• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRUKSELI PRET KRYEMINISTRAT E KOSOVËS E SERBISË NË RAUNDIN E 27-të

June 28, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Qershor.-Delegacionet nga Kosova dhe Serbia shkojnë në Bruksel, ku në 29 qershor, zhvillohet raundi i 27-të i dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA. Pas raundit të 26-të, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se bisedimet midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, janë përqendruar në çështjet e pazgjidhura midis palëve, si: energjia, telekomi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës dhe liria e lëvizjes.“Përparim i mirë është bërë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë për këto katër çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt, në ditët e ardhshme, për të finalizuar marrëveshjet”, ka thënë Mogherini përmes një deklarate për media.Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve të makinave është nënshkruar në margjina të takimit.

KOSOVA KA ÇËSHTJE TË PADISKUTUESHME E TË PANEGOCIUESHME

Kryeministri i Kosovës, Mustafa, nuk është deklaruar për mediat as para, as pas takimit në Bruksel, ndërsa pas kthimit  në Prishtinë, në një mbledhje të qeverisë, tha se, “ gjatë takimit të datës 23 qershor janë trajtuar disa prej çështjeve që kanë qenë të parapara, si çështja e parimeve themelore lidhur me asociacionin e komunave, çështja e energjisë, çështja e kodit telefonik, çështja e kalimit mbi urën e Ibrit dhe poashtu është arritur që të nënshkruhet Marrëveshja lidhur me policat e sigurimit”.

“Mund të them se për çështjet e tjera, sa i përket asociacionit të komunave, energjisë, për të cilat është diskutuar në mënyrë specifike, të tjerat nuk kanë arritur të diskutohen thellësisht. Kemi mbetur që të punojmë edhe më tutje në nivel të ekspertëve për të sqaruar disa çështje që kanë qenë shumë të hapura ndërmjet nesh dhe jemi marrë vesh që të vazhdojmë këtë të hënë”, shtoi ai.

Ne, vijoi Mustafa, jemi angazhuar që të gjitha këto çështje të zgjidhen në suaza të parimeve të cilat ne i kemi përcaktuar më parë dhe unë mendoj se ashtu edhe do të ndodhë. 

“Jemi marrë vesh që dialogu të vazhdohet për të njëjtat tema, që të mos dalim dhe të themi se kush kujt çka i tha, sepse ajo nuk na ndihmon ne që të zhvillojmë një dialog konstruktiv, por që, çështjet të cilat i kemi biseduar atje të jenë çështje të një dialogu i cili zhvillohet natyrisht nganjëherë edhe me pajtime dhe mospajtime, por që të bëjmë përpjekje që t’i përafrojmë qëndrimet duke u bazuar në parimet e domosdoshme që ne duhet t’i respektojmë, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që janë në fuqi, që është prona e Kosovës, që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme”, tha kryeministri Mustafa.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që dialogu të jetë konstruktiv dhe që zgjidhjet të jenë ato të cilat do të ndihmojnë që ne në të ardhmen t’i lëmë anash problemet të cilat i kemi tani të hapura, por edhe të orientohemi në perspektivën tonë zhvillimore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka folur në Bruksel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Mustafa,  ku ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira dhe se nuk është arritur ndonjë marrëveshje finale.

“Kemi shënuar mjaft përparim, para së gjithash për çështjen më të vështirë që është Asociacioni i Komunave Serbe. Shpresoj se në ditët e ardhshme, së paku këtë marrëveshje mund ta finalizojmë, por po punojmë intensivisht dhe seriozisht për të gjitha temat e tjera”, ka thënë Vuçiç.

Ndërsa sot, kryeministri serb Vuçiç, ka thënë se në takimin e nesërm në Bruksel, pjesë e dialogut me Prishtinën, shkon me besim të mirë dhe ka theksuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por se ka thënë se “nuk varet prej nesh se çfarë do të ndodh”.

Sipas Vuçiç  përfaqësuesit e Prishtinës kanë shkelur marrëveshjen për mos-dhënie të detajeve në lidhje me bisedimet që janë zhvilluar në Bruksel herën e fundit.

Kryeministri i Serbisë, sipas raportimit të medias, ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij në lidhje me mos-themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Edhe në takimin e nesërm temat kryesore pritet të jenë të njëjta me ato të takimit të kaluar. “Bashkësia e komunave serbe” në Kosovë, renditej e para nga “katër temat” e raundit të 26-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd. Media në Serbi ka renditur të dytën “energjetikën”, të tretën “telekomunikacionin” dhe të katërtën “Parkun e paqes” siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.

Burimet zyrtare në Prishtinë po ashtu kanë theksuar katër tema, me dallim vetëm në renditje, “energjinë, telekomin, barrikadën mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe Asociacionin e komunave serbe”, duke bërë të ditur se për këto çështje para takimit të kryeministrave të Kosovës e Serbisë në Bruksel kanë qëndruar dhe kanë vazhduar të jenë atje grupet punuese kosovare në kuadër të dialogut.

KOSOVA DHE SERBIA PËR KATËR VITE BISEDIMESH NË BRUKSEL KANË ARRITUR 20 MARRËVESHJE

Për katër vite bisedimesh në Bruksel, që nisën me teknike e kaluan në nivel të lartë kryeministror, Kosova dhe Serbia kanë arritur 20 marrëveshje. Këtë e bëri të ditur sot në Prishtinë ministrja për Dialogun në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, në konferencën e tretë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ku foli për temën “Progresi  në dialogun e Brukselit dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës”.

“Sot katër vite pas, janë arritur njëzet e dy  marrëveshje me Serbinë, disa janë zbatuar nga Serbia, e disa janë rrugës së zbatimit, dhe në disa fusha Serbia ka shënuar ngecje serioze në zbatimin e marrëveshjeve”,  u shpreh ajo.

Ministrja Tahiri tha se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës  dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit  Evropian ka dhënë rezultate të rëndësishme në disa plane. Vlen të veçohen rezultatet në forcimin e kushtetutshmërisë, ligjit dhe demokracisë në tërë vendin dhe shuarja e strukturave paralele serbe në fushat ku janë arritur marrëveshjet, pastaj përparime ka pasur në normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, dhe në mënyrë të veçantë dialogu i Brukselit ka kontribuar në perspektivën euro-atlantike për Kosovën. Ajo pastaj u ndal në veçanti tek procesi i zbatimit të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë dhe shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” si dhe informoi mbi takimin e radhës në Bruksel në nivel kryeministrash ku do të trajtohen dhe eventualisht mbërrihen marrëveshjet për temat që janë në rend dite.  Ajo shprehu pritshmërinë që do të ketë rezultate për përmbylljen e çështjes së kodit shtetëror telefonik, për të cilën do të aplikojë shteti i Austrisë, pastaj do të ketë përparime në çështjet e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, në përkufizimin e parimeve të përgjithshme për asociacionin dhe për heqjen e barrikadës nga ura e lumit Ibër.

Ministrja Tahiri shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të polisave të sigurimit të automjeteve mes dy shteteve, e cila marrëveshje do të ulë koston e tarifave dhe mundësojë një lëvizje më të lirë për qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Kosova me dialogun e Brukselit  po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe vetë Dialogu i Brukselit po konsiderohet si kontribuuesi kryesor për paqen në rajon duke qenë se në vendet tjera nuk ka pasur zhvillime inkurajuese, duke pasur parasysh që në Maqedoni ka probleme demokratike dhe etnike ku nuk ka pasur përparime në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe po ashtu Bosnja vazhdon me sfidat e saja”, tha ministrja Tahiri.

Në Bruksel të hënën e 29 qershorit 2015 takohen për herë të katërt kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, ndërsa  nga 26 raundet e zhvilluara deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa i 26-ti në 23 qershor  2015. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre.

PYETJE NË KUVENDIN E KOSOVËS: PËR ÇKA U DAKORDUAT DHE ÇKA DO TË NËNSHKRUANI TË HËNËN ME DELEGACIONIN E SERBISË NË BRUKSEL?

Pas raundit të 26-të, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në 25 qershor ka nisur me pyetjet për delegacionin kosovar se çka biseduan e për çka u dakorduan në raundin e 26-të kryeministror në 23 qershor dhe çka do të nënshkruajnë të hënën me delegacionin e Serbisë në Bruksel. Gjatë koha për deklarimeve  jashtë rendit të ditës, këto pyetje i bënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, dhe deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, duke theksuar opinonin e tyre se bashkësia e komunave serbe në veri do jetë një autonomi apo republikë.

