USAID NDIHMON KOSOVËN NË ZHVILLIM/
-USAID ka instaluar një dimension alternativ të përkrahjes, duke avancuar resurset e përgjithshme në përputhjet me nevojat e vendit/
-“Ne i jemi mirënjohës popullit amerikan, SHBA-ve dhe Misionit të USAID-it për kontributin e dhënë në Kosovë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin lamtumirës me Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie/
PRISHTINË, 12 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/
“Që nga përfundimi i luftës, USAID ka ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, në arsim, shëndetësi, sistemin e drejtësisë, bujqësi dhe në shumë projekte të rëndësishme për vendin. Ne i jemi mirënjohës popullit amerikan, SHBA-ve dhe Misionit të USAID-it për kontributin e dhënë në Kosovë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin lamtumirës me Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.Kryeministri Haradinaj, falënderoi drejtorin Hope për përkushtimin e tij për të bashkëpunuar me institucionet qendrore dhe lokale, duke theksuar se Kosova është me fat që ka mbështetje nga një partner kaq i fuqishëm si SHBA-të.“USAID ka instaluar një dimension alternativ të përkrahjes, duke avancuar resurset e përgjithshme në përputhjet me nevojat e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se falë ndihmës së vazhdueshme të Misionit të USAID-it dhe përkushtimit institucional, sot në vendin tonë është krijuar klimë e favorshme dhe ambient më i mirë i të bërit biznes, dhe përmes realizimit të projekteve që ka ndihmuar drejtpërdrejtë ky mision, sot në Kosovë kemi numër më të madh të vendeve të punës. Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, u shpreh i lumtur që ka shërbyer në Kosovë, për bashkëpunimin me institucionet vendore, ndërsa vlerësoi të arriturat dhe progresin e deritashëm, duke shprehur gatishmërinë e USAID-it që të vazhdojë mbështetjen edhe më tutje për Kosovën në proceset e mëtejme zhvillimore
Kosovë-Dekorohet Drejtori i USAID, James Hope/
PRISHTINË, 12 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi sot me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë Drejtorin e USAID-it, James Hope. I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Presidenti Thaçi shprehu vlerësimin se Populli amerikan, përmes USAID-it, e ka ndihmuar popullin e Kosovës në ditët më të vështira të rimëkëmbjes dhe të ndërtimit të institucioneve demokratike, që nga ditët e para të lirisë.
“Drejtorin e USAID-it, James Hope, i cili po e lë Kosovën pas një pune të suksesshme, për angazhimin e madh në forcimin e shtetndërtimit tonë, sot e dekorova me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
USAID-i ka dhënë dhe po vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm, me projekte të ndryshme, në të gjitha fushat”, theksoi Presidenti i Kosovës./b.j/