SI PO PLANIFIKON AUSTRIA TË PARANDALOJË VALËN E DYTË TË COVID-19
Dr.med.univ. Nezir Sela, Kryemjek në spitalin “Herz Jesu” në Vjenë, Austri, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin austriak në betejën ndaj Covid-19. Me Dr. Nezir Selën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
AUSTRIA PËRBALLË SFIDËS COVID-19
Situata në Austri gjithmonë ka qenë në kontroll, edhe gjatë izolimit por edhe në periudhën gjatë daljes nga izolimi. Dalja nga izolimi ka qenë graduale. Kohët e fundit në regjione të caktuara siç është p.sh. Austria e lartë kemi rritje të numrit të infeksioneve prandaj ishte e domosdoshme rivendosja e disa masave të nevojshme. Për parandalimin e valës së dytë qeveria austriake planifikon që të vendosen masa e sistemit të semaforit ose siç quhet ndryshe “Semafori Corona”. Sa për ilustrim ky sistem funksionon në këtë mënyrë: nëse në një komunë apo vend të caktuar nuk rezulton asnjë me infeksion të ri në 10.000 persona, atëherë ndizet ngjyra e gjelbërt në Semafor, në rastin e kundërt nëse ka më shumë se 10 të infektuar në 10.000 persona, atëherë ndizet ngjyra e kuqe. Si kërkesë themelore për ketë është që të bëhen testime të pakufizuara.
TESTIMET E NJËPASNJËSHME PËR VAKSINËN
Për zbulimin e një vaksinë kundër Covid 19 edhe këtu punohet me intensitet të madh. Zbulimi apo gjetja e një vaksine merr shumë kohë pasi para se të përdoret te pacientët duhet të kalojë nëpër shumë teste. Një vështirësi shumë e madhe siç thonë expertët këtu është edhe mosnjohja e aktivitetit imunitar kundër këtij virusi. Për këtë arsye ende mungojnë studimet shkencore përfundimtare që mund të konstatojnë se një vaksinë e tillë do të funksionojë. Pacientët këtu trajtohen në mënyrë simptomatike pasi për asnjë medikament nuk ka fakte shkencore që ndikojnë në shërimin apo zvogëlimin e mortalitetit. Në raste të komplikuara dhe të caktuara pacientët janë trajtuar me medikamentet që janë përdorur dhe më parë kundër Viruseve si p.sh. Remdesivir. Sipas expertëve punohet me intensitet të madhë në zbulimin e një medikamenti kundër Covid 19.
SHQIPTARËT NË AUSTRI
Nga informatat që kam apo edhe nga takimet me pacientët e mi shqiptarë rastet e të infektuarve janë shumë pak dhe kanë kaluar deri tani pa pasoja. Një statistikë apo grafikë e të infektuarve shqiptarë në Austri nuk e kam në dispozicion dhe nuk e besoj se ekziston në këtë formë. Në Austri jetojnë diku mbi 50.000 shqiptarë të cilët janë të organizuar nepër shumë shoqata të ndryshme.
PASOJAT E COVID NË EKONOMI DHE NË SHËNDET MENDOR
Kjo Pandemi edhe në Austri shkaktoi një dëm të madh në ekonominë e vendit edhe atë një tkurrje prej 2,5% të buxhetit shtetëror dhe shkaktoi një defiçit prej 21,5 Miliardeve dhe rriti papunësinë në 163.200 përsona të papunë. Sa i përket shëndetit mendor te njerëzit është rritur numri i personave me depresion të rëndë (8%), numri i personave me simptomat e panikës (19%), dhe numri i personave me probleme të gjumit(16%).
MESAZHI SENSIBILIZUES PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Të nderuar lexues të Diellit, duke e vlerësuar rëndësinë e situatës dhe rrezikshmërinë e përhapjes së virusit, ju kështu tregoni më shumë kujdes për vete, familjen dhe njerëzit që ju rrethojne .Tanimë ky virus do jetojë me ne dhe mbajtja e maskave, respektimi i distancës dhe higjiena personale është e domosdosshme. Ju përshendes nga zemra dhe ju dëshiroj shëndet dhe gjithë të mirat.
KUSH ËSHTË DOKTOR NEZIR SELA
Dr.med.univ. Nezir Sela është nga Struga e Maqedonisë se Veriut. Është Kryemjek në spitalin “Herz Jesu” në Vjenë. Është Specialist i ortopedisë dhe ortopedisë kirurgjikale. Dr. Sela punon si Specialist i mjekësise së përgjithshme dhe Subspecialist për mjekësi urgjence, chirotherapie/mjekësi manuale. Dr. Sela studimet e mjekësisë i ka mbaruar në Universitetin e Mjekësisë në Vjenë.