirë ju po shpëtoni por a e dini se sa dhimbje I shkaktoni nënave e motrave vëllezërve?
Ato shikojnë njera tjetrën e ndërrojnë mendje dhe vazhdojnë rrugën.
E GJITHE KJO TRAGJEDI MBI NJEREZ KREJTESISHT TE PA FAJSHEM NDODHI NE KOHE PAQE.

Filed Under: Politike Tagged With: . Tepelenë, Fëmijët e kampit të internimit (çfarosjes), Simon Mirakaj

Kampet e internimit-Tepelenë, rrëfimet e të burgosurve politikë

November 10, 2014 by dgreca

Ish Kampi i Internimit të Tepelenës është kthyer së fundi në qëndër të vëmendjes pasi qindra vetë kanë humbur jetën, ndërkohe qe personat e mbijetuar janë mbledhur së bashku me rastin e botimit të vëllimit të tretë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”. Sipas nëndrejtorit të Institutit të Studimit te Krimeve Çelo Hoxha, kampi i Tepelenës njihet si me fatkeqi për shkak të numrit të lartë të viktimave.
Në kampin e Internimit të Tepelenes qindra vetë kanë humbur jetën, ndërkohe qe personat e mbijetuar janë mbledhur së bashku me rastin e botimit të vëllimit të tretë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”. Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Institutin e Studimit të Krimeve kanë organizuar një konferencë të përbashkët me fokus kampet e internimit .
Sipas nëndrejtorit të Institutit të Studimit te Krimeve Çelo Hoxha, kampi i Tepelenës njihet si me fatkeqi për shkak të numrit të lartë të viktimave.
Një nga personat e internuar në kamp Lek Pervizit, ka hedhur në skicë portretet e disa bashkëvuajtsve si dëshmi e vetme të trashëguara nga kjo periudhë.
Bashkëshortja e Lekës rrëfen se ka lindur në këto kampe internimi dhe është simbol i fëmijëve të mbijetuar pasi shumë prej tyre kanë humbur jetën qe ne muajt e parë të jetës.
Në ambientet e kazeramve të dikurshme, ku strehoheshin të internuarit është improvizuar një ekspozitë me punimet e Lek Pervizit.
Kampi i Internimit në Tepelenë është cilësuar ndryshe si “Aushvici” i Shqipërisë dhe ka funksionuar nga viti 1949 deri në 1954.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: . Tepelenë, burgosurve politikë, kampet e internimit, rrëfimet e të

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT