” Sulova e Poshtme në shekuj!”/
(esse)
Nga Përparim Hysi/
Para një jave më la takim tek kafe “Evropa” Pëllumb Gorica. Atje takuam dhe Xhevahir Spahiun. Xhevon, xhevahirin e Poezisë Shqipe. Është gëzim i madh që të rrish me Xhevon, pas atij “cunami” shëndetësor që goditi Poetin e bukur. Jo vetëm fati i tij , por dhe për mbarë Letërsinë Shqipe. Ende nuk shkruaj,-më tha Xhevoja, por lexoj. Dhe, tek mundohet që të rikujtojë momente të caktuara nga jeta, ja, tek mbrrin Pëllumb Gorica . Qe një ardhje e bukur, se , me t’u përshëndetur me ne, nxori nga qeska librin e tij ” Sulova e Poshtme në shekuj” dhe,sa ia zgjati Xhevos, ky, si i mallngjyer (sikur vinte përsëri këmbët mbi ato vise ku dikur i ka shkelur këmba) hodhi vështrimin në kopertinë dhe, kur po shfletonte pak ngadalë, ou,-bëri. Po unë kam qenë. – Ke qenë,- e mbështeti Pëllumbi. -Çudi e madhe,- foli tërë shend. Edhe kur qeshë në Tomor ( i referohej Teqesë),vështroja nga larg atë pishën madhështore që dukej nga larg.- Sa bukur! Çudi e madhe!- tha i kalmendur. Dhe, mandej, Pëllumb Gorica ma dhuroi dhe mua këtë libër të tij. Mandej qëndruam që të tre nja një orë të mirë dhe,secili, në punët e veta.
* * *
Kurrë librave që më dhurojnë shokët nuk u rri skiç. Përkundrazi, pasi i lexoj, në kufijtë e dijeve të mia modeste, qoft dhe si lexues, dua të them fjalën time. Libri i Pëllumbit është i një lloji të veçantë: ky libër është si një “anamnezë” e madhe e autorit për një krahinë si Sulova e Gramshit. Ajo që të çuditë në këtë “anamnezë” është pasioni i madh i autorit; këmbëngulja për të lëvruar në shekuj dhe në gjithë këtë libër me vlerë, është derdhur djersa për rrreth 15-vjet, ku autori del si një diturak disapalanësh: edhe historian,edhe arkeolog, edhe agronom, edhe pedolog; edhe zoolog,edhe hidrolog, edhe anatomist,edhe botanist, edhe njeri i artit,edhe i arsimit,edhe i kulturës. Edhe njohës i traditës në të gjitha fushat. Natyrisht, të gjitha këto atribute nuk janë “favore” që po ia bëj unë, por e tregon puna pasionante e tij. Libri i tij ka aq vlera, sa e them pa frikë: sikur çdo krahinë e madhe ( se e madhe është dhe Sulova e Poshtme) të kishte të tillë si Pëllumb Gorica, historia nuk do kish lënë vënd për pikëpamje evazive ku një i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.
Se sa vlera ka libri i Pëllumb Goricës (ende pa dhënë ato mendimet e mia për të) ju them se parathënien,sado konçize të librit, e ka bërë një njeri me emër në analet diturake mbarëshqiptare që quhet, Moikom Zeqo. Unë nuk kam njohje personale me Dr. Moikom Zeqon, por në vizionin dhe mendimin tim personal, DR. Moikom Zeqo është një nga Njerëzit e Ditur të mbarë Kombit. Jo vetëm në fushën e letërsisë, por dhe në fusha të tjera,deri në arkeologji ( ai njeh dhe arkeologjinë nënujore) dhe, po të ishte për mua, jo vetëm duhet të ishte Drejtor i Muzeumit Historik Kombëtar, por të “klonohej” për së gjalli atje. E solla si “pikëreferimi” për t’i dhënë lexuesit vlerat reale të një libri të tillë. Kur flas për vlerën e këtij libri, nuk nisem vetëm nga faqet (rreth 400 faqe), por nisem nga ato relikte historike që ka sjellë autori. Veç vullnetit e pasionit, kemi të bëjmë me një diturak skrupuloz. Bukuria dhe vlera e librit qëndron dhe në faktin tjetër shumë domethënës: autori nuk di të rrahë gjoksin dhe ta bëjë vrimë atë, duke thurur poezi për veten e tij (siç ndodh rëndomë në krijues e paloshkencëtarë), por tregon gjithë referencat dhe burimet ku ka “kullotur”. Pse është i tillë , ai të bën që jo vetëm ta duash, por edhe ta përgëzosh për atë punë aq pasionante, po se po, por dhe me vlera historiko-shkencore dhe më tej. Çdo njeri tjetër që do bënte një punë të tillë ( që të arrihet kjo që ka arritur Pëlllumb Gorica do jo vetëm durim, por dhe kohë e harxhim vlerash financiare), padyshim që do u binte ” borive” të kohës (sidomos në masmedia) dhe do tentonte për të fituar jo vetëm lavdi, por dhe shpërblime a titull shkencor. Jo. Pëllumb Gorica nuk është i tillë. Ai, autoktoni i “Sulovës së Poshteme”, sado që ka gati 16-vjet në Tiranë (ndoshta më shumë?!), e ngriti në apogje dhe e vendosi përjetësisht, në analet e Historisë së Shqipërisë, me gjithë integritetin e saj Sulovën e Poshtme. Lexon librin e tij dhe,pa qenë kurrë në ato anë, zë dhe u “tregon arat vëndasve”. Se Pëllumb Gorica e ka shkruar me aq dashuri e pasion sa ta jep në dorë gjithë hisorinë e kësaj treve të madhe. Ty, si lexues, nuk të mbetem asnjë grimë vështirësi, në se do të duhet të vizitosh një trevë të tillë.
* * *
Libri është i ndarë në kapituj dhe shërben si një guidë disaplanshe për zonën. Aty ke të shkruar e zezë mbi të bardhë: vështrim gjeografik, historik; toponimet, gjenealogjinë. Ke përshtypjet e të huajëve; ke njerëzit me emër që kanë bërë historinë e këtij vëndi. Ke doket e zakonet. Dinamika e arsimit e kulturës. Natyrisht, të gjitha këto nuk janë në kuadrin fjalë, por me referenca shoqëruar me data historike; shoqëruar me dokumente dhe ajo që ia rritë dhe ca më shumë vlerën librit, ka fotografi “blice” të kohës si një dëshmi e pakontestueshme. Shoqërimi me fotografi është prezente, pothuajse, për çdo periudhë historike, se Pëllumb Gorica, nuk ka lënë muzeum apo dokument të kohës pa shfrytëzuar. Kur fola lart për ato “atributet” e Pëllumb Goricës, mos ma merrni si njëanshmëri timen, por jam bazuar vetëm tek libri i tij. Ky libër është “ura e njohjes” me
Pëllumbin. Duke e lexuar me kërshëri, nuk kisha mundësi që mos çuditesha. Ai di mirë gjithë burimet hidrike të krahinës; di gjithë sipërfaqet e gjithë pyjeve ( emërton çdu dru,frutor apo jo frutor”; di drithërat dhe bimët industriale të trevës; di gjithë florën e trevës dhe jo vetëm kaq: duke folur për faunën (të butë apo të egër) ai nuk është vetëm blegtor,por një zoolog i dorës së parë. Syrit të tij prej vëzhguesi skrupuloz nuk i shpëtojnë as insektet e zonës. Ai është jo vetëm agronomi i shkolluar, por dhe bujku i traditës që, di se kur është bërë ugari gati për mbjellje. Ai është ai zootekniku që di se
çfarë kali apo demi mbarshtrohet në Sulovë. Di peshën dhe të dhëna antropemtrike si një shkenctar që flet me gjuhën e shkencës. Folur troç e me një gjuhë popullore: mjafton ta lexosh librin dhe “… je nga Sulova e Poshtme”. Provon ta lexoni dhe do më jepni të drejtë. Unë e kam fituar atë “status”. Në se do më lipset të bëj ndonjë udhëtim atyre anëve, kam për t’i treguar “arat babait”. Do t’i vë gjithë sulovarët poshtë. Se kam zbuluar “magjinë” Pëllumb Gorica. Pa superlativa: ka një këngë popullore të Shqipërisë së mesme ( unë i dua të gjitha këngët popullore të të gjitha trevave) që titullohet “Çohi djem shaloni atin”. Tek kjo këngë e bukur trimërie ka dy vargje që thonë: “… të kisha pasë nji djalë si Rema/ paçë me i hy Vezirit brena/. Unë po bëj pak “plagjiaturë” dhe po them: “Të kish ca djem si Pëllumb Gorica, sa bukur do të qe!” Dhe nuk është një zbukurim imi, por një e vërtetë e bukur që të të jepë emocione të bukura. Të kam zili skrupulozi, Pëllumb Gorica. Të kam zili vullnetin e pasionin dhe, mbi të gjitha, thjeshtësinë. Kjo (thejshtësia) ta zbukuron dhe më shumë ballin. Të kam zili dhe atë lidhjen (të pazgjidhshmen lidhje) me viset ku të ka rënë koka. Je një model i bukur dhe, sipas gjykimit tim, ke fituar të drejtën morale që,veç mbiemrit”Gorica” t’i shtosh “Sulova”,se e meriton më shumë nga kushdo.
Tiranë, 4 prill 2014