• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Urdhri “Hero i Kosovës” për atdhetarin Rifat Berisha

May 17, 2019 by dgreca

-Presidenti Kosovës: Rifat Berisha e kishte angazhim jetësor bashkimin me Shqipërinë/

PRISHTINË, 17 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Rifat Berisha.

Presidenti Thaçi ka thënë se në prag të njëzetvjetorit të çlirimit të Kosovës, po përkujtojmë një figurë të ndritur të historisë kombëtare, Rifat Berishën, nënkryetarin e Konferencës së Bujanit, nënkryetarin e Këshillit Antifashist të Kosovës.

 “Përcaktimi i drejtë jetësor, kombëtar dhe politik gjithmonë e ka një bazament për çdo personalitet të lëvizjes kombëtare. Fshati Berishë ishte vendlindja e Tahir Berishës, xhaxhait të Rifatit, njërit nga njerëzit më të urtë dhe më të mençur që ka prodhuar gjeniu ynë popullor. Xhaxhai i tij ishte përhapës i librit shqip në kohën e errët të mbretërisë jugosllave, i lidhur me patriotët dhe intelektualët më të shquar të kohës, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Shtjefën Gjeçovi dhe të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se burimi i parë i frymëzimit dhe edukatës atdhetare për Rifat Berishën ishte pikërisht ky burrë i matur dhe me shumë inteligjencë natyrore.

Kreu i shtetit theksoi se shkollimi në Shqipëri i forcoi edhe më shumë tiparet atdhetare dhe e skaliti karakterin e Rifat Berishës.

 “Edhe pse kalonte vite në Shqipërinë, ai asnjëherë nuk e hoqi nga mendja Kosovën, e cila nën mbretërinë jugosllave nuk kishte asnjë të drejtë kombëtare. Si oficer i ri, Rifati shërbeu në sektorin Armës së Kufirit”, tha ai.

Duke njohur çdo pëllëmbë të kufijve të Shqipërisë, presidenti Thaçi shtoi se Rifati e pa për së afërmi realitetin e copëtimit dhe ndarjes së tokave shqiptare.

Ai ishte kufiri më tragjik në Ballkan, siç thoshte vetë ai, kufi me “piramida të huaja në trojet shqiptare”.

 “Si nënprefekt i rrethit të Gjilanit, Rifat Berisha formalisht ishte pjesë e pushtetit qendror të Tiranës së atëhershme, por me mendje, zemër dhe veprime ai ishte një antifashist i bindur. Gjatë kësaj periudhe ai fshehtas bashkëpunoi me antifashistët shqiptarë, përkrahu dhe ndihmoi popullatën shqiptare të shpërngulur nga trojet e pjesës juglindore, që ishin nën pushtimin bullgar. Rifat Berisha që herët vërejti hilet e komunistëve serbë dhe jugosllavë. Në Konferencën e Bujanit, nga e cila zgjidhet nënkryetar, Rifat Berisha këmbënguli që të mos nënshkruhet Rezoluta pa u përfshirë në të qartë parimi i të drejtës për vetëvendosje dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, pohoi presidenti Thaçi.

Vendimet e Konferencës së Bujanit dhe formimi i këshillave nacional çlirimtarë anembanë Kosovës në frymën e saj, kreu i shtetit tha se ishin bërë angazhim jetësor i Rifat Berishës deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, si angazhim i mbështetur në shpresë dhe besim për bashkim me Shqipërinë.

 “Por, Beogradi zyrtar e kishte planifikuar mospërfilljen e vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës. Anulimi i Rezolutës së Bujanit dhe shpallja e administrimit ushtarak më 8 shkurt të vitit 1945 janë ndër dokumentet më antishqiptare dhe më të egra të kreut komunist serb”, tha ai.

I pari i vendit shtoi se nuk ka gjë më absurde dhe paradoksale se të jesh i rreshtuar nga ana e drejtë e historisë globale dhe të pësosh në mënyrën më të keqe nga ana kombëtare.

 “Kjo ndodhi me Kosovën. Rezistenca heroike e brigadës së Shaban Polluzhës u shua me gjak. Për antifashistët shqiptarë të Kosovës që nuk u shndërruan në vegla të segmenteve të pushtetit jugosllav dhe serb, pas luftës filloi ndjekja e tyre me vrasje, burgosje dhe forma tjera persekutimi”, tha ai.

Rifat Berisha, ndonëse deputet në nivel republikan dhe kryetar komisionesh ekzekutive, sipas presidentit Thaçi, nuk pranoi që të përpunohet dhe të thyhet asnjëherë.

 “Ai së bashku me disa atdhetarë krijuan Frontit Kombëtar Shqiptar, me synim që të organizojnë kryengritje popullore kundër regjimit komunist jugosllav. Duke parë që ai mbetej një atdhetar i pastër, duke parë ndikimin e tij në masat e gjera, pas vëzhgimit të gjatë, organet e pushtetit ushtarak përpiqen ta arrestojnë. Në fakt 17 maji i vitit 1949 e tregoi qartazi faktin se me çfarë ideali ishte rritur, edukuar dhe përcaktuar Rifat Berisha. Ai nuk do të dorëzohej i gjallë tek organet e OZNA-s. Përkundrazi. Rifati dhe bashkëluftëtarët e tij besnikë në idealin për realizimin e të drejtave kombëtare, zgjodhën rezistencën e armatosur”, ka thënë presidenti Thaçi.

I rrethuar me forca të shumëfishta policore dhe ushtarake, presidenti Thaçi tha se Rifat Berisha së bashku me Mustafë Berishën, Islam dhe Brahim Berishën bien në istikamet e nderit, duke rezistuar deri në sekondën e fundit të jetës.

 “Përballja me pushkë me pushtetin serb tregoi më së miri idealin jetësor të Rifat Berishës. Synimi për të kaluar në Shqipëri, nuk u realizua”, shtoi ai.

Një kapitull i veçantë i dhimbjes dhe sakrificës, sipas presidentit Thaçi, janë anëtarët e gjallë të familjes Berisha, burrat, djemtë, gratë dhe bijat.

 “Ata u bastisën sistematikisht, u vranë, u burgosën, u torturuan, u dëbuan nga puna, u privuan nga e drejta e shkollimit pa përjashtim gjinie dhe një pjesë e tyre kaloi në Shqipëri. U desh të binte sistemi komunist jugosllav dhe Kosova të çlirohej, që figura e Rifat Berishës të nderohet publikisht. Ajo kohë kur anatemoheshin dhe etiketoheshin me lloj epitetesh Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Rifat Berisha, Imer Berisha e personalitete tjera kombëtare ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Me këtë akademi, presidenti Thaçi tha se po ia bëjnë nderimet më të larta institucionale këtij atdhetari dhe nacionalisti të palëkundshëm.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për atdhetarin Rifat Berisha./b.j/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Urdheri i Kosoves-Rifat Berisha-Presidenti Thaci

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT