







E gjithë kjo kishte një synim, një arritje për projektin shumë dimensional, “ Albanian Excellence” me drejtore ekzekutive Flora Nikolla – nderon vlerat e zonjave shqiptare kudo ndodhur : – “Në ndihmë të grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës, viti 1999 ; në prag të 20 vjetorit të saj, të ngjarjeve makabre e cila pati viktimat e saj. Shpallja në New York e kauzës së përkrahjes dhe ndihmës konkrete, jo vetëm për faktin se nga ky metropol i botës është dhënë një ndihmë e madhe që në fillimet e saj, pas këtij genocidi famëkeq të pranverës së 1999 ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe për faktin se shumë zonja të ikura nga genocidi serb, erdhën në New York duke nisur dhe ndërtuar një jetë krejt të re.
ërkoi me rrëfimin e katër histori njerëzore të katër zonjave nga “Albania Excellence”, ku me një vizion dhe mesazh të qartë na prezantohen zonjat Liljana Gashi, Ana Marku Walsh, Isidoros Beti Tsamblokos dhe Zhuljeta Buja. U evidentua historia e suksesit të katër zonjave të nderuara në fushën e biznesit nga të gjitha trevat:- Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. U mblodhëm në mjediset shumë të bukura të familjes Gashi.
Te porta na pret me buzëqeshjen dhe mirësine e zonjës së shtëpisë, Liljana Gashi : Mirë se erdhët, shtëpia është e mikut, është juaja… Një ndjesi ngrohtësie dhe respekti m’u krijua në mënyrë të menjëherëshme. Ajo na pret me një ndriçim dhe dashuri karakteristike shqiptare, kur shprehet, shtëpia është e mikut… Dhe kjo shtëpi e bukur e madhe me pishinë, lulishte dhe gjithçka, ishte pë t’u admiruar. I hapi portat për rreth 40 gra dhe vajza të celebrojne dhe të jenë nismëtaret e peticionit të grave këtu në New York me dëshirën për t’u mbështetur nga Zonja, bija nëna, gra shqiptare në mbarë botën, për të ndaluar dhe për t’i thënë Stop !!! dhimbjes ndaj viktimave seksuale gjatë Luftës në Kosovë, për ta konsideruar dhunën seksuale krim të kësaj lufte.
U hapën portat e kësaj shtëpie, e cila me arkitekturën me mobilimin dhe zbukurimin e saj ishte gërshetuar shija moderne me atë kombëtare, dhe për disa orë me rradhë u bë një qendër bashkëbisedimi dhe kulture. Këtë mision e plotësuan më së miri, pikturat dhe portretet e shumta ; po në veçanti ai i Skënderbeut legjendar mbi kal me shpatë në dorë, dhe ajo e Nënë Terezës e cila duket sikur ajo është e zonja e kësaj shtëpie dhe na kurajon të kryejmë sa më mirë misionin e saj. Dimensioni parësor i lirisë është humanizmi. Në se për të parën, lirinë, tregon piktura e Gjergj Kastriotit, për të dytën, humanizmin, e tregon shenjtorja jonë më e madhe, Nënë Tereza. Liria me humanizmin lidhen me njera tjetrën. Dhe duken sikur na thonë :- Vazhdo të rritesh! Rritu vazhdimisht sipas rastit të mundësive. Në çdo moment që ta bësh këtë, ti ndryshon. Bëhu njeriu i mrekullueshëm, më i ndjeshëm, më magjik, më unik dhe më fantastik në botë, me qëllim që të kesh gjëra me shumicë, të cilat mund t’i ndash me të tjerët, apo t’ia dhurosh atyre.
U mblodhëm në një nga ambjentet e shtëpisë, dhe nën tingujt e dy himneve kombëtare ai shqiptar dhe amerikan, përballë dy flamujve simbolet e dy vendeve tona filluam bashkëbisedimin me ndjesinë e rrugëtimit dhe të mbështetjes së njera- tjetrës.
Histori jete, histori të zonjave që bëjnë shqiptarinë. Skalpimi i historisë së Lilanës, Anës, Betit dhe Zhuljetës tregon se mbetet esenca e ngjarjeve, simboli i përsëritshëmi sfidës për të jetuar, një jetë më të drejtë , një jetë më të vërtetë se koha nuk duhet shpërdoruar. Ti duhet të ngrihesh mbi të pamundurën kur ajo të del përpara, sfido veten dhe të tjerët për të relizuar idealet që do të shërbejneë ty dhe shoqërisë. Mundohu të komunikosh, mundohu të kuptosh.Duhet të veprosh sipas karakterit tënd, pas një arsyetimi të matur dhe një gjykimi të hollë. Edhe në praktikë origjinaliteti është i pashmangshëm, ndryshe ajo që do të bëje nuk do të përputhej me atë që je. Fati, së pari është te mendja; shko në shkollë, të mësohesh e të bëhesh i ditur.
Një montazh i mrekullueshëm me profesionalizëm nga Gjergji Pano paraprin çdo rrëfim të këtyre grave. Fillon me Liljanën, fotot japin një pamje të arritjes së kësaj biznesmene, e cila plotësohet nga rrëfimi i rrugëtimit të jetës së saj, nisur atje në një nga fshatrat e rrethinës së Prishtinës. Një vajzë e mitur për shkak të kushteve të keqija , me gjyshe dhe nënë të sëmurë nuk mund të shkoj në shkollë të arsimohet dhe se dëshira ishte shumë e madhe, maturohet para kohe duke mbajtur peshën e halleve familjare… rrëfimi i saj është sa ngjethës dhe dramatik po aq dhe heroik…një vajzë me zemër të madhe dhe se me shumë ëndrra, e ndjen se parësore për të është të mbështes jetën e familarëve të saj… Në vitin 1987 së bashku me të shoqin vijnë në Amerikë. Tashmë një e re plot vitalitet, në kushtet e vështira të fillimit të emigracionit, me inteligjencën natyrale edhe pse e paarsimuar siç e thekson vetë, fillon mbijetesa, fillon rruga për t’u përshtatur dhe të gjej veten në këtë vend, në vendin e mundësive të mëdha. Por dihet që bota është në anën e atij që reagon dhe se fati ndihmon guximtarët…. Dhe Lijana me familje guxoi dhe përparoi. Gjëja më e lehtë në botë është të jesh ai që je , të jesh vetvetja….. Dhe Liljana e Kosoves ishte e tillë, i vë shpatullat jetës dhe ja del mbanë. Tashmë ka biznesin e saj familjar, e bleu si fillim një ndërtesë e cila me pas u zgjerua , pra guxoi, punoi dhe realizoi me sukses. Ajo shprehet se është e lumtur që ka mundësi të ndihmojë sado pak gjithëkënd që është në nevojë…. Ajo është modeste…. ndihma dhe donimet që ka bërë ajo dhe familja e saj është e një përmase për t’u admiruar. Në qendër të jetës së saj është familja, për të është bashkëshorti si dhe pesë fëmijët e saj ( të arsimuar tashmë në kolegjet amerikane, gjë që nuk mund ta realizonte për vete); nipërit dhe mbesat janë krenaria e saj. Dhe e gjitha kjo duket sikur na thotë:- “Të punosh do të thotë të mbushësh jetën me gëzim. Të mos kënaqurit me veten është themeli i çdo talenti të vërtetë.
Nën tingujt e muzikës në munitor shikojmë fotot e një gruaje tjetër, me sy të qeshur dhe një buzëqeshje që nuk i ndahet, një nënë e re me një fëmijë në prehër….por dhe ky montazh, tabloja plotësohet me pjesëzat e jetës së Ana Marku Walsh, e cila midis lotëve të ngjarjeve të trishta të së kaluarës ajo rrëfen…. Vjen në Amerikë me mendjen prapa te djali që e ka lënë , pasi nuk e lejojnë si dhe me një ëndërr jete tjetër tre-muajshe në bark, ku….mbetet e vetme …duhet të mbijetojë…. Amerika me makinë të bukur të kuqe dhe me pallat luksoz i mbetet veçse si një ëndërr….Punon shume një dhe dy punë, pastron ndërtesa dhe ëndërron… Lind vajzën dhe fëmija bëhet qëllimi i jetës së saj. Nuk do që vajza e saj të kaloj kalvarin e vuajtjeve dhe të përbuzjes së botës patriarkale mashkullore që kishte kaluar ajo… E shkollon vajzën dhe jeta e saj ndryshon…Ajo vuajti….por është e vërtetë se njerëzit e mirë njihen lehtësisht nga përparësitë e shumta të fjalës e të veprimit dhe nga virtytet e tyre. Të krijosh jetën tënde në mënyrën si do kjo është motoja e Anës.
Kur erdhi në Amerikë në vitin 1974 ecte në shtegun e dhimbjes në ndjekje të lumturisë dhe tashmë ajo e ka të realizuar dhe për këtë është krenare. Biznesi “Moda e Nina None” krijuar nga Ana realizon bizhuteri duke kombinuar si shprehet dhe ajo vetë krijimtarinë dhe filantropinë, dashurinë për jetën dhe ëndrrën. Në një kënd të sallës janë bizhuteritë e krijuar nga ajo, ashtu si në çdo festë fund viti të organizuar, një përqindje të fitimit ajo e dhuron, dhe kësaj rradhe është për t’u ardhur në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara në luftën e Kosovës 1999. Personaliteti i saj tashmë është i plotë . Ana Marku Walsh – ( Certified Empowerment Life coush and spiritual Jewelsy).
Beti Beno ( Avokate) presidente “Motrat Qiriazi”. Fotot në montazh, tregojnë suksesin në jetë e saj private si dhe profesionale. Ajo vjen para nesh me butësinë e syve të saj, me vrullin që mbart si karakter, por dhe me mirësinë e veprimtarisë së saj. Me modestinë karakteristike tregon se edukata e familjes së saj, është pikënisje e rëndësishme në jetën e saj. Të ndihmosh njerëzit pa kushte, është dëshirë e herëshme e vullnetit të saj. Po të dëshirosh të jesh diçka, mund të bëhesh; prandaj si shprehet dhe vetë ajo nuk ka patur kurrë frikë nga rrëzimet në jetë. U bë avokate që t’i shërbejë individëve, si dhe organizatave me probleme ligjore. Beson se profesioni i ligjit luan rol vendimtar në komunitet, duke bërë që drejtësia të zbatohet Motoja e saj është:- Gjithmonë është mirë të provosh ëndrrën…
Zonja e katërt e vlerësuar, Zhuljeta Buja, një grua e re e arsimuar këtu në New York, zhvillon biznesin e saj së bashku me të katër vëllezërit e saj. Kominikimi i saj të bënte për vete, fjalët e saj buronin nga zemra dhe mbartinin me vete një rrezatim plot optimizëm. Zhuljeta, mbesa e AT Zef Pëllumbit, dhe dihet që familja e saj ka mbart në shpinë kalvarin e persekucionit, vetëm se ajo ka pasë dajë këtë martir….Në fjalën e saj ajo tregon se, dritën e shpirtit dhe frymën e trupit ta dhuron zoti , porse vezullimin e marrim nga vetja, e ndriçimin nga të tjerët. Motoja e saj: – Qëndroi besnike vetes, sepse ajo të bën të prekësh qiellin. Nën lëkurat e shumta që fshihemi, gjithmonë besoj në esencën e njeriut. …
Bashkëbisedimi vazhdoi, me mesazhe dhe mbështetjeje, në emër të ambasadës shqiptare, Najada Sojli; nga organizatorët e saj si Loreta Stamo, Shqipe Malushi duke sjellë copëza historie nga jeta e emigrantit, si dhe mbështetjen që kanë gjetur te njera- tjetra
Peticioni u firmos nga të gjithë ne të pranishmit me idenë e mbështetjes nga të gjithë shqiptarët të kudo ndodhur, dhe me vazhdimësinë me sukses të këtij projekti, Zonjat që bëjnë shqiptarinë, si dhe të kauzës “ Ndihmë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovën në 1999. Ku i bëjmë thirrje të gjitha grave shqiptare kudo janë, sipas kushteve familjare, ekonomike, sociale, të bëhen mentore të grave të dhunuara, duke mbështetur miket, shoqet, nënat, motrat, heroinat e heshtura të ditëve tona, duke qenë një shtysë dhe ndihmë e madhe në jetën e tyre.
Le të fillojmë nga vetja jonë, le të nisim nga vetja jonë këtë kauzë të madhe humane për të drejtën e për të mohuarat që nuk duhet të jenë të mohuara absolutisht jo.”
New York, Fund Qershori 2018





Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe Arteve si dhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikane në New York, në një nga ditët e fundit të shkurtit, 2017, në një nga sallat e “ Monroe College” organizoi promovimin e librit “ Tim Biri” të Doktor Adem Harxhit, me organizatorët Ilirjana Sulkuqi dhe Astrit Tota.
Nga folësit e shumtë, si dhe nga vetë autori u theksuan vlerat ideo- emocionale, përmbajtja e pasur me ngjarje dhe mendime nga njera faqe te tjetra. U sollën para auditorit vlerësimet që i janë bërë nga Prof. Dr. Agron Fico; Dr. Fatmir Terziu.“ Tim Biri” është një mozaik tregimesh mjekësore- letrare për dhjetëra e dhjetëra ngjarje në klinikat tona mjekësore të cilat kanë formën e eseve. Realiteti i ri dhe i shumanshëm që ka sjellë autori në fushën e shëndetit ka ardh si rrjedhojë e një përvoje të gjatë klinike si dhe në fushën kërkimore e studimore të vazhdueshme.Libri fillon me shkrimin “Pse shkruan doktori”. Dialogu që zhvillon me mbesën e tij të vogël, është një formë efikase dhe i krijon mundësine doktorit të shpalosë rolin e vet si misionar. Mjeku duhet të ketë ndërgjegje të pastër, dëshirë për të mësuar dhe për të fituar përvojë, zemër të butë dhe shpirt të gëzueshëm, mënyrë jetese të moralshme dhe seriozitet në gjithçka, konsideratë më të madhe për nderin e tij se për paratë, më shumë interes për të qenë i dobishëm për të sëmurët sesa për veten…..Pra duket si kur shkrimet janë përpjekje përpjekje për të gjetur sekretet e procesit mjekues; e protagonistë janë i sëmuri dhe doktori ku ka shumë dhimbje , ka vdekje, ka shërim po dhe ka shumë dashuri. Doktori e inkurajon të sëmurin duke i thënë se është afër shërimit edhe nëse nuk është i sigurt, sepse temperamenti i trupit varet nga cilësitë e shpirtit.
Libri është plot figura mjekësh që në situata tepër të vështira dhe delikate të jetës së pacientit shpalosin tipare, cilësi të larta njerëzore,të tilla si ndjeshmëria, dhembshuria, përkushtimi e mbi të gjitha dashuria. Mjeku i vërtetë jeton dramën e pacientit në formën e përkushtimit për t’ia lehtësuar dhimbjen dhe për t’ia shpëtuar jetën duke flijuar pjesën nga jeta e tij shpirtërore dhe fizike. Dhimbjen e pacientit e ndjen në mendjen e tij dhe kërkon udhë e metoda sa më efikase që ta lehtësojë atë. Në libër ka hollësi të bukura të këtyre marrëdhënieve.
Jeta ime (shprehet autori), puna ime, ashtu si e të gjithë kolegëve të mi është e gjitha e lidhur me të sëmurët. Ata me sëmundjet e tyre, më çuan në mendime, që ndryshe, nuk do t’i kisha. Pacientët e mi kanë qenë mësuesit e mi më të mirë. Në artin e të mjekuarit ata më mësuan shumë gjëra që nuk i kam gjetur në asnjë libër apo leksion.
Dr. Adem Harxhi me formën e veçantë të rrëfimimit, e trajton subjektin jo thjesht si një këshillë, udhërrëfim, fjalëdhënie prindërore, as edhe ato që zanafillen tek jeta dhe profesioni, as ndonjë lidhje didaktike psikologjike apo moraliste.Libri “ Tim Biri” është filozofik dhe mbi të gjitha një “ligjësor”, jetik që i duhet familjes dhe vetë jetës, shprehet F.Terziu në pasthënie.Nuk është thjesht grumbuj esesh të shkruara nga jeta po është një libër i mirëfilltë, letrar, situator, profesional. Përveç atyre shtatë gjërave të njohura psikologjike që duhet t’ia themi fëmijëve, pyetja e Dr. Harxhit (fq. 158) “si kemi bashkëbiseduar ne me fëmijët tanë” është një arsye që plotëson logjikën e duhur e të domosdoshme të kësaj ftese për të riprodhuar tradita dhe risqe të ardhura nga koha e djeshme kur ‘media’ me gjithëse e kufizuar në Shqipëri, gjente mënyra të depërtonte në jetën e tyre” (fëmijëve). Fëmijët ndjehen të sigurt duke ditur se ju (prindër) i doni ata….Se pa marrë parasysh se çfarë vendime ata bëjnë, ju kurrë nuk do të ndaleni pa i dashur ata….. Fëmijët janë një burim i pashtershëm i lumturisë dhe dashurisë. Ajo është aq e rëndësishme që ata ta dinë këtë ! Libri i trajtuar filozofikisht me një gjuhë të thjeshtë, të bukur dhe tërheqëse, “Tim Biri” na shpie të mirëkuptojmë se jeta ka mjaft gjëra që vijnë shkallë- shkallë, e pastaj midis pyetjeve të shumta, që siglohen plot kulturësi nga ana fetare, apo edhe më tej, mes arsyeve dhe lidhjeve për problemet e seksit dhe seksualitetit.Ndihmesa Dr. Harxhit i vjen nga Bibla, “ Kënga e Solomonit me vargun – Le të më puthë ai me puthjet e gojës së tij….” Autori shprehet se, kjo është kënga e këngëve- është një duet mahnitës dashurie, pikërisht aty ku ne dhe vetë lidhja prind – fëmijë mirëkupton se ne jemi “ shumë të veçantë”.Me Mitin e Hipolitës, atë mit ku Hipolita u prek në krenari dhe në nder, shkrimtari shpjegon se ‘gruaja amazonë e sotme, nuk është as e qetë as e hapur’. Por ajo që shkon përtej miteve të vjetër e të rinj është lidhja prindërore që bashkon dëshirën “unë të dua ty edhe kur….” Nëpërmes rreshtave kupton, se gjithkush gëzon duke ditur se çfarë bëjnë ata që i bën njerëzit e tjerë të lumtur, sidomos fëmijët tuaj. Këshilla është e qartë në alternativën e leximit kohor ( shprehet në shkrimin e vet F. Terziu): – “ Merrni kohë për të nxjerrë në pah ndonjë aspekt pozitiv në lidhje me sjelljen, karakterin, mirësinë, talentet, idetë e tyre ose punës së shkollës.Mes faqeve të librit Dr. Harxhi na mëson se “plaga duhet mjekuar, jo mbuluar”, (fq. 288) kjo shihet te lidhja me arsyetimin e prindit tek fëmija – “ Unë jam mirënjohës për ju çdo ditë”. Nëse kjo bëhet për ju praktikë dhe është bazë në ndonjë besim, ose në qoftë se ju luteni në mënyrë të rregullt, të luteni me fëmijët tuaj dhe ata arsyetojnë e lejojnë të dëgjojnë ju falenderoni Perëndinë, për të pasur ato mirësi në jetën tuaj, dhe kështu ju bëni atë që duhet, pra lutuni për mirëqenien e tyre. Gjithashtu lutuni për shpirtrat e tyre, veçanërisht kur ata ata janë duke kaluar kohë të vështira, pra shëroni plagët e tyre. Më tej këshilla të veçanta mes arsyes dhe filozofisë kërkon të themi përpara fëmijës se “ Unë besoj në ty/ unë ju besoj ju” për të kuptuar Lui Paster, mikrologun francez, i cili ka shkruar se “ Mikrobet nuk janë gjë, terreni është gjithçka”. Pra vetëm duke kuptuar kështu fëmijët tanë do të rriten tek ndjenja e sigurt nëse ata e dinë se ne i besojmë në to. Dhe kur ne u tregojmë atyre se besojmë në arsyet e tyre dhe respektojmë vendimet e tyre natyrisht gjejmë mirëkuptim dhe tek teoritë e Dr. Griffin.