Për shkak të faktit se shumica e shqiptarëve kanë marrë shtetësinë suedeze, është vështirë të merret një shifër e sakët se sa fëmijë shqiptar studiojnë apo kanë marrë diplomë fakulteti, mirëpo mund lirshëm të konstatohet se numri i tyre është i kënaqshëm/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sipas të dhënave statistikore, që mund të gjesh edhe në internet, në Suedi tash për tash jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve tashmë kanë marrë shtetësinë suedeze. Në këtë vend të largët skandinav kanë ardhur nga pjesë të ndryshme etnike shqiptare, nga Shqipëria, Labëria, Ilirida, Çamëria e më së shumti nga Kosova. Ky numër kaq i madh i komunitetit shqiptar në këtë vend, pa dyshim, dëshmon qartë ekzistimin e një kombi mijëvjeçar, pastaj edhe ekzistencën e një gjuhe, po ashtu, të lashtë e të ëmbël. Sa emocione të mëdha e të fuqishme jep komunikimi në gjuhën e mëmës, sa bukur tingëllon ajo në një vend të huaj. Këtë gjuhë të bukur të trashëguar brez pas brezi, flitet edhe nga fëmijët e komunitetit shqiptar në Suedi. Për ta ruajt e kultivuar këtë dhuratë kaq të mrekullueshme për kombin tonë, në këtë vend organizohet mësimi plotësues në gjuhën amtare, në të cilën janë të angazhuar mësimdhënës të kualifikuar. Po ashtu në këtë punë të rëndësishme, pa dyshim, se kontribut të madh po japin edhe prindërit të cilët në shtëpi flasin vetëm gjuhën shqipe. S’do mend se në këtë rrugë të mirë të “ frenimit” të asimilimit të fëmijëve tanë kontribut kanë dhënë e po japin edhe institucionet e organet tjera kompetente arsimore të shtetit suedez, që me ligj të veçantë lejojnë dhe materialisht ndihmojnë mbajtjen e mësimit plotësues, dhe në këtë mënyrë nxënësit shqiptar kanë guximin dhe durimin që këtu, në këtë vend me një demokraci më të lartë në botë, fëmijët tanë të ruajnë identitetin shqiptar duke i mësuar shkronjat e fjalët e bukura shqipe. Edhe arsimtarët shqiptar me përkushtim të madh e dinjitoz po kontribuojnë aq shumë karshi kombit dhe edukimit të fëmijëve shqiptar.
Pothuajse nuk ka degë e fakultet në tërë vendin që nuk ka studentë shqiptarë
Fëmijët tanë me kënaqësinë më të madhe, me emocion e entuziazëm të veçantë, duke u dalluar edhe nga kolegët suedez, në mënyrë “ spektakulare” e të mrekullueshme realizuan me aq kujdes ëndrrën e prindërve por edhe të tyren për t’u bërë mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, regjisor, artist, piktor e profesione të tjera të ndryshme e të rëndësishme. Karriera e këtyre të rinjve shqiptar është e ndritshme dhe tash dhe në të ardhmen do ta nderojnë kombin e atdheun. Pos në fakultete të rinjtë shqiptar kanë vazhduar arsimimin e tyre edhe me tutje duke marrë grada të larta akademike si magjister e doktor shkencash. Disa sish janë të inkuadruar në dhënien e dijes së tyre po në ato institucione prej nga i morën diplomat e tyre, ndërsa të tjerë janë duke dhënë kontributin e tyre të madh në avancimin e mjediseve ku ata punojnë. Thënë me gjuhën e fakteve, nuk ka degë apo fakultet në tërë Suedinë që nuk ka studentë shqiptar. Ky numër kaq i madh i kuadrove shqiptare është një dëshmi se mërgata jonë në këtë vend skandinav ka qenë dhe është një ndër pjesët më të organizuara dhe e arrirë e diasporës. Arritjet e këtyre fëmijëve, pra, tejkalojnë përmasat e një aktiviteti thjesht arsimor e edukativ. Përkundrazi, ky nivel i shkollimit janë zjarr i pashuar që identifikon identitetin tonë kulturor ilir në këtë vend të largët. Me një fjalë, duke arritur këtë shkallë të lartë të shkollimit po dëshmohen vlerat etnike dhe kulturore të kombit shqiptar. Kësisoj, fëmijët shqiptar janë bërë gur i fort në marrëdhëniet ndërmjet kombit shqiptar dhe atij suedez.
DIASPORE-Shoqata e Shkrimtareve dhe artistëve shqiptar në Suedi
*Periudhë e suksesshme katërvjeçare e Shoqatës së shkrimtareve dhe artistëve në Suedi/
*Anëtarët e kësaj shoqate kanë arritur që të botojnë libra të shumtë të zhanreve të ndryshëm, punime artistike, piktura si dhe revista e broshura e posaçërisht vlen të theksohet botimi i katër veprave voluminoze “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Kryetar sërish u zgjodh Hysen Ibrahimi/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi vërtetë është bërë një thesar i çmuar, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit po di aq mirë ta lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare këtu në dhe të huaj, ky ishte vlerësim i të gjithë oratorëve në Kuvendin Zgjedhor të këtij asosacioni, që u mbajt në qytetin universitar të Lundit të këtij shteti skandinav. Sipas raportit katërvjeçar të punës dhe aktivitetit të anëtarëve të kësaj shoqate, që e paraqiti z. Hysen Ibrahimi, kryetar, doli në dritë se i gjithë ky sukses i arritur ka kulmuar edhe me botimin e katër veprave voluminoze të titulluar “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Këta libra kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të mërgimtarëve tanë që u angazhuan aq shumë për të kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. I gjithë materiali, përkatësisht shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal, i cili si i tillë është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar. Këta libra janë vlerësuar lartë nga shumë kritik, institucione, dijetar, politikanë e individë të ndryshëm. Po ashtu, në të gjitha përurimet që u bënë në shumë qytete në Shqipëri, Kosovë e troje tjera etnike shqiptare këto vepra u priten mirë, gjë që dëshmon prania e madhe e qytetarëve në ato evenimente. Më pas, z. Hysen Ibrahimi vuri në dukje se krijuesit e kësaj shoqate janë shumë të angazhuar në botimin e librave të zhanreve të ndryshëm, punimeve artistike e piktura si dhe revista e broshura. Kështu, deri me tash ata kanë shkruar mbi 200 vepra të tilla nga gjinitë e ndryshme letrare, por kanë krijuar edhe vepra të tjera artistike që janë të përmendura në opinionin suedezë. Për realizimin e këtyre synimeve, pos dëshirës e vullnetit, kontribut të madh po japin edhe biznesmen shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme për botimin e librave dhe mbajtjen e sesioneve shkencore për çdo vit si dhe të organizmit të tubimeve të ndryshme me rëndësi për komunitetin shqiptar që jeton e vepron në këtë shtet të largët. Nuk ka munguar as bashkëpunimi por edhe ndihma konkrete e Ministrisë së Diasporës, që i dha kësaj shoqate, tha në vazhdim Hysen Ibrahimi. Nga kjo vister aktivitetesh përmbajtësore të zhvilluara gjatë periudhës katërvjeçare, shihet qartë se kjo shoqatë është njëra ndër më aktivet në Suedi në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgim.
Në këtë Kuvend zgjedhor të pranishmit vlerësuan lartë punën e palodhshme që ka dhënë Kryetari Hysen Ibrahimi, pastaj Fetah Bahtiri, Saranda Iseni, Sokol Demaku dhe shumë anëtarë të tjerë të devotshëm që gjithnjë kanë vepruar e punuar duke i shërbyer kombit e atdheut. Shi për këtë, kjo shoqatë ndau shumë lëvdata e falënderime për kontributin e dhënë të këtyre anëtarëve. U pranuan edhe tre anëtarë nderi në këtë shoqatë si dhe u aprovua raporti financiar.
Në fund të këtij tubimi Kuvendi zgjodhi organet udhëheqëse të shoqatës, ndërsa Kryesia e re Kryetar sërish zgjodhi z. Hysen Ibrahimi, sekretar Fahredin Berishën, arkëtar Rrahman Rrahmani.
Paralizim i veprimeve të dobishme
Isa Mustafa nuk mund të thotë se asosacionin e gjeti të gatuar nga qeveria e mëparshme, sepse nëse ka pas paqartësi e mjegulli, ai si kryeminister është dashur të reagoj konform Kushtetutës, sepse nënshkrimi në atë marrëveshje është i tij dhe të gjitha pasojat i bartë ai/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Pavarësisht fjalëve që përsëritën papushim sa herë që këtë e kërkon nevoja e ragimit, kritikës, sugjerimit, këshillës, që nganjëherë, mund të jenë edhe të mërzitshme , apo edhe një shembull i padobishëm, megjithatë, gjithsecili po mundohet, po përpiqet që sado pak të ndikoj që me shkrime, opinione, analiza dhe forma tjera t’i kthej në rrugë të drejt liderët tanë politik, sepse kjo mënyrë e të vepruarit nuk i shkon për shtati mendësisë popullore e aq më pak rregullave e normave juridike. Nuk po bëjnë punë as “parimet” dhe veprimet e këtyre lakmitarëve për pushtet, ngaqë ata nuk po vërejnë se shteti për ta sikur tërësisht është i “ huaj” . Mirëpo, siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrinë ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “ marrë” dhe alogjike. Tek njerëzit e zakonshëm mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë, mirëpo siç dukët nga veprimet e politikanëve tanë mund të ndodh që ata kanë trashëguar një traditë “ mijëvjeçare” “ kapadaillëku”, në vend që do të duhet të ndodhte e kundërta. Njerëzit e këtij niveli të shkollimit, jo të gjithë, do të duhej të ishin besimtarë, bujar, bashkëpunues, por edhe patriot për t’i shërbyer sa më mirë popullit, i cili për këtë arsye ka dhënë votën. Pra, sjellja e tyre nuk duhet të jetë “ luftarake”, por duhet të jenë mbrojtës i të “ dobëtëve” dhe “ kalorës” të së drejtës, me një fjalë “Don Kishoti”. Nuk ka gjë më mirë sikur këta lakmitarë për pushtet të kishin dhënë shembulin si njeridashës, shpirtmirë dhe miqësor e jo të ndodh e kundërta, të urrehen, të xhelozojnë të hakmerren ndaj njeri- tjetrit. Ky polarizim kaq i thellë ndërmjet dy blloqeve ka çoroditur, ka prishur baraspeshën politike, ka paralizuar veprimet e dobishme në favor të gjetjes së rrugëve adekuate në drejtim të zgjidhjes së problemeve e mosmarrëveshjeve aktuale, sepse po vjen në shprehje kryenëçsia që po i bën të pabindur dhe të paarsyeshëm këta politikan. Ata në shpirtin e tyre janë shumë të trazuar e në anën tjetër shpërfillës ndaj kërkesave të shumta për të hapur rrugën e funksionizimit të institucioneve të shtetit e sidomos të Parlamentit, organin më të lartë ligjdhënës të vendit tonë. Do të duhej ta kishin një shqetësim shpirtëror dhe një parandjenjë të asaj që do të duhej t’i pllakoste më vonë. Ka të ngjarë. Por më i besueshëm me dukët hamendësimi se tek këta politikan pasqyrohet një ndrydhje se çfarë do të përjetojnë nëse ata nuk zgjidhen në postet që i ëndërrojnë. Dhek jo trysni shpirtërore po i bën që ata të vuajnë dhe hera- herës, të humbin vetëbesimin dhe fuqinë e veprimit, kuptohet konform normave juridike dhe aktit më të lartë Kushtetutës.
Orgnai më i lartë legjislativ nuk bën të bllokohet
Në të parë, liderëve tanë ju duket një ngjarje e vogël bllokimi dhe mbarëvajtja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por që po bën buj në opinionin e brendshëm e për shumë në atë të jashtëm. Në të vërtetë, Parlamenti do të duhej të ishte një pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike, por edhe shoqërore sepse për herë të parë në historinë më të re të Kosovës ky organ e ka mundësinë që vetë të vendos e të sjell e miratoj ligje që po vlerësohen me standarde ndërkombëtare. Mirëpo, siç dukët lidrëve tanë po iu mungon parapërgatitja shpirtërore apo aftësia e nevojshme gjykuese, të cilët për shkak se nuk po i japin rëndësi se çfarë mund të ndodh me këtë ngërç institucional, vendin e kanë futur në një fazë të “ re” apo më mirë më thënë në një pikë më të dobët të funksionimit të sistemit institucional në përgjithësi. Veprimet e tyre shpesh po janë të çoroditura, që po prishin baraspeshën e të qenit politik si dhe po paralizojnë veprimet e nevojshme karshi situatës së krijuar.
Liderët duhet të zgjohen nga ëndrrat edhe pse pak si vonë
Xhelozia nga humbja e zgjedhjeve por edhe mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë pozitë- opozitë, vetëm sa po e ndryshojnë trajtën e të vepruarit kryeneç dhe asgjë më shumë. Kjo përplasje me realitetin sigurisht se po i kushton shumë shtrenjtë qytetarit, ngaqë politikanët tanë po ua vështirësojnë jetën, sidomos, gjeneratave të tashme, por jo edhe familjeve të tyre. Liderët tanë duhet të zgjohen nga ëndrrat, edhe pse pak si vonë, dhe të zbresin në tokë, të çlirohen nga lakmia e tepruar për pushtet, nga urrejtja, nga hakmarrja, kundrejt gjithëçkaje që është deshtake. Pra, gjërat duhet të kuptohen seriozisht dhe të gjykohen mirë e drejtë. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa bashkëpunuese, keqkuptimet edhe për gjëra më të thjeshta, janë dukuri bashkëshoqëruese jo normale në këtë kohë për çdo këmbim mendimesh, idesh dhe për çdo veprim aq të ndieshëm në gjithë hapësirën kosovare. Është zor të themi se mos vallë janë këto “ pasojë” e papjekurisë shpirtërore, politike e shoqërore, apo në radhë të parë i “ zvetënimit” moral të tyre, që me kërkesat e tyre të “ pathemelta” po ia rëndojnë aq shumë jetën e qytetarëve dhe shtetit që ai të rritët e zhvillohet shëndetshëm. Në këto rrethana të krijuara askujt nuk po i shkon ndërmend të lëshoj pe, të bëhet bujar, të “ sakrifikoj” , të ndihmoj në ndërtimin e institucioneve të vendit dhe të gjitha lëshimet eventuale dhe dobësitë të tejkalohen aq sa është e mundur së bashku.
Kryeministri i vendit nuk mund të thotë se unë nuk ua solla asosacionin
Është më shumë se hipokrizi të dëgjosh nga një kryeminister duke u arsyetuar se sa i përket asosacionit serb, ai nuk paska kurrfarë faji sepse ashtu të “ gatuar” e gjeti nga qeveria e mëparshme. Ky “ sqarim” është një naivitet politik që jo vetëm se nuk e ha “ pazari”, por në anën tjetër tregon qartë se në çfarë shkalle të ulët mund të jetë qeverisja e tij tash e në të ardhmen. Me këtë sqarim të tij vetëm sa edhe më shumë po e komplikon gjuhën e drejt të komunikimit edhe me opozitën edhe më qytetarin. Apo thënë më mirë. Nëse ka diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sa i përket asosacionit serb, atëherë Isa Mustafa si Kryeminister është dashur të reagoj dhe të ndërhyj në gjithë procesin e kësaj marrëveshjeje dhe të heq çdo dilemë lidhur me funksionimin e e kësaj forme të veprimit serb, sepse për këtë e obligon edhe akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta. Nuk mundet dhe nuk ka të drejt Isa Mustafa të thotë e të deklaron që nuk ka përgjegjësi sepse ky është nënshkrues i asaj marrëveshjeje dhe të gjitha pasojat e saj do t’i bartë ai dhe askush tjetër. Ndaj do të kishte me qenë e udhës që t’i lejohet nga opozita që kryeministri të bind atë dhe qytetarin se nuk ka asgjë nga që po flitet se asosacioni serb nuk do të këtë kompetenca ekzekutive.
Liderët sidomos të opozitës duhet të kenë maturi- situata mund të dalë nga kontrolli
Se si dhe në çfarë mënyre dë të reagoj e veproj opozita, ajo vendos vetë. Se sa ishte e qëlluar gjuajtja e kyeminstrit me vezë, tashmë opinioni dhe faktorët tjerë të brendshëm e të jashtëm e kanë dhënë mendimin e vetë. Mirëpo, ajo që me brengos mua është fakti se duke patur parasysh protestat e deritashme dhe përfundimin e tyre të dhunshëm, druaj, druaj shumë se situata mund të përkeqësohet shumë dhe të shkaktohen trazira të paparashikueshme. Në asnjë mënyrë nuk mendoj që të kundërshtoj këtë formë më demokratike të të shprehurit të pakënaqësive mirëpo përvoja e deritashme ka dëshmuar se ende nuk jemi të “ pjekur” që protestat të përfundojnë qetë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Në këtë frymë duhet të angazhohen edhe liderët opozitar, të cilët duhet që mospajtimet dhe kundërshtimet e tyre të shpalosin në Parlament, por edhe të kërkojnë mënyra të qarta për tejkalimin e tyre. Çdo eskalim i situatës do të jetë një barrë e rëndë për secilin lider politik, ndaj edhe kahet e aktivitetit të tyre duhet të orientohen që paqja të mbretëroj në gjithë hapësirën kosovare e të mos bëhemi horë para opinionit sidomos atij ndërkombëtar, të cilët mund të na fajësojnë se ne nuk dimë të mbajmë e të krijojmë shtet. Maturia tash për tash është gjëja më e mirë që mund të ndodh.
Dhe krejt në fund. Një qytetar u shpreh kësisoj: me keqardhje me duhet të them se jemi i detyruar të shohim me tmerr e neveri se si njerëzit që dëshirojnë të bëhen dikushi po mundohen të shqyejnë dhe të shkelin me këmbë shoqi- shoqin vetëm e vetëm se për të gjithë nuk ka vende udhëheqëse.
Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…
Do të ishte më së e domosdoshme që vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë të kushtëzohen me lejimin nga qeveria serbe që këtë ta bëjnë edhe ministra e zyrtar tjerë kosovar këtë pjesë etnike shqiptare/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Jemi dëshmitarë se pothuajse për çdo ditë ministra e zyrtar tjerë serb vizitojnë Kosovën. Ç’është edhe më keq sjellja e këtyre zyrtarëve nga Serbia po keqpërdorët në mënyrë të vrazhdë dhe kundër rregullave e ligjeve pozitive të vendit tonë. Ata jo vetëm që i takojnë serbët lokal në mjedise të ndryshme, por vetë i organizojnë tubimet dhe i mësojnë se si qytetarët duhet të reagojnë dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë se jetojnë e banojnë në Republikën e Kosovës. Për çdo ditë iu thonë se kjo është tokë serbe, se kjo është krahinë serbe dhe se gjithnjë Serbia do t’i mbështesë e do t’i përkrah edhe materialisht, por edhe në forma tjera. Përkundër këtyre sjelljeve antikushtetuese, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente nuk reagojnë fare dhe kështu në heshtje tolerojnë gjithë këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit serb në Kosovë. Zatën kjo heshtje e pakuptueshme ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve serb që për çdo herë ta ashpërsojnë gjuhën e urrejtjes që ndiejnë ndaj shtetit të Kosovës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës të lënë nën mëshirën e regjimit serb
Derisa institucionet dhe organet tjera qeveritare serbiane ndër prioritetet e tyre vepruese kanë edhe gjendjen dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë, fatkeqësisht qeveria e jonë nuk është duke e bërë asnjë hap serioz në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila në mungesë të mbështetjes që do të duhej ta kishte ka zgjedhur disa veprime protestuese që po bien në vesh të shurdhër edhe të komunitetit ndërkombëtar e që është edhe më keq disa familje shqiptare edhe po shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Gabim shumë i madh i palës kosovare ishte fillimi i dialogut me Serbinë pa e përfshirë në ato bisedime edhe Luginën e Preshevës, në të cilën jetojnë me shumë banorë shqiptar se sa që janë serb në pjesën veriore. Lëshimi i këtij rasti është një humbje e madhe për një tretman tjetërfare të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, që vështirë së do të mund të kompensohet aq lehtë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë se kurrë nuk është vonë, ndaj ekipi negociator dhe qeveria e Kosovës duhet të insistojnë për një baraspeshë të të drejtave që duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në atë pjesë etnike ilire e jo vetëm që të bisedohet për pakicën serbe, e cila edhe ashtu i gëzon të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nëse ka drejtësi ndërkombëtare atëherë ajo do të duhej t’i garantohet edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe jo vetëm një komuniteti konkret, siç është rasti me serbët e Kosovës. Thënë konkretisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e regjimit serb, regjim ky që këtë popullatë e trajton krejt ndryshe duke mos bërë asnjë investim sado të vogël për t’ua mundësuar një jetë më të mirë ashtu siç përkujdeset për serbët lokal që jetojnë në një shtet tjetër, përkatësisht në Republikën e Kosovës.
Edhe ministrat kosovar do të duhej të vizitonin Luginën e Preshevës
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, është i pari politikan i këtij rangu që vizitoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Na kujtohen ato pamje të fytyrave të gëzueshme të mijëra shqiptarëve që shiheshin në ekranet televizive. Kjo vizitë iu dha shpresë e vullnet vëllazërve dhe motrave tona në atë pjesë që të qëndrojnë, punojnë e jetojnë për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, nga Kryeministri i Kosovës asnjëherë nuk dëgjuam asnjë fjalë se ai e ka ndërmend që të marrë rrugë në drejtim të Preshevës. Nuk dëgjuam, po ashtu, asnjëherë të këtë shprehur interesimin e tij për banorët shqiptar në atë pjesë në vizitat që i bëri apo edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ku u takua edhe me Kryeministrin serb Vuçiq. Për realizimin e një vizite shumë të nevojshme dhe të mirëseardhur për banorët shqiptar , Isa Mustafa nuk ka kurrfarë pengese sepse ai nuk gjendet në listën e “ terroristëve” shqiptarë të orgeneve ndjekëse të të Serbisë sikurse që janë shumë figura të rëndësishme të UÇK-së, që tani kanë edhe poste të rëndësishme politike . Sigurisht se regjimi serb në fillim do të bënte përpjekje për të penguar një nismë të tillë të të parit të qeverisë së Republikës ës Kosovës, mirëpo insistimi i vazhdueshëm do të përfundonte me lejimin e vizitës në këtë tokë arbërore. Nëse eventualisht këtë do ta pengonte qeveria serbe, atëherë organet tona do të duhej që këtë masë ta aplikojë edhe për zyrtarët dhe udhëheqësit serb që pothuajse për çdo ditë vizitojnë Kosovën. Jo vetëm Isa Mustafa, por edhe ministra e zyrtar tjerë është e udhës që të vizitojnë Luginën e Preshevës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen më të sigurt. Është më së e domosdoshme që të bëhen përpjekje maksimale edhe në aspektin e ndërtimit të ndonjë objekti ekonomik nga të dy qeveritë shqiptare si dhe nga mërgata në mënyrë që fati i banorëve të kësaj ane për të qëndruar në tokën e tyre stërgjyshore të forcohet shumë më tepër se sa deri me tash. Kur ka interesim vullneti e shpresa nuk shuhen kurrë. Mbetet të shihet se sa e si do të punohet në këtë drejtim. Jashtë këtij interesimi nuk do të duhej të mbetën edhe komunat si dhe biznesmen shqiptar kudo që jetojnë, veprojnë e punojnë. Ky aktivitet është sa obligativ, po aq edhe patriotik.
Pala kosovare asesi nuk duhet të lëshoj pe rreth asosacionit të komunave serbe
Athua nuk u dha “ mend” komunitetit ndërkombëtar Republika serpska, udhëheqësit e së cilës jo vetëm që pretendojnë t’i bashkohen Serbisë, por ata janë bërë frenues të çdo përpjekjeje për çuar para BeH .Një gabim i tillë nuk do të duhej të përsëritet edhe në Kosovë!/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Insistimi i Bashkimi Evropian për të filluar një dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit po del se ishte jo vetëm i panevojshëm por edhe bukur shumë i dëmshëm për palën kosovare. Për këtë konstatim flasin edhe marrëveshjet e deritashme të arritura në të cilat, dorën në zemër, tregojnë qartë se prekin dhe provokojnë ndjeshëm sistemin tonë rregullues kushtetues. Si shembull për këtë mund të merret marrëveshja për drejtësinë, në të cilën ashiqare shihet një segregacion etnik në këtë fushë tejet të rëndësishme, i cili ishte praktikuar në arsim dhe në punësim në kohën kur në pushtet ishte regjimi i Milosheviqi . Ka shumëçka për të thënë, por më e rëndësishmja është se bazuar në zhvillimet e deritashme të këtij dialogu, Kosova nuk do të duhej të futej fare në këtë proces, sepse, pavarësisht se BE është ndërmjetësuese, ky mekanizem më shumë po i bën presion palës kosovare që të pranon marrëveshje të “ gatuara” në Bruksel sesa që këtë e bën në drejtim të qeverisë serbe. Me një fjalë, Kosova është duke u ballafaquar e vetmuar nga presione që i vijnë nga anë të ndryshme, ndërsa nga miku ynë i madh SHBA, për shkak të problemeve të shumta e mjaft të rrezikshme në arenën ndërkombëtare, nuk i ka mbetur gjë tjetër pos që të përkrah ato propozime të Brukselit, me një arsyetim tashmë që është bërë rutinë se me to nuk dëmtohet gjë Kosova dhe çka është me rëndësi se nuk cenohet integriteti territorial i vendit.
Për Ujëmanin qytetarët e Kosovës ndihmuan me vetëkontribut për pesë vjet radhazi
Qeveria serbe ka filluar përgatitjet për të “ bindur” opinionin serb për ndryshime kushtetuese që duhet bërë ku do të hiqet nga preambula e aktit më të lartë juridik fjalia se Kosova është krahinë serbe, gjë që flet qartë se Serbia e di fare mirë se Kosova është humbur përgjithmonë. Mirëpo, politika serbe si gjithnjë nuk dorëzohet dhe vazhdimisht punon e vepron kundër Kosovës sidomos në planin ndërkombëtar dhe e përkrahur nga disa miq të saj po arrin që të nxjerr disa “përfitime” të cilat po shkojnë në dëm të palës kosovare. Thënë konkretisht, Kosova ka humb se ka humb bile lë të provohet me të gjitha mjetet, tash për tash diplomatike, për të nxjerr diçka në dobi të komunitetit pakicë serb, por nuk do të ngadalësoj se vepruari edhe në aspektin ekonomik të përfitoj diçka. Se qeveria serbe ende nuk i ka shuar apetitet për pasuritë përrallore të Kosovës tregon deklarata e kryeministrit serb, Vuqiqit, i cili thotë se kurrë nuk do të pranoj që liqeni i Ujëmanit t’i mbetët krejtësisht pronë e Kosovës, por, siç thekson ai, ajo pasuri duhet të ndahet 50 me 50 përqind. Ndërkaq, dihet se ky sistem i rëndësishëm për ekonominë e vendit e posaçërisht për degën e bujqësisë është ndërtuar me anë të kredive që i ka paguar punëtoria kosovare, por edhe qytetarët duke ndarë një përqindje të të ardhurave personale për pesë vjet me radhë pas referendumit që ishte shpallur e përkrahur. Kësi marifeti të palës serbe për të kërkuar pasuri në një shtet tjetër nuk mund të dëgjosh askund në botë, ndërsa politikanët tanë në asnjë rast nuk reagojnë dhe t’i tregojnë atij dhe të tjerëve se pronarë i gjithë pasurisë është shteti i Kosovës dhe askush tjetër dhe se nëse edhe njëherë dëgjojnë “ klithma” të tilla pushtuese më nuk do të këtë kurrfarë dialogu me Serbinë. Nuk forcohet e ndërtohet shteti duke bërë gjithnjë lëshime palës serbe dhe asaj evropiane, por duhet përmbajtur me konsekuencë parimeve që dalin dhe obligojnë nga Kushtetuta e vendit. Vetëm kaq dhe asgjë më tepër.
Asnjë ligj e as Kushtetuta nuk parasheh që asosacioni të këtë kompetenca?
Kohë më parë përfaqësuesi e Bashkimit Evropian për Kosovë, Zhbogar, pos tjerash tha se asosacioni serb i komunave do të formohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe se ai do të këtë kompetenca në disa fusha. Së këndejmi, edhe shtrohet pyetja se athua në cilin ligj dhe nen të Kushtetutës e paska parë z. Zhbogar se një formacion etnik i tillë mund të këtë kompetenca? Megjithatë,për këtë deklaratë të tillë aspak nuk mund të “ fajësohet” përfaqësuesi i BE-së sepse kjo është rrjedhojë e një dokumenti bazë që është prezentuar në Bruksel, e cili siç është paralajmëruar, do të duhet të plotësohet me kontaktet tjera të të dyja palëve, që do të thotë se ato kompetenca në disa fusha do t’i këtë ky asosacion gjithsesi, por pale mos po mundet edhe diçka tjetër të nxjerrë Serbia. Pra, siç doli së fundmi në disa mjete të informimit, ky asosacion serb do të këtë një numër të madh të nëpunësve që nënkupton formimi i një “ qeverie” tjetër që do të veproj në territorin e Kosovës dhe atë të financuar nga buxheti i Kosovës. Së këndejmi, shtrohet edhe pyetja se në çfarë shkalle do të mund të “ intervenoj” dhe kontrolloj e ndikoj qeveria e Kosovës që ky asosacion t’i përmbahet ligjeve dhe aktit më të lartë juridik të vendit. Kjo lë shumë për të dëshiruar. Athua komuniteti ndërkombëtar nuk u mbush “ mend” me gabimin që ka bërë në Bosnje e Hercegovinë me Republika srpska, udhëheqësit e së cilës jo vetëm që angazhohen hapur për t’iu bashkuar Serbisë, por ata janë bërë frenues të çuarjes para të shumë proceseve në këtë vend. Së këndejmi, para ekipit negociator të Kosovës i mbetët obligim edhe moral e shumë më shumë kushtetues që në aspektin e kompetencave të mos lëshoj pe nga çfardo presioni, sepse në të kundërtën jo vetëm që pjesa veriore do të bie devinitivisht nën sovranitetin e shtetit serb, por do të këtë në vazhdimësi probleme edhe me serbët lokal në komunat tjera të vendit tonë.
Serbia pa asnjë pengesë formon institucione paralele në Kosovë
Qeveria e Kosovës ka rënë në gjumë të thellë dhe as nuk po sheh e as nuk po dëgjon se çfarë po bënë e vepron Serbia në territorin e Kosovës. Këtë më së miri e tregon shembulli i fundit antikushtetues në Gorë, kur ministri serb me “ krenari” mori pjesë në aktin e themelimit të Entit për Punësim. Dhe jo vetëm kaq. Ai tha se të njëjtat veprimtari dhe të tjera që kanë karakter shtetëror do të vazhdojnë të instalohen edhe në komunat tjera si dhe që financimi dhe ndihmat tjera materiale nuk do të ndalen për banorët e kësaj pjese të Kosovës, që janë lojal ndaj shtetit serb. Po ashtu, dihet haptas se Serbia ka emëruar kryetar dhe zyrtar tjerë në të gjitha komunat, të cilët në fakt janë persona kryesor që vendosin për gjithçka që ndodh në ato mjedise dhe i japin llogari vetëm shtetit serb. Me një fjalë, qeveria serbe pa asnjë pengesë formon e instalon institucione paralele, ndërsa qeveria jonë “qele guri gojën” apo thënë më mirë nuk e ka ndërmend të kundërshtoj këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të qeverisë serbe në vendin tonë. Zaten thuhet se heshtja është një lloj pajtimi me gjithë atë që ndodh për dhe rreth nesh.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 15
- Next Page »