• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIJUESI MAGJIK

December 20, 2019 by dgreca

(Rreth poezisë së Lulzim Tafës)/

Shkruan: Violeta ALLMUÇA/Shkrimtare//

            Kur shkruajmë sot për poezinë dhe poetin Lulzim Tafa, një nga poetët më të veçantë dhe interesantë që kam lexuar këto vitet e fundit, ndjen vlerat e larta shpirtërore të vargut me përjetime të thella të subjektit lirik. Duke mos qenë i kushtëzuar nga reflektimet e jashtme ai e ka mbushur sipërfaqen poetike me zërin e psikën e tij. Hapësira e brendëshme njerëzore e poetit, përveç lirizmit shpall edhe një cipë ironie dhe dozë revolte, ku formohet elementi i plotë i objektit poetik. Nën ndikimin e stilit të tij vetanak, të papërsëritshëm, secila fjalë e ardhur në vargje na flet për dramën e thellë të botës shqiptare të poetit, i cili UNIN poetik nëpërmjet ritmit e vesh me lëndë poetike. Nuk është e çuditshme që pasi të kesh lexuar mbi 100 poezi të Lulzim Tafës të gërmosh për të zbuluar qoftë edhe ndonjë varg të “lodhur” të del punë, sepse secila poezi ka ngritjen e saj substanciale, me rrënjë artistike dhe vlera të larta estetike. Nga ana tjetër duhet të mendosh se poezia e tij jo më kot është mirëpritur edhe në hapësirën universale nga lexuesi i gjerë. Askush nuk mund të çuditet se ky poet ndodh të shfaqet si një “astronom” i planetit letrar që në duar mban një laps, jo për të zbuluar planete të reja, por për ta ngjitur sa më lart lirinë, atje ku nisen në fluturim dhe ëndrrat e poetit. Ja ku e zbulon vargun në poezinë : “Ke fjetur nën hënë”: Ke fjetur nën hijen e hënës/Do të vij në ëndrrën tënde/Nga ëndrra e zezë. Në fund poeti zbret në tokë. Ëndrra vishet me metafora. Vargu bëhet tokësor. Mos qaj për mua vogëlueshe. Vargu i tij është gjithnjë në lëvizje. Poeti nuk mban ditar. Ai veç fluturon mes universit dhe e bën poezinë magjike. Semantika përmban një leksik me fjalë të zgjedhura, thuajse të përkryera që i burojnë zakonisht në artin e shpirtit, sepse aty është liria e paanë e poetit. Nëpërmjet figuracioneve dhe gjuhës poetike, imagjinatës dhe mjeshtërisë, autori e sjell gjininë e përsosur të poezisë në një dimension gjithëpërfshirës. Motivet poetike bashkë me synimin tematik shpesh lëvizin nga kohët e ikura në të tashmen. Krijuesi magjik e shfaq ndjesinë e përjetimit mbi ndjesitë e vargut, të cilat shenjojnë gjithçka estetike kur zbulojnë kodin e krijimit artistik, aty ku lëviz e ardhmja. Le të shohim poezinë: “Nesër”. M`i jep sytë ta shoh diellin/Si bien yjet/ Qielli si bie/ Do të ulemi sërish Teutë/T`i rrëfejmë ëndrrat e natës së shkuar/. Gjendja emocionale e poetit, rrëfimi i shkëlqyer i frymës lirike, çastit të ndjenjës lirike, intensiteti i lartë lirik i vargut, krijon një mozaik me secilën poezi, sidomos tek poezitë e dashurisë dhe poezitë erotike ku formësohet gjithnjë vargu i plotë me ndjeshmëri të thellë, me vargje të shkurtra në një botë të madhe krijuese. Le të lexojmë poezinë e tij: “Vashë e Dukagjinit”. E bukur je/Më e bukur se vasha e përrallave/ Kristal je/ Kristal ke syrin/ Filigranët të qesin nëpër unaza/. Ja çasti poetik si kthehet në një çast magjik, ndjenjë lirike, krijim artistik me vlerë estetike.  Në të gjitha vargjet e këtij poeti, ndjesitë e autorit shfaqen si ndjesitë e vargut. Ai zbulon kodin e krijimit artistik kur lënda imagjinative kthehet në një komunikim me realitetin dhe shkrihet në gjendjen shpirtërore gjatë rrëfimit autentik. Atëhere vargu i poetit i beson të vërtetës që dëshmon një varg realisht të zhveshur nga ëndrrat melankolike të së shkuarës. Poezia e tij i çliron vargjet që përbëjnë edhe kujtesën duke e lënë fjalën të lirë, jo vetëm për humanizëm njerëzor. Elementi tragjik i luftës shpesh shndërrohet në një element të paqes. Vetëm një kryepoet mund ta kthejë luftën në paqe nëpërmjet formës së madhërishme të lirisë. Ai përdor simbolin, krahasimin, antitezën, paradoksin etj. për të arritur nëpërmjet figurave letrare ta ndjellë poezinë në brendësinë e saj duke ia përcjellë me gjuhë poetike lexuesit. Dëshiroj të lexoj poezinë e tij: “Norma”. Kush e vret një armik në luftë/ ka të drejtë/ t`i vrasë/ dhjetë shqiptarë/ në paqe/ Paqe është kjo/ Pasha krytë/ ose poezinë: “Ura”. Vetëm me frymë e bëra të fortë/ të lidhur për zemre/ kalo lirë/ zoti të flet/ dhe engjëlli i bardhë të mban/për dorë/. Poeti i ka thënë të gjitha përjetimet e tij të jashtme duke e nxjerrë çdo fjalë në liri nga psika e trishtë e tij. Ëndrra bëhet zhgjëndërr. Poeti nuk mban më asgjë brenda vetes. Vetëm i lutet vargjeve të shndërrohen në motiv të lirisë. Dhe liria është fjala, vargu dhe gjuha e krijuesit magjik. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Poeti shtron vargjet në memorien e çdo subjekti lirik, pra të vërtetën artistike. Në brendësi të poezisë së Lulzim Tafës ka vargje që sjellin mesazhe për jetën e dashurinë, të cilat kanë fuqi, forcë, dhe padyshim nëpërmjet meditimit në kohë sjellin edhe lavdinë e poezisë. Shenjat e vargjeve të tij janë të dukshme edhe kur shfaqen përtej kohës dhe hapësirës në një komunikim përjetësues, ku përveç brengës së tij shpirtërore autori sjell edhe qasjen e pashmangshme të vargut të prekshëm njerëzor. Në universin e tij artistik poeti i mbjell vargjet në kontekstin e jetës shqiptare i prirë edhe nga fati jetësor i popullit të vet duke krijuar metaforat derisa i ngjiz ato, m`u si një përkushtim ndaj artit. Le të lexojmë edhe poezinë: “Ti a ke dhembje” /Kur s’më sheh/Kur s’më dëgjon/Kur s’të flas as s’më flet/ Kur të këputet andrra në gjysmë/Ti a ke dhembje/Kur gjumi të del/E më s’të zë/Kur ti fërgon dashurinë në prush/Kur të vlon balli/Kur të sos malli/Ti a ke dhembje/Në këtë punë djalli/Trego/Ti a ke dhembje/Si unë/. Një poezi që metaforën letrare e kthen në një jetësim të kthjellët duke interpretuar vetveten në opusin e tij lirik, me një gjuhë të thellë letrare. Është krejt e pamundur të gjesh vargje të “lodhura” në vëllimet me poezi të këtij autori brilant, që përjetimet e tij lirike pa mëdyshje janë ngjitur me kohë në Panteonin e letërsisë shqipe dhe universale. I përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe i vlerësuar me disa çmime, ai përfaqësohet me veten kur shkruan poezinë: “Tu e kërkue veten”. Kam dalë sot/Veten me e lypë/Shikoj n’diell/jam n’ tokë/Kam dalë sot veten me e lypë. Poezia e Lulzim Tafës tashmë e frymëzon lexuesin me vargjet e tij. Kjo është edhe e vërteta e dukshme e botës së poezisë dhe e së vërtetës artistike që poetët e mirëfilltë me mjeshtërinë e  tyre artistike dhe gjuhën poetike e kanë bërë pjesë të letërsisë, si individualitete të spiritualitetit njerëzor.

Filed Under: ESSE Tagged With: Krijuesi magjik, Lulzim Tafa, Violeta Allmuca

ETJE PËR LIRIKËN

July 7, 2018 by dgreca

1 antonShqyrtim mbi librin me poezi “Ishujt e jetës” së poetit Anton Marku/1 Violeta Almuca

Shkruan: VIOLETA ALLMUÇA- Shkrimtare/1 Anton okRrallë mund të lexosh poetë që krijimtarinë letrare dhe përjetimet e tyre nuk i lidhin me atdheun e përjetshëm. Një dukuri e tillë vështrohet nga folklori deri në lirikat e gjithanshme që lexuesi përcjell në kohë dhe hapësirë. Këtë dëshmi të tillë na shpërfaq edhe poeti Anton Marku në vëllimin më të ri me poezi: “ISHUJT E JETËS” një vepër poetike bashkëkohore ku në vargjet e saj shprehen ndjenjat, dëshirat, mesazhet artistike dhe bota e brendshme e krijuesit. Fatin e tij krijuesi e bashkon me fatin e rrënjëve të të shkuarës edhe pse e tashmja e lidh po ashtu me botën e madhe ku jeton. Mirëpo siç duket në poezinë e autorit mbizotëron arti i fjalës së qenësishme edhe në rrjedhat e universales. Le t`i hedhim një sy poezisë “LAKURIQ” të këtij vëllimi poetik: Një i krisur shëtit çative i patrembur/hipur mbi mure këmbëzbathur zvarritet/ Mbi supe mbart një thes me jetë/ dikur në udhëkryqe kishte gjithmonë/ një shteg të hapur/Tash në çdo shteg një udhëkryq/. Ndonëse lind trishtimi poeti gjen në udhën e hapur të fjalës, metaforën e bukur; “thes me jetë”. Duke zbuluar anën shpirtërore nëpërmjet strukturës së gjuhës poetike poeti komunikon me botën dhe njeriun përmes vargjeve duke u bërë kështu pjesë e zbulimit të së tashmes. Me frymën e vargjeve autori na flet për jetën. Trajtimi poetik jo vetëm i individit krijues por edhe hapësira ku është lindur jeta e krijuesit dhe bota e tij shpirtërore e qasin poezinë e Markut mes nesh, ashtu siç ai e ndjen dhe e përjeton secilën fjalë të vargut lirik ku njësohet zëri i secilit me artin e fjalës. Poeti si të gjithë qeniet njerëzore vuan, kërkon dashuri dhe paqe duke përdorur vetëm fjalën poetike nga e cila merr fuqinë për të fituar mbi luftën, urrejtjen, heshtjen, ngjyrën e natës dhe vdekjen. Duke trajtuar thellësisht gjerësinë e jetës në poezinë lirike ai shton edhe një element artistik, perceptimin poetik që na afron me poezinë si krijesë lirike. Harta e botës së brendshme të Anton Markut e përshkuar nga një metaforë e fuqishme dhe figura të tjera letrare e bën të jetësueshme edhe rrëfimin poetik. Ai nuk i pëlqen rrënojat e ëndrrës sepse dashuron ëndrrën e vërtetë. Ideali krijues lind e afrohet me thelbin e realitetit. Çfarë ndodh në trekëndëshin lindje, dashuri vdekje? A është kjo një dilemë e pazgjidhur për poetin? Këto tema të mëdha për njerëzimin ndërlidhen pasi janë të prekshme kur vijnë me shqiptim letrar e gjuhësor. Me një stil vetjak që për çudi gjallon tek poetët e vërtetë, ndoshta do më kujtonin edhe poetin e madh Ali Podrimja, i cili po aq mjeshtëror shfaqet në poezinë e tij që e pushton botën e brendshme dhe të jashtme të vargut poetik. Edhe tek Anton Marku, dilema e njohur tashmë lind vargje që të mbeten në mendje, jo vetëm për shprehjen e fjalës së bukur poetike por edhe për lexuesin e poezisë. Le të lexojmë më poshtë poezinë “VALA”: Në sytë e tu fundosen yjet/ buzëve të tua takohen detrat/ Veten e kërkon degëve të drunjve/ andej nga shkumëzojnë ujvarat/ Urave të gurit shtrihesh/ mbi lëkurën time shkruan emrin tënd/. Ndodh pra që ndjenjat e dashurisë janë më të forta pos ndjenjave të tjera, jo sepse janë vetëm shpirtërore, por, sepse njeriut nuk i ndodh asgjë tjetër më e madhe në jetë se sa dashuria. Dilemën dhe magjinë e saj nuk e kanë zgjidhur poetët. Ata të frymëzuar, gjithnjë e kanë shprehur poetikisht dashurinë edhe ndaj atdheut, vendlindjes, njerëzve të dashur etj. Dashuria mbetet një fuqi e madhe në qenësinë e saj e cila pushton me anë të ndjenjave të furishme shpirtërore gjithë njerëzit e botës. Njeriu duhet të luftojë për dashurinë dhe jo për urrejtjen. Komunikimi shpirtëror gjithnjë ka qenë kështejlla e shpirtit. Ja si shkruan poeti në vargjet e poezisë, “KTHIMI”: Pasiqë ike nga dritarja ime/e mbushe zbrazëtinë me aromën tënde/netët e heshtura i futëm në mes/ përqafonim zërin e asaj nate/një baladë të vjetër/ Tani, eja e struku/ thellë në shpirtin tim/ të ndiej ngrohtësinë e frymës tënde/. Thelbi i trekëndëshit tematik, lindje, dashuri vdekje, mbyllet në një largim hyjnor që përjetohet brenda shpirtit të poetit. Le të lexojmë vargjet “LAVJERRËSI I POETIT”: Varri yt tashmë ka lëshuar rrënjë/i thanë për të dytën herë/Me lëkurën tënde do të mbështjellim/eshtrat e atdheut tënd të paemër/Ai shikoi lavjerrësin tre herë/dhe vazhdoi si më parë/t`i lëkundë këmishën e vdekjes/ pa e çarë kokën/nëse e nesërmja do të vinte ndonjëherë/.

Poeti Anton Marku e ka fjalën si udhëtare të poezive me të cilën nuk bën kompromise në shtegtimin e tij poetik. Ai kërkon t`i mbjellë rrënjët e saj duke krijuar strukturën e tekstit dhe mesazhet drejt lexuesit. Pra ai është përçues i etur i vargjeve lirike me të cilat duke përdorur qenësinë e fjalës arrin kumtin poetik dhe ndikimin estetik.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “Ishujt e jetës, Anton Marku, Violeta Allmuca

”NILKON”, një letërsi artistike gjithëpërmbledhëse

January 4, 2018 by dgreca

1 Fate VelajRomani”NILKON”,  një letërsi artistike gjithëpërmbledhëse/

1 violetaShkruan: Violeta ALLMUÇA-Shkrimtare*
Romani më i ri i shkrimtarit Fate Velaj `NILKON` erdhi në planetin tonë të përbashkët gjeografik i shkruar diku tjetër, në një planet shpirtëror si një identifikim i botës kulturore. Për herë të parë, lexuesi ka në duar një letërsi tjetër. Një letërsi ku në mënyrën më unikale e të palëvruar më parë, përmblidhen në një të vetme disa elemente të krijimtarisë artistike si piktura, fotografia dhe letërsia. Pra, kemi një krijimtari artistike totale, gjithëpërmbledhëse. Personazhi kryesor që është vetë autori, përveçse shfaqet si figurë qendrore e romanit, si një europian me shpirt shqiptar, është edhe një pararendës i veçantë i një fushe të re në letrat shqipe, duke na sjellë këtë herë një roman të shkëlqyer, me stil unik e me personazhe të vërtetë, ku credo-ja e tij përshkruhet, paralelisht me ndërtimin e urave që lidhin ëndrrat me të vërtetën. Përshkrimet e hijshme të Europës dhe Afrikës, duke i trajtuar personazhet si të dala nga aparati i tij fotografik dhe pejsazhet rreth tyre si tablotë e tij në pikturë, integrimit dhe qytetërimit kulturor të tyre, përcjellin mesazhe artistike, kulturore dhe politike duke e kthyer monologun në dialog. A është Fate Velaj një shkrimtar që i shpall ëndrrat e tij si surrealistët? Ndoshta kjo nuk është rastësi! E vërteta mund të jetë edhe më e bukur se ëndrra. Por kjo i ndodh një shkrimtari shqiptar që shkruan për të gjithë njerëzit e botës. Urat që ai ndërton midis botëve bashkojnë jo vetëm arteriet e komunikimit njerëzor nëpërmjet materies artistike por ato tejkalojnë kufijtë e shkrimit, leximit, dhe kufijtë e librit janë po ashtu edhe kufijtë e lexuesëve.
Romani `NILKON` pjesa e dytë e Trilogjisë `KREUZTANNE` vjen sot në vëmendjen letrare, duke zbuluar misterin e ëndërrimeve të një artisti me përmasa universale. Autori pasqyron realitetin artistik në strukturën e romanit, e cila na përcjell shijen estetike. Edhe në këtë libër befasues, duke ëndërruar një botë me kulturë pa kufij, duke përdorur thelbin artistik të fjalës dhe ngjyrës, duke jetuar me kujtimet e të ardhmes, do të vazhdonte udhëtimi i tij artistik: Midis Danubit dhe Nilit. Lumenjtë lidhin popujt, si vendasit ashtu edhe të ardhurit. Në këtë roman ai shkruan për njerëz të gjithëgjendshëm, dritësuar me gjithëpamje artistike, të cilët njësoj si ai kanë ngjashmëri shpirtërore dhe krijuese, janë qytetarë të botës, qofshin europianë, ballkanas, arabë, kinezë, bashkëatdhetarë apo vlonjatë. Fate Velaj e përdor sistemin e UNIT si një sistem emocional. Struktura dhe kompozicioni i romanit ku spikasin personazhe të ndryshme nga e gjithë bota sjellin një zhvillim pozitiv të personazheve dhe frymëmarrja e tyre shfaqet si një rrëfim duke ndriçuar historinë e secilit, pa rënë në një historizim letrar. Dialogët mes vetevetes e personazheve artistikë, autori i krijon nëpërmjet mjeteve shprehëse artistike me të njejtën gjuhë e gjeste që përdor në realizimin e veprave të artit. Kjo tregon se Fate Velaj zotëron pushtetin artistik. Ai tërheq afër vetes `kujtimet e të ardhmes` si një dukuri të re, e cila duhet çliruar nga e shkuara, duke theksuar se arti dhe kultura kanë një ligj të ngjashëm; të bukurën universale që është e njejtë në mbarë botën dhe diversitetin kulturor.
Ngjarjet e romanit zhvillohen nga janari në dhjetorin e vitit 2002, pas ngjarjeve të 11 shtatorit në New York, por Fate Velaj, në mënyrë mjeshtërore ka ditur që brenda ngjarjeve të sjellë një retrospektivë 1000 vjeçare për të na sjellë në një këndvështrim tjetër të pa ofruar më parë, se pse u goditën `Kullat Binjake` në New York? Edhe pse dialogu drejt së ardhmes u trondit, e ardhmja për të si artist e si ndërtues urash, ekzistonte. Fate Velaj nuk ndjek vetëm një udhë që të çon tek vetja, por shumë udhë të botës i bashkon në një duke hapur trasenë e madhe të një autostradë drejt së ardhmes. Në këtë roman, ai ka arritur që identitetin e tij kombëtar ta shkrijë në një të vetme me identitetin universal, i cili shfaqet si përkushtim i sinqertë, ku lënda gjuhësore dhe konteksti i së ardhmes përbëjnë magjinë e zhvillimit të pandalshëm të artit. Në subjektin e ngjeshur me gati 100 personazhe të romanit shpalosen ngjarje artistike, si dhe jeta e kultura e popujve të ndryshëm nëpërmjet ngjyrave, këndshikimi drejt së bukurës artistike dhe estetike.
Karakteret e personazheve, lëvizin duke hyrë e dalë në roman me identitetin e tyre të vërtetë jetësor dhe artistik, duke na zbuluar kështu dëshirën e shkrimtarit Velaj, se udhëtimi drejt komunikimit i ngjason ndjenjës dhe orientimit indentifikues të kulturave. Personazhet në roman, si nënë Afërdita, gruaja Klara, Dr. Helmy Omran, (Konsull Kulturor i Egjiptit në Austri), Dr. Emil Prix, (Shef i diplomacisë kulturore austriake), Jiri Grusa, (ambasadori çek në Vjenë), Imeri, shoqëruesi shqiptar në Shkup, Dr. Ferdinand Trautmansdorff, (Ambasadori i Austrisë në Kajro), Dr. Magddy Abd El Azis në Kajro, familja dhe djali i tij Mohamed, artistët Robert Kabas e Klaus Joachim Keller e të tjerë, kanë dallimet e tyre, por gjithashtu kanë të përbashkët artin, dëshirën për dialog, mbi vlerat njohëse dhe artistike apo dëshmitë nga historitë mijravjeçare njerëzore. Evoluimi pozitiv i personazheve, frymëmarrja e secilit, mjetet shprehëse artistike, krahasimet, metaforat, ideja e autorit se njeriu duhet të ecë drejt së ardhmes vërteton, atë, që në ditët e sotme, e përbashkëta jo shpesh herë merret për bazë, por e kundërta e tyre, ndasitë e majisura nga dëshira për separatizëm e nëpërmjet saj, lufta midis `civilizimeve`. Hapjen ndaj kulturave, takimet me kulturat e reja, ashtu si edhe dëshira për të përjetuar histori të reja e bëjnë shkrimtarin Fate Velaj të ndjejë afër gjithçka thelbësore në fushën e shkrimit, duke e kthyer tekstin artistik në një tekst letrar dhe anasjelltas. Kjo është risia e këtij romani dhe gati e dy pjesëve të para të triologjisë `Kreuztanne`. Autori flet jo vetëm si kurator i ekspozitave të pikturës me anën e ngjyrave të shumta të artistëve pjesmarrës nga vende të ndryshme të botës, por, ai na zbulon edhe tablo të fuqishme letrare nëpërmjet mesazhit artistik si ambasador i fjalës dhe kulturës së përbotëshme.
Përfytyrimet, udhëtimet dhe fluturimet nga lart, duke medituar njëkohësisht për atdheun e tij të përjetshëm Shqipërinë apo edhe për një dhe disa vende të huaja, të panjohura më parë nga ai, më kujtojnë romanin e Ismail Kadaresë: `Dimri i vetmisë së madhe` ku copëzohej e mbyllej një qiell gri, një udhë e gjatë, një urë që duhej ndërtuar etj. Shkrimtarit Fate Velaj në udhëtimet e tij kur aeroplani ngrihej dhe ulej, i dukej se qielli ngjyrosej blu, udhët e gurta dukeshin ngjyrë gri, sidomos atje ku reflektohej atdheu i tij i ndarë, (Çarshia në Shkup) ose Piramidat, që në nëntorin e verdhë të Kajros i ngjanin të kuqërremta, si vjeshta vjeneze që ishte duke ardhur. Ndoshta kjo ndodh sepse udhëtimet të frymëzojnë, gjatë tyre lindin idetë lindin. Fate Velaj në shkrimin e tij `Matanë kufijve` e ka pohuar këtë kur thotë se: `… ndoshta ngaqë dhe unë pothuajse të gjitha fotografitë, si dhe shumë piktura apo edhe shkrimet e mia i kam realizuar nëpër rrugë, nga një kufi në tjetrin, brenda kufijve, apo edhe jashtë tyre, qofshin ato virtual, me nga një tra kalimi… si dhe atyre që nuk ekzistojnë në mendjen time.`
Romani NILKON është një ndërthurje ku nuk kuptohet se ku mbaron realiteti e ku fillon fiksioni saqë, duke e lexuar, kthehesh vetë në personazh duke e shoqëruar autorin personazh gjatë gjithë rrugëtimit të tij realist dhe imagjinar. Komunikimi me bustet e lulishteve të Vjenës, me faraonët brenda piramidave mijravjeçare apo me personazhin e veçantë Ahmed, në mesin e ballit të të cilit ndodhej një njollë e errët, ku dukeshin mëkatet njerëzore, shfaqet si asociacion në strukturimin e ngjarjes. Fate Velaj ky mjeshtër i fjalës dhe narratives që është edhe vetë heroi i vërtetë shpirtëror i romanit të tij `NILKON` i cili synon të lidhë urat mes popujve, vjen në sytë e lexuesit shqiptar me një kryevepër artistike dhe unë jam mëse e bindur se ky roman, do të jetë edhe risia e një literature të re, jo vetëm në atdheun e autorit, por edhe më larg akoma, në gjuhë të tjera dhe veçanërisht në vendet arabe ku së shpejti pritet që libri të botohet.

  • E falenderojme autoren Violeta ALLMUÇA qe e ndau shkrimin e saj me lexuesit e Diellit

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fate Velaj, Romani Nilkon, Violeta Allmuca

VETËDIJA E NJË DUKURIE LETRARE

November 11, 2017 by dgreca

– Shqyrim letrar mbi romanin e Vilson Culajt `I Dëbuari/1 Romani-i-debuariShkruan: Violeta ALLMUÇA/DIELLI/
Shkrimtare/

Në brendësinë e tij ky roman i shkruar nga një shkrimtar i emancipuar artistikisht dhe estetikisht përfshin ngjarje shqiptare të kohës që ruante komplekset e së shkuarës, dhe kohës së re të krijuesëve të rinj. Meqenëse na paraqitet një shtjellim dhe krijim me kontekst prozaik, autori lëviz në udhën letrare për të na sjellë një roman po aq të vërtetë sa edhe jeta e paraardhësve të vërtetë. Duke përzgjedhur temën e qenësisë dhe qëndresën e njeriut shqiptar në shekuj, para lexuesit materializohet një realitet i strukturuar, ku në esencë shfaqet historia e prekshme shpirtërore me elementë të gjallimit në kohë dhe hapësirë. Autori përcjell një vetëdijësim të zbuluar në ekzistencën njerëzore, të një kohe e cila kërkon të gjallojë po të njëjtin sistem të kujtesës, tanimë në rrafshin artistik ku na rishfaqet drama e jetës shqiptare. Në thelbin e një ngjarjeje historike për ta zhveshur njeriun nga mbulesa e heshtjes, autori ka krijuar realitetin shpirtëror, pra, një qenësi të dalë nga tragjikja. Ngjarjet konkrete në roman lëvizin përmes personazheve konkretë të cilët çuditërisht përshkruhen qysh nga qenësia e së shkuarës e deri e së tashmes. Teksa rrëfen jetën e dyfishtë të konkretes me tragjiken autori e kthen në një qasje të përjetshme historinë njerëzore. Projeksioni i rrëfimtarit dhe personazhit kryesor reflekton një zhvillim letrar me përmasa kundërthënëse qysh në rrënimin e viteve të ikura, ideve dhe traditave ku objekti artistik bëhet i pakohshëm duke ngritur një epokë tjetër, e cila në të vërtetë nuk ishte harruar as në rrjedhën e shtetit më të vjetër. Koha dhe njeriu ecnin përkrah njëri tjetrit me të njejtin mesazh tipik, gjetjes së thelbit të përbashkët. Qëndresa dhe sakrificat e tyre qartësojnë fakte historike duke përcjellë ide të thella që nuk ishin rrënuar nga koha, por nga vetë njerëzit, të cilët nuk mund të jetonin pa të ardhmen. Secili kishte heroin dhe librin e jetës së vet, secili udhëtonte, rrëzohej dhe ngrihej përsësri në këmbë. Autori Vilson Culaj e gjen objektin artistik nëpërmjet shtjellimit të strukturës së tekstit dhe mënyrës së të shprehurit. Rrëfimi është i njejtë me rrëfimin e personazhit kryesor si të ketë jetuar brenda tij, duke krijuar një roman të veçantë me forcë shprehëse artistike në letërsinë shqipe. Trajtimi në vetën e parë të një drame njerëzore ku lëvizin personazhe të rrethuar nga e shkuara dhe e tashmja, brenda dramës e fenomenit të një jete misterioze rrotullohet rreth një bërthame qendrore. Ajo përbën jetën dhe dashurinë si tërësi estetike. Monologu dhe dialogu i përdorur në temën e njohur të Kanunit në zhvillim të ndërsjellë me jetën e njeriut si personazh edhe me jetën reale, kushtëzohet nga funksioni shpirtëror që kundërvihet mbi dhimbjen e vuajtjet e kohës. Duke na shpallur realitetin e mungesës së lirisë si një kushtëzues të jetës njerëzore, episodet lidhen me njera tjetrën duke formuar ndërtimin tekstor, jo në formën tradicionale, por si perceptim modern i një realiteti të ri. Është e natyrshme që krijuesi cilësor e përçon realitetin artistik nëpërmjet sistemit gjuhësor dhe atij kuptimor si përkushtim estetik e origjinal i thyerjes së kohezionit në unitet me strukturën artistike. Historia e UNIT lëviz brenda personazheve në realitetin e Krahinës dhe traditës ku individi nëpërmjet artit letrar kërkon atë çfarë ka humbur në histori.
`Dëbimi emocional arrin deri në dëbimin real` drejt një rruge pa adresë të personazhit duke bërë që vetmia të mbetet një aleat i vështirë, një botë e frymë tjetër që e shtyn njeriun të mendojë për ekzistencën. Kjo ndodh sepse njeriut ashtu si personazhit kryesor i kishin mohuar lirinë. Ngjarja e lindur në tokën e të parëve e ndjek personazhin nga fillimi i romanit deri në fund të tij. Autori duke dashur të zbulojë të vërtetën njerëzore të Gjon Kekës na sjell një figurë krejt ndryshe në ide, në dhimbje apo në ndryshim, i cili gjatë historisë së jetës kërkon të gjejë thelbin e saj. Bashkëngjitjen e jetës personale me jetën `hije` që e ndjek pas, ai e shndërron nga një botë e vogël rreth tij në një botë të madhe me kujtesë, ku nata i dukej shekull dhe dita e vuajtur, sepse i mungonte e realitetit historik. Nëse personazhi gjatë gjithë leximit të romanit endet në kërkim të së vërtetës së rrënjëve e trungut të tij, kjo mbetet një dilemë e thellë për ta çuar figurën qendrore të romanit, Gjonin, në hapësirat e lirisë. Duke kërkuar vetëveten njeriu duhej të luftonte me perandorinë e heshtjes dhe kujtimeve për të gjetur gjurmët e gjakut të tij. Ideja se njeriu mund të vdiste vetëm njëherë i sillet përqark si një zjarr poshtë qiellit të dashurisë dhe Atdheut të zaptuar nga qenie pa atdhe. Kjo filozofi e copëtimit të tokës së paraardhësve kthehet në një ide që përçon romanin në udhëkryqin e të shkuarës dhe të së ardhmes. Procesi filozofik dhe tematik i romanit thellohet teksa jeta njerëzore në pafundësi krijon raporte me strukturën shprehëse artistike si forcën e personazhit, dallimin e tij, formës së rrëfimit në funksion të plotë të vijimit qenësor dhe krijimit letrar. Duke kërkuar rrënjët e kahershme midis jetës dhe vdekjes, këtij kontrasti të njohur, ku humnera e territ dhe rrëmbimi i trojeve simbolizojnë kërkimin e shenjtërisë së kombit të humbur apo plisat e gjakosur në shekuj për qëndresë, lindin elementë artistikë që na zbulojnë esencën e kujtesës. Realiteti historik e shtyn personazhin kryesor Gjonin të zbulojë një realitet tjetër brenda vetëdijes së tij duke u ballafaquar me të vërtetën e jetës së të parëve që nuk kanë vetëm rrënjë historike por edhe shpirtërore. Koha e zbulimit të së shkuarës dhe koha e rrëfimit të së tashmes krijojnë një realitet artistik, pasi autori i romanit hyn brenda botës së disa personazheve në roman si Hana, Atë Artur Konica, Shpresa, Frati i krahinës Pashku, Gjina e të tjerë zëra që dëgjohen duke shpalosur botën e vërtetë të jetës së tyre. Mitizimi gjithkohor i rrënjëve të atdheut të përjetshëm shfaqet në nivel të lartë artistik dhe estetik duke e bërë romanin `I dëbuari` shkruar me një stil europian dhe modern në zbulimin e qenësisë, një dukuri të re në realitetin e letërsisë shqipe.

Filed Under: LETERSI Tagged With: I DEBUARI, Vilson Culaj, Violeta Allmuca

“VALLËZIMI I FRYMËS” PROMOVOHET NË DITËN E GRAVE

March 8, 2016 by dgreca

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të grave, PEN Qendra e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, promovoi librin me poezi “VALLËZIMI I FRYMËS, të poetes Violeta Allmuça, botuar nga shtëpia botuese Fishta. Ky libër është i botuar edhe në gjuhën angleze, në Sh. B. A. Fjalën e hapjes e mbajti Entela Kasi, presidente e PEN në Shqipëri. Për poezitë e poetes Allmuça, folën Natasha Lako, studiuesi Behar Gjoka, Miradije Maliqi, Fatime Kuslli dhe botuesi Frano Kulli. Në një atmosferë me tingujt e muzikës të studentes së Akademisë së Arteve, Ina Aliaj, gazetarja Kozeta Kurti, njëkohësisht autore e disa librave, por edhe autoret femra pjesëmarrëse në këtë takim poetik, lexuan poezi nga libri i poetes Allmuça. Sopranoja e TOB, Sofia Kola, në përmbyllje të këtij aktiviteti, ishte edhe surpriza e kësaj ore poetike dedikuar Violeta Allmuçës. Poetja Allmuça e botuar në disa antologji brenda dhe jashtë vendit, e po ashtu autore e disa librave në prozë dhe poezi, ndau emocionet dhe nënshkroi librin për të pranishmit.(Ahmet ZANI)

Filed Under: Kronike Tagged With: "VALLËZIMI I FRYMËS" PROMOVOHET, Ahmet Zani, NË DITËN E GRAVE, Violeta Allmuca

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT