Libri “True Stories from Red Albania” i autorit Jorgji Kote (Botimet Toena, 2016) ka ngjallur kureshtje dhe interes jashtë vendit, sidomos në Belgjikë, Luksemburg dhe në vende të tjera të huaja.
Siç është bërë e ditur edhe më parë, e përditshmja belge “Brussels Times” botoi një përmbledhje të gjatë të këtij libri në fund të muajit janar.Pas librarisë shqiptare “ALBEL”, ditët e fundit, ky Libër është vënë në shitje në Bruksel nga “Libraria Europiane”, pranë institucioneve të BE-së, në librarinë tjetër të njohur “Cook&book” etj.
Më 3-5 mars, “True Stories from Red Albania” u ekspozua në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Luksemburg, ku autori ishte ftuar bashkë me dy autorë të tjerë shqiptarë.Stendën tonë e vizitoi edhe zv. Sekretarja e Përgjithshme e MPJ-së së Luksemburgut dhe Ambasadorja, jorezidente, për Shqipërinë, zonja Nadia Ernzer e cila u shpreh:“Këtë libër e lexova me kënaqësi dhe më pëlqen shumë mënyra elegante dhe interesante e të shkruarit; është kënaqësi me vete të udhëtosh prapa në kohë, sepse kështu mund të mësosh më mirë për të kaluarën e afërt të popullit tënd”.
Konsulli i Përgjithshëm i Nderit, i Luksemburgut, Vito Cassone tha:
“Jam tronditur nga të gjitha hollësitë mbi jetën e përditshme, të asaj kohe, të popullit guximtar shqiptar. Kam mbetur pa fjalë pas leximit të librit, duke jetuar me popullin tuaj, me obsesionet e pabesueshme dhe të çmendura të një Byroje Politike regresive”.
Më 8 mars autori Jorgji Kote ishte i ftuar nga Katedra e Slavistikës dhe Europës Lindore, në universitetin me emër të Gentit, ku zhvilloi një takim interesant mbi përmbajtjen e këtij libri dhe iu përgjigj shumë pyetjeve të të pranishmëve.Shefja e Katedrës, prof. dr. Rozita Dimova u shpreh me këtë rast:“Deri tani nuk kemi parë një libër të këtij lloji dhe formati që të tregojë për jetën e përditshme gjatë regjimit komunist, për të cilën kemi kaq shumë nevojë”.
Bashkatdhetaria Era Hajdari, menaxhere në një kompani në Antverpen e pranishme në atë takim nënvizoi:“Është kënaqësi ta lexosh këtë libër, të përçon nostalgji për një kohë të shkuar, sikur ta kesh jetuar vetë. Bën shpeshherë një subtle contrast me jetën e sotme, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht… Një botë ndryshim, ku ura është rrëfimi i autorit”. Më 21 mars 2017, “True Stories from Red Albania” u promovua në një takim me studentë të huaj dhe shqiptarë, si dhe ekspertë të tjerë në Université Libre de Bruxelles.Me këtë rast, shtetasi francez Sebastien Vilmot, dashamirës i vendit tonë, i cili po shkruan një libër mbi historinë e tij të afërt, menaxher në kompaninë e njohur “OMEGA” në Paris, ndër të tjera tha:“Autori i përshkruan ato vite të tmerrshme me një sens pozitiv dhe me një realizëm të mahnitshëm”.Ndërsa Serge Derycke, zyrtar në Parlamentin Federal belg, u shpreh:“Leximi i këtij libri më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Sidomos pjesa që i kushtohet rinisë dhe ajo mbi “shfaqjet e huaja”. Sepse kam vizituar disa vende të tjera komuniste dhe me gjithë ngjashmëritë, Shqipëria duket qartë se ka qenë krejt e ndryshme”.
Edhe bashkatdhetarë të tjerë nga Gjermania, Danimarka dhe SHBA-ja, pas leximit të librit kanë dhënë opinion shumë pozitiv.
Inxhinieri Selo Mollaj, me banim në Nju-Jork, shkroi:“Tani që po e lexojmë librin kuptojmë se kopertina e tij ka lidhje organike me gjithë lëndën e shkruar, aq sa në shumë raste forma shpreh shumë bukur përmbajtjen e asaj! Edhe nga pikëpamja letrare libri është si i qëndisur”.Eshref Ymeri, profesor i mirënjohur i gjuhëve të huaja dhe ish-shef katedre në UT, i cili jeton në SHBA, tha:
“Jam i bindur që ‘True Stories from Red Albania’ do kërkojë ribotim për të mbërritur te shumë lexues të tjerë!”.Pritet që në javët e ardhshme ky libër të promovohet në institucione të tjera europiane, si në Bruksel dhe në vende të tjera të huaja.