• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vdekja e Kristo Kirkës

April 28, 2016 by dgreca

SOT, 28 PRILL, PERVJETORI I VDEKJES NE BURGUN E BURRELIT I BASHKETHEMELUESIT TE VATRES,KRISTO KIRKA/

Boston. Fotografi e vitit 1908. Kristo Kirka ne te majte te Fan S Nolit, ne te djathten e Nolit qendron Sotir Peci/

NGA URAN BUTKA*/

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar  në Burrel.  “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit.  Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe  të birin, Xhelalin më  vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja  e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj.  Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .

Ai ngriti kokën dhe më këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!”. Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmes së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje.

Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina!- i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba! – e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte  gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte njeri, veç rojes që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?- pyeta. A ka doktor këtu?  Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjegj. Atëherë, dola nga burgu, me mendimin që të gjeja një mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’ kishte babai dhe se çfarë ilaçesh duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për te axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkoloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të nbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja: “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”.

Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka.Të nesërmen, më 28 prill, pa gëdhirë ende, shkova te burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babai kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej pasi të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët… Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët!”- i thoshte ajo nëpërmes ngashërimeve.

Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorrollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre te Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot, nuk e dimë se ku i ka eshtrat…

 

 

Rrëfejnë bashkëvuajtësit

 

Osman Kazazi, që kishte kaluar plot 42 vjet në burgjet komuniste, fliste  shpesh për Kristo Kirkën, që e kishte njohur në burgun e Burrelit. Osmani e përmendte Kriston si shembull të nacionalistit idealist.  “ Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve.  Ishte një ditë zije për të burgosurit” – thoshte Osman Kazazi.[1]

Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, i dënuar  në një gjyq  me Kriston, tregon:

“E kam takuar për herë të parë në burgun e Tiranës patriotin Kristo Kirka. ( Më vonë, mbas vitit 1992, kur nxorra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dokumentet e dosjes sime gjyqësore, u habita kur pashë që bashkë me mua, Lekë Dostin, Dedë Gjonmarkun, ishte “gjykuar e dënuar” edhe Kristo Kirka! E pamundur! Nuk e kisha  parë  as në hetuesi dhe as në gjyq. Madje nuk ia dëgjova emrin kërkund. Pyeta Lekën dhe Dedën , por edhe ata më thanë se Kristoja nuk ishte gjykuar bashkë me ta. As që e kishin njohur më parë. Atëherë e kuptova që ishte një proces gjyqësor i montuar. Kriston e kishin bashkuar me grupin tonë “armiqësor” vetëm me letra, formalisht, për ta implikuar në veprimtari grupazhi kundër pushtetit, sepse hetuesinë dhe gjyqin ia kishin bërë më vete). Me sa mbaj mend, ai erdhi  nga burgu i Korçës në vitin 1946. Thoshin se ishte burgosur vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët. Kisha shumë respekt në burg për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë e të papërkulur aty. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respekt me sjelljen e tij. Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe  respekti që ndjeja për të ishte i veçantë. Ne të rinjtë flisnim shpesh herë për të dhe përpiqeshim që të  përfitonim nga sjellja dhe qëndresa e tij.  Edhe pse ishte me bindje dhe parime republikane dhe një ndër miqtë e afërt të Fan Nolit, Kristo Kirka kishte punuar me ndërgjegje atdhetarie për Mbretërinë, si nëpunës, veçanërisht kur kishte shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe Bilisht. Mendoj se duhet të jetë një mësim  për politikën e sotme trajtimi që i bënte Mbreti Zog kundërshtarëve politikë: i emëronte ata në administrate, madje edhe në detyra të rëndësishme. Kështu kishte vepruar edhe me Kristo Kirkën, duke e emëruar nënprefekt në Himarë, ai i besoi atij një pozicion tepër delikat, ndërkohë që tentohej për helenizimin e Himarës. Kujt më mirë se sa një atdhetari orthodoks të përmasave të Kristo Kirkës mund t’i besohej një mision aq delikat?  Më ka mbetur në mendje  një rast, kur komanda e burgut organizoi të ashtuqujturin “Front demokratik” brenda burgut, një farsë qesharake, që synonte krijimin e organizatës të të besuarve e të spiunëve. Disa u anëtarësuan në të, kryesisht  tipa servilë e pa personalitet, me përjashtim të ne të rinjve antikomunistë. Krahas nesh, edhe Kristo Kirka nuk pranoi dhe nuk u bë pjesë e saj, duke e bojkotuar në mënyrën e tij autoritare, pa komente. Para syve të mi u rrit më shumë respekti ndaj atij atdhetari fjalëpakë. Ndjehem mirë që isha me të në një kohë aq të vështirë”. [2]

Abduraman Kreshpani, nacionalist dhe antifashist i njohur, i arrestuar nga italianët për pjesëmarrje në demonstratën e  28 nëntorit 1939 në Vlorë dhe i internuar në Ventotene, mandej i burgosur edhe nga komunistët në burgun e Burrelit, rrëfen: “Kisha dëgjuar  për Kristo Kirkën se ishte një nga atdhetarët ortodoksë më të vendosur të Korçës, që kishte ardhur nga Amerika për të luftuar me pushkë  kundër grekut më 1914-tën dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, në vitet tridhjetë. Kështu, kisha formuar  përfytyrimin e luftëtarit  energjik  dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Ndoshta, kishte bërë të vetën mosha e thyer, por edhe kushtet e rënda të burgut të Burrelit. Xha Kristoja ishte i thinjur, i qetë, fliste ngadalë, por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën,  për tema historike. U shmangej bisedave aktuale.  Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin, bile edhe gardianët. Nuk kishte bërë vaki më parë, por edhe më pas, që të hynte brenda në burg ndonjë person i jashtëm, aq më pak një familjar i ndonjë të  burgosuri. Komandanti i burgut e lejoi vajzën e xha Kristos, kur ky ishte në agoni të vdekjes, që të hynte dhe ta takonte të atin. Kjo përbënte një ngjarje në burg dhe ne bisedonim gjatë për të. Vajza e tij kaloi nëpërmes birucave tona tepër krenare, si të ishte një engjëll mbrojtës. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte fakti që nënat, gratë dhe vajzat e të burgosurve, në ato kushte të skëterrshme, ditën të ruanin moralin e dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të them, se përkushtimi, vuajtja dhe qëndresa madhështore e nënave, grave e motrave tona, ishin më të mëdha sesa vuajtjet dhe qëndresa jonë nëpër burgje. Nuk ka penë që t’i përshkruajë”.[3]

Leka Dosti, djali i Hasan Dostit, ish-i burgosur në Burrel, kujton:

“Tomorrin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në Burgun e Burrelit. Atje morrëm vesh nga të burgosurit se s’kishte veçse pak muaj që kishte vdekur Kristo Kirka nga një hemoragji cerebrale. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, ishin të zakonshme. E jashtëzakonshme ishte lejimi i vajzës së Kristos, që ta takonte të atin, që kishte rënë në koma. S’kishte ndodhur deri atëherë dhe as më pas ndonjë rast i tillë, sepse nevojitej autorizimi i Ministrisë së Brendshme. Mirëpo, mbas lutjeve të Katerinës, komandanti i burgut, me emrin Xhipe Mersini, lab nga Vlora, urdhëroi të hapeshin dyert e hekurta dhe ajo u ndodh pranë shtratit të të atit, që kishte humbur ndjenjat. Vajza e shkretë shpërtheu në vaj me zë të lartë, sa u dëgjua gjithandej. Kishte ardhur për të takuar babanë, por e gjeti thuajse të mbaruar. E mblodhi veten, e falënderoi me zonjëllëk komandantin, i la aty ushqimet për të burgosurit e tjerë dhe iku nga sytë këmbët… Në burgun e Burrelit ishte një ekonomi ndihmëse për nevojat e komandës. Atje punonin të burgosurit, ndër ta edhe Kudret Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Ali Maliqi e të tjerë. Një ditë, kur po qarkonim nëpër oborr në orarin e “ajrosjes”, Ali Maliqi na tha: “Duke punuar në “çifligun” e burgut, kaloi aty pari komandanti. Gjeta rastin t’i them: “Më lejoni t’ju falënderoj për sjelljen tuaj fisnike ndaj vajzës së të ndjerit Kristo Kirka ”. Pa e kthyer kokën, ai tha”  Ishte burrë i ndershëm”. U habita pa masë, që ndershmëria e Kristo Kirkës e kishte prekur edhe zëmrën e një gardiani të egër!”[4]

 

Ish-i burgosuri Beqir Ajazi, e kujton kështu Kristo Kirkën: “E kam njohur të

ndjerin Kristo në burgun e Burrelit. Në një kaush të madh, i cili nuk ishte më i gjerë se 10×8 metra, ku dergjeshin plot 72 të mjeruar, me qypin urinar prapa derës.  U  binda menjëherë se zoti Kirka spikaste dukshëm mbi gjithë të tjerët. Me një trup të madh, veshur me një pallto gub të zezë dhe me pamjen fisnike, të dukej fodull, por sa t’i afroheshe e të bisedoje më të , ndërroje mendim. Ishte njeri i mësuar dhe me përvojë të madhe, i dhimbsur dhe i gjindur, i dashur me të gjithë, por “sans façon” me askënd. Me qenë se kishte jetuar shumë vjet në Amerikë dhe kishte punuar te “Vatra”, ai ishte modeli i atdhetarit dhe i demokratit. E donte Shqipërinë me gjithë fuqinë e shpirtit. Përbuzjen më të madhe e kishte për politikën e shtetit grek, që pasi ishte rritur në dëm të Shqipërisë e të Maqedonisë, ishte përfshirë pas ëndrrës marroqe të megalo-idesë. Populli shqiptar don të ketë të ardhme, sepse është një popull paqesor dhe i zgjuar, që nuk mposhtet, thoshte Kristo Kirka. Tek e dëgjoja, mua më dukej se ai kishte lindur për të drejtuar, por drejtimin në atë kohë e kishin uzurpuar xhahilët”.[5]

Dhimbjen e thellë për vdekjen e Kristo Kirkës e ndieu edhe bashkëvuajtësi i Burrelit, intelektuali antikomunist, Arshi Pipa, i cili e shpreh me dy fjalë arsyen e dënimit dhe të vdekjes së xha Kristos, siç i thërrisnin në burg.

 

   “I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu”[6]

 

Lajmi për vdekjen e Kristo Kirkës  u përhap fshehtazi gojë më gojë nëpër Shqipëri, ndërsa në diasporë u dha gjerësisht nga shtypi shqiptar i atjeshëm.

Gazeta  “The Albanian-American”  botoi në maj të vitit 1955 një shkrim nekrologjik me rastin e vdekjes së Kristos, me titull “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë. Vazhdon pa mëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e kuqe. Edhe Kristo Kirka vdiq në burg!”

“Pas Kol Rodhes, Bahri Omarit, Kolë Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut dhe shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë, që u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën nëpër burgjet  e tyre të tmerrshëm, ja edhe lajmi i vdekjes  së patriotit Kristo Kirka në burgun e “kryetrimave” të stalinizmës. Shqiptari i Amerikës sot ndien një dhembje  të madhe  në zemër, sidomos për ata burra me leshra të thinjura, që i kanë kushtuar çështjes shqiptare shumë nga mendja e djersa e tyre, për ta parë atë vend të dashur, të lirë, të vëllazëruar e të përparuar. Njeriu, pra, që këtu në Amerikë, i kushtoi tërë jetën e tij vendit të lindjes, ka qenë Kristo Kirka.

Hiqeni Kristo Kirkën nga historia e shqiptarëve të Amerikës dhe s’do të kini më një histori të shqiptarëve të Amerikës! Kronologjia  e aktiviteteve patriotike të Kristo Kirkës, tretet me  realizimet proshqiptare këtu në Amerikë: Gazeta “Kombi”, Shoqëria “Besa-Besën”, Kisha Kombëtare Ortodokse, federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, të gjitha këto vepra të shqiptarëve të Amerikës. Kristo Kirka është një nga mjeshtrit e mëdhenj.  Ata që u përpoqën, që vojtën dhe e bënë Shqipërinë, tani akuzohen nga komunistët si armiq e tradhtarë, vriten, burgosen e vdesin në tortura të llahtarshme. Burgu ku vdiq Kristo Kirka, është një fushë lufte, ku ai qëndroi dhe ra dëshmor  për Shqipëri. Pse e vranë Kristo Kirkën, që ndihmoi në themelimin e asaj Shqipërie, ku sot sundojnë komunistët? E vdiqnë për të njëjtat arsye që vranë dhe vazhdojnë të vrasin gjithë shqiptarët mëmëdhetarë: Mihal Bellkamenin, Seid Kemalin, Vinçens Prenushin dhe lart nga 100.000 shqiptarë të tjerë!” [7]

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 1955, luftëtari nacionalist dhe mërgimtari i shquar intelektual, Qazim Prodani, shkruante në gazetën “Besa”:

“Bir i Korçës, djep i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh,  me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen, por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj si Kristo Kirka. Kush e njohu Kristo Kirkën dhe nuk gjeti tek ai burrin shqiptar si në kohët e lashta, burrin-shkëmb, të patundur, fisnik, të urtë, të mënçur. Zot i këtyre cilësive, Kristoja ynë dhe i shqiptarizmit, e përjetësuan në botë emrin e kombit arbëror, e bënë të pavdekshëm për nder, trimëri, qendrueshmëri dhe shpirtmadhësi…Jeta e martirëve-misionarë të historisë kombëtare, me vrull e luftë fillon dhe me përpjekje e luftë sublime mbaron. Nuk prisnim që Kristoja të mbyllte sytë në shtëpi. Gjersa vendi nuk kishte liri,  Kristoja do të vdiste ose në istikamin e lirisë ose në duart e armiqve të Shqipërisë.  Por Kristoja nuk ka vdekur, pse kurrë nuk vdesin martirët  dhe heronjtë e një kombi!” [8]

Po kurorën për vdekjen e Kristo Kirkës, e thuri me fjalë zemre e vargje të madhërishëm, poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me të ndjerin Kirka. Poeti e shkroi elegjinë në burg, kur ndërroi jetë Kristo Kirka, i cili edhe në çastin e mbramë, tha: “Për flamur… për Atdhe!”. Ndaj edhe poeti klith: “Vdiq flamurtari i moçwm!”

 

 

ELEGJI  PËR  ATDHETARIN  KRISTO  KIRKA

 

 

Vdiq flamurtari i moçëm!

Si rrojti, vdiq: me nder.

I pastër , i devoçëm,

pa u përkulë nji herë.

 

Ndër qela u sos t’Burrelit’

me dhunën e tradhtarit,

më njoll’n e kriminelit

mbi ballin e atdhetarit.

 

A u pezmatue, a u lodh

Se ashtu u shpërblye i pafati?

Se fmija pran s’iu ndodh,

se vorr, as vorr, nuk pati!

 

Nuk fali, nuk mallkoi.

Po kur fjala iu pre

Ndigjuem qysh thellë ankoi:

“Për flamur!…Për Atdhe!”

 

O shok, o prind i shtrenjtë,

qi len familjen tonë,

kjo porosi e shenjtë

për ne do t’jetë gjithmonë!

 

Nga burrat qi themelin

Shqipnis i patën kallë

Sot ca të pakët ngelin:

Ti qe nga numri, i rrallë.

 

Me përnderim dashnuer

përkul’mi para teje.

Me flamur ti n’krahnuer

Sulmove n’ball beteje.

 

Besnik para çdo prove

sa pate frym s’e le.

Krenar për të luftove

dhe me të s’bashku re.

 

At flamur nji ndër shokë

E ngren ma nalt, e shtjell.

Pusho, kufomë nën tokë,

Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell! [9]

 

“Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e  kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. E shpirti?  Doemos në qiell!”- shkruan editori i sotëm i “Diellit”, Dalip Greca.[10]

 

[1] U Butka: Intervistë me Osman Kazazin, v. 1991

[2] Fatbardh Kupi, E kam takuar në burg Kristo Kirkën, mbresa, 2011

[3] Abduraman Kreshpani, kujtime për Kristo Kirkën

[4] Leka Dosti, kujtime, 2011.

[5] Beqir Ajazi, kujtime për K.Kirkën, 4 mars 2012

[6] Arshi Pipa,  libri i burgut

[7] The Albanian Amerikan, April-May, 1955

[8] Gazeta “Besa”, shtator 1955

[9] Arshi Pipa, Libri i Burgut, 1959

[10] D.Greca, Albania, 3 maj 2000

*Marre nga Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka” , fitues i cmimit “Pena e argjendet”

Filed Under: Vatra Tagged With: Uran Butka, Vdekja e Kristo Kirkës

MASAKRA NDAJ 22 INTELEKTUALEVE DHE QYTETAREVE TE PAFAJSHEM

February 26, 2016 by dgreca

( Me rastin e 65 vjetorit të masakrës me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike)/

Nga Uran Butka/

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit, një plojë e pashembullt i terrorizmit shtetëror dhe njëherësh akti më antiligjor dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.

Pse?

Së pari, koha kur u realizua masakra ishte momenti i kalimit nga dominanca e plotë politike jugosllave, në vartësinë e plotë sovjetike të Shqipërisë. Më datën 19 shkrurt, ora 9.00 ishte mbledhur plenimi i KQ të PPSH që sanksiononte dhe rrënjoste kursin Stalinist të Partisë e të shtetit shqiptar. Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër, në raportin e tij theksoi:“Politika staliniste e Bashkimit Sovjetik të jëtë fari që do të na ndriçojë në rrugën tonë.Kjo do të jetë epiqendra  e gjithë politikës dhe aktivitetit të Partisë dhe qeverisë”.

Pikërisht atë ditë, pra më 19 shkurt, ora 19 e 47 minuta  u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike një  një sasi e vogël dinamiti, që shkaktoi një krisje të fortë, theu disa xhama, asgjë tjetër. Në fakt ky ishte një akt terrorist i një grupimi ilegal me emrin “Bashkimi Kombëtar”, që nuk kishte synim të vriste njerës, por të rrëfente botërisht qëndrimin kundër  politikës staliniste të Partisë dhe qeverisë shqiptare. Pra, një akt antisovjetik. Ata që e hodhën dinamitin, Qazim Laçi dhe Hysen Llulla,  si dhe anëtarët e tjerë të asaj organizate u arrestuan menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, u mbajtën në hetuesi në fshehtësi të plotë dhe u dënuan pas tetë muajsh. Pra diheshin personat që kishin shkaktuar atë incident.

Së dyti, personat që u pushkatuan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, ishin krejt të pafajshëm, nuk kishin njohje me njëri tjetrin dhe nuk kishin asnjë lidhje me incidentin në Ambasadën Sovjetike as me ata që e kishin hedhur dinamitin. U zgjodhën intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare , dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli (kurbanë) në themelet e politikës staliniste, personalitete me peshë si Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu, nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali, Niko Lezo, nga Delvina,i diplomuar për kimi në unuversitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar(1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia, nga Gjirokastra, intelektual shumëplanësh, poete publicist; Anton Delhysa  nga Prizreni, ndertues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullsit etj; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, , të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë  antifashistë,; Zyhdi Herri, nga Tirana, gazetar;  Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi, nga Përmeti, i lauruar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra,studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtreës e pasur; Thoma Katundi,nga Korça, veprimtar i shqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka, nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviç, bisnezmen nga Mali i Zi.

Së treti, vendimi për të realizuar këtë masakër kolektive, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Seline e KQ të PPSH, në mbledhjen e datës 20 të Byrosë Politike të Partisë-shtet, Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet me në krye E.Hoxhën dhe me propozim té ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi, të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. « Jemi dakord me këto masa» thanë gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

Së katërti, arrestimet,  që u kryen  më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjé urdhër-arresti të prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate, vetëm mbi listat e të dyshimtëve apo mbi dëshirën perverse e krerëvë të Partisë.

Bie fjala E.Hoxha shënoi emrat e Sabiha Kasimatit, Manush Peshkëpisë, Reiz Selfos, Qemal Kasaruhos për motive thjesht personale, me të cilët kishte pasur lidhje  të hershme.

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kyetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….( pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq  përbri çdo personi që do të ekzekutohej.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. 

Sigurimi i shtetit ishte vendosur  mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhërat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshképisé u shenjuan nga veté Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht dhe lante njëherësh hesapet me ta.

Së pesti, akuza e Prokurorit  ushtarak Siri çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”.

Është  një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Më pas, Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë process verbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk  e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”

Së gjashti, nuk u bë ndaj të arrestuarve as hetuesi, as gjyq, as apelim, pra u shkelën dhe u anashkaluan të gjithë etapat e kodit civil e penal dhe viktimat u pushkatuan fshehtas në mesnatë në breg të lumit të Erzenit, që të zhdukej çdo gjurmë, siç ishte në kodin e sektit partiak dhe të shtetit komunist. Drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, déshmonte: “Pér pushkatimin e kétyre personave, nuk éshté béré gjyq dhe kété e them, sepse nga zyrat e Ministrisé sé brendshme ata jané çuar  direkt né vendin e pushkatimit”

Së shtati, ndaj të arrestuarve, le t’i quajmë « të pandehur », u ushtrua një dhunë dhe terror i paligjshëm, që binte ndesh me dispozitar e kushtetuese të ligjit 372 datë12.12.1956  si edhe me konvetat ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria shqiptare. Le të përmendim vetëm një rast : Jonuz Kacelin e torturuan për vdeje në qelitë e Sigurimit të Shtetit. E vranë gjatë torturave dhe e kufomën e tij e hodhën nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetvrasje!

Së teti, meqenëse pushkatimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë vendit, nga që lidhej me incidentin në Ambasadën Sovjetike, Gjykata e Lartë, hartoi pas pushkatimit disa procesverbale fiktive, sikur ishte zhvilluar gjyqi, mirëpo këto procesverbale të falsifikuara kishin pasaktësi të dukshme dhe nuk u firmosën nga dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Hydai Beja dhe Nonda Papuli, të cilët refuzuan të nënshkruanin pasi gjyqi nuk ishte zhvilluar. Pra, kemi të bëjmë edhe me një falsifikim të dokumenteve gjyqësore, për një gjyq inekzistent.

Procesverbalet e falsifikuara u firmosën nga  kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti dhe  anëtari i gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, i cili dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje  në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit , 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë  dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme..Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma  dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Së nënti, meqenëse kjo ngjarje kriminale dhe absurd bëri  doli zbuluar para opinionit publik të brendshëm e sidomos të jashtëm,, shteti shqiptar, duke nisur nga Ministria e Brendshme dhe deri te presidenti i Republikës, Omer Nishani, hartuan dhe firmosën një dektet, dekreti i zi, të huazuar nga përvoja sovjetike

Ky dekret i datës 26.shkurt 1951, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj – që siguronte e përligjte  arrestimet dhe vrasjet e paligjshme, shmangte etapat e proçedurës penale, pérbénte njé mohim té ploté té principeve té drejtésisé, njé shkelje té pérbindshme té té drejtave dhe lirive té njeriut, njé pérdhosje té ligjeve té asaj kohe si edhe kartén e OKB té firmosur nga qeveria shqiptare.

Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban  datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të proçesverbalit.

Së dhjeti, u bë  një operacion masiv dhe represiv i Sigurimit të Shtetit për dëbimin dhe internimin e dhunshëm e të paligjshëm të familjeve të tyre në kampe pune dhe përqëndrimi, si në kampin famëkeq tq Tepelenës, etj ku provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, siç shkruhet në vendimin e internimit, banimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, izolimin e plotë, moslejimin e shkollimit, të lëvizjes së lirë dhe dënimet e rënda. Përveç këtyre , viktimave dhe familjeve të tyre, iu sekestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonja e Tofik Shehut, nga Gjakova,që kishte kryer studimet për skulpturë, dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, që e kemi sot këtu, një viktimë e gjallë e  atij sistemi kriminal. Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim « Peshqit në Shqipëri » dhe e botuan me emrin e një një rusi Anatoli Koljakov dhe të një shqiptari të paemër Ndoc Rakaj… Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyrëintelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë.

Të gjitha këto shkelje juridike dhe ekzekutive, ndonëse konspirative, nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe nuk e mbuluan dot fytyrën kriminale të shtetit komunist

Viktimat e pafajshme, u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe  në fshejhtësi u hodhën  né njé gropë të madhe té pérbashkét 4.30x3x1.50 m, té lidhur me njëri tjetrin me tela me gjemba. Bashkë me 22 të gjallët, ndodhej edhe një i vdekur, Jonuz kaceli, i vrarë në hetuesi. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gëdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

Një fshatar nga Mëniku,xha Kadriu, rrëfen : « Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fikët, tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.

*Mbajtur sot, 26 Shkurt 2016 ne veprimtarine perkujtimore te organizuar nga Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani

Filed Under: Editorial Tagged With: masakra e 22 intelektualeve, qytetareve te pafajshem, Uran Butka

Emigrimi në SHBA

February 12, 2016 by dgreca

Nga Uran BUTKA/
Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar. Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]
   Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]
   Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.
Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.
   Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]
   Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]
   Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]
   Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.
   Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.
   Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]
   Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
   Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.(Lexo me Shume en Diellin special te 100 vjetorit te Pavaresise)

*Marre nga Libri I autorit”Kristo Kirka”

[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002
[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960
[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002
[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906
[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.
[6] Po aty

Filed Under: Histori Tagged With: emigrimi ne SHBA, Kristo Kirka, Uran Butka

DHJETË PYETJE NEXHMIJE HOXHËS

February 10, 2016 by dgreca

NGA URAN BUTKA/
E ndoqa intervistën e gazetares R.Xhunga me Nexhmie Hoxhën mbrëmjen e shkuar. Me këtë rast dëshiroj t’i bëj disa pyetje, që nuk ia bëri gazetarja, për ta nxjerrë sa më të pëlqyeshme dhe të pacënueshme figurën e saj dhe të Enver Hoxhës. Besoj se do të më përgjigjet mua dhe shqiptarëve.
Nuk dua të hyj në polemika me të , për ato çfarë tha e nuk tha , sepse është e drejta e saj. Por nuk mund të hesht, kur cënohet e vërteta, kur provokohet një popull që ka vuajtur dhe është troumatuizuar nga ai regjim, si edhe për hipokrizinë dhe mashtrimin e madh, që ka vazhduar gjysmë shekulli e që vijon edhe sot e kësaj dite dhe që ndikon, që njerëzit e thjeshtë, por edhe të zhgënyerit, të kthejnë kokën pas me nostalgji.
Dua vetëm ta pyes lidhur për disa nga shoqet e saj, që i përmendi në intervistë.
Zonja Nexhmie, ju folët për aktivitetin tuaj revolucinar e antifashist në Institutin “Nëna Mbretneshë”, si edhe përmendët dsa prej nxënseve të asaj shkolle, shoqet e tua, që kishin qënë edhe më aktiviste se ju, si Naxhije Dume, Selfixhe Ciu, Ramize Gjebrea, Fiqrete Sanxhaktari, Drita Kosturi, Safo Marko e të tjera, por nuk rrëfyet asnjë ndjesi për fatin e tyre dhe për përgjegjësinë tuaj.
Po i bëj pyetjet me radhë për ju, por njëherësh po jap edhe ndonjë informacion për ato, në mënyrë që lexuesi, sidomos brezi i ri, të dijë se për çka po flitet.
1. Ju treguat sesi e kini njohur Enver Hoxhën në kohën e Luftës, sese jeni dashuruar dhe takuar me të nëpër bazat ilegale etj. Kjo është një gjë e bukur dhe një një shëmbull i mirë për atë kohë lufte. Ju pyes, përse Enver Hoxha u tregua tolerant, i sjellshëm, i dashur ndaj jush, ndërsa intolerant dhe armiqësor ndaj Ramize Gjebresë?!. Përse edhe ju nuk e mbrojtët dashurinë e saj, siç u kujdesët për dashurinë tuaj? Ajo ishte një vajzë e re, një nga prijëset e demonstratave antifashiste në Tiranë, drejtuese e Rinisë komuniste në Bregun e Detit, publiciste e njohur, bijë e Kosovës etj dhe vetëm se dashuroi Zaho Kokës, u dënua me pushkatim në lulen e rinisë. Edhe dashuria e saj me Zahon ishte e heshtur, e sinqertë dhe e kujdesshme, ashtu si edhe tuaja. U akuzua se Zahua i kishte hedhur kapotën ushtarake tek flinte etj, ndërkohë që ajo ia kishte hedhur pallton e saj një partizani të ri të sëmurë. Pushkatimi i saj antihuman u aprovua nga Enver Hoxha, i cili, si gjatë luftës, ashtu edhe pas luftës, si komandant i përgjithem, miratonte ekzekutimet me vdekje ( ekzistojnë qindra dokumente, ku ai ka firmosur: aprovohet dënimi me vdekje, Enver Hoxha, d.v).
Përse ju, duke e njohur Ramizenë si një vajzë e mrekullueshme, nuk ndihmuat që ajo të mos pushkatohej vetëm pse dashuronte, sikundër ju.Ajo nuk bëri asgjë tjetër, asnjë sjellje apo gjest që të dëmtonte moralin apo luftën. Dhe nëse nuk kishit një mundësi të tillë, pse nuk e kini dënuar kurrë këtë akt barbar dhe burracak!?
2. Ju përmendët Drita Kosturin, një nga aktvistet më të zjarrta, që merrte pjesë active në demontrata, madje me kordele tëkuqe në kokë, siç e thoni edhe ju. Ndryshe nga ju, që punuat në ilegalitet në Tiranë, ajo u hodh në luftën partizane dhe ndihmoi si infermiere në mjekimin dhe shpërimin e jetëve të tyre. Përse u dënua me burg ne Burrel dhe u torturua, madje u përdor edhe elektroshoku ndaj saj , që ia rrezoi flokët dhe dhëmbët. Përse nuk u kujdesët që këto makabritete të mos ndodhnin? Akeni edhe ju përgjegjëse? Ju deklaruat në intervistë që “kam qenë bashkëpunëtore me Enver Hoxhën”.Vetë Drita ka theksuar në intervistat e saj se jeni edhe ju vetë përgjegjëse per fatin e saj . Ndryshe nga ju, që nuk kini bërë asnjë reflektim, as kini kërkuar dhe as kërkoni falje, ajo e kuptoi kohën dhe gabimet e saj dhe ka thënë” Gabimi më i madh i jetës sime, që nuk ia fal, është që u bëra komuniste”.
3. Ju kujtuat Selfixhe Ciun,(Broja) nga Gjirokastra, një poete dhe tregimtare, një nga aktivistet e para të Lëvizjes komunisre, e burgosur nga fashistët, pjesëmarrëse aktive ne demonstratat dhe luftën antifashiste, bashkë më të shoqin, Xhemal Brojën, por që për motive “politike” u dënuan dhe u internuan në Kurvelesh dhe mandej në Gradishtë dhe vuajtën tmerrin e internimeve.
Nga internimi ajo ju dërgoi dorazi një letër, zonja Nexhmie, të cilën e morët, por as i kthyet përgjigje dhe as u interesuat per fatin tragjik dhe të pafajshëm të shoqes suaj dhe të familjes së saj. A thua, e meritonte atë ndëshkim??
4. Ju përmendër Naxhie Dumen, komuniste e orëve të para, aktiviste e Luftës NÇ, anëtare e KQ të PPSH, ministrja e parë e shtetit shqiptar, që u godit dhe u internua me gjithë familje, ashtu si edhe Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike, dhe pësuan trauma, siç ndodhi edhe fatkeqsia me vajzën e Lirisë, Dritës, poetes së njomë që vdiq në internim… Ju nuk mbani përgjegjesi për to?
5. E përmendër edhe Fiqrete Sanxhaktarin, për vepritarinë e saj antifashiste, por, për shkak të rivalitetit tuaj me të, si edhe të luftës politike për pushtet, pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe damkosjes së tij si poliagjent, u dasmkos me tortura edhe Fiqretja, doli në gjyq dhe shqiptarët nuk e njohën, sepse ishte tjetërsuar nga torturat tuaja. U dënua me vdekje, edhe eshtrat nuk i dihem, si mijëra kundërshtarëve të tjerë. Në atë kohë, ju zonja Makbeth ishit e fuqishme, sdhe sipas të gjitha informacioneve dhe studimeve, ju kini gisht në gjithë këto dënime. Ndërsa sot, në intervistë thoni: “Shoku Enver ka marrë gjithnjë vendime të drejta. Gjithë sa thuhen janë legjenda dhe shpifje”
6. Nuk e përmendët Liri Gegën, të plotfuqishmen e KQ gjatë luftës, që ka organizuar vrasjen e Mustafa Gjimishit me urdhër të Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, por që Enver Hoxha e pushkatoi Lirinë bashkë më të shoqin, gjeneral Dali Ndreun, për motive politike. E vrau Lirinë kur ajo ishte shtatzënë dhe ju nuk e ndalët dorën e tij vrastare, kur ai vrau një grua me një fëmijë në bark. Një krim monsrtuoz, si shumë të tjerë, që ju e quani të drejtë.
7.Kjo ndodhi me shoqet e tua, që përmendëm, por edhe me te tjera, ashtu siç ndodhi më parë edhe me nacionalistet dhe intelektualet e shquara shqiptare, Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare, opozitaren e pare, që e dënuat pa faj me burg dhe internim deri sa vdiq me kancer, por edhe me intelektualen tjetër të shquar, Sabiha Kasimatin, shkencëtaren e parë shqiptare, pedagogen tuaj në Instituutin femëror “Nëna Mbretneshë”, që e pushkatuat si terroriste me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike. Ju e dini që Sabihanë e vuri në listën e Vdekjes Enver Hoxha, për motive personale dhe intelektuale. Zonja Nexhmije, ju pyes: A ishte Sabihaja terrotiste? A e hodhi ajo bombën dhe ata 22 intelektualë të shquar që u pushkatuan pa gjyq dhe që u bënë kurbanë më themelet e miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe të politikës staliniste të E.Hoxhës?
Znj. Nexhmije, a nuk kini edhe ju përgjegjësi për këtë masakër ? Unë them se po. Në atë kohë që ndodhi ky incident ne Ambasadën Sovjetike, ishte mledhur plenumi i KQ të PPSh, për t’i rrëfyer BS dhe Stalinit besnikërinë dhe miqësinë e pathyeshme. Ishit edhe ju në atë plenum që e kam studiuar në një libër të veçantë, dhe ngritët dorën edhe ju për t’i dënuar pa gjyq e pa faj 22 qytetarët e pafajshëm, ndër ta edhe pedagogen tuaj, Sabiha Kasimatin. Nuk ju erdhi ndopak keq, nuk iu dridh dora dhe qerpiku për të dhe nuk kini kurajo të kërkoni falje, të paktën për Sabiha Kasimatin, prdagogen dhe viktimën tuaj?!
Znj.Nexhmijeje, në intervistën tuaj ju thatë se kini qënë ilegale dhe se Enver Hoxha ju ka strehuar në baza të sigurta, sit e shtëpia e Syrja Selfos, ku banonte me të fejuarën. Atje banuat bashkë më Enver Hoxhën gjatë okupacionit Italian dhe Syrjai bashkë më të fejuarën e tij ju ruajtën dhe ju shpëtuan kokat, ju ushqyen dhe ju shërbyen. Ju pyes: Ç’u bë më Syrja Selfon dhe familjen e tij? Enver Hoxha e vrau strehuesin, besnikun, mikun, bashkëpatriotin Syrja Selfo me pabesi. E burgosi dhe e vrau ne burg, pa e nxjerrë në gjyq, që të mos i dilnin në shesh horrlliqet. Dhe ia hodhi fajin Koci Xoxes për këtë vrasje. Por Koci, teneqexhiu, siç e përmendi ju, në gjyqin kundër tij, tha se të gjitha vrasjet janë bërë me urdhër të Enver Hoxhës. Enveri yt i lau duart si Pilati, ndërsa ju, zonja Nexhmije, vazhdoni t’i lani ende.
Në intervistën tuaj ju kërkoni që të rehabilitohet Enver Hoxha dhe shpresoni për këtë gjë. Ju siguroj si historian, se ajo kohë nuk kthehet më. Regjimin e Enver Hoxhës nuk e rrëzoi një person, asnjë grup njerëzish, po një popull i tërë. E rrëzuan studentët , që i hoqëm emrin Universitetit të Tiranës, e hodhën poshtë qytetarët antikonunistë tëTiranës e të gjithë Shqipërisë statujën e diktatorit më të keq të Europës, pas Hitlerit, e dënoi historia dhe asnjë forcë nuk mund ta kthejë atë kohë, as dëshira iluzive dhe nostalgjike e Nexhmije Hoxhës.

Filed Under: Analiza Tagged With: DHJETË PYETJE, NEXHMIJE HOXHËS, Uran Butka

TEZA DHE KUNDËRTEZA PËR LUFTËN ANTIFASHISTE

December 4, 2015 by dgreca

*Teza e parë: Lufta Antifashiste e popullit shqiptar/

*Kundërteza: Lufta Nacionalçlirimtare/

NGA URAN BUTKA/

Me pushtimin e Shqipërisë nga okupatorët italianë e më pas gjermanë, lindi qëndresa dhe lufta antifashiste e popullit shqiptar kundër tyre, në krah të Aleatëve të mëdhenj Antifashistë. Në këtë luftë çlirimtare kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët  antifashistë, ndaj edhe duhet të quhet saktësishht “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”.

Enver Hoxha, ky manipulator madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare, si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë. Qëllimi i tij ishte që të monopolizonte luftën antifashiste, për të monopolizuar edhe pushtetin, që do të vinte pas luftës, pushtetin e vetëm absolut të tij dhe të PKSH.

Këtë qëndrim politik e përqafoi dhe u përpoq për gjysmë shekulli ta impononte e ta publikonte me të gjitha mënyrat e mjetet historiografia komuniste, për të justifikuar pushtetin monist. Këtë mit e mbrojnë edhe sot disa politikanë dhe historianë, që kanë lidhje të pashkëputur me ideologjinë e të shkuarës, por që kanë edhe synime që ta shfrytëzojnë ende potencialin njerëzor të Luftës Nacionalçlirimtare për  interesa politike dhe elektorale.

Në fakt, Lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashiste e çetave të Ballit Kombëtar,  Legalitetit,  lëvizjeve  Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontriubuar.

Madje,  Luftën Antifashiste e nisën së pari intelektualët dhe studentët shqiptarë, që demonstruan kundër pushtimit Italian. Pjesa më aktive e tyre, si Llazar Fundo, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Isuf Luzi, Vasil Andoni, Hasan Reçi, Ndue Pali etj, u burgos dhe u internua në Ventotene dhe e vazhdoi atje rezistencën antifashiste. Luftën e armatosur e filluan atdhetarët  jokomunistë si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Nazif Mero etj. që i pritën pushtuesit italianë me armë në Durrës, Shëngjin, Sarandë etj. dhe e vazhduan  nacionalistët Myslim Peza, Ismail Agë Petrela, Shyqyri Peza, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Mestan Ujaniku  e të tjerë antifashistë, përpara sesa të themelohej PKSH dhe të niste Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr prej saj, që nuk e mohon kush.

Po në këtë kohë u formuan edhe çetat luftarake të Ballit Kombëtar, të cilat nuk ishin inkuadruar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Abaz Ermenji shkruante: “Unë dhe Safet Butka, që ktheheshim nga ishulli Ventotene, mbasi biseduam edhe me patriot të tjerë, sidomos me Skënder Muçon dhe Hysni Lepenicën,( të cilët nuk kishin qenë të internuar  në Itali), vendosëm të dilnim maleve për të krijuar çetat e para me armë kundër pushtuesve fashistë. Ky ishte vazhdim i përpjekjes shqiptare, që u fillua në prillin e vitit 1939. Për t’i dhënë një formë të organizuat kësaj përpjekjeje, u krijua Balli Kombëtar nën kryesinë e Mid’hat Frashërit…”.

Bile edhe betejat e para të mëdha kundër italianëve dhe gjermanëve i kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar në atë kohë. Lufta  e Gjormit, 29 dhjetor 1942, ishte organizuar dhe drejtuar nga Hysni Lepenica e Skënder Muço, në bashkëpunim me çetën Plakë të Vlorës. Forcat kryengritëse shqiptare, afër 1600 veta, përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2000 vetësh, të komanduar nga Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi ushtarak, sipas urdhërit të kryeministrit kuisling Mustafa Kruja. Në ndihmë të pushtuesve fashistë ishin edhe forcat mercenare të Halil Alisë e të Selim Kaloshit, të dërguara në Mesaplik për të shtypur kryengritjen antiitaliane të qarkut të Vlorës. Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë, ndërsa ranë në fushën e betejës gjashtë nacionalistë dhe katër të plagosur.

Në këtë vazhdë, çetat nacionaliste të Safet Butkës, në bashkëpunim me oficerët britanikë B.Maklin dhe D.Smajl, zhvilluan  betejën kundër pushtuesve gjermanë në Kthesat e Barmashit të Kolonjës, më 13 gusht 1943, duke u shkaktuar gjermanëve 25 të vrarë, disa autoblinda e topa të shkatërruar etj.

Nga ana tjetër, faktorët nacionalistë të paangazhuar nëpër parti si Muharrem Bajtaktari dhe forcat e tij, që luftuan edhe kundër italianëve edhe kundër gjermanëve, nuk pranuan të futeshin në Frontin Nacionalçlirimtar. Po ashtu edhe Lëvizja Kryeziu, refuzoi të inkuadrohej në Lëvizjen nacionalçlirimtare dhe luftoi kundër puahtuesve nazifashistë në mënyrë të pavarur, ndaj edhe u godit dhe u asgjësua nga forcat nacionalçlirimtare.

Të gjithë këta faktorë dhe lufta e tyre as nuk mund të mohohen, as të tjetërsohen, as të përbalten siç është bërë deri tani, sepse gjendet një dokumentacion i plotë arkivor shqiptar dhe i huaj, që i fakton.

Si përfundim,  Lufta Antifashiste e popullit shqiptar  1939-1944  është një kontribut i shquar i shqiptarëve në luftën për çlirim kundër pushtuesve nazifashistë. Ndërsa Lufta  Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është  një pjesë e rëndësishme  e kësaj lufte. Nuk duhet ngatërruar e tëra me pjesën. Çmoj luftën e partizanëve  kundër pushtuesve dhe  dëshmorët e  rënë, ashtu siç vlerësoj edhe luftën e faktorëve të tjerë antifashistë dhe dëshmorët e tyre. Por, përpjekja për ta mitizuar dhe paraqitur Luftën NÇ si luftën e vetme të shqiptarëve kundër nazifashizmit, është një mosnjohje e historisë, një tendencë ideo-politike,  një spekullim  ose një reminishencë e të shkuarës enveriste.

Mitet e luftës duhet t’i çmitizojmë, falsifikimet duhet t’i ndreqim, politizimet t’i mënjanojmë, që të jemi kemi një histori të vërtetë.

 

    Teza e dytë: Marrëveshja e Mukjes bashkoi dy ekstremet e politikës

Kundërteza: Marrëveshja e Mukjes – një tradhti

 

    Marrëveshja e Mukjes (1-3 gusht 1943) është një nga marrëveshjet më të rëndësishme, por edhe më të veçanta mes shqiptarëve në të gjitha kohët, sepse, ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme, ajo bashkoi për interesa madhore kombëtare dy organizatat politike dhe ushtarake të kundërta, madje armiqësore, Ballin Kombëtar dhe Frontin Nacionalçlirimtar, në luftën e përbashkët antifashiste.

Marrëveshjen kombëtare të Mukjes e kërkonte koha. Ishte një produkt shqiptar. E rekomandonin edhe Aleatët antifashistë. “Në konformitet me rekomandimet e bëra nga Misionet ushtarake Aleate, ne zhvilluam një takim me përfaqësuesit komunistë në fshatin Mukje, afër Tiranës Të dy partitë arritën mirëkuptim, që u prit me enthuziazëm  nga populli shqiptar” – shkruhet në manifestin e Mid’hat Frashërit e Abaz Ermenit drejtuar Aleatëve.

Marrëveshja e Mukjes u kthye në një realitet, kur një ditë më pas u organizua nga Komiteti pluralist për Shpërimin e Shqipërisë, një betejë e përbashkët e  nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve në Qafë-Shtamë, më 4 -5 gusht 1943, e komanduar nga major Abaz Kupi. Në këtë luftë u vra kapiteni italian Scarpa, u zunë mjaft robër dhe armatime.

Prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes për shkak të ndërhyrjes jugosllave dhe të luftës për pushtet e dominim, solli ndarjen e thellë mes shqiptarëve dhe luftën civile mes dy organizatave luftarake, por edhe të pjesëve të popullsisë që i mbështeste ato, duke i shkaktuar një dëm të pariparueshëm Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.

Marrëveshjen e Mukjes udhëheqësit komunistë e quajtën tradhti. Po kush e tradhtoi atë? E.Hoxha dhe tutorët jugosllavë në Vithkuq dhe në Labinot. Madje edhe nënshkruesit komunistë të marrëveshjes Ymer Dëshnica dhe Mustafa Gjinishi, u akuzuan nga E.Hoxha për tradhti dhe u dënuan. Ndërsa firmëtarëve nacionalistë iu shpall luftë.

E.Hoxha u dërgoi një letër- qarkore gjithë komiteteve qarkore të PKSH: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.

Ndërsa M.Popoviç i shkruante Titos “Kemi ndikuar te PKSH dhe në Luftën NÇ, që gjithsesi të prishim marrëveshjen e Mukjes”.

Po mesazhi i Mukjes mbeti dhe është  aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit dhe jo ndarjen, përjashtimin dhe armiqësinë. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.

Mendoj, se tashmë, me ndonjë përjashtim të një pjese të politikës dhe të ndonjë pseudohistoriani, Marrëveshja e Mukjes është njohur, pranuar dhe vlerësuar si një kompromis historik i domosdoshëm dhe i nevojshëm, jo vetëm për atë kohë.

Ndërkohë në Mukje u debatua dhe u shtrua për zgjidhje çëshja e Kosovës mbi bazën e parimit të vetvendosjes së popujve, sipas Kartës së Atlantikut.

    

     Teza e tretë: Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945

Kundërteza: Nuk ka pasur luftë civile

 

Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nisi Lufta Civile në Shqipëri. Një luftë e brendshme e armatosur, e shpallur nga PKSH dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë, që i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë  armiqsore dhe ndërluftuese.  Ky konfrontim i brendshëm i armatosur për motive politike,  ideologjike, pushtetore e kombëtare midis  grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, si edhe rezistenca kundërkomuniste  me armë dhe lufta e përgjakshme për shtypjen e saj,  janë përbërësit  kryesorë të luftës civile në Shqipëri në vitet 1943-1945.

Shpallja e luftës civile u bë në Konferencën e dytë të Labinotit të PKSH (4-8 shtator 1943), ku morën pjesë edhe emisarët e PKJ Në këtë konferencë u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes  si “marrëveshje që është në kundërshim me interesat e PKSH e të luftës” dhe u vendos që  t’i shpallej luftë Ballit Kombëtar, si edhe çdo rryme apo tendence tjetër. Për këtë arësye  Konferenca e Labinotit  u quajt “momenti vendimtar drejt marrjes së pushtetit”. Nga ky moment, ky do të ishte prioriteti i politikës së PKSH dhe E.Hoxhës. “Tash që ne e hodhëm poshtë ujdinë e Mukjes, ata ( nacionalistët ) po përpiqen për të gjetur shtigje të tjera drejt pushtetit. Ne duhet tua mbyllim ato shtigje e mundësi dhe, ndër aktet e para e më kryesorë në këtë drejtim është vendimi që i propozojmë të marrë kjo konferencë: të shpallim pushtetin e vetëm të popullit në Shqipëri.”

Ky vendim i hapte rrugën e një sistemi njëpartiak dhe të një pushteti totalitar. Gjithasashtu, marrja e pushtetit qysh gjatë luftës ( jo në fund të luftës dhe me zgjedhje të lira, siç ishte vendosur bashkërisht në Mukje) dhe me grykën e pushkës, shkaktuan luftën civile në Shqipëri.

Data 1 tetor mund të konsiderohet si fillimi zyrtar i luftës civile, meqënëse në këtë datë urdhërohet nisja e saj. Në letrën dërguar më 1 tetor KQ të PK të Gjirokastrës, E. Hoxha urdhëronte: “ Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij.”

Po më 1 tetor 1943, E.Hoxha i dërgonte një letër-qarkore Liri Gegës dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të PKSH, në të cilën urdhëron nisjen e luftës  pa marrë parasysh asnjë rrethanë e pasojë kundër Ballit Kombëtar si armik kryesor. “Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë  veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë deçizive, nuk mjaftojnë mitingje e konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti..” – kërkonte me këmbëngulje E.Hoxha.  Në këtë qarkore shpallet hapur synimi, mënyra dhe vendosmëria e patundur për të marrë pushtetin nëpërmjet luftës së armatosur dhe asgjësimit politik e fizik të Ballit Kombëtar dhe të çdo partie tjetër. Ky ishte fillimi i luftës për marrjen e pushtetit me mjete dhune, i kamufluar me luftën kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. ”Neve jemi drejt likujdimit të Ballit, dhe jo bashkimit me të” – udhëzonte E.Hoxha.

Lufta civile e shpallur nga Fronti NÇ, vërtetohet edhe nga një dokument i Shtabit të Përgjithshëm NÇ “Në vjeshtë të vitit 1943 partia Komuniste dhe Fronti NÇ: Në vjeshtë të vitit 1943 Partia dhe Fronti NÇ u detyruan t’i shpallnin luftë për vdekje Ballit Kombëtar” ( Dok. i  Shtabit P., volum i parë, 1965)

Rruga që zgjodhi PKSH për të marrë pushtetin ishte ajo e luftës me armë kundër kundërshtarëve politikë.  Në emër të PK Hoxha lëshon thirrjen: “Me forcë dhe me armë të marrim pushtetin në duar”. Tashmë te PK  zotëron tërësisht fryma, idetë e praktikat e revolucionit bolshevik  dhe ushtria nacionalçlirimtare u kthye në një instrument të këtij revolucioni. Vetë Lufta Nacionalçlirimtare e humbi karakterin fillestar dhe mbeti si një togfjalësh  i tëhuajëzuar, sepse komisarët me në krye E.Hoxhën e braktisën çështjen nacionale, ndërsa luftën çlirimtare e tjetërsuan në luftë civile, luftën e partizanëve, idealin dhe gjakun e dëshmorëve i shfrytëzuan për interesat e tyre pushtetore e ideologjike.

E.Hoxha urdhëronte që mos luftohej kunder gjermanëve, por të ndiqej këmba këmbës dhe të asgjësohej Abaz Kupi.

Një nga aktorët kryesorë të kësaj lufte, Koci Xoxe, në  letrën që i dërgonte E.Hoxhës, më 3.10.1943, shkruante :  “ Përveç goditjeve që u dhamë (nacionalistëve), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç!” Këto fjalë të thëna troç shprehin  strategjinë dhe praktikat e PKSH: shfarosje të kundërshtarëve politikë, luftë civile ndërmjet shqiptarëve dhe shmangie nga  lufta  kundër pushtuesve gjermanë.

Komandanti i Korparma tës I, Dali Ndreu, udhëzonte “Na informuen se A. Kupi me një forcë prej 500 vetësh ndodhet në katundin Prezë dhe në Vorë. Zhdukja e këtij njeriu  dhe shpartallimi e asgjësimi i forcave të tij ka një rëndësi të veçantë dhe do të jetë një fitore për ne… Duhet mbajtur parasysh se pranë Bazit ndodhet edhe Maklini. Për ndjekjen dhe asgjësimin e forcave të Bazit po ngarkojmë një batalion të Brigadës III dhe batalionin I të Brigadës I. Këta dy batalione do të jenë nën komandën e Hamit Keçit , nënkomandant i Brig.III dhe si përgjegjësit politik shoku Sadik Bocaj të Brig.I. Batalioni i Ishmit do të bashkëpunojë me të dy batalionet kundër Bazit..”

Lufta civile apo vallavrasëse mes shqiptarëve u interesonte edhe pushtuesve nazifashistë, që duke qënë shqiptarët në luftë mes vedi, dobësohej forca goditëse ndaj tyre. Më shumë të interesuar ishin edhe jugosllavët, të cilët i nxitën shqiptarët në luftë civile, që ta dobësonin faktorn shqiptar, për ta pasur më të lehtë ripushtimin e Kosovës dhe tërheqjen zvarrë të Shqipërisë pas qerres jugosllave.

