-Presidenti Thaçi në SHBA takoi kongresistin Engel: Kosova është e angazhuar për të ndërtuar paqe të qëndrueshme/
-Me SHBA-në si partner strategjik, nuk ka pengesë që mund ta ndalë rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt integrimit euroatlantik/
Uashington, 26 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar edhe kongresistin Eliot Engel, Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë miqësi të thellë, lidhje të veçantë, që do të zgjasë përgjithmonë. Ju me angazhimin tuaj për tri dekada jeni ndër ata që e kanë ndërtuar këtë marrëdhënie të veçantë”, u shpreh presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi në këtë takim ka theksuar se Kosova është e angazhuar për të ndërtuar paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor dhe se për 12 vite shtet ka bërë progres të madh, bën të ditur njoftimi i dërguar sot nga Presidenca.
E, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar:Kongresisti Eliot Engel është një prej politikanëve amerikanë, që me dekada të tëra e ka përkrahur çlirimin, pavarësinë dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Edhe tani si Kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme pandalshëm po jep kontribut tejet të çmuar për ndërkombëtarizimin dhe fuqizimin e Republikës së Kosovës gjithandej botës. Sa herë që takohem me kongresistin Engel, së bashku e kujtojmë të kaluarën dhe flasim për të ardhmen. Dhe, me SHBA-në si partner strategjik, nuk ka pengesë që mund ta ndalë rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt integrimit euroatlantik. /b.j/