INFORMIM: KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DISKUTOI ME QEVERINE TE DREJTEN E VOTES TE DIASPORES/
ANËTARËT E KËSHILLIT KOORDINUES TË DIASPORËS ZHVILLUAN NJË MBLEDHJE ONLINE MBI TË DREJTËN E VOTËS ME KRYEMINISTRIN, Z. EDI RAMA/
Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan me 22 qershor një mbledhje online me Kryeministrin, z. Edi Rama, për të diskutuar mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Në mbledhje morën pjesë edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko; Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj; bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe anëtari i Këshillit Politik, z. Damian Gjiknuri; Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karcanaj. Që prej krijimit të Këshillit, anëtarët e tij kanë bashkëpunuar dhe janë angazhuar vazhdimisht për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja dhe forcimin e marrëdhënieve të tyre me Shqipërinë. Sipas rendit të ditës, diskutimi u hap nga Kryeministri, i cili theksoi angazhimin e Qeverisë për të punuar për garantimin e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Mbledhja vijoi me diskutimin e Kryetarit të KKD-së, z. Mark Gjonaj, dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko. Ministri Majko u shpreh se maxhoranca ka vullnetin e plotë për sigurimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë, e cila është një e drejtë kushtetuese. Më pas, mbledhja vijoi me diskutimet e anëtarëve të KKD-së mbi mundësinë e kontributit të kësaj strukture në procesin e garantimit të votës.