Kosovë-Kurti thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje/
“Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi Albin Kurti./
PRISHTINË, 13 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje.
“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen Vetëvendosje si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme për shtyp.Tutje ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa dy koalicionet përballë tha se kanë pësuar humbje të thella.
“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të vendit të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ne e kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre. Prandaj, e kemi obligimin që të japim maksimumin tonë për ta çuar përpara vullnetin e tyre”, shtoi Kurti.Ai ka ftuar të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë “kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të Klanit Pronto, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mandat të qartë dhe të fuqishëm prej qytetarëve për të sjell ndryshimin në qeverisje. Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi ai.Në fund, Albun Kurti iu ka bërë thirrje gjitha partive të tjera dhe deputetëve që janë të përcaktuar për t’i sjell vendit ndryshimin, që të bashkohen në këto bisedime për përgatitjet për ndërtimin e një qeverie te re të Republikës së Kosovës.Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dieles së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të 99,88% të vendvotimeve të procesuara deri sot në mëngjes nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,74% të votave. /b.j/