Në luftën civile mes shqiptarëve, kanë marrë pjesë edhe kontigjentet e vetëdorëzuara të ushtrisë fashiste italiane, që u bashkuan me ushtrinë nacionalçlirimtare. Në formacionet kryesore të saj, duke filluar nga Brigada e Parë etj, gjendeshin edhe struktura të ushtrisë italiane, sidomos njësi altilerie, që godisnin me altileri nacionalistët shqiptarë, madje edhe fshatra e qendra banimi, mandej sulmonin partizanët. Thuajse në gjithë betejat kryesore kundër nacionalistëve, altileria italiane ka ndikuar në fitoren e komunistëve.

Edhe qenia britanike në Shqipëri, përveç ndihmës së pakontestuar në luftën antifashiste, në konteksin e brendshëm indirekt ndikoi në luftën civile, duke favorizuar njërën palë, komunistët dhe duke toleruar luftën e tyre të armatosur kundër nacionalistëve.

Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në apelin drejtur Aleatëve në korrik 1944, thoshin qartësisht: “Fakti që misionet aleate mbështetën me armë vetëm komunistët, solli gjakderdhje të padobishme te shqiptarët. Lufta civile vlen vetëm për armiqtë pushtues dhe këtë ata e dinë mirë, ndaj edhe nuk bëjnë përpjekje për shkatërrimin  e lëvizjes terroriste, edhe pse mund ta bëjnë fare lehtësisht”.

Në librin voluminoz “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”,  tezën e luftës civile e kam argumentuar katërcipërisht, duke u mbështetur në dokumentet e Arkivit të fshehtë të PKSH, por edhe në raportet e batalioneve, brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë NÇ, që gjinden në Arkivin e FA si edhe në Arkivin e Shtetit, si edhe në dokumentacionin përkatës të arkivave jugosllave, italiane, gjermane, britanike dhe amerikane. Po të marrim vetëm raportimet e komisarëve dhe komandantëve të Ushtrisë NÇ, nuk ka nevojë për gjë tjerër, ata e pohojnë me gojën e tyre luftën civile ( betejat mes partizanëve dhe nacionaistëve, atje ku nuk kishte gjermanë). Po marr vetëm dy shëmbuj, një në jug dhe tjetri në veri:

Një betejën frontale të Grybecit në Gorë më 16 tetor 1943  ndërmjet forcave partizane të tre batalioneve “Tomorri”, “Gorë-Opar” e “Reshit Çollaku” kundër forcave balliste prej më se 600 luftëtarësh të komanduara nga Jani Dilo, Demir Staravecka e Maliq Dushari, u vranë mjaft partizanë e nacionalistë, midis tyre edhe komisari partizan Skënder Çaçi dhe komandanti ballist Demir Staravecka, të dy intelektualë dhe atdhetarë të njohur. Ja ç’thotë një raport i shtabit të batalionit partizan “Tomorri”: “Pas luftimesh shumë të ashpra, batalionet partizane “Gorë Opar”, “Tomorri dhe “Reshit Çollaku”  i thyen keq armiqtë  dhe vazhduan sulmin e papërmbajtur për  të pushtuar “Gurin e Bletës”. Duke depërtuar brënda dispozitivit të armikut, forcat tona filluan një sulm të furishëm dhe vendimtar.. Komandanti i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Teki Kolaneci, që udhëhiqte sulmin e batalionit të tij në krahun tonë të majtë, thirri: “Zjarr, shokë, zjarr të pamëshirshëm kundër krerëve të tradhëtisë!” Plumbat rrëzuan për tokë mjaft kriminelë, duke plagosur rëndë edhe tradhëtarin Demir Straravecka…Nga ana e forcave tona ra komisari i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Skënder Çaçi…”

Siç shihet edhe nga kjo komunikatë e Shtabit NÇ, lufta e Grybecit  ishte  një luftë civile midis shqiptarëve. Në këtë dokument dhe në dokumentet e tjerë arkivorë si edhe në kronikën e betejës dhënë nga komisari Shuaip Panariti, nuk thuhet asgjëkundi që atje kishte forca italiane apo gjermane ose që forcat e Ballit luftonin së bashku me gjermanët kundër partizanëve, por për një goditje me armë e tre batalioneve partizanene kundër forcave balliste, që doli “ me sukses dhe  përfitimi ynë politik qe i mjaftë”.

Paradoksi i sotëm qëndron në faktin, që Skëndër Çaçi është “Hero i Popullit”, ndërsa patrioti  Demir Staravecka, një nga të parët luftëtarë antifashistë në Shqipëri (sipas dokumenteve arkivorë), konsiderohet ende sot armik, tradhtar dhe kolaboracionist.

Në Malësinë e Madhe lufta civile zgjati pa ndërprerje plot një muaj e gjysëm ( dhjetor 1944-shkurt 1945) dhe pati qindra vikrima nga të dy palët ndërluftuese. Nga forcat nacionalçlirimtare të Korparmatës III, u vranë 39 partizanë dhe 48 të plagosur, ndërsa nga forcat nacionaliste 137 të vrarë e të pushkatuar. Të gjithë bij nënash shqiptare! Vetëm nga Brigada I sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu ( i cili hyri në Kelmend nga ana e Jugosllavisë), u vranë 30 partizanë dhe u plagosën 34 të tjerë. Kujt i duhej kjo luftë mes shqiptarësh? Dihet se në Kelmend, ku u zhvilluan betejat kryesore, nuk kishte as italianë dhe as gjermanë, por një mësymje e forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste, përfshirë edhe banorët e malësisë. Kështu bie edhe kundërteza komuniste që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë kundët pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Lufta civile në Shqipëri është evidentuar dhe raportuar thuajse nga të gjithë oficerët britanikë dhe amerikanë, që kanë shërbyer në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, edhe historiani amerikan B. Fisher ka theksuar në vitin 2012: “Duke  u bazuar në përkufizimin tradicional të luftës vcivile, do të thoja që lufta 1939-1944 në Shqipëri ishte një luftë civile”. Ndërsa në 27 nëntor 2014 ai u deklarua sërish për luftën civile, por u sulmua si atentator i Luftës NÇ etj dhe u shpall “armik”, si në kohën e E.Hoxhës, pse tha një të vërtetë.

”Ndonëse humbjet për frymë të Shqipërisë ishin më të vogla, krahasuar edhe me Jugosllavinë, shumica e të vrarëve u shkaktuan nga vetë shqiptarët në luftë më njëri-tjetrin.” – konstaton ai.

Sipas historiaografisë komuniste, numri i dëshmorëve është 28.000, edhe kjo shifër tejet e ekzagjeruar, për të glorifiluar e himnizuar Luftën NÇ. Numri i viktimave të luftës civile ende nuk është nxjerrë saktësisht, por është disa fish më i madh, rreth 30.000,  sesa numri i dëshmorëve të Luftës antifashiste, që sipas hulumtimeve të mia arrin rreth 5.000 vetë. Ky konstatim u konfirmua edhe në konferencn shkencore të Institutit të Historisë, nëntor 2014, ku u publikuan të dhënat më të fundit për  gjithsej 4744 dëshmorë ( të vrarë nga pushtuesit) .Kjo është e vërteta.

Kundërteza se nuk ka pasur luftë civile, sepse nuk mund të kishte luftë civile kur ishin okupatorët, nuk është argument që qëndron historikisht.

   

    Teza e katërt: Terrorizmi i kuq dhe ai i zi

Kundërteza: Ata që mendojnë ndryshe meritojnë të zhduken

 

Tipari themelor i PKSH dhe i luftës që ajo udhëhoqi, ishte terrorizmi. E cilësuan të tillë edhe disa nga udhëheqësit kryesorë të kësaj lufte si Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Manush Myftiu, madje edhe Enver Hoxha, në plenumin e Beratit, nëntor 1944.

« Terrorizmi në parti, në popull dhe në ushtri tregon dobësinë e vijës sonë politike.. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur meë thanë sesa më brutal  e terrorist ishte njëri, aq më komunist ishte  Kështu duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike, në një bandë kriminelësh » – raportonte Maleshova.

“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit.” dëshmonte Tuk Jakova.

Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës , veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”

Mid’hat Frashëri e konsideron terrorizmin e komunistëve në Shqipëri, terrorizëm të kuq, pjesë të terrorizmit ndërkombëtar të Internacionales komuniste. “Banditët e kuq furnizoheshin rregullisht nga misionet ajrore aleate… Të inkurajuar nga Internacionalja e Tretë, ata nuk hezituan që armët dhe pajisjet e Alleatëve t’i përdornin kundër nacionalistëve shqiptarë, për të imponuar bolshevizmin në vendin tonë e duke e kthyer në një banjo gjaku…Terrorizmi ndërkombëtar u shpall nga ne armiku kryesor i vendit tonë”

Nuk është fjala për element terroristë apo shfaqje terroriste, por për një vijë, një frymë, një praktikë terroriste  të PKSH dhe të Luftës NÇ pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

E rrëfen E.Hoxha me gojën e tij: “ Vija terroriste është e fortë te Dushani. Ke Aliu ( Miladini) me hënë.Dushani ishte gjoja kundër terrorit, ishte kundër asaj që bëri Mehmeti në Dumre. Por kjo s’e pengonte gjëkafshë që të vriste pa gjë të keq më shumë se Mehmeti. Unë në këtë pikë isha pasqyrë e Miladinit, domethënë kur vinte ndonjë raport e thoshte se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim…”

Vetë PKSH ishte një organizatë terroriste, me në krye  një terrorist stalinist si Enver Hoxha, që orientohej nga terroristët jugosllavë Popoviç e Mugosha dhe mësimet e revolucionit bolshevik. E.Hoxha, i dominuar përherë e më shumë nga ambicja   për pushtet, vihet në krye të kryqëzatës për të prerë kokat e kundërshtarëve politikë, edhe nëse këto, sipas shëmbullit të Leninit,  do të bëheshin kodra, por edhe për të prerë kokat e shokëve e bashkëpunëtorëve  të ngushtë me gjakftohtësinë kriminale të mësuesit të tij gjallë, Stalinit.

Metodat terroriste që zgjodhën komunistët, ishin vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politikë, por edhe të bashkëpuntorëve të dyshuar të tyre, vrasjet prapa krahëve, në prag të shtëpive, në prita, vrasjet politike të organizuara nga njësitet ndëshkimore guerilje, por edhe njerëzve të pafajshëm, torturat, djegia e shtëpive, grabitja (sekuestrimi) e pasurive, pushkatimi i robërve të luftës apo i të vetëdorëzuarve e të tjera.

“Parrulla “O me ne, o kundër nesh!” ishte  gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz, që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatisnim terrenin jo për marrëveshje, por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike  katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale , por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit,të zhdukin edhe  anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”- deklaronte gjatë luftës E.Hoxha.

Masakra e parë pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte ajo e Devollit, më 8 gusht 1943. Nacionalistët e shquar: Dr. Hadi Kasimati, mësuesi Hytbi Kulla,oficeri i kufirit kosovari Zija Gashi dhe këshilltarët Feti Jazxhiu, Adil Graca e Hilmi Perona u masakruan pabesisht dhe u therrën me thika nga komunistët terroristë në Ziçisht, ku kishin thirrur për bisedime dhe “marrëveshje” me komunistët.

Në afërsi të Lushnjës, M.Shehu urdhëroi pushkatimin e 63 fshatarëve të pafajshëm, vetëm se këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brig.I. Ata që s’i zuri mirë plumbi, i preu thika e zv.komisarit politik Dushan Mugosha.  Terroristët në Korçë nën drejtimin e Manol Konomit vranë dhe groposën në përroin e Shipskës 187 fshatarë që mbështesnin nacionalistët. Në Martanesh, në fshatin Peshk, M.Shehu urdhëroi për hakmarrje pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve patriotë, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit. Në Lumë  Shefqet Peçi pushkatoi 22 katundarë të pafajshëm. Në Fushë-Aliaj e Malësi të Madhe brigadat partizane dogjën tëresisht vendin  e të tjera masakra në gjithë Shqipërinë.

Një nga aspektet e dënueshme të terrorizmit komunist ishte edhe pushkatimi i robërve të luftës, qoftë shqiptarë, qoftë edhe të huaj. Mjafton të përmendim pushkatimin e 130 karabinierëvë italianë të vetëdorëzuarnë mirëbesim, por që u masakruan nga njësitet nacionalçlirimtare. Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij, e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë ( edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”.

Terrorizmi i kuq arriti kulmin në Tiranë nga data 28  tetor-16 nëntor 1944, realizuar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kristo Themelko e të tjerë krerë komunistë. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.”

Për këtë terror pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100-tët”

Një nga arsyet që fituan komunistët është terrorizmi i ekstrem i praktikuar prej tyre. Ndaj edhe britaniku Hibbert e quan “fitore të hidhur”. Balli Kombëtar, me në krye Mid;hat Frashërin, përgjithësisht u tregua pacifist e tolerant ndaj aradheve komuniste ( nuk mund t’i vrasim se janë djemtë tanë ). Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmendim terrorin e zi të ekstremit të djathtë në pushtet, si masakrat e 4 dhe 28 shkurtit 1944 në Tiranë kundrejt qytetarëve  të pafajshëm, të kryera nga  Xh. Deva, Xh.Staravecka e të tjerë si edhe masakra e disa ballistëve të Mallakastrës ndaj këshilltarëve të Hekalit, që u pushkatuan pa gjyq e pa faj, sepse mbështesnin Nacionalçlirimtaren.

Terrorizmi, nga çdo anë që të vijë, është shkatërrimtar për një popull, madje edhe për njerëzimin, siç ishte dje, siç është edhe sot.

   

    Teza e pestë: Kontributi i aleatëve anglo-amerikanë

    Kundërteza: Rreziku anglo-amerikan

 

Lufta e Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë ndikoi që edhe në Shqipëri lufta antifashiste të ishte në kahun e duhur.

Misioni ushtarak britanik që u vendos në Shqipëri qysh në pranverën e vitit 1943, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet luftarake kundër pushtuesve nazifashistë. Oficerët anglezë u atashuan në Lëvizjen Nacionalçlirimtare ( Maklin, Smajl, Palmer, Smith, Lajën, Tilman etj), te Balli Kombëtar ( Fild, Kuejl etj), Legaliteti ( Maklin, Emer, Smajl, Nil, Sejmur etj) dhe tek krerët e Veriut ( Simkoks, Kemp, Hibbert, Ridell, Hends etj) nxitën dhe ndihmësuan  ushtarakisht dhe materialisht luftën antifashiste të shqiptarëve, ndonëse në mënyrë të shbalancuar dhe pragmatike. Të shpërpjestuar, sepse ndihmuan shumë më tepër Luftën nacionalçlirimtare me armatime veshje e stërlina, për arsye të politikës globale të qeverisë britanike në atë kohë, por edhe sepse komunistët u treguan më aktivë në këtë luftë, ndërsa forcat nacionaliste u ndihmuan konkretisht shumë pak, ose aspak. Madje, armatimet, që merte Nacionalçlirimtarja nga britanikët i përdorte kundër forcave nacionaliste , edhe kur këto luftonin kundër gjermanëve. Ndërkohë, sa herë që forcat nacionaliste në të gjithë vendin bënin luftime kundër pushtuesve italianë apo gjermanë, ato sulmoheshin prapa krahëve nga forcat komuniste, që këto të siguronin monopolin e luftës dhe të pushtetit. Kjo është e dokumentuar gjerësisht.

Nga ana tjetër, britanikët u rrëfyen tejet pragmatistë, duke menduar vetëm për momentin, por jo për të ardhmen e një Shqipërie europiane. Duke mbështetur komunistët, madje duke toleruar edhe sulmin luftarak të tyre mbi nacionalistët ( me përjashtim të ndonjë note të komandës ushtarake britanike, por jo të qeverisë), ata ndihmuan në fitoren e komunistëve dhe vendosjen e regjimit të tyre totalitar.

Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në promemorien drejtuar aleatëve perëndimorë në muajin korrik 1944, shkruanin: “Ardhja e misioneve aleate vetëm në njërën anë, solli që të rritet fuqia e bolshevizmit në tokën tonë. Është e pakuptimtë se qysh nga fillimi ato filluan të paisnin vetëm komunistët, kur në fakt forcat nacionaliste ishin më superior ose në rastin më të keq të barabarta me komunistët dhe gati për të bashkëpunuar  me Aleatët kundër pushtuesit fashist. Kjo mbështetje morale dhe materiale e misioneve aleate ndaj bolshevizmit theu ekuilibrin në dëm të forcave nacionaliste shqiptare”.

Oficeri  britanik Toni Simkoks, i vendosur pranë forcave çlirimtare të Gani Kryeziut, shqetësohet nga kjo politikë e vendit të tij: “Duke i lejuar komunistët që me ndihmat tona të vrasin, të sulmojnë, apo të provokojnë kundërshtarët e tyre politikë, është më keq se sa ta kishim bërë ne vetë këtë gjë”. Këtë e pohojnë edhe britanikët Emer, Maklin, Smajl, Kemp, Hibert, të cilët kritikojnë qëndrimet e qeverisë britanike ndaj nacionalistëve antifashistë shqiptarë.

Atyre nuk iu njoh asgjë nga të drejtat dhe kërkesat legjitime kombëtare. Madje u vu në pikëpyetje ekzistenca e shtetit dhe e kufijve pas luftës. Britanikët  u bazuan vetëm në interesat e ngushta ushtarake dhe politike të tyre dhe u kërkonin nacionalistëve shqiptarë të luftonin kundër gjermanëve, pa u dhënë thuajse asgjë në këmbim dhe asnjë perspektivë për të ardhmen. Ky diferencim dhe ky qëndrim miop  ka pasur pasoja tepër të rënda politike në Shqipëri. Aq më tepër që edhe ndaj vetë oficerëve britanikë, por edhe qeverive perëndimore, E.Hoxha ka mbajtur gjithnjë qëndrim djallëzor dhe armiqëësor.

Ekstremizmi i tij shkonte deri atje sa ai t’i konsideronte armiq edhe parfaqësuesit e Aleatëve që ishin të akredituar tek nacionalistët “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse, në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit, do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të. Ne do të bëjmë asnjë dallim midis oficerëve anglezë dhe banditëve si Abaz Kupi. Në rast se i zëmë rob oficerët tuaj, nuk jua dorëzojmë , do t’i mbajmë si robër lufte dhe do t’ia kalojmë gjyqit partizan si kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me armikun.” .

Pëtër Kemp shkruante: “Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë, bashkëpunimi me britanikët ishte një krim shumë më i madhe se bashkëpunimi me gjermanët”.

Ndërsa nacionalistët shqiptarë vazhdimish, por edhe në kohën e Luftës, i kanë mbajtur sytë dhe antenat nga Perëndimi, sepse edhe krerët e tyre ishin properëndimorë, ndryshe nga komunistët që u lidhën me Lindjen komuniste.

Apeli i Mid’hat Frashërit drejtuar Aleatëve perëndimorë në ato çaste kritike të luftës, ishte një alarm për shpëtim: “Në lidhje me çështjet e brendshme të popullit tonë, është e qartë se populli shqiptar mirëprët prezencën e trupave anglosaksone edhe për një periudhë të gjatë, deri në një fazë, kur situata  në Europë të jetë më normale. Në çdo rast populli shqiptar pret nga forcat aleate që ata të marrin hapat për një zbarim në Shqipëri, menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane. Përndryshe Shqipëria mund të kthehet në një vend masakrash dhe përgjegjsia morale do të bjerë mbi ata, që armatosën dhe mbështetën  banditët terroristë, të cilët menduan të kënaqin vetëm ambicjen apo urrejtjen e tyre”.

Kjo profetësi e M.Frashërit u vërtetua plotësisht.

    Teza e gjashtë: Kolaboracionizmi, një fakt i keqpërdorur

    Kundërteza: Balli dhe Legaliteti – kolaboracionistë

 

Për mendimin tim kolaboracionizmi është një dukuri historike  e dënueshme për çdo popull.

Unë i parkas një familjeje që ka  luftuar brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, ndërsa personalisht kam një ndjeshmëri të lartë negative ndaj kolaboracionizmit të çdo kohe qoftë. Ndërkohë mendoj që ky fenomen historik duhet studiuar mirë dhe nuk duhet përdorur politikisht, siç është keqpërdorur nga PKSH dhe historiografia e saj.

Nuk është vendi këtu të trajtoj se ç’është kolaboracionizmi dhe historinë e tij shqiptare, sepse e kam bërë tek librat e mi, por do të argumentoj tezën: Balli Kombëtar e Legaliteti kanë qenë organizata dhe lëvizje nacionaliste jokolaboracioniste me pushtuesit, përkundër tezës komuniste se Lufta NÇ ishte luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë.

Ky formulim poltik u përpunua nga emisarët jugosllavë Popoviç, Mugosha, Jovanoviç, Tempo dhe u hodh në Konferencën e Dytë të Labinotit, 4-8 shtator 1943, pra menjëherë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, për të justifikuar sulmin e armatosur të forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste.

Deri në atë kohë, nacionalistët dhe partizanët kishin luftuar shpesh bashkërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe nuk kishin ardhur në përpjekje ushtarake me njëri-tjetrin. Në Mukje u bë edhe marrëveshja mes dy  organizatave antifashiste e luftarake, Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët. Si ka mundësi që brenda natës, Balli Kombëtar të quhej organizatë kolaboracioniste me pushtuesit, kur deri atëhere  konsiderohej organizatë partnere me Nacionalçlirimtaren?

Fakti që në këtë Konferencë Balli u quajt bashkëpunëtor me okupatorët, tregon se u vu menjëherë në përdorim formula e përgatitur nga jugosllavët kundër nacionalizmit shqiptar “si bashkëpunëtor i okupatorëve”. PKJ i interesonte përplasja midis dy formacioneve, veçanërisht asgjësimi i Ballit Kombëtar dhe i forcave të tjera nacionaliste. Sipas Tempos, kursi i vetëm që do të ndiqej, ishte që nacionalistët ose të detyroheshin të bashkoheshin si individë me Frontin NÇ, ose të shpalleshin  bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe të goditeshin njëlloj si ata. Rrugë tjetër nuk kish. S’mund të luftohej një forcë, pa e njollosur atë dhe pa e urryer si armik. Kjo ide djallëzore u kthye në platformë e në veprim të Frontit NÇ.

Hibbert, oficer anglez, shpjegon: “Strategjia politike e PKSH që punonte nëpërmjet Lëvizjes NÇ, ishte që nacionalistët të dilnin njëlloj, si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve”

Vetëm në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar patriotizmin e shqiptarëve e urrejtjen e tyre tradicionale kundrejt tradhëtarëve dhe duke i quajtur nacionalistët si bashkëpuntorë të pushtuesit, mund të neutralizohej e mandej të asgjësohej Balli Kombëtar e forcat e tjera nacionaliste e demokratike dhe vetëm kështu mund të fitonte terren e mbështetje Partia Komuniste dhe Lufta nacionalçlirimtare.

Deivid Smajl e konstatonte këtë tendencë djallëzore dhe përpjekje të gabuar të udhëheqësve komunistë: “Komunistët thoshin se ballistët bashkëpunonin me gjermanët. Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq  ata që s’mendonin njëlloj  apo që nuk bashkoheshin me ta.”

Kjo situatë e rrezikshme i tronditi faktorët e vërtetë luftarakë dhe njerëzit e ndershëm e atdhetarë nga të dy anët e antagonizmit të imponuar.

Thirrja e Ballit Kombëtar “Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot” në këto çaste dramatike ishte shumë domethënëse:

“Marrëveshja e Ballit me Çlirimtaren është vepra më e bukur, më e urtë dhe e dobishme për shpëtimin e atdheut, por kjo marrëveshje nuk është veçse fillimi. Nuk ka arsye që të mos bëhet më e fortë, më e sinqertë dhe më e përshtatur për kohët e sotme. Ata që mendojnë ndryshe, gabohen… Sot është koha për një Front të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish: jetën; Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorëve dhe vaditën me gjakun e zemrës së tyre këtë tokë arbërore…Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: Ja vdekje, ja liri! Jemi vëllezër  s’na ndajnë dot!”

Kjo strategji perfide e PKSH u përdor edhe kundër legalistëve.

A mund të ishin kolaboracionistë legalistët, kur në shtabin e Abaz Kupit, gjendeshin tetë oficerë britanikë?

Britaniku Xhuliano Emer konstatonte: “E.Hoxha, që e kishte përdorur këtë taktikë me ballistët, kishte vendosur ta bënte këtë lojë  edhe me zogistët dhe t’i sulmonte   si “kolaboracionistë”. “Informatorët tanë na tregonin se E.Hoxha kishte bërë plane për të sulmuar zogistët me qëllim të caktuar që t’i hidhte në prehërin e gjermanëve dhe t’i diskretitonte kështu para aleatëve. Identifikimi i rivalëve me armiqtë ishte njëri nga mjetet efikase të arsenalit komunist. Edhe balli Kombëtar ishte shkatërruar me këtë taktikë.”

Dokumentet tregojnë qartazi, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti ishin organizata nacionaliste, që e kishin nisur luftën antifashiste përpara komunistëve. Madje legalistët, ishin pjesë përbërëse e Frontit NÇ deri në Mukje. Abaz Kupi ishte anëtar i shtabit të Përgjithshëm NÇ dhe factor bashkues me nacionalistët.

Nuk ekziston ndonjë dokument arkivor shqiptar apo i huaj, që të provojë që Balli Kombëtar apo Lëvizja e Legalitetit të ketë bashkëpunuar me pushtuesit. I vetmi dokument është ai i datës 7 tetor 1943, me anë të të cilit M.Frashëri porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane për shkak të sulmit të dyfishtë, komunist dhe atij nazist. Ky dokument,së pari dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë. Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta marrë pezullimin e përkohshëm si kolaboracionizëm. Mid’hati nuk lidhi asnjë marrëveshje me gjermanët. Ai i pezulloi përkohësisht , për t’i vazhduar  më vonë aksionet kundër tyre, siç ndodhi realisht. Natyrisht, gjatë luftës civile, të vënë mes dy zjarresh, zjarrit komunist dhe nazifashist, disa elementë të këtyre organizatave si Kadri Cakrani, Jup Kazazi, Lef Nosi etj bashkëpunuan me okupatorët, ashtu siç bashkëpunuan edhe disa elementë të Nacionalçlirimtares me nazifashistët si Omer Nishani, Gjin Marku (kompromisi me gjermanët në  Berat e Kuçovë), Xhelal Staravecka,komandant batalioni i Brigadës I S, që u bashkua me qeverinë kolaboracioniste etj. Sepse të dyja palët nuk ishin parti, por ishin lëvizje apo fronte patriotike, ku merrnin pjesë vullnetarisht njerës me bindje e qëndrime të ndryshme. Nuk mund të njolloset e të akuzohet Balli Kombëtar, as Legaliteti dhe as Lëvizja NÇ për kolaboracionizëm, pse disa individë apo pjesë të tyre bashkëpunuan me pushtuesit, në rrethana të caktuara lufte. Madje, PKSH e dënoi kompromisin e Beratit me gjermanët, ashtu si Balli Kombëtar mbajti qëndrim ndaj elementëve që morën pjesë individualisht në komitetin kolaboracionist të Ibrahim Biçakut:

“Organizata e Ballit Kombëtar proteston energjikisht kundër formimit arbitrar të Komitetit ekzekutiv  të Tiranës, duke e quajtur nul çdo veprim të tij. Zoti Lef Nosi, ka marrë pjesë në këtë komitet si individ e, meqënëse me këtë akt ka dalë jashtë direktivave të Ballit, të cilat janë dhe do të jenë gjithmonë për një luftë të paprerë kundër çdo okupatori, organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” vendosi dëbimin e z. Lef Nosit në mënyrë të prerë nga radhët e saj”.

Për të njollosur Ballin Kombëtar si kolaboracionist me propagandën e saj mashtruese, PKSH  i futi në një thes të gjithë nacionalistët, duke i quajtur ballistë. Nuk kanë qenë kurrë anëtarë të Ballit Kombëtar Xhaferr Ypi, Mehdi Frashëri, Ibrahim Biçaku, Irfan Ohri, Halil Alia, Xhevat Starova, Anton Harapi, Ismail Vërlaci, Gjon Markagjoni, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva e të tjerë. Këtë fakt e ngatërrojnë qëllimisht edhe sot pseudohistorianët apo enveristët.

Sa për pjesëmarrjen e ballistëve Bahri Omari dhe Kolë Tromara në qeverinë e R. Mitrovicës, që kishte një program kombëtar, theksoj se ata paraprakisht dhanë zyrtarisht dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe u larguan prej tij me motivin se ruajtjes së rendit e të gjindjes shqiptare, të mbrojtjes së jetës së popullsisë civile në gjithë hapësirën shqiptare, por  edhe të mbrojtjes nga rreziku komunist.

Më duhet të theksoj gjithashtu, se Balli Kombëtar e ka shpallur zyrtarisht qëndrimin e tij kundër pushtuesve nazifashistë dhe ka luftuar kundër tyre, por njëherësh ka bërë diferencimin ndërmjet italianëve, që i ka konsideruar pushtues dhe gjermanëve, që i ka konsideruar okupatorë kalimtarë përgjatë luftës, që kishin njohur pavarësinë e Shqipërisë, asnjanësinë e saj dhe kishin ndihmuar gjysmën e kombit të hidhte poshtë zgjedhën serbe.

“Pavarësisht  këtyre arsyeve të mira, – thuhet në apelin e M.Frashërit dhe A.Ermenjit në thirrjen drejtuar Aleatëve Perëndimorë në korrik të vitit 1944, – organizata jonë vazhdoi përpjekjet e saj kundër pushtuesit gjerman për tre muaj me të njëjtin impuls si ndaj pushtuesit fashist, pavarësisht faktit se ne ishim keq tq pajisur me armë dhe të sulmuar nga banditët komunistë të armatosur më mirë se ne… Ashtu siç mund të verifikohet lehtësisht  me fakte të pakundërshtueshme të njohura edhe nga misioni aleat,  kolonat gjermane u sulmuan në mënyrë të vazhdueshme e të suksesshme nga çetat nacionaliste në Shqipërinë e Jugut, në veçanti në zonën e Vlorës. Të gjitha propozimet e bëra ndaj drejtuesve të organizatës sonë nga autoritetet gjermane për të pasur një mirëkuptim, u refuzuan në mënyrë kategorike nga ana jonë”.

Kur politikanët dhe pseudohistorianët e djeshën e të sotëm akuzojnë të tjerët për kolaboracionizëm dhe e përdorin atë politikisht, harrojnë apo nuk duan të pranojnë faktet e dokumentuara tashmë se ishin komunistët ata që kolaboruan me jo vëtëm me emisarët jugosllavë në Shqipëri, por edhe me kontigjente të ushtrisë jugosllave që vepruan në Shqipëri kundër nacionalistëve shqiptarë , bie fjala, batalioni serb që vepronte në Peshkopi e Kukës bashkërisht  me aradhet nacionalçlirimtare shqiptare dhe që komandohej nga krimineli serb Petar Brajoviç, si edhe bashkëpunimin ushtarak të ushtrisë NÇ të Shqipërisë ( Divizioni V dhe VI)  me ushtrinë NÇ të Jugosllavisë (1944-1945) për të mposhtur rezistencën kombëtare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, duke  kryer masakra  kundër popullatës shqiptare  ( si masakra e Tivarit, e Dibrës, etj)  si edhe për ripushtimin ushtarak të Kosovës.

 

 

 

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: PËR LUFTËN ANTIFASHISTE, TEZA DHE KUNDËRTEZA, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT