Z. Jonuz Ndreu, vatrani i kahershëm, për shumë vite anëtar i Këshillit të Vatrës, dhe në kohën e tanishme- anëtar i Advisory Board, javën që shkoi, të enjten ka pësuar strokë dhe ndodhet i shtruar në Orange Regional Medical Center, që ndodhet në Middletown, New York.Gjendja e të sëmurit është nën kontroll të personelit mjeksor, ndërkohë që familja, zonja Bale, vajzat, dhe të afërmit po i qëndrojnë pranë.
Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i shoqëruar nga z. Zef Përndocaj, anëtar i Advisory Board dhe editori i Diellit, Dalip Greca, e vizituan të sëmurin në spital dhe i uruan shërim të shpejtë. Ata qëndrua disa kohë pranë tij dhe biseduan me të.
Z. Jonuz Ndreu është një patriot i njohur, që nuk ka kursyer asgjë për t’i shërbyer Kombit Shqiptar, ashtu si paraadhësit e tij, që Historia i vecon, si heronjë të qëndresës Kombëtare.
Jonuz Ndreu është djali i Cen Elezit dhe nipi i Elez Isufit, të njohur si piramida të pakalueshme të tokave shqiptare nga sllavët dhe të gjithë pushtuesit e Atdheut. Edhe pse në pension, ai kurrë nuk u tërhoq nga veprimtaritë e komunitetit shqiptar në Nju Jork.
Në majin e këtij viti, ai udhëtoi në Dibrën e dashur dhe mori pjesë me krenari në veprimtaritë e organizuara nga Bashkia e Peshkopisë dhe Presidenca e Shqipërisë në vlerësim të figurës kombëtare, legjendës së Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, Elez Isufit, Arushës së malit, sic e kanë epitetuar rapsodët dhe gazetarët.
Z. Jonuz Ndreu, njihet në komunitetin shqiptar si një patriot i dorës së parë, atdhetar i përkushtuar, demokrat i pakompromis, familjar shumë i mirë, kontribues i përhershëm në Vatër dhe komunitet.
I urojmë shërim të shpejtë vatranit të kahmotshëm!
Ne Fotot: Vatrani i vjeter, anetar i bordit te vatres,Jonuz Ndreu, duke marre Urdherin “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, akorduar (Pas vdekjes ), heroit Kombetar, Elez Isufi Ndreu, nip i të cilit është z. Jonuz Ndreu.
Z. JONUZ NDREU SHKOI NE NJE QENDER REHABILITIMI NE NJ
Te premten me 8 nentor, Dr. Skender Murtezani, kryetar i deges se vatres ne Queens , i shoqeruar nga editori i Diellit, Dalip Greca, vizituan z. Jonuz Ndreu ne spital. Gjendja e tij shendetesore ka permiresim te dukshem. Ne mesditen e se premtes z. Ndreu u trasferua ne nje qender rehabilitimi ne Nju Xhersi.