“Te ne po krijohet rajoni autonom…Ky rajon autonom as nuk ka lojalitet ndaj shtetit të Kosovës, do të jetë në plotëni i udhëhequr politikisht prej Republikës së Serbisë”,  u shpreh deputeti Deda. Sipas tij, “kompromiset në emër të Kosovës po vazhdojnë dhe janë duke u shkelur vijat e kuqe”.

 “Për çka keni biseduar dhe çfarë vendimesh keni arritur me palën serbe…Ju do të jeni ata që në Bruksel do ta firmosni një marrëveshje në dëm të vendit, atë të bashkësisë serbe, apo thënë më mirë krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne dhe qytetarët e vendit tonë”, është shprehur deputetja Bajrami.

Gjatë këtyre deklarimeve jashtë rendit të ditës, ku u bënë edhe pyetje, kryeministri Isa Mustafa e zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nuk ishin prezentë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, prandaj as nuk pati përgjigje.

Shtypi i Prishtinë në mëngjesin e 23 qershorit theksonte se, “në bisedimet e sotme në Bruksel, pala serbe do të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe brenda dy muajve”. “Nëse realizohen pritjet e Beogradit zyrtar që Asociacioni i Komunave Serbe të themelohet brenda dy muajve, atëherë veriu i Kosovës do të mbetet nën kontrollin e Serbisë edhe për një kohë të pacaktuar. Prandaj kërkohet nga pala kosovare që sot në Bruksel të mos arrijë ndonjë marrëveshje, që ua zgjat jetën strukturave paralele që financohen nga Serbia”, shtohet më tej.

Përkujtohej se, “në Prishtinë është thënë disa herë se Asociacioni do të themelohet vetëm kur të sigurohet shpërbërja e tërësishme e strukturave ilegale” dhe se pjesë e tyre “në veriun e Kosovës nuk është vetëm ‘Mbrojtja Civile’ (‘Civilna Zastita’) për të cilën është arritur një marrëveshje për transformim”.

Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para dy vitesh, në 19 prill 2013, nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:

TEKSTI I MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI, PARAFUAR NË 19 PRILL 2013 NË BRUKSEL

1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion/Bashkësia  do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
8.Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.
9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.
10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.
11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.
12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kornizën kohore, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent. 
13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.
15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

 DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE KRYEMINISTRORE KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

THAÇI-DAÇIÇ:

Viti 2012:
Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor
 
Viti 2013:
Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor

Raundi 20 – 13 dhjetor

 Viti 2014:
Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars

MUSTAFA-VUÇIÇ:

 Viti 2015:

Raundi 24 – 9-10 shkurt

Raundi 25 –  21 prill

Raundi 26 –  23 qershor

Raundi 27 –  pritet në 29 qershor

Filed Under: Rajon Tagged With: Bruksel, Kryeminstrat Thaci, Vucic

Vëllai i shqiptaro-amerikanëve të vrarë paralajmëron kryeministrin serb

April 16, 2015 by dgreca

Vëllai i tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë në Kosovë pak pas luftës i kërkoi kryeministrit serb të bëjë përparime në zgjidhjen e vrasjes para vizitës së tij të planifikuar në Shtetet e Bashkuara./
NEW YORK( BIRN):Vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, të cilët u vranë në Kosovë 15 vjet më parë nga forcat serbe, paralajmëroi kryeministrin Aleksandër Vuççi se familja do të shkakonte polemika nëse nuk bëhej ndonjë progres domethënës në këtë çështje para se kryeministri serb të vizitojë Beogradin.
Fatos Bytyçi tha se Vuçiç i kishte premtuar familjes në disa raste se ai nuk do ta vizitonte SHBA-në apo takohej me Presidentin Barak Obama para se të kishte zhvillime të rëndësishme në këtë çështje.
“Vizita në Shtetet e Bashkuara ose takimi me presidentin Obama pa pasur progres në këtë çështje do të ishte premtimi i tij i shkelur në lidhje me këtë çështje. Ai më ka shprehur gjithmonë angazhimin e tij personal që vrasësit e vëllezërve të mi të ndiqeshin penalisht – pavarësisht se kush janë ata,” tha Bytyçi të enjten.
Premtimi i fundit që ai mori nga qeveria serbe ishte se çështja do të zgjidhej deri në mars të këtij viti, tha ai. Prokuroria serbe ka njoftuar gjithashtu disa herë se do të zgjidhë çështjen, por deri tani nuk është ngritur asnjë akuzë.
Vëllezërit Bytyçi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare, iu bashkuan një dege vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur Brigadat e Atlantikut, e cila ishte aktive gjatë konfliktit me forcat e Beogradit në vitin 1999.
Përkrahë anëtarëve të tjerë të Brigadave të Atlantikut, të cilët kryesisht kishin ardhur nga SHBA-ja, vëllezërit udhëtuan për në Kosovë për të luftuar kundër Serbisë. Sipas Fatos Bytyçit, pas marrëveshjes së paqes të korrik 1999 që i dha fund luftës së Kosovës, ata ranë dakord tëshoqëronin disa fqinjët romë në Serbi.
Por kur ata kaluan një vijë të pashënuar kufitare pranë Merdares, u arrestuan nga policia serbe se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në atë që atëherë ishte ish-Jugosllavia
Pasi kryen dënimet e tyre, ndërsa largoheshin nga burgu u Prokupljes, u arrestuan përsëri, u çuan në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.
Gjatë mbrëmjes së 9 korrikut 1999, ata u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një vendgrumbullim plehrash, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe.
Eshtrat e tyre u zhvarrosën në qershor të vitit 2001 nga një varr masiv në fshatin Petrovo.
Prokuroria e krimeve të luftës paditi dy oficerë policie, Streten Popovic dhe Milos Stojanovic, për transportim të vëllezërve nga Prokuplje në Petrovo Selo. Në vitin 2012 të dy u liruan nga akuzat.
Gjatë gjyqit, Stojanovic dhe Popovic u shprehën se ata morën urdhër t’i shoqëronin vëllezërit në Petrovo Selo nga Vlastimir Djordjevic, i cili në atë kohë ishte ndihmës ministër i brendshëm i Serbisë.
Vitin e kaluar Gjykata e Hagës e dënoi Djordjevicin me 18 vjet burg për krime lufte në Kosovë.
Hetimi fillestar për vrasjen e vëllezërve, i cili u nis nga prokuroria serbe për krimet e luftës me ndihmën e SHBA-ve, u përqëndrua te tre persona: Djordjevic, Vlajko Stojiljkovic, një ish-ministër i brendshëm i cili vrau veten në vitin 2002, dhe Goran Radosavljevic, ish-komandant i një njësie speciale policore dhe i qendrës së stërvitjes në Petrovo Selo.
Radosavljevic tani është në pension, por mbetet aktiv në politikë si anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresiste të Serbisë. Ai gjithashtu drejton disa kompani të sigurimit.
Ai është marrë në pyetje në lidhje me vdekjet e vëllezërve Bytyçi, por nuk është ngritur asnjë akuzë. Ai ka mohuar çfarëdolloj përfshirjeje në krim.
Serbia është vënë disa herë nën presion nga Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur këtë çështje – më e fundit në muajin mars nga një agjenci qeveritare e quajtur “Komiteti Amerikan i Helsinkit”, i cili tha se mungesa e përparimit në çështjen Bytyqi tregonte se nuk ishte vendosur drejtësi.
Autoritetet u kritikuan gjithashtu edhe nga ambasadori i SHBA-ve për krimet e luftës Stefen Rap, i cili deklaroi se Serbia duhet të ndjekë penalisht ata që urdhëruan krimin dhe se asnjë ambasador amerikan do të pushojë së i bëri presion Serbinë derisa kjo çështje të zgjidhet.
Vuçiç mori një ftesë për të vizituar SHBA-në më 9 prill nga zv/presidenti i SHBA-ve Joe Biden. Data e vizitës mbetet ende për t’u përcaktuar.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fatos Bytyqi, kryeminsitrin serb, paralajmeron, Vucic

Mustafa: Marrëveshja siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës

February 10, 2015 by dgreca

Aleksander Vuçiç: Kemi bërë gjithçka për popullin tonë në Kosovë/
PRISHTINË, 10 Shkurt/- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se marrëveshja e arritur në Bruksel siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa thekson se “sot në mëngjes përfunduam një marrëveshje shumë të rëndësishme, e cila siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës. Falenderoj përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogerini dhe anëtarët e delegacionit, zv kryeministrin Hashim Thaçi, Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuci, Ministren Edita Tahiri, Ministrin e integrimeve Evropiane, Bekim Collaku, Blerim Shala dhe Valon Halimi, këshilltarin tim për çështje të emigracionit dhe migrimit. Falenderoj edhe ekipet profesionale që punuan gjatë dhe me përkushtim për këtë fushë të rëndësishme”.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, të kryesuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, në takimin e natës së kaluar në Bruksel të raundit të 24-ët të dialogut në nivel të lartë, të parit të kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç. Ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, marrëveshja u arrit pas më shumë se katër orë bisedimesh.
Vuçiç: Kemi bërë gjithçka për popullin tonë në Kosovë/
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Bruksel, ka bërë gjithçka për popullin e tij në Kosovë “në rrethana dhe kushte jo të lehta”.
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur në orët e para të ditës së sotme marrëveshje për drejtësinë.
“Pres dhe besoj që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet tona të rënda në dialogun me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq në Beograd, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, problem në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë do të jetë numri i gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Kosovë.
“Kemi luftuar që të kemi shumë vende, por çështja është se a do të kemi mjaft njerëz që të kryejnë këtë punë”, ka thënë Vuçiq.

MARREVESHJA
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, të kryesuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, në takimin e natës së kaluar në Bruksel të raundit të 24-ët të dialogut në nivel të lartë, të parit të kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.
Ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, marrëveshja u arrit pas më shumë se katër orë bisedimesh.
Në një komunikatë të Mogherini thuhet se të dy kryeministrat “përmbyllën një kapitull kritik për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e qytetarëve në terren”.
Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e marrëveshjes.
Mogherini tha se “të dy kryeministrat zhvilluan debate gjithëpërfshirëse për një varg çështjesh, si dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiç kanë rënë dakord të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute të migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatën e Mogherinit.
Përfaqësuesesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, takoi mbrëmë në Bruksel duke nisur nga ora 18:00 fillimisht kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa e pastaj atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe më pas u vazhdua me takimin e përbashkët.
“Ka përfunduar pas orës 02:00 takimi në Bruksel. Palët kanë nënshkruar marrëveshje për drejtësinë”, ka raportuar media kosovare nga bisedimet.
Pas takimit kryeministri Mustafa tha se marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë.
I pyetur nëse janë diskutuar tema të tjera në dialog, Mustafa u shpreh se nuk ka pasur kohë për të tilla.
Ai ka thënë se nuk do të hapen tema të reja, pa u shuar institucionet paralele në veri të Kosovës me theks të veçantë “Mbrojtja Civile”.
Kryeministri serb Vuçiç tha se “me arritjen e marrëveshjes Gjykata e Mitrovicës do të ketë 9 prokurorë shqiptarë e 9 serbë”.
Në këtë proces takimesh kryeministrore Kosovë-Serbi për herë të parë ndërmjetësoi përfaqësuesesja e re e lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila ka pasuar Baroneshën Catherine Ashton, ndërmjetësuesen e 23 raundeve të kryeministrave të mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, aktualisht zv/kryeministra e ministra të jashtëm, pjesëmarrës edhe në takimin e mbrëmshëm.
Thaçi dhe Daçiç kanë zhvilluar takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, ndërsa në 19 prill 2013 kanë nënshkruar Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.
Kryeministri kosovar Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, në 3 shkurt, ka theksuar se “jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçanërisht me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt”.
Dje, Kryesia e Kuvendit kosovar u njoftua dhe e mirëpriti shkresën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet të cilës ai shpreh gatishmërinë për ta njoftuar Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.
Nga takimi i 31 marsit 2014, i cili ishte i 23-ti dhe i fundit Thaçi-Daçiç, bisedimet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, të nivelit të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd për normalizim marrëdhëniesh kanë pasur një ndërprerje prej afër 10 muajsh, gjatë së cilës kohë, fillimisht në Serbi e pastaj në Kosovë janë zhvilluar zgjedhje, nga të cilat dolën qeveritë e reja të dy shteteve dialoguese.

Filed Under: Rajon Tagged With: marrveshja, Mongerini, Mustafa, Vucic

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT