– Vatra, një copëz Shqipërie në Amerikë, që nderohet dhe i nderon kryetarët e saj të përkushtuar, vazhdon më të mirën, zgjodhi kryetarin e ri, për herë të parë nga Kosova, duke prirë kështu dhe duke dhënë shembullin përbashkues….
– Mesazh i shkrimtarit Visar Zhiti, dërguar editorit të gazetës “Dielli”, pas Kuvendit të Vatrës dhe zgjedhjes të Kryetarit të ri-
Pershendetje, Mik!
“Kuvendi i Vatres”. – janë fjalë që ngrohin, edhe vatër, edhe kuvend, përfytyrohen njerëz pranë zjarrit, bisedat e urta, me mençuri, zëra nga gjithandej, meraku për punët, bashkimi per më mirë…
Këshillat e të vjetërve, përvoja e tyre dhe zelli i të rinjëve, forca për të vazhduar… Shqiptarët kanë shekullin e Vatrës së tyre dhe ku? – në SHBA, vendi i lirisë dhe begative, mbrojtës i kombit tonë dhe i kombeve… shqiptarët kanë dhe zjarrin e atdhedashurisë në atë Vatër, që e ndezën burrat e lartë si Faik Konica dhe Noli dhe e mbajtën gjallë bijtë…
Vatra, një copëz Shqipërie në Amerikë, që nderohet dhe i nderon kryetarët e saj të përkushtuar, vazhdon më të mirën, zgjodhi kryetarin e ri, për herë të parë nga Kosova, duke prirë kështu dhe duke dhënë shembullin përbashkues….
Besojmë që duke patur mbeshtetjen tradicionale të të gjithëve, frymëzimin e bekimin nga demokracia e SHBA-së dhe amanetet e dheut amë, nga Shqiperia e Kosova, -besnikë dhe aleatë historikë të SHBA, -urimet e çdo shqiptari edhe në Mal të Zi e Maqedoni e nga diaspora kudo, “Vatra” do ta mbajë ndezur “zjarrin” prometean, do të bëjë më shumë dhe më bukur për kulturën dhe gjuhën, për historine dhe kujtesën, për shkencat, për Kombin dhe ardhmërinë, duke e forcuar miqesinë jetike mes dy popujve tanë, atij shqiptar dhe amerikan.
“Vatra” shqiptaro-amerikane, me anëtarët e saj amerikano-shqiptarë, ka dhe “Diellin” e saj metaforik që i përhap rrezet për më shumë dritë dhe ngrohtesi së bashku, si dikur dhe në “motet moderne”.
Mes jush,
Visar Zhiti
Shkrimtar