-Kryetari Veseli priti ambasadoren e re të Kroacisë, Marija Kapitanoviç/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadoren e re të Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.
Kreu i Kuvendit të Kosovës vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë, por konsideroi, gjithashtu, se ka ende hapësira për rritjen e këtij bashkëpunimi, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.
Lidhur me marrëdhëniet midis dy parlamenteve, ishte dakordim i përbashkët se ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet takimeve të ndryshme të komisioneve simotra, por u konstatua gjithashtu, se gjithëherë gjenden mundësi të reja për kultivimin dhe begatimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
Kryetari i Kuvendit, Veseli, e vlerësoi si shumë të rëndësishme përvojën kroate në rrugën e integrimeve evropiane, e cila, siç tha ai, mund të shfrytëzohet nga Kosova në këtë proces. Kreu i Kuvendit kërkoi nga ambasadorja kroate që Zagrebi zyrtar të vazhdojë të jetë, sikur deri më tani, një zë përkrahës i Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat aspiron të anëtarësohet.
Krahas fushës politike, kryetari Veseli e konsideroi mjaft të rëndësishme për Kosovën zgjerimin e bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, duke parë te Kroacia një model të suksesshëm zhvillimi e bashkëpunimi.
Ambasadorja kroate, Kapitanoviq, nga ana e saj, shprehu gatishmërinë e shtetit që ajo përfaqëson, për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit dhe veçanërisht në përshtatjen e legjislacionit vendor me atë evropian. Ajo garantoi mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, duke i dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave të cilat e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës./b.j/
Kosovë-2016-ta, vit i ndryshimeve
*President Jahjaga’s 2016 New Year’s Message /
* Ambasadori amerikan Delawie: Do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016/
* Veseli: 2016-ta, qoftë një vit i mirëqenies dhe i mbarësisë /
* Mustafa: 2015-ta me suksese, 2016 vit i punës, shpresës dhe besimit/
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në mesazhin me rastin e Vitit të Ri 2016 shprehet se, ky vit që po e përmbyllim na dëshmoi se kemi shumë punë para nesh, shumë pritje për t’i përmbushur. “Megjithatë, ishte vit që na bashkoi në kërkimin e një Kosove ndryshe”, theksoi ajo.
Ne, vijoi Jahjaga, nuk jemi dorëzuar kurrë, as atëherë kur përndiqeshim, as tash kur lista e prioriteteve sa vjen e rëndohet.
“Nuk kam asnjë dyshim që me gjithë këtë forcë dhe kurajo dhe me dashurinë që të gjithë e ndjejmë thellë në zemrat tona për Kosovën shtetin tonë, viti 2016 do të jetë vit i ndryshimeve. Për një jetë me te mire”, tha presidentja kosovare.
Ne, shtoi ajo, kemi vlera të palëkundura, forcë të hatashme dhe parime të qarta. “Ato do te vazhdojnë të jenë udhërrëyesi ynë në këtë vit të ri”, përfundon Jahjaga me urimin gëzuar Vitin e Ri./b.j/
***
President Jahjaga’s 2016 New Year’s Message
Honourable citizens of the Republic of Kosovo
I wish you a very successful New Year, in good health, wellbeing, in comfort and abundance in your families.
The year we are leaving behind proves that there is still a lot of work ahead of us, lots of expectations to fulfil. However, it was a year which got us all together, in search for a different Kosovo.
We have never given up, not then when we were persecuted, and not now when the list of priorities keeps on getting longer and longer.
I have no doubt that with all this strength and love which we all feel deep in our hearts for Kosovo, for our state, that 2016 will be a year of changes. For a better life.
We have unwavering values, immense strength and clear principles. They will continue to be our guide during the New Year as well.
I wish you pleasant holiday and a Happy New Year.
***
Ambasadori amerikan Delawie: Do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015-B.Jashari/Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në një mesazh të dërguar nga Ambasada në Prishtinë uron Vitin e Ri 2016 duke paralajmëruar realizimin e suksesit të madh.“Do të vazhdoj ta mbështes Kosovën në rrugën e saj si shtet shumetnik, demokratik, me një të ardhme në qendër të Evropës. Së bashku, ne do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016!”, thekson mesazhi i ambasadorit amerikan në Kosovë, për Vitin e Ri.
***
Veseli: 2016-ta, qoftë një vit i mirëqenies dhe i mbarësisë
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Me rastin e Festës së Vitit të Ri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në prag të ndërrimit të motmoteve, qëndrova në familjen e Fadil Rexhepit në Gadime të Epërme të Lipjanit, veteran i UÇK-së. Olsës së vogël, e cila ishte fëmija i parë i lindur në Kosovë në vitin 2015, i urova ditëlindjen e saj të parë.
Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të gjithë qytetarëve tanë, grave dhe burrave, fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve, shërbyesve civilë, punëtorëve të sektorit privat dhe sipërmarrësve, arsimtarëve, studentëve, profesorëve universitarë, mjekëve, fermerëve, veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, policëve dhe ushtarëve të Kosovës, qytetarëve me nevojave të veçanta, bashkatdhetarëve tanë kudo në botë, Gëzuar Viti i Ri 2016!
Qoftë një vit i mirëqenies në familjet tuaja dhe i mbarësisë në punë e shoqëri!”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Veseli.
Mustafa: 2015-ta me suksese, 2016 vit i punës, shpresës dhe besimit
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015-B.Jashari/Republika e Kosovës po e përmbyll edhe një vit me suksese, pavarësisht nga vështirësitë e saj, tha kryeministri Isa Mustafa, në mesazhin me rastin e Vitit të Ri 2016.“Nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, hap i madh i Kosovës në proceset integruese për zhvillimin e vendit”, theksoi fillimisht ai.
Ai theksoi se janë bërë reforma të mëdha, të cilat shtruan rrugën për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe punësim, në vitet në vijim.
“Siguruam pensionet për veteranët e UÇK-së, rritëm ndjeshëm asistencën sociale dhe pensionet për prindërit tanë kontributdhënës, të cilët na sollën këtu ku jemi, me sakrifica të paimagjinueshme. Në vendin tonë vazhdon të dominojë optimizmi, vullneti, dashuria dhe solidariteti për njëri-tjetrin”, u shpreh Mustafa.
Gjatë këtij viti, vijoi ai, u ballafaquam me sfida dhe situata të paparashikuara, ishim dëshmitarë të tensioneve të rënda politike.
“Besoj shumë se është koha e duhur që të gjithë t’i kthemi traditës tonë mbresëlënëse politike të unitetit dhe konsensusit politik, në periudha të rëndësishme për vendin. Gjërat që na bashkojnë janë shumë më shumë sesa ato që na ndajnë”, tha kryeministri kosovar.
“Jemi në prag të liberalizimit të vizave, të avancimit të proceseve tjera integruese euroatlantike, të transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Vendet mike, në krye me SHBA-të, po bëjnë përpjekje maksimale që ta bëjnë Kosovën anëtare të Kombeve të Bashkuara”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai u shpreh besimplotë se Viti i Ri 2016, do të jetë vit i punës, shpresës dhe besimit. “Vit i mirëkuptimit tonë! Është çasti më i duhur që të reflektojmë së bashku dhe që me forcën e vullnetit me të cilën fituam lirinë dhe krijuam shtetin, të angazhohemi që ta bëjmë Republikën e Kosovës anëtare të denjë të familjes së madhe evropiane”, tha kryeministri kosovar, Mustafa.
Pandeli Majko në Kosovë-28 Nëntori – Urimie për të gjithë shqiptarët
-Pandeli Majko në Kosovë: Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë. Ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata/-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Nëntor 2015/ Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ishte në krye të qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99, sot në Prishtinë dha mesazhin se, Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë, ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.Në prag të 28 Nëntorit, Veseli dhe Majko përcollën mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët, me porosinë që ajo të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar.Në takim zyrtar, njëkohësisht edhe midis miqsh, u evokuan kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyen ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.Kryetari Veseli falënderoi ish-kryeministrin Majko për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën nga të gjitha pozitat e tij drejtuese, në kohë dhe rrethana të ndryshme, që nga Lufta çlirimtare, kur Majko ishte në krye të ekzekutivit shqiptar.Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon. Kreu i Kuvendit shfaqi interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën zyrtare në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht lëmin parlamentar.
Lidhur me zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, ishte dakordim i përbashkët nevoja e komunikimit midis subjekteve politike, i cili do t’i hapte rrugë arritjes së një konsensusi të përbashkët, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimit të jetës sociale e ekonomike të tyre, zhvillimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare.
Ish-kryeministri Majko, nga ana e tij, tha se çdo vizitë në shtëpinë e tij të dytë, siç e konsideroi ai Kosovën, përcillet me emocion të veçantë, ndërsa këtë radhë, edhe me shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh herë, sipas tij, eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare. Por, ai u shpreh i bindur se gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur.
“Ne kemi një varg shumë të bukur te Himni Kombëtar, ‘Rreth flamurit të përbashkuar’. Mendoj se 28 nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata, sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin edhe gjakun, e jo më të tejkalojnë inatet politike të natyrave të ndryshme, nga më të drejtat, deri në më të gabuarat. Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë”, theksoi Majko.
Ai shprehu optimizmin se të gjithë ata që janë pjesë e kujtimeve të tij, e që sot veprojnë nëpër parti të ndryshme politike, kanë mundësitë që në prag të Festës së Flamurit të gjejnë një gjuhë të përbashkët, me qëllim që t’i japin Kosovës atë që meriton, një ëndërr për të nesërmen, për të vazhduar rrugën e cila ka të bëjë jo vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët.
Ndërsa, pas takimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’:
“Në takim me mikun tim, ish kryeministrin dhe tash deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majkon, evokuam kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyem ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, së bashku, ua uruam shqiptarëve kudo që janë, Ditën e Flamurit, që kjo festë të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar”.
Shqipëria mbështetje të plotë Kosovës
-Kryeparlamentari Veseli takon ambasadorin e Shqipërisë, Minxhozi-/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015 B.Jashari/.-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot takoi ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi.
Në takim, Kryekuvendari dhe Ambasadori diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë, në zhvillimet e fundit dhe punën e Kuvendit të Kosovës.
Veseli theksoi se qytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare presin nga të gjithë ne,në mënyrën më të përgjegjshme institucionale, të shtyjmë përpara proceset në të cilat gjendet Kosova, me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe respektimin e shtetit ligjor.
“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është etapë e re zhvillimore për vendin tonë, ndërsa procesi i euro-integrimeve vijon të përcillet me përkushtim nga të gjitha nivelet institucionale”, theksoi kryetari Kuvendit kosovar, Veseli.
Ambasadori Minxhozi përgëzoi kryekuvendarin Veseli për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, duke vënë theksin në vijimin e angazhimit për liberalizimin e vizave dhe realizimin e procesit eurointegrues, duke ofruar mbështetjen e plotë të Shqipërisë në këto procese.
Kosova po lëviz përpara
PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »