• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani bisedoi me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Kamala Harris

September 3, 2021 by s p

Dielli /

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S., znj. Kamala Harris. Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë. Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë. Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë. Zv. Presidenja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, zv. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III. Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë zv.presidenten Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës. Presidentja Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

Filed Under: Featured Tagged With: Kamala Harris, kosova, USA, Vjosa Osmani

Kryeministri Kurti: Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

August 30, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari /

Prishtinë, 30 gusht 2021– Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Për institucionet tona çështja e të pagjeturve do të jetë gjithmonë prioritet, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore për të pagjeturit në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës në koordinim më Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ishin të pranishëm edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, familjarët e të pagjeturve dhe Andin Hoti, Kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, njëherësh kryesues i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur. Kryeministri tha se në këtë ditë, në të cilën sigurisht që ka më shumë ankth sesa pikëllim, meqenëse 1632 persona nga Kosova vazhdojnë që të jenë të pagjetur, ne vazhdojmë të mos e kemi të zbardhur fatin e  tyre. “Siç e tha edhe presidentja e Republikës, në raportet tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme e të sigurt nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës nëse nuk e trajtojmë dhe nuk e sqarojmë të kaluarën. Por Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën”, tha kryeministri Kurti. Ai bëri thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare t’i kërkohet Serbisë hapja e arkivave. Kryeministri rikujtoi se vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit ’99, por edhe më herët në vitin ’98 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm, por nga aparati shtetëror. Andaj, siç tha ai, hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë. “Ne si krerë të institucioneve  do të jemi pranë familjarëve dhe gjithmonë do ta kemi prioritet këtë çështje”, veçoi kryeministri Kurti. Më pas, kryeministri vizitoi ekspozitën me fotografitë e të zhdukurve dhe të aktiviteteve që kanë ndërmarrë përgjatë viteve Asociacionet që angazhohen për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Te pagjeturit e Kosoves, Vjosa Osmani

Kosova mirëpret grupin e parë të afganëve të evakuuar

August 30, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari/

Prishtinë, 30 gusht 2021– Grupi i parë prej 111 qytetarëve afganë, të cilët kanë qenë të kontraktuar nga NATO-ja dhe familjarë të tyre, arriti mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Mirëseardhje atyre u uruan Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it. 

Kryeministri Kurti tha se është nder për neve që kemi mundësinë t’u ndihmojmë qytetarëve afganë, të cilët u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre të dëshpëruar.

Para medieve, ai u shpreh se, kur kemi të bëjmë me një çështje humanitare, kur janë në pyetje partnerët dhe aleatët tanë, atëherë nuk bëhet pyetja “pse”, por vetëm “si”, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e këtij operacioni.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti pas mbërritjes së qytetarëve afganë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës:

“Refugjatëve afganë, të cilët sigurisht që janë të dëshpëruar që janë detyruar që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, ta lëshojnë atdheun e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje, ju thamë që janë mysafirët tanë dhe se këtu janë të sigurt.

Është nder për neve, është nder për mua, që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë, sikurse të gjithë popujt dhe qytetarët e tjerë në botë, e meritojnë të kenë të drejta dhe liri.

Kur kemi të bëjmë me një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si.

Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë, janë vetëm të natyrës teknike dhe logjistike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim, pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre.

Me këtë rast e falënderojmë edhe NATO-n, edhe SHBA-në për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë deri në këtë ditë, në mënyrë që t’i mirëpresim këta refugjatë të cilët po i ndihmojmë së bashku.  

Para më shumë se 22 viteve NATO-ja bëri ndërhyrje humanitare në Kosovë për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë dhe tash ne krah për krah me NATO-n ndihmojmë refugjatë të tjerë të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë.

Bashkë me presidenten e Republikës, znj. Osmani, ministrin e Brendshëm, z. Sveçla, gjatë këtyre javëve të fundit kemi bashkëpunuar ngushtë në mënyrë që gjithçka të shkojë, siç është më së miri për refugjatët që erdhën e që do të vijnë, dhe për vendin tonë mikpritës për ta” tha Kurti.

Filed Under: Sociale Tagged With: Afganistan, Albin Kurti, Vjosa Osmani

PRISHTINA DHE SHKUPI NDEROJNË SHËN NËNË TEREZËN NË  DITËLINDJEN E SAJ DHE NË 5-VJETORIN E SHËNJTËRIMIT  

August 29, 2021 by s p

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Nga Frank Shkreli/

Dioqeza Prizren-Prishtinë e Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë organizoi të ënjtën me 26 Gusht, 2021 një akademi solemne kushtuar Bijës së Kombit shqiptar Shën Nënë Terezës me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe 5-vjetorit të shënjtërimit të saj nga Papa Françesku në Shtator, 2016.  Akademia u mbajt në “Qendrën BogdaniPolis” të Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, ku mori pjesë edhe Presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani.  

Në praninë e Ipeshkvit të Kosovës, Shkëlqesisë së tij, imzot Dodë Gjergjit, biografit të shquar të Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, studiuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë – përveç folësve fetarë dhe njohësve të tjerë të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës – me këtë rast foli edhe numri një i Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani duke e cilësuar Nënë Terezen si një prej “personaliteteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”.  Ja fjala e plotë e Presidentes së Kosovës në Akademinë solemne kushtuar Nenën Terezës:

“Është nder i madh për mua që sot, në ditëlindjen e 111-të të nënës sonë, Shën Terezës, të ndaj me ju kujtimin për jetën e saj, si dhe dashurinë për personalitetin e saj. Nënë Tereza, Anjeza jonë e dashur, e pagëzuar Gonxhe, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit.

“Për ne, si bashkëkombës të saj, Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të vetizolimit komunist në Shqipëri, ose represionit etnik në Kosovë, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, si dhe duke e nënvizuar atdheun e saj, sikur e quante ajo, “të vogël, të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës në Ballkanin e përhumbur.”

Pra, Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali njerëzimit. Ajo i shpalosi vlerat më të mira të popullit të saj: dashurinë për njerëzit, përvujtëninë dhe përkushtimin ndaj vlerave njerëzore. Ne, bashkëkombësit e saj, jemi krenarë që kjo bijë jona ia shpalosi botës vlerat e kombit tonë dhe i shndërroi ato në vlera të njerëzimit.

Prandaj, në ditët sikur kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës por edhe si bashkëkombas të saj ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e Nënë Terezës për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj peqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë, sipas modelit human të Nënë Terezës.

Si grua ndërkaq, jam krenare që edhe vajzat në Kosovë do të mund ta shohin shembullin e gruas shqiptare të quajtur Anjeza Bojaxhiu – Nënë Tereza, e qetë por e vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifirkojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla por edhe me vepra konkrete, sikur thoshte ajo, “të vogla, por me dashuri të madhe”.

Prandaj, ne mund dhe duhet të mësojmë çdo ditë nga dashuria e saj për njerëzit. T’u gjendemi pranë të vuajturve. T’u gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Nuk mund t’ua mbyllim derën të varfërve, sikur nënë Dranja nuk ua mbyllte asnjëherë atë, teksa i ofronte në sofrën e familjes së saj, sikur të ish e tyrja. Dhe ne nuk do ta mbyllim asnjëherë derën për të gjithë miqtë tanë – sipas traditës – ajo është gjithnjë e hapur. Sepse, siç thoshte Presidenti ynë historik, Shtëpia jonë është edhe e mikut.  Zoti e bekoftë Shën Terezën! Zoti e bekoftë Kosovën!” — përfundoi Dr. Vjosa Osmani përshëndetjen e saj me këtë rast.

Ndërkaq, me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti mbajti fjalim dhe vendosi lule te shtatorja e saj në Prishtinë, në sheshin që mban edhe emrin e saj, në një ceremoni të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH-së), nën drejtimin e Prof. Dr. Skënder Asani.

Para të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se, “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”.  Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”.

Çdo vit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup që drejtohet nga Drejtori i këtij instituti Z. Skënder Asani, organizon aktivitete të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimit të Nënës Terezë.  Njoftohet se sivjet, ndryshe nga e kaluara — nga 26 gushti deri 5 shtator — në Shkup dhe në Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturor, “Drita e Gonxhës”, gjatë të cilit do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Pasi përshëndeti personalitetet e larta, përfshir ministra të qeverisë dhe të pranishmit e ftuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti tha ndër të tjera: 

“Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë.

Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup) si çdo vit, po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror (Nobel) të paqës.

Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.

Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten, u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura.  Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar.

Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.  Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.

Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë.  Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”.  Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara.

Sot, po përkulem pranë shënjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte”, përfundoi Kryeministri i Kosovës fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Sheshin nenë Tereza në Prishtinë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Per ata ëndërrtarë si unë, që shpesh ëndërrojmë për një bashkpunim më të madh kombëtar në sipërfaqen e trekëndëshit Prishtinë-Shkup-Tiranë, ndonëse kënaqemi me këtë rast dhe raste të tjera si ky për bashkpunimin kulturor midis Shkupit të vjetër shqiptar dhe Prishtinës, sidomos në nivelin politik, kulturor dhe fetar që pamë kësaj radhe në Prishtinë dhe në Shkup – për fat të keq, baza trekëndëshe nuk ishte e plotë as e fortë për të nderuar Nënë Terezën — si zakonisht, as këtë herë — pasi mungonte një kulm i këtij trekëndëshi – ai i Tiranës zyrtare e kulturore – ku siç duket përvjetori i lindjes dhe 5-vjetori i shenjëtërimit të Bijës së Kombit Shqiptar, Nënë Terezës nuk kishte të njëjtën rëndësi ashtu siç ka në dy kulmet e tjera të trekëndëshit shqiptar — Prishtinë e Shkup!  Duket se, për hir të interesave të tjera jo-kombëtare, prioritare sot për sot në Tiranë, edhe Shën Nënë Tereza po bie viktimë e politikës aktuale konfliktuale ndër-shqiptare! 

Frank Shkreli  

               Presidentja e Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani duke folur të ënjtën që kaloi në Akademinë solemne, kushtuar Nenë Terezës, në Qendrën “BogdaniPolis”, pranë Katedralës në Prishtinë. 

                                    A group of people sitting in chairs

Description automatically generated with low confidenceNga pjesëmarrja në Akademinë kushtuar Nënë Terezës në Katedralën me të njëjtin emër, në Prishtinë

A person standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z, Albin Kurti duke folur para Statujës së Nenë Terezës në Sheshin me të njëjtin emër në Prishtinë, në ceremoninë e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

A picture containing person, outdoor, standing

Description automatically generated

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, (ITSHKSH-së,) Z. Skender Asani me Kryeministrin e Republikës së Kosovës në manifestimin e zhvilluar në Prishtinë, në nder të Nenë Terezës me rastin e ditëlindjes dhe të 5-vjetorit të Shënjtërimit të saj nga Papa Françesku

                        Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, bashkë me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Z. Armend Mehaj, vendosën lule të freskëta mbi pllakën përkujtimore të Nënës Tereze në Sheshin e Shkupit, më 25 Gusht.  “Falënderoj ministrin Mehaj për respektin dhe nderimin që po i bën Shenjtores sonë me rastin e 111-vjetorit lindjes së të saj, duke ndarë bashkë me ne si institucion këtë ceremoni nderimi, që është jo vetëm privilegj, por edhe obligim që të jemi krah njëri tjetrit në punë e ide të mira”, ka shkruar Z. Asani në profilin e tij në fejsbuk.

Featured Image

Edhe Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka admiruar Nënë Terezën, ndërsa ka deklaruar për Radio Vatikanin se figurën botërore të solidaritetit, Nënë Terezën e ka pasur frymëzim e shembull për t’u ndjekur edhe në punët e shtetit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Frank shkreli, Nene Tereza, Vjosa Osmani

PRESIDENTJA OSMANI U TAKUA ME KOMANDANTIN E KFOR-IT, GJENERALMAJOR FRANCO FEDERICI

August 27, 2021 by s p

Dielli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua në takim të rregullt me Komandatin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici. Komandanti i KFOR-it e vlerësoi situatën e sigurisë në vend si të qetë dhe stabile, duke nënvizuar se institucionet përkatëse të sigurisë janë në bashkërendim të plotë me njëra-tjetrën.

Komandanti i KFOR-it informoi Presidenten Osmani për stërvitjen “Stërvitje dhe Trajnim Operacional – OPREH Niveli II”, e cila do të mbahet në shtator, në Kosovë. Kjo është një stërvitje e rregullt rutinore. Stërvitja do të përfshijë zbarkimin e trupave shtesë të vendeve aleate, të cilat do të trajnohen bashkë me njësitet e KFOR-it, si pjesë e Forcës Operacionale Rezervë të KFOR-it.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani diskutoi me Komandantin e KFOR-it për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohëshme dhe të menjëhershme për kontraktuesit afganë që punojnë në NATO, përfshirë edhe familjet e tyre.

Filed Under: Kronike Tagged With: FRANCO FEDERICI, Kfor, Